ATV

Blog

  • ​Gjilani e Prishtina përballen sot në finalen e Kupës së Kosovës

    ​Gjilani e Prishtina përballen sot në finalen e Kupës së Kosovës

    Sot do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në futboll, sfidë e cila edhe zyrtarisht e mbyll edicionin garues 2022/23.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00, edhe pse në rolin e vendasit do të jetë skuadra gjilanase, raporton KosovaPress.

    Si Gjilani, ashtu edhe Prishtina synojnë që ta mbyllin sezonin me një trofe, andaj ky duel parashihet të jetë jashtëzakonisht interesant, derisa pritet të ketë një numër të madh të tifozëve në tribina.

    Sa i përket kampionatit, Gjilani e mbylli sezonin në vendin e tretë, kurse Prishtina në të pestin.

  • Këto dy rrugë mbyllen sot për automjete në Prishtinë

    Këto dy rrugë mbyllen sot për automjete në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të ndeshjen e futbollit, e cila do të zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqytet.

    Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

    “Në këtë kontekst, policia do të ndërpres qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët Enver Zymberi dhe Rinia. Plani në fjalë do të filloj të implementohet nesër (05.06.2023), që nga ora 07:00 deri në përfundim të ndeshjes. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura”, thuhet në njoftim.

    Përndryshe, sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 18:00, do të ballafaqohen Prishtina-Gjilani, në finalen e Kupës së Kosovës.

  • Çka të hani për mëngjes nëse doni të humbni peshë

    Çka të hani për mëngjes nëse doni të humbni peshë

    Nëse po përpiqeni të humbni peshë atëherë jeni duke lexuar artikullin e duhur. Një prej vakteve që nuk duhet ta anashkaloni asnjëherë është mëngjesi.

    Një mëngjes i shëndetshëm do t’ju bëjë të ndiheni të ngopur për një pjesë të madhe të ditës, prandaj mësoni një herë e mirë se çfarë duhet të hani për mëngjes që do t`ju ndihmojë edhe të humbni peshë.

    Tërshërë me çokollatë dhe arra kokosi

    Kush tha që nuk mund të hani ëmbëlsirë për mëngjes? Për më tepër ky ushqim do t`ju bëjë të harroni që jeni me dietë.

    Sallatë mëngjesi

    Përveçse është shumë e ushqyeshme, sallata është edhe shumë e shijshme për t’u konsumuar për mëngjes.

    Smoothie me spinaq dhe boronica

    Mëngjesi perfekt për ata që janë gjithmonë me nxitim.

    Tost me gjalpë kikiriku dhe banane

    E thjeshtë për mëngjeset e shpejta dhe shumë e shijshme.

    Drithëra dhe vezë të skuqura

    Drithërat janë mëngjesi perfekt. Pse mos t’i shtoni edhe një vezë për disa proteina ekstra?

  • Erdogan shpall qeverinë e re me fokus ekonominë dhe sigurinë

    Erdogan shpall qeverinë e re me fokus ekonominë dhe sigurinë

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan shpalli qeverinë e re me fokus ekonominë dhe sigurinë.

    Presidenti turk njoftoi anëtarët e rinj të kabinetit, pasi më herët u betua në Asamblenë e Madhe Kombëtare (TBMM) dhe pas ceremonisë së betimit në Kompleksin Presidencial në Ankara.

    Mbetet e paqartë nëse Erdogan, i cili shpesh ndërhyn në politikat financiare, përfshirë atë të bankës qendrore, të supozuar të pavarur, do të lejojë Simsek, një ekonomist konvencional, me bindje perëndimore, të drejtojë ekonominë.

    Hakan Fidan ka qenë shef i shërbimit sekret që nga viti 2010.

    Ai zëvendësoi Mevlut Çavusoglu, i cili është ministër i Jashtëm që nga viti 2014.

    Zgjedhja e Erdoganit për të emëruar ish-shefin shërbimit sekret dhe ish-shefin e shtabit në postet e larta të sigurisë sugjeron se presidenti i rizgjedhur do të ndjekë një politikë të orientuar drejt sigurisë.

    ”Ish-anëtarët e kabinetit të tij do të shërbejnë si ligjvënës në parlament”, tha Erdogan teksa i falënderoi.

    ”Ne premtojmë se do të punojmë me gjithë fuqinë tonë për të mbrojtur lavdinë e Republikës Turke dhe për të rritur reputacionin e saj në botë”, tha Erdogan në një ceremoni në pallatin presidencial në Ankara, ku morën pjesë përfaqësues nga afro 80 vende.

  • Vuçiqi: Jam gati të vdes, nuk e lë Serbinë në dorë të llumit

    Vuçiqi: Jam gati të vdes, nuk e lë Serbinë në dorë të llumit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se më parë zgjedh të vdesë, sesa ta lë Serbinë “në dorë të llumit”, shkruan gazeta “Dnevni Avaz” e Sarajevës të dielën.

    Ai deklaroi në një takim me lidershipin e ngushtë të partisë se do t’i shpallë zgjedhjet, pasi “është ngopur nga mashtrimet.

    “Unë jam gati të vdes, më mirë se ta lë Serbinë në dorë të llumit. Do t’i shpall të gjitha zgjedhjet. Jam ngopur me të gjitha mashtrimet, jam gati të vdes, nuk kam fare frikë. Ja, po pres që ata frikacakët të vijnë të më vrasin, por nuk do t’ua dorëzoj kurrë pushtetin pa zgjedhje”, ka thënë ai.

  • Escobari e Lajçaku vijnë në Kosovë, pritet ulje e tensioneve në veri

    Escobari e Lajçaku vijnë në Kosovë, pritet ulje e tensioneve në veri

    Të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të qëndrojnë sot në Beograd dhe nesër në Prishtinë, për të nxitur palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, ku për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

    Diplomacia perëndimore po vazhdon thirrjet që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të rikthyer qetësinë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Zveqan, Zubin Potok e Leposaviq, ku të dielën numër më i ultë i qytetarëve serbë u mblodhën para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre.

    Shtetet e Bahskuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të largojë njësitë e posaçme të policisë nga ndërtesat komunale, zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja. Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

    Bashkimi Evropian të shtunën paralajmëroi se dështimi për të bërë hapa në shtensionim të situatës do të ketë pasoja negative për të dyja palët.

    Duke mbështetur kërkesat e tilla, të shtunën, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, publikoi një udhëzues prej nëntë pikash për të siguruar shtensionimin dhe normalizimin, paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë në të cilin kërkohet që Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë zotimet për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

    Në udhëzues thuhet se kryetarët e zgjedhur të komunave në veri duhet të dorëhiqen gjatë verës për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mbaheshin deri në fund të vitit.

    Kryesuesi i OSBE-së tha se organizata e tij do të mbështesë procesin zgjedhor dhe rritjen e mirëbesimit në mes të komuniteteve.

    Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për situatën në terren.

    Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta të cilat u përshkuan me dhunë të hënën duke shkaktuar plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it dhe duke nxitur shqetësime për ripërtëritje të konfliktit në rajon.

    NATO-ja tha se 700 trupa shtesë do të vendosen në Kosovë dhe trupa të tjerë janë në gatishmëri për t’iu bashkuar forcave paqeruajtëse nëse është e nevojshme.

    Ministria turke e Mbrojtjes tha sot se ka nisur trupa komando në Kosovë në përgjigje të kërkesës së NATO-s. Duke shoqëruar me pamje të trupave në rrugë e sipër kjo ministri tha se batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

  • Stoltenberg përshëndet vendimin e Turqisë për dërgesën e trupave shtesë në Kosovë

    Stoltenberg përshëndet vendimin e Turqisë për dërgesën e trupave shtesë në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përshëndetur vendimin e Turqisë për të sjell trupa shtesë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.

    Kjo gjatë një adresimi për media, pas takimit të tij me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.

    Ai tregoi se ka zhvilluar një takim shumë produktiv me Erdoganin, me pjesëmarrjen e anëtarëve të qeverisë së tij të re, duke theksuar rëndësinë e Turqisë dhe kontributin e saj në NATO.

    Ai vuri në dukje furnizimin e njësive ushtarake të Turqisë për misionin paqeruajtës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e madhe të këtij kontributi në një kohë të përshkallëzimit të tensioneve në veri.

    Stoltenberg, shprehu tutje falënderimet e tij për Turqinë për dërgimin e trupave, duke treguar për kontributet e tjera të saj në Irak, Ukrainë dhe vende të tjera.

  • Kurti thotë se me ShBA dhe BE ka dallime taktike, jo në bindje e vizione

    Kurti thotë se me ShBA dhe BE ka dallime taktike, jo në bindje e vizione

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave veriore nuk do të shkonin në zyre e punon ta fillonin në shtëpi private atëherë kjo sipas tij do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale.

    Gjatë një interviste për “The Geopost”, Kurti ka thënë se është në komunikim me vendet e QUINT’it kur ëhstë pyetur për raportat në mes Kosovës dhe SHBA-ve e BE-së.

    Ai ka thënë se me SHBA-të nuk ka dallime për nga bindjet dhe vlerat, por shton se mund të ketë ndonjë dallim ndonjëherë në qasje.

