ATV

Blog

  • Behrami: U dëshmua se anti-amerikanizmi i Kurtit nuk ishte një lojë për pushtet, por ideologjik

    Behrami: U dëshmua se anti-amerikanizmi i Kurtit nuk ishte një lojë për pushtet, por ideologjik

    Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shoqëria e jonë nuk po arrinë me e pa rrezikun që po i kanoset Kosovës për teket e një lideri, i cili po kërkon lavdinë.

    Ai tha se tashmë është dëshmuar se anti-amerikanizmi i Kurtit nuk ka qenë lojë për pushtet, por ka qenë ideologjik.

    “Ne si shoqëri, nuk po arrijmë me e pa rrezikun, i cili është duke iu kanosur Republikës së Kosovës për teket e një lideri, i cili kërkon lavdinë, i cili tashmë është dëshmuar që anti-amerikanizmi i tij nuk ka qenë lojë për pushtet, por ka qenë ideologjik, ka qenë i vazhdueshëm edhe në opozitë edhe në pushtet, por tash që është kryeministër, dëmet munden me qenë i pariparueshëm për Republikën e Kosovës”, tha Behrami.

    Ai thotë se Escobar-it duhet të merren seriozisht dhe elita politike të mos sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.

    “Deklaratat e Escobar-it nuk janë deklarata të ndonjë diplomati, sepse amerikanët duket se kanë hjekë dorë nga diplomacia. Ai ka folë drejtpërdrejt dhe ka folë si mik i Kosovës, si një mik që e përfaqëson një shtet të madh që ka investu në Kosovë dhe deklaratat e tilla duhet të merren shumë më seriozisht prej opinionit publik në Kosovë, prej elitave politike, me që kemi elita në pushtet edhe në opozitë, edhe zëra në media sociale sikur asgjë s’ka ndodhë, jeta vazhdon edhe më tutje, dhe ma kujton kohën e luftës kur Drenica digjej, na Mitrovica të gjithë ishim duke u larë në lumin Ibër”, tha Behrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pozhari: Përveç zbatimit të marrëveshjeve, opozita s’ka ndonjë argument kundër Kurtit

    Pozhari: Përveç zbatimit të marrëveshjeve, opozita s’ka ndonjë argument kundër Kurtit

    Analisti politik, Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita nuk ka ndonjë argument që do të mund t’i kundërvihej Albin Kurtit, përpos se “Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet”.

    “Askush s’mund të thotë sot Kurti, që e kam pas të paqartë se çfarë qëndrime ka ai ndaj atyre marrëveshjeve. Këtë e them jo për ta amnistu Kurtin, sepse është biografia e tij, janë qëndrimet e tij publike dhe kushdo mund t’i komentojë dhe interpretojë si të dojë, mirëpo në atë kohë bëhej presion kur ishte koha që të mos nënshkruheshin këto marrëveshje, veçanërisht Asociacioni, për të mos u bërë kompromisi siç e quante Vetëvendosja apo koncesioni ndaj Serbisë, ndërsa sot opozita nuk ka ndonjë argument me çka do t’i kundërvihej Kurtit, përveç se thotë që ‘ne duhet t’i zbatojmë ato marrëveshje’”, tha Pozhari.

    Ai thotë se në këtë situatë kur Kurti është lojtari kryesor, opozita është fragjile.

    “Në të kaluarën nuk është se nuk ka pasur rezistencë, ne e dimë që kanë rënë qeveri edhe shkaku i dialogut. Ka pasur siguresë brenda asaj qeverie, sepse njëri partner, në një mesnatë dilte dhe fillonte atë lojën për prishjen e partneritetit. Tash kemi një pushtet, i cili e ka dominancën e votave dhe rrjedhimisht ka një vullnet politik që mund ta çojë një agjendë më tutje. Për disa mund të jetë jo mënyra e duhur, e gabuar për disa mund të jetë pikërisht ajo që unë e dëgjoj shpesh në komunikim që të zgjidhet një çështje njëherë e përgjithmonë, sepse s’mund të zgjatet pafundësisht”, tha Pozhari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Cikalleshi i bashkohet Shqipërisë në stërvitje

    Cikalleshi i bashkohet Shqipërisë në stërvitje

    Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e ciklit kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

    Trajneri i kombëtares, Sylvinho së bashku me stafin e tij teknik kanë punuar sot me disa prej futbollistëve që deri tani kanë mbërritur në grumbullim, ku sot grupit kuqezi i është bashkuar edhe sulmuesi, Sokol Cikalleshi, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, grupi i futbollistëve të ftuar pritet të kompletohet të enjten e 8 qershorit.

    Sikurse në seancën e parë stërvitore, edhe të dytën kuqezinjtë fillimisht e nisën në palestër në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ndërsa më pas zbritën në fushë për të vazhduar me stërvitjet.

    Po ashtu, Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka bërë me dije se asnjë futbollist nuk ka deri tani probleme fizike.

    Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë ndeshjen e parë kundër Moldavisë më 17 qershor në stadiumin kombëtar “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor, kuqezinjtë do të luajnë si mysafir ndaj Ishujve Faroe.

  • ​Gërvalla takoi homologun e saj në Çeki

    ​Gërvalla takoi homologun e saj në Çeki

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me homologun e saj çek, Jan Lipavský. Të dy ministrat kanë konfirmuar përkushtimin për thellimin e raporteve ndërshtetërore.

    Gërvalla ka treguar mirënjohje për Presidencën Çeke të Bashkimit Evropian, lidhur me mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    “Ministrja Gërvalla, vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik si dhe në veçanti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Presidencës Çeke të BE-së për mbështetjen dhe punën e palodhur për liberalizimin e vizave”, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kosovës./KP

  • Luajti me Ronaldon dhe Messin, Ramos vendos se cili është më i miri

    Luajti me Ronaldon dhe Messin, Ramos vendos se cili është më i miri

    Sergio Ramos ka marrë vendimin e tij në debatin se cili është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, pasi që ka luajtur me të dy.

    Vetëm të mendosh se Ramos dhe Messi do të luanin në bashku para disa vitesh do të ishte diçka tejet e pazakontë. Dyshja kanë luajtur kundër njëri-tjetrit për më shumë se një dekadë gjatë kohës së tyre te Real Madridi, respektivisht Barcelona, raporton KosovaPress.

    Messi shpesh e gjente veten në fund të një trajtimi brutal nga Ramos, i cili është përjashtuar më shumë herë se çdo futbollist tjetër në historinë e pesë ligave më të mira të Evropës.

    Pavarësisht kësaj, Messi rregullisht ishte më i mirë se Ramos. Asnjë lojtarë nuk ka shënuar më shumë gola në historinë e “El Clasicos” se sa vetë superylli argjentinas.

    Ramos u largua nga Real Madridi drejt Paris Saint-Germain si lojtar i lirë në muajin korrik të vitit 2021. Sikurse e gjithë bota, mbrojtësi spanjoll kishte mbetur i habitur kur ikona e Barçës, Messi iu bashkua atij në “Parc des Princes” një muaj më vonë.

    Shumë tifozë të futbollit prisnin se marrëdhënia mes dyshes do të mbetej, në rastin më të mirë, e ftohtë. Por superyjet shpejt e lanë çdo dallim në njërën anë dhe përfunduan duke formuar një lidhje tejet të mirë të papritur në fushë.

    Tani, Ramos ka zgjedhur mes Messit dhe Ronaldos se cili është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Pasi që kaloi 18 muaj në stërvitje dhe duke luajtur përkrah Messit, Ramos e cilësoi yllin argjentinas si më të mirin e historisë së futbollit.

    “Kishte vuajtje për disa vite duke luajtur kundër Messit. Tani po e shijoj atë”, tha Ramos gjatë një interviste për “PSG TV”.

    “Ai është lojtari më i mirë që ka prodhuar ndonjëherë futbolli”, shtoi më tej Ramos.

    Po, duket se Ramos e vendosi dhe arriti në përfundimin se Messi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave.

  • Escobar: Serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja pa kushte

    Escobar: Serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja pa kushte

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha se, në koordinim me partnerët evropianë, janë duke punuar që të ketë zgjedhje të reja në veri të vendit, transmeton ATV.

    Ai tha se serbët duhet të jenë të pranishëm në institucione, duhet të marrin pjesë në zgjedhje, pa parakushte.

    “Mesazhi që do ta përçojmë është i njëjtë. Serbët duhet të jenë të pranishëm në institucione, duhet të marrin pjesë në zgjedhje, pa parakushte. Ne e kuptojmë se pasi të jenë zgjedhur, do të kenë zë legjitim që të ngrenë shqetësimet që kanë, dhe ata kanë shqetësime legjitime, siç po thosha më parë”, tha Escobar.

    Ai tha se, përmes themelimit të Asociacionit, do të shtendoset kontrolli i Serbisë në veri dhe të kthehet në kontrollin e Kosovës.

    “Asociacioni është mënyrë nëpërmjet të cilit shtendoset kontrolli i Serbisë në veri dhe të kthehet në kontrollin kosovar. Nën kushtetutën tuaj dhe strukturën tuaj ligjore. Andaj mendoj se është një mundësi për të lëvizur para. Nuk e kuptoj se pse ndokush do ta shihte ndryshe, sepse asociacioni, në fund të ditës, edhe nëse nuk është negociuar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk është domosdo një koncesion për Serbinë. Është një njohje e nevojave të komunitetit pakicë”, tha Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar thotë se në Ohër e kanë detyruar Serbinë të pranojë gjithçka, por palët janë duke bërë shkelje të marrëveshjes

    Escobar thotë se në Ohër e kanë detyruar Serbinë të pranojë gjithçka, por palët janë duke bërë shkelje të marrëveshjes

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha se në Ohër, Serbisë i është kërkuar të pranojë marrëveshjen sipas kushteve evropiane, që kërkon Serbisë ta njohë integritetin territorial të Kosovës, transmeton ATV.

