ATV

Blog

  • Wagner thotë se do t’i largojë forcat nga Bahmuti javën e ardhshme

    Wagner thotë se do t’i largojë forcat nga Bahmuti javën e ardhshme

    Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit paraushtarak rus Wagner në Rusi, tha në një njoftim të papritur të premten se forcat e tij do të largohen nga qyteti ukrainas i Bahmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.

    Prigozhin tha se ata do të largohen më 10 maj për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme me municione.

    “Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar t’i transferojmë pozicionet në vendbanimin Bahmut në njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t’i tërheqim trupat e mbetur të Wagnerit në kampet e logjistikës”, tha Prigozhin në një deklaratë.

    “Unë po i tërheq njësitë Wagner nga Bahmuti, sepse në mungesë të municioneve, ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë”, shtoi ai.

    Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bahmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022.

    Nuk ishte e qartë nëse deklarata e Prigozhinit mund të merret seriozisht, pasi ai ka postuar shpesh komente impulsive në të kaluarën.

    Vetëm javën e kaluar ai tërhoqi një deklaratë që tha se e kishte bërë si “shaka”./REL/

  • Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “zoom”, në konferencë për medie, ka thënë se Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar ankesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    ‘‘Të mërkurën, më 26 prill 2023 Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelet e 20 personave për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima të cilët kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku u refuzua kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerëve’’, tha ajo.

    Sipas saj, Paneli ka vendosur se personat mund të dorëzojnë sërish kërkesë në qoftë se i paraqesin informacione të reja trupit gjykues.

    Ajo tha se apelet janë dorëzuar nga dy mbrojtës që përfaqësojnë 20 personat të cilëve iu refuzuan kërkesat.

    Tutje, ajo tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 28 prill trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për miratimin e një procedure për rastet kur mund të dal aspekti i vetë inkriminimit nga vet dëshmitari në bazë të rregullës 151.

    ‘‘Trupi gjykues është i mendimit se rregulla 43 dhe 151 të marra së bashku me paragrafin 97 v të urdhrit për zhvillimin e gjykimit e rregullojnë siç duhet aspektin e vet inkriminimit të mundshëm nga dëshmitarët në këtë fazë të procesit gjyqësor’’, tha Griep.

    Ajo tha se në bazë të rregullit 151 një dëshmitar mund të kundërshtojë të japë dëshmi që mund ta inkriminojë, megjithatë trupi gjykues mund të detyrojë një dëshmitar të dëshmojë, për shembull nëse dëshmitari do të japë dëshmi unike për çështjen gjyqësore.

    ‘‘Në një rast të tillë trupi gjykues duhet t’i jap garanci dëshmitarit se gjykata nuk do të veprojë lidhur me vet inkriminimin para dhënies së dëshmisë’’, shtoi Griep.

    Ajo po ashtu, njoftoi se më 1 maj 2023 dhe në vijim të vendimit nga trupi gjykues, administratorja përfundoi emërimin e David Young si mbrojtës të Rexhep Selimit dhe caktoi Geoffrey Roberts si mbrojtës zëvendësues.

    Tutje tha se, seancat në këtë çështje do të rinisin më 10 maj 2023, duke filluar nga ora 09:00.

    Kurse, lidhur me gjykimin e Pjetër Shalës, Griep tha se dëshmitari i pestë dhe i gjashtë të thirrur nga Prokuroria kanë përfunduar dhënien e dëshmive të tyre dhe se të dy dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë me masa mbrojtëse përmes video-lidhjes.

    Ajo gjithashtu njoftoi për krijimin e Panelit të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat e mbrojtjes së ligjshmërisë së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

    ‘‘Sipas ligjit, z. Gucati dhe z. Haradinaj mund të parashtrojnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në afat prej 3 muajsh që nga aktgjykimi përfundimtar në përgjithësi. Mund të përcaktohet paneli i Gjykatës Supreme nëse parashtrohet kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë nga njëra nga palët nëse paneli i Apelit në aktgjykimin e vet ka rrëzuar lirimin dhe në vend të kësaj ka marr dënim dënues ose kur shqiptohet një vendim me burg të përjetshëm nga paneli gjyqësor ose paneli i Apelit’’, tha ajo lidhur me këtë çështje.

    Në fund të konferencës, ajo tha se DhSK ka organizuar një seminar për gazetarët e Kosovës e cila u mbajt nga dy gazetarë të pavarur me shumë përvojë në raportimin e gjykimeve.

  • Prishtinë: Grabitje në tentativë, arrestohet një person

    Prishtinë: Grabitje në tentativë, arrestohet një person

    Një person i dyshuar me iniciale D.G është arrestuar pasi ditë më parë i veshur me rroba sportive të zeza ,me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar “FINCA”, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm të cilit i shkakton lëndim në kokë.

    Sipas Policisë, më datë 03.05.2023 rreth orës 16:04, në Stacionin Policor Prizren, raportohet për rast “Grabitja në Tentativë në rrugën “Ahmet Prishtina”.

    “Informatës së dhënë në vendin e ngjarjes i përgjigjen zyrtare policor të njësive relevante – patrulluese dhe ato të hetimeve rajonale. I dyshuari i rastit i veshur me rroba sportive të zeza, me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar “FINCA”, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm të cilit i shkakton lëndim në kokë. Përpjekja e të dyshuarit për të kryer “ Grabitja”, ngel e papërfunduar. I dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Janë ndërmarrë veprime të duhura hetimore, në vendngjarje është gjetur një qelës i veturës së të dyshuarit e më pas edhe vetura të cilën i njëjti e ka pasur në përdorim WV Passat ,ngjyrë e zezë, e cila me urdhër të Prokurorit është sekuestruar. Është identifikuar i dyshuari D.G në shtëpinë e të cilit me urdhër të Prokurorit, është kryerje kontroll (bastisje). Më date 04.05.2023 rreth orës 21:50 i dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar. I njëjti intervistohet në prezence të avokat mbrojtës .Të dyshuarit i është gjetur në posedim një armë zjarri – pistoletë e cila sekuestrohet”, thuhet në njoftim.

    Sipas Policisë, është iniciuar rast i klasifikuar si vepër penale “Grabitja në Tentative”, ndërsa me aktvendim me shkrim të Prokuror i Shtetit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë.

  • Gjermania lehtëson procesin e bashkimit familjar për një kategori

    Gjermania lehtëson procesin e bashkimit familjar për një kategori

    Gjermania ka lehtësuar për një kategori personash, procesin e bashkimit familjar. Ky lehtësim ka të bëjë me heqjen e testit të mësimit të gjuhës gjermane.

    Kështu, nga 1 janari i vitit 2013, në Gjermani ka hyrë në fuqi vendimi sipas të cilit, bashkimi familjar, mund të bëhet pa testet paraprake të gjuhës, por vetëm në rastet kur të punësuar në shtetin gjerman janë personat e punësuar me kualifikime.

    Kjo do të thotë se testi për bashkim familjar nuk u kërkohet atyre që kanë të punësuar në Gjermani, familjarin i cili atje është me një diplomë të njohur.

    Bahri Cani, gazetar nga Deutsche Welle, në një deklarim të drejtpërdrejtë për programin e mëngjesit në RTK, sqaroi se në këtë rast, duhet bërë dallimi se heqja e këtij detyrimi për të mësuar gjuhën, nuk ka të bëjë me ata që shkojnë në Gjermani, bazuar në Rregulloren për Punësim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • Alexis Mac Allister afër kalimit te Liverpooli

    Alexis Mac Allister afër kalimit te Liverpooli

    Siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Alexis Mac Allister është shumë afër kalimit te Liverpooli.

    Ka ende detaje për tu qartësuar para se arrihet marrëveshja e plotë për kushtet personale, raporton KosovaPress.

    Bisedimet mes dy palëve do të vazhdojnë gjatë dy javëve në vazhdim.

    Në anën tjetër, Manchester United ende është i interesuar, por transferimi i tij varet nga shitja e klubit.

  • Ylli i Arsenalit refuzon ofertën për ta rinovuar kontratën

    Ylli i Arsenalit refuzon ofertën për ta rinovuar kontratën

    Bëhet e ditur se ylli i Arsenalit, Reiss Nelson ka refuzuar ofertën nga klubi për ta rinovuar kontratën, kështu duke hedhur dyshime të mëtejshme mbi të ardhmen e tij në veri të Londrës.

    Nelson nuk ka pasur minutazhë të kënaqshme në sezonin 2022/23, për shkak të lëndimeve dhe formës tejet të mirë të Bukayo Sakas dhe Gabriel Martinellit, raporton KosovaPress.

    Sidoqoftë, Arsenali dëshironte me çdo kusht që Nelsson të vazhdojë të ardhmen në “Emirates”. Kontrata e tij aktuale me Arsenalin skadon në fund të këtij sezoni, dhe gazetari i njohur Fabrizio Romano ka bërë të ditur se oferta e klubit për t’ia rinovuar kontratën është refuzuar nga Nelsson.

    Interesi për Nelson mendohet të jetë i lartë pasi një numër skuadrash po e monitorojnë situatën, me Brighton në mesin e skuadrave të raportuara, ndërsa gjiganti i Seria A, AC Milan, gjithashtu besohet që ka shprehur interesim.

  • ​Krerët e shtetit shqiptar bëjnë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” për 5 Majin

    ​Krerët e shtetit shqiptar bëjnë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” për 5 Majin

    Krerët më të lartë të shtetit shqiptar bënë sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.

    Të pranishëm në homazhe ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të shtetit.

    Ata vunë kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri” në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit.

    5 Maji është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

    Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

    Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

    Në ditën e Dëshmorëve, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se sakrifica e dëshmorëve për lirinë është trashëgimi e shenjtë.

    “Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut. Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit. Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim, mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore. Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, shkruan Nikolla. /ATSH/

  • Rada Trajkoviq – Vuçiqit: Që 10 vjet, të dyshuarit për krimet më të rënda i quani patriotë e heronj

    Rada Trajkoviq – Vuçiqit: Që 10 vjet, të dyshuarit për krimet më të rënda i quani patriotë e heronj

    Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm në Serbi, ku mbeten të vrarë tetë persona e u plagosën 14 të tjerë.

    Ajo i reagoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e rishpërndarë artikullin e “New York Times”, i cili e lidh Vuçiqin me botën e krimit, mafinë e huliganizmin, duke thënë se fytyra e Serbisë në botë në këtë ditë është shumë e shëmtuar.

    Trajkoviqi i thotë Vuçiqit se për 10 vjet, ai ka promovuar plagjiatorë, mashtrues e dhunues.

    “Prej 10 vitesh, nga postet më të larta në vend, promovoni mosndëshkimin e krimit dhe i quani të dyshuarit për krimet më të rënda patriotë dhe heronj dhe i mirëprisni në Kuvend”, shkroi Trajkoviq në Twitter, duke iu drejtuar Vuçiqit.

    Tutje, ajo tha se për një dekadë, Vuçiqi e nëpërkëmb çdo njëri të lirë në Serbi dhe se sipas saj, Serbia tash e 10 vjet është “në gjendje të jashtëzakonshme”.

    Kujtojmë se mbrëmë në fshatin Dubona të komunës së Mladenovacit në Serbi, një 21-vjeçar i dyshuar ka shtënë me armë zjarri ndaj një grupi njerëzish duke lënë së paku 8 të vdekur e mbi 10 të plagosur.

    Ndërkaq vetëm një ditë më parë, një nxënës 13-vjeçar hyri në shkollën e tij ku i ndiqte mësimet në Beograd dhe vrau 9 persona, nga ta 8 bashkëmoshatarë dhe një roje sigurie

  • Kitaristi 11-vjeçar shpallet “Evropiani i vitit”

    Kitaristi 11-vjeçar shpallet “Evropiani i vitit”

    Kitaristi i muzikës klasike, 11-vjeçari Ledion Halitaj, është fituesi i sivjetshëm i Çmimit “Evropiani i vitit”. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar mbrëmë gjatë pritjes me rastin e Ditës së Evropës në Prishtinë, duke theksuar se Ledioni është “një model i vërtetë dhe një pishtar i shpresës”.

    Ky është viti i tetë me radhë që BE-ja i ndanë këtë çmim në Kosovë një personi që gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.

    Ndonëse familja e BE-së në Kosovë propozoi të nominuarit, është populli i Kosovës ai që e zgjodhi fituesin, duke votuar në kanalet e mediave sociale të BE-së në Kosovë, thuhet në komunikatën për media.

    Pesë të nominuarit ia kushtuan jetën dhe punën e tyre fuqizimit të grave në biznes, çështjeve të komunitetit dhe sportit, promovimit të multikulturalizmit dhe angazhimit aktiv të të rinjve në jetën kulturore të Kosovës.

    “Është kënaqësi e madhe për mua që t’ia japë të riut Ledion Halitajt Çmimin Evropiani i Vitit 2023. Fakti që shumica e kosovarëve votuan për të në garën me znj. Gjoriq, znj. Jashari, z. Kuka dhe z. Syla, dëshmon se shoqëria pret me padurim gjeneratën e saj të re që ta çojë vendin përpara dhe BE-ja do të jetë këtu për t’i mbështetur në avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, tha ambasadori Szunyog.

    “Dua gjithashtu të falënderoj fituesin e këtij viti dhe fituesit e viteve të kaluara si dhe të nominuarit për Çmimin dhe për kontributin e tyre për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar”, shtoi ai.

    Ledioni (11-vjeçar) është një kitarist i talentuar dhe i njohur i muzikës klasike. Brenda dy viteve, ai fitoi 15 çmime në festivale ndërkombëtare në Kosovë dhe në mbarë Evropën, si dhe katër çmime publike. Ai fitoi çmimin e tij të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani, Rumani, kur ishte vetëm nëntë vjeçar. Ledioni gjithashtu ka ndjekur një kurs për kitare me kitaristë të klasit botëror dhe është shembull për të gjithë muzikantët e tjerë të rinj dhe aspirantë.

    Fituesit e mëparshëm të Çmimit Evropiani i Vitit janë:

    – 2022: Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore Krusha,

    – 2021: Armend Shabani, kryetar i Shoqatës së Matematikanëve,

    – 2020: Lul Raka, profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës,

    – 2019: Visar Ramajli, drejtor i kompanisë KIVO,

    – 2018: Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia,

    – 2017: Erzen Shkololli, kurator dhe artist, dhe

    – 2016: Majlinda Kelmendi, kampione olimpike në xhudo.

    Në komunikatën për mediathuhet se BE në Kosovë mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën për të ecur përpara në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

  • James Rubin komenton lajmin e ‘New York Times’ për Vuçiqin

    James Rubin komenton lajmin e ‘New York Times’ për Vuçiqin

    James Rubin, ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, i cili tash udhëheq Qendrën Globale të Angazhimit në kuadër të këtij institucioni, ka shpërndarë artikullin e New York Times për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku shpërfaq lidhjet e tij me botën e krimit, mafias e huliganizmit.

    “Interpretim brutal”, e ka përshkruar Rubin lajmin e NYT në Twitter.

    New York Times ka përmbledhur një hulumtim rreth krimit në Serbi. Të gjitha faktet që ka paraqitur në këtë tekst, i ka lidhur ngushtë me djalin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Danilon.