ATV

Blog

  • Hapet ekspozita e refugjatës ukrainase në Kosovë

    Hapet ekspozita e refugjatës ukrainase në Kosovë

    Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka organizuar ekspozitën “Lule kundër luftës”, me punimet e Liudmyla Makei – refugjate ukrainase në Kosovë.

    Pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehu solidaritetin ndaj të gjithë refugjatëve në botë.

    Ajo tha se populli i Kosovës e ndjen më së miri refugjatin, pasi kanë qenë të tillë në 1999.

    Osmani tha se Kosova do të avokojë gjithmonë për të drejtat e refugjatëve dhe solidrarizimin me të njëjtit.

    “Refugjatët nuk janë thjeshtë numra, por janë individë me aspirata dhe potencial”, tha ai.

    Solidaritet dhe avokim më të madh për refugjatët kërkoi edhe drejtoresha e QKRMT, Feride Rushti dhe drejtori i UNHCR-së në Kosovë, Ajrun Shrestha.

  • Haradinaj takon deputetët austriak: Austria ka luajtur rol të rëndësishëm në fazat më kryesore për Kosovën

    Haradinaj takon deputetët austriak: Austria ka luajtur rol të rëndësishëm në fazat më kryesore për Kosovën

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Austrisë.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

    “Bashkë me kolegë pritëm në selinë qendrore të Aleancës delegacionin nga Parlamenti i Austrisë, i përbërë nga deputetët anëtarë të grupit të miqësisë Austri-Kosovë”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se kanë biseduar edhe për zhvillimet në veri të vendit.

    “Në takim biseduam për zhvillimet politike në vend, ku ndamë shqetësimin e përbashkët për situatën e krijuar në veri të vendit. Biseduam edhe për hapat e mëtejmë për depërshkallëzimit të situatës dhe zbatimin sa më parë të Marrëveshjes së Ohrit”, është shprehur Haradinaj.Haradinaj ka vlerësuar ndihmën e Austrisë në të gjitha fazat me rëndësi për Kosovën.

    “Gjatë bashkëbisedimit vlerësova ndihmën e Austrisë në të gjitha fazat me rëndësi për Kosovën, si në aspektin politik dhe në atë ekonomik”, ka përfunduar Haradinaj.

  • ​Shkarkohet Alain Giresse

    ​Shkarkohet Alain Giresse

    Alain Giresse është shkarkuar nga posti i trajnerit të Kombëtares së Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

    “Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri të ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2)”, thuhet në njoftim.

    Federata e Futbollit e Kosovës e ka falënderuar trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës.

  • Kurti e Gërvalla në konferencë të përbashkët për medie

    Kurti e Gërvalla në konferencë të përbashkët për medie

    Zyra për Media e kryeministrisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se sot në 15:30 do të mbahet një konferencë për media nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mbajnë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

    Mirëpo në këtë njoftim nuk është bere e ditur arsyeja e kësaj konference.

  • Stoltenberg i prerë: Mandati i KFOR-it i pathyeshëm, hapa të tjerë në Kosovë

    Stoltenberg i prerë: Mandati i KFOR-it i pathyeshëm, hapa të tjerë në Kosovë

    Përshkallëzimi i tensioneve mes Kosovës e Serbisë ka qenë në fokusin e takimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

    “Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit të OKB-së është i pathyeshëm”, tha shefi i aleancës më të madhe ushtarake të globit.

    “Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që mjedisi atje të jetë i sigurt dhe do t’u japim të gjithë të përfshirëve të njëjtin nivel sigurie. Nëse është e nevojshme do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, por do te vazhdojmë dialogun e nisur nga BE”, tha Stoltenberg.

    Vetëm një ditë më parë, kreu i KFOR-it, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të heqin dorë nga retorikat e kota dhe t`i kthehen bisedimeve. “I bëj thirrje të dyja palëve të shmangin retorikën e panevojshme dhe ta përballojnë këtë sfidë duke u kthyer në tryezën e negociatave, e cila është mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, deklaroi ai.

    Edhe Brukseli pret “hapa të prekshëm” nga autoritetet në Prishtinë dhe Beograd për të reduktuar përshkallëzimin në Kosovë. Të hënën, zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, tha se kryeministri i Kosovës Aljbin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ende nuk e kanë konfirmuar mbërritjen e tyre në Bruksel për “takimin e krizës”, në të cilin Borrell i ftoi për të gjetur një zgjidhje për krizën e fundit në veri të Kosovës dhe diskutojnë zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Peter Stano përmendi dy takime të ardhshme, duke përfshirë samitin e BE-së më 29-30 qershor, ku vendet anëtare të BE-së mund të diskutojnë masat kundër të dy palëve nëse nuk arrijnë të bashkëpunojnë.

  • Shënohet Dita e Refugjatëve, YIHR prezanton tetë storje nga lufta në Kosovë

    Shënohet Dita e Refugjatëve, YIHR prezanton tetë storje nga lufta në Kosovë

    Youth Initiative for Human Rights (YIHR) përmes një ekspozite në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku u shfaqën tetë storje të refugjatëve nga lufta në Kosovë, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, raporton Ekonomia Online.

    Siç u shpreh koordinatorja e Programit për Ballafaqim me të Kaluarën nga kjo organizatë, Bjeshkë Guri, ekspozita ka për qëllim “shërimin kolektiv” të popullatës të Kosovës, kur “dihet se mbi 80 për qind e popullatës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre”.

    Guri tha se ekspozita përbëhet nga minoritete, vende dhe profesione të ndryshme, në mënyrë që të jetë sa më gjithëpërfshirëse.

    “Kjo ekspozitë digjitale synon të mbledhë përvoja personale të personave që kanë qenë refugjatë gjatë luftës së Kosovës. Dihet se mbi 80 për qind e popullatës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, prandaj për neve është shumë e rëndësishme që ta nxisim një shërim kolektiv. Përvojat e qytetarëve janë heshtur, nuk janë dëgjuar”.

    “Prej vitit 2017 kemi marrë çdo vit nga 30 përvoja personale. Jemi fokusuar në vendet rurale. Kemi hasur shpesh në hezitime. Ata nuk ndihen që përvojat e tyre kanë vlerë”.

    “Në këtë ekspozitë po shfaqen tetë storje të ndryshme, tetë përvoja nga lufta e fundit në Kosovë. Ka prej vendeve të ndryshme, profesioneve të ndryshme dhe minoriteteve të ndryshme sepse mundohemi që muzeun ta bëjmë sa më gjithëpërfshirës”.

    Ajo po ashtu ka treguar se disa nga storjet janë anonime e se më së shumti janë serbët, ngase ata hezitojnë ta shfaqin emrin e tyre.

  • Osmani: Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë u bënë refugjatë

    Osmani: Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë u bënë refugjatë

    Presidentja Vjosa Osmani me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, ka kujtuar luftën e fundit në Kosovë.

    Ajo ka thënë se gjatë asaj periudhe, më shumë se gjysma e popullsisë janë bërë refugjatë si rezultat i gjenocidit të Millosheviqit.

    “Në Ditën e Refugjatëve kujtojmë sakrificën dhe vuajtjen e pamasë të refugjatëve në mbarë botën. Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë sonë u bënë refugjatë si rezultat i gjenocidit të Millosheviqit”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Presidentja tutje ka thënë se “sot ne vazhdojmë të përforcojmë zërat e refugjatëve dhe të mbrojmë të drejtat e tyre”.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

    Gjykata Speciale me seli në Hagë ka vendosur për paraburgimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

    Trupi Gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së ka vendosur që Veselit t’i vazhdohet paraburgimi.

    Palët janë urdhëruar që parashtresat në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit të dërgohen deri më 28 korrik të vitit 2023.

  • Sulmi me molotov i veturës së Policisë në Leposaviq, nisin hetimet

    Sulmi me molotov i veturës së Policisë në Leposaviq, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi që me datë 15 qershor, të dyshuar të panjohur kanë hedhur koktej-molotovi në drejtim të veturës zyrtare të policisë.

    Rasti kishte ndodhur më 15 qershor, rreth orës 18:00, në Leposaviq dhe është në procedurë hetimore.

    Javën e kaluar pati momente tensionesh pranë komunës së Leposaviqit, derisa më 16 qershor kanë ndodhur disa sulme fizike ndaj gazetarëve.

  • Presidentja e Parlamentit Evropian: Situata në veri duhet të shtensionohet

    Presidentja e Parlamentit Evropian: Situata në veri duhet të shtensionohet

    Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit me kryetarin e Kuvendit te Kroacisë, Gordan Jandrakoviq, ka bërë thirrje për shtensionim e situatës mes Kosovës dhe Serbisë duke shprehur shqetësimin e saj për dhunën që po shfaqet në rajon.

    “Parlamenti Evropian ka bërë thirrje qysh prej se i kemi parë tensionet në mes Kosovës e Serbisë, për shtensionim. Nuk ka fjalë tjetër që mund të përdoret, shtensionimi duhet të ndodhë. Nuk mund të përballojmë të shohim më shumë dhunë, në një kohë kur kontinenti jonë është aq i cenueshëm dhe situata është e paqëndrueshme,” tha Metsola.

    Ajo gjithashtu shtoi se jo vetëm Parlamenti Evropian por edhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian kanë pasur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.

    Gjithashtu, ajo tha se edhe Kroacia mund të tregojë shembuj pozitivë duke qenë proaktive në thirrjet për deeskalim dhe qetësim.