ATV

Blog

  • Apeli lë në fuqi dënimin prej 25 vite burgim për vrasjen në AKI, pala e dëmtuar do t’i kërkojë 1 milion euro

    Apeli lë në fuqi dënimin prej 25 vite burgim për vrasjen në AKI, pala e dëmtuar do t’i kërkojë 1 milion euro

    Valon Ibërdemaj do të qëndrojë 25 vite në burg pasi është dënuar nga shkalla e parë ndërsa aktgjykimi është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

    Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatës Themelore në Prishtinë ku me 18 mars të vitit 2022 Valon Ibërdemajn e kishte dënuar me 25 vite burgim për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.

    Avokati Musa ka thënë se është vendosur drejtësia me vërtetimin e vendimit të Apelit për vrasjen në AKI.

    “Si përfaqësues i familjes, palë së dëmtuar konsiderojmë̈ se është vendosur drejtësia për shkak se ka qenë një situate jashtëzakonisht e rëndë̈ e ndodhur në një institucion me një siguri maksimale”, ka deklaruar Musa për “Betimi për Drejtësi”.

    Ai ka thënë se çfarë ka ndodhur në shqyrtimet gjyqësore nuk mund të bëhet publike.

    Musa ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë që t’i paraqesin Qeverisë dhe të dënuarit Ibërdemaj kërkesë pasurore-juridike në vlerë mbi një milion euro.

    “Tash e tutje kompania juridike JURIDICA është duke i analizuar se cilët persona do t’i padisë dhe sipas të gjitha gjasave e paditur do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me të dënuarin dhe shuma e padisë̈ mbi një milion euro”, ka deklaruar Musa.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2020 e ka mbyllur për publikun dhe mediat këtë rast.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

    Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

    Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.

    Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

    Më këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë.

  • Kimbërli Uest përzgjidhet Prokurore e Specializuar e Gjykatës Speciale

    Kimbërli Uest përzgjidhet Prokurore e Specializuar e Gjykatës Speciale

    Kimbërli Uest (Kimberly West), e cila ka qenë më parë prokurore federale e SHBA-së me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, është përzgjedhur Prokurore e Specializuar pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian.

    Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit (Jack Smith) i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor 2022 për të marrë një post si Prokuror Special në Shtetet e Bashkuara.

    “Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues,” tha Uest. “Pres me kënaqësi të marr detyrën në ZPS dhe ta çoj përpara punën e saj.”

    Uest vjen në ZPS nga Firma Ligjore Eshkroft (Ashcroft Law Firm) në Boston, Masaçusets (Massachusetts), ku është partnere që nga viti 2019 dhe është përqendruar kryesisht në mbrojtje të çështjeve penale të lidhura me krimin ekonomik.

    Para se të merrte detyrën në këtë firmë, Uest punoi si prokurore për më shumë se dy dekada në role në nivel vendor, federal dhe ndërkombëtar.

    Uest ishte gjithashtu Shefe e Byrosë së Krimeve në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusetsit në periudhën nga viti 2015 deri në 2019. Në këtë rol, ajo mbikëqyrte një ekip prej 120 profesionistësh të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të një game të gjerë veprash penale në fushën e mashtrimeve financiare, korrupsionit publik, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe trafikimit të qenieve njerëzore; në mbrojtjen e të dënuarve në fazën e apelit; dhe në ndihmën për viktimat dhe dëshmitarët.

    Uest mori detyrën në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pasi erdhi nga Zyra e Prokurorit Federal të SHBA-së, Distrikti i Masaçusetsit, ku ajo shërbeu si Ndihmës-prokurore Federale e SHBA-së në Njësinë për Mashtrimet në Kujdesin Shëndetësor për dy vjet dhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare për gjashtë vjet. Znj. Uest mori detyrën në Njësinë e Sigurisë Kombëtare pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit.

    Për pesë vjet, në periudhën nga viti 2008 deri në 2013, Uest shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ajo ishte pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiqin për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në çështjen gjyqësore Përliq et al që u përqendrua në krimet e kryera në Mostar dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër.

    Uest ka gradën Juris Doctor (Doktor në Drejtësi) nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Safolkut, Masaçusets, dhe u bë anëtare e Dhomës së Avokatëve në Masaçusets. Ajo ka gjithashtu gradë universitare bachelor nga Kolegji i Bostonit, Masaçusets.

    Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit, i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe Dejvid Shvendimanit (David Schwendiman), i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018. Aleks Uajting (Alex Whiting) i cili ka shërbyer si Ushtrues i Detyrës së Prokurorit të Specializuar që nga nëntori 2022, do të vazhdojë në këtë rol derisa Uest të marrë detyrën e saj.

  • I riu shqiptar nis peticionin për pranimin e gjuhës shqipe në Google Ads and Google Adsense

    I riu shqiptar nis peticionin për pranimin e gjuhës shqipe në Google Ads and Google Adsense

    I riu shqiptar, Elton Heta, ka nisur një peticion ndj Google për pranimin e gjuhës shqipe në Google Ads dhe Google Adsense.

    Ai, në një lidhje direktë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se deri më tani janë mbledhur rreth 5600 firma, por që ka një mbështetje të madhe dhe kjo shifër nuk është asgjë me atë që do të arrijë në përfundim ky peticion.

    “Deri më tani po arrijmë 5600 firma te platforma change.org që është goxha serioze andaj edhe e kemi nisur aty nga serioziteti që ka, por mendoj se me mbështetjen që po has çdo ditë, kjo shifër nuk është asgjë me atë që do kemi deri në përfundim të këtij peticioni”, tha Eltoni.

    Sipas tij, çështja e pranimit të gjuhës shqipe nga Google Ads dhe Google Adsense është mjaft serioze, por tha se do t’i shkojë deri në fund këtij procesi.

    “Nga eksperienca dhe nga peticionet e më parshme, Google ka marrë parasysh peticione me një numër edhe më të vogël krahasuar me popullsinë që kanë pasur shtetet e tjera, por ndoshta çështja e jonë është pak më serioze dhe ne duhet ta bindim Google që ne vërtetë po kërkojmë shumica këtë, sepse në këtë peticion kanë interes pa diskutim të gjitha bizneset dhe të gjitha mediat, gjithë individët që merren me Youtube, janë blogerë ose donin ta bënin këtë por s’e kanë bërë dot ngaqë kanë qenë penalizuar nga kjo çështje”, tha Eltoni.

    Peticionin për pranimin e gjuhës shqipe në Google Ads dhe Google Adsense e gjeni duke klikuar KËTU.

  • KE-ja i hedh poshtë kritikat se mban përgjegjësi të pjesshme për trazirat në veri

    KE-ja i hedh poshtë kritikat se mban përgjegjësi të pjesshme për trazirat në veri

    Bashkimi Evropian u kritikua se është pjesërisht përgjegjës për trazirat në veri të Kosovës, nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto, pjesëtarët e shtetit të të cilit, në kuadër të KFOR-it, patën pësuar lëndime në trazirat e së hënës në Zveçan. Ai e kritikoi BE-në se ka ndikuar në krijimin e jostabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor me anë të vonesave në procesin e zgjerimit. Por këtë kritikë e hodhën poshtë të enjten nga Komisioni Evropian

    Komisioni Evropian i ka hedhur poshtë kritikat se mban pjesërisht përgjegjësi për shkak të trazirave në Kosovë, shkaku që e ka vonuar procesin e zgjerimit të BE-së.

    Këto reagime nga Komisioni Evropian kanë ardhur pas kritikave që i ka shprehur ministri i Jashtëm i Hungarisë, Sijarto, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian, duke e vonuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe duke u vonuar në veprimet e veta, ka ndikuar që të krijohet jostabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që u pa me shpërthimin e tensioneve në veri të Kosovës.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për procesin e zgjerimit dhe se është prioritet që qasja ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se nuk varet gjithçka nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet anëtare dhe se Komisioni Evropian vazhdon të jetë i interesuar për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së.

    Ajo po ashtu rikujtoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një propozim të ri për të përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian edhe para se ato të bëhen anëtare të BE-së.

    Po ashtu, Komisioni ka paralajmëruar se do të kërkojë edhe më shumë mjete financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’ju ndihmuar atyre që të përgatiten sa më mirë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

  • Numër simbolik i protestuesve në veri, punonjësit komunalë nënshkruhen në listat e evidencës

    Numër simbolik i protestuesve në veri, punonjësit komunalë nënshkruhen në listat e evidencës

    Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për të gjashtën ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

    Të punësuarit në Komunën e Zveçanit të cilët prej ditës së djeshme po nënshkruhen në listat e evidencës para gjemborëve të KFOR-it për prezencën e tyre në punë, kanë filluar të arrijnë.

    Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.

    Aktualisht situata në Zveçan, por edhe në komunat tjera veriore në përgjithësi është e qetë, ndërsa numri i protestuesve është simbolik.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

  • Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të veçantë, ku do të diskutojnë për situatën në veri të vendit.

    Seanca pritet të fillojë në ora 10:00.

    Situata në komunat në veri të vendit është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

  • Shefi i Wagnerit, Prigozhin: Detyra jonë e radhës mund të jetë mbrojtja e territorit rus

    Shefi i Wagnerit, Prigozhin: Detyra jonë e radhës mund të jetë mbrojtja e territorit rus

    Kreu i grupit mercenarë rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin ka treguar se cili do të jetë objektivi i tyre i radhës.

    Ai deklaroi se detyra e radhës e luftëtarëve të tij mund të jetë mbrojtja e territorit rus.

    “Së pari, na duhet të paktën një muaj shërim pas muajsh luftimesh në Bahmut. Detyrat e radhës mund të zhvillohen në territorin rus”, tha Prigozhin para gazetarëve ushtarakë rusë, raporton CNN.

    Le të kujtojmë se grupe vullnetarësh rusë që kundërshtojnë regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Belgorodin, një rajon kufitar në Rusi. Kremlini tha se i zmbrapsi sulmet.

    Mercenarët e Wagnerit duhet të largohen nga zona e Bakhmutit deri më 5 qershor dhe ata do të zëvendësohen nga forcat e rregullta të ushtrisë ruse.

    Prigozhin tha se njësitë Wagner do të vendosen përkohësisht në kampet e pasme në rajonet Donetsk dhe Luhansk, larg vijës së frontit.

    Ndryshe, Prigozhin kohët e fundit ka pasur sulme verbale ndaj qeverisë ruse me arsyetimin se nuk po furnizohen me armë nga ministria e Mbrojtjes.

  • Blinken do që Kurti të ndërgjegjësohet

    Blinken do që Kurti të ndërgjegjësohet

    Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, dërgoi porosi të qarta në adresë të Kosovës e Serbisë.

    Në një konferencë për media pas samitit të NATO-s i mbajtur në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, Blinken, këshillon që telashet në tri komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe të zgjidhen në mënyrë paqësore.

    “Ne thërrasim qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën tensionet dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet nga dilaogu i udhëhequr nga BE-ja. Ne mbështesim procesin e integrimeve euro-atlantike për Kosovën dhe Serbinë, por eskalimi aktual shmang, e nuk i ndihmon përpjekjet për të ecur në këtë drejtim”, shtoi i pari i diplomacisë së SHBA-ve.

    Kryediplomati amerikan, thotë se presin që në ditët e javët në vijim të ketë veprime konkrete drejt qetësimit të situatës në veri të republikës së Kosovës. Ai thirri që të shmangen me patjetër ato që i quan “veprime të njëanshme”.

    “Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet që u morrën këtyre ditëve. Ne ju kemi thënë këtë direkt liderëve të involvuar, përfshirë kryeministrit Kurti, dhe ne po presim nga të dy të sillen në mënyrë të përgjegjëshme” përfundoi Blinken.

  • Kërkesa e Macron e Scholz për zgjedhje në Veri, Osmani: Ekziston mundësia kushtetuese për zgjedhje të reja

    Kërkesa e Macron e Scholz për zgjedhje në Veri, Osmani: Ekziston mundësia kushtetuese për zgjedhje të reja

    “Ekziston mundësia për zgjedhje të reja në Veri”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, teksa po qëndron në Moldavi, ku është takuar edhe me presidentin francez, Emmanul Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    Më tutje, Osmani ka thënë se ka qenë kërkesë e qartë edhe e Gjermanisë dhe Francës, që kurdo që organizohen zgjedhjet të ketë participim, mos t’u ndalohet serbëve dhe të mos ketë presion mbi ta që ata të participojnë në zgjedhje. Por, sipas presidentes as në këtë kërkesë Vuçiq nuk kishte përgjigje.

    Ajo ka thënë se brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja, mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë në to, ta shfrytëzojnë participimin.

    “Pra ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që dëshirojnë dhe të sigurohen për respektimin e të drejtave të tyre nëpërmjet përfaqësuesve që ata i zgjedhin”, është shprehur Osmani, duke mos e përjashtuar këtë veprim si zgjidhje për shtensionimin e situatës.

    “Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka një përqindje të caktuar të qytetarëve që janë në listën e votimeve e iniciojnë një procedurë të tillë. Pra nëse ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë”, ka nënvizuar Osmani.

  • Takimi Osmani-Vuçiq, Borrell ndan detaje: Diskutuam për situatën e rrezikshme në veri

    Takimi Osmani-Vuçiq, Borrell ndan detaje: Diskutuam për situatën e rrezikshme në veri

    Josep Borrell, zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka treguar për takimin të cilin e ka ndërmjetësuar në mes të presidentes, Vjosa Osmani dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell përmes një deklarimi në Twitter e ka cilësuar si të rrezikshme situatën në Veri të Kosovës.

    Shefi i BE-së për politikë të jashtme nuk ka treguar më shumë për përmbajtjen e bisedës, po që nuk ka treguar që të ketë pasur zgjidhje – duke nënkuptuar se Osmani e Vuçiq nuk janë pajtuar.

    Takimi mes Osmanit dhe Vuçiqit ka ndodhur në Moldavi, në një samit të liderëve evropianë.

    Për situatën në Veriun e Kosovës, presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar vendime konkrete gjatë javës së ardhshme.

    Situata në Veri është e tensionuar që nga e premja e javës së kaluar, kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë u penguan të hynin në objektet e tri komunave veriore të Kosovës.

    Ndërkaq, të hënën situata eskaloi, ku protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR’it, duke u lënduar disa prej tyre.