ATV

Blog

  • Ndalohet për 48 orë drejtori i ”VisaMetric”, shtetas turk

    Ndalohet për 48 orë drejtori i ”VisaMetric”, shtetas turk

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    “Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin për media.

    Ndryshe, kompania “VisaMetric”, ka pranuar ditë më parë vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku i ndalohej që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.

  • Postoi video duke shtënë me armë zjarri, arrestohet e dyshuara

    Postoi video duke shtënë me armë zjarri, arrestohet e dyshuara

    Një grua është arrestuar dje nga Policia e Kosovës, pasi ishte parë në rrjete sociale duke shtënë me armë zjarri, në Rugovë të Pejës.

    Gjatë deklarimit ajo ka thënë se arma ka qenë e dy personave meshkuj, të cilët ajo nuk i njeh dhe nuk i ka takuar më nga ajo ditë.

    Policia njoftoi se me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

  • Çitaku për Qeverinë Kurti: S’kanë ide konkrete si ndihmohet qytetari

    Çitaku për Qeverinë Kurti: S’kanë ide konkrete si ndihmohet qytetari

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar Qeverinë Kurti për performancë të dobët.

    Sipas saj, Qeveria ka mungesë ambicieje dhe guximi për të marrë vendime.

    “Pa asnjë ide konkrete se si të ndihmohet qytetari i Kosovës, si të ndihmohet sektori privat, si të luftohen barrierat në mënyrë që secili të ketë më shumë mundësi për ta realizuar potencialin e vet”, ka thënë Çitaku.

    Postimi i plotë i Çitakut:

    Kjo klasë qeverisëse më së shumti definohet nga mungesa e ambicies dhe guximit për të marrë vendime.Sillen si administratorë të dobët të taksave tona.Pa asnjë ide konkrete se si të ndihmohet qytetari i Kosovës, si të ndihmohet sektori privat, si të luftohen barrierat në mënyrë që secili të ketë më shumë mundësi për ta realizuar potencialin e vet.Pa investime kapitale.Pa vizion.

  • Dreshaj thotë se shëndetësia është në gjendje të mjerueshme, tregon masat për ta rikuperuar situatën

    Dreshaj thotë se shëndetësia është në gjendje të mjerueshme, tregon masat për ta rikuperuar situatën

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur konferencë për medie, ku theks të veçantë i dha gjendjes në shëndetësi, raporton Ekonomia Online.

    Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj, tha se kjo Qeveri është bërë Qeveri e eksperimenteve dhe me riciklime, të personave pa ndonjë performancë, në secilin dikaster menaxherial.

    Dreshaj tutje numëroi dështimet në shëndetësi, duke filluar nga ikja e personelit shëndetësor nga vendi, e deri tek dështimet në reformën e sistemit shëndetësor.

    “Qeveri e eksperimenteve dhe me riciklime, të personave pa ndonjë performancë, në secilin dikaster menaxherial. Po ndalem pak tek shëndetësia. Ikja e personalit shëndetësor nga Kosova (640 infermier vitin e kaluar, 104 mjekë për 3 muaj) (kushtet e punës, paga, shkollimi specialistik) Ligji i pagave si mos më keq, në Kushtetuese. Mungese Ligjit për shëndetësi, asnjë veprim për Sigurimet Shëndetësore, mungesa e barnave esenciale, Lista e pritjeve ne rritje, trajtimi jashtë vendit me borxhe milionëshe, edukimi specialistik dhe subspecialistik, pa partner strategjik, mungesa e trajnimeve të vazhdueshme ai pjesë e punës për çka krijohen shpenzime duke i kryer jashtë Kosovës, snjë veprim për Sistemin Informativ Shëndetësor, dështim në reformën e sistemit shëndetësor, menaxhmenti me UD, sekretari i MSh-ud kryetar i Bordit te ShSKUK”, tha Dreshaj para mediave.

    Ndër të tjera, Dreshaj tregoi objektivat e Aleancës për të dalur nga kjo situatë.

