ATV

Blog

  • Policia kërkon ndihmë për gjetjen e këtyre dy personave, dyshohen për vjedhje

    Policia kërkon ndihmë për gjetjen e këtyre dy personave, dyshohen për vjedhje

    Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi.

    Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast, vjedhje të ndodhur me datën 14.12.2022 , në rrugën “2 Korriku” në Prishtinë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • Dëgjohen zhurma nënujore gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur

    Dëgjohen zhurma nënujore gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur

    Një avion i mbikëqyrjes ushtarake kanadeze ka regjistruar zhurma nënujore gjatë kërkimit masiv në një pjesë të largët të Oqeanit Atlantik për një nëndetëse, e cila u zhduk përderisa po i dërgonte pesë persona te rrënojat e Titanikut.

    Por, në deklaratën e Rojës Bregdetare të SHBA-së nuk specifikohet se çfarë mund të kenë qenë zhurmat e dëgjuara.

    Megjithatë, kjo deklaratë jep një fije shprese për personat në nëndetësen e zhdukur, pasi që atyre vlerësohet se u ka mbetur oksigjen vetëm edhe për një ditë, nëse nëndetësja është ende në funksion.

    Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se si ekipet mund të arrijnë te nëndetësja e humbur, që mund të jetë deri në 12.500 metra nën sipërfaqen e ujit.

    Të humbur në bordin e anijes janë piloti Stockton Rush, drejtori ekzekutiv i kompanisë që drejton ekspeditën. Në mesin e pasagjerëve të tij janë një aventurier britanik, dy anëtarë të një familje biznesi pakistaneze dhe një ekspert i Titanikut.

    Roja Bregdetare shkroi në Twitter se një avion kanadez kishte “zbuluar zhurma nënujore në zonën e kërkimit”. Kërkuesit më pas dërguan një robot nënujor në atë zonë për kërkime. Sidoqoftë, këto kërkime “dhanë rezultate negative, por ato po vazhdojnë”.

    “Të dhënat nga avioni P-3 janë ndarë me ekspertët e marinës amerikane për analiza të mëtejshme, të cilat do të merren parasysh në planet e ardhshme të kërkimit”, tha Roja Bregdetare.

    Nëndetësja e ka humbur komunikimin me operatorët të dielën, kur ka qenë në zonën jugore të Njufaundllendit në Kanada.

    Kompania OceanGate që mundëson këtë udhëtim, u kërkon pasagjerëve 250.000 dollarë për t’i parë nga afër pjesët e fundosura të anijes së famshme.

    Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra me një anije të madhe, përmbi Titanik, dhe më pas e nisin një zhytje tetëorëshe me nëndetësen Titan, për të arritur në thellësi.

  • Shefi i OKB-së ankohet për “financim të pamjaftueshëm” për ndihma humanitare

    Shefi i OKB-së ankohet për “financim të pamjaftueshëm” për ndihma humanitare

    Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, kritikoi të mërkurën atë që ai e quajti “financim të pamjaftueshëm kronik” të ndihmave humanitare në mbarë globin, pavarësisht nevojave në rritje për ndihma të tilla.

    “Financimi i pamjaftueshëm kronik dhe nivelet rekorde të nevojave humanitare po e çojnë sistemin deri në pikën e thyerjes” i tha Guterres Segmentit të Çështjeve Humanitare të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së.

    Ai shtoi se deri më tani, kur ka kaluar gjysma e vitit, janë marrë vetëm rreth 20 për qind e fondeve të nevojshme për ndihma humanitare sipas Apelit Global Humanitar të OKB-së.

    “Kjo po shkakton një krizë brenda krizës”, shtoi Guterres. “Pa një zgjidhje për krizën e financimit, shkurtimet e mëtejshme janë të pashmangshme”.

    Të hënën, më 19 qershor, donatorët ndërkombëtarë premtuan afro 1.5 miliardë dollarë ndihmë për Sudanin, i cili është goditur nga një krizë e rëndë humanitare që ka bërë që rreth 2.2 milionë njerëz të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.

    Përpara konferencës, një kërkesë e OKB-së për 2.57 miliardë dollarë për ndihma humanitare për Sudanin këtë vit ishte financuar vetëm rreth 17 për qind, ndërsa kërkesa për afro 500 milionë dollarë për refugjatët që largoheshin nga vendi u financua vetëm 15 për qind.

    Muajin e kaluar, dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan edhe për rritje të krizës ushqimore, përfshirë rrezikun e vdekjes nga uria në Sudan, shkaku i luftës dhe në Haiti, Burkina Faso dhe Mali për shkak të kufizimeve në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. /REL

  • Mulolli: Terminologjia për konflikt rajonal është e ekzagjeruar, mund të ndodh vetëm në këtë rast

    Mulolli: Terminologjia për konflikt rajonal është e ekzagjeruar, mund të ndodh vetëm në këtë rast

    Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin A23 në ATV, duke komentuar deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se mund të ketë një konflikt rajonal, tha se ky term është i ekzagjeruar dhe mund të ketë tendencë për të frikësuar Kosovën dhe Serbinë.

    “Sa i përket terminologjisë së përdorur rreth konfliktit rajonal, po mënoj që është paksa e ekzagjeruar dhe është njëfarë tendence pak me e frikësu edhe Kosovën edhe Serbinë se mund të ndodh, mirëpo fatmirësisht për ne, e kemi ende KFOR-in prezentë këtu, një dorë të zgjatur të NATO-s, të cilët e rritën numrin e ushtarëve për shkak të paqëndrueshmërisë së situatës”, tha Mulolli.

    Sipas tij, tendencat për një konflikt rajonal mund të vijnë vetëm në rast të ndonjë eskalimi të skajshëm të Serbisë në bashkëpunim me federatën ruse.

    “Tendencat për ndonjë konflikt rajonal mund të vijnë vetëm në rast të ndonjë eskalimi të skajshëm nga Serbia me bashkëpunimin e federatës ruse të cilët çdo herë janë vigjilent për t’i shfrytëzuar këto situata dhe për të nxitur në eskalim”, theksoi Mulolli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Një muaj paraburgim edhe për Urosh Vukashinoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq

    Një muaj paraburgim edhe për Urosh Vukashinoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq

    Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj Urosh Vukashinoviq, i dyshuar për përfshirje në një rast sulmi ndaj gazetarëve më 16 qershor.

    Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, nënkryetari i Gjykatës së Mitrovicës, Bekim Veliqi.

    Ai tha se dje është mbajtur seanca dëgjimore dhe se masa e paraburgimit është caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, Genc Hasani.

    Ndryshe, më 17 qershor i është caktuar masa e paraburgimit të dyshuarit për sulm ndaj gazetarëve, Nemanja Vllaskoviq, kurse më 19 qershor iu caktua paraburgimi të dyshuarit tjetër, Dalibor Spasiq.

    Vukasinoviq ishte arrestuar më 19 qershor, Vllaskoviq, më 16 qershor 2023, Spasiq u arrestua më 17 qershor.

    Lidhur me arrestimin e tre të dyshuarve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kriminelët që po marrin urdhra për sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë.

  • Mulolli: Nuk mund barazohet rasti i policëve të kidnapuar me vandalët serbë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët

    Mulolli: Nuk mund barazohet rasti i policëve të kidnapuar me vandalët serbë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët

    Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin A23 në ATV, tha se ka indikacione që presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar negocim për shkëmbimin e policëve të kidnapuar me serbët e arrestuar për sulm ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në veri.

    Sipas Mulollit, një krahasim i tillë nuk ka analogji dhe se pala kosovare nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë.

    “Ka disa indikacione që ai ka kërkuar një negocim të tillë përmes kanaleve diplomatike. Unë po mendoj që pala kosovare duhet të jetë jashtëzakonisht e vendosur që të mos pranojë diçka të tillë, sepse nuk ka analogji në mes të kidnapimit të policëve tanë të cilët kanë qenë duke e bërë detyrën e vet zyrtare me veprimet e vandalëve serbë të cilët kanë qenë duke i bërë kundër KFOR-it dhe kundër gazetarëve tanë që kanë raportuar nga atje”, tha Mulolli.

    Ai tha se beson që për këtë, Kosova do të gjejë përkrahje edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

    “Nuk mund të barazohet në asnjë mënyrë pesha e veprës së atyre vandalëve serbë me peshën e tre policëve të cilët kanë qenë duke e bërë detyrën e tyre të patrullimit në atë zonë. Po besoj që do të vazhdojë me u mbajtë kjo linjë nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës. Po besoj se në këtë do të gjejë përkrahje edhe te bashkësia ndërkombëtare sepse nuk ka analogji në mes të burgosurve që gjenden burgjet tona të cilët kanë qenë vandalë dhe tre policëve tanë që mbahen në mënyrë të padrejtë të cilët e kanë bërë detyrën e tyre zyrtare”, tha Mulolli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Lëshohet pulla postare “Lojërat Evropiane – Krakow 2023”

    Lëshohet pulla postare “Lojërat Evropiane – Krakow 2023”

    Posta e Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Lojërat Evropiane-Krakow 2023”, përmes së cilit do t’i përkrahë sportistët e Republikës së Kosovës që do të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive evropiane.

    Lojërat Evropiane të vitit 2023, do të mbahen në rajonin Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Është hera e tretë që Komiteti Olimpik i Kosovës dërgon sportistë kosovarë në lojërat evropiane, pas Baku 2015 dhe Minsk 2019.

    Pamjet e dy pullave postare, siç ka informuar Posta e Kosovës, prezantojnë simbolikisht sportistët kosovarë që do të përfaqësojnë vendin tonë në disa nga disiplinat sportive.

    Ndërkaq, blloku filatelik me gërshetimin e artefaktit të “Vrapueses së Prizrenit” që daton rreth viteve 520 -500 p.e.s., si dhe njërës nga sallat më të mëdha të lojërave, paraqet prezantimin atraktiv të lashtësisë së kultivimit të atletikës në vendin tonë.

    “Ky emision i pullave postare do të jetë në qarkullim postar dhe në dispozicion të konsumatorëve deri në konsumin e plotë. Filatelia e Postës së Kosovës, në vazhdimësi afirmon arritjet e sportistëve tanë, të cilët me talentin e tyre po na bëjnë krenar, duke e lartësuar flamurin e shtetit të Kosovës kudo që po marrin pjesë nëpër botë!”, u bë e ditur në komunikatë.

  • “Ulkonja e Moravës”, kampione e botës në Muay Thai

    “Ulkonja e Moravës”, kampione e botës në Muay Thai

    Shqiptarja Joana Kiptiu e cila ndryshe njihet si “Ulkonja e Moravës” dhe mban gjithsej 6 tituj në Muay Thai, pas tre dite ka ndeshjen në Francë, për titullin kampion Evrope.

    Në një intervistë virtuale për emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV, ajo foli për përgatitjet që po bënë si dhe synimet në karrierë.

    “Ndeshja do të zhvillohet në Francë dhe kundërshtarja është franceze dhe ajo është kampione momentalisht. Normalisht është sfiduese por unë i pëlqej sfidat dhe për këtë arsye edhe e kam zgjedhur këtë sport, që natyrisht kam pasur mbështetjen e familjes, posaçërisht të mamit tim. Jam gjithmonë aktive, nuk shkëputen asnjëherë nga stërvitja dhe për këtë ndeshje kam gati një muaj që po stërvitem dhe e kam studiuar këtë kundërshtare me të gjithë profesorët e mi”, tha ajo.

    “Kam një qellim që në një të ardhme të afërt të shkojë në Thailand, atje ku ka lindur ky sport dhe të ndeshem atje”, shtoi tutje ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Krasniqi: Tensionet nuk do të ulin ardhjen e mërgimtarëve, do të përdoren rrugët alternative

    Krasniqi: Tensionet nuk do të ulin ardhjen e mërgimtarëve, do të përdoren rrugët alternative

    Drejtori i organizatës “Gremin”, Lirim Krasniqi, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se problemet politike mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndikojnë në uljen e ardhjes së bashkatdhetarëve në sezonin e verës, mirëpo sipas tij, atyre do t’u duhet t’i përdorin rrugët alternative dhe të shmangin Serbinë.

    “Nuk e besoj që do të ndodh një gjë e tillë sepse bashkatdhetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se sidomos në raste të krizave, gatishmëria e tyre është edhe më e lartë dhe në këtë rast kur po përballemi me një krizë politike dhe të sigurisë në veri, nuk besoj se kjo do të jetë arsye për mos me ardhë, apo nuk besoj që rrugët e tjera të cilat do ta rrisin koston për 20-30 për qind, do të ndikojnë në vendimet e tyre për të ardhur në Kosovë, sepse ne jemi dëshmitar se lidhja e diasporës me vendin e origjinës është shumë e fortë”, tha Krasniqi.

    Ai tha se jo vetëm në këto tensionet e fundit me Serbinë, por përgjatë gjithë viteve të pasluftës, mërgimtarët që kanë kaluar nëpër serbi janë përballur me trajtime jo të dinjitetshme e shpesh herë edhe çnjerëzore nga policia e Serbisë.

    “Unë besoj se ky është një fat në fatkeqësi, sepse kalimi përmes Serbisë ka qenë i vështirë për krizën politike të cilën e kemi tash. Do të thotë përgjatë gjithë viteve, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më tani, bashkatdhetarët tanë janë përballur me probleme të shumta gjatë kalimit nëpër serbi, probleme të cilat nuk lidhen me siguri por me trajtimin jo të dinjitetshëm dhe çnjerëzor që u është bërë atyre nga ana e policisë serbe”, tha Krasniqi.

    Për këtë sezon, sipas Krasniqit, bashkatdhetarëve do t’u duhet ta përdorin rrugën përmes Kroacisë, apo transportin ajror për të ardhur në vendlindje. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Policia arreston shtatë të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

    ​Policia arreston shtatë të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

    Policia e Kosovës njofton se kanë arrestuar shtatë të dyshuar për veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’.

    Siç njofton policia, dyshohet se personat e arrestuar kanë organizuar kontrabandën me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend transit.

    “Zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve-Departamenti i Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prizren, kanë arrestuar shtatë të dyshuar për veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’. Dyshohet se personat e arrestuar kanë organizuar kontrabandën me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend transit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas policisë të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje.