ATV

Blog

  • Si ndikon klori në trupin tonë?

    Si ndikon klori në trupin tonë?

    Klori është një dezinfektues kimik i shtuar në pishina për të vrarë mikrobet.

    Në formën e tij origjinale, klori është një kimikat shumë irritues dhe shkatërrues.

    Kur shtohet në ujin e pishinës, ai konvertohet teknikisht në kimikatet acid hipoklorik dhe anion hipoklorit, të cilët dezinfektojnë ujin dhe konsiderohen të sigurt.

    Notarët e shpeshtë mund të zbulojnë se uji i kloruar shkakton efekte anësore të padëshiruara, sepse kur përqendrimi i klorit është shumë i lartë, ai gjithashtu mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me alergjinë.

    Klori dhe kimikatet e tjera në ujin e pishinës mund të irritojnë dhe thajnë lëkurën.

    Njerëzit nuk mund të jenë alergjikë ndaj klorit, por ju mund të jeni të ndjeshëm ndaj kimikateve dhe të keni reaksione të lëkurës që në fakt janë irritues i shkaktuar nga mbindjeshmëria ndaj klorit.

    Uji i klorur shpërndan vajrat që mbulojnë dhe mbrojnë flokët tuaj, gjë që mund t’i bëjë flokët tuaj më të prirë ndaj dëmtimit dhe tharjes dhe gjithashtu zbërthen proteinat në flokët tuaj, duke rritur rrezikun e këputjes së flokëve.

    Njerëzit me flokë të bardhë ose biondinë janë më të rrezikuar sepse flokët kanë më pak melaninë për t’i mbrojtur.

    Gjithashtu mund të ndriçojë flokët tuaj, veçanërisht nëse uji i pishinës në të cilin notoni ka një përqendrim të lartë të klorit.

    Nivelet e larta të klorit çlirojnë kloraminë në ujë dhe ajër, të cilat mund të jenë shumë irrituese.

    Pishinat zakonisht nuk shkaktojnë probleme të frymëmarrjes, mirëpo nëse një pishinë ka krijuar nivele të larta të kloraminës, mund të përjetoni probleme të frymëmarrjes.

    Klori dhe kimikatet e tjera të pishinës mund të lajnë shtresën e hollë të lotëve që mbulojnë sytë tuaj. Si rezultat, klori mund të shkaktojë efekte anësore në sy si, skuqje, lotim dhe djegie.

    Këto kimikate është e mundur të shkaktojnë njolla të verdha dhe kafe në dhëmbë.

    Kjo njollosje ndodh sepse potenciali i hidrogjenit te pishinat e kloruara është më e lartë se pështyma juaj, e cila zbërthen proteinat që mbrojnë dhëmbët nga shtrirja dhe grumbullimi i gurëve./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Veçoria e kullës 400-vjeçare në Theth

    Veçoria e kullës 400-vjeçare në Theth

    Alpet shqiptare janë vendi ku ju mund të mahniteni nga pamja të cilën mund ta shijoni edhe më udhëtime të gjata në këmbë, Ecja nga Valbona për në Theth do të ishte përjetimi më i mirë që do të keni.

    Nga qyteti verior i Shkodrës, rruga me minibus për në Komani zgjat rreth 90 minuta.

    Një shëtitje e bukur me traget përgjatë liqenit të Komanit do t’ju shpie në Fierzë, ku mund të kapni një minibus tjetër për në Valbonë, rrugë e cila mund të zgjas rreth një orë.

    Ju po ashtu mund të qëndroni gjatë natës në një nga bujtinat e këndshme të fshatit dhe bëni rrugën drejt shtegut në mëngjes herët.

    Sipas një artikulli të botuar në “Atlas Obscura” ecja përgjatë bukurive të Thethit është 17.2 km, pika më e lartë është 1800 m, dhe zgjat rreth 6 ose 7 orë për të përfunduar.

    Po ashtu Kulla e Ngujimit ndodhet jo shumë larg rrugës kryesore në Theth, përtej kompleksit të bujtinave.

    Nuk ka orë të caktuara të hapjes, vizitorët mund të hyjnë Brenda kullës kur të duan sepse shtëpitë fqinje e hapin atë sipas kërkesave.

    Kjo kullë kishte shërbyer edhe si strehë e vendasve nga gjakmarrja.

    Kulla e fortifikuar 400-vjeçare tani është një muze që tregon se si ishte jeta për ata që rrinin në pritë brenda mureve të saj.

    Shqiptaret e Veriut dikur jetonin sipas kodit të tyre fisnor, sipas Kanunit, një grup ligjesh zakonore të vendosura nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, një fisnik i shekullit të 15-të.

    Përtej mesjetës, ligji i Kanunit vazhdoi në disa pjesë të Shqipërisë, pavarësisht se u shpall i jashtëligjshëm nga diktatori komunist Enver Hoxha.

    Deri më sot, gjakmarrjet thuhet se ekzistojnë ende.

    Gjatë grindjeve, anëtarët meshkuj të familjes kufizoheshin në kulla, për t’i dhënë vetes një avantazh mbrojtës ndaj klanit kundërshtar.

    Kurse Burrat do të qëndronin këtu, derisa të përfundonte grindja, domethënë derisa të vriteshin të gjithë meshkujt që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, ose derisa të arrihej pajtimi, ndoshta me ndihmën e një këshilli pleqsh.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Në Kroaci zbulohet rruga gati 7 mijë vjet e vjetër

    Në Kroaci zbulohet rruga gati 7 mijë vjet e vjetër

    Në ujin e kristaltë të Detit Adriatik, arkeologët kanë zbuluar mbetjet e një rruge, për të cilën besojnë se pllakat e gurit të vendosura me kujdes ishin pjesë e rrugës katër metra të gjerë që lidhte ishullin artificial të Hvarit me bregdetin.

    Gjatë hulumtimeve të tyre nënujore në vendin arkeologjik të Solinës, në ishullin e Korçulës, arkeologët janë befasuar me gjetjen e kësaj rruge të periudhës së Neolitit.

    Në ujërat e Adriatikut, ata zbuluan rrugën që dikur lidhte vendbanimin parahistorik tashmë të fundosur të kulturës
    Hvar.

    Marta Kalebota, nga Muzeu i qytetit të Korçulës, thotë se gjetjet janë të jashtëzakonshme.

    “Ky vend i fundosur i periudhës së Neolitit është i jashtëzakonshëm, sepse nuk ka të tjerë në bregdetin e Adriatikut. Zakonisht kulturën neolite e gjejmë në shpella dhe në fusha, por kurrë si diçka këtu.”

    Analiza e radiokarbonit të drurit, të ruajtur dhe të gjetur gjatë zhytjeve të fundit, tregon se rruga daton rreth vitit 4900 para lindjes së Krishtit.

    Mate Parica, profesor në Universitetin e Zarës, thotë se janë zbuluar shumë materiale arkeologjike.

    “Në gërmimet tona gjetëm shumë materiale arkeologjike, si qeramikë, kocka, sëpata, thika dhe pamë qeramikë specifike që na tregonte se ishte kultura Hvar e neolitit të vonë. Pas kësaj, me analizë të radiokarbonit mësuam se ishte viti 4900 para Krishtit”.

    Teksa po vazhdojnë gërmimet, arkeologët besojnë se kanë zbuluar një tjetër vendbanim të periudhës neolitike në anën tjetër të ishullit të Korçulës, afër gjirit të Gradinës.

    Periudha e neolitit daton nga viti 4300 deri në vitin 2000 para lindjes së Krishtit. Shpesh quhet edhe si Epoka e re e Gurit.

    Arkeologët identifikuan për herë të parë mbetjet e Solinas në vitin 2021, teksa po i ekzaminonin imazhet satelitore të ujërave përreth Korçulës.

    Kultura Hvar është emëruar në bazë të ishullit të afërt të bregdetit lindor të Adriatikut./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Hagë, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Hagë, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot do të mbahet një tjetër seancë gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    Seanca është njoftuar të nisë në ora 09:00.

    Akoma nuk është bërë e ditur nëse e njëjta do të mbahet e hapur apo e mbyllur për publikun.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, Trupi Gjykues II më 6 qershor rrëzoi kërkesën e ZPS-së për t’i tërhequr vërejtje bashkëmbrojtësit të z. Thaçi, z. Dastid Pallaska, për deklaratat publike të bëra në një program televiziv.

    Trupi Gjykues konstatoi se deklaratat e z. Pallaska për kanalin televiziv të Kosovës, RTK, “ndonëse shpesh të pabazuara dhe të pasakta”, nuk ishin përpjekje për të çorientuar qëllimisht publikun apo për të ndikuar në vendimin e Trupit Gjykues dhe as nuk u nxor informacion konfidencial.

    Seanca e fundit u mbajt dy ditë më parë.

  • Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.

    Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, shkruan KosovaPress.

    Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, që vuajtjen nga vrasja e burrit nga regjimi serb e kthehu në forcë dhe u shndërrua në frymëzim për të gjitha gratë me Koperativën “Krusha”, Blerta Basholli, producent, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi, ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht është e strehuar dhe punon në Kosovë.

    Adresimi i presidentes Osmani para eurodeputetëve është planifikuar për në ora 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.

    Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

    Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.

    Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.

  • Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

    Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

    Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.

    Mesazhi thekson kontributin thelbësor që dhuruesit e gjakut japin për të mbajtur botën pulsuese duke shpëtuar jetë dhe duke përmirësuar shëndetin e të tjerëve. Ai përforcon thirrjen globale për më shumë njerëz në të gjithë botën për të dhuruar gjak rregullisht dhe për të kontribuar në një shëndet më të mirë.

    Një fokus i veçantë i fushatës së këtij viti do të jetë roli i të rinjve në sigurimin e një furnizimi të sigurt me gjak. Ndërsa në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, gjatë gjithë javës po organizohet dhurimi vullnetar i gjakut.

    Në shumë vende, të rinjtë kanë qenë në ballë të aktiviteteve dhe iniciativave që synojnë arritjen e furnizimeve të sigurta të gjakut përmes dhurimeve vullnetare të gjakut, pa shpërblim.

    Dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet prej vitit 2004 dhe ka për qëllim dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre në nevojë. Aktivitetet për këtë ditë bëhet me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sigurimin e gjakut dhe për të shprehur falënderime për të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

    Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit me vullnet të mirë në mënyrë të herëpashershme dhe pa pagesë.

    Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident apo ndërhyrje kirurgjike.

  • Arrestimi i Milenkoviqit, Musliu: Prorus që keqtrajtoi ata që s’iu bindën urdhrave të Serbisë

    Arrestimi i Milenkoviqit, Musliu: Prorus që keqtrajtoi ata që s’iu bindën urdhrave të Serbisë

    Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu ka reaguar pas arrestimit të Milun Milenkoviqit, për të cilin ka thënë se është njeriu kryesor i të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”.

    Musliu ka thënë se, krimineli serb siç e quan ai, i cili njihet ndryshe me nofkën “Lune” është ka keqtrajtuar dhunshëm të gjithë qytetarët në veri të vendit, që nuk i janë bindur urdhrave të Serbisë, të porositura nga Vuçiq e Radojçiq, transmeton KosovaPress.

    “Nuk ka mundësi që bandat e krimit serb në veri të mos jenë proruse, siç është edhe vet rasti i sotëm i kriminelit të arrestuar Milun Milenkovic – ‘Lune’. Shikojeni që në njërën anë e ka edhe flamurit e shtetit të Putinit. Flamuri rus gjendet përkrah atij serb në klubin e kik-boksit, në veri të Mitrovicës, të cilin e udhëheq ‘Lune’. Sipas të dhënave që ka siguruar gjatë ditës, Instituti OCTOPUS, ky farë ‘Lune’ ka qenë njeriu kryesor i të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, grup kriminal ilegal, i cili ka keqtrajtuar dhunshëm të gjithë qytetarët në veri të vendit, e të cilët nuk i janë bindur urdhrave të Serbisë, të porositura nga Vuçiq e Radojçiq”, ka shkruar Musliu në Facebook.

    Ndryshe, gjatë aksionit të së martës të Policisë së Kosovës për arrestimin e Milun Milenkoviqit, i cili është një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, janë lënduar tre zyrtarë policorë.

  • Pas arrestimit të Donald Trump, reagon Shtëpia e Bardhë

    Pas arrestimit të Donald Trump, reagon Shtëpia e Bardhë

    Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se presidenti Biden nuk është i përfshirë në aktakuzën ndaj ish presidentit Donald Trump.

    Në konferencën e përditshme të shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sekretarja e Shtypit Karine Jean-Pierre ishte jashtëzakonisht e ashpër në lidhje me akuzën e Trump dhe ngjarjet e sotme në Florida.

    Jean-Pierre u pyet në mënyrë të përsëritur në lidhje me pikëpamjet e Biden mbi aktakuzën, por nuk pranoi të përgjigjet. Ajo madje refuzoi të pranonte se Presidenti ishte informuar për këtë çështje.

    “Ne thjesht do të jemi shumë të vëmendshëm këtu në lidhje me Departamentin e Drejtësisë dhe thjesht do t’i lëmë ata të bëjnë punën e tyre,” tha ajo.

    Megjithatë, ajo iu kundërpërgjigj sugjerimeve nga kundërshtarët politikë të Bidenit se ai disi luajti një rol në aktakuzë.

    “Ai nuk ishte i përfshirë,” tha ajo.

    “Presidenti ka qenë shumë, shumë i qartë: Departamenti i Drejtësisë është i pavarur”.

  • Shchneeberger pyet BE-në: Cilat janë sanksionet kundër Serbisë për shkaktimin e krizës në veri?

    Shchneeberger pyet BE-në: Cilat janë sanksionet kundër Serbisë për shkaktimin e krizës në veri?

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger, ka reaguar pas lajmeve se BE po përgatit sanksione ndaj Kosovës. Ajo ka pyetur se cilat janë sanksionet për Serbinë e cila e ka shkaktuar krizën në veri të Kosovës.

    Në një shkrim në Twitter, ajo i është drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Del Leyen, presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola si dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

    “Çfarë sanksionesh janë planifikuar kundër Serbisë për shkaktimin e kësaj krize duke i tërhequr (serbët) nga institucionet, duke shkaktuar zgjedhje të reja, duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke sulmuar dhunshëm paqeruajtësit e NATO-s?”, ka shkruar ajo.

    Politikanja austriake ka pyetur pse po sanksionohet Kosova.

    “Dhe pse sanksionohet Kosova? Për shkak të zbatimit të demokracisë dhe shtetit ligjor? Apo sepse Kosova nuk do ta lejojë veten të bëhet një kukull për të gjykuar autokratët? Kjo vendosmëri dhe ashpërsi është e nevojshme kundër Vuçiqit, por jo Kosovës e cila nuk po përpiqet të përdorë të gjitha llojet e mashtrimeve për të rritur ndikimin e saj mbi fqinjët. Ky përmbysje autor-viktimë do të përshpejtojë atë që ata mendojnë se duhet të parandalojnë. Sa rezistent ndaj të mësuarit mund të jeni në të vërtetë?”, ka shkruar Shchneeberger.

    Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

  • DASH sërish u bën thirrje palëve që të ulin tensionet në veri të Kosovës

    DASH sërish u bën thirrje palëve që të ulin tensionet në veri të Kosovës

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se vazhdon t’iu bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ua kanë bërë të qartë pritjet tona të dyja palëve. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i DASH-it në pyetjen se si Uashingtoni e komenton planin pesëpikësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për uljen e tensioneve në veri.

    Në pikën e parë të planit të paraqitur nga Kurti të martën është sundimi i ligjit, që sipas kryeministrit kosovar nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve “të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët” në veri të Kosovës.

    Gjatë 13 qershorit, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është Millun Millenkoviq- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”. Ai, sipas Sveçlës, ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Zveçan më 29 maj.

    “Ata që janë përgjegjës për sulmet e dhunshme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt ligjor dhe me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi i DASH-it.

    SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

    Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

    Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët./REL