    “Objektivat e Aleancës. Shëndetësia prioritet qeveritar (përkushtim dhe buxhetim)

    Masat parandaluese qe mjeket mos të shkojnë jashtë vendit.

    Ligji i pagave ku përfshihen mjeket dhe gjithë punëtoret shëndetësor.

    • Sigurimet Shëndetësore.

    • Parandalimi i mjekeve nga shtetet jashtë Kosovës, qe te kryejnë veprimtarit e tyre pa u regjistruar ne Oden e Mjekeve. Kjo veq eshte duke ndodhur tash e nje kohe.

    • Decentalizimi i SHSKUK-se. QKUK te jete Institucion i veqantê, edhe vijë buxhetore, kurse SHSKUK te menaxhoj sherbimet adminstrative te spitaleve regjionale.

    • Trajnimet e vazhdueshme profesionale subspecialistike. Permiresimi i kushteve te punes. • Mungese e Ligjit unik per sigurime shoqerore (sigurimet shendetesore, pensionale, invalidore, te lehonise, dhe jetesore)

    • Riorganizimi I shendetesise

    • Riorganizimi I SHSKUK (QKUK, Spitale rajonale) Riorganiizim I raportit te QKUK-Fakulteti I Mjekesise.

    • Funksionalizimi I Mjekesise Familjare (mungesa e specialisteve ne QKMF bazuar ne UA)

    • Mungese e Profilizimit specialistik

    • Mungese e Protokoleve te trajtimit nga MSH

    • Mungese dhe improvizime ne kurikulen specialistike. Mos qendrimi per edukim jashte vendit I parapare ne kurikule per 1 vjete

    • Mungesa e specializimeve te rregullta (grumbullim I panevojshem)

    • Mungese e insitucioneve partnere jashte vendit (per trajtim te pacienteve dhe edukim te stafit)

    • Politika te gabuara te perzgjedhjes se specializanteve per nevojat e QKUK (mosha, nota mesatare, gjuha)

    • Ngarkimi I QKUK nga specializantet e rajoneve.

    • Ngelja qendrave rajonale pa specialist te profileve te ndryshme (mungese e implemenntimit te kushteve nga kontrata e specializimit)

    • Partneriteti publiko-privat (Diagnostika, ikja e mjekeve, intervenimet estetike (varikozitetet, rinoplastika, etj)

    • Pergjegjesite e drejtoreve, vija financiare

    • Sherbimet e promovuara dhe te pa permbyllura (Gjinekologji- Rep I Steriliteti pa IVF), tregoi Dreshaj.

  • Sopranoja shqiptare që po pushton skenat botërore të operës

    Sopranoja shqiptare që po pushton skenat botërore të operës

    Sopranoja shqiptare me famë botërore, Marigona Qerkezi, në një lidhje direkte, në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli rreth karrierës së saj të bujshme, e cila me paraqitjet e saja në skenë ka arritur të sigurojë dhjetëra çmime ndërkombëtare.

    “Kam pasur një dëshirë shumë të fuqishme qysh prej fëmijërisë edhe kam filluar studimet e mija për flautë në Zagreb dhe pastaj koncertin e parë si soprano/ fëmijë e kisha në Ljubljanë isha vetëm 6 vjeç. Mund të them se përveç inspirimit nga prindërit, unë ende vazhdoj që çdo performancë përgatitem me mamin, kështu që ndihem me fat në këtë aspekt. Është pak e lodhshme sepse çdo herë je në udhëtime, je në vende të reja me aktivitete të ndryshme, teatro të ndryshëm etj.”, deklaroi ajo.

    Përveç performancave të suksesshme, Qerkezi përmendi edhe një rast të “sikletshëm”, kur ajo ishte në një shfaqje, në Tokjo.

    “Ishim në Tokjo dhe gjatë përgatitjeve, ne u njoftuam se eventualisht mund të ketë ndonjë termet, por ne thjesht nuk e morëm më shumë seriozitet por pastaj, derisa ishim duke përformuar, vërejtëm disa dridhje jo të zakonshme, në skenografi, natyrisht ishte diçka jo e rrezikshme por thjesht diçka e papritur”, shtoi ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Eksporti i Kosovës shënon rënie drastike, rritet importi i mallrave nga Serbia

    Eksporti i Kosovës shënon rënie drastike, rritet importi i mallrave nga Serbia

    Eksportet e Kosovës kanë shënuar rënie drastike, në vlerë rreth 17 për qind në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion euro, ndërsa importi 448.2 milion euro, që është një rënie prej 16.9 për qind për eksport.

    “Eksporti i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion Euro, ndërsa importi 448.2 milion Euro, që është një rënie prej (-16.9%) për eksport, si dhe (-3.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në raportin e Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë të publikuar nga ASK për muajin prill 2023.

    Në muajin prill 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27.0 milion Euro, ose 40.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -14.6%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 16.0%, Shqipëria 12.4%, Serbia 6.7%, dhe Mali i Zi 3.6%.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.0% e përbëjnë produktet minerale; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit, etj.

    Sfidë tjetër për vendin mbetet edhe importi nga Serbia, që ka shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Ndërsa, ka shënuar rritje importi i mallrave nga Serbia prej 27.246 milionë euro në 27.526 milionë ose 280 mijë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2023, arritën në 78.3 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.1%), Shqipëria (5.6%), Maqedonia e Veriut (4.6%).

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.7 milion Euro, ose 30.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (14.6%), dhe Zvicra (9.2%).

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-0.2%) në muajin prill 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 380.9 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 381.7 milion Eurosh në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 15.0%.

  • Ekspozita e piktorit Ramë Beqiri në Gjenevë, për të zhdukurit në Kosovë

    Ekspozita e piktorit Ramë Beqiri në Gjenevë, për të zhdukurit në Kosovë

    Gjenevë, 21 maj – Ramë Beqiri është artisti i njohur, i cili jeton dhe vepron prej disa vitesh, në kantonin e Gjenevës. Ai njëkohësisht aktron në disa teatro në Zvicër dhe jashtë. Piktori Beqiri në muajin e ardhshëm, pritet të hap një ekspozitë personale në Gjenevë për të zhdukurit në Kosovë, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch

    Artisti shqiptar Ramë Beqiri do të sjell për artdashësit zviceran historinë e dhimbshme të Kosovës dhe plagën e hapur për të zhdukurit e luftës, përmes një ekspozite në Gjenevë.

    “Në kujtim të të zhdukurve të luftës së Kosovës” do të jetë motoja e ekspozitës që pritet të hapet me 12-20 qershor në shtëpinë e artit ,,Maison Grutli’’, në Gjenevë të Zvicrës në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit Fifog.

    Pjesë e këtij festivali pritet të jetë edhe filmi shqiptar ,,I treturi’’, me pas do pasoj edhe debati për këtë me pjesëmarrës regjisorin Arben Thaqi dhe njëri nga aktorët e filmit, Arben Muçaj, pjesë e te cilit festival Fifog është edhe artisti ynë Ramë Beqiri.

    Beqiri, lidhur me këtë ekspozitë është shprehur i lumtur që është pjesë qe disa vite me radhë e këtij eventi të rëndësishëm kulturo-artistik, në Zvicër.

    “Është viti i tretë që ne përfaqësohemi në këtë festival. Këtë vit e bënë më të plotë ekspozita ime sepse është një temë të cilën me vite e kam sjell në mendjen time që të bëjë diçka për vendin tim, e posaçërisht për një temë shumë te ndjeshme që na ngulfate me vite…”, ka thëne z.Beqiri.

    Dihet se në Gjenevë gjinden organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut dhe kjo ekspozitë shpresojë që do të sensibilizoj me një mesazhe tek ndërkombëtarët që të bëjnë më shumë në lidhje me këtë drejtim, me te zhdukurit kosovar.

  • OKB bën thirrje për respektim të armëpushimit në Sudan

    OKB bën thirrje për respektim të armëpushimit në Sudan

    I dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sudanin u bëri thirrje gjeneralëve të vendit të respektojnë një armëpushim shtatëditor që filloi të hënën mbrëma. Ai shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve etnike në konflikt, duke theksuar se kjo mund ta çojë Sudanin në një luftë të zgjatur dhe të përhapur.

    Volker Perthes i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se konflikti, i cili filloi më 15 prill, nuk ka treguar shenja të ngadalësimit pavarësisht gjashtë deklaratave të mëparshme të armëpushimit nga të dyja palët.

    Të gjitha armëpushimet e mëparshme janë shkelur.

    Armëpushimi i së hënës është i shtati që shpallet që nga shpërthimi i konfliktit mes ushtrisë sudaneze.

    Duke folur disa orë përpara fillimit të armëpushimit, Perthes u bëri thirrje të dyja palëve të ndalojnë luftimet në mënyrë që ndihma humanitare e nevojshme të shkojë te personat në nevojë dhe civilët e që kanë mbetur në mes të fushbetejës të largohen të sigurt.

    Luftimet në Kartum të Sudanit. Fotografi nga arkivi.

    LEXONI EDHE KËTË:

    Kryeqyteti sudanez goditet nga sulmet ajrore

    Perthes e quajti marrëveshjen për armëpushim “një zhvillim i mirëpritur”, por paralajmëroi se “luftimet dhe lëvizjet e trupave kanë vazhduar edhe sot, pavarësisht angazhimit të të dyja palëve për të mos ndjekur avantazhin ushtarak përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi”.

    Perthes akuzoi të dy palët ndërluftuese për shpërfillje të ligjeve të luftës duke sulmuar shtëpitë, dyqanet, tempujt e besimtarëve dhe infrastrukturën e ujit dhe energjisë elektrike.

    “Objektet shëndetësore po shemben dhe më shumë se dy të tretat e spitaleve janë të mbyllura, shumë punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë, furnizimet mjekësore po mbarojnë dhe objektet shëndetësore thuhet se përdoren si pozicione ushtarake”, tha ai.

    Raportet e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, po ndiqen nga OKB-ja, tha ai.

    Luftimet në Kartum. 1 maj 2023.

    LEXONI EDHE KËTË:

    Konflikti në Sudan hyn në muajin e dytë

    “Raportet e plaçkitjeve të shfrenuara të shtëpive dhe bizneseve sudaneze, frikësimi, ngacmimi dhe zhdukja me forcë e banorëve janë thellësisht shqetësuese”, tha Perthes, duke shtuar se ambientet, rezidencat dhe magazinat e OKB-së gjithashtu janë plaçkitur.

    Ai tha se aktiviteti kriminal është shtuar nga lirimi i mijëra të burgosurve dhe përhapja e armëve të lehta.

    Intensiteti i dhunës ka qenë veçanërisht i rëndë si në kryeqytetin Kartum ashtu edhe në rajonin perëndimor të Darfurit, ku Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë një prani të konsiderueshme të armatosur.

    Është raportuar se mbi 700 persona, përfshirë 190 fëmijë, kanë humbur jetën tragjikisht dhe rreth 6000 njerëz janë plagosur. Për më tepër, më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur, me një numër të konsiderueshëm që raportohet se janë të zhdukur.

    Fotografi ilustruese

    LEXONI EDHE KËTË:

    Miliona njerëz janë zhvendosur nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore në mbarë botën

    Dimensioni etnik i konfliktit, veçanërisht në rajonin e trazuar të Darfurit, ka ngritur shqetësim të madh.

    Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, më 15 prill midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

    Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

  • Në MPB u lansua projekti për zgjerimin e Qeverisjes së Migrimit

    Në MPB u lansua projekti për zgjerimin e Qeverisjes së Migrimit

    Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferencë për lansimin e projektit: ‘Zgjerimi i Qeverisjes së Migrimit nëpërmjet programimeve të bazuara në evidenca dhe Forcimi i Kapaciteteve të Autoriteteve të Migrimit në Kosovë”.

    Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kollly,  shefja e IOM-it në Kosovë, Annna Rostocka, përfaqësues të Policisë së Kosovës, si dhe organizata partnere në Kosovë.

    Në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla fillimisht falënderoi shtetin dhe popullin Zviceran për përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar për vendin dhe institucionet e Kosovës ndër vite. Ai tha se Zvicra ka qenë dhe mbetet ndër partnerët tonë kryesore drejt zhvillimit të shtetit tonë dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    “Migrimi mbetet një sfidë për shtetin e Kosovës, rajonin dhe më gjerë. Zhvillimet e ndryshme sidomos luftërat dhe konfliktet detyrojnë largimin dhe migrimin nga vendet e ndryshme të botës, të cilët lëvizin përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, prioriteti jonë ka qenë dhe mbetet parandalimin i migrimit të parregullt, duke luftuar grupet kriminale që merren me kontrabandim me migrantë, si dhe duke zgjeruar infrastrukturën  dhe përmirësuar shërbimet për pritjen, akomodimin dhe trajtimin e dinjitetshëm të migrantëve dhe aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare”, theksoi ministri Sveçla.

    Ministri Sveçla vuri në dukje se projekti që po lansohet sot është i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave tonë në fushën e migrimit.  Zgjerimi i kapaciteteve dhe infrastrukturës për pritjen dhe trajtimin e migrantëve që është pjesë e këtij projekti, reflekton prioritetet dhe politikat tona shtetërore për: menaxhim të lëvizjeve migratore, si dhe trajtimin e migrantëve sipas standardeve ndërkombëtare dhe parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut etj.

    Objektiv i përgjithshëm  i këtij projekti është  që të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes së migrimit, duke u bazuar në evidenca gjithëpërfshirëse dhe të maksimizojë potencialin e migrimit për të arritur rezultate konkrete të zhvillimit të qëndrueshëm.

    Vlera e projekti është 2.1 milion franga zvicerane dhe financuar nga Konfederata Zvicerane dhe që do të realizohet nga organizata për migrim IOM.

  • Betimi i kryetarëve në veri mobilizon EULEX-in: Jemi në gatishmëri 24 orë për të reaguar, nëse është nevoja

    Betimi i kryetarëve në veri mobilizon EULEX-in: Jemi në gatishmëri 24 orë për të reaguar, nëse është nevoja

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke ndjekur nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së njësisë së saj të formuar policore dhe njësisë policore të formuara rezervë.

    Ata kanë thënë se këtë monitorim po e bëjnë në koordinim me këshilltarët e tyre të lartë policor dhe stafit tjetër të pranishëm në zonë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

    Niveli i gatishmërisë është rritur me rastin e betimit të kryetarëve të rinj të zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës.

    Nga EULEX-i thonë se janë në gatishmëri 24 orë për të reaguar nëse është nevoja.

    “Përveç kësaj, një Forcë e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë, me kohë shumë të shkurtër reagimi. Duke marrë parasysh ceremoninë e betimit, EULEX-i ka rritur nivelin e gatishmërisë së tij”, kanë thënë nga EULEX-i.

    Nga ky mision kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin Policinë e Kosovë, nëse kjo nevojitet ose kërkohet.

    “Njësia e Formuar Policore e Misionit dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë janë të gatshme të mbështesin Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë, nëse kërkohet dhe nëse nevojitet, në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj”, thuhet më tej në përgjigjen e EULEX-it për Front Online.

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.

    Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, mbeten të bëjnë betimin edhe ata të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Nga të tri këto komuna, vetëm Zubin Potoku ka asamble funksionale.

    Bashkësia ndërkombëtare ka njohur ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 23 prillit, por ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen në zgjedhje të partive nga komuniteti serb.

    Megjithatë, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se ka pasur një pjesëmarrje të vogël të votuesve në zgjedhje dhe se zgjedhjet në veri “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

    Nga blloku evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje politike, në bazë të së cilës, serbët do të ktheheshin në institucionet e Kosovës.