ATV

Blog

  • ​Rama: Kurti e Vuçiq janë të pa interesuar për Asociacionin

    ​Rama: Kurti e Vuçiq janë të pa interesuar për Asociacionin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq nuk janë të interesuar për Asociacionin, andaj sipas tij, atyre “u duhet armiku i jashtëm”.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rama ka thënë se mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, nuk mund të mbahet derisa “Kosova po digjet ngadalë, por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet.

    “Ka dy njerëz që janë të pa interesuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, jo janë bashkë në kuptimin që janë marrë vesh, absolutisht, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet, dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Pse, sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme u duhet armiku i jashtëm. Pse i çon presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën, mendoni ju që në cepin më të largët të mendjes së vet dhe në ëndrrën e tij më kurajoze ai mendon se mund të futet një ushtarë serb 1 metër në kufirin e Republikës së Kosovës, absolutisht jo, as që nuk e imagjinon, por pse i çon, nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët që janë në Kosovë por i çon për të ndezur shpirtin nacionalist të serbëve që janë në Beograd dhe në Serbi”, ka thënë Rama.

    Rama ka theksuar se Serbia e ka humbur luftën ushtarakisht një herë e mirë në vitin 1999 dhe sipas tij prej atëherë nuk është më kërcënim për Kosovën.

    “Serbia qysh nga vitit 1999 nuk është më kërcenim për Kosovën, nuk ka çka i bën fare, jo sepse është albin Kurti aty apo cilido coftë, por sepse aty është Amerika, është kjo Amerikë e cila sot është në acarimin maksimal me Qeverinë e Kosovës. Atëherë për çfarë duhet kjo histori konfrontimi permanent, se duhet për politikë të brendshme dhe cila është gjëja që e shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit e tjetrit, Asociacioni, që mbyll përfundimisht në këtë aspekt po flas, mundësinë për të vazhduare lufta që këta nuk na lënë të zgjedhim, këta nuk duan të zgjidhen, është shumë e qartë, prandaj unë jo vetëm që nuk prekem por përkundrazi më vjen mirë dhe është pjesë e marrëdhënies shumë të shëndetshme që kam me albin Kurti sepse themi atë që mendojë edhe kur jemi apo nuk jemi dakord. Qëllimin e kemi një, qind për qind, njohja e plotë përfundimtar e ndërkombëtare e Kosovës, edhe nga Serbia, dhe kërkimi i fjalës që Serbia duhet t’i bëjë Kosovës për krimet që ka bërë në Kosovë. Ndryshimi midis meje dhe albinit është që Albini i do këto në filli, unë them që këto vinë në fund”, ka thënë Rama.

    Duke folur për mbledhjen e dy qeverive e cila ishte planifikuar të mbahet të mërkurën në Gjakovë, Rama ka thënë se nuk mund të bëhet teatër në këtë situatë kur sipas tij Kosova po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar.

    “Nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si ufo, Shqipëria nuk është ufo të paktën, Shqipëria është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike dhe nuk mundet as të bëjmë një teatër me marrëveshje për bujqësinë. Blegtorinë, e shumë të tjera, që janë shumë të rëndësishme, që janë gati dhe që mund të bëhen edhe pas një jave, dy javësh, tre javësh, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet. Unë i marr me mend të gjitha nënqeshjet dhe përqeshjet me bashkësinë euroatlantike sot që krijojë sot të atyre që nuk e deshën kurr krijimin e Kosovës së pavarur, i marr me mend, kanë të drejtë të nënqeshin e përqeshin, sikur thonë ‘hë e donit shtet’, dhe këtë gjë ne nuk duhet ta lejojmë. Por për çfarë bëhet, nuk e kuptoj, për çfarë bëhet, për një të ngujuar atje që nuk ushtron dot jo detyrën pro nuk ushtron dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë normal që të dalë të marrë ajër jashtë godinës, për çfarë”, ka thënë ai.

    Pak para mbajtjes së kësaj konference, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës lidhur me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, por nga ekzekutivi kanë mohuar diçka të tillë.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KosovaPress se “mbledhja nuk është anuluar dhe gjithçka është gati në Gjakovë.

    “Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe si uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.

    Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Ai ka delaruar se pret që një dokument i tillë të çoja dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

    Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./KP

  • AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    Për vite të tëra, Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk ka pranuar agjentë të rinj, ndonëse konkurse të hapura kishte pasur shumë herë.

    Megjithatë, AKI-ja së fundmi ka hapur dyert përsëri, për ata që duan të jenë pjesë e institucionit më të lartë të sigurisë në vend. Por kësaj here, Komisioni që mbikëqyrë punën e AKI-së thotë se po kujdesen që gjithçka të shkojë sipas ligjit, dhe të pranohen pjesëtarët e rinj.

    “AKI-ja në këtë rast si shpallës i konkursit është duke i kryer të gjitha procedurat në bazë të rregullave dhe ligjit, pra deri më tani mbarëvajtja e konkursit ka shkuar mirë. Kemi pasur më herët konkurse të cilat kanë dështuar, me vite të tëra kanë qenë konkurse të hapura të cilat, d.t.th ata persona që kanë konkurruar, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nëse konkurset janë anuluar apo janë ende të hapur”, tha kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.

    Rritja e numrit të agjentëve, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, është në të mirë edhe të performancës, pasi kështu garantohet siguria e vendit.

    “Mendoj se shtimi i personelit, modifikimi i personelit në konturat e caktuara i ndihmojnë strukturës së sigurisë së Kosovës, respektivisht AKI-së, që të jetë në treg me kohën, për të parandaluar, për të reaguar në kohën më optimale dhe për të garantuar sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, Shala vlerëson se rritja e kapaciteteve vjen edhe për shkak të rrezikut që i kanoset Kosovës, bazuar në strategjinë nacionale të sigurisë.

    “Sa i përket konkursit të fundit për të pranuar pjesëtarë të rinj, në kuadër të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, kjo kryesisht ndërlidhet me aspektin e rrezikut me të cilin do të kanoset Kosova, sipas Strategjisë nacionale të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës, dhe sipas kërkesave të cilat vijnë vetvetiu nga përmbyllja e arkitekturës së sigurisë së Kosovës”, tha Shala.

    Pa treguar se sa vende janë të lira në konkursin e AKI-së, Komisioni mbikëqyrës thotë se interesimi për të qenë pjesë e këtij institucioni është mjaft i lartë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti me propozim pesëpikësh për tejkalimin e krizës, kërkon takim me Vuçiqin

    Kurti me propozim pesëpikësh për tejkalimin e krizës, kërkon takim me Vuçiqin

    Pak orë para se Policia të sulmohet gjatë arrestimit të Milun Milenkovicit, i dyshuar për organizim të trazirave në Zveçan, kryeministri Albin Kurti u ka prezantuar ambasadorëve të QUINT-it propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

    Planin e tij pesëpikësh, kryeministri Kurti tha se e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell, teksa i ka dërguar letër.

    “Si pikë e parë në letrën time dërguar Josep Borrelit, është sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët. Si pikë e dytë: Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri ndërtesat komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet, në përputhje me rrethanat”, tha Kurti.

    Si veprim i tretë, sipas kryeqeveritarit, parashihet që Policia e Kosovës së bashku me pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i, të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

    “Katër, Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar. Pesë: Kosova dhe Serbia të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE-ja të sigurojë një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 mars). Udhëheqësit e dy shteteve të takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel, gjatë kësaj jave”, tha Kurti.

    Mes tjerash, kryeministri Albin Kurti theksoi se kryetarëve shqiptarë të komunave veriore nuk mund t’ua kërkojë dorëheqjen, pasi që do të ishte kundërkushtetuese, duke e quajtur ide të mirë atë të presidentes Vjosa Osmani për një peticion.

    Në lidhje me propozimin e tij për uljen e tensioneve, kryeministri kosovar po pret përgjigje nga Brukseli.

