ATV

Blog

  • ​Drag Race vjen në fundjavë, premtohet spektakël

    ​Drag Race vjen në fundjavë, premtohet spektakël

    Gara e parë e disiplinës Drag Race për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm do të mbahet në këtë fundjavë, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë. Në këtë garë, që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, pritet të marri pjesë rreth 100 garues.

    Nehat Çitaku, drejtori i klubit Eurogoma Rt që është përgjegjës për organizimin e kësaj gare së bashku me Federatën e Autosporteve të Kosovës, thotë për KosovaPress se popullariteti i kësaj gare është gjithnjë një rritje dhe se përveç garuesve vendas, aty do të marrin pjesë edhe garues nga rajoni dhe Evropa.

    “Gjatë kësaj fundjave, të shtunën dhe të dielën në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë do të mbahet si zakonisht gara e parë e sivjetme prej katër garave të disiplinës Drag Race, disiplinë që ka një popullaritet të madh, ka fansa të shumtë të kësaj disipline por edhe garues që kohëve të fundit që përveç nga Kosova, vijnë edhe nga regjioni, madje edhe nga Evropa… Një garë e cila është me rrezikshmëri të lartë për arsye se aty zhvillohen shpejtësi jashtëzakonisht të larta edhe tentohet që të thyhet edhe rekordi i shtegut… Gjatësia e shtegut është një e katërta e një milje…që do të thotë 402 metra është saktësisht gjatësia e pistës”, tha Çitaku.

    Sipas Çitakut, deri më tani zyrtarisht janë regjistruar mbi 50 garues dhe se ky numër pritet të rritet deri në ditën e garës, derisa shpreson që kushtet atmosferike të jenë të favorshme sepse në rast të reshjeve shiut, gara nuk mund të zhvillohet.

    “Ne po mundohemi për këtë garë që të ofrojmë kushtet më të mira të mundshme, shpresojmë që edhe koha të na shërbejë për arsye se koha është një kriter shumë i rëndësishëm sepse nëse ka shi gjatë tërë ditës, atëherë vështirë se do të mbahet gara. Megjithatë ne do t’i bëjmë përgatitjet e duhura, i kemi bërë dhe linku për regjistrim në këtë garë ka filluar në fillim të javës. Deri më tani rreth 50 garues janë paraqitur… Kështu që shpresojmë që të jetë një garë e suksesshme edhe sepse është gara e parë e këtij lloji për këtë edicion të garave”, theksoi tutje Çitaku.

    Për më të mirët e kësaj gare, do të ketë edhe shpërblime.

    “Klubi ka siguruar për të gjithë garuesit, tri vendet e para për të gjitha disiplinat diku 75 kupa dhe mirënjohje për të gjitha disiplinat mirëpo do të ketë edhe shpërblime për më të mirë për të cilët klubi ‘Eurogoma’ do t’i shpërblejë edhe garuesit më të mirë. Sigurisht nëse thyhet rekordi, apo për kohën më të mirë të garës të kësaj fundjave”, bëri të ditur Çitaku.

    Sa i përket Federatës së Autosporteve, Çitaku ka kërkuar më shumë vëmendje dhe mbështetje financiare nga ana e Ministrisë së Sportit. Sipas tij, kjo ministri duhet të marr më shumë parasysh specifikat e këtij sporti kur të bëhet kategorizimi i federatave.

    “Ligji për sport dhe ligji për sponsorizim është shumë i favorshëm për federatën tonë për arsye se mundëson që ne të pavarësohemi dhe ndoshta në një të ardhme të afër mos të kemi nevojë fare për mbështetje nga ministria, mirëpo për momentin kemi nevojë. Mënyra se si bëhet kategorizimi për federatën tonë është pak sepse ka specifikat e veta… Andaj unë do të ngritja këtë çështje që tek kategorizimi i sporteve të merren parasysh specifikat e sporteve që i kanë specifikat e veta në mënyrë që të trajtohen sa është e mundshme të barabartë me federata tjera”, tha në fund Çitaku.

    Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve për këtë lloj të sportit që në fundjave të jenë të pranishëm në Sllatinë sepse kjo garë do të ofrojë spektakël të vërtetë.

  • Plagoset një burrë në Prishtinë

    Plagoset një burrë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë është plagosur një burrë me armë zjarri në Prishtinë.

    Viktima është trajtuar në QKUK, ndërsa personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë.

    Njësitë kompetente po vazhdojnë të hetojnë rastin.

    Raporti i plotë:

    “Prishtinë 04.05.2023 – 00:17. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është plagosur nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti nën hetime nga njësitë relevante”.

  • ​Dita e Dëshmorëve të Kombit, Nikolla apelon shqiptarët për t’i shërbyer vendit

    ​Dita e Dëshmorëve të Kombit, Nikolla apelon shqiptarët për t’i shërbyer vendit

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë sot (e premte) se sakrifica e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe se shërben si thirrje për t’i shërbyer vendit.

    Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, Nikolla ka thënë po ashtu se në kujtim të atyre që sakrifikuan më të shenjtën, jetën, Shqipëria duhet të përkushtohet drejt të ardhmes evropiane.

    “Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut.

    Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit.

    Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.

    Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim, mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore.

    Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, ka shkruar Nikolla.

  • A e dini që në facebook ekziston një grup i ashtuquajtur “Nana Tabe”?

    A e dini që në facebook ekziston një grup i ashtuquajtur “Nana Tabe”?

    Dëshira e madhe për shkollën dhe për të pasur shoqëri, ndonëse në moshë të shtyrë, bëri që zonja Tabe të krijojë grupe për gratë shqiptare, duke u bërë kështu e njohur si ‘Nana Tabe’.

    Tabe Haxhijaj, në një bisede në emisionin STUDIO A në ATV, tregon historinë e saj se si erdhi deri krijimi i grupeve në facebook dhe si vendosi që të hyjë me emrin “Nana Tabe”.

    “Prej katër motrave më e vogla jom kanë. Unë i kam pasur dy emra, Një Rabshim emrin e nënës dhe emrin Tabe dhe tash kur kanë ardh mem thirr me shku në klasën e parë, mua më kanë thirr Rapshim, e unë nuk e kam ditur që e kam këtë emër. Pastaj kanë thënë se kjo nuk po dëgjon mirë dhe me kanë shlyer mua në atë kohë”, tregon ajo.

    Tabja tregon se si vajza e saj e kishte hapur një grup në facebook, me emrin “Femra krijuese e shenjtë”.

    “Më tha, nanë po du me të shti edhe ty në grup tonin, me e ditë një mirëmëngjesi, një mirëdita. I thash unë nuk do me shku e me lexu, mundem me iu ngatërru. Pas insistimit të saj, unë pranova veç i thash se du me emarrë emrin Nana Tabe”, tregon ajo. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Të paktën shtatë mësues janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Pakistan

    Të paktën shtatë mësues janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Pakistan

    Të paktën shtatë mësues u vranë sot nga të shtënat në një shkollë në veriperëndim të Pakistanit, thanë zyrtarët, pa specifikuar nëse ishte hakmarrje për vrasjen e një mësuesi më herët në zonë.

    Të dy incidentet ndodhën në Parachinar, Kurram, jo ​​shumë larg kufirit me Afganistanin, thanë zyrtarët, raportoi Reuters.

    Autoritetet rajonale kanë dhënë raporte kontradiktore për motivin e vrasjeve.

    Në një deklaratë nga zyra e kryetarit të provincës, thuhet se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje pronësore, ndërsa komisari rajonal tha se shkak duket të jetë antagonizmi sektar.

    Mësuesi i vrarë në incidentin e parë ishte një mysliman sunit, ndërsa mësuesit e vrarë në sulmin e dytë në shkollë ishin myslimanë shiitë, tha komisioneri Saiful Islam për agjencinë britanike.

    “Për momentin nuk dihet nëse incidenti i dytë ka qenë një reagim ndaj të parit”, tha ai dhe shtoi se është shtuar siguria në zonën ku tashmë ka tensione për shkak të dhunës sektare.

  • NATO frikësohet se Rusia mund të godasë infrastrukturën e saj kritike

    NATO frikësohet se Rusia mund të godasë infrastrukturën e saj kritike

    Numri dy i NATO-s ka thënë se Rusia po përgatitet të nisë një ofensivë ndaj kabllove të nëndetëseve të NATO-s në Bashkimin Evropian.

    Ndihmës sekretari i përgjithshëm i bllokut për inteligjencën dhe sigurinë, David Cutler, tha se Rusia po e ndërton hartën e infrastrukturës kritike të aleatëve si në tokë ashtu edhe në atë nënujore.

    “Kjo është mënyra se si Moska po përgatitet për sulme kundër objektivave të nëndetëseve në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Ushtria ruse dhe shërbimet speciale marrin pjesë në operacion”, pohoi ai, transmeton Klankosova.tv.

    “Rusia po përgatitet për një sulm në infrastrukturën e nëndetëseve të NATO-s. Për këtë qëllim, udhëheqja ruse po studion sistemet nënujore të aleancës”, citohet nga “Bloomberg” të ketë thënë David Cutler.

    Ai pohoi se kjo është mënyra se si Rusia lufton në fazat e hershme të konfliktit, ku synon të shkatërrojë infrastrukturën kritike.

    Sipas tij, bëhet fjalë për kabllot e nëndetëseve, të cilat përbëjnë 95 për qind të komunikimeve me internet. Ato lejojnë për çdo ditë transaksione financiare me vlerë rreth 10 trilion dollarë.

    Mes shqetësimit të NATO-s, autoritetet ruse të mërkurën akuzuan Ukrainën për përpjekje për të sulmuar Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putinin. Pas sulmit, parlamenti rus bëri thirrje për një sulm hakmarrës raketor në rezidencën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Ndërkohë, Rusia nisi një nga sulmet e saj më vdekjeprurëse në Kherson, duke goditur një supermarket, një stacion hekurudhor dhe objektiva të tjera civile. Të paktën 21 persona u vranë dhe 48 u plagosën në sulm, raportoi një media lokale, “Kyiv Post”.

  • Zeqiri: Java që vjen do të jetë definitive për betimin tonë

    Zeqiri: Java që vjen do të jetë definitive për betimin tonë

    Kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se java e ardhshme është vendimtare në betimin e tij si kryetar i ri i kësaj komune.

    Ai tha se janë duke bërë takime të vazhdueshme me Ministrinë e Pushtetit Lokal si dhe organet e tjera relevante, në mënyrë që ky proces të jetë sa më në harmoni me gjithë spektrin shtetëror të Kosovës.

    “Jemi çdo ditë duke punuar, duke u konsultuar me rregulloret e me të gjitha aktet ligjore të cilat duhet të veprohet sipas ligjit. Kështu që i kemi afatet ligjore. Ne do të përpiqemi që në afate sa më të hershme të jemi të përgatitur për ta kryer detyrën. Kështu që besoj se java që vjen do të jetë më e qartë rreth takimit të këtyre kuvendeve dhe pres edhe unë javën tjetër t’i sqarojmë disa gjëra, sidomos datat kur do të mbahet kuvendi. Jemi në vazhdën e takimeve me akterët relevant, presim takime me Ministrinë e Pushtetit Lokal, kështu që të jemi sa më në harmoni me gjithë spektrin shtetëror”, tha Zeqiri.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Strukturat paralele te objekti i komunës së Zubin Potokut? Izmir Zeqir tregon si qëndron e vërteta

    Strukturat paralele te objekti i komunës së Zubin Potokut? Izmir Zeqir tregon si qëndron e vërteta

    Dje u raportua se strukturat paralele/ilegale serbe kanë filluar përgatitjen për të penguar qasjen në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ku pritet të betohet kryetari i ri, Izmir Zeqiri.

    Ky i fundit, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se këto raportime nuk janë të vërteta.

    Ai thotë se e vërteta është se pranë objektit të komunës së Zubin Potokut janë duke u bërë punime në ndërtimin e një rrugë, dhe nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë organizim të strukturave paralele apo çfarëdo qoftë për ta penguar betimin e tij si kryetar i ri i komunës.

    “Të vërteta janë ato që kanë dalë nga organet e sigurisë dhe që i kanë dhënë edhe më parë për mediat e Kosovës se aty bëhet fjalë për një punim shumë pran hyrjes pran objektit të komunës së Zubin Potokut, ku është duke u ndërtuar apo meremetuar rruga që është një rrethe rrotullim dhe aty është duke zhvilluar punimet një kompani private që duket se është shqiptare, mirëpo e vërteta është kjo, që është duke u punuar, jo të ketë ndonjë lidhje qoftë me politikën apo me organizimet tona, kjo është e vërteta”, tha Zeqiri. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Cristiano Ronaldo shpallet sportisti më i paguar në botë

    Cristiano Ronaldo shpallet sportisti më i paguar në botë

    Këtë vit Cristiano Ronaldo është shpallur sportisti më i paguar në botë.

    Sipas Forbes, ai ka fituar 136 milionë dollarë.

    Kjo shifër konsiderohet më e larta nga një futbollist në histori, transmeton atvlive.tv.

    Transferimi te klubi saudit “Al Nasr” dhe kontrata fitimprurëse, e ka rikthyer atë në krye të listës së të pasurve të revistës Forbes.

    Ronaldo ka fituar shumë tituj dhe çmime në karrierën e tij në futboll dhe ai vazhdon të jetë një nga futbollistët më të vlerësuar dhe më të admiruar në botë sot./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ‘’They don’t care about us’’, mbi 1 miliardë klikime

    ‘’They don’t care about us’’, mbi 1 miliardë klikime

    Kënga e Michael Jackson, ‘’They don’t care about us’’, ka arritur sukses duke grumbulluar 1 miliardë klikime në platformën “Youtube”.

    “They Don’t Care About Us” është një nga këngët më të njohura të Michael Jackson dhe u lansua për herë të parë në vitin 1996.

    Kjo këngë pati vëmendje dhe kishte ngritur debate të forta për shkak të vargjeve të saj të forta dhe të ndjeshme që flasin për abuzimet e shtetit dhe diskriminimin në shoqëri.

    Ai pati pohuar se kjo këngë ka qenë një thirrje për ndryshim në botë dhe për drejtësi për të gjithë.

    Përveç kësaj kënge edhe ‘’Billie Jean’’ ka mbi 1 miliardë klikime në platformën “Youtube”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: