ATV

Blog

  • Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron Vuçiqin: Nuk është tërhequr njohja ndaj Kosovës

    Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron Vuçiqin: Nuk është tërhequr njohja ndaj Kosovës

    Deputeti Behgjet Pacolli ka shpërndarë lajmin e diplomatit të Maldiveve, Ahmed Shaheed, se Maldivet qëndrojnë krah Kosovës dhe nuk e kanë tërhequr njohjen.

    Shaheed ka thënë se Presidenca e Maldiveve kategorikisht ka mohuar pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të jashtëm, Ivica Daçiq, se njohja e Ksoovës është tërhequr.

    “Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron sot kategorikisht lajmin e Serbisë (Vuçiq dhe Daçiq) se Maldivet kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, tha ai.

    “Pra Maldivet mbeten pa luhatje, në krah të Kosovës”, shtoi ai.

  • Brahaj: Erdogan, Turqinë e ka çuar mbrapa

    Brahaj: Erdogan, Turqinë e ka çuar mbrapa

    Gazetari shqiptar që jeton në Turqi, Sokol Brahaj, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se presidenti i tanishëm Rexhep Taip Erdoan, e ka çuar Turqinë mbrapa, sidomos në këto 4-5 vitet e fundit.

    “Besoj që Turqia e ka vendin në perëndim, jo në lindje. Turqia e Erdoganit, sidomos këto katër vitet e fundit ka bërë shumë zgjedhje fatale strategjike, popullin e vet e ka çu shumë mbrapa, ekonomia tashmë në Turqi është një katastrofë. Dikur, një euro ishte 7 lira, tani 1 euro është 22 lira”, tha Brahaj.

    Ai përmendi edhe tërmetin nga i cili humbën jetën mbi 50 mijë persona, që sipas Brahajt, në zgjedhje do të jetë minus për Erdoganin.

    “Kemi pasur edhe një tërmet para dy muaj e gjysmë dhe kanë vdekur mbi 50 mijë dhe këto janë të gjitha minus për Erfoganin, por ai është një aktor shumë i rëndësishëm, nuk është që është një aktor akademik që të bëjë strategji, por për politika shumë i zoti dhe Turqinë e ka çu mbrapa, sidomos në këto 4-5 vitet e fundit, Turqia nuk ka qenë asnjëherë në këtë gjendje”, tha ai. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shqipëria kualifikohet e para në finale të “Eurovisionit”

    Shqipëria kualifikohet e para në finale të “Eurovisionit”

    Albina Kelmendi dhe familja e saj kanë arritur të kualifikohen në finalen e madhe të “Eurovisionit 2023”. Shqipëria të shtunën do të performojë me këngën “Duje”.

    Këngëtarja nga Kosova mori votat e publikut për t’u futur në 10 shtetet që siguruan finalen nga 16 gjysmëfinalistët e dytë të enjten.

    Kënga e saj “Duje”, e cila u interpretua në gjuhën shqipe, në gjysmëfinale të këtij edicioni u mirëprit nga të pranishmit.

    Finalja e madhe do të mbahet të shtunën, ndërsa finalistët e këtij edicioni janë: Shqipëria, Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.

    Ndërsa, nga nata e parë, në finale shkuan Norvegjia, Serbia, Portugalia, Zvicra, Izraeli, Moldavia, Suedia, Çekia dhe Finlanda.

    “Eurovisioni” sivjet organizohet në Liverpool të Britanisë së Madhe, në pamundësi të organizimit në Ukrainë.

  • Rafuna: Punëtorët që vijnë nga Bangladeshi e Nepali, nuk kanë synim me jetu dhe punu në Kosovë

    Rafuna: Punëtorët që vijnë nga Bangladeshi e Nepali, nuk kanë synim me jetu dhe punu në Kosovë

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se punëtorët që vijnë për të punuar në Kosovë nga Bangladeshi apo Nepoli, nuk kanë synim të qëndrojnë e punojnë në Kosovë, por sipas tij, ata Kosovën e përdorin si një vend tranzit për të kaluar në ndonjë vend tjetër me mundësi më të mira.

    “Ma rentabël është me i punësu kosovarët, sesa me i marrë prej Bangladeshit, për arsye se edhe ata që na vijnë prej Bangladeshit, Nepolit apo vendeve tjera, nuk vijnë me synimin që në Kosovë me të vërtetë të punojnë dhe të qëndrojnë edhe ata Kosovën dojnë ta përdornin vetëm si një vend tranziti për ta gjetë një mundësi për të dalë më tutje”, tha Rafuna.

    Ai tha se duhet pasur parasysh që kur një biznes punëson një punëtor qoftë kosovar, qoftë të huaj, atij i duhet së paku gjashtë muaj që të familjarizohet me vendin e punës.

    “Ne duhet ta kemi parasysh në mënyrë që kur biznesi e punëson një punëtor qoftë kosovar po qoftë edhe të huaj, minimumi i vyen gjashtë muaj për me investu në të deri sa i familarizohet me ambientin e punës dhe të socializohet me punëtorët ,me rrethin e punëtorëve që e rrethon atë. Kështu që edhe kjo është një sfidë për biznesin”, tha Rafuna.

    Ai përmendi një rast konkret të një kompanie nga Ferizaj që eksporton një qind për qind në Gjermani, por sfidë kryesore e ka mungesën e fuqisë punëtore.

    “Sot pata mundësi në Ferizaj një biznes shumë të madh prodhues që eksporton njëqind për qind në Gjermani edhe ai ma paraqiti si problem mungesën e fuqisë punëtore. Ai nuk mundet me realizu njëqind për qind eksportin për shkak mungesës së fuqisë punëtore, sidomos si pjesë e punës fizike se nuk gjen nën treg të lirë”, tregoi Rafuna. /atvlive.tv

  • Rafuna: Serbia me numrin më të madh të migruesve, Kosova renditet e katërta në rajon

    Rafuna: Serbia me numrin më të madh të migruesve, Kosova renditet e katërta në rajon

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është vendi i katërt në rajon për nga numri i popullatës që largohet nga vendi.

    “Unë kam pasë rastin me pa edhe një raport një studim që është ba në kuadër të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe me migrim prinë Serbia. Serbia është shteti që më së shumti popullata imigron, e dyta vie Maqedonia e Veriut, e treta Shqipëria, e katërt është Kosova dhe pas Kosovës, vie Mali i Zi. Domethënë Mali i Zi e ka migrimin më të vogël, ndoshta për shkak të numrit të vogël të popullsisë ose që është i koncentruar në turizëm”, tha Rafuna.

    Ai tha se Kosova duhet me qenë më e kujdesshme në temën e migrimit për shkak se e ka numrin më të madh të të rinjve dhe është popullata që konsumon më shumë se Serbia.

    “Kosova duhet të duhet me kanë ma e kujdesshme për arsye se ka numrin ma të madh të të rinjve si popullatë dhe është një popullatë që më shumti konsumon, domethënë përkundër që Serbia ka një numër shumë ma të madh të popullatës sesa Kosova, e ka shumë më të vjetër në moshë sesa Kosova dhe ata konsumojnë më pak sesa ne. Për këtë arsye ne duhet ta ruajmë këtë aset që e kemi dhe duhet të investojmë që të mos ta lejojmë të na humb ky aset”, tha Rafuna. /atvlive.tv

  • Rafuna: Krahasuar në Ballkan, jemi vendi i dytë me pagat më të larta

    Rafuna: Krahasuar në Ballkan, jemi vendi i dytë me pagat më të larta

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është vendi i dytë në Ballkan për pagat më të larta.

    Ai tha se viziton çdo ditë bizneset dhe se është ndierë i kënaqur kur ka takuar punëtorët të cilët sipas tij, janë të kënaqur me vendin e punës që kanë.

    “Unë nëpër çdo ditë jam nëpër vizita te bizneset tona dhe me të vërtetë jam ndierë shumë i kënaqur kur kam taku punëtorët dhe kam parë që punëtorët janë të kënaqur me vendin e punës që kanë. Sektori privat ka lëvizura me paga, diku më pak e diku më shumë dhe kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore”, tha Rafuna. /atvlive.tv

  • Shabani: Liberalizimi dhe krijimi i mundësive për punë jashtë është më e mira që i ka ndodhë Kosovës

    Shabani: Liberalizimi dhe krijimi i mundësive për punë jashtë është më e mira që i ka ndodhë Kosovës

    Gazetari dhe analisti Zekrija Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha liberalizimi i vizave dhe krijimi i mundësive për punë jashtë Kosovës, është gjëja më e mirë që ka mundur me i ndodh Kosovës, sa do që kjo duket e frikshme tash për tash.

    “Është dëmtuar më së shumti sektori që kërkojnë më së shumti punëtorë, në ndërtimtari kryesisht, por është njëfarë sinjali që në sektorët tjerë janë prekë shumë ma shumë. Nga Kosova nuk po ikin ata që kanë nevojë për bukë, por po ikin ata njerëz që përpos pagës, po kërkojnë një trajtim të dinjitetshëm, kërkojnë një diçka shumë më të mirë që nuk e kanë gjetë te biznesi këtu, ose nuk e kanë gjet te tregu i punës në përgjithësi”, tha Shabani.

    Ai tha se mendon që shumica e qytetarëve duhet me dal me e pa çka është Evropa, në mënyrë që me u përgatitë bizneset tona për shërbime më cilësore dhe trajtim më të dinjitetshëm të punëtorëve.

    “Në fillim, unë besoj se bizneset, ato që janë tamon biznese, kanë nisur përgatitjet qysh më herët, sepse ata janë shumë serioz dhe e kanë mendjen me vepru në Kosovë. Por, ne duke e pasur parasysh strukturën e bizneseve tona që shumica janë mikro dhe biznese të vogla, pra janë biznese të hapura prej hallegjinjëve, njerëzve që nuk kanë mundur me e gjetë veten askund dhe janë munduar me e hapë një biznes të vogël ose diçka për me mbijetua përkohësisht deri sa ta gjejnë një alternativë tjetër, këta kanë me i ristrukturu, kanë me e krijua një treg tjetër në Kosovë që ka me mbijetu më i forti që është ekonomi e tregut tek e fundit dhe biznesi ka me pagu shumë më mirë punëtorët që mbesin këtu, kanë me ofru shërbime shumë më cilësore për shkak se një qytetar që del dhe e merr një shërbim cilësor në ndonjë vend evropian, një punëtor që del edhe e sheh si punohet atje, ka me e kërkua një pagë më të mirë këtu”, tha Shabani. /atvlive.tv

  • Pasurisë së sekuestruar po i bie vlera pa u shitur

    Pasurisë së sekuestruar po i bie vlera pa u shitur

    Shumë pasuri të sekuestruara kanë mbetur në depot e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata.

    Në pritje të vendimit për shitje, sipas ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, kësaj pasurie po i humb vlera.

    Udhëheqësja e këtij dikasteri në një tryezë diskutimi për të adresuar sfidat në menaxhimin e pasurisë së sekuestruar, përmendi mospraninë e përfaqësuesve të Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial, teksa tha se është i rëndësishëm diskutimi për këtë çështje nga pikëpamja e prokurorëve e gjyqtarëve.

    “Është mirë të diskutohet nga pikëpamja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, çka mund të adresojmë bashkë”, tha Haxhiu.

    Kurse, gjyqtarët e prokurorët thanë se sfida kryesore është mosharmonizimi i ligjeve.

    “Problem në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, dispozita ligjore nuk është e përcaktuar mirë se si duhet të veprojë gjykata apo prokuroria, në raport me një pasuri të sekuestruar. Ka kohë që Agjencia, nëse s’ka vendim përfundimtar të mos i marrë gjërat, veturat e sekuestruara, sepse nuk është zhvilluar procedura siç duhet”, tha kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani.

    “Është e domosdoshme një infrastrukturë e duhur ligjore. Procedura është shkurtuar me kodin e ri”, tha Rasim Maloku, prokuror në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

    Përfaqësues të Agjencisë thonë se me ligj janë të kufizuar të procedojnë me shitjen e pasurive në fazën e sekuestrimit.

    “Me ligj është e vendosur që Agjencia nuk mund të vendoset për shitje në fazën e sekuestrimit. Kam ithtar që pasuritë të shiten në këtë fazë, kam bisedu për këtë çështje me kryesuesin e KGJK-së. Ka thënë që mund të rregullohet me një opinion të Gjykatës Supreme”, tha zëvendësdrejtori i AAPK-së, Enver Krasniqi.

    “Pa pasur një kërkesë konkrete ne vetë nuk mund të hartojmë opinion. Shumë pak raste kemi pasur deri tash në gjykatë, që kanë të bëjnë me këtë çështje”, tha Valdete Daka, gjyqtare në Gjykatën Supreme.

    Sipas Agjencisë, pasuria e konfiskuar vitin e fundit ka qenë 30% më shumë se ajo e sekuestruar, për herë të parë nga formimi i këtij institucioni. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Klinika e Psikiatrisë s’bën ekzaminim psikiatrik të të burgosurve

    Klinika e Psikiatrisë s’bën ekzaminim psikiatrik të të burgosurve

    Mungesa e gardianëve është njëra nga arsyet që në Klinikën e Psikiatrisë tash e pothuajse një vit nuk bëhet ekzaminimi psikiatrik i të burgosurve.

    Drejtori i kësaj Klinike, Faton Kutllovci, thotë se ky nuk është problemi i vetëm, pasi që kjo klinikë nuk i përmbush as kushtet për këtë ekzaminim.

    “Imagjinojeni ta shtrish në një repart të njëjtin person që ka kryer veprën penale, që krejt shoqëria e stigmatizon që manifeston çrregullimi psikik dhe kur ne jemi duke e destigmatizuar këtë. Imagjinojeni nëse i futemi në të njëjtën dhomë”, tha Kutllovci.

    Kështu këtë ekzaminim të cilin e kërkojnë gjykatat tani e bën Instituti i Psikiatrisë Forenzike. Momentalisht në këtë Institut janë duke pritur për t’u ekzaminuar 15 të burgosur.

    “Numri i rasteve në pritje për ekzaminim psikiatrik varion në baza ditore dhe varet nga fluksi, apo numri i kërkesave, që mund të dërgohen prej anës së gjykatave apo prokurorive të Kosovës në IPFK. Aktualisht numri i rasteve të kërkuara nga sistemi juridik i Kosovës është 15 dhe është m i vogël në krahasim me vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

    Monitorues të sistemit të drejtësisë mendojnë se edhe në këtë proces ka hapësirë për keqpërdorime.

    “Në momentin kur ka mundësi, në këtë rast psikiatri dhe ekspertët që caktohen nga gjykata, nuk e bëjnë detyrën e tyre sipas ligjit, sigurisht ka hapësirë për t’u keqpërdorur”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

    Në Klinikën e Psikiatrisë momentalisht janë duke u trajtuar 41 pacientë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Të pasuksesshme gërmimet në Prishtinë për të pagjetur

    Të pasuksesshme gërmimet në Prishtinë për të pagjetur

    Në mars të vitit 1999, forcat serbe i kishin marrë kufomat e tetë pacientëve nga Spitali i Prishtinës, dhe pa dijeninë e familjarëve i kishin varrosur në lagjen Mati 1.

    Disa prej tyre u gjetën e u identifikuan nga ekipet ndërkombëtare menjëherë pas luftës.

    “5 prej tyre. Pak kohë më vonë. Një tjetër është gjetur në vitin 2011…”, tha Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Ndërsa, për dy të tjerë, kërkimet vazhduan këtë të enjte.

    “Një nga ata që po kërkohet është Gani Baleci. Ne po gërmojmë në bazë të informacioneve që kemi nga ndërkombëtarët dhe një dëshmitari shqiptar”, tha kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Megjithatë, rezultatet nuk dolën ashtu siç pritej.

    “Kemi gërmuar sot, por nuk kemi gjetur mbetje mortore nga dy personat që po i kërkojmë”, tha antropologu mjekoligjor në IML, Ditor Haliti.

    Por, kërkimet në këtë lokacion nuk do të ndalen këtu.

    “Bazuar në këshillat e ekspertëve, në këtë lokacion do të kthehemi sërish ditëve në vijim…”, tha Gara.

    Përveç Matit 1, për mbetje mortore do të kërkohet edhe në lokacione të tjera.

    “Ditëve në vazhdim do të gërmojmë në një lokacion në Podujevë, derisa në dy të tjera do të kthehemi sërish…”, tha Haliti.

    Përfshirë mbetjet mortore të personave që u kërkuan në këtë lagje të kryeqytetit, gjithsej të zhdukur nga lufta e fundit mbeten 1617 persona. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë: