ATV

Blog

  • Kush është Enrique Riquelme, emri surprizë që po hyn në lojë për president të Real Madridit?

    Kush është Enrique Riquelme, emri surprizë që po hyn në lojë për president të Real Madridit?

    Një nga momentet më të habitshme të konferencës së pazakontë për shtyp të Florentino Perez ishte referenca e tij ndaj një biznesmeni të sektorit të energjisë. Presidenti i Real Madridit nuk hezitoi t’i hidhte provën një kandidati të mundshëm për ta sfiduar atë për këtë pozicion.

    “Po bëj thirrje për aplikime këtë vit, në mënyrë që të ketë kandidatë Ai zotëri që flet me kompanitë e energjisë dhe ka një theks të Amerikës së Jugut, le të kandidojë. Një theks meksikan. Ata thonë se jemi shumë të këqij, se jemi një diktaturë. Le të kandidojë ky zotëri për të cilin po flasim, dhe kushdo tjetër që dëshiron”, pohoi ai.

    Perez po i referohej Enrique Riquelme Vives, drejtorit aktual ekzekutiv të Cox Energy, një kompani spanjolle fotovoltaike diellore që filloi operacionet në vitin 2014 dhe aktualisht ka zyra dhe projekte në Meksikë, Kili, Panama, Kolumbi dhe Spanjë.

    Enrique Riquelme është një sipërmarrës pionier në sektorin diellor të Amerikës Latine , me një prani edhe në Spanjë. Ai është përfshirë në listën e 100 latino-amerikanëve më me ndikim që luftojnë ndryshimet klimatike.

    Ai është një mbështetës i përjetshëm i Real Madridit (duke marrë pjesë në finalet në Milano, Kiev dhe Cardiff). Kompania e tij sponsorizon Ekipin Rafa, ekipin në pronësi të Rafael Nadal që garon në Kampionatin Botëror UIM E1 , gara e parë në botë për jahte elektrike.

    Ai është themeluesi dhe CEO i Grupo Cox , një kompani e fokusuar në ujë dhe energji, veçanërisht burime të rinovueshme, shkripëzimin, ripërdorimin e ujit dhe trajtimin.

    Riquelme u shfaq fuqishëm në skenën e Real Madridit në vitin 2021 , kur lindën spekulime se ai mund të sfidonte Florentino Perez në zgjedhjet e klubit.

    Në atë kohë, ai e paraqiti veten si anëtar i Real Madridit prej më shumë se 20 vitesh , duke shprehur dëshirën e tij për të ofruar një alternativë, megjithëse në fund nuk e bëri këtë hap.

    Ai ishte një nga emrat që shprehën interes për të kandiduar, në një proces ku Florentino Perez u zgjodh përfundimisht pa kundërshtarë.

    Enrique Riquelme, babai i të cilit kishte shërbyer më parë në Bordin e Drejtorëve, përmbush kërkesën për të qenë anëtar i klubit për më shumë se 20 vjet.

  • Punimet në rrjetin e ujësjellësit: Pezullohet mësimi në shkollën “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit

    Punimet në rrjetin e ujësjellësit: Pezullohet mësimi në shkollën “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit

    Shkolla “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit ka pezulluar mësimin këtë të mërkurë, si pasojë e mungesës së ujit.

    Sipas njoftimit zyrtar, në këtë zonë janë duke u kryer punime në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, për çka kjo shkollë thotë se si pasojë e mosfurnizimit me ujë, po cenohet shëndeti i fëmijëve.

    Në njoftim u theksua se mësimi do të pezullohet deri sa të rregullohet rrjeti i ujit.

    “Të nderuar prindër me keqardhje ju njoftojmë se nesër me dt.13.5.2026 e mërkurë pezullohet mësimi në shkollën amë, pasi janë duke u kryer punime në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, gjë e cila cenon shëndetin e fëmijëve, pra mungesa e ujit, andaj në bashkëkordinim me DKA kemi vendosur që mësimi të pezullohet deri sa të rregullohet rrjeti i ujit”, thuhet në njoftim.

  • SHBA ofron deri në 15 milionë dollarë për informacione mbi Gardën Revolucionare

    SHBA ofron deri në 15 milionë dollarë për informacione mbi Gardën Revolucionare

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që lidhen me dërgesat e naftës të lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane dhe rrjetet që lehtësojnë aktivitetet e saj.

    Në një deklaratë të publikuar nga programi “Shpërblime për Drejtësi”, autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje personave që disponojnë informacione mbi transportet e naftës bruto, anijet cisternë të përfshira, kompanitë e përdorura apo individët e lidhur me transferimet e cilësuara si “të paligjshme”, që të bashkëpunojnë me autoritetet amerikane.

    Sipas Washingtonit, Irani prej kohësh përdor rrjete ndërkombëtare transporti dhe ndërmjetësimi për të shmangur sanksionet ekonomike të vendosura nga SHBA-ja dhe për të financuar aktivitete ushtarake si edhe grupe aleate në Lindjen e Mesme.

    Autoritetet amerikane kanë shtuar përpjekjet për të goditur financimin e strukturave të lidhura me Gardën Revolucionare, të cilën SHBA e konsideron organizatë terroriste.

  • Komentet skandaloze për Thaçin nuk e penalizojnë Gecin, Kurti e rikandidon

    Komentet skandaloze për Thaçin nuk e penalizojnë Gecin, Kurti e rikandidon

    Kryetari i VV-së, Albin Kurti, nuk e ka larguar nga lista ish-deputetin, Fatos Geci.

    Ky i fundit në disa deklarata radhazi lutej që Hashim Thaçi të dënohej me burg të përjetshëm. Njërën nga këto deklarata, ai e kishte bërë në seancën e Kuvendit. Ai kishte bërë edhe disa deklarata seksiste në drejtim të Vlora Çitakut të PDK-së.

    Ish-kryeparlamentarja e Albulena Haxhiu, e pati dënuar gjuhën përçarëse dhe seksiste të Gecit.

    Por kreu i VV-së, Albin Kurti kishte thënë se ai nuk ka përgjegjësi pasi Geci është në Listën Guxo.

    Geci do të garojë për deputet me numrin 96.

  • Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq

    Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq

    Lista Serbe ka publikuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    Në listë gjenden 25 kandidatë, ndërsa i pari në listë është Zllatan Elek, kryetar i këtij subjekti. Në listë janë edhe Igor Simiq, Liljana Stevanoviq, Sllavko Simiq e të tjerë.

    Ajo që është risi në këtë listë është Jovana Radosavleviq, e cila gjendet me numrin rendor gjashtë dhe pranë emrit të saj është shënuar se është “mastere e shkencave politike për çështje ndërkombëtare”.

    Radosavleviq deri më tani ishte e njohur si aktiviste lokale në pjesën veriore të Kosovës dhe drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së ( Iniciativa e Re Sociale) , një prej organizatave joqeveritare aktive të komunitetit serb në Kosovë.

    Ajo gjithashtu, pothuajse në të njëjtën kohë me Listën Serbe, ka konfirmuar në rrjetet sociale se po largohet nga sektori civil dhe po hyn në politikë.

    “Pas dhjetë vitesh përpjekjesh përmes sektorit civil, ndiej se ka ardhur momenti të vazhdoj më tej dhe ta vazhdoj atë luftë në një vend tjetër, përmes angazhimit politik, aty ku besoj se mund të kem ndikim më konkret dhe më të drejtpërdrejtë në proceset dhe vendimet që formësojnë jetën e njerëzve”, ka deklaruar ajo.

    Ajo njoftoi gjithashtu se ka lënë pozitën e drejtoreshës ekzekutive të kësaj organizate që e kishte udhëhequr që nga themelimi, duke vlerësuar se vendimi është rezultat i “viteve të përvojës, bisedave, dilemave dhe bindjes së thellë”.

    Sipas mediumit në gjuhën serbe Kossev, ajo nuk ka konfirmuar drejtpërdrejt se po i bashkohet Listës Serbe. Mediumi shkruan se ajo nuk i është përgjigjur mesazhit për ta konfirmuar këtë dhe për të sqaruar motivin e kandidimit në këtë listë, ndërsa nuk i është përgjigjur as thirrjes telefonike.

    Më herët, në zgjedhjet e kaluara, Listës Serbe i ishte bashkuar si kandidat edhe babai i saj, kirurgu Zvonko Radosavleviq, shkruan ky medium.

    Ndryshe, zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen më 7 qershor, ndërsa partitë politike shqiptare kanë deklaruar se nuk duan të bashkëpunojnë me këtë subjekt pas sulmit terrorist në Bansjkë ku përgjegjësinë kryesore e ka pranuar Millan Radoiqiç ish-nënkryetar i kësaj liste i cili vazhdon të mbetet i lirë në Serbi. Kjo listë mbështetet nga pushteti dhe Aleksandar Vuqiç i Serbisë.

  • Marrëveshja për emigrantët me Italinë, Rama: Do të vazhdojë për aq kohë sa vendi fqinj do të dojë

    Marrëveshja për emigrantët me Italinë, Rama: Do të vazhdojë për aq kohë sa vendi fqinj do të dojë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në platformën “X” për marrëveshjen me Italinë për refugjatët, duke u shprehur i prerë se pakti do të vazhdojë “për sa kohë vendi fqinj do të dojë”.

    Ai ka sqaruar se qëndrimi zyrtar i Shqipërisë mbetet i pandryshuar dhe marrëveshja me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi dhe nuk është në diskutim për t’u ndërprerë në mënyrë të njëanshme.

    “Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë”.

    “Më lejoni ta ritheksoj qartë, dhe shpresoj përfundimisht, se protokolli ynë me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi, për aq kohë sa Italia e dëshiron atë.”, është shprehur Rama, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy vendeve vijon normalisht dhe në respekt të marrëveshjes së nënshkruar.

  • Peter Magyar refuzon të jetojë në rezidencën qeveritare dhe nuk do të përdor automjetet qeveritare

    Peter Magyar refuzon të jetojë në rezidencën qeveritare dhe nuk do të përdor automjetet qeveritare

    Peter Magyar, kryeministri i ri i Hungarisë, bëri të ditur se do të përdorë si automjet qeveritar një “Skoda Superb” ngjyrë blu, me të cilën ka udhëtuar edhe gjatë fushatës elektorale.

    Kreu i ri i qeverisë hungareze deklaroi gjithashtu se nuk do të zhvendoset për të jetuar në rezidencën qeveritare, duke preferuar të vijojë jetën në banesën e tij në zonën e Budës, së bashku me fëmijët.

    Magyar është baba i tre djemve dhe, sipas mediave hungareze, ka zgjedhur të ruajë një stil jetese më pranë qytetarëve edhe pas marrjes së detyrës si kryeministër.

  • Publikohen çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme

    Publikohen çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet tavan për derivatet e naftës, që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

    Sipas vendimit të ri, një litër naftë, apo dizel, do të shitet deri në 1 euro e 59 centë, një centë më lirë se një ditë më parë.

    Benzina është caktuar në 1 euro e 49 centë për litër, ndërsa çmimi maksimal i gazit do të jetë 77 centë për litër.

  • E mori me qira në Prishtinë, burri shet veturën në një autoservis në Serbi

    E mori me qira në Prishtinë, burri shet veturën në një autoservis në Serbi

    Një rast jo shumë i zakonshëm ka ndodhur disa ditë më parë në Prishtinë.

    Sipas policisë, një burrë dyshohet se makinën që e mori me qira, e ka shitur në Serbi, transmeton Klankosova.tv.

    Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se njësitet policore janë duke hetuar rastin.

    “Ankuesi mashkull kosovar me 12.05.2026 ka raportuar se, i dyshuari mashkull kosovar me datë 04.05.2026 nga ankuesi kishte marrë me qira veturën me targa vendore dhe sipas tij me të njëjtën veturë dyshohet se pasi është futur në territorin e Serbisë, të njëjtën e ka shitur atje në një auto servis. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e policisë.

  • Miftaraj për listën e VV-së: E mbushur me persona që janë të akuzuar për vepra penale të korrupsionit

    Miftaraj për listën e VV-së: E mbushur me persona që janë të akuzuar për vepra penale të korrupsionit

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj listës së kandidatëve për deputetë që është publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Miftaraj, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se në listën e kësaj partie ka persona që janë të dënuar për vepra penale dhe të akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

    Postimi i tij i plotë:

    Lista e kandidateve te LVV per deputete ishte e mbushur me persona qe jane te denuar per vepra penale dhe te akuzuar per vepra penale te korrupsionit dhe vepra tjera penale.

    Tash paramendo cfare vullneti ka kjo parti me kryer Vettingun ose me miratu Ligjin per Byrone per Konfiskimin e Pasurise se Fituar ne menyre te kunderligjshme. Me konfisku pasurine qe e kane vjedh ne gati shtate vite qe qeversin me vendin.

    Opozita epiqender e fushates parazgjedhore per keto zgjedhje do te duhej te kishte vettingun, ligjin per Byrone, Strategjine per Parandalimin e Korrupsionit. Sa ka pas korrupsion ne vitet e fundit, vetem shikone pasurine e deputeteve, ministrave dhe keshilltareve te LVV.

    Ne vitin 2020 shumica prej tyre rubriken e deklarimit te pasurise e kishte te zbrazet, kurse tani mbi 70% te tyre kane ne pronesi shtepi neper lagje te shtrenjta, banesa, lokale, vetura dhe jete te shtrenjte.

    Me hajna nuk behet shteti.