ATV

Blog

  • Veturat superluksoze, pjesë e “Fast and Furious Meeting”

    Veturat superluksoze, pjesë e “Fast and Furious Meeting”

    Meraklitë e veturave super luksoze kanë dhuruar spektakël te Albi Mall, me rastin e shfaqjes së filmit “Fast and Furious Meeting” në kinemanë Cineplexx.

    Ekipi i ATV-së ishte atje për të sjell tek shikuesit këtë ngjarje të veçantë për meraklinjtë e veturave luksoze. Aty, gazetari i ATV-së zhvilloi disa intervista me pronarët e veturave pjesëmarrëse ne këtë event.

    Për më shumë, ndiqeni videon e më poshtme:

  • Mehaj: FSK është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë

    Mehaj: FSK është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se sipas disa sondazheve, del që Forca e Sigurisë së Kosovës, është organizata që e ka besueshmërinë më të lartë të qytetarëve.

    “Sipas sondazheve të publikuara nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Insitutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), Forca e Sigurisë së Kosovës është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

    Ky hulumtim sipas tij “vë në pah se 73% e shtetasve tanë besojnë në institucionin e sigurisë, që shënon një rritje prej 7% në raport me sondazhet e vitit 2021”.

  • ​Vuçiq për kryetarët në veri: Nuk do t’i pranojmë kurrë

    ​Vuçiq për kryetarët në veri: Nuk do t’i pranojmë kurrë

    Presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do t’i pranojnë kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës.

    Ai ka folur për betimin e kryetarëve duke thënë se kjo po bëhet me mbështetjen e vendeve të QUINT-it.

    “Nesër pritet që ata do të përpiqen të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në Mitrovicë për të zgjedhur kryetarët e rrejshëm të komunave, të mbështetur nga vendet e QUINT-it, në zgjedhjet më të rreme, më të dhunshme dhe më të mjerueshme të mbajtura ndonjëherë në botë”, ka thënë ai.

    Sipas presidentit serb, kryetarët e zgjedhur nuk do të pranohen asnjëherë.

    “Është një situatë shumë e vështirë dhe e tensionuar sidomos në veri të Kosovës. E vetmja gjë që po kërkoj nga serbët është të ruajnë paqen dhe këta nuk do të pranohen kurrë si kryetarë komunash, kjo është trysni ndaj serbëve dhe përpjekje të krijojnë një atmosferë në të cilën serbët do të largoheshin nga vatra e tyre, asgjë më shumë”, ka thënë ai.

    Nesër pritet të betohet kryetari i zgjedhur në veri të Mitrovicës, Erden Atiq.

    Zgjedhjet në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan janë mbajtur me 23 prill.

    Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i ka bojkotuar këto zgjedhje me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

  • ​Hajdari: “Tregu i Përbashkët” i rëndësishëm për qasjen e bizneseve në tregjet e BE-së

    ​Hajdari: “Tregu i Përbashkët” i rëndësishëm për qasjen e bizneseve në tregjet e BE-së

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se përfshirja e Kosovës në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” është shumë e rëndësishëm për vendin.

    Ministrja Hajdari tha se ky treg është në vlerë 4.2 miliardë euro dhe do t’iu shërbejë bizneseve të Kosovës edhe qasje në tregje të Bashkimit Evropian (BE).

    “Përmes këtij programi, bizneset do të jenë përfituese të mjeteve vetanake dhe mund të ndërveprojnë me biznese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

    Në anën tjetër, Hajdari tha se gjatë mandatit të saj ka pasur edhe rritje të investitorëve të huaj.

  • ​Hovenier për kryetarët në veri: Të shmanget forca për hyrje në objektet komunale

    ​Hovenier për kryetarët në veri: Të shmanget forca për hyrje në objektet komunale

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të shmanget çdo konflikt dhe përplasje që qon në rritjen e tensioneve me betimin e kryetarëve të rinj në veri.

    Ambasadori Hoveniver, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, katha se Amerika nuk mendon se është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave, shkruan Klankosova

    “I kam bërë disa komente edhe gjatë ditës së djeshme, të njëjtat i diskutova edhe sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo gjë duhet të ndodhë në një mënyrë që shmang konfliktet dhe përplaset që mund të qojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne jemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë të mirë, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, ka thënë Hovenier.

  • Aliu: Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një numër tejet të lartë të vizitorëve

    Aliu: Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një numër tejet të lartë të vizitorëve

    Sot, në mbarë botën po shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo festë shënon rëndësinë kulturore të muzeve dhe rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë.

