ATV

Blog

  • Escobar: SHBA është përkrahësi më i madh i Kosovës, kemi sfida me kryeministrin aktual

    Escobar: SHBA është përkrahësi më i madh i Kosovës, kemi sfida me kryeministrin aktual

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, ri përsëriti se SHBA është mbështetësi më i madh i Kosovës dhe se marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë ndryshuar, transmeton ATV.

    “Dua ta përsëris për njerëzit, se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është marrëdhënie ndërmjet popujve të shteteve tona, dhe kjo marrëdhënie është e fortë dhe nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi të angazhuar për pavarësinë tuaj, sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj si dhe prosperitetin tuaj ekonomik. Kur unë diskutoj me njerëzit në anembanë vendit dhe me kosovarët të cilët vijnë në Uashington, vazhdimisht më vijnë ndër mend mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë në këtë vend, si vend i kulturës kreative, kulturës sipërmarrëse, si një që do të jetë një krijuese e punës në të ardhmen, brenda Evropës. Andaj, kjo është ajo në çfarë unë jam fokusuar”, tha Escobar.

    Ai sqaroi se kanë disa sfida në marrëdhënien bilaterale sa i përket raportit me kryeministrin.

    “Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarëdo vështirësi aktuale që kemi me kryeministrin, nuk do të ndikojnë në këto mendime. Por ne kemi disa sfida në marrëdhënien bilaterale, sa i përket raportit me kryeministrin. Do të jem i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se në një mënyrë, ne po e braktisim këtë marrëdhënie dhe angazhimin tonë me Kosovën, në dobi të Serbisë”, shpjegoi Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Dita e 9 të e protestave në veri, protestuesit shpërndahen të qetë

    Dita e 9 të e protestave në veri, protestuesit shpërndahen të qetë

    Të paktë në numër, ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë ta ruajnë objektin e komunës së Zveçanit.

    Përballë tyre, edhe gjatë së martës ishin protestuesit serbë.

    Protestuesit, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra, po e kalojnë kohën duke ngrënë e pirë. Nuk mungon as muzika që i shoqëron ata, teksa bëjnë muhabet nën tendat e vendosura.

    Një pjesë të ditës së sotme, protestuesit serbë e kaluan pa prijësit e tyre, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiç, patën takim me diplomatët Lajçak e Escobar.

    Megjithatë, pas takimit, ata iu kthyen punës që e kishin lënë në gjysmë, ndërsa duke u mos deklaruar për media, vetëm bënë të ditur se protesta do të vazhdojë.

    Zveçani, që gjatë protestave u karakterizua me dhunë ndaj mediave, policisë dhe KFOR-it, sot ishte i qetë.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, vazhdon ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë alternative.

    Referuar raportimeve, edhe në komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut mbretëroi një situatë e qetë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dugolli e akuzon për kërcenim verbal, Bekë Berisha e mohon

    Dugolli e akuzon për kërcenim verbal, Bekë Berisha e mohon

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, raportoi para deputetëve rreth ngjarjeve të ditëve të fundit në veri dhe për gjendjen e institucionit të cilin e drejton.

    Një pjesë e diskutimit më pas u zhvillua i mbyllur. Derisa mediat u larguan nga salla, njësoj veproi edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, të cilit nuk i pëlqeu kjo ide.

    Dhe gjesti i njërit prej anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë, tërhoqi vëmendje.

    Bekë Berisha u qortua për këtë nga anëtarët e Komisionit e më pas njëri e akuzoi për kërcënim verbal.

    “Dhe në momentin që mori vërejtje nga deputeti Dimal Basha që ta fikë cigaren, lëre që nuk e fiku cigaren, por me sjelljet e tij tregonte një sjellje të njeriut të fortë, me muskuj që bën çfarë të dëshirojë dhe sillet si të dëshirojë. Prandaj, filloi edhe ta humbë arsyen, argumentin. Në momentin që pyetjet e drejtuara ndaj drejtorit të PK-së, nuk e morën përgjigjen që dëshironte politike që kërkonte nga drejtuesit të PK-së, ai filloi ta humbë krejtësisht arsyen”, tha deputeti i LV-së, Enver Dugolli.

    Këtë Berisha e mohon.

    “Përndryshe unë dua ta pyes se çfarë problemi ke tash, nëse dëshiron me marrë ndonjë votë dil rrej diku tjetër, apo gjej ndonjë formë tjetër. Sepse kjo puna e viktimizimit është konsumuar në Kosovë. Nuk është e vërtetë as që e ka kërcënuar kush, jam kryetar i komisionit fjalën ia jap atij, edhe pse është nënkryetar”, tha deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

    Por, para zënkës mes deputetëve Dugolli e Berisha, deputetët kuptuan nga drejtori i Policisë se tash e tre muaj policët nuk janë paguar për rrezikshmëri, derisa në veri u angazhuan deri në 12 orë.

    Janë mbyllur rrugët ilegale, të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës ndërkufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona si në infrastrukturë, por edhe në kapacitete të burimeve njerëzore”, tha drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

    Hoxha shtoi se edhe në vitin 2022 zyrtarët policorë kanë qenë të sulmuar nga grupe kriminale dhe individë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar dhe Lajcak takojnë presidenten, opozitën dhe Listën Serbe

    Escobar dhe Lajcak takojnë presidenten, opozitën dhe Listën Serbe

    Veriu ishte kryetemë edhe në ditën e dytë të takimeve, në Prishtinë, të emisarëve të posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar.

    Pas takimit me dy emisarët, në një komunikatë, presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-në dhe BE-në, me qëllim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.

    Krahas nevojës që grupet kriminale që përdorën dhunë ndaj Policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, të përballen me drejtësinë, presidentja Osmani përmendi edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

    “Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit, mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, presidentja shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Dy emisarët e posaçëm, pritën në takim të përbashkët tre krerët e opozitës parlamentare.
    Teksa kërkoi reagim nga presidentja Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i shqetësuar me situatën dhe tha se po vazhdon konsultat e përditshme me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, për veprimet e mëtejme.

    “Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Duke kritikuar qasjen dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë janë në gjendje të paparë në 33 vjetët e fundit.

    “Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë i mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë, si LDK, e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve, veprimet tona do të jenë publike”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Lajcak dhe Escobar u takuan edhe me krerët e Listës Serbe.

    Dy emisarët, evropian dhe amerikan, do të udhëtojnë për në Beograd për takim me krerët shtetërorë të Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mitrovica nderon dëshmorët

    Mitrovica nderon dëshmorët

    Refik Haxha nga Bistrica ka ardhur në varrezat e Shipolit për ta kujtuar vëllain e tij, Ahmet Haxhën, i cili u vra mizorisht gjatë luftës në Kosovë, 24 vjet më parë.

    “Sot kemi ardhur këtu për me kujtu vëllain tonë. Ka qenë shumë herët i kyçur në luftë. Ne e kemi përkrahë tash vijmë këtu edhe e kujtojmë çdo vit”, tha Haxha.

    Haxha thotë se vëllai i tij tërë jetën ia kishte kushtuar atdheut.

    “Më kujtohet një insert i shkurtër kur ishin në front, atëherë unë isha në vizitë, më tha së përderisa jemi ne gjallë nuk do ta prekë askush atdheun dhe ashtu ndodhi”, tha Haxha.

    Se dëshmorët nuk duhet harruar kurrë, e thotë edhe motra e dëshmorit Haxha, Shefkije Hyseni.

    “Ne vijmë për t’i kujtuar gjithmonë se e kanë dhënë jetën për atdhe, por këta të rinjtë janë duke i harruar dita ditës dhe është për t’u ardhur keq natyrisht”, tha Hyseni.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se amaneti i dëshmorëve për ta mbrojtur çdo cep të tokave shqiptare do të shkojë deri në fund.

    “Sot si gjithmonë, sa të ketë Kosovë dhe komb shqiptar, do të vijmë këtu dhe do të përulemi më 6 qershor në Ditën e Dëshmorëve të komunës tonë. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë si institucione komunale, por edhe si institucione të Republikës së Kosovës. Gjithsesi familjarët e dëshmorëve presin me të drejtë nga komuna e Mitrovicës që të ketë më shumë drejtësi, prosperitet, për fëmijët dhe familjet e dëshmorëve dhe ky është obligim i ynë të cilin duhet ta përmbushim, në mënyrë që amanetin dhe vizionin e dëshmorëve tonë ta çojmë deri në fund”, tha Hamza.

    Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën për liri dhe pavarësi. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në Gjykatën Themelore të Pejës, as sot nuk ka filluar gjykimi për vrasjen e trefishtë

    Në Gjykatën Themelore të Pejës, as sot nuk ka filluar gjykimi për vrasjen e trefishtë

    Brenda dhjetë ditëve për të dytën herë me radhë, ka dështuar të fillojë gjykimi për njërin prej rasteve më të rënda të vrasjes që nga paslufta në Kosovë.