    ”Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e KUINT-it në Kosovë dhe natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në vëri, kur u njoh rezultati, kur u njoh rezultati, kur u njoh betimi ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillojnë punën në vendin e tyre. Nëse kryetarët do të fillonin punën nëpër shtëpi private ky do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale”, ka thënë Kurti.

    “Ne nuk mund t’u bëjmë struktura paralele strukturave paralele. Pra, ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim zgjidhje ideale, mirëpo megjithatë mendoj që kemi vepruar mirë dhe jemi shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na e kanë dhënë dhe po na e japin. Nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në qasje, nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në elemente taktike le të themi të operacioneve që zhvillojmë dhe për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka vazhduar ai.

    Kurti kishte marrë reagim të ashpër nga Antony Blinken, sekretari i SHBA-ve, i cili e kishte akuzuar Kurtin për situatën në Veriun e Kosovës.

    Deklarata e Blinken nuk kishte përfunduar veç me fjalë, pasi shteti i tij kishte vendosur që Kosovës mos t’i mundësohet pjesëmarrja në “Defender Europe 2023”.

  • Indi, hetimet paraprake: Një gabim në sistemin e sinjalizimit shkaktoi përplasjen e trenave

    Indi, hetimet paraprake: Një gabim në sistemin e sinjalizimit shkaktoi përplasjen e trenave

    Një zyrtare indiane e hekurudhave tha se një gabim në sistemin elektronik të sinjalistikës mendohet të ketë shkaktuar përplasjen e një treni pasagjerësh me një mallrash dhe daljen nga shinat të një treni të dytë pasagjerësh. Incidentet shkaktuan vdekjen e 275 personave dhe plagosjen e 900 të tjerëve.

    Ngjarja ndodhi në shtetin Odisha dhe konsiderohet si një nga katastrofat hekurudhore me numrin më të madh të viktimave në vend ndër dekada. Fillimisht autoritetet thanë se numri i viktima ishte mbi 300 vetë, por pas një rishikimi të saj, shifra rezultoi të ishte më e ulët.

    Zyrtarja indirane Jaya Verma Sinha tha se do të bëhet një hetim i detajuar për të kuptuar nëse gabimi, ishte njerëzor apo teknik. Ajo tha se dy trenat me 2296 pasagjerë në bord po udhëtonin me shpejtësi normale.

    Ngjarja ndodh në një kohë kur Kryeministri Narendra Modi është përqendruar në modernizimin e rrjetit hekurudhor të epokës koloniale britanike. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar sigurinë, në Indi ndodhin çdo vit disa qindra aksidente hekurudhore./VOA

  • Veturat po e “bllokojnë” sahat kullën në Gjakovë

    Veturat po e “bllokojnë” sahat kullën në Gjakovë

    Sahat Kulla në Gjakovë është ndërtuar më 1597 dhe është një nga pikat atraktive dhe historike të Çarshisë së Vjetër të këtij qyteti. Kulla ishte shkatërruar në fillim të shekullit XX dhe ishte renovuar më 2009.

    Tash e sa kohë oborri i Sahat Kullës është shndërruar në vend parkim për vetura.

    Si rrjedhojë, qytetarët thonë se për shkak të kësaj gjendje, ky objekt po i humbë vlerat kulturore dhe ato historike.

    “Kjo nuk është gjë e mirë, pasi kjo ndërtesë e identifikon qytetin tonë, për arsyeje se vijnë edhe shumë turistë dhe kur t’i shohin makinat e futura në oborrin e Sahat Kullës, nuk duket e hijshme. Nuk ka ardhur askush me parku veturën as italiani apo amerikani, vet ne nuk kujdesemi për vendin tonë”, thotë Fisnik Vehapi, qytetar.

    Që mos të praktikohet parkingu në këtë pjesë, qytetarët shohin të nevojshme gjobat.

    “Siç po e shihni në pamjen prapa meje, këtu është dëmtim shumë i madh i ambientit. Duhet të dënohen secili sipas ligjit. Nga policia në Gjakovë kisha kërkuar që të marrin masa për parkimin e këtyre veturave”, tha Ideal Zhaveli, qytetar.

    Megjithatë, Drejtori i Infrastrukturës në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së, se së shpejti pritet të bëjnë një zgjidhje.

    “Në shumicën e projekteve të reja që jemi duke ekzekutuar planifikohet shtimi i numrit të parkingjeve të reja, dhe parandalimi i kësaj situate”, tha Kastrati.

    Ndryshe, sipas tij, parkingjet aktuale të cilat janë në shfrytëzim, janë dhënë përmes shpalljes publike, ku një pjesë e tyre menaxhohet nga Kuvendi Komunal. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: