ATV

Blog

  • Molliqaj: Arrestimi i tre policëve është aksion i Vuçiqit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre

    Molliqaj: Arrestimi i tre policëve është aksion i Vuçiqit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është deklaruar pasi Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Sipas tij, arrestimi i të tre policëve kosovarë është aksion i paramenduar i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Arrestimi i policëve të Kosovës në vijën kufitare me Serbinë është aksion i paramenduar i Vuçiqit. Vuçiq ka filluar politikën si megafon i luftës, ai mbijeton në politikë përmes armëve”, shkroi ai në Facebook.

    Ai shtoi se “instrumentalizimi i policisë në shërbim të politikave ditore është taktikë e vjetër e liderëve autoritarë”.

    “Pati ose jo çështje, figura e fortë do hekur e barot. Aksionet me video-incizime janë përditësimi bashkëkohor i kësaj zeje të vjetër. Incizimet janë masë stigmatizuese paragjyqësore. Kështu është edhe kur e bëjmë ne, në veri të vendit ose në Prishtinë”, shtoi i pari i PSD-së.

    “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës”.

  • Kidnapimi i tre policëve, Bislimi akuzon Brukselin

    Kidnapimi i tre policëve, Bislimi akuzon Brukselin

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.

    Ai ka akuzuar Brukselin për mbyllje sysh, duke thënë se kjo është vrazhdësi, të cilën e krahasoi me atë të Serbisë në shkeljen e marrëveshjeve.

    “Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, ka shkruar Bislimi në profilin e tij personal në Facebook, derisa ka shpërndarë postimin e kryeministrit Kurti për kidnapimin e tre policëve.

  • Haxhiu kërkon nga ndërkombëtarët të përgjigjet për provokimet nga Serbia

    Haxhiu kërkon nga ndërkombëtarët të përgjigjet për provokimet nga Serbia

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

    Sipas saj, “Serbia kriminale ka rrëmbyer tre pjesëtarë të policisë së Republikës së Kosovës në Leposaviç”.

    Këto provokime, sipas Haxhiut, po organizohen nga shteti serb për ta destabilizuar situatën në veri të Kosovës.

    E para e MD-së u shpreh se për këto ngjarje duhet të përgjigjet faktori ndërkombëtar.

    Mes tjerash, Haxhiu në Twitter kërkoi që oficerët e PK-së të lirohen sa më shpejt dhe veprimet e tilla që ajo i cilëson agresive, të ndalen.

    “Për provokime si këto, të organizuara nga Serbia me qëllim të destabilizimit të situatës në veri, duhet të përgjigjet edhe faktori ndërkombëtar. Oficerët e policisë duhet të lirohen sa më shpejt dhe veprimet e tilla agresive të ndalen”, ka shkruar Haxhiu.

  • Kidnapimi i tre policëve, Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia

    Kidnapimi i tre policëve, Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia

    Qeveria e Kosovës pritet që së shpejti të nxjerr vendimin për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës.

    Kështu ka mësuar Telegrafi nga burime brenda Qeverisë së Kosovës.

    Vendimi për ndalimin e hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e kidnapimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përveç agresion ky është edhe synim për destabilizim.

    Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre.

  • Stano: Bashkimi Evropian mund të miratojë edhe masa të tjera për Kosovën

    Stano: Bashkimi Evropian mund të miratojë edhe masa të tjera për Kosovën

    Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.

    Në një konferencë për media, Stano ka thënë se masat ndaj Kosovës nuk janë sanksione.

    “Bashkimi Evropian, në përputhje me deklaratën e 27 shteteve anëtare nga 3 qershori, ka përgatitur propozime masash me efekt të menjëhershëm. Këto nuk janë sanksione, në kuptimin e masave kufizuese të fjalës siç i ka Bashkimi Evropian, këto janë masa që duhen marrë me efekt të menjëhershëm. Shtetet anëtare kanë mbështetur dje një sërë masash në lidhje me Kosovën dhe ne ende presim që kryeministri Kurti të zbatojë hapat që nevojiten për deeskalim të menjëhershëm dhe këto masa janë në rritje me pasoja financiare dhe politike, duke filluar me pezullimin e vizitave të nivelit të lartë, të kontakteve dhe ngjarjeve, si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se disa prej masave kanë hyrë në fuqi menjëherë ndërsa të tjera janë duke u diskutuar nga shtetet anëtare.

    “Siç e theksova, ka një sërë masash ose propozime për një sërë masash. Disa prej tyre kanë hyrë në fuqi menjëherë, disa prej tyre janë duke u diskutuar më tej dhe shtetet anëtare do të diskutojnë dhe vendosin gradualisht nëse do të vazhdojmë në hapin tjetër, dhe tjetrin, dhe tjetrin. Por spektri është relativisht i gjerë dhe siç thashë, këto janë masa të kthyeshme dhe të përkohshme që do të prezantohen dhe disa prej tyre tashmë po reflektojnë në lidhje me zhvillimet në terren”, ka thënë Stano.

    Stano ka theksuar se masat janë të përkohshme “në varësi të hapave të ndërmarrë nga kryeministri Kurti për eskalim të situatës në veri”.

    “Natyrisht që këto masa dhe pezullime janë të përkohshme dhe të kthyeshme, në varësi të zhvillimeve në terren dhe hapave të besueshëm, vendimtarë të ndërmarrë nga kryeministri Kurti për deeskalimin e situatës”, ka thënë ai.

    Por sipas zëdhënësit të BE-së, Kurti deri tani nuk ka ndërmarrë veprime vendimtare për deeskalimin e situatës.

    “Përkundër thirrjeve tona të vazhdueshme, në këtë rast, kryeministri Kurti deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa dhe veprime vendimtare për deeskalimin e situatës. Plani i tij i propozuar prej pesë pikash, të cilin ai e shënoi në letrën e tij drejtuar Përfaqësuesit të Lartë, nuk arrin të adresojë në mënyrë adekuate disa elementë kyçe të cilat nxiten, të cilët janë shkaku kryesor i krizës së fundit dhe të cilat ne presim që ai t’i adresojë urgjentisht me masa vendimtare, dhe ndërsa puna diplomatike vazhdon”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ngjarjet e djeshme tregojnë se nuk ka deeskalim të situatës në veri.

    “Pra, gjatë ditëve dhe javëve të fundit, ka pasur kontakte shumë intensive të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe aleatëve tanë dhe partnerëve nga të dyja palët për të gjetur një mënyrë për të kapërcyer status quo-në në Kosovë, dhe ngjarjet e djeshme kanë treguar dhe vërtetuar se nuk ka deeskalim, pra eskalimi vazhdon ende. Pra, ne themi se kjo status quo-ja duhet kapërcyer. Duhet të kalojmë sërish nga menaxhimi i krizës në proces të qëndrueshëm dhe qetësia duhet të rikthehet në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

    Ndërsa të martën është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes. /kp

  • Policia thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Policia thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Policia e Kosovës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme sot në orën 17:00 për shkak të rastit të kidnapimit të tre policëve në veri të vendit.

    “Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme lidhur me rastin ku në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë policorë kufitar patrullues​. Konferenca është paraparë të mbahet sot më, 14.06.2023 në ora 17:00”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës më herët se tre zyrtarë të PK-së janë kidnapuar në zonën kufitare në veri të vendit. Në komunikatë bëhet e ditur se kidnapimi i tyre ka ndodhur në thellësi të territorit të Kosovës.

  • Kurti reagon pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë në Leposaviq: Hakmarrje e Serbisë, ndërkombëtarët ta dënojnë aktin

    Kurti reagon pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë në Leposaviq: Hakmarrje e Serbisë, ndërkombëtarët ta dënojnë aktin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi të mërkurën janë rrëmbyer tre zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq.

    Shefi i qeverisë deklaroi se ata qëndronin rreth 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, transmeton Paparaci.

    Ai shtoi se dyshojnë që policet janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë “si hakmarrje” e Serbisë pas arrestimit të kriminelit Millun Millenkoviq – Llune, të martën në veri të Kosovës.

    Mes tjerash, Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve të rrëmbyer policorë.

    Gjithashtu, kryeqveritari ka ftuar ndërkombëtarët që ta dënojnë këtë “akt agresioni” të Serbisë.

    “Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, shkroi Kurti në Facebook.

    “Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.
    Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, përfundoi ai.

  • Sveçla u kërkon ndihmë urgjente ndërkombëtarëve që Serbia t’i lirojë 3 policët

    Sveçla u kërkon ndihmë urgjente ndërkombëtarëve që Serbia t’i lirojë 3 policët

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që urgjentisht të rris presionin ndaj Serbisë për të liruar tre zyrtarët policor kufitar të Policisë së Kosovës të arrestuar sot nga policia speciale e Serbisë brenda territorit të Kosovës

    Sveçla ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar, që përveç lirimit të policëve, ata t’i bëjnë presion Serbisë edhe për t’i ndalë provokimet ndaj Kosovës.

    “Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme.

    Sveçla në reagimin e tij lidhur me rastin, ka konfirmuar se forcat speciale të Serbisë janë futur brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar tre zyrtarët e Policisë së Kosovës.

  • Këta janë tre zyrtarët e Policisë që u kidnapuan nga forcat serbe

    Këta janë tre zyrtarët e Policisë që u kidnapuan nga forcat serbe

    Media serbe Novosti ka publikuar emrat dhe fotografitë e policëve të arrestuar. Bëhet fjalë për policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi.

    Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar dhe arrestuar sot nga njësia e policisë ushtarake e Forcave të Armatosura serbe “Kobra”. Lajmi fillimisht u dha në mediumin “Novosti”, i afërt me presidentin serb Vuçiq.

    Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    “Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, ka shkruar Sveçla.

    Edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një reagimi ka konfirmuar raportimet, duke thënë se janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë.

    Mediat serbe publikojnë fotot e policëve kosovar të kidnapuar nga forcat serbe

  • Mediat serbe publikojnë fotot e policëve kosovar të kidnapuar nga forcat serbe

    Mediat serbe publikojnë fotot e policëve kosovar të kidnapuar nga forcat serbe

    Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar dhe arrestuar sot nga njësia e policisë ushtarake e Forcave të Armatosura serbe “Kobra”. Lajmi fillimisht u dha në mediumin “Novosti”, i afërt me presidentin serb Vuçiq.

    Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    “Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, ka shkruar Sveçla.

    Edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një reagimi ka konfirmuar raportimet, duke thënë se janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë.

    Policia e Kosovës: Dyshohet se tre zyrtarë kufitar janë kidnapuar nga forcat serbe