ATV

Blog

  • Escobar: Asnjëra palë s’po e zbaton marrëveshjen, jemi në pritje të versionit të Kosovës për statutin e Asociacionit

    Escobar: Asnjëra palë s’po e zbaton marrëveshjen, jemi në pritje të versionit të Kosovës për statutin e Asociacionit

    Kritika për Kosovën dhe Serbinë, për mos zbatim të marrëveshjeve të arritura, kanë ardhur të shtunën nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Escobar i cili mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi në një intervistë për RTK-në dhe kritika për palët mos progresin e ngadalshëm në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

    “Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”.

    Escobar thotë se të gjitha nenet pa përjashtim duhet të zbatohen.

    “Është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”, shtoi emisari amerikan.

    Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione.

    “Mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj”.

    Ai ka dhënë edhe idenë e tij se si e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, ka deklaruar tutje Escobar.

  • Serwer përkrah thirrjen e QUINT-it për respektim të vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

    Serwer përkrah thirrjen e QUINT-it për respektim të vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

    Shtetet e QUINT-it sot kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët përmes të cilës kanë kërkuar që Kosova të implementojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Manastirit të Deçanit.

    Kjo thirrje është bërë me rastin e shtatë vjetorit të vendimit të Kushtetueses për kontestin pronësor në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit.

    E me këtë thirrje të shteteve të QUINT është pajtuar edhe profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer.

    Ai ka shkruar shkurtimisht “PO”, duke treguar se i bashkohet thirrjes së QUINT-it.

  • Greqia në zgjedhje, shtatë shqiptarë janë garë

    Greqia në zgjedhje, shtatë shqiptarë janë garë

    Prej orës 07:00 deri në 19:00 në shtetin grek qendrat e votimit do të jenë të hapura që votuesit të shprehin vullnetin e tyre për të zgjedhur partinë që kërkon ti qeverisë për mandatin e ardhshëm, ndërkohë që risi është numri i shqiptarëve të cilët kandidojnë për të qenë pjesë e parlamentit grek.

    Plot 7 prej tyre kërkojnë karrigen e deputetit, edhe pse shanset që njeri prej tyre të fitojë janë tejet minimale, shkruan Euronews, transmeton Paparaci.

    Dy prej kandidatëve Fatos Malaj dhe Niko Bilika kandidojnë për partinë PASOK, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik. Ndërsa tre kandidatë të tjerë Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari konkurrojnë me Partinë “Siriza” në Selanik dhe Evia.

    Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami kandidon në Athinë me nismën “MERA 25”.

    Kandidimi i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare greke shihet pozitivisht si shenjë e integrimit të plotë të tyre në jetën publike të vendit helen, ndërkohë që ka zëra brenda vet emigrantëve se këta kandidatë janë duke u përdorur për të tërhequr votat e shqiptarëve drejt partive të caktuara politike dhe se asgjë nuk do të ndryshojë të nesërmen.

    Shqiptarët vazhdojnë të përballen me mjaft sfida me statusin e tyre të qëndrimit, vonesat kohore për marrjen e dokumenteve dhe sigurimet shëndetësore.

    Te drejtën e votës e kanë mbi 80.000 shqiptarë në gjithë Greqinë, nga të cilët vetëm 9000 janë në Athinë.

  • Pacientët e QKUK-së në lista të pritjes që nga viti 2018

    Pacientët e QKUK-së në lista të pritjes që nga viti 2018

    Shëndetësia kosovare vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme. Mungesa e profesionistëve dhe e aparaturave ka shkaktuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike. Për shërbime të caktuara ka raste kur qytetarët presin nga viti 2018. Shoqata e Pacientëve kërkon më shumë transparencë.

    Pacientët që kërkuan shërbime të caktuara në Klinikën e Ortopedisë 5 vjet më parë, ende janë duke pritur.

    Me të njëjtin problem po përballen edhe të tjera klinika, ndonëse janë krijuar grupe punuese për revidimin e listave. Një nga arsyet është mungesa e stafit, materialit shpenzues apo aparaturave.

    Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë, thotë se ka pak staf krahasuar me kërkesat e klinikave. Thotë se janë detyruar t’i shpeshtojnë edhe kujdestaritë.

    “Jemi 45 anesteziolog dhe ky është numër i vogël që duhet të ndahet në 34 njësi brenda QKUK-së. Klinika e Ortopedisë ka më së shumti kërkesa dhe tash me objektin e ri kanë shtuar kapacitetet por ne nuk kemi shtuar numrin e anesteziologëve”, tha Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë

    Pritje ka edhe për shërbime radiologjike, ndërkohë edhe numri i këtyre profesionistëve nuk konsiderohet i mjaftueshëm pasi nga QKUK-ja duhet të asistojnë në spitalet rajonale.

    “Kërkesat në klinikën e radiologjisë ende janë shumë të larta ku brenda ditës vijnë deri në 50 kërkesa për ekzaminim me rezonancë magnetike. Kemi zbut listën e pritjes”, tha Shkëndije Nuza, drejtoreshë e Klinikës së Radiologjisë.

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve ka kërkuar më shumë transparencë në krijimin e listave.

    “Duhet të menaxhohen pak më ndryshe dhe listat duhet të jenë më transparente normalisht të kodifikuara për të ruajtur privatësinë”, tha Besim Kodra nga PRAK.

    Kodra konsideron se duhet shmangur mundësitë për keqpërdorim në krijimin e listave pasi dëmtohen qytetarët që detyrohen të harxhojë shuma të mëdha parash në institucionet private.

  • 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    Sot, bëhen 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut.

    Më 21 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
    21 maji 1999, pos që ka sjellur dhimbje të pashërueshme për banorët, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

    Nga 180 shtëpi sa ka pasur fshati Stagovë më 20 maj, të nesërmen ushtria dhe policia serbe ka djegur dhe shkatërruar mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi.

    Pra, këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serb të Millosheviçit, që ka qenë jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi, në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

    Për shënimin e kësaj dite, këshilli organizues nga fshati Runjevë dhe Stagovë, në bashkëpunim me OVL- UÇK dhe Komunën e Kaçanikut, organizon manifestim përkujtimor në fshatin Stagovë, në orën 12:00.

    Pas përmbylljes së manifestimeve do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.

  • ​111 vjet nga Kuvendi i Junikut

    ​111 vjet nga Kuvendi i Junikut

    Kuvendi i Junikut është mbajtur më 21-25 maj të vitit 1912 në Junik. Udhëheqësit e forcave kryengritëse kanë ndier nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i kanë drejtuar një thirrje popullit shqiptar për t’u bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar.

    Ministri i brendshëm turk ka deklaruar në parlament se “kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”.

    Kuvendi është mbledhur në Junik më 21-25 maj të vitit 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në Kuvend kanë marrë pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit.

    Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit janë paralizuar veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes.

    Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit kishin vendosur të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore është lidhur besa dhe ishte vendosur të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.
    Kuvendi ka miratuar programin politik, i cili ka përmbajtur kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.

  • Vendosja e kioskave të reja në Prishtinë rrezikon punën e shitësve ambulantë

    Vendosja e kioskave të reja në Prishtinë rrezikon punën e shitësve ambulantë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Projektit të ri të Komunës së Prishtinës për vendosjen e kioskave të reja, po i frikësohen shitësit ambulantë. Ata po kërkojnë që puna e tyre të mos ndërpritet gjatë implementimit të projektit. Për këtë, komuna ka premtuar zgjidhje.

    Musa Tullari është njëri nga shitësit ambulantë të librave në sheshin e kryeqytetit.

    Tullari shqetësim të vetëm e ka largimin e mundshëm nga kjo pjesë, derisa Komuna e Prishtinës t’i vendosë kioskat e reja.

    “Deri të vendosen kioskat e reja, atëherë ata duhet vetë me e rregullu këtë punë, që e bëjnë zëvendësimin me ato të reja, me na dhënë benefit diçka, me na financu për aq sa zgjat projekti, por nëse na lajnë pa kurrgjë, do të kemi vështirësi për të siguruar mirëqenien familjare”.

    Të njëjtin shqetësim e kanë edhe shitësit e tjerë, të cilët kërkojnë të mos mbesin pa punë, derisa të finalizohet projekti i ri i Komunës.

    “Punë tjetër nuk kemi, qitu jemi, nuk na kanë informu kurrgjë”.

    “Mendoj që montimi nuk zgjat shumë, por ne kurrsesi ta ndërprejmë, t’na thonë se zgjat 2-3 muaj e pastaj të vazhdojmë prapë, përndryshe do të jetë shumë problem”.

    Zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike kanë thënë për ATV-në, se projekti për vendosjen e kioskave të reja është në fazën fillestare, si dhe premtuan zgjidhje për shitësit kur të fillojnë punimet.

    “Shtëpizat e librave dhe organizimi i tyre pritet të ndodhë me riorganizimin e shitësve ambulantë, në të gjitha sheshet e kryeqytetit. Kioskat e reja për shitësit ambulantë që kanë qenë nëpër sheshe, janë në procedurë prokurimi. Shpejt pritet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojnë punimet për kioskat e reja. Aktualisht, shitësit e librave janë të liruar nga pagesa, me qëllim lehtësimi për punën e tyre, për të cilët pritet të bëhet zgjidhje edhe gjatë kohës së realizimit të projektit”.

    Përveç sheshit “Zahir Pajaziti”, kioska të tilla pritet të vendosen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

  • FSK gati për ushtrimin më të madh ndërkombëtar, “Defender 23”

    FSK gati për ushtrimin më të madh ndërkombëtar, “Defender 23”

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Forca e Sigurisë së Kosovës tanimë është gati për ta organizuar ushtrimin më të madh ndërkombëtar “Defender 23” në të cilin do marrin pjesë edhe pesë vende që janë pjesë e NATO-s. Por, para se të nisë ushtrimi, FSK- do t’i prezantojë para qytetarëve një pjesë të pajisjeve ushtarake.

    I gjithë sheshi Skënderbeu, të dielën do mbushet me makineri dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga ora 13:40, qytetarët në kryeqytet, do tw mund t’i shohin nga afër shumicën e pajisjeve ushtarake.

    Përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës aty do të jenë edhe njësitë partnere që marrin pjesë në Kosovë kështu që do të kenë mundësi të shihen edhe njësitë pjesëmarrëse nga vendet e ndryshme, që do të jenë pjesë e ‘Defender Europe 23’… Do të kemi gjithashtu prezencë të ushtarakëve amerikanë që do të vijnë të na vizitojnë.

    Prezantimi i artilerisë, i paraprinë fillimin e ushtrimit më të madh ndërkombëtar “Defender 23”, i cili do tw organizohet në Gjakovë, dhe do tw zgjasë dy javë.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me mbi 1300 pjesëtarë të saj në të gjithë këto aktivitete, mirëpo fokusi kryesor gjithmonë do të jetë Babaj i Bokës ku ne do të zbarkojmë regjimentin e parë të këmbësorisë për ta validuar, për të qenë të gatshëm për të zbatuar detyrat në kuadër të misionit të tij. Gjithashtu do të kemi njësi që do t’i zbarkojmë në Aeroportin e Gjakovës që do

    të jenë kryesisht njësi të regjimentit të qëndrueshmërisë së komandës së logjistikes e që gjithashtu do të validohen në detyrat e tyre të mbështetjes logjistike për regjimentin”.

    Për të marrë pjesë në ushtrim, në Kosovë do zbarkojnë edhe pesë vende që janë pjesë e NATO-s.

    “do të kemi njësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të kemi njësi ushtarake që do të vijnë nga Shqipëria, do të kemi njësi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, do të kemi gjithashtu ekipe që do të vinë nga Kroacia dhe Turqia për t’u bashkangjitur njësive tona në ushtrim. Numri do të kalojë mbi 300 pjesëtarë të njësive të partnere të ndryshëm që do të zbarkojnë bashkë me ne në Babaj të Bokës”

    Ushtrimi ‘Defender Europe 23’ ka synim përgatitjen luftarake të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere ndaj kërcënimeve konvencionale dhe jokonvencionale që mund të vijnë nga vende të ndryshme.

  • Kërkesa e serbëve për gërmime në Koshare konsiderohet e paarsyeshme

    Kërkesa e serbëve për gërmime në Koshare konsiderohet e paarsyeshme

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Kërkesat e organizatave serbe për personat e pagjetur dhe ato të institucioneve të Serbisë për gërmime në Koshare, po konsiderohen të paarsyeshme nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur. Sipas komisionit qeveritar kosovar zona e Koshares është e pastër, meqë aty është gërmuar disa herë, por kurrë s’u gjetën mbetje mortore. Një kthim i mundshëm në zonë, mund të ndodhë vetëm nëse ka informacione të reja.

    Me kërkesë të institucioneve të Serbisë, në Koshare u gërmua disa herë në kërkim të mbetjeve mortore të serbëve të zhdukur në luftë. Ndonëse pas gërmimeve nuk u gjet asgjë, familjarë të serbëve të zhdukur dhe organizata serbe kërkojnë sërish gërmime në lokacion të njëjtë.

    Kërkesat po konsiderohen paarsyeshme nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, meqë këtë zonë tanimë e konsiderojnë të pastër.

    Por ne e kemi përfundu Kosharen. Nuk kemi gjetë asgjë,. Ajo zonë është e pastër. Dihet se atje ka pasur luftë mes ushtrive. Dhe sipas ekspertëve atje që të ketë dyshime për varrezë masive.

    Kërkesat e vazhdueshme për gërmime në atë lokacion sipas Andin Hotit bëhen me qëllim për vonim të procesit.

    “Ne kemi qenë vitin e kaluar në Koshare. Në bazë të disa kërkesave të vazhdueshme vite me radhë të cilat i ka bërë Serbia me qëllim që ta prolongojë procesin.”

    Kthimi eventual në atë lokacion ndodhë vetëm nëse ka informacione të reja.

    “Ai lokacion është mbyllur vitin e kaluar. Dhe kemi gërmuar me javë të tëra derisa janë shterur te gjitha dyshimet. Ne aty mund të kthehemi vetëm nëse kemi lokacione të tjera.

    Nga 1617 personat që konsiderohen të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, rreth 350 janë serbë, 200 nga minoritetet tjera, dhe pjesa tjetër shqiptarë.

  • Prokuroria Speciale afër ngritjes së aktakuzës për Masakrën e Mejës

    Prokuroria Speciale afër ngritjes së aktakuzës për Masakrën e Mejës

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, ka përfunduar hetimet për një nga masakrat më të mëdha – atë të Mejës.

    Prokuroria Speciale ka treguar ekskluzivisht për ATV-në se kanë identifikuar vrasësit e qindra shqiptarëve, para 24 vjetësh, urdhërdhënësit dhe personat që nuk ndërmorën masa për ta parandaluar masakrën. Aktakuza pritet të ngrihet brenda muajsh dhe gjykimi parashihet të bëhet në mungesë.

    Në mëngjesin e hershëm të 27 prillit 1999, nisi masakra më e madhe në luftën e Kosovës. Brenda 48 orëve, forcat serbe masakruan 377 persona në fshatin Mejë të Gjakovës.

    Për t’u identifikuar përgjegjësit, hetimet e institucioneve të drejtësisë kishin nisur prej kohësh. Por, ato tanimë kanë përfunduar, andaj tash ka mbetur vetëm një procedurë.

    “Ka mbetur hartimi i aktakuzës që merr kohë mbase disa muaj, sepse bëhet fjalë për shumë-shumë viktima. Por, do të ngrihet aktakuza.

    Rezultatet e hetimeve tregojnë për shumë të përfshirë në vrasjen e shqiptarëve në këtë fshat të Gjakovës.

    “Kemi identifikuar kryerësit e drejtpërdrejtë, por kemi zbuluar dhe identifikuar edhe ata që kanë dhënë urdhër, sikurse edhe ata që nuk i kanë marrë masat ligjore për të cilat kanë qenë të detyruar.

    Përfundimi i hetimeve cilësohet si lajm i mirë nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Megjithatë, nga kjo organizatë, janë skeptikë sa i përket aktakuzës në mungesë, siç po planifikohet të ngrihet.

    “Nuk jemi pro gjykimeve në mungesë për arsye se ne gjithmonë rekomandojmë që Serbia e Kosova të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi që t’i shkëmbejnë informatat e personat të gjykohen fizikisht, sepse nuk ka satisfaksion për viktimat kur ka gjykim në mungesë, derisa kryerësit enden në liri.”

    Nga Policia e EULEX-it, në vitin 2014, ishte ndaluar edhe një shqiptar si i dyshuar për pjesëmarrje në masakër. Por, gjatë kohës së paraburgimit, ai kishte kryer vetëvrasje.

    15 vjet pas përfundimit të luftës, shumica e të masakruarve në Mejë u gjetën në një varr masiv në Batajnicë të Serbisë. Ndërsa, 15 prej tyre ende janë të zhdukur.