ATV

Blog

  • Lajçaku në Presidencë, takohet me Osmanin

    Lajçaku në Presidencë, takohet me Osmanin

    Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçak, është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmanit, raporton Ekonomia Online.

    Ai do të pritet në takim edhe nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se Lajçaku, me kërkesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të qëndrojë në Kosovë dhe në Serbi pas situatës në veri.

  • Presidenti i Këshillit Evropian takohet me kryeministren serbe, kërkon de-eskalim të situatës në veri

    Presidenti i Këshillit Evropian takohet me kryeministren serbe, kërkon de-eskalim të situatës në veri

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka njoftuar se është takuar me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

    Michel në një shkrim në Twitter, tha se në këtë takim u diskutua për nevojën e deeskalimit të situatës në veri.

    Veç kësaj, ai ka bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq: mesazh i qartë i Këshillit Evropian për nevojën për deeskalim të menjëhershëm të situatës në veri dhe vazhdim të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vendimtare që Serbia t’i vazhdojë reformat për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ai.

  • Konfirmohet: Primoz Gliha do ta drejtojë kombetaren e Kosovës

    Konfirmohet: Primoz Gliha do ta drejtojë kombetaren e Kosovës

    Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e sotme ka emëruar ekipin e trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024.

    KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards.

    Kujtojmë se ndeshjen e parë si trajneri i Kosovës do ta zhvillojë me nëntë shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, ndaj Zvicrës në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’. /atvlive.tv

  • Statovci reagon pas deklaratës së Ruttes: Pse ka masa ndaj Kosovës, a e ka humbur BE pozicionin?

    Statovci reagon pas deklaratës së Ruttes: Pse ka masa ndaj Kosovës, a e ka humbur BE pozicionin?

    Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka reaguar pas konferencës së dy kryeministrave të Holandës dhe Luksemburgut, që u mbajt sot në Prishtinë, lidhur me pozicionin e Bashkimit Evropian karshi zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor.

    Statovci komentoi deklaratën e kryeministrit holandez, Mark Rutte, i cili tha se në momentin që BE fillon të gjejë fajtorin, “atëherë e humbim pozicionin tonë.”

    Sipas saj, nëse ka masa ndaj Kosovës, a do të thotë se Bashkimi Evropian e ka humbur tashmë pozicionin.

    Postimi i plotë:

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha “Keni bërë premtime të dyja palët, e di se ka çështje të ndjeshme Në momentin që BE fillon të gjejë fajtorin, atëherë e humbim pozicionin tonë. Dëshirojmë që gjithë Ballkani Perëndimor të jetë më i suksesshme”

    Pajtohem me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, në idenë e tij për neutralitet nga BE në procesin e ndërmjetësimit të negociatave Kosovë-Serbi. KM Rutte tha se “në momentin që BE fillon të gjejë fajtorin, atëherë e humbin pozicionin tonë’’.

    Atëherë përse kemi masa ndaj Kosovës? Dhe, sipas këtij parimi, a do të thotë kjo se BE ka humbur pozicionin e saj?

  • BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

    BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

    Kosova, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

    Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Federata boshnjako-kroate.

    Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Vlera e përgjithshme e kornizës është 2.1 miliardë euro.

    Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së.

    Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte thënë se kishte aplikuar edhe për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk kishte specifikuar më shumë në lidhje me to.

    Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë prej 1.8 miliard eurosh.

    Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

    Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

    Mali i Zi me projekte “të papërshtatshme”

    As Mali i Zi nuk ka përfituar grantet e bllokut, pasi projektet e paraqitura nga Podgorica, nga Komisioni Evropian janë parë si “parakohshme dhe të papërshtatshme”.

    “Mali i Zi ka paraqitur projekte investimi në fushën e energjisë, mjedisit dhe transportit që janë vlerësuar nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor si të parakohshme për financim ose të papërshtatshme për financim”, konfirmoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për mediat.