    Ndërkaq, gjatë ditës zyrtarë nga Bashkimi Evropian nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit lidhur me propozimet e Kurtit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmohet në pritë ekipi i ATV-së, tre anëtarët e ekipi goditen me gurë

    Sulmohet në pritë ekipi i ATV-së, tre anëtarët e ekipi goditen me gurë

    Më shumë se dhjetë persona, shumica e tyre të maskuar sulmuan me gurë, cung, shkopinj, shkelma e grushte veturën dhe ekipin e ATV-së që gjendej brenda saj.

    Si pasojë të tre anëtarët e ekipit televiziv pësuan lëndime trupore – ndrydhje nga gurët dhe prerje nga copëzat e xhamit – ndërsa vetura u demolua.

    Fillimisht, rreth orës 13, vetëm pesë minuta pasi kameramani Blendi Thaçi dhe gazetari Fatlum Jashari u ndalën për pamje tek ndërtesa e komunës në Zveçan, vozitësi Enis Sherifi, i cili kishte shkuar më poshtë për t’u parkuar në një vend të sigurt, njoftoi se është sulmuar nga një person.

    Pas vendimit për t’u larguar shpejtë nga aty, derisa shoferi po afrohej filluan sharjet dhe ofendimet ndaj gazetarit e kameramanit.

    Pas paralajmërimit që morën nga një grua, se tensioni është rritur për shkak të arrestimit në Mitrovicë të Veriut, ekipi tre-anëtarësh i ATV-së u nis për të dal nga Zveçanin.

    Pak sekonda pas, rreth 150 metra tutje, në afërsi të rreth-rrotullimit, një veturë e tipit Golf me ngjyrë të errët dhe me targa të Serbisë, i doli në pritë të veturës së ATV-së dhe bllokoi rrugën.

    Personi i njëjtë që kishte sulmuar kameramanin më herët, doli nga ajo veturë dhe krahas sharjeve në gjuhën serbe, provoi që me dhunë hapte derën e veturës së ATV-së dhe të nxirrte ekipin jashtë.

    Ai dhe dy të tjerë të maskuar, filluan sulmin me gurë, shkelma e grushte ndaj veturës.

    Tutje, më shumë se 10 persona tjerë, shumica të maskuar, iu bashkuan sulmit me mjete të forta – teksa ekipi po përpiqej të lëvizte prapa me veturë për të gjetur strehë të sigurt.

    Nën rrebesh gurësh ekipi i ATV-së u strehua në te një ekip i KFOR-it italian, qw u bë shkas për ndaljen e sulmit.

    Pas rreth 45 minutash të tensionuara nën mbrojtjen e KFOR-it, ekipe po ashtu italiane të EULEX-it ndihmuan largimin e sigurt të ekipit të ATV-së nga Zveçani.

    Rasti është iniciuar në Stacionin e Policisë në Mitrovicë të Jugut, ndërsa ekipit të ATV-së i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohet “Llune”, i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it

    Arrestohet “Llune”, i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it

    Misioni i Policisë së Kosovës, sot në Mitrovicë të Veriut, ishte i qartë: arrestimi i Milun Milenkoviçit, i cili mes tjerash, dyshohet të jetë ndër organizatorët e sulmeve më 29 maj në Zveçan, në të cilat rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar.

    “Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic – Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale, që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ai ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Arrestimi i trajnerit të kikboksit, të njohur me nofkën Llune, nxiti reagimin e serbëve lokalë. Si pasojë, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës mbetën të lënduar.

    “Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, tre nga të cilët janë të lënduar lehtë”, tha Sveçla.

    Serbët nuk sulmuan vetëm zyrtarët policorë. Shënjestër e dhunës nga ta ishte edhe i pari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

    Pas arrestimit të Milenkoviçit, njësite të konsiderueshme të Policisë së Kosovës u vendosën në Lagjen e Boshnjakëve, ku nuk qëndruan gjatë.

    Ndërkohë, as hyrja me vetura në Mitrovicë të Veriut nuk u lejua.

    Me shpërndarjen e policisë, në Lagjen e Boshnjakëve, u panë automjete të KFOR-it amerikan dhe të EULEX-it, derisa një grup i serbëve u pa teksa qëndronte në dy anët e rrugës, disa metra larg lagjes së banuar me shqiptarë.

    Avni Peci, përfaqësues i kësaj Lagjeje, thotë se kjo situatë nuk i shqetëson banorët, pasi ata janë mësuar me situata të tilla. Megjithatë, ai ka një thirrje për banorët e të gjitha komuniteteve.

    “I bëj thirrje banorëve të të gjitha komuniteteve që të mos politizohen nga qarqe të ndryshme politike që operojnë këtu”, tha Peci.

    Aksioni i sotëm policorë erdhi pak orë pas takimit që kryeministri Albin Kurti, pati me ambasadorët e shteteve të Quintit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vjen reagimi i parë nga VV’ja pas anulimit të mbledhjes së qeverive, Kosovë-Shqipëri

    Vjen reagimi i parë nga VV’ja pas anulimit të mbledhjes së qeverive, Kosovë-Shqipëri

    Ai përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, Edi Rama po tregohet dorëshlirë me interesat kombëtare.

    “Nuk janë të paktë shembujt në histori, përfshirë edhe historinë e re, kur politikanë para fundit të tyre e në kërkim të shpëtimit janë treguar dorëshlirë me interesat kombëtare. Rama duket të jetë i radhës. Tjetër shpjegim është vështirë të ketë për sjelljet e tij”, shkroi Bajqinovci.

    “E megjithatë fundi për ta nuk ka qenë asnjëherë i mirë. Historia i njeh vetëm veprat. Jo arsyetimin e as pishmanin”, përfundon shkrimi i tij.

  • “O vlla nimom”, llafi i fundit i motrës që ndërroj jetë tragjikisht, madje ishte edhe shtatzënë!

    “O vlla nimom”, llafi i fundit i motrës që ndërroj jetë tragjikisht, madje ishte edhe shtatzënë!

    Po thuajse çdo familje në luftën e fundit në Kosovë, humbi shumë. Një ndër ta është edhe Rrahim Uksmajli, i cili vdekjen e motrës e përjetoi rëndë, pasi lidhjen që kishte më të, ishte tejet e ngushtë.

    Motra la dy fëmijët, të cilët për Rrahimin mbetën amaneti më i vlefshëm.

    Në emisionin STUDIO A në ATV, ai ka bërë një rrëfim rrënqethës për takimin e tij të fundit me motrën ndërroi jetë tragjikisht, madje ishte edhe shtatzënë.

  • Prishtina bënë zyrtare edhe dy transferimet më të reja

    Prishtina bënë zyrtare edhe dy transferimet më të reja

    Në ditën që e bëri zyrtare emërimin e Debatik Currit si trajner për sezonin e ardhshëm në Superligë, Prishtina tani ka bërë zyrtare edhe dy transferimet më të reja të klubit.

    Bëhet fjalë për dyshen, Drilon Islami dhe Albin Krasniqi, të cilët janë përforcimet më të reja të Prishtinës, raporton KP.

    Drilon Islami i bashkohet Prishtinës nga skuadra e Ferizajt, edhe pse te kjo e fundit u transferua në janar të këtij viti nga skuadra e Dritës.

    Në rolin e mesfushorit qendror dhe shkatërrues, Islami bëri vetëm shtatë paraqitje për skuadrën e Ferizajt në këtë edicion.

    Në anën tjetër, edhe Albin Krasniqi, sikurse Drilon Islami iu bashkua Ferizajt në muajin janar të këtij viti nga skuadra e Dritës.

    Krasniqi në rolin e sulmuesit këtë sezon arriti të bëj 25 paraqitje me Ferizajn, duke shënuar tre gola dhe duke regjistruar pesë asistime mbi emrin e tij.

  • ​Rama kërkoi tjetër format të takimit në Gjakovë, jep detaje në konferencë për media

    ​Rama kërkoi tjetër format të takimit në Gjakovë, jep detaje në konferencë për media

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ka kërkuar një takim të formatit tjetër në Gjakovë, ndryshe prej mbledhjes së planifikuar të dy qeverive. Rama ka thënë se mbledhja nuk mund të mbahet në këto kushte, sipas tij, të agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me të gjithë bashkësinë euroatlantike.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rama ka thënë se situata aktuale në Kosovë “po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme”.

    “E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar pikërisht për këtë situatë e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë Rama, raporton KosovaPress.

    Sipas Ramës, ndërkombëtarët janë duke e humbur durimin.

    “Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, besoj shumë që të mund të takohemi, për të ballafaquar opinionet në kushtet kur e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizjes së planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksionet, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për të u kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, ka thënë Rama.

    Pak para mbajtjes së kësaj konference, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës lidhur me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, por nga ekzekutivi kanë mohuar diçka të tillë.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KosovaPress se “mbledhja nuk është anuluar dhe gjithçka është gati në Gjakovë.

    “Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe si uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.

    Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Ai ka delaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

    Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./KP

  • Eksperti i sigurisë tregon se si arrijnë të mblidhen për dy minuta grupet serbe në veri të Kosovës

    Eksperti i sigurisë tregon se si arrijnë të mblidhen për dy minuta grupet serbe në veri të Kosovës

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tregoi se si mund të mblidhen për dy minuta grupet serbe në veri të Kosovës.

    Ai tha se këto grupe janë të trajnuara që njerëzit në masë t’i koordinojnë në pikat e caktuara.

    Këto grupe, sipas Çollakajt janë gjithnjë në koordinim me politikën zyrtare të Beogradit dhe me çastet kriminale.

    “Sa i përket reagimit atë shpejt dhe koordinimit atë shpejtë, ne qytetarët e Kosovës, edhe unë dhe të tjerët që merremi me këtë fushë, pak më me seriozitet në kuptim personal, e dimë edhe që nga roja e të urës, nëse kthehemi diku në 10-15 vjet mbrapa, për një minutë dy minuta mblidheshin dhjetëra dhe qindra njerëz te ura, te ashtuquajtur rojat e urës, më pastaj ato u konvertuan, modifikohen në organizma të tjerë si mbrojtje territoriale, qendra trajnuese të ndryshme e kështu me radhë. Pra bëhet fjala njëherë për një organizim me të vërtetë shumë efikas, destruktiv gjithnjë, të cilët brenda pak minutave, s’po them sekondave, dinë të organizohen aq mirë. Kjo tregon se ata janë të përgatitur, të ushtruar, të trajnuar, njerëzit që i koordinojnë atë masë të njerëzve atje dhe i kanë edhe pikat paraprakisht e të caktuara se ku do të mblidhen, si do të veprojnë, si të operojnë, çfarë masa do të ndërmarrin, çfarë barrikada do të vejnë, gjithnjë në koordinimin me politikën zyrtare të
    Beogradit dhe me çastet kriminale, të cilat paralelisht me këto politike, koordinojnë, veprojnë dhe janë mekanizëm operativ”, tha Çollakaj.

    Sipas tij, krahas dhunës sistematike, sulmin ndaj gazetarëve, këto grupe e kanë si mekanizëm mbështetës.

    “Sa i përket asaj se pse sulmi ndaj gazetarëve, sidomos tani këto këtë fazën e fundit që janë më në shënjestër gazetarët, kjo lexohet ose kuptohet asnjësoj që dhuna sistematike serbe e udhëhequr nga politika serbe, terrin informative ka mekanizmin mbështetës. Prandaj, ata dëshirojnë që të planifikojnë të realizojnë objektivet e veta dhe të mos kuptohet fare. Në anën tjetër, në politikë, në tavolinën e bisedimeve paraqiten edhe si kontribues për paqe, një anakronizëm, një paradoks i skajshëm, po ja që është karakteristikë e këtij mentaliteti institucional të Serbisë dhe mentalitetit edhe popullor, që ata mund të bëjnë prapaskenë gjithçka çka ka mundësi me bo dhe në fund paraqiten si dashamirë, si pro paqes, pro dialogut dhe gjithnjë fajin që tu ua hedhë Qeverisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës, se na nuk jemi pro paqes e ata janë pro paqe ,a për dy-tre minuta dinë me bo rrëmujë”, theksoi Çollakaj. /atvlive.tv