Kosova do të mbledh nesër Këshillin e Sigurisë, mëson KosovaPress nga burimet e saj.
Kjo mbledhje vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Pas autoriteteve kosovare, ka reaguar para pak qestesh edhe BE-ja për kidnapimin e tre policëve të Policisë së Kosovës brenda territorit të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për ATV-në se janë në kontakt me të dyja palët.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht…”, i tha ATV-së, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai tha se u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që mund të kontribuojë në ngritjen e tensioneve mes dy vendeve.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, shtoi Stano për ATV-në.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano me korrespondentin e ATV-së, Nefail Maliqi.
Gazetarja e ATV-së, Nexhmie Hyseni, në një lidhje të drejtpërdrejt në edicionin Qendror të lajmeve në këtë televizion, ka treguar se asnjë mjet që transporton mallra nga Serbia nuk është lejuar që të kalojë për në Kosovë.
“Jemi këtu në pikën kufitare në Merdare ku pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, asnjë mjet që transporton mallra nga Serbia nuk është lejuar që të kalojë për në Kosovë, përveç disa kamionëve pra që kemi parë me targa të Kosovës, por edhe të Shqipërisë që kanë kaluar në Kosovë”, tha gazetarja Hyseni.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejt nga pika kufitare në Merdare, shihen disa kamionë me mallra serbe që kanë mbetur të bllokur, të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës.
Ndërsa, sipas informacioneve jozyrtare, ajo tregon se në anën tjetër, nuk është ndaluar asnjë kamion që po transportonte mallra e që shkon në drejtim të Serbisë.
Hyseni tregoi se në këtë pikë kufitare janë arrestuar edhe tre qytetarë të Podujevës, për të cilët, ende nuk ku asnjë informacion.
“Gjithashtu, në këtë pikë kufitare dje pasdite janë arrestuar edhe tre qytetarë të Podujevë ku ne patëm edhe një prononcim me zëdhënësin e komunës së Podujevës, Fahri Zhitia, i cili ka thënë se ende nuk janë liruar, por edhe nuk kanë asnjë informacion për gjendjen e tyre”, tha Hyseni.
“Gjithashtu edhe ministria e punëve të jashtme u ka bërë apel të gjithë bashkatdhetarëve të Kosovës që të mos kalojnë përmes këtyre pikave kufitare me Serbinë. Po e përsëris asnjë kamion nuk është lejuar me targa serbe që të kalojë në Kosovë”, tregoi gazetarja e ATV-së, Nexhmie Hyseni. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Pas diskutimin në komisionin për buxhet, projektligji për pagën minimale kaloi për shqyrtim edhe në komisionet e përhershme.
Për këtë projektligj u votua në dy nga këto komisione, por vendimet i patën ndryshe.
Në komisionin për të drejtat dhe interesat e komuniteteve, projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale nuk kaloi.
Në votim nuk morën pjesë deputetët nga partitë opozitare, LDK e AAK, të cilët nuk ishin në dijeni se pjesë e projektligjit ishte edhe amendamenti që paga minimale të jetë 450 euro.
Ndërkaq, në Komisionin për Integrim Evropian i mori votat e mjaftueshme.
“I jap përkrahjen këtij projektligji derisa paga minimale të jetë 450 euro. Ne patjetër që i përkrahim këto nisma që janë në të mirë të qytetarëve”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Paga minimale e propozuar nga qeveria është 264 euro, derisa në komisionin për buxhet, pikërisht nga deputeti i pushtetit, Eman Rrahmani, ka propozuar që paga minimale të jetë 450 euro dhe si amendament pritet tashmë që të dalë në votim edhe në Kuvend. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Kosova vazhdon të përballet me mungesë të inspektorëve, ndonëse shtimi i tyre ishte një nga zotimet kryesore të Qeverisë.
Sidoqoftë, 240 inspektorë të ndarë në sektorë të ndryshëm, janë futur në buxhet të këtij viti, por përkundër kësaj, deri tash, siç thotë Ministria e Punëve të Brendshme, konkurse janë hapur për vetëm 43 inspektorë.
“Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bazë të kërkesave të pranuara nga institucionet dhe konform legjislacionit në fuqi, ka bërë publikimin e konkurseve për grupin “Specialist i posaçëm për Inspektim” dhe “Specialist i përgjithshëm për inspektim”, për pozitën Inspektor i Punës për 22 (njëzet e dy) vende të punës. Për grupin “Specialist i Arsimit”, për pozitën Inspektor i Arsimit, për 21 (njëzet e një) vende”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Shtimin e numrit të tyre e bën më të vështirë edhe ndarja në dy grupe e aplikimeve, në atë jashtë shërbimit civil, ku të drejtë aplikimi kanë të gjithë qytetarët, dhe brenda shërbimit civil, ku të drejtë aplikimi kanë vetëm zyrtarët publikë. Nga zyrtarët publikë, rrallë kush që aplikon për t’u bërë inspektor i punës.
“Interesim mund të them që nuk ka brenda shërbimit civil, këto pozita që shpallen brenda shërbimit civil shpallen vetëm për qytetarë që e kanë një vend të punës dhe zakonisht ata zyrtarë nuk e konsiderojnë të lehtë ta ndërrojnë atë pozitë kudo që është në administratë, të kalojnë si inspektor të punës që të bëjë inspektime në terren”, tha kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Megjithatë, sipas Nikçit, nëse nuk plotësohen këto pozita do ta shpallin konkursin jashtë shërbimit civil pasi ka më shumë interesim dhe në këtë formë thotë se deri në fund të vitit, do të rekrutohen 100 inspektorë të punës, siç edhe janë paraparë në këtë sektor.
“Ato që nuk do të arrijmë t’i rekrutojmë do t’i shpallim jashtë shërbimit civil, siç e përmenda, këto 19 pozita përmes departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë”, tha Nikçi.
Sidoqoftë, sipas Nikçit, kushtet në të cilat punojnë inspektorët sot janë mjaft të mira, derisa edhe paga që marrin kap vlerën 780 euro, pa përfshirë bonuset. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Një orë pasi Qeveria e Kosovës publikoi rendin e ditës për mbledhjen e përbashkët, në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e anuloi atë. Edhe pse 13 marrëveshje në fusha të ndryshme mbetën pa u nënshkruar, vlerësohet se dëmi më shumë është emocional.
“Nuk është se Kosova ka humbë ose ka fitu diçka të madhe, me anulimin e kësaj mbledhjeje. Po flas nuk ka humbë diçka te madhe po e ka humbë një ndihmë, një përkrahje të ngjizur ne vetëdijen tonë, se e kemi një mik qe na ndihmon ne kohë të vështira”, tha gazetari dhe analisti Zekirja Shabani.
Megjithatë, sipas ish-drejtorit të Doganës, Shqipëria vazhdon të jetë njëri prej partnerëve më të mirë ekonomikë për Kosovën.
“Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë raporte të shkëlqyera ekonomike dhe tregtare. Kosova eksporton deri në 250 milionë euro në vit, derisa importon më pak”, tha ish-drejtori i doganës, Naim Huruglica.
Në mbledhjen e paraparë mes dy qeverive pritej të nënshkruhej marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ndërkohë, ishin paraparë edhe marrëveshja në funksion të lehtësimit të procedurave të kontrollit të produkteve me origjine joshtazore, ajo për ofrimin e bursave të studimit për studentë dhe marrëveshja për bashkëpunim ndërqeveritar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Midis Shqipërisë dhe Kosovës, deri tani janë nënshkruar gjithsej 171 marrëveshje, memorandume mirëkuptimi dhe protokolle zbatuese. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që Serbia të dënohet për aktet e agresionit kundër Kosovës. Ai ka thënë se lirimi i menjëhershëm i tre policëve të rrëmbyer është ultimativ.
Ai ka shkruar se në kohën kur Kosova po del me propozime për të gjetur zgjidhje, Serbia po dëshmon se nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje.
“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ. Me këtë akt, Serbia në mënyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel”, ka shkruar Konjufca.
Duke e dënuar aktin e rrëmbimit të policëve, ai ka thënë se ky është akt i cenimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia.
“Ky akt i cenimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cenimin e integritetit territorial të Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Avokati Tomë Gashi, në emisionin DIREKT në ATV, ka thënë se masa e parë nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për kidnapimin e zyrtarëve policor që ndodhi sot në pikën kufitare, është vendimi për ndalimin e të gjitha mallrave serbe.
Ai tha se situata është shumë e tensionuar, andaj duhet pritur për planin e ardhshëm të Qeverisë.
“Menjëherë ka ndodhë dhe thotë është një vendim i Qeverisë që mallrat e Serbisë ma nuk hyjnë territorin e Kosovës, kjo është masa e parë, ndërsa masa të tjera na duhet të së paku unë mos me folë përmendësh, duhet me pa Qeveria çfarë plani ka situata është e tensionuar, kjo ka ndodhë veç para disa orëve, besoj që aty duhet së pari të vërtetojmë, sepse nuk ka pasë rezistencë”, tha Gashi.
Ai tha se për këtë rast pritet të bëhen edhe hetime në rast se dikush duhet të japë përgjegjësi, por për këtë, sipas tij, është ende herët të flitet.
“Këta tre policë kanë qenë të armatosur, kanë qenë me të gjitha pajisjet e policëve kufitarë thuja se gjithkund në botën e civilizuar ku janë dhe pastaj meqenëse ka informata jokonfidenciale, po informata të policisë tonë që u dhanë në konferencë që këta e kanë njoftu bazën e vet, do të thotë strukturat komanduese të policisë sonë që po shohin persona me maska dhe këto komunikimi i policisë gjithmonë është i incizuar dhe të shohim kush ka bërë lëshime që nuk iu ka ofruar ndihmë. Pastaj a ka nevojë dikush përgjegjësi politike apo jo ajo është çështje që e shohim ditët në vijim”, tha Gashi. /atvlive.tv
Analisti Artan Behrami, në emisionin DIREKT në ATV, tha se me arrestimin e zyrtarëve të policisë së Kosovës në territorin e Kosovës është një dëshmi e gjallë që Serbia dhe agjenda e saj për dominim në Ballkan nuk ka ndryshuar, ata i kanë ndryshuar mjetet.
“Kidnapim i tre policëve të Republikës së Kosovës është një vepër kriminale e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili këtë akt e ka ba me paramendim me planifikim dhe këtë dëshmojnë edhe videot që i kanë bërë në me rastin e arrestimit ose kidnapimit të tyre. Është një luftë speciale që Vuçiqi e bën jo shumë për Kosovën sa e bën për ngritjen e vete në Serbi, meqë ai është duke përballë me një presion të jashtëzakonshëm për brenda Serbisë dhe për me amortizu sadopak atë presion, serbët dhe elitat politike në Serbi, në vazhdimësi në këto tri-katër dekadat e fundit sa herë që kanë i pasë keq me opinion publik punët, iu kanë kthy nacionalizmit, iu kanë kthy dhunës, iu kanë kthy armëve, iu kanë kthy Kosovës dhe kjo është po ashtu një tendencë e Vuçiqit për ta bërë këtë. Është po ashtu një dëshmi e gjallë që Serbia dhe agjenda e saj për dominim në Ballkan nuk ka ndryshu ata i kanë ndryshu mjetet por jo këtë”, tha Behrami.
Ai tha se me hyrjen e ushtrisë paramilitare serbe në territorin e Kosovës është thyerje e marrëveshjes ndërkombëtare.
“Me hyrjen e ushtrisë paramilitarëve çfarë do qofshin ata serbë në territorin e Kosovës, përveç është cenim i integritetit territorial është edhe thyerja e marrëveshjes ndërkombëtare, me të cilën Serbia 24 vite më parë e ka nënshkru, e ka të ndalu me të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe çka po ndodh, e gjitha kjo po ndodh në një moment kur Kosova është në pikën më të dobët të saj”, tha Behrami.
Ai tha se agjenda e Vuçiqit e Serbisë nuk ka ndryshu dhe këtë e di bota dhe Amerika.
Analisti Artan Behrami, në emisionin DIREKT në ATV, tha se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, duhet të ndryshojnë kurs ndaj bashkësisë ndërkombëtare, dhe jo ndaj Serbisë.
“Ngjarja po ndodh në një pikë ku sovraniteti jonë është në pikën më të ulët të saj, meqë ne kemi një përplasje shumë të madhe me SHBA-të dhe ANTO, të cilat e garantojnë integritetin dhe sovranitetin tonë dhe unë mendoj që kjo duhet ta frikësojë dhe ta zbrapsë Qeverinë Kurti, zonjën Osmane që të ndërrojnë kurs karshi jo Serbisë, po karshi bashkësisë ndërkombëtare, karshi SHBA-ve, sepse me Serbinë dhe njerëzit duhet ta dinë, nuk ka njeri në Kosovë ata që janë të gjallë ,ata që kanë vdekur, ata që do të lindin që janë kundër Albin Kurtit ose Vjosa e Osmanit në luftën e tyre me Serbinë, nuk ka njerëz të tillë s’ka”, tha Behrami.
Ai tha se Qeveria e Ksoovës duhet të marrë mësim nga ngjarja që ndodhi sot.
“Qeveria e Kosovës duhet të marrë mësimin sot me këtë ngjarje. Ja çfarë na ndodh neve, kur ne jemi të prishur me aleatin tonë, kur ne kemi marrëdhëniet jo të mira me SHBA-të, kur Kosova është në prag të sanksioneve të tyre dhe ushtria e Serbisë jo që të hynë pak kilometra në territorin, por ajo ë ka dëshirë me marrë këtë territorin e Kosovës”, tha Behrami. /atvlive.tv