    Ajo shtoi se shpreson që Podgorica të vazhdojë me përgatitjen dhe maturimin e këtyre propozimeve për investime për paraqitjen e serishme të tyre në thirrjet e reja në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

    Pisonero konfirmoi gjithashtu se Mali i Zi përfiton nga tri projekte të asistencës teknike, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, në kuadër të kësaj thirrjeje për përgatitjen e investimeve në sektorët e transportit dhe energjisë.

    Më 30 qershor, KE-ja kishte njoftuar për miratimin e 14 projekteve kryesore investuese në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzor dhe mbështetjes për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.

    Entiteti serb s’përfiton asnjë grant

    Grante në vlerë prej 303 milionë eurosh janë miratuar edhe për projektet infrastrukturore në Bosnje e Hercegovinë. Por, të gjitha grantet do të përqendrohen në Federatën boshnjake-kroate dhe jo në entitetin e Republikës Sërpska.

    Grantet, pjesë e paketës së investimeve prej 2.1 miliardë dollarësh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojnë disa projekte, përfshirë ndërtimin e dy seksioneve të autostradës panevropiane që lidh Budapestin me portin kroat të Plloçes.

    Projektet e tjera në Bosnje, që do të mbështeten nga këto grante, kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë në Sarajevë dhe rehabilitimin e një pompe depozituese në një hidrocentral në jug të shtetit.

    Bashkimi Evropian e kishte paralajmëruar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, që të ndalë retorikën secensioniste dhe lëvizjet që minojnë shtetin e Bosnjës.

    Delegacioni i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse nuk janë mbështetur projektet në Republikën Sërpska.

    Fondet e miratuara janë mbi gjysma e 528 milionë eurove që janë miratuar për rajonin në formë të granteve nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), së bashku me disa kontribute të shteteve të bllokut dhe Norvegjisë, por edhe kreditë nga institucionet ndërkombëtare financiare. /rel

  • Njihuni me DJ Amire, e veçantë në tregun, sfidat dhe përparësitë e këtij profesioni!

    Njihuni me DJ Amire, e veçantë në tregun, sfidat dhe përparësitë e këtij profesioni!

    Amire Selimi gjithnjë e kishte dashur dhe pëlqyer jetën e natës, muzikën, argëtimin e kjo edhe më shumë e ka drejtuar në rrugën e të qenit DJ.

    Ndonëse kjo punë deri para pak vitesh nuk ishte menduar për vajzat dhe gra në vendin tone.

    Kishte filluar nga viti 2019, që kur pa paralajmërim por me shumë dëshirë bleu pajisjet e para të cilat nevojiteshin për punën e saj si DJ.

    “Ëndrrën për të qenë një Dj e kam pasur si fëmijë por nuk e kisha gatishmërinë që t’ia filloj. Në këtë punë kam filluar që nga viti 2019, derisa në treg jam inkuadruar vitin e kaluar. Në fillim nuk e kanë prit mirë sepse nuk u është dok diçka e zakonshme, e kanë prit pak me çudi dhe më kanë thënë se mundesh me u paragjykua, d.m.th. në fillim nuk kam pasur edhe shumë mbështetje por tani përkrahjen më të madhe e kam nga familja “, tha ajo.

    Ambiciet e saj për të vazhduar punën pa u ndalur e mbajnë atë shumë aktive edhe me mbrëmjet në të cilat performon në të gjitha qytetet e Kosovës.

    Por këto nuk janë planet e saja të vetme, Amirja po punën në një projekt i cili së shpejti do ta dërgoje ne Amerikë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Stano: Lajçak në Prishtinë, për të gjetur rrugën për de-përshkallëzimin e situatës

    ​Stano: Lajçak në Prishtinë, për të gjetur rrugën për de-përshkallëzimin e situatës

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano theksoi se menjëherë duhet të ndodhë de-përshkallëzimi i situatës.

    Stano tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak po viziton Kosovën për të gjetur përfundimisht rrugën e shtensionimit të situatës dhe të ketë kthim të bisedimeve për normalizim në kuadër të dialogut.

    Në konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano tha se Lajçak në vazhdimësi po udhëton në rajon edhe në kuadër të frymës së diskutimeve të Këshillit Evropian.

    “Kjo vizitë specifike është vazhdim i Këshillit Evropian. Këshilli Evropian, siç e dini, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së po diskutonin për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ata kërkuan për deeskalim të shpejtë, pra kjo është në frymën e diskutimeve të Këshillit Evropian dhe konkluzioneve të Këshillit se Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak që të udhëtojë si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd për t’i çuar çështjet përpara për të gjetur përfundimisht rrugën për të de-përshkallëzuar dhe të mos kemi përshkallëzim, të mos jemi dëshmitarë të tensioneve të vazhdueshme, por të de-përshkallëzojmë dhe në fund të kthehemi te bisedimet për normalizim në kuadër të dialogut”, ka thënë ai.

    Sipas tij, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së u kanë bërë thirrje dy palëve për de-përshkallëzimin e situatës. Ai shtoi se aktualisht nuk janë krijuar kushte për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut.

    “Ky është pikërisht objektivi dhe qëllimi i të gjitha aktiviteteve që po zhvillohen tani. Kështu, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së, të organit më të lartë vendimmarrës të Bashkimit Evropian, u kanë bërë thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë, të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzim. Ata gjithashtu përshkruajnë se çfarë pritet të bëjnë të dyja palët, dhe vizita e Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, në rajon, vizitat e liderëve individualë nga shtetet anëtare në rajon po e çojnë përpara këtë. Ata janë aty për të krijuar atmosferën ku të dyja palët më në fund do të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe t’i kthehen dialogut. Kjo do të thotë de-përshkallëzim i menjëhershëm, renditja e hapave siç është përshkruar më parë dhe më pas zgjidhja e situatës, zvogëlimi i tensioneve dhe kthimi në punën normale për dialogun. Pra, sigurisht që në një moment do të mbahet takimi i ardhshëm i dialogut, por për këtë nuk janë krijuar kushtet tani, ne kemi ende këtë fazë ku duhet të çojmë përpara atë që u diskutua në Këshillin Evropian, prandaj përfaqësuesi i lartë Lajçak është sot në Prishtinë dhe më vonë do të jetë në Beograd”, shtoi ai.

    Tutje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian theksoi se fokusi duhet të jetë që menjëherë të depërshkallëzohet situata.

    “Tani për tani, siç thashë, prioriteti është tek vendimi i liderëve të 27 shteteve anëtare të BE-së, në konkluzionet e Këshillit Evropian prioritet është de-përshkallëzimi i menjëhershëm, kështu që le të mos fokusohemi në atë që mund të ndodhë, tani duhet të fokusohemi në lidhje me atë që duhet të ndodhë menjëherë dhe ajo që duhet të ndodhë menjëherë është de-përshkallëzimi, ndaj duhet të shohim hapa që të çojnë në de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe urgjent, kjo është pikërisht ajo që po diskutohet si vazhdim i Këshillit Evropian nga Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak në Prishtinë tani dhe në Beograd më vonë”, shtoi ai.

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak gjatë pasdites do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /KP

  • Nagavci: Nxënësit do ta kenë lëndë zgjedhore Edukimin për Siguri, menaxhimi i testeve më i mirë se vitet paraprake

    Nagavci: Nxënësit do ta kenë lëndë zgjedhore Edukimin për Siguri, menaxhimi i testeve më i mirë se vitet paraprake

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për medie foli për punën që ka bërë Ministria përgjatë muajit qershor, raporton EO.

    Ajo ka bërë të ditur se shumë shpejt nxënësit do ta kenë lëndë zgjedhore Edukimin për Siguri. Gjithashtu Nagavci ka treguar se është mbajtur testi i arritshmërisë për të cilin njoftoi se do dilnin raporte mbi mbarëvajtjen e tij.

    Përderisa për maturën shtetërore tha se menaxhimi ka qenë më i mirë se vitet paraprake.

    “Më lini të filloj me publikimin e rezultateve të maturës shtetërore ku kalueshmëria ka qenë 66.04%. Provimi i dytë do mbahet në afatin e gushtit. Në krahasim me vitet e kaluara menaxhimi ka qenë më i mirë. Sigurisht që ka nevojë për punë të mëtutjeshme për të ndaluar kopjimