ATV

Blog

  • Ministrja Haxhiu suspendon përmbaruesin Irfan Kërçagu

    Ministrja Haxhiu suspendon përmbaruesin Irfan Kërçagu

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu informoi sot se nënshkroi vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor.

    Ajo u bëri thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre.

    Haxhiu shtoi se si ministre e Drejtësisë është zotuar në mbrojtjen e interesit publik dhe se çdo vendim i saj do të jetë në linjë me këtë parim.

    “Profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre. Duke pasur parasysh ankesat e qytetarëve dhe institucioneve ndaj përmbaruesve, i bëj thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje.”, shkroi Haxhiu në Facebook.

  • Kurti për diasporën: Pasuri e çmuar për Kosovën, Ligji për zgjedhje do t’i jap fund padrejtësisë

    Kurti për diasporën: Pasuri e çmuar për Kosovën, Ligji për zgjedhje do t’i jap fund padrejtësisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mërgatën shqiptare e konsideruar si një pasuri të çmuar për Kosovën, derisa shtoi se me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i jepet fund padrejtësisë ndaj diasporës.

    Këto komente kryeministri Kurti i bëri në konferencën “Diaspora Flet”, ku theksoi po ashtu se diaspora vazhdon të ketë rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, social e politik të vendit.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të zbatojë politika që e ndërlidhin diasporën me vendin.

    “Diaspora është moti pasuri e çmuar e kombit tonë. Ne njohim mirë rolin dhe angazhimin e diasporës në Kosovë, por edhe vlerësojmë potencialin e saj si një nga burimet për zhvillim. Andaj, jemi të përkushtuar në punën tonë ditore për të zbatuar politikat të cilat e ndërlidhin rolin e diasporës jo vetëm si një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë por edhe si një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimet të cilat kanë filluar të marrin formë në Kosovë… Akutalisht jemi drejt finalizimit të kornizës ligjore që reflekton vlerësimin tonë të thellë për kontributin e thellë të diasporës. Me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i japim fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës për sa i përket votimit dhe po e përmbushim përfundimisht edhe një zotim tonin. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shpreh vullnetin politik, teksa ambasadat e konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra votimi”, u shpreh ai.

    Kryeministri Kurti tha se për herë të parë janë duke dizajnuar një fond për diasporë, i cili sipas ti, paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet.

    Shefi i qeverisë u shpreh se po punojnë në adresimin e sfidave për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit.

    “Për të adresuar kërkesat e shumta që ka mërgata jonë për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën me qëllim ofrimin e resurseve financiare për të bashkëkrijuar ide të reja dhe për të ofruar zgjidhje kreative për komunitete ku jeni dhe veproni. Ky fond paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet për të adresuar objektivat kryesore në qasjen tonë për angazhimin, bashkëpunimin dhe bashkë-krijimin me mërgatën tonë. Po e theksojmë gjuhën shqipe sepse besojmë që këtu është çelësi i integrimit pa asimilim”, u shpreh Kurti.

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi u shpreh se fokusi kryesor i tyre është dëgjimi i zërit të diasporës.

    Derisa ka përmendur shumë aspekte legjislative që kanë ndërmarrë, ajo theksoi se në planin e zhvillimit kombëtar diaspora shihet si shtyllë për qeverisje të mirë.

    “Për neve fokusi kryesor është dëgjimi i zërit të diasporës për këtë arsye në vitin e parë të qeverisjes kemi në çdo cep të botës kudo që kanë shkuar ministrat, zëvendësministrat e përfaqësues të qeverisë kanë pas një ndërlidhje me komunitetin. Nuk është kjo patjetër vetëm temë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diaspora është temë horizontale që prek çdo sektor të Republikës së Kosovës, por prek edhe jetën e bashkatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme… Ne jem dera juaj e parë e ndërlidhjes pastaj janë këto celulat tjera, për këtë arsye në planit e zhvillimit kombëtar për vitin 2030 diaspora shihet si shtyllë në kuadër të politikës horizontale për qeverisjes të mirë… Për qeverinë tonë diaspora shihet si ekspertizë si njohuri dhe si agjendë i ndërlidhjes në këtë rast për këtë arsye kemi lansuar platformën për diplomaci qytetare”, theksoi ajo.

    Konferenca “Diaspora flet” është organizuar nga “Germin” për tri ditë me radhë më 18, 19 dhe 20 maj, tema e përgjithshme e saj ishte “Si mund të bashkë-krijojmë”.

  • Katarina Axhançiq zgjidhet nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore

    Katarina Axhançiq zgjidhet nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore

    Në seancën solemne, ku ka dhënë betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, është zgjedhur edhe nënkryetarja e kësaj Komune, Katarina Axhançiq , e cila ishte zyrtare e deritashme në ATK.

    E veçanta e kësaj seance ishte flamuri shtetëror, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.

    Gjithçka kaloi qetësisht dhe pa incidente, ndërsa përreth objektit të Komunës ka prezencë të shtuar e forcave të sigurisë.

    Seancën solemne të Kuvendit Komunal i cili përbehet prej 14 këshilltarëve, prej të cilëve vetëm njëri është serb, e udhëhoqi kryesuesi i këtij Kuvendi, Nexhat Uglanin, i cili kryetarit të ri dhe gjithë këshilltarëve iu uroi sukses në punën e tyre.

    Seancën e ka vëzhguar nga afër edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

  • Atiq: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore

    Atiq: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore

    Kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në një konferencë për gazetarë pas seancës solemne të betimit, tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore, pa dallime dhe pa diskriminime.

    Ai bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me komunën në të gjitha temat që janë në të mirë të qytetarëve të kësaj komune.

    “Si kryetar komune, kemi me punu për të gjithë qytetarët e Mitrovicës Veriore pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh kemi me e ba për me e normalizu këtë pjesë të komunës edhe u bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë e të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha Atiq. /atvlive.tv

  • ​Betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

    ​Betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

    Në një seancë solemne e cila ka filluar sot në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës, ka dhënë betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.

    E veçanta e kësaj është se flamuri shtete, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.

    Gjithçka po kalon qetësisht dhe pa incidente.

  • Arrestohen dy persona në Ferizaj, kishin kryer disa vjedhje

    Arrestohen dy persona në Ferizaj, kishin kryer disa vjedhje

    Policia në Ferizaj ka arritur që të identifikojë dhe arrestojë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “vjedhje”.

    “VJEDHJE E RËNDË/ Ferizaj 18.05.2023 – 14:50. Është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që ata dyshohet se kishin kryer disa vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme (shtëpi, banesa, etj), pronë e ankuesve të ndryshëm”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Atiq në Komunë, shoqërohet nga numër i madh i policëve

    Atiq në Komunë, shoqërohet nga numër i madh i policëve

    Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut, Erden Atiq i shoqëruar nga një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë, konkretisht mbrojtja e afërt, ka shkruar në objektin e Komunës.

    Gjithashtu, është vendosur edhe flamuri i Republikës së Kosovës në objektin e Komunës.

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan, tha në një deklarim për media se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e kryetarit të ri.

    Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

    Në ditën kur pritet betimi i kryetarit të ri në veri të Mitrovicës, shtetet e QUINT-it sërish u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.

    Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thuhet se më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, në deklaratë thuhet se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, gjersa u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

  • Në Komunën e Mitrovicës së Veriut shihet flamuri i Kosovës

    Në Komunën e Mitrovicës së Veriut shihet flamuri i Kosovës

    Kanë mbetur edhe pak minuta nga fillimi i mbledhjës së kryesisë së Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut ku do ta bënë betimin kryetari i kësaj komune Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut tashmë është vendosur Falmuri i Kosovës.

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan tha se janë të pajtimit për ta bërë këtë meqë në institucionet e Kosovës duhet të jenë simbolet e saj.

    Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ku në ora 11:00 pritet të bëhet betim i kryetarit të kësaj komune Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i pranishëm tashmë është edhe EULEX-i.

  • ​Osmani takoi zëvendëspresidentin e PE, u diskutua angazhimi i Kosovës për paqe në rajon

    ​Osmani takoi zëvendëspresidentin e PE, u diskutua angazhimi i Kosovës për paqe në rajon

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin ka biseduar për procesin integrues të Kosovës.

    Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për integrim në Bashkim Evropian.

    “Presidentja Osmani ka potencuar përkushtimin e palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës për integrim në Bashkimin Evropian, e reflektuar edhe në bashkërendimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së. Tutje, Presidentja Osmani ka folur mbi angazhimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, thuhet në komunikatë.

    Osmani gjithashtu ka theksuar nevojën për vazhdimin e mbështetjes nga Parlamenti Evropian.

    “Në takim u bisedua për procesin integrues të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian, si dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për integrimin e Kosovës në BE, ndërsa ka ritheksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë”, bëhet e ditur në njoftim.

  • Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut: Kemi angazhuar edhe zyrtarët civil brenda objektit ku do betohet kryetari

    Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut: Kemi angazhuar edhe zyrtarët civil brenda objektit ku do betohet kryetari

    Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut, Majori Shkëlzen Xhafa ka thënë se nuk presin që të ketë tensione në betimin e kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut.

    Para mediave, Xhafa ka deklaruar se të gjitha masat e nevojshme tashmë janë ndërmarr.

    “Policia e Kosovës në bazë të autorizimeve të tyre i ka marrë të gjitha masat në aspektin e sigurisë. Ne si Polici kemi vendosur zyrtar policor të rregullt që më shumë do të merren me çështjet e trafikut se nuk presim që të ketë ndonjë tension në këtë inagurim…Kem zyrtar civil brenda e rreth objektit. Nuk ka ngritje të masave. Të gjitha masat janë ndërmarrë sikur në çdo vend tjetër”, ka deklaruar ai.

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e kësaj komune, me ç’rast do të nisë zyrtarisht mandatin e tij si kryetar.

    Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill të këtij viti, kandidati nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota, përkatësisht 66 përqind të votave në total.

    Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të gjitha të banuara me shumicë serbe, u mbajtën pas dorëheqjeve të kryetarëve nga Lista Serbe. Një veprim i tillë erdhi pasi Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendimin që të bëhej konvertimi i targave në “RKS”.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor. Të njëjtat u bojkotuan në masë të madhe nga pjesëtarët e komunitetit serb.