    U.D. e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se muzeu vazhdon ta ketë një numër tejet të lartë të vizitorëve.

    “Ndërtesa e Muzeut Kombëtar të Kosovës është një ndërtesë historike dhe në vete përmban nga periudha e parahistorisë e deri te lufta e fundit, normalisht në pjesën e arkeologjisë dhe ekspozita e historisë. Nëse flasim për numër të vizitorëve, për dy vitet e fundit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Kompleksi Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, në mungesë të ekspozitës, me qenë se renovimi ka përfunduar vitin e kaluar, ka kaluar një shifër prej 42 mijë vizitorë”, tha Aliu.

    Ajo thotë se e sheh një trend të numrit të lartë të vizitorëve, ku nganjëherë nuk i zë as ndërtesa e muzeut.

    “Në anën tjetër, jo vetëm sot që është lajmëruar dhe presim një numër shumë të madh të vizitorëve, unë kam kaluar vonë në detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Muzeut, por që e shoh një trend të një numri shumë të madh të vizitorëve, nganjëherë ka aq shumë vizitorë sa që ndërtesa e muzeut nuk mundet me i përballu”, tregoi Aliu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Miratohet marrëveshja për ndërtimin e urës së Bunës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi

    Miratohet marrëveshja për ndërtimin e urës së Bunës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi

    Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot (e enjte) marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për ndërtimin e urës mbi Bunë.

    Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Boiana”, u miratua me 97 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.

    Gjatësia e urës do të jetë 310 metra, ajo do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.

    Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë nëntë milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj.

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pati thënë se ura do të përshkohet vetëm në dy minuta.

    “Me ndërtimin në Urën e Bunës, një urë që është 310 metra, do të përshkohet vetëm në 2 minuta, duke ju dhënë mundësi vizitorëve që janë numra të konsiderueshëm. Bëhet fjalë për mbi 360 mijë turistë që lëvizin dhe mbi 170 mijë qytetarë nga Mali i Zi që vizitojnë Shqipërinë. Kjo është një punë dhe një investim që do të bëhet duke e ndarë investimin mes 2 vendeve. Parashikohet që investimi të shkojë rreth 1,5 miliardë lekë, që do të ndahen 50 me 50 mes vendeve tona. Keni nisur nga puna që projektimi, dokumentacioni dhe çdo gjë tjetër të kryhet nga FSHZH-ja sa më shpejt”, pati thënë Balluku ditë më parë.

    Ura do të vendoset mbi degën e lumit Buna në dy degë që formojnë vendbanimin ekskluziv turistik të Ada Buna në Mal të Zi.

  • ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde

    ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde

    Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim prej 30 ditësh ndaj katër të dyshuarve lidhur me aksionin e realizuar për Fajde.

    Në një komunikatë të kësaj prokurorie, bëhet e ditur është kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimi i masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.M., A.H., B.K dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Detyrimi” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    “Të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartë cekura”, thuhet në njoftim.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë zhvilluar aksion në Prishtinë dhe Podujevë ku janë bastisur shtëpi e lokale nën dyshimin për fajde.

  • Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

    Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

    Herë në seancë të mbyllur, herë në private dhe e përcjellur me redaktime, është duke u dhënë dëshmia e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

    Pas përfundimit të intervistimit nga ana e Prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Avokati Albert Moskowitz e ka ballafaquar atë me një deklaratë të një personi(i koduar me numrin 3.

    Derisa dëshmitari po fliste për një rast, që sipas tij, bashkë me “numrin 3” e kishin parë një veturë në një anë të rrugës e cila, ka thënë ai, ishte e tipit Golf 3, mbrojtja e Thaçit e kujtoi një deklaratë të “numrit 3” dhënë për UNMIK-un, i cili kishte deklaruar se vetura ishte Fiat.

    E pas kësaj pyetje nga mbrojtja e Thaçit seanca ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar dhe më pas e mbyllur për publikun.

    Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Arrestohet një person në Gjilan, dyshohet se ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj gruas shtatzënë

    Arrestohet një person në Gjilan, dyshohet se ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj gruas shtatzënë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes, pastaj i dyshuari ka kërkuar që gruaja të shkojë te familja e vajzërisë.

    Rasti ka ndodhur në Gjilan, të mërkurën në ora 17:30.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare, pastaj i dyshuari ka kërkuar që viktima të shkojë te familja e vajzërisë”, thuhet në raport.

    Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor pasi që e njëjta edhe është shtatzënë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet.