ATV

Blog

  • Billie Eilish dhe Jesse Rutherford i japin fund lidhjes

    Billie Eilish dhe Jesse Rutherford i japin fund lidhjes

    Këngëtarja Billie Eilish dhe Jesse Rutherford janë ndarë pas një viti lidhje dashurie. Për herë të fundit ishin parë në festivalin Coachella, kurse para shtatë muajve ata kishin bërë publike lidhjen e tyre.

    Billie në intervistën e fundit kishte rrëfyer se është shumë e lumtur dhe me fat ta ketë një person si Jesse, transmeton atvlive.tv.

    Ata kishin 10 vite diferencë në moshë dhe ndjekësit kishin zgjedhur si një nga çiftet më të mira dhe unike sepse shpesh shfaqeshin me rroba interesante të kombinuara njëri me tjetrin.

    Billie Eilish e cila ka më shumë se 100 milionë ndjekës në Instagram pati shpjeguar se ajo nuk kontrollon këtë rrjet social dhe se ka fshirë aplikacionin nga telefoni I saj.

    Më tej tha se çdo gjë që lexonte në internet i besonte edhe pse e dinte që nuk duhet.

    Turneu i këngëtares ka filluar më 17 mars dhe do të zgjasë deri 27 gusht./atvlive.tv/

  • Jennifer Lopez flet haptazi se si e përjetojnë famën fëmijët e saj

    Jennifer Lopez flet haptazi se si e përjetojnë famën fëmijët e saj

    Jennifer Lopez është hapur se do të dëshironte t’i mbrojë binjakët e saj 15 vjeçar që ballafaqohen me paragjykime, për shkak se kanë prindër të famshëm.

    Ajo foli se si të jesh fëmijë i prindërve të famshëm nuk është se shumë njerëz mund ta kuptojnë , për këtë i kupton fëmijët e saj sepse ata nuk është se zgjodhën atë

    . ‘’Nuk kam folur me ta shumë rreth kësaj, por kanë filluar të më bëjnë me dije se si njerëzit i trajtojnë ata. Pra, kur ata hyjnë në një ambient, njerëzit nuk i shikojnë për atë se kush janë ata. Dhe mendoj se ajo duhet të jetë mjaft e vështirë . Do doja shumë t’i mbroja nga kjo gjë’’, rrëfeu Jennifer.

    Tutje shtoi se ajo ndjehet me faj se në çfarë rrethana gjenden fëmijët e saj.

    ‘’Këta fëmijë kanë aq shumë informata, më shumë se që ne kishim. Ata mendojnë dhe flasin për gjëra në jetë në mënyrë shumë më ndryshe se sa unë kur isha 15 vjeçare’’, theksoi ajo.

    Së fundi, filmi ‘’The Mother’’ I Jennifer Lopez, ka thyer rekorde duke u bërë më I shikuari në Netflix në fundjavën e parë të publikimit./atvlive.tv/

  • Amerikania lë ShBA-në për Pakistanin, rrëfen aventurën

    Amerikania lë ShBA-në për Pakistanin, rrëfen aventurën

    Samantha Shea nuk kishte qenë kurrë jashtë Amerikës përpara se të fillonte kolegjin në 2014-ën.

    Pas diplomimit më 2019-ën, ajo vizitoi për herë të parë Indinë dhe Pakistanin.

    E pas këtij udhëtimi, në vitin 2021 ajo vendosi të zhvendosej në Luginën Hunza të Pakistanit, ku jeton aktualisht.

    Samantha tregon se kur u tha familjarëve të saj se vendosi të mos ikte më kurrë nga Pakistani, ata ishin të tronditur pasi e mendonin këtë vend fiks si një shkretëtirë.

    Por, ajo thotë se u ka dërguar vazhdimisht fotot mahnitëse të vargmalit Karakoram mbuluar me borë dhe fshatin piktoresk ku sot ka shtëpinë.

    Dikur jetonte në Majami, e ndërsa sot shijon jetën 8500 metra mbi nivelin e detit në kufi me Kinën Perëndimore.

    “Në Hunza, energji elektrike ka vetëm disa orë në ditë, nuk bëhen dërgesa online dhe jo gjithmonë ka ujë të nxehtë. Por pavarësisht këtyre, lugina është shtëpia ime. Rinovimi i fundit i shtëpisë më kushtoi vetëm 3 mijë dollarë”, shprehet Samantha.

    SHBA-ja gjithmonë i udhëzon qytetarët e saj që nëse udhëtojnë në Pakistan, duhet të shmangin provincën Balochistan, kufirin e Pakistanit me Indinë pasi ka rrezik për sulme terroriste dhe konflikte të armatosura.

    Por, sipas Samanthë-s deri më sot nuk është ndjerë e pasigurt.

    Mediat e huaja kanë shkruar me detaje për vendimin ekstrem të kësaj vajze të re për t’u zhvendosur nga SHBA në një vend shumë më të varfër.

    “Dashuria ime për udhëtimet filloi në kolegj. E doja plazhin dhe verën e Florida-s, por nga ana tjetër më shqetësonin zhurmat dhe ritmi i shpejtë i këtyre qyteteve. Kam bërë 3 punë teksa isha në universitet, që të kurseja për këto aventura. Pas diplomimit në 2019, u nisa përsëri për në Indi, duke udhëtuar nëpër vend dhe më pas në Pakistanin fqinj. Pavarësisht shqetësimeve nga familja dhe miqtë, nuk u ndjeva aspak nervoze kur kalova kufirin e Indisë. Zbulova se Pakistani nuk ishte i ndotur dhe rrugët ishin në gjendje të mirë. Pas pandemisë, mësova gjuhën kombëtare të Pakistanit. Hapa një blog dhe u angazhova duke shkruar përmbajtje në mediat sociale për udhëtimet”, deklaroi Samantha.

    Ajo në prill të 2021-it, kishte udhëtuar në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

    “Nuk kisha një plan të qartë por qëndrova disa net në një bujtinë. Këtë udhëtim timin në shumë zona, njerëzit që më njihnin e konsideruan çmenduri, por unë isha e vendosur”, thotë Samantha.

    Sipas saj Lugina Hunza është një zonë e largët në veri të Pakistanit.

    “Lumenjtë blu Gatorade dhe malet e mbuluara me borë e bëjnë Hunzën një destinacion popullor turistik. Komuniteti lokal është i njohur për mikpritjen e tij dhe menjëherë u ndjeva si në shtëpinë time – diçka që nuk e kisha ndjerë kurrë në Amerikë”, rrëfen Samantha.

    Ajo thotë se në këtë zonë ka një kulturë shumë më liberale ndaj grave, duke përmendur se shumë prej tyre zotërojnë restorante, dyqane dhe kanë arsim të lartë.

    Samantha thekson se asnjëherë s’ka pasur frikë për sigurinë e saj.

    Madje ajo ndan dhe një episod kur udhëtoi e vetme 5 milje dhe nuk dinte si të kthehej.

    Një bari shpjegon ajo, i sqaroi rrugën e kthimit dhe i mbajti çantën.

    “Një muaj akomodim këtu kushton 150 deri në 250 dollarë. Në fillim kam qëndruar në disa hotele ku paguaja 15 dollarë natën”, shton ajo më tej.

    Për Samanthën, kjo eksperiencë i ka shërbyer pozitivisht pasi ajo ka pasur fryte në karrierën e saj si freelance.

    Ajo publikon historitë në Instagram dhe Youtube, duke frymëzuar shumë njerëz të tjerë për të vizituar luginën.

    E në këtë vend, ajo ka njohur dhe dashurinë e jetës, i cili quhet Fareed. Atë e njohu disa muaj pasi u stabilizua në Hunza.

    Aktualisht ajo nuk ka asnjë plan që të ikë nga Lugina, madje aty mendon të kalojë gjithë jetën ku pret të ndërtojë një familje të bukur me Fareed./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Donna Dafi e publikon këngën e re në gjermanisht dhe shqip; “Wo bist du?”/ “Ku je?”

    Donna Dafi e publikon këngën e re në gjermanisht dhe shqip; “Wo bist du?”/ “Ku je?”

    Këngëtarja Donna Dafi, në këngën më të re “Wo bist du?, “Ku je?”, nëpërmjet melodisë̈ magjepsëse dhe emocionuese, rrëfen historinë e dy personave që ranë në dashuri me njëri-tjetrin.

    Kënga fillon me udhëtimin dhe humbjen e kësaj dashurie, pastaj gatishmërinë e tyre të qëndrueshme përballë fatkeqësive, duke e kërkuar njëri-tjetrin.

    “Wo bist du?” nuk është vetëm një këngë për thyerjen e zemrës, por më shumë është një thirrje për të mos hequr dorë kurrë nga dashuria dhe na kujton se është e mundur të gjejmë një rrugë kthimi te njëri-tjetri.

    Donna Dafi, në “Wo bist du?”, e shfaq talentin e kantautores dhe interpretueses.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me vranësira dhe intervale të lehta me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 20 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me intervale të lehta me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 24 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot kryesisht të kthjellët, ku temperaturën minimale do e ketë Korça me 8 gradë Celcius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 27 gradë Celcius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Sot betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, të tjerët s’dihet kur do ta marrin detyrën

    Sot betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, të tjerët s’dihet kur do ta marrin detyrën

    Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.

    Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

    Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

    Dje, shtetet e Quint’it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, këto shtete thonë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.

    “Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.

    Shtetet e Quint’it u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.

    “Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thonë shtetet e Quint-it.

  • 24 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    24 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq.

    19 vite më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

    Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

    Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

    Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

  • SHBA i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë protestuesit

    SHBA i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë protestuesit

    Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë tre persona që ishin përfshirë në protestat mbarëkombëtare, teksa organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikën se autoritetet do t’i ekzekutojnë.

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, duke cituar deklaratën e lëshuar nga Amnesty International më herët gjatë javës, shprehu shqetësimin se Irani shumë shpejt do të ekzekutojë Majid Kazemi, Saleh Mirhashemi dhe Saeed Yaghoubi, të cilët u arrestuan nëntorin e kaluar për shkak të protestave në qytetin iranian të Isfahanit.

    “Ne i bashkohemi popullit të Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar në thirrjet ndaj Iranit që të mos kryejë këto ekzekutime”, tha Patel për gazetarët.

    “Ekzekutimet e këtyre personave, pasi gjykimet ndaj tyre janë cilësuar si të rreme, do të ishin një ofendim për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit bazik në Iran dhe gjetkë. Kjo situatë e bën të qartë se regjimi iranian nuk ka mësuar asgjë nga protestat që nisën nga një vdekje tjetër, vdekja e Mahsa Aminit”, shtoi ai.

    Irani është përballur me protesta që nga shtatori i vitit 2022, kur Amini, 22 vjeçe, vdiq teksa po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

    Irani ka rritur numrin e ekzekutimeve, përfshirë edhe ekzekutimin e katër protestuesve vitin e kaluar, duke nxitur dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

    Rasti i Kazemit ka nxitur shqetësim në Australi, ku jeton një pjesë e familjes së tij, me kushëririn e tij që ka thënë se ai ishte përfshirë “në protesta paqësore” përmes së cilave kërkohej ndryshimi në Iran./REL

  • Peja, kampione e Kosovës, Trepça mposhtet në “Minatori”

    Peja, kampione e Kosovës, Trepça mposhtet në “Minatori”

    Peja është shpallur Kampion i Kosovës pasi ka mposhtur skuadrën e Trepçës me rezultat 91:93.

    U desh të zhvillohen pesë ndeshje, kurse ndeshja e fundit shkoi edhe në vazhdime derisa u përcaktua fituesi i këtij takimi.

    Koha e rregullt e takimit përfundoi me rezultat 84:84, ndërsa Peja shënoi fitore në fund fal koshit të Waldow.

    Ky është titulli i parë për Pejën pas 10 viteve.

  • Raportuan Chollet e Escobar: Çfarë u diskutua për Kosovën në Senatin Amerikan

    Raportuan Chollet e Escobar: Çfarë u diskutua për Kosovën në Senatin Amerikan

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha të enjten në Senatin amerikan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e Presidentit Joe Biden.

    Zoti Chollet foli përpara komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatin, i cili mbajti të enjten një seancë dëgjimore mbi angazhimin amerikan në Ballkan.

    “Politika jonë bazohet në një parim të thjeshtë: një Evropë e tërë, e lirë, e begatë dhe në paqe është në interesin e sigurisë sonë kombëtare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një pjesë e munguar e enigmës”.

    Zoti Chollet, ashtu si edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dëshmuan para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me sfidat dhe mundësitë e rajonit. Anëtarët e Komisionit dhe zyrtarët e lartë, ishin të një mendjeje se një nga sfidat më të ngutshme janë çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e plotës të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha zoti Chollet.

    Por ai shtoi se aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përmbushen derisa të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.

    Për zotin Chollet marrëveshja e Ohrit përcakton një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një veprim që ne i kemi kërkuar që ta ndërmarrë me shpejtësi, të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të ofrojë mbrojtje të fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”, tha ai.

    Po kështu ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të njohin gjithashtu dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe se Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Sipas zotit Chollet marrëveshja paraqet një përparim të rëndësishëm në tejkalimin e ciklit të krizave që ka karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve për një kohë të gjatë.duke shtuar se SHBA do të vazhdojmë të punojmë me të dyja palët në mënyrë që ato të përmbushin angazhimet e tyre reciproke.

    Duke iu referuar Serbisë, zoti Chollet tha se SHBA është e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Serbinë, por e bën këtë duke i kushtuar një vëmendje të madhe asaj që mund të ndodhë. Serbia tha ai ka sfida të rëndësishme përpara duke filluar nga korrupsioni deri te ndikimi i dëmshëm rus, përfshirë dezinformimin.

    “Historia jonë ka qenë e vështirë dhe marrëdhënia jonë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Megjithatë është në interesin tonë që të ndihmojë Serbinë të realizojë potencialin e saj të plotë dhe të afrohet më shumë me komunitetin euroatlantik.Për të qenë të qartë, progresi duhet fituar”.

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Serbia duhet të përmbushë angazhimet për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive me të gjithë fqinjët e saj dhe demokraci të fortë dhe të qëndrueshme në vend për të arritur këtë vizion.

    Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez, theksoi se thelbi i stabilitetit në Ballkan është zgjidhja përfundimtare e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai shprehu kritika ndaj zyrtarëve amerikanë, duke thënë se i është krijuar përshtypja se Kosovës po i bëhet presion për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësi, që siç u shpreh Senatori, gazeta Nju Jork Times, e karakterizoi si një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar.

    “Pasi Serbia dhe Kosova u pajtuan mbi marrëveshjen e propozuar nga BE-ja për normalizimin midis tyre, kemi pasur rezultate të përziera. Duke filluar me refuzimin e Presidentit Vuçiç për ta nënshkruar marrëveshjen, kundërshtimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe inkurajimin i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Unë dua ta shoh Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara drejt normalizimit. Por si mund të presim nga vendet që të zbatojnë marrëveshjen në mirëbesim, nëse Vuçiçi refuzon ta nënshkruajë atë?”, pyeti ai gjatë seancës.

    Përgjigjes së zotit Chollet se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme dhe se presidenti Vuçiç dhe nuk e ka mohuar një gjë të tillë, senatori Menendez tha se mungesa e hapave të domosdoshme për zbatimin, është njëlloj si ta mohojë atë.

    “Për fat të keq, nëse më lejohet zoti kryetar, nuk po shohim shumë zbatim të marrëveshjes nga asnjëra palë. Kjo është një pikë ku kolegu im, zoti Escobar, është shumë i përqëndruar. Unë kisha rastin të bisedoja për këtë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Borell, gjatë fundjavës. BE-ja është shumë e përqëndruar tek kjo çështje, prandaj jemi të angazhuar në një diplomaci intensive që të nxisim të dyja vendet të përmbushin marrëveshjen”, u përgjigj zoti Chollet.

    Gjatë fjalës së tij i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Ecobar tha se dështimi për të bërë përparim në drejtim të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi i ka dhënë mundësi Rusisë, të luajë një rol dëmtues, në Ballkanin Perëndimor.

    Ai tha se si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet për të çliruar potencialin e tyre të plotë dhe përparimin në rrugët e tyre drejt Evropës.

    Duke iu përgjigjur shqetësimit të Senatorit Menedez se Asociacioni do të kthehej në një lloj “Republika Serbska” në Kosovë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Asociacioni do të krijohet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe i bazuar në modele evropiane që tashmë ekzistojnë.