ATV

Blog

  • Heappey: Britania e Madhe e përkushtuar që ta shohim Kosovën në BE dhe NATO

    Heappey: Britania e Madhe e përkushtuar që ta shohim Kosovën në BE dhe NATO

    Ministri për Forcat e Armatosura i Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey ka deklaruar se mbeten të përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO. Ai ka theksuar se marrëdhëniet me Kosovën janë të gjata, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tri vjet të tjera.

    Heappey pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka sfida sa i përket situatës së sigurisë në veri të Mitrovicës.

    Sipas tij, marrëdhëniet me Kosovën janë të gjatë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin.

    “Sapo pata takime fantastike, si me presidenten, ashtu edhe me kryeministrin. Marrëdhënia e Mbretërisë së Bashkuar me vendin tuaj është e gjatë. Ne kemi qenë këtu në fund viteve të 90-ta, në momentin e Pavarësisë suaj, dhe iu kemi mbështetur në çdo hap më pas. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, dhe kjo është arsyeja pse sot, unë jam veçanërisht krenar të njoftoj se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tre vjet të tjera. Një shenjë se sa të përkushtuar jemi për sigurinë tuaj, sovranitetin tuaj, lirinë tuaj, dhe për t’u siguruar që projekti Kosova të vazhdojë të jetë suksesi i madh që ka qenë për 24 vitet e fundit”, ka thënë ai.

    Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura është pyetur edhe për sigurinë në veri të Mitrovicës, për çka tha se kjo mbetet sfidë për vendin.

    “Unë mendoj se ka sfida, sigurisht që ka, por ne jemi shumë të qartë në pozicionin në lidhje me sfidat e sigurisë që janë në vendin tuaj. Prezenca jonë në KFOR e nënvizon këtë, por po ashtu edhe mbështetja jonë diplomatike për Kosovën dhe forumin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për të zgjidhur sfidat e sigurisë që ekzistojnë, dhe për t’u siguruar që ju të vazhdoni të jeni të lirë dhe të sigurt brenda kufijve tuaj”, ka shtuar ai.

    Më tej, ministri britanik ka deklaruar se në takimin me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, kanë deklaruar për sfidat e sigurisë në vend dhe rolin e Mbretërisë së Bashkuar në zgjidhjen e tyre.

    “Ishte biseda miqësore, kjo është ajo që bëjnë miqtë. Unë jam takuar me kryeministrin tuaj dy herë në Londër, gjatë viteve të fundit, dhe i premtova se do të vija për vizitë. Më vjen keq që ‘u desh kaq shumë kohë për ta bërë këtë, dhe ky ishte takimi im i parë me presidenten tuaj. Edhe pse ajo ka qenë në Londër në funeralin e Mbretëreshës së ndjerë, dhe kurorëzimin e mbretit, së fundmi. Pra, dialogu mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës është i shpeshtë, është i ngrohtë, dhe është në nivelet më të larta. Ne diskutojmë në përgjithësi, sfidat e sigurisë në vend dhe rolin që mund dhe duhet të luajë Mbretëria e Bashkuar në zgjidhjen e tyre. Dhe pastaj, sigurisht, ambicia afatgjatë e Kosovës, që të jetë edhe anëtare e BE-së dhe NATO-s. Dhe përderisa, natyrisht, të dyja këto organizata kërkojnë një konsensus të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar që ta shohë Kosovën në atë rrugë, kur rrethanat ta lejojnë një gjë të tillë”, ka përfunduar ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. /kp

  • Tahiri akuzon Idrizin për rritje të shpenzimeve: 100 mijë euro për luks, pa asnjë dobi për qytetarët e Vushtrrisë

    Tahiri akuzon Idrizin për rritje të shpenzimeve: 100 mijë euro për luks, pa asnjë dobi për qytetarët e Vushtrrisë

    Ish kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, përmes një postimi në facebook, ka akuzuar pushtetin aktual të këtij qyteti, se kjo e fundit ka rritur shpenzimet e luksit, përcjell atvlive.tv.

    “Jo vetëm që nuk po punojnë asgjë, por kjo qeverisje e PDK në Vushtrri i ka rritur shpenzimet e luksit”, ka shkruar Tahiri.

    Sipas tij, ë vitin 2022, ata shpenzuan afër 100 mijë euro vetëm shpenzime luksi, pa asnjë dobi për qytetarët e Vushtrrisë.

    Postimi i plotë i tij në facebook:

  • ​Dogana konfiskoi 479 pako me medikamente të padeklaruara

    ​Dogana konfiskoi 479 pako me medikamente të padeklaruara

    Dogana e Kosovës ka konfiskuar 479 pako me medikamente të padeklaruara të cilat janë gjetur në dy barnatore në Ferizaj.

    Përmes një komunikate për media, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se origjina e medikamenteve ishte nga vende të ndryshme të botës.

    “Në qytetin e Ferizajt njësit e Doganës së Kosovës pas mbledhjeve të informatave në teren kanë kryer kontroll në dy barnatore në Ferizaj. Kontrolla ka gjetur mallra, medikamente të pa deklaruara (pa banderolla), në sasi 479 pako. Origjina e medikamenteve ishte nga vende te ndryshme të botës, të gjitha mallrat janë konfiskuara”, është bërë e ditur në komunikatë.

  • Dëshmia e dëshmitarit të shtatë ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjas 7 orë

    Dëshmia e dëshmitarit të shtatë ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjas 7 orë

    Dëshmitari i shtatë ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës në Dhomat e Specializuara e Kosovës (DhSK) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila dëshmi pritet të zgjat rreth 7 orë.

    ZPS-ja ka kërkuar të kalohet në seancë private me arsyetimin se pyetjet për dëshmitarin do të bëhen për një incident të vetëm unik dhe se për këtë mundet lehtë të identifikohet i njëjti, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Fillimisht, dëshmitari është përgjigjur me ‘‘Po’’ kur është pyetur se a është intervistuar më herët nga ZPS-ja dhe se në seancën përgatitore kishte kërkuar disa ndryshme të disa pjesëve të deklaratës së tij, se ato ndryshime ishin pasqyruar në shënime që iu ishin lexuar me zë dhe se të njëjtat kishin qenë ndryshimet që kishte kërkuar ai.

    Këto dokumente iu shfaqën dëshmitarit në ekran, si dhe u pranuan nga trupi gjykues si prova materiale pas propozimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Në vazhdim dëshmitari është përgjigjur edhe në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, avokatit Simon Laws, disa prej të cilave ishin me përmbajtje të redaktuar.

    Sipas dëshmitarit, i njëjti ka qenë kryefamiljar dhe është marr me bujqësi, por pas ndalimit të tij e edhe tani ka dhimbje vazhdimisht.

    Të njëjtit i është paraqitur një fotografi e plagës në shpatull (jo publike) dhe kur është pyetur për të, përmbajtja sërish ka qenë e redaktuar.

    Ai ka thënë se ndalimi i tij ka pasur edhe efekte psikologjike pasi që ka marr ndihmë mjekësore tek profesionisti me vite të tëra edhe jashtë shtetit.

    ‘‘Nja 2 vite kam shkuar vazhdimisht te psikologu..’’, ka thënë dëshmitari.

  • ​Antidroga e Policisë vë në pranga katër persona, sekuestrohet drogë, para dhe armë

    ​Antidroga e Policisë vë në pranga katër persona, sekuestrohet drogë, para dhe armë

    Policia e Kosovës pas hetimeve disa mujore në flagrancë ka arrestuar katër persona në Prishtinë, si dhe ka sekuestruar kokainë, heroinë, marihuanë, armë, para dhe gjëra tjera.

    Sipas njoftimit, më datë 22 maj, rreth orës 17:30 pas hetimeve disa mujore, informatave të siguruara dhe në zbatim të urdhëresave të gjykatës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë (DHTN) në Prishtinë e asistuar nga Njësia për reagim të shpejtë (NJRSH) ka organizuar një plan taktik në Prishtinë, ku në flagrancë janë arrestuar katër persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shitja dhe shperndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’.

    “Gjatë operacionit policor janë arrestuar personat e dyshuar meshkuj kosovar të cekur në vijim me iniciale dhe vitin e lindjes A. N. (1969), A. I. (1990), A. N. (1977) dhe D.Sh. (1989). Operacioni policor, ka rezultuar me sekuestrimin e provave/dëshmive materiale si në vijim 785.5 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 0.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, 10.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 1 armë zjarri- revole, 2 karikatorë, 14 fishekë, 9267 euro, 450 franga, 1700 lekë, 10 dollarë kanadez, 3 telefona celular, 3 peshore digjitale, 2 automjete. Pas kompletimit të rastit me vendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda, katër të dyshuarit dërgohen në mbajtje për proceduar të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.

  • Manchester City synon katër transferimeve të mëdha gjatë verës

    Manchester City synon katër transferimeve të mëdha gjatë verës

    Kampioni i sapo shpallur në Ligën Premierë, Manchester City është shumë afër fitimit të tre trofeve këtë sezon, mirëpo kjo skuadër nuk i ka ndaluar as planet për transferimin e lojtarëve, pasi ata duan të përforcohen edhe më shumë.

    City tashmë e ka të siguruar titullin e Ligës Premierë – trofeu i pestë vendor në gjashtë vjet, të gjitha nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola, derisa tani po përgatitet për finalet e FA Cup dhe Ligës së Kampionëve, kundër Manchester United dhe Interit.

    Por, sipas mediumit The Mirror, City po bëhet gati për disa objektiva të mëdha të verës pasi që i ka në radar lojtarët si Alexis Mac Allister, Julio Enciso, Joshua Kimmich dhe Josko Gvardiol.

    Mesfushori i Brighton, Mac Allister, duket se ka shumë të ngjarë të jetë në lëvizje këtë verë, me United dhe Liverpool gjithashtu të interesuar për fituesin e Kupës së Botës me Argjentinën.

    Lojtari tjetër i Brighton, Enciso ka shpërthyer në skenë në gjysmën e dytë të këtij sezoni të Ligës Premierë dhe me vetëm 19 vjet, sulmuesi paraguaian duket se ka potencial të madh.

    Ylli i Bayern Munich-ut, Kimmich, është një ish-nxënës i Guardiolës dhe mund të ofrojë shkathtësi shtesë në mbrojtje dhe mesfushë të Cityt, nëse ai bën lëvizjen nga Mynihu.

    Ndërkohë, Gvardiol, i cili thuajse iu bashkua Chelseat nga RB Leipzig në janar – është një qendërmbrojtës shumë i kërkuar me këmbën e majtë, i cili gjithashtu mund të futet pa probleme në skuadrën e Cityt.

    Asnjë nga lojtarët nuk do të jetë i lirë. Por, është një lajm i keq për rivalët e Cityt, të cilët mund të kenë menduar se klubi Etihad mund të qëndrojë pa shpenzuar pas një suksesi kaq të madh në vitet e fundit. /atvlive.tv

  • “Tash është shumë më lehtë me ba muzikë”, këngëtari Adnan Daci flet për fillimet e tij

    “Tash është shumë më lehtë me ba muzikë”, këngëtari Adnan Daci flet për fillimet e tij

    Këngëtari i njohur shqiptar nga Shkupi, Adnan Daci, ka qenë mysafir special në emisionin “E Diela Vlen”, me Vlera Jusufin.

    Ai tregoi për fillimet e tij të para në muzikë, duke thënë se më herët çdo gjë ka qenë më vështirë, e se tani janë bërë shumë këngëtarë.

    “Ka qenë më vështirë. Ka pas një far rendi. Ishte më e vështirë edhe për incizime. E mbaj mend albumin e parë kur e kam ba me tetë kangë. Nuk ishte si sot, nuk e bana mirë e ta kthej. Aty, tetë kangë i kam këndu mirë me të parën.

    Një kangë e këndojshe komplet, edhe veç ta bajke, shumë mirë është kalofsh mirë. Edhe studio kanë qenë më të rralla. Kështu që tash është shumë më lehtë”, ka thënë ndër të tjera Daci.

    Ai foli edhe për bashkëpunëtorët e tij, por edhe për planet e tij të afërta.

    Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë në linkun më poshtë:

  • Arrestohet personi që përplasi automjetin afër Shtëpisë së Bardhë

    Arrestohet personi që përplasi automjetin afër Shtëpisë së Bardhë

    Një person që përplasi një automjet afër portave të Shtëpisë së Bardhë, po përballet me akuza të shumta penale, tha policia amerikane.

    Autoritetet amerikane deklaruan se ka gjasa që incidenti të ketë qenë i qëllimshëm.

    Sipas njoftimit të policisë amerikane, i dyshuari po akuzohet për kërcënim me vrasje, rrëmbim apo shkaktim i lëndimeve ndaj presidentit, nënpresidentes apo familjarëve të tyre. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit.

    I dyshuari u arrestua pas incidentit që ndodhi të hënën mbrëma, tha Shërbimi Sekret amerikan, duke shtuar se nuk ka ndonjë rrezik pas kësaj ngjarjeje.

    Sipas një dëshmitari që foli për Reuters, automjeti, që i dyshuari kishte marrë me qira, u përplas në rrethojat e sheshit Lafajet, që gjendet pranë Shtëpisë së Bardhë. Hetuesit i kanë gjetur të dyshuarit një flamur me simbole naziste.

    “Sipas hetimeve të para, shoferi mund të ketë përplasur qëllimshëm automjetin në rrethojat e sheshit Lafajet”, shkroi në Twiter zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi.

    I arrestuari po ashtu po përballet me akuza të sulmit me armë të rrezikshme, dëmtim të pronës private dhe drejtim të pakujdesshëm të automjetit.

    Televizioni WUSA transmetoi një video të policisë duke iu afruar një automjeti të tipit U-Haul. Në video shihet se si dera e këtij automjeti hapet nga një robot i telekomanduar.

    Chris Zaboji, i cili ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje, publikoi një video të shkurtër në mediat sociale, që tregonte momentin kur automjeti u përplas për rrethoja.

    “Shikova pas dhe pashë automjetin duke u përplasur në barrikadë”, tha ai, duke shtuar se më pas automjeti u përplas sërish për rrethojat e sheshit.

    Vendndodhja e saktë e presidentit amerikan, Joe Biden, në momentin e incidentit, që ndodhi pak para orës 22:00, nuk dihet. Ai ishte takuar më parë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy, në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje./REL/

  • Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë

    Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Turqisë në Republikën e Kosovës, Sabri Tunç Angili.

    Me këtë rast, ministri Sveçla e njoftoi Ambasadorin Angili për prioritet e Qeverisë dhe
    Ministrisë së Punëve të Brendshme për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Gjatë këtij takimi ministri Sveçla e njoftoi ambasadorin edhe për reformat në të cilat është duke kaluar Ministria e Punëve të Brendshme.

    Ministri Sveçla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Turqia në fuqizimin e
    kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë, me theks të veçantë për Policinë e Kosovës.

    Ambasadori Angili e falënderoi ministrin Sveçla për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në mes Republikës Turqisë dhe Republikës së Kosovës.

  • 19-vjeçari çdo ditë pastron xhamat e veturave në Prishtinë, madje gjatë punës edhe këndon

    19-vjeçari çdo ditë pastron xhamat e veturave në Prishtinë, madje gjatë punës edhe këndon

    Në semaforët e kryeqytetit Ganiu, 19-vjeçar, del çdo ditë për të pastruar xhamat e veturave, në mënyrë që të fitojë para, siç tha ai, për ta mbajtur familjen.

    “Prej kur i kom pas 9-10 vjet jam dal me punu që me mbajt familjen, sepse s’ka pas kush tjetër, e ka qenë pak e vështirë. Ka shumë njerëz të mirë që sillen mirë me mu po edhe prej atyre sillen keq me mu por normal ka ma shumë njerëz të mirë”, deklaroi Ganiu.

    Tutje, 19-vjeçari shpreh dëshirën që në të ardhmen të bëhet këngëtar.

    ”Unë kam qejf me realizu dëshirë teme, që me bo muzikë, me u bo këngëtar”, tha ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: