ATV

Blog

  • Djali hasret nga Peja që iku në Finlandë e u bë kampion në garat “Strong Man”

    Djali hasret nga Peja që iku në Finlandë e u bë kampion në garat “Strong Man”

    Në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, sot ishte mysafir Elbasan Prekaj nga Peja, emër mjaft i njohur në Finlandë për titullin e kampionit që mban në garat e “Strong man”.

    Ai në një lidhje të drejtpërdrejtë në këtë emision tregoi si kishte nisur të merret me këtë sport.

    “Për mua ka nisë gjithçka aksidentalisht. Ne vitin 2010 e pata një lëndim gjatë ushtrimeve të boksit, dy këputje të ligamenteve në supe dhe pas operacionit në rehabilitim u dashke me shku, dhe fillova me ngritë pesha me i forcua muskujt. Aty e vërejta se kam talentë të jashtëzakonshëm për ngritjen e peshave. Brenda një viti kam arritë me ngritë pesha që dikujt i duhen pesë apo dhjetë vite me e arrite. Një “Strong man” më sugjeroi, më tha “ti ke talent të lindur”, se deri në atë kohë nuk kam ditur asgjë, pra deri në vitet 2014-2015, asgjë nuk kam ditur për sportin “Strong man”. Shumë vonë, kam qenë 27 vjeçar kur ia kam fillu”, tregon Elbasani.

    Ai tregoi edhe për titujt që ka marrë në këtë sport, ku tha se ka thyer rekord në Federatën e “The World Strength Games”, si dhe është shpallur kampion bote tri herë në po të njëjtën federatë.

    “Kam tërhequr kamionin 10 tonë, në dy lloj disiplina, që është ulur dhe në këmbë. Makinat i kam rrotullu. Të peshat ‘Ecja e marinarit’, më e madhja ka qenë 400 kg, pa me peshën 400kg kam arritë me ecë me te. Specialiteti i im është “The World Strength Games”, kam rekord në këtë federatë, ku jam edhe tri herë kampion bote. E kam 155kg për dorë, 15 metra i kam arritë për 13 sekonda” tregon Elbasani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Të shtëna në Prishtinë, lëndohet një person

    ​Të shtëna në Prishtinë, lëndohet një person

    Një person është lënduar sot në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, gjatë një përleshjeje fizike, ndërsa ka pasur edhe të shtëna.

    Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti ka bërë të ditur për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth orës 12:30.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast gjatë përleshjes fizike është lënduar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

    Ajo ka thënë po ashtu se po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar dhe ndriçimin e plotë të rastit.

    “Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tregoi ajo.

  • “Shumë pacientë që kanë vena të zgjeruara shkojnë në banja termale, por kjo ndikon keq”, mjeku i përgjigjet telefonueses

    “Shumë pacientë që kanë vena të zgjeruara shkojnë në banja termale, por kjo ndikon keq”, mjeku i përgjigjet telefonueses

    Kirurgu vaskular Bekim Ademi, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli rreth sëmundjeve vaskulare, të tilla si ato të arterieve dhe të venave.

    Gjatë emisionit, një shikuese kërkoi këshillë mjekësore nga mjeku në studio në lidhje me duart e saj, për të cilat tha se i rrinë të mpira gjatë gjithë kohës, duke pyetur se pse shkaktohet ky problem.

    Përgjigja e mjekut ishte se shumë pacientë e rëndojnë këtë gjendje, duke shkuar në banja termale, derisa ai i rekomandoi pacientes, që të kryej kontroll edhe në mjek nga fusha e Neurologjisë dhe Fizioterapisë.

    “Shumë pacientë që kanë vena të zgjeruara shkojnë në banja termale dhe faktikisht nxehtësia e ujit termal ndikon keq duke i shkaktuar telashet e tilla edhe më tepër, por natyrisht jo në të gjitha rastet. Faktorët që e shkaktojnë këtë problematik janë të ndryshëm por që më mirë e shpjegojnë neurologët dhe fizioterapeutët”, tha ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Zgjerimi i shpeshtë i venave tek pacientet në Kosovë, kirurgu vaskular pse ndodh kjo

    Zgjerimi i shpeshtë i venave tek pacientet në Kosovë, kirurgu vaskular pse ndodh kjo

    Në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, sot ishte mysafir kirurgu vaskular, Bekim Ademi. Ai në këtë emision shpjegoi se cilat sëmundje vaskulare janë më të përhapura në Kosovë dhe cila është arsyeja sipas tij që shkakton këto probleme shëndetësore.

    “Dy patologjitë tek ne janë mjaftë të përfshira për arsye se ne si vend jemi në hemisferën pak më nxehtë se pjesa tjetër e Evropës dhe mënyra e të ushqyerit e bënë që ne të dallojmë nga bota perëndimore. Atëherë sëmundjet venozet tek ne janë më të shprehura se sa sëmundjet arteriale. Sëmundjet arteriale shprehen për shkak të shumë faktorëve, si mbi ushqyerja, çrregullimi i yndyrave, mos aktiviteti dhe stresi i madh, këto i dëmtojnë arteriet periferike dhe ato qendrore më tepër se sa te popullata që ushqehet më shëndetshëm dhe ka kujdes në jetën e tyre, zhvillimin e tyre”, tregon Ademi.

    Ai thotë se për shkak të nxehtësisë, në vendin tonë janë të shprehura më shumë sëmundjet venoze sipërfaqësore.

    “Kurse te ne për shkak të nxehtësisë që kemi, sëmundjet venoze sipërfaqësore janë pak më të shprehura. Sistemi i venave sipërfaqësore është si një lloj klime e organizmit të lëkurës dhe gjatë temperaturave të nxehta, venat sipërfaqësore zgjerohen më shpesh se sa në vendet e ftohta”, shpjegon Ademi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Kur eci zogu i këmbës ajet”, telefonuesja kërkon ndihmën e mjekut në “Alarm”

    “Kur eci zogu i këmbës ajet”, telefonuesja kërkon ndihmën e mjekut në “Alarm”

    Doktor Bekim Ademi, i cili me profesion është kirurg vaskular i ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli rreth sëmundjeve të arterieve dhe të venave, të cilat janë të shumëllojshme dhe më të zakonshmet por edhe për trajtimin e duhur për sëmundjet e tilla.

    Gjatë emisionit, disa shikues edhe shtruan pyetje ndaj mjekut në studio, të tilla si “Kur eci zogu i këmbës ajet apo edhe kruarja e këmbëve”.

    Lidhur me këto shqetësime, kirurgu vaskular deklaroi se shqetësimet e tilla shkaktohen, si pasojë e venave të zgjeruara, derisa ai edhe ofroi udhëzime se si duhet të trajtohen këto probleme.

    “ Simptomat që zonja i përmendi tregojnë se kjo vuan nga venat e zgjeruara dhe përveç asaj fryerja e shputave na tregon edhe për një sëmundje tjetër si p.sh. sëmundje të veshkave ose të mëlçisë, andaj unë rekomandoj analizë që të shihet funksioni i veshkave dhe një kontroll rutinore të zemrës. Përveç kësaj, kur një pacient vuan për një kohë të gjatë nga venat e zgjeruara atëherë pacienti fillon edhe të ketë kruarje në këmbë”, ishte përgjigja e doktorit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Rama: Padrejtësia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Evropës

    ​Rama: Padrejtësia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Evropës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, që po mbahet në Islandë sot deklaroi se është e pamundur për të që të shmangë heqjen e paraleleve midis Ukrainës e presidentit Zelensky dhe Kosovës e presidentit Thaçi.

    Rama u shpreh se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj, Hashim Thaçit ka filluar në Këshillin e Europës nën ndikimin e ish-anëtarit të asaj kohe të këtij këshilli, Federatës Ruse.

    “Si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleleve midis Ukrainës e Presidentit Zelensky dhe Kosovës e presidentit Thaçi. Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit, nisi saktësisht në Këshillin e Europës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij këshilli, Federatës Ruse. Presidenti i Kosovës ose si dikush i quajtur Joe Biden iu referua si George Uashingtoni i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011 të Këshillit të Europës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e partisë së Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Europës. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neo-nazistët në Donbas, mu duk sikur pashë presidentin Zelensky 10 vjet më vonë gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde.”, tha Rama.

    Ai tha se është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka pasur zanafillën brenda Këshillit të Europës.

    Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK.

    “Do të isha fajtor po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thoja sa vijon, se asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë kur shumë votuan mes sy mbyllur atë raport të turpshëm në mirëbesim. Sigurisht sot situata ka ndryshuar. Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Europës është mjaft mbresëlënës dhe falë Zotit uniteti i bashkësisë demokratikë të Këshillit në mbështetje të luftës çlirimtare të Ukrainës dhe presidenti Zelensky është i jashtëzakonshëm. Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzisutese qysh prej vdekjes se Josif Visarionoviç Stalin.”, shtoi ai.

    Në ditën e parë të Samitit të kryetarëve të shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte bashkëkryesues i tryezës së rrumbullakët me temë “Përballja me sfidat e reja dhe në zhvillim të të drejtave të njeriut – e ardhmja është këtu”, së bashku me presidentin e Letonisë, Egils Levits./KP

  • Gjykata Supreme e lë në paraburgim Nagip Krasniqin

    Gjykata Supreme e lë në paraburgim Nagip Krasniqin

    Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së kryeshefit të suspenduar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, për lirimin e tij.

    Sipas njoftimit të Supremes, kjo gjykatë e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.

    “Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

    Më 20 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nagip Krasniqit.

  • Për dy vite, rritje masive e kosovarëve që problem kryesor e shohin koston e jetesës dhe çmimet e larta

    Për dy vite, rritje masive e kosovarëve që problem kryesor e shohin koston e jetesës dhe çmimet e larta

    Organizata joqeveritare amerikane “Instituti Republikan Ndërkombëtar ” ka publikuar gjetjet e matjes së opinionit publik në Kosovë për çështje të ndryshme në vitin 2023.

    Në tabelat e publikuara nga IRI është bërë edhe një krahasim me gjetjet e vitit 2021.

    Në pyetjen se cili mendoni se është problemi kryesor me të cilin po përballet Kosova, në vitin 2021 vetëm 15 % e kishin përzgjedhur koston e jetesës dhe çmimet e larta. Megjithatë kjo përqindje në matjet e vitit 2023 ka shkuar në 68 %.

    Si problem numër dy vazhdon të jetë ekonomia dhe papunësia. Në vitin 2021 këtë shqetësim e kishin shprehur 77% e të anketuarve, derisa në vitin 2023 vetëm 57 %.

    Korrupsioni ndërkohë ka shënuar një rënie në listën e shqetësimeve të kosovarëve. Nga 29 % në vitin 2021, tashmë atë si shqetësim e kanë parë vetëm 8 % e të anketuarve.

  • Fillon dëshminë dëshmitari i pestë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshminë dëshmitari i pestë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dëshmitari i pestë, ka filluar dhënien e dëshmisë në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

    Me të filluar seanca pas një pushimi të shkurtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se do të kalojnë në seancë private dhe se kjo bëhet për të mbrojtur dëshmitarin, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

  • Rama në Samitin e KiE: Tërhiqni mbrapsht raportin kundër UÇK-së, për trafik organesh

    Rama në Samitin e KiE: Tërhiqni mbrapsht raportin kundër UÇK-së, për trafik organesh

    Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të mërkurë në Samitin e Liderëve të Këshillit të Evropës, në Rekjavik të Islandës.

    Në fjalën e tij Rama mori në mbrojtje Hashim Thaçin dhe kërkoi nga Asambleja e Këshillit të Evropës që të tërheqë deklaratën ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës akuzohet për trafikim organesh.

    “Asambleja e Këshillit të Evropës ka detyrimin moral të tërheqë çdo gabim. Në këtë rast duhet të tërheqë mbrapsht raportin që në mënyrë të rreme e etiketoi Shqipërinë si një për trafikim e organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.”, ka thënë Rama.

    Gjithashtu ai shtohet: “Nuk rri dot sot në këtë Samit të Këshillit të Evropës se padrejtësia kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçi nisi saktësisht në Këshillin e Evropës, nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij Këshilli, Federatës Ruse.

    Presidenti i Kosovës, ose dikush që Hoe Biden iu referua si George Washington i Kosovës, gjykohet nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike por e mbështetur në një raport të vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga partitë mbështetëse të Vladimir Putinit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

    Akuza tërësisht të pabazuara për trafikim të organeve njerëzore u ngritën si një fushatë kriminale për njollosjen Shqipërinë dhe Kosovën”.