    “Në Ohër, nuk ishte një Dejton tjetër, por mjaft e ngjashme. Ajo çfarë keni është një marrëveshje e normalizimit, sipas kushteve evropiane, që i kërkon Serbisë ta njohë integritetin tuaj territorial, sovranitetin tuaj, kontrollin tuaj administrativ të të gjithë shtetit me fuqi të së drejtës ndërkombëtare, të njihet flamuri juaj, simbolet tuaja kombëtare, diplomat, pasaportat, dokumentet tuaja qeveritare dhe të mos bllokohet Kosova në përpjekjet e saj për integrim në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, tha Escobar.

    Ai tha se të dyja palët janë duke bërë shkelje të marrëveshjes.

    “Është thënë se Serbia veç se e ka shkelur këtë. Por ana tjetër është se Kosova duhej të fillonte menjëherë diskutimet për asociacionin, gjë që nuk e ka bërë. Andaj, ose të dyja palët janë duke bërë shkelje, ose asnjëra. Bashkimi Evropian, ligjërisht nuk jemi të sigurt, sepse nuk jemi pajtuar për një plan të renditjes, andaj ata nuk janë të sigurt a ka nisur apo jo, ligjërisht, na pikëpamja ynë deklarimi politik i marrëveshjes ishte i mjaftueshëm për ta nisur, andaj të dyja palët janë duke bërë shkelje”, tha Escobar.

    Sipas tij, nuk duhet të ndodh një tjetër konferencë, por se duhet të implementohet ajo, për të cilën veç se është arritur të ketë pajtim mes Kosovës dhe Serbisë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar thotë se pala kosovare e ka draftin për Asociacionin, por nuk po e prezanton

    Escobar thotë se pala kosovare e ka draftin për Asociacionin, por nuk po e prezanton

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha se pala kosovare e ka një draft për Asociacionin, por sipas tij, nuk duan ta paraqesin, raporton ATV.

    “Ata duhet që menjëherë të prezantojnë një draft të një ligji që do ta sillte atë në jetë, tani, menjëherë. Dhe ata kanë një, por thjesht nuk duan ta paraqesin”, tha Escobar.

    Ai tha që nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në.

    Po ashtu, Escobar shtoi se Aleksandar Vuciq nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës, ndërsa shtoi se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Më së largu nesër të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri

    Escobar: Më së largu nesër të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha që më së largu nesër duhet të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri, transmeton ATV.

    “Një rrugë është shpërshkallëzimi, rruga e dytë është zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, dhe e treta duhet të lëvizim menjëherë drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë se duhet të shohim një përpjekje të vërtetë të Kosovës për t’u angazhuar për asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa të ndërmarrë nga Serbia. Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.

    Ai tha se BE-ja ka prezantuar një rrugë përpara, që është shpërshkallëzimi i menjëhershëm, dhe kjo do të përfshinte një plan që kryetarët jo domosdo të kenë nevojë të punojnë në ato ndërtesa, përderisa tensionet janë kaq të larta.

    “Në SHBA, ne kemi shumë përvoja në situata të tilla, dhe ne tentojmë t’i ndajmë këto përvoja dhe vizionin tonë. Mund të ju them personalisht se isha duke punuar në një ndërtesë federale në San Francisko në vitin 1991, kur po protestohej kundër Luftës së Gjirit. Dhe ishte mbyllur një ndërtesë federale në të cilën ndodheshin prokurorët, FBI-ja, dhe institucione të tjera federale. Ata thjesht kaluan në një ndërtesë tjetër, dhe e vazhduan punën. Dhe askush nuk tha se ne ia dhamë sovranitetin asaj turme”, tregoi Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Lajçak tregon se çka bisedoi me politikanët në Kosovë

    ​Lajçak tregon se çka bisedoi me politikanët në Kosovë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka treguar se çka është biseduar në takimet që ai dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i kanë zhvilluar të martën në Prishtinë.

    Lajcak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë mbërritur të hënën në Kosovë, ku janë pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

    “Sot në mëngjes me Presidenten diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim”, ka shkruar Lajcak në Twitter.

    Lajcak dhe Escobar kanë zhvilluar takim edhe me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

    Sipas diplomatit sllovak, atyre u është kërkuar të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet në veri.

    “Escobar, ambasadori amerikan në Kosovë dhe unë u shpjeguam partive opozitare shqiptare në Kosovë pasojat e krizës aktuale dhe dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, ka shkruar ai.

    Ndërsa Listës Serbë u ka theksuar nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

    “Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, ka shkruar ai pas takimit me Listën Serbe.

    E në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Kurti, emisarët i kanë paraqitur atij propozimin me tri elemente.

    I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

    Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen. /kp