    Halil Mehmetaj bashkë me dy djemtë e tij, Kastriot e Kreshnik Mehmetaj, akuzohen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, në nëntor të vitit 2021.

    Por, sipas mbrojtjes, ata nuk janë të gatshëm të deklarohen rreth fajësisë pasi thonë se mungojnë dëshmitë e 18 dëshmitarëve që janë të përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë.

    Avokatët e familjarët u njoftuan në mëngjesin e së martës për anulimin e seancës.

    Megjithatë, sipas Prokurorisë, të gjitha provat janë dorëzuar te palët dhe për pretendimin e mbrojtjes thonë se janë njoftuar dy ditë para se të mbahet seanca.

    Seanca fillestare për rastin e vrasjes së trefishtë, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës, derisa po ktheheshin me autobus nga shkolla, si dhe shoferi i autobusit, nga një sulm me armë zjarri, ishte planifikuar të fillonte më 24 maj, dy javë pas ngritjes së aktakuzës.

    Nga Gjykata e Pejës kanë konfirmuar se seanca është anuluar me kërkesë të avokatit Sylë Lokaj, i cili ka njoftuar se dy nga CD-të e pranuara nga Prokuroria, janë të palexueshme.

    Megjithatë, sipas zëdhënëse Tringa Zhuti, seanca e radhës do të caktohet në afatin sa më të shkurtër, pas plotësimit të kushteve ligjore. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në prani të shkrimtarit Ismail Kadare, hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit

    Në prani të shkrimtarit Ismail Kadare, hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit

    Kryeqyteti është nderuar me praninë e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Kadare po qëndron në Prishtinë si mysafir nderi, derisa dyert i hapi edhe edicioni i 23-të të panairit të librit.

    Krijimtarinë e tij e çmuan lart edhe disa prej mysafirëve të panairit.

    Në këtë panair që do të zgjasë deri më 11 qershor, librat e tyre i kanë ekspozuar 103 shtëpi botuese. Pjesë e tij është edhe shtëpia botuese e Kolegjit AAB.

    Gjatë ditëve sa do të qëndrojë i hapur panairi, do të prezantohen 2 mijë tituj të rinj.

    Përvjetorët që shënohen në Panairin e 23-të të librit janë: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përfshirja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë

    Përfshirja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë

    Në nisjen e javës për Ndihmë Juridike Falas, është ngritur sërish shqetësimi lidhur me funksionimin e Agjencisë për ndihmë Juridike Falas nën funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë.

    Sipas juristëve, Agjencia do të duhej të jetë e pavarur, sepse ndryshe dikasteri i drejtësisë bën shkelje kushtetuese.

    “Futja e Agjencisë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë është konflikt interesi. Ndihma juridike, sipas Kushtetutës, është kategori kushtetuese dhe si e tillë duhet të jetë e pavarur. Në vend se të shkojmë një hap para, tash jemi një hap mbrapa. Tash e kemi situatën kur Agjencia menaxhohet nga MD, ka raste p.sh. kur qytetari supozojmë e bën një ankesë ndaj MD-së, nëse ajo bën shkelje, për shkak të veprimeve ose vendimeve administrative, por në anën tjetër kemi qytetarin që mbrohet kundër Ministrisë nga avokati i shtetit, prandaj jemi kundër”, tha Anton Nrecaj, avokat.

    Por, pavarësisht kësaj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se rastet që kanë kërkuar ndihmë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas janë rritur.

    “Qasja në drejtësi është shtyllë themelore e drejtësisë. Kemi marrë veprime konkrete për ofrimin e ndihmës juridike falas. Falë ndryshimeve, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, për herë të parë edhe gazetarët kanë hy në këtë kategori. Në viti 2021 është dhënë ndihmë juridike për mbi 4.900 persona, në vitin 2022 kjo është rritur për 30%. Vitin e kaluar 2619 grave u është ofruar ndihmë juridike. MD-ja është në proces të krijimit të akteve ligjore, ka ende shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.

    Sipas kryesuesve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në drejtësi.

    “E kemi mision që fati i drejtësisë të mos varet nga pavarësia financiare. Ndihma juridike falas mundëson që qytetarët të jenë të barabartë. Kosova e ka sfidë numrin e lëndëve”, tha kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.

    Mbrojtja e të drejtës gjyqësore paraqet të drejtën e qytetarëve para ligjeve e Kushtetutës. Për KPK-në, ndër parimet kryesore është respektimi i të drejtave dhe qasja në drejtësi. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në drejtësi. Duhet të bashkëpunojmë për të ndryshuar dhe unifikuar praktikat më të mira të ndihmës juridike falas”, tha zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani.

    Sot është nënshkruar edhe rregullorja e Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e kritereve për ofrimin e ndihmës juridike falas nga organizatat joqeveritare në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe për procedurën e ankesave për ndihmë juridike falas. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Punëtorët teknikë të shkollës “Model” në kryeqytet, kanë vendosur ta bojkotojnë punën

    Punëtorët teknikë të shkollës “Model” në kryeqytet, kanë vendosur ta bojkotojnë punën

    Fshesat, shtupat e të gjitha pajisjet tjera që përdoren për ta mirëmbajtur shkollën, i lanë në cep të saj.

    Mosekzekutimi i pagave nga muaji shkurt i detyroi punëtorët teknikë në shkollën fillore “Model” në kryeqytet, që nga e hëna të heqin dorë nga mirëmbajtja e objektit të shkollës.

    “Punën po e kryejmë, por qe katër muaj jemi pa rroga. Na kemi marrë vendim që mos me punu pa pagesa ma. Atë ditë që na japin paret na kemi me u kthy. Kom fëmijë në shkollë, edhe këta kanë kërkesa, po më duhet me punua edhe në pazar, duhna me nxjerrë dinarin”, tha Bekim Gashi, punëtor teknik.

    Në anën tjetër, drejtori i shkollës thotë se meqenëse janë pa punëtorë, kanë angazhuar staf tjetër për ta mirëmbajtur shkollën.

    “Çështja e punëtorëve teknikë, ne jemi mundu që nga donatorët të nxjerrim gjysmën e pagës për punëtorët, derisa komuna ta bëjë kontratën me operatorin ekonomik. Por nga data 5 qershor nuk ka ardhë stafi teknik në shkollë. Ne jemi duke u munduar që pjesën kryesore ta mirëmbajmë si duhet”, tha drejtori i shkollës “Model”, Liridon Maliqi.

    Ndërkaq, fajin që këta punëtorë kanë mbetur pa paga, sipas kryetarit të sindikatës së pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi, e ka Komuna e Prishtinës e cila ende nuk e ka tenderuar operatorin ekonomik.

    “Punëtorët shumica janë me kredi, ose duke kërkua të holla nga të afërmit. Kontrata e re i ka 300 euro, një element shtesë që këta njerëz të drejtohen nga perëndimi. Komuna nuk e ka tenderua, tenderin në kohën kur e ka caktuar, e tash deri në fund të qershorit nuk e dimë se cila kompani do të kontraktohet nga komuna”, tha Azemi.

    Ndërkaq, ATV-ja ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga komuna e Prishtinës, në lidhje me atë se deri ku ka shkuar procesi i tenderimit të operatorit ekonomik, por ajo nuk ka kthyer përgjigje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Situata në veri, mërgimtarët s’po i përdorin pikat kufitare me Serbinë

    Situata në veri, mërgimtarët s’po i përdorin pikat kufitare me Serbinë

    Pas ngjarjeve që i karakterizuan dy javët e fundit në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bëri thirrje qytetarëve ta shmangin kalimin nëpër Serbi.

    Thirrja e Ministrisë po respektohet, pasi që për 2 orë sa ekipi i ATV-së qëndroi në Merdarë, vetëm një mërgimtar e përdori këtë pikë kufitare për të ardhur në Kosovë.

    “Jo, gjithçka ka qenë në rregull, nuk kemi pasë asnjë problem në Serbi”, tha Aziz Tafaj, qytetar.

    Përveç në pikat kufitare me Serbinë, numri i mërgimtarëve që po vijnë në Kosovë nuk ka pësuar ngritje edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    “Ne vazhdimisht kemi rritje të numrit të udhëtarëve, po ashtu tremujorin e parë e kemi përmbyllur me 10 për qind më shumë të numrit të udhëtarëve, gjithashtu edhe muajin e kaluar kemi pasur 13 për qind më shumë numër të udhëtarëve. Për momentin nuk është se kemi pasur ndonjë rritje enorme”, tha zëdhënësja në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara.

    Megjithatë, sipas Raportit të Departamentit për kufi të Policisë së Kosovës, gjatë dy javëve të fundit 124.732 qytetarë i kanë përdorur pikat kufitare të Serbisë për të hyrë në Kosovë, ndërkaq 113.276 qytetarë i kanë përdorur pikat kufitare të Serbisë për të dalë nga Kosova. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: