ATV

Blog

  • ​Promovohet libri që përshkruan torturat e përjetuara në Burgun e Dubravës

    ​Promovohet libri që përshkruan torturat e përjetuara në Burgun e Dubravës

    “Tmerri ka emër”, është libri i cili u promovua nga ish i burgosuri politik, Asllan Selimi, në 24 vjetorin e Masakrës së Dubravës.

    Ky ditar historik ka kujtime nga lufta, burgu, gjykimi, dënimi dhe një prej masakrave më të mëdha kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit.

    Në emër të familjes, Ramadan Selimi ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në promovimin e këtij libri.

    “Në emër të Asllanit, në emër të bashkëshortes, të ju falënderoj për pjesëmarrjen kaq masive. Po ndihemi shumë krenar. Falënderim të veçantë për penalistët këtu dhe gjithë ata qe përgatiten këtë libër”, ka thënë ai.

    Ish i burgosuri politik, Nait Hasani, ka thënë se Asllani në librin e tij ka përshkruar torturat e përjetuara dhe largimin nga burgu i Dubravës.

    “Në këtë libër me kujtime, Asllani e ka përshkruar prej arrestimit të tij në Mitrovicë. Ai ishte i angazhuar me detyrat e tij të ndërlidhjes, përmes vëllaut të tij Rexhep Selimit. UÇK ishte e padukshme dhe ishte kudo dhe ishte bërë tmerr edhe i Serbisë. Rritja e UÇK-së binte në sy të popullatës që kërkonte liri. Arrestimi i Asllanit dhe torturat e përjetuara janë dëshmi e mjaftueshme e torturave qe kemi përjetuar”, ka thënë Hasani.

    Për këtë libër ka folur edhe ish gjenerali Kudusi Lama.

    “Ajo çfarë më befasuan, edhe kur don të flet te nëna madhështore; ai e përshkruan nënën e një luftëtari tjetër, janë madhështitë që na sjell. Edhe në burgjet e Serbisë, është zhvilluar luftë. Unë në procesin e leximit të librit, shumë herë e kam gjeture vetën me rrahje të shpeshta të zemrës, është e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, sipas redaktorit të këtij libri, Lan Qyqalla, ky ditar duhet të ketë vend në sirtarët e bibliotekave të shkollave.

    “Ditari ka rrjedhën e ngjarjeve të burgjeve sllave. Të rrënqethë trupin me përshkrim real, të mbush me lot për torturat qe janë përjetuar të burgosurit shqiptarë. Nuk e përshkruan ngjarjen në formën e pesimizmit. Ky ditar ka motivimin e qëndresës së atdhetarëve”, ka shtuar ai

  • Ngritet aktakuzë në mungesë ndaj një personi të dyshuar për dhunim gjatë luftës në Kosovë

    Ngritet aktakuzë në mungesë ndaj një personi të dyshuar për dhunim gjatë luftës në Kosovë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se ka ngritur sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, aktakuzë në mungesë ndaj të akuzuarit me iniciale G.P. për vepër penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

    “Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar. Me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, thuhet se kjo është aktakuzë e dytë në mungesë që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë, e ngritur pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar pranin fizike të pandehurit në procedurë, andaj, Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë./atvlive.tv/

  • Çun Lajçi lajmërohet nga Zvicra, tregon arsyen pse ka shkuar atje

    Çun Lajçi lajmërohet nga Zvicra, tregon arsyen pse ka shkuar atje

    Në emisionin N’FREKUENCË me Robin në ATV, aktori Çun Lajçi u inkuadrua me një lidhje të drejtpërdrejt nga Zvicra.

    Ai tregoi se arsyeja që sot gjendet në Zvicër, janë librat e tij.

    “Unë dje kam ardhur, do të rri sot edhe nesër dhe të dielën do të kthehem pas dite prapë në Prishtinë. Arsye kryesore e ardhjes time këtu, janë librat që më sjellin në Zvicër, duke shpresuar se mërgimtarët, megjithatë punë të madhe që e kanë, të gjejnë pak kohë me lexu edhe ndonjë varg, ndonjë tregim prej librave të mijave”, tha Lajçi.

    Ai tregoi gjatë këtyre dy ditëve sa do të qëndrojë në Zvicër, bashkatdhetarët mund ta gjejnë te restoranti Viktory Fahrweid në qytetin Dietikon.

    “Në restorantin ku punon zotëria, Dritoni dhe ma rezervon një tavolinë të vogël ku t’i ekspozojë librat dhe mërgimtarët derisa vijnë me e kry dreken apo darken, e zgjidhin edhe ndonjë titull të veprave të mija dhe ikin. Jam në restorantin Viktory t’Farvejt në qytetin Dietikon, këtu do të jem sot edhe nesër”, tregoi Lajçi. /atvlive.tv

  • Shikuesit e “N’Frekuencë” lumturojnë fëmijët në QKUK

    Shikuesit e “N’Frekuencë” lumturojnë fëmijët në QKUK

    Nga fushata e të riut Blendi Zogaj dhe inicimin e mërgimtares Luljeta Habibi bashkë me plotë mërgimtarë të tjerë, u gëzuan 90 fëmijë në repartin e pediatrisë në QKUK.

    Blendi Zogaj u shpreh për ATV-në, se ai ndihet i lumtur që ideja e tij për të gëzuar fëmijët të cilët janë të shtrirë në spital, iu realizua falë ndihmesës edhe nga ana e moderatorit të “N’frekuencë”, Robert Bojaj.

    “E mendova si ide për ti gëzuar disa fëmijë që janë të shtrirë në spital, bisedova me Robin dhe ia tregova këtë ide dhe e falënderoi shumë pasi edhe ai më mundësoi me përgatit këtë. Është një gjë shumë e rëndësishëm për mua, sepse e ndjej një dhimbje të përbashkët me ta”, deklaroi Blendi.

    Ndërsa, mërgimtarja Luljeta Habibi tha se për këtë ndihmës janë angazhuar shumë mërgimtarë, për çka tha se ndihet falënderuese ndaj tyre.

    “Angazhimi ka qenë shumë i madh për shkak se kur e kam publikuar dy herë këtë iniciativë shumë persona janë interesuar dhe kanë dhuruar me aq mundësi sa kanë pasur. Ne mërgata jemi të gatshëm të kontribuojmë gjithmonë për vendin tonë por fatkeqësisht është pak problem sepse mendoj që në vend ka shumë shumë persona i keqpërdorin këto ndihmesa”, tha ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Nis projekti nga Komuna e Klinës për ujin të pijes, në fillim të vitit të ardhshëm do të sigurohen 100 litra për sekondë

    Nis projekti nga Komuna e Klinës për ujin të pijes, në fillim të vitit të ardhshëm do të sigurohen 100 litra për sekondë

    Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se tashmë tashmë ka filluar ndërtimi i fund ndërruesit për ujë të pijes në qytetin e Klinës, projekt ky që do të sigurojë 100 litra për sekondë për qytetarët e kësaj komune.

    “Një prej projekteve të rëndësishme është ndërtimi i fund ndërruesit për ujë të pijes në qytetin e Klinës që javën e kaluar kanë filluar procedurat e prokurimit dhe ky është një lajm i mirë të ketë investime në këtë fazë 650 mijë euro, ku do të sigurohet ujë nga rrjedha e Drinit të Bardhë. Është një proces fizik, por edhe me aditiv, në aspektin kimik që do të pastrohet uji nga ndotjet më shumë fizike dhe më pas do të kalojnë përmes fabrikës ekzistuese që është, të cilës do t’i ndërrohen filtrat. Parashikimet i kemi nëse nuk kemi ankesa në procedurat e prokurimit që në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi ujë të pijes 100 litra në sekondë për qytetarët e komunës së Klinës”, tregon Elezaj.

    Ai njofton se projekti është përanditur nga ministria e Infrastrukturës në vitin 2019, ndërsa komuna ka kërkuar që të revidohet nga Universiteti i Prishtinës, më
    konkretisht nga Fakulteti i Makinerisë.

    “Ne kemi filluar bashkë me Qeverinë në vitin 2019, është përgatitur projekti nga ministria e atëhershme e Infrastrukturës, dhe nga një kompani prestigjioze. Më pas kam kërkuar që projekti të revidohet nga Universiteti i Prishtinës nga Fakulteti i Makinerisë. Është revidu, është kontrollua dhe po besoj që me mjete që janë, 650 mijë euro, do të kemi ujë të pijes për herë të parë në kapacitetin 100 litra në sekondë në Komunën e Klinës”, tregoi kryetari Elezaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Fillojnë punimet për termocentralin diellor me kapacitet 150 MW, në fshatin Bec të Gjakovës

    Fillojnë punimet për termocentralin diellor me kapacitet 150 MW, në fshatin Bec të Gjakovës

    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori sot pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve në projektin e termocentralit diellor me kapacitet 150 MW nga Solar Energy Group Europe, në fshatin Bec të komunës së Gjakovës.

    Ky moment, sipas kryeministrit Kurti simbolizon jo vetëm një hap të rëndësishëm drejt qëllimeve tona për të ngritur kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tone.

    Teksa veçoi miratimin e Strategjisë se re të Energjisë në Kuvendin e Kosovës, ai theksoi se orientimet e sektorit të energjisë për periudhën 10 vjeçare ne tashmë i kemi vendosur në këtë Strategji, me synimin që zhvillimi i sektorit të energjisë të shkojë drejt tranzicionit energjetik në përputhje me Marrëveshjen e Sofies dhe Planin e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor 6, si dhe gradualisht drejt neutralitetit ndaj karbonit deri në 2050.

    “Sot ne jemi mbledhur këtu për të shënuar realizimin e vizionit tonë –atë të përpjekjes për pavarësi energjetike dhe transformimit të sektorit drejt energjisë edhe të pastër edhe të qëndrueshme’’, u shpreh kryeministri para të pranishmëve në këtë Inaugurim.

    Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe Strategjia jonë e re e Energjisë, sipas kryeministrit, tregon përkushtimin tonë për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe të qëndrueshëm për të investuar.

    Javën e kaluar kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power lancuan ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.

  • Reagimi i ashpër i Listës Serbe pas betimit të Erden Atiqit si kryetari i Mitrovicës së Veriut

    Reagimi i ashpër i Listës Serbe pas betimit të Erden Atiqit si kryetari i Mitrovicës së Veriut

    Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, Lista Srpska, që refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet që e nxorën Atiqin kryetar, mbajtën një konferencë për media.

    Igor Simiq nga kjo parti tha se sot “kanë bërë përpjekje për ta ruajtur paqen”, por se këtë s’do ta bëjnë edhe për shumë gjatë. Ata dhanë një ‘ultimatum’ drejtuar kryeministrit Kurti.

    “Nëse këto dhe veprime të ngjashme vazhdojnë, më 1 qershor do të vijë një përgjigje vendimtare nga populli serb. Ne do ta mbrojmë të drejtën e serbëve për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat e tyre me të gjitha mjetet”, tha Lista Srpska.

    Simiq u përpoq të thoshte se problemin e kanë me Kurtin dhe jo me shqiptarët.

    “Serbët sot nuk e kanë problem me popullin shqiptar, por me regjimin antiserb të Albin Kurtit, i cili çdo ditë përpiqet të zgjidhë dështimet politike duke fituar pikë të lira politike duke ngacmuar popullin serb”.

    Ai tha se paqja sot gjatë betimit të Atiqit u bë falë “përpjekjeve të tyre”.

    “Duke iu falënderuar përpjekjeve mbinjerëzore që janë bërë veçmas sot kemi arritur ta ruajmë paqen dhe ta bindim popullin që të mos reagojë ndaj provokimeve që vijnë nga regjimi i Albin Kurtit. Ne jemi të përcaktuar për paqe dhe këtë e kemi treguar kur u mbajtën zgjedhjet e rrejshme më 23 prill dhe paqja u ruajt veçmas pas thirrjes së presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Listës Sprska. Nuk po shohim që dikush tjetër është i interesuar për ruajtjen e paqes e aq më pak në Prishtinë ku disa tentojnë të fitojnë poenë politikë duke cenuar paqen në këto hapësira”.

    Kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, sot ka bërë betimin e tij si kryetar.

  • Nis edicioni i dytë i Panairit për Karrierë dhe Punësim AAB 2023

    Nis edicioni i dytë i Panairit për Karrierë dhe Punësim AAB 2023

    Me afro 60 kompani pjesëmarrëse në Kolegjin AAB ka filluar edicioni i dytë me radhë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2023. Në fjalën hyrëse të panairit zv/rektori i Kolegjit AAB Shemsedin Vehapi tha se edicioni i parë ishte mjaft i suksesshëm kështu duke treguar rëndësinë që paraqet një organizim i tillë, ndërsa falënderoi kompanitë pjesëmarrëse dhe ftoi studentët të bashkangjiten e të krijojnë kontakte me këto kompani.

    Nga Bordi Këshillues Industrial i Kolegjit AAB drejtori Arian Zeka shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij panairi, teksa shtoi se është i gëzuar për rritjen e numrit të kompanive pjesëmarrëse. Ai tha se ky panair do jetë edhe një lloj reflektimi për rafinimin e programeve studimore në mënyrë që t’i përshtaten tregut të punës.

    Edhe drejtori i institucionit financiar PriBank Fatos Krasniqi, tregoi se janë të lumtur që do ndihmojnë studentët të bëjnë zgjedhjen për të ardhmen e tyre profesionale. Ai tha se ata mund të punësohen dhe të krijojnë një perspektivë të mirëfilltë dhe të qëndrueshme në Kosovë. Ky panair vlerësohet si një nga mundësitë më të mira për studentët e Kolegjit AAB që të takohen me punëdhënësit e tyre potencial, derisa njoftohen në detaje me kërkesat e tyre duke siguruar kështu realizimin e praktikës profesionale por edhe punësimin.

    Kompanitë, institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse në këtë panair përkojnë me programet studimore që ofron Kolegji AAB si nga fusha e ekonomisë, drejtësisë, psikologjisë, shkencave sociale, sportive, kompjuterike, gjuhëve të huaja, edukim etj.

    Për të gjithë të interesuarit panairi mbahet në datat 19 dhe 20 maj, nga ora 10:00 – 15:00.

  • Senati amerikan propozon një projektligj të ri për Ballkanin Perëndimor

    Senati amerikan propozon një projektligj të ri për Ballkanin Perëndimor

    Kryetarja e Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme të Senatit Amerikan, senatorja Jeanne Shaheen, me mbështetjen e kolegëve të saj nga të dyja partitë politike, propozoi edhe një herë “Projektligjin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në mbledhjen e fundit të Senatit.

    Me mbështetjen e senatorëve Roger Wicker, Ben Cardin, Dick Durbin dhe Chris Van Hollen, propozimi i senatores demokrate është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe bashkëpunimi i tyre me SHBA-të në fushën e sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë kibernetike, duke pasur parasysh “përpjekjet e dëmshme të Iranit dhe Rusisë për t’i bërë vendet e rajonit objektivin e tyre”.

    Sipas një deklarate nga faqja e internetit e senatores Shaheen, ligji mbështet “stabilitetin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, përmes iniciativave në infrastrukturë, tregti dhe antikorrupsion, duke përfshirë formalizimin ligjor të sanksioneve, me qëllim që të pengohen aktorët që udhëheqin aktivitete destabilizuese”.

    Ligji hyri sërish në procedurën e Senatit të enjten, pak para seancës dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme për Ballkanin Perëndimor.

    Pothuajse i njëjti grup senatorësh e propozoi Ligjin në mbledhjen e fundit të Senatit, por nuk u miratua.

    “Ruajtja e paqes dhe forcimi i demokracisë në Ballkan është me rëndësi kyçe për sigurinë dhe stabilitetin evropian, veçanërisht në kohën kur lufta e paprovokuar e Putinit në Ukrainë vazhdon”, tha Shaheen.

    “Ligji im dypartiak do të forcojë tregtinë dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit Perëndimor, do të zhdukë korrupsionin, do të kodifikojë sanksionet kundër aktorëve destabilizues dhe do të dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partnerëve tanë në rajon”, tha senatorja demokrate.

    “Ballkani është shtëpia e një trashëgimie kulturore të larmishme dhe rëndësia e tij gjeopolitike vazhdon të rritet”, tha senatori republikan Roger Wicker.

    Wicker shtoi se “pushtimi brutal rus i Ukrainës nënvizon rëndësinë e partneriteteve tona ballkanike”.

    “Miratimi i këtij projektligji do të shërbente si një deklaratë e qartë, dypartiake e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të forcuar partneritetet tona diplomatike në rajon”, tha ai.

    Ligji parashikon krijimin e një nisme rajonale për konkurrencën tregtare dhe ekonomike, kodifikimin e dy udhëzimeve ekzistuese ekzekutive për vendosjen e sanksioneve për korrupsionin dhe kërcënimet ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Gjithashtu, projektligji synon nisjen e një iniciative për luftimin e korrupsionit, e cila do ta drejtonte Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për t’i ofruar asistencë teknike të gjitha vendeve në zhvillimin e strategjive kombëtare për të luftuar korrupsionin./REL/

  • Krasniqi: Qeveria do ta mbështesë secili vendim të kryetarit Atiq

    Krasniqi: Qeveria do ta mbështesë secili vendim të kryetarit Atiq

    Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u ka uruar punë të mbarë kryetarit të Mitrovicës së veriut, Erden Atiq dhe nënkryetares Katarina Axhançiq, pas betimit të tyre.

    Krasniqi ka thënë se Qeveria do ta mbështesë çdo veprim dhe vendim të kryetarit të ri të kësaj komune.

    “Si Qeveri do të jemi në mbështetje të tyre sikurse secilës komunë tjetër në Republikën e Kosovës në implemetimin e mandatit të tyre kushtetues. Shumë e rëndësishme që qytetarët e pjesës veriore të kenë shërbime adekuate, cilësore dhe të kenë komunën dhe kryetarin e nënkryetarin afër tyre. Secili veprim dhe vendim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror. Si Qeveri si Ministri jemi në mbështetje të të gjithë kryetarëve”, tha Krasniqi.

    Kryetari Erden Atiq, i fitoi zgjedhjet e 23 prillit, me partinë Lëvizja Vetëvendosje, ku i fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave të përgjithshme.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.