ATV

Blog

  • ​Erëra me shpejtësi rekorde regjistrohen në Kosovë

    ​Erëra me shpejtësi rekorde regjistrohen në Kosovë

    Erërat e fuqishme që ndodhën të shtunën në Prishtinë, në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror është shënuar shpejtësia e erës më e larta e matur ndonjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

    ASHNA njofton se shpejtësia e erës prej 61.2KT, gjegjësisht 113.3 km/h është regjistruar në ora 14:59 sipas orës lokale.

    “Në shënimet e të dhënave klimatologjike dhe statistikave meteorologjike nga Departamenti Meteorologjik – ASHNA, vërehet se shpejtësia maksimale e erës e matur në ASHNA në të kaluarën ka qenë 44kt apo 81.5 km/h”, thuhet në njoftim.

    Stuhia e shoqëruar me erëra të fuqishme, shi e breshër ka shkaktuar dëme të konsideruara materiale gjithandej vendit tonë.

  • Flamuri amerikan ngrihet në një xhami në Prishtinë, imam Maliqi: Do ta bëjmë traditë

    Flamuri amerikan ngrihet në një xhami në Prishtinë, imam Maliqi: Do ta bëjmë traditë

    Në xhaminë “Bedri Kamberi” në Prishtinë të martën është ngritur flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikë, për nder të 247-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

    Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqi, tha se këtë synojnë ta shndërrojnë në traditë.

    Ai u shpreh se SHBA-ja meriton mirënjohje dhe respekt për të gjithë mbështetjen që ka dhënë për popullin shqiptar.

    “Ne simbolikisht në shenjë respekti, mirënjohje e falënderimi për çdo gjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për ne e po vazhdojnë të bëjnë edhe sot, vendosëm flamurin amerikan në xhaminë tonë, i cili do të qëndrojë 24 orë”.

    “Përjetësisht mirënjohës e falënderues për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në arritjet tona formuese. Shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohet sot popullit të SHBA-së, të cilët kujtojnë këtë datë historike të rëndësishme. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti e bekoftë Kosovën dhe shtetin shqiptar”, tha Maliqi.

    Ai tregoi për KosovaPress se një praktikë të tillë synojnë ta bëjnë të përvitshme.

    “Çdo 4 korrik do ta vendosim flamurin e këtij vendi mik, partner dhe aleat i pazëvendësueshëm për Kosovën”, u shpreh Maliqi.

    Vendosja e flamurit të SHBA-ve në xhaminë në Prishtinë ka ndodhur për herë të parë dhe mendohet të bëhet tradicionale çdo 4 korrik të Pavarësisë së Amerikës.

    4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

    Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

  • Krasniqi i uron amerikanët: PDK mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë e aleancës së shenjtë

    Krasniqi i uron amerikanët: PDK mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë e aleancës së shenjtë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka uruar amerikanët për përvjetorin e pavarësisë.

    Në këtë ditë, Krasniqi tha se rikujtojnë “fjalët e etërve themelues të këtij shteti” si dhe “parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë”.

    Kreu i opozitës shkroi se PDK-ja mbetet “tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona”.

    Postimi i plotë i Memli Krasniqit:

    Për të gjithë popullin dhe institucionet amerikane, sidomos për amerikanët që punojnë e shërbejnë në Kosovë – Urime Dita e Pavarësisë!

    Në shënimin 247 vjetorin të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikujtojmë fjalët e etërve themelues të këtij shteti dhe parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë.

    Këto vlera, mbi të cilat është fuqizuar SHBA – vendi që është fanar dhe garantues i demokracisë në botë, njëkohësisht vendi më mik i Kosovës, shërbejnë si udhërrëfyes për paqe dhe barazi kudo në botën demokratike.

    Përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi u finalizuan suksesshëm me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve. Me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës. Para, gjatë dhe pas luftës për liri. Edhe sot e kësaj dite!

    PDK mbetet tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona. Gëzuar 4 Korrikun!

  • Putin shfaqet për herë të parë në skenën botërore që nga rebelimi i Wagner

    Putin shfaqet për herë të parë në skenën botërore që nga rebelimi i Wagner

    Udhëheqësit botërorë duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, udhëheqësin kinez Xi Jinping dhe presidentin iranian Ebrahim Raisi u takuan sot në një samit virtual të liderëve euroaziatikë, të organizuar nga kryeministri indian Narendra Modi.

    Mbledhja njëditore në internet e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) shënon herën e parë që Putini është shfaqur në skenën botërore në një samit ndërkombëtar që kur ndodhi një rebelim i armatosur nga grupi mercenar Wagner në fund të muajit të kaluar – i parë gjerësisht si më i një kërcënim i rëndësishëm për pushtetin e tij me të cilin ishte përballur autokrati.

    Samiti pritet t’i ofrojë Putinit një skenë për të projektuar një imazh të pushtetit dhe për të siguruar partnerët e Moskës – dhe në vazhdimësi edhe botën – se ai mbetet në mënyrë të vendosur nën kontroll, shkruan CNN.

    Është gjithashtu një mundësi për organin e themeluar nga Kina dhe Rusia të zgjerojë shtrirjen e tij – me përfshirjen e pritshme të Iranit dhe një hap drejt mirëseardhjes së aleatit të vendosur të Moskës, Bjellorusisë – zgjerimi i dytë në historinë më shumë se dy dekadash të grupit.

    Modi në fjalën e hapjes vlerësoi SCO si një “platformë të rëndësishme për paqen, prosperitetin dhe zhvillimin në të gjithë rajonin e Euroazisë”.

  • Ndahen rreth gjysmëmilioni euro grante për gratë fermere në Ferizaj

    Ndahen rreth gjysmëmilioni euro grante për gratë fermere në Ferizaj

    Komuna e Ferizajt deri në fund të këtij viti do të ndajë rreth gjysmëmilioni euro grante për gratë fermere.

    Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu ka njoftuar se 150 000 euro u janë shpërndarë ditë më parë grave fermere.

    “Si rrjedhojë e bashkëpunimit të Drejtorisë së Bujqësisë me organizatën BMZ, deri në fund të këtij viti përtej skemës së mbështetjes me subvencione nga Komuna, gratë fermere do të përfitojnë grante në vlerën afro 450,000 euro për të zhvilluar veprimtarinë e tyre bujqësore, 150,000 euro prej të cilave u shpërndanë ditë më parë, gjersa pjesa tjetër shpërndahet deri në fund të vitit”, ka shkruar Aliu në “Facebook”.

  • OKB me mbledhje urgjente për djegien e Kuranit

    OKB me mbledhje urgjente për djegien e Kuranit

    Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara në ditët në vijim do të mbajë një takim urgjent për të adresuar incidentet e fundit të djegies së Kuranit në Evropë, tha një zëdhënës i Këshillit.

    “Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së do të mbajë në takim urgjent për të diskutuar për aktet e paramenduara të urrejtjes fetare, siç u manifestua me përdhosjen e Kuranit të shenjtë në disa shtete evropiane”, tha zëdhënësi Pascal Sim.

    Kjo mbledhje është thirrur nga Pakistani, që ka parashtruar kërkesën në emër të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

    Më 28 qershor, një irakian shqeu disa fletë dhe më pas dogji librin e Kuranit para një xhamie në Stokholm të Suedisë.

    Ai kishte marrë leje për protestën para xhamisë dhe protesta përkoi me nisjen e Festës së Kurban Bajramit.

    Salwan Momika tha se kishte kërkuar leje nga policia për të djegur Kuranin, për “të shprehur mendimin tim për Kuranin”.

    Kjo protestë nxiti reagim të ashpër nga shtetet myslimane në mbarë botën.

    Kjo nuk është hera e parë që në Stokholm mbahen protesta në të cilat është lejuar djegia e Kuranit. Në janar, në Stokholm një person dogji Kuranin, që çoi në reagim të ashpër të Turqisë.

    Ky incident thelloi mospajtimet mes Ankarasë dhe Stokholmit, teksa Turqia ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO. /REL

  • Lëvizja Vetëvendosje godet opozitën me një video

    Lëvizja Vetëvendosje godet opozitën me një video

    Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video, ku e godet opozitën, derisa në fund të videos shfaqet Kurti duke thënë “me koordinim a pa koordinim?”.

    Në video përmenden “Zajdenica”, liberalizimi i vizave, marrëveshja e Uashingtonit, marrëveshjet ndërkombëtare, zgjedhjet e reja në veri, inflacioni.

    “Qytetarët nuk janë të izoluar, por hajnat e dikurshëm janë izoluar jashtë pushtetit”, thuhet ndër të tjerash në video.

    “Opozita flet për izolim ndërkohë që sa ishte në pushtet fali tokë, nënshkroi ‘Zajednicë’, shiti e vjedhi pasuri publike duke na mbajtur për 20 vjet të izoluar. Flet për fonde, tash kur i mbanë 150 milionë euro të bllokuara duke mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend. Flet për çmime të larta ndërkohë që e ka dërguar ligjin për çmimet tavan në Gjykatë Kushtetuese. Mirë që kjo opozitë nuk është në qeveri se do e dorëzonin vendin para Serbisë siç dëshmuan së fundi me kërkesën e tyre (të njejtë me Serbinë) që të largohen kryetarët legjitim nga objektet komunale në pjesën veriore dhe të organizohen zgjedhje të reja.”, thuhet në postim.

    Pasi BE vendosi masa kundër Kosovës, PDK ka vendosur që të shkëpusë komunikimin me Kurtin dhe Osmanin dhe kanë kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkaq, LDK ka marrë vendim që t’i bojkotojë mbledhjet e kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

  • Kurti uron 4 Korrikun, e quan të përjetshme aleancën me ShBA-në

    Kurti uron 4 Korrikun, e quan të përjetshme aleancën me ShBA-në

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditën e pavarësisë, 4 Korrikun.

    Përmes një cicërime në Twitter, Kurti ka shkruar se aleanca e Kosovës me SHBA-në është vlerë e shprehur në deklaratën e pavarësisë së këtij shteti.

    “Deklarata 🇺🇲e Pavarësisë përmban një nga vizionet më të fuqishme të lirisë dhe barazisë të njohura në botë. Ai vizion – dhe vlerat e përbashkëta që ajo shpreh – përbëjnë themelin e aleancës së kombeve tona. Ashtu si ai vizion është i përjetshëm, po ashtu është edhe aleanca. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shkruar Kurti.

  • ​Holanda dhe Luksemburgu të gatshme për të ndihmuar Kosovën në deeskalimin e situatës

    ​Holanda dhe Luksemburgu të gatshme për të ndihmuar Kosovën në deeskalimin e situatës

    Holanda e Luksemburgu kanë shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë Kosovën në deeskalimin e situatës. Homologët e kryeministrit Albin Kurti, nuk kanë bërë fajtorë asnjërën palë për këtë situatë, veçse kanë deklaruar se duhet të zbatohet udhërrëfyesi i Bashkimit Evropian. Mark Rutte dhe Xavier Bettel thanë se duhet të ketë fokus në procesin hap pas hapi dhe se nuk do të ketë fitues në fund, në rast të konflikteve.

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se është bërë gabim i madh kur nuk është nënshkruar marrëveshja bazë, për çka konsideroi se kjo ka hapur derën për shkelje dhe mosimpelementim marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi i 18 marsit.

    “Lajmi i mirë është se kemi një marrëveshje dhe kjo duhet të vlerësohet sepse kjo është mundësuar nga BE, nën patronatin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian dhe kemi arritur një marrëveshje, ishte e paimagjinueshme dy vite më parë… Çdo student që studion shkenca politike ose marrëdhënie ndërkombëtare i lexon këto 11 pika të marrëveshjes bazë do të vijnë në përfundim që kjo është një njohje de-facto. Gjithsesi, vështirësitë që kemi është mungesa e implementimit dhe besoj se mungesa e implementimit të fillojë duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky është një gabim i madh sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes e ka hapur derën për shkeljen apo implementim. Çka duhet është implementim i shpejt i të gjitha pikave, pa parakushte apo vonesa”, deklaroi Kurti para gazetarëve.

    Kryeministri holandez, Mark Rutte theksoi se nuk duhet të drejtohet gishti tek fajtori për tensionimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se të dyja palët duhet t’i përmbahen udhërrëfyesit të BE-së.

    “Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin tek fajtori, Kosova apo Serbia. Sepse kjo nuk ndihmon situatën. Dëshirojmë të jemi ndihmues dhe të kthehemi tek hapat e mërzitshëm, tek qasja hap pas hapi. Në shkurt kemi pasur një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga Gjermania dhe Franca dhe Komisioni Evropian dhe të punojmë në të gjithë ata hapa. Duhet të sigurojmë që të gjitha palët do të përmbushin propozimet e veta. Pajtohem me ju se çdo gjë nuk është implementuar”, tha kryeministri holandez.

    Rutte shtoi se kanë pasur diskutime të gjata në Beograd dhe Prishtinë për deeskalimin e situatës. Po ashtu, theksoi se janë të gatshëm që të ndihmojnë në Kosovën.

    “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse mundemi, në të ardhmen e afërt por aspekti kryesor duhet të udhëhiqet nga Borrell. Isha shumë i lumtur në shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritëm një marrëveshje bazë, si të lëvizim përpara dhe bazuar në të ishim në Maqedoninë Veriore kur u vendos për implementimin e saj. Por, që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe duhet të fokusohemi në çështjen e deeskalimit dhe në udhërrëfyesin e BE-së dhe besoj që kjo është më e mira. Duhet të kthehemi në proces, një proces hap pas hapi dhe ndoshta duket i mërzitshëm por pjesa e mërzitshme… duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë te përpiktë dhe të punojmë në mënyrë të drejtë. Në udhërrëfyesin evropian duhet të merren nga të dyja palët dhe deeskalimet duhet të jenë nga të dyja palët. Jam optimist se mendjet e ftohta do të mbizotërojnë” tha ai.

    Edhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel u shpreh se duhet të fillohet të punohet në udhërrëfyesin e BE-së.

    “Stabiliteti është në interes të të gjithëve. Unë mund të përkrah kryeministrin Kurtin, presidenten Osmanin, zotëri Vuçiq dhe zonjën Bërnabiq që t’i përmbahen këtij udhërrëfyesi të BE-së. Nuk do të ketë fitues në fund nëse ka konflike”, u shpreh ai.

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet gjatë pasdites me emisarin evropian, Miroslav Lajçak. /kp

  • ​Situata në veri, ZKA dështon në zhvillimin e auditimit në katër komunat veriore

    ​Situata në veri, ZKA dështon në zhvillimin e auditimit në katër komunat veriore

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dështuar të zhvilloi auditimin në katër komunat e veriore të Kosovës.

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë prezantimit të çështjeve kryesore të paraqitura në raportet e auditimit për vitin 2022, ka thënë se për shkak të situatës së krijuara në veri, ZKA nuk ka arrit të bëjë auditimin në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

    Situata në veri ishte tensionuar pasi zyrtarët serbë në atë pjesë të Kosovës më 7 nëntor kishin vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve që kishin targa serbe.

    Në konferencën për media, Auditorja e përgjithshme, Spanca ka theksuar se nga 97 opinione të dhëna, 39 janë të modifikuara që do të thotë se janë opinione jo të mira.

    “Në kuadër të auditimeve mandatore me ligj nga auditimet e rregullsisë nga 101 entitete publike janë mbuluar 97 prej tyre. Ju njoftoj se për katër komunat veriore, komunën e Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potok dhe Zveçan, ne edhe pse kemi iniciuar auditimin, për shkak të rrethanave të krijuara nuk kemi mundur të zhvillojmë auditimin”, theksoi Spanca.

    Auditorja e përgjithshme ka theksuar po ashtu se krahasuar me një vit më parë rezulton se cilësia e raportimit financiar është përmirësuar dhe ka zvogëlim të numrit të opinioneve të modifikuara.

    “Për secilin entitet publik, ne kemi dhënë individualisht opinione të auditimit. Nga 97 opinione të dhëna, 58 janë të pamodifikuara që do të thotë se janë 58 opinione të mira, ndërsa 39 janë opinione të modifikuara që do të thotë se janë opinione jo të mira. Mbi këtë bazë 51 raporte të auditimit financiar të pajtueshmërisë që ka të bëjë me institucionet qendrore, përkatësisht ministri dhe institucione të pavarura janë dhënë 39 opinione të pamodifikuara, 12 opinione të modifikuara përkatishst të kualifikuara. Në 34 komuna kemi dhënë 16 opinione të modifikuara përkatësisht të kualifikuara, 18 opinione të pamodifikuara, ndërsa tek 12 ndërmarrjet publike janë dhënë 8 opinione të kualifikuara, 3 opinione të kundërta dhe 1 opinion i pamodifikuara për pasqyrat vjetore financiare. Krahasuar me një vit më parë ka rezulton se cilësia e raportimit financiar është përmirësuar. Kemi zvogëlim të numrit të opinioneve të modifikuara si 7 tek institucionet qendrore dhe 6 tek institucione lokale, theksoi Spanca.

    Megjithatë, Spanca ka thënë se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar të kontrollit.

    “Rezultatet tona kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar të kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa prej atyre që janë kyçe. Në fushën e prokurimit public, në auditimet e vitit 2022 janë identifikuara gjithsejtë 198 gjetje që përfshinë kryesisht investimet kapitale dhe mallra e shërbime, si dhe janë evidente kryesisht tek ministrit dhe komunat”, theksoi ajo.

    Sipas Auditores së përgjithshme prej 97 auditimeve, 51 i takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrje publike përfshirë këtu edhe Radio Televizionin e Kosovës. /Kosovapress/