ATV

Blog

  • Stano: BE e gatshme të organizojë takimin Kurti -Vuçiq, kur të ketë kushte

    Stano: BE e gatshme të organizojë takimin Kurti -Vuçiq, kur të ketë kushte

    Bashkimi Evropian ka thënë sot se është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por, sipas bllokut, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet.

    Kështu ka deklaruar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar takimin e mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.

    Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitojnë të hënën Kosovën dhe të martën Serbinë, me qëllim të uljes së tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës.

    “Ata shkojnë për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të ulin menjëherë tensionet dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje të qëndrueshme. E platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë mes tjerash Stano.

    Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 5 qershor.

    Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Më 29 maj, në Zvçan, serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, duke rezultuar me të plagosur në të dyja anët.

    Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

    Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.

  • Dardan Molliqaj zbulon ofertën që ia bëri Vetëvendosja për të qenë pjesë e saj – Do të habiteni

    Dardan Molliqaj zbulon ofertën që ia bëri Vetëvendosja për të qenë pjesë e saj – Do të habiteni

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në emisionin LIBERO në ATV, zbuloi për herë të parë ofertën që i kishte bërë Vetëvendosja vetëm për të qëndruar në parti.

    “Vetëvendosja na ka ofru gjithçka me qenë në Vetëvendosje. Praktikisht mundem me e ba për herë të parë publike, pas problemit, diku 2-3 javë para se me dalë edhe zyrtarisht që po e lëmë Vetëvendosjen, mua me ka ardhur Liburn Aliu edhe më tha, ‘të gjitha pozitat, zgjidhe cilën të duash veç tri jo, kryeministër, kryetar partie edhe sekretar’. Krejt tjerat tha, çfarëdo që kem në institucione, në parti, nënkryetar, e këso tjerat, veç rri në Vetëvendosje”, tregoi Molliqaj.

    Ai tha se për këtë arsye, nuk besoj që dikush duhet të marrë ndonjë pozicion politik vetëm sa për ta pasur. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Protestuesit bllokojnë një automjet të Policisë së Kosovës në Zveçan

    Protestuesit bllokojnë një automjet të Policisë së Kosovës në Zveçan

    Një automjet i Policisë së Kosovës sapo është bllokuar nga protestuesit në Zveçan.

    Automjeti në të cilin ndodhen tre policë, gjatë patrullimit afër ndërtesës së komunës, sapo është vërejtur nga protestuesit të njëjtit i kanë dalë nga ana tjetër dhe e kanë bllokuar

    Aktualisht tre policët janë dujke qëndruar në automjet dhe nuk janë duke ndërmarrë ndonjë veprim.

    Ndërsa me të kuptuar situatën, numri i atyre që e kanë bllokuar automjetin po rritet.

    Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

    Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

    Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

    Pas situatës së krijuar në veri të vendit, sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojnë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

  • Tensionet në veri: ShBA dhe BE në mision të ri ndërmjetësimi

    Tensionet në veri: ShBA dhe BE në mision të ri ndërmjetësimi

    Dy emisarët perëndimorë për dialogun Kosovë-Serbi, i dërguari amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Laçak, qëndrojnë të hënën në Serbi dhe të martën në Kosovë, në përpjekje për të ndikuar tek palët për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Para më shumë se një jave në këtë pjesë të banuar me shumicë serbe, pati trazira pas protestave të serbëve ku mbetën të lënduar edhe shumë ushtar të KFOR-it.

    BE paralajmëron për pasoja

    Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Kosovës që të largojë nga veriu njësitë speciale të policisë nga ndërtesat komunale, dhe kryetarët e rinj shqiptar të katër komunave, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubn Potok, të zhvendosen në zyra të tjera alternative. Po ashtu u kërkua edhe organizimi sa më shpejt i zgjedhjeve të reja në veri, me shpresën e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Ndërkaq nga Serbia kërkohet tërheqja e forcave ushtarake serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja. Nëse Kosova dhe Serbia nuk ndërmarrin këto veprime, atëherë, Bashkimi Evropian paralajmëroi për pasoja negative për të dyja vendet.

    KFOR në ZveçanKFOR në Zveçan

    Bashkimi Evropian, dhe kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dënuan në mënyrën më të ashpër aktet e dhunshme në veri kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave. Në një deklaratë të BE-së, thuhet se “i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të de-përshkallëzuar, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht”.

    BE pret nga Kosova të veprojë në mënyrë jo përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Në deklaratën e BE-së thuhet se, “kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

    Për Serbinë, BE-ja shpreh “shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”. “Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri, siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratën e BE-së.

    Angazhim i OSBE-së për zgjedhjet e reja

    Për zgjedhjet e reja në veri pritet të ketë angazhim të drejtpërdrejt të OSBE-së. Duke prezantuar një plan nëntë pikësh të BE-së për veriun, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit, si e vetmja mënyrë për të siguruar shtensionimin në veri dhe normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Në udhëzuesin e BE-së për veriun thuhet se “kryetarët e zgjedhur të komunave në veri duhet të dorëhiqen gjatë verës për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mbaheshin deri në fund të vitit”. OSBE-ja do të mbështesë procesin zgjedhor dherritjen e mirëbesimit në mes të komuniteteve, tha Bujar Osmani.

    Turqia i përgjigjet kërkesës së NATO-s

    Tensionet dhe trazirat në veri të Kosovës u nxitën pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit, të cilat u organizuan nga Prishtina zyrtare por u bojkotuan masivisht nga partitë serbe me mbështetje të Beogradit. Me një pjesëmarrje shumë të ulët në zgjedhje prej vetëm 3.6%, u zgjodhën katër kryetarë shqiptar të komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Këta kryetarë nuk po pranohen nga serbët lokal dhe gjatë protestave të serbëve dhe përpjekjeve për të hyrë në objektet komunale, shkaktuan plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it. Pas kësaj NATO-ja vendosi që të dërgojë 700 trupa shtesë, nëse është nevoja edhe më shumë, për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për të garantuar qetësinë. Këtij numri ushtarësh të KFOR-it, sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes i bashkohen edhe trupa komando turke, në përgjigje të kërkesës së NATO-s.

  • Kurti për The Times: Kemi nevojë për ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar e BE-në – por jo për t’i qetësuar autokratët

    Kurti për The Times: Kemi nevojë për ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar e BE-në – por jo për t’i qetësuar autokratët

    Kryeministri i Kosovës e ka pamjen e lënduar të një djali të ri në shkollë, i cili mendon se ka bërë gjithçka siç duhet për t’u përshtatur dhe ende nuk gjen se askush nuk e pëlqen atë.

    Por Albin Kurti – i cili dërgoi kryekomunarë shqiptarë etnikë në katër qytete me shumicë serbe javën e kaluar kundër këshillës së SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së, miqve më të ngushtë të Kosovës – nuk është penduar. Kështu e nis shkrimin e saj gazetes se njohur britanike, The Times e cila e ka intervistuar kryeministrin e Kosovës në fundjavë.

    Ata e ndëshkuan qëndrimin e tij me përjashtimin e forcave të tij nga stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga NATO. Ai beson se shpërblimi për largimin e tij metaforikisht nga ekipi i futbollit do të jetë përfundimisht mposhtja e armikut të tij më të vjetër të gjallë, presidentit ultra-nacionalist të Serbisë, Vuçiq, ish-shefi i të cilit dikur e burgosi.

    “Ne kemi nevojë për ndihmën e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së”, tha Kurti për The Times “Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtim të qetësimit të autokratëve”.

    Kriza e fundit në Ballkan mund të tingëllojë e parëndësishme, duke përfshirë katër kryekomunarë lokalë që i shërbejnë një popullsie prej rreth 50,000 banorësh, por ajo e ka vënë Kurtin kundër jo vetëm Vuçiqit, por edhe forcave që me ndërhyrjen e tyre ushtarake kundër Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, çoi në pavarësinë e Kosovës.
    Ata kanë kaluar një dekadë duke u përpjekur ta joshin Vuçiqin nga miku i tij më i ngushtë, Putini. Për Vuçiqin, i cili ishte ministër i informacionit i Millosheviqit, luan nxehtë e ftohtë me Europën, shpesh duke u kthyer nga lindja, por ndonjëherë nga perëndimi, Serbia po përpiqet zyrtarisht të anëtarësohet në BE.

    Me fokusin e tij diplomatik dhe ushtarak të angazhuar plotësisht në Ukrainë, gjëja e fundit që dëshiron Perëndimi është një tjetër konfrontim – prandaj edhe grindet me Kurtin, kur ai këmbënguli për të mbajtur një qëndrim të ashpër.

    Filloi kur pothuajse të gjithë 50,000 banorët e katër rretheve veriore të Kosovës, të cilët janë 95 për qind serbë, i bojkotuan zgjedhjet komunale në prill. Kjo do të thoshte se katër shqiptarë etnikë u zgjodhën kryetar komune me më së shumti disa qindra vota secili. Serbët kundërshtuan, por Kurti këmbënguli, përballë sugjerimeve të ambasadorëve që ata “të punojnë nga shtëpia”.

    Rezultati ishte kaos. Turmat sulmuan komunat. Paqeruajtësit e dërguar të NATO-s u sulmuan nga persona të maskuar. Nëntëmbëdhjetë hungarezë dhe 11 italianë u lënduan, së bashku me më shumë se 50 serbë. Të dërguarit e perëndimit shpërthyen, duke e quajtur Kurtin të papërgjegjshëm dhe privatisht, më keq. Por ai thotë se po e mbronte sundimin e ligjit dhe demokracinë, të cilat nuk mund të mbijetonin nëse do t’i dorëzohej ngacmimeve të një miku të Putinit.

    “BE, SHBA, Britania e Madhe, ata e njohin procesin demokratik të zgjedhjeve”, tha ai. “Nëse kryetari nuk do të punojë nga zyra e tij, nga do të punojë ai?”. Janë dy pyetje kyçe që varen mbi të ardhmen e Kosovës, ku 13,000 njerëz vdiqën në luftën e përgjakshme civile që ndërhyrja e NATO-s i dha fund. E para është shkalla e autonomisë që do t’i japë asaj pjese, ku vendasit mbajnë flamuj serbë. E dyta është nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës dhe do ta heqë bllokimin e saj ndaj vendeve si Rusia që e bëjnë këtë.

    Perëndimi shpreson që duke i bërë lëshime pakicës së saj serbe, Kosova do ta ruajë paqen aq gjatë sa Vuçiq, ose një pasardhës, përfundimisht do t’i dorëzohet realitetit de fakto, pasi ky do të jetë një parakusht për anëtarësimin në BE. Kurti, i cili si student aktivist ishte burgosur nga Millosheviqi, thotë se Vuçiq është ende i njëjti njeri që ishte atëherë dhe po bën lojëra me bashkëbiseduesit e tij. Ai thotë se po mban qëndrim të ashpër ndaj komunave sepse nëse tregon dobësi, Vuçiq do ta shfrytëzojë atë.

    Serbët i bojkotuan zgjedhjet pjesërisht sepse në një “marrëveshje normalizimi” në vitin 2013 atyre ua premtoi se komunat e tyre mund të formonin një “bashkësi të komunave serbe”. Nuk ka ardhur kurrë në ekzistencë. Kurti e pranon problemin dhe thotë se ka ndërmend të merret me të – por vetëm me kushtet e tij.

    Ai thekson se ishte një grup i ngjashëm i komunave serbe që u bashkuan për t’u shkëputur nga Bosnja, i mbështetur nga Millosheviqi, duke shkaktuar luftën atje. “Nuk do të lejoj që Kosova të bëhet Bosnjë”, tha ai

    Diplomatët sugjerojnë se Kurti, 48 vjeç po përpiqet ta tregojë veten si një Zelensky i ri. Ata thonë se Kosova është shumë e ndryshme nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut sesa si Donbasi. T’u kërkosh serbëve atje ta harrojnë Beogradin është si t’u kërkosh katolikëve të Irlandës së Veriut ta harrojnë Dublinin. Kurti e mohon forcën e ndjenjës në veri, thonë ata, dhe duke i hedhur poshtë bandat që sulmuan zyrat komunale si “milici fashiste”, po i shtyn serbët në krahët e tyre të zakonshëm.

    Ata nuk e kundërshtojnë, megjithatë, bandat kanë një bazë kriminale: si në luftërat jugosllave të viteve 1990, bandat e huliganëve luajnë një rol shumë të madh në jetën serbe. Në marrjen e tyre, Kurti padyshim ka mbështetje, edhe nëse opozita kërkon kompromis, për hir të marrëdhënieve më të mira me Perëndimin. Ai tha për The Times se do të mbante zgjedhje të reja, për sa kohë që serbët premtojnë se nuk do t’i bojkotojnë ato. Ai tha se pranoi se kryetarët e komunave ishin vetëm “gjysmë legjitimë”.

    “Ne jemi të përkushtuar ndaj demokracisë”, tha ai. “Nuk do të kemi kryekomunarë me Zoom. Ne jemi shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe një vend serioz”.

  • Molliqaj: Situata në veri është një film i radhës i Albin Kurtit

    Molliqaj: Situata në veri është një film i radhës i Albin Kurtit

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në emisionin LIBERO në ATV, situatën e krijuar në veri të vendit, për të cilën e akuzon kryeministrin Kurti, e quan skenar filmi.

    “Kushdo që guxon të e rrezikon jetën e njerëzve ne Kosovë pavarësisht se a janë serb, a janë shqiptar, a janë polic apo a janë qytetar për ide krejtësisht të vetat personale. Po ashtu mendoj që duhet të kundërshtohet fuqishëm. Nuk kam parë gjendje më dramatike në Kosovë që as mos me u mbledh Kuvendi”, tha Molliqaj.

    Ai tha se me këto veprime, kryeministri Kurti po tenton ta luajë rolin e opozitarit dhe të kryeministrit njëkohësisht.

    “Për mu është e pa pranueshme se çka është duke ndodhur sepse ne e kemi parë këtë film. Unë e kam bërë edhe një postim tjetër që e kam quajtur ‘kurthet e Kurtit’. Për bindjen tonë të thellë, Kryeministri Kurti po dëshiron që të e luajë rolin edhe të opozitarit edhe të kryeministrit. Krejt se çka është duke ndodhur, ky po i bënë veprimet ku pjesa dërmuese e figurave publike, partive parlamentare e të tjera po i kërkojnë me u tërheq”, tha Molliqaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti: Vendosja e sundimit të ligjit në veri është e domosdoshme

    ​Kurti: Vendosja e sundimit të ligjit në veri është e domosdoshme

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme për “një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”. Ai ka pritur në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman, Matthias Conrad.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim, Kurti dhe diplomatët ndërkombëtarë janë pajtuar për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës në tri komunat veriore të vendit.

    “U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

    Gjithashtu, në komunikatë thuhet se është theksuar nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte, të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj./KP

  • Kjo është këngëtarja që ra në depresion, akuzon këngëtarët e njohur që e sollën në atë gjendje

    Kjo është këngëtarja që ra në depresion, akuzon këngëtarët e njohur që e sollën në atë gjendje

    Këngëtarja Dafina Aliu ishte mysafire në emisionin LIBERO në ATV, ku bëri një rrëfim ekskluziv për jetën e saj.

    Ajo në këtë emision tregoi se si disa këngëtarë e kishin gjykuar atë, gjykime këto të cilat i kishin shkaktuar asaj probleme emocionale, për të cilat thotë se i është dashur tri vite që t’i tejkalojë.

    “Si të gjithë edhe unë nuk e kam pasur jetën mjaltë, kam pasur edhe unë tym si shumica e familjarëve. Unë i kam pasur disa momente që kanë ndikuar që të largohem nga muzika… Kam qenë e gjykuar nga disa persona që vetë janë këngëtarë me emër ku ata më kanë thënë ‘ ti nuk ke zë, ti nuk mundesh me arrit, ti nuk din me këndu’… Por, kam kaluar në depresion që ka pasur kohë që deri në dy apo tre vite që deri e kam tejkaluar atë moment…”, tregon Dafina. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • PDK-ja akuzon Kurtin se krijojë kaos në veri

    PDK-ja akuzon Kurtin se krijojë kaos në veri

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti se ka krijuar kaos në veri të vendit.

    Ai i kërkoi Kurtit që për çfarëdo zgjidhje atje të ketë një bashkërendim me aleatët ndërkombëtar dhe veçmas ShBA-në.

    “Është e rëndësishme që çdo hap që do të ndërmerret si për organizim të zgjedhjeve të reja, të jetë në përputhje me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, tha ai, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ku u caktuan për të merkurën vazhdimi i seancës, si dhe dy seanca plenare të enjten.

  • Situata në veri, Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë

    Situata në veri, Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sot në mëngjes Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.

    Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në tre komunat në veri të vendit pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe dhuna e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe.

    U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt.

    Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj.

    Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin dhe zëvendësambasadorin për interesimin e vazhdueshëm të Francës dhe Gjermanisë si dhe kontributin e tyre.