ATV

Blog

  • Në Tokio protestohet kundër shkarkimit të ujit të kontaminuar në det

    Në Tokio protestohet kundër shkarkimit të ujit të kontaminuar në det

    Të martën, një grup aktivistësh organizuan një protestë në Tokio, duke i bërë thirrje Japonisë të braktisë planin e saj për të shkarkuar ujë të kontaminuar nga një termocentral bërthamor i dëmtuar nga cunami i vitit 2011.

    Uji, i cili është trajtuar, por vazhdon të jetë radioaktiv, është planifikuar të shkarkohet këtë verë në Oqeanin Paqësor.

    “Mos hidhni ujë të kontaminuar në det”, protestuesit brohorisnin jashtë selisë së Tokyo Electric Power Company Holding në Tokio (Kompania Elektrike e Tokios – TEPCO), duke mbajtur pankarta me kërkesat si “mos e bombardoni Paqësorin” dhe “Ndaloni ndotjen e detit”.

    Ndërmarrja që operon uzinën e shkatërruar në fatkeqësinë e vitit 2011 në Fukushima pothuajse ka përfunduar ndërtimin e tubacioneve të nevojshme për shkarkimin e sasive masive të ujit.

    “Edhe pas trajtimit, ka ende rrezatim në ujë”, tha një aktivist në protestë.

    Në mars të vitit 2011, një tërmet dhe cunami dëmtuan sistemet e ftohjes së termocentralit bërthamor Fukushima Daiichi, duke rezultuar në lëshimin e ujit shumë radioaktiv nga tre reaktorë që rrjedhin në bodrumet e ndërtesës.

    Ky ujë i ndotur aktualisht po mblidhet, trajtohet dhe ruhet në depozita që zënë një pjesë të madhe të uzinës.

    Qeveria dhe TEPCO thonë se tanket duhet të hiqen për të krijuar vend për çaktivizimin e uzinës dhe për të minimizuar rrezikun e rrjedhjeve në rast të një fatkeqësie tjetër.

    Plani për shkarkimin e ujit ka hasur në protesta të ashpra nga komunitetet lokale të peshkimit.

    Vendet fqinje, duke përfshirë Korenë e Jugut, Kinën dhe vendet ishullore të Paqësorit, kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi.

    Zyrtarët japonezë janë zotuar se uji do të filtrohet shumë nën nivelet e lejuara ndërkombëtarisht, duke e bërë atë të padëmshëm./REL/

  • Ministri Peci: Kosova synon integrimin e plotë në vlerat evropiane për të kontribuuar në aspektin ekonomik

    Ministri Peci: Kosova synon integrimin e plotë në vlerat evropiane për të kontribuuar në aspektin ekonomik

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se Kosova e Austria e kanë një të përbashkët, e që sipas tij, është rruga drejt lirisë, raporton Ekonomia Online.

    Në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, Peci tha se me themelimin e kësaj shoqate, janë hedhur themelet për partneritet më të begatë në sektorë të ndryshëm ndërmjet dyja vendeve.

    Sipas tij, Kosova mund të marrë shembull nga përvoja e Austrinë në shumë sektorë. Peci shtoi se Kosova synon të arrijë në mesin e vendeve e kombeve evropiane, për të vazhduar për të kontribuuar në aspektin ekonomik.

    “Duke organizuar ngjarje, konferenca dhe iniciativa të ndryshme, ju keni mbledhur ekspertë e aktorë të ndryshëm të vendimmarrjes nga të gjitha vendet, duke krijuar mundësi për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Angazhimi juaj për të ndërtuar ura miqësie ka hedhur themelet për partneritet më të begatë në sektorë të ndryshëm ndërmjet dyja vendeve, duke përfshirë këtë rast edhe sektorin e bujqësisë”.

    “Kosova dhe Austria ndajnë një histori plotë sfida. Austria ka ecur në rrugën e lirisë duke rifituar pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe më vonë duke qenë në qendër të integrimit evropian. Ashtu sikurse Austria edhe vendi jonë Kosova, synon ta arrijë integrimin e plotë në vlerat evropiane. Kosova synon të arrijë në mesin e vendeve e kombeve evropiane, për të vazhduar për të kontribuuar në aspektin ekonomik si pjesë ose element i paqes dhe stabilitetit dhe të zgjerojë mundësitë për qytetarët tanë”, u shpreh Peci.

    “Si Austria edhe Kosova e kuptojnë rëndësinë e partneriteteve të forta. Prandaj, themelimi i shoqatës Kosovë-Austri shërben si një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe ku mund të marrë frymë nga historitë e suksesit të Austrisë”, tha tutje Peci.

  • Oda Ekonomike Amerikane: Vonesat në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pengojnë rritjen ekonomike

    Oda Ekonomike Amerikane: Vonesat në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pengojnë rritjen ekonomike

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh qëndrimin e saj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sillte përfitime të konsiderueshme për komunitetin e biznesit në Kosovë, duke përfshirë rritjen e mundësive për tregti dhe investime, të cilat do të ndihmonin në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Oda Amerikane u bën thirrje të dyja shteteve që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të zbatojnë zotimet e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, nga të cilat do të përfitonin si Kosova, asht edhe Serbia.

    Pavarësisht përpjekjeve të Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte, përmes ndërmarrjes së hapave të rëndësishëm viteve të fundit për të përmirësuar klimën e saj të investimeve duke reduktuar burokracinë dhe duke zbatuar reforma për lehtësimin e të bërit biznes, vendi është ballafaquar me vështirësi në tërheqjen niveleve të konsiderueshme të investimeve.

    Tensionet e vazhdueshme politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në aftësinë e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte. Çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve kanë krijuar një mjedis të paqëndrueshëm që është dekurajues për bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, pasi investitorët hezitojnë të investojnë paratë e tyre në një vend me një nivel të lartë të pasigurisë politike, i cili rrit rreziqet që lidhen me investimet e tyre. Përveç kësaj, mungesa e një marrëveshjeje formale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka krijuar pengesa për bizneset në aspektin e logjistikës, transportit dhe tregtisë, gjë që i pengon edhe më tej investimet e huaja përgjatë rajonit.

    Përveç kësaj, çështja e pazgjidhur me Serbinë ka çuar në humbjen e mundësive për bizneset kosovare, veçanërisht në aspektin e tregtisë dhe investimeve. Situata aktuale ka kufizuar mundësitë për bizneset kosovare që të arrijnë partneritet me investitorët e huaj dhe për të zgjeruar operacionet e tyre. Humbja e mundësive për investime ka penguar rritjen e bizneseve kosovare, gjë që ka pasur një efekt negativ në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

    Mungesa e një marrëveshjeje formale mes dy vendeve ka rezultuar në barriera tregtare duke e bërë të vështirë për bizneset kosovare që të eksportojnë mallra dhe shërbime në Serbi, si dhe duke penguar aftësinë e tyre për të konkurruar me bizneset serbe në rajon. Kjo ka çuar në humbjen e mundësive afariste për firmat kosovare, gjë që ka penguar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

    Oda Amerikane beson fuqishëm se normalizimi i marrëdhënieve do të krijonte një mjedis politik më të parashikueshëm, i cili do të rriste besimin e investitorëve dhe do të inkurajonte më shumë investime të huaja direkte, gjë që është kritike për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në anën tjetër, kjo do të krijonte mundësi punësimi, do të përmirësonte standardet e jetesës dhe do të zvogëlonte më tej varfërinë, nga e cila do të përfitonte populli i Kosovës.

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se normalizimi i marrëdhënieve do të rriste integrimin tregtar dhe ekonomik mes dy shteteve, gjë që do të krijonte mundësi të reja për bizneset në Kosovë për të hyrë në tregje më të mëdha, duke përfituar nga ekonomitë e shkallës. Kjo do të ndihmonte në diversifikimin e ekonomisë së Kosovës dhe zvogëlimin e varësisë së saj nga sektori i shërbimeve dhe remitancat nga diaspora. Krejt në fund, normalizimi i marrëdhënieve do të kishte edhe përfitime të rëndësishme politike dhe sociale duke ulur tensionet dhe duke promovuar stabilitetin rajonal, gjë që do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë njerëzit në rajon.

  • Drejtori i Bujqësisë në Prishtinë thotë se shumë shpejt pritet të hapet granti për sera

    Drejtori i Bujqësisë në Prishtinë thotë se shumë shpejt pritet të hapet granti për sera

    Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Plator Gërdovci, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur rreth tregut mobil në këtë komunë por edhe për investimet dhe grantet në sektorin e bujqësisë.

    Gërdovci tha sektori i bujqësisë në komunën e Prishtinës është i zhvilluar krahas vitit paraprak, shkaku i inflacionit, derisa përmendi se edhe të rinjtë e vendit janë të interesuar për tu marr me bujqësi.

    “Unë jam gjatë gjithë kohës në terren dhe mendoj se bujqësia është pjesë shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe çdo vit po shkon po bëhet më profitabile. Mendoj që edhe të rinjtë dhe të rejat po merren me bujqësi, nuk do të thoja me numër shumë të madh por e shoh se në të ardhmen do të merren edhe më shumë me këtë sektor”, tha ai.

    Para disa ditësh është hapur tregu mobil në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, e për këtë Gërdovci thotë se i ka hapur mundësi të mirë fermerëve por edhe konsumatorëve.

    “Tregu mobil ka për qëllim promovimin e produkteve vendore, pra të fermerëve të Prishtinës dhe rajonit të Prishtinës, që i bie Komunave përreth dhe kemi pasur një interesim të jashtëzakonshëm të fermerëve, të cilët janë përzgjedhur në disa kritere të përcaktuara, dhe interesi ka qenë që të promovohen sa më shumë produktet vendore bujqësore. Mendoj që është një mundësi e mirë për fermerët tanë por edhe për konsumatorët që t’i provojnë produktet vendore, kuptohet këtu që për fermerët ka qenë një mundësi ende më e mirë, për shkak se nuk kanë paguar asgjë, ata që e kanë një shtang për të punuar, sepse është një mundësi që ne si Komunë ua kemi ofruar atë mundësi”, tha ai.

    Tutje, Gërdovci tha se shumë shpejt pritet të hapet afati për aplikim për grante për sera, derisa foli edhe për mungesën e fuqisë punëtore./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • BE mbështet aktivitetet për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor

    BE mbështet aktivitetet për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor

    Në Bruksel po zhvillohet një takim për kontrollin e armëve të zjarrit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e trafikimit të tyre.

    Duke folur në këtë takim, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tërhoqi vërejtjen se rreziku nga këto armë nuk është vetëm në teori, por i vërtetë.

    Borrell, duke iu referuar rasteve të vrasjeve në Serbi, tha se është e gabuar të mendohet se gjëra të tilla nuk mund të ndodhin në Evropë, sepse, siç tha ai, ato po ndodhin.

    “Në mënyrë që rastet e tilla të ndodhin, kryesit e veprimit duhet të kenë qasje në armë, që bën që kjo konferencë të tërheqë edhe më shumë vëmendje dhe interes. Sepse rastet e tilla dramatike na rikujtojnë se sa e rëndësishme është që të punojmë së bashku për të luftuar trafikimin e armëve të lehta”, tha Borrell.

    Ai nënvizoi se është detyrë e të gjithëve që ta bëjnë Evropën më të sigurt në këtë kohë sfidash.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së përshëndeti edhe fushatën e mbledhjes së armëve që ka nisur Qeveria e Serbisë pas rasteve tragjike, dhe tha se BE-ja e mbështet këtë fushatë.

    Ai, po ashtu, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të gjerë nga ana e BE-së, duke përfshirë edhe Komisionin Evropian, Këshillin, Shërbimin e Jashtëm dhe Presidencën suedeze, për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor që të luftojë kundër dhunës dhe trafikimit të armëve, në mënyrë që të ndihmojë “në paranadalimin e kontaminimit të të gjithë Evropës”.

    Shpesh, shërbimet e vendeve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se sasi të mëdha të armëve ilegale vijnë në tregun e BE-së pikërisht nga rajoni i Ballkanit dhe rrjetet e krimit të organizuar nga këto vende janë aktive në BE.

    “Të gjithë e dimë se ky aktivitet, trafikimi ilegal i armëve, paraqet një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin tonë. Është një kërcënim i shumëfishtë që ndikon në stabilitetin e rajonit dhe rrit rrezikun edhe nga sulmet terroriste”, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së duke shtuar se “nuk mund të ketë një Bashkim Evropian të sigurt pa pasur një Ballkan Perëndimor stabil, të fuqishëm dhe në paqe”.

    Bashkimi Evropian ka investuar deri tani 38 milionë euro vetëm në ndihmë për aktivitetet e kontrollit të armëve të lehta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Problemi është shumë i thellë, shumë i madh, në mënyrë kronike godet shoqëritë e Ballkanit Perendimor, dhe ne duhet të jemi të vendosur për të vazhduar luftën tonë kundër aktiviteteve të tilla, të vazhdojmë investimet dhe angazhimin për t’u ndihmuar këtyre vendeve për ta zgjidhur këtë problem. Besoj se ne, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, ndajmë të njëjtin përkushtim për këtë”, theksoi Borrell.

    Në këtë takim foli edhe komisionerja e BE-së për punë të brendshme, Ylva Johansson, e cila po ashtu nënvizoi rëndësinë e masave për të parandaluar trafikimin ilegal të armëve në rajon.

    Ajo, po ashtu, mirëpriti veprimet e autoriteteve në Serbi për grumbullimin e armëve pa leje. /REL/

  • Erion Veliaj e fiton mandatin e tretë në Tiranë

    Erion Veliaj e fiton mandatin e tretë në Tiranë

    Ka përfunduar numërimi i votave për Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku aktual Erion Veliaj, është konfirmuar për mandatin e tretë.

    Ai e mposhti bindshëm kundërshtarin e tij të “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

    Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, i ka fituar 158 mijë e 688 vota, derisa Këlliçi mori 100 mijë e 351 vota.

    Diferenca mes kandidatit të Partisë Socialiste dhe atij të “Bashkë Fitojmë”, është 58 mijë e 337 vota.

    Ndërkaq kandidatët e tjerë, Arlind Qori nga ”Lëvizja Bashkë” është renditur I treti më 13 mijë e 835 vota.I katërti është Roland Bejko, nga Partia Demokratike nuk ka marrë më shumë se vendi i katërt me 12 mijë e 388.

    Nga ana tjetër Lalja Pernaska e PDIU ka marrë 2 mijë e 104 vota, ndërsa Marko Dajti nga “Fronti i Majtë” ka siguruar 2 mijë e 807 vota.

  • Nga 206 premtime, Përparim Rama e çon numrin në 500 – këto janë projektet që prekin qytetarët e kryeqytetit

    Nga 206 premtime, Përparim Rama e çon numrin në 500 – këto janë projektet që prekin qytetarët e kryeqytetit

    Janë bërë një vit e gjysmë që nga ardhja e Përparim Ramës në krye të Prishtinës.

    Sipas raportit të Institutit GAP i cili monitoron dhe mbikëqyr premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave (të përditësuara në fund të qershorit, 2022), thuhet se Përparim Rama ka bërë gjithsej 206 premtime, 7 janë të përfunduara, 12 gjysmë të përmbushura, 38 të filluara, 149 nuk kanë filluar.

    Ndërsa, në raportin vjetor të punës një vjeçare (më 7 dhjetor), sipas komunës, janë përmbushur 30 premtime. 24 prej tyre janë gjysmë të përmbushura, 3 pjesërisht të përmbushura, 110 të filluara dhe vetëm 38 prej tyre nuk kanë filluar ende.

    Se çka ka bërë qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë deri tani, çfarë ka filluar të bëj dhe çfarë do të bëhet në vazhdimësi, të hënën në emisionin “LIBERO” ishte i ftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

    “…Ne përveç atyre 206 premtimeve jemi duke i bërë të mundshme dhe duke i realizuar (me siguri) edhe 500-600 të tjera (po i bëjmë) që nuk janë aty. Janë një numër i madh i tyre që veçse po i bëjmë…”, deklaroi Rama.

    Gjithashtu, ai përmendi disa projekte që kanë filluar të realizohen jashtë premtimeve të bëra.

    “…Kemi zgjeruar Termokosin, 30 mijë banorë shtesë kanë qasje në Termokos… Në vend të shtatë shkollave, po i bëjmë dhjetë. Jemi duke e bërë një numër të madh të çerdheve po ashtu… Por, edhe të gjitha premtimet që i kam bërë do të realizohen, disa janë realizuar mirë dhe shpejt, ndërsa disa të tjera kërkojnë planifikim…”, theksoi ai.

    Vlen të theksohet se në planprogramin e Ramës për katër vjetët qeverisje figuron ndërtimi i rrugëve, objekteve shkollore, çerdheve, qendrave të mjekësisë familjare, galerisë së qytetit, strehimoreve për qentë endacakë e projekte të tjera.

    Për të mësuar më shumë rreth punëve që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Prishtinë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Një grua në Pejë raportoi se u ngacmua seksualisht nga vjehrri i saj

    Një grua në Pejë raportoi se u ngacmua seksualisht nga vjehrri i saj

    Vjehrri dyshohet se ka ngacmuar seksualisht renë e tij në Pejë me datën 11 maj, ndërsa viktima e ka raportuar rastin në polici ditën e hënë (15 maj).

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

    “Është iniciuar rast ndaj tij, nën dyshimin se ka kryer veprën “Ngacmim seksual”, tha Nikçi.

    Rasti është përfshirë edhe në raportin 24-orësh të policisë.

    “NGACMIM SEKSUAL/Pejë 11.05.2023-09:00. Me datë 15.05.2023 viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Mehaj priti në takim ambasadorin turk, diskutuan për thellim bashkëpunimi

    Mehaj priti në takim ambasadorin turk, diskutuan për thellim bashkëpunimi

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angili.

    Mehaj, përmes një postimi në Facebook, tha se me ambasadorin turk biseduan për thellim bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Turqisë në fushën e arsimimit të kuadrove të reja ushtarake.

    “Sot kam pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili. Në këtë takim trajtuam çështje të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me theks të veçantë bashkëpunimit në fushën e arsimimit të kuadrove të reja dhe trajnimeve ushtarake”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Mehaj tha se në vazhdimësi Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në aspektin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në këtë aspekt padyshim rol të rëndësishëm kanë partnerët strategjikë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Turqia.

  • Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhdukja e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti është krim i pazbardhur i Serbisë.

    Duke kujtuar jetën dhe veprimtarinë e profesorit të së drejtës ndërkombëtare në 24-vjetorin e zhdukjes, Kurti tha se Ukshin Hoti mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij.

    “Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb ‘Patkoi’ për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjete sociale.

    Ai ka thënë se qeveria që e udhëheq nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia. Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka përfunduar Kurti.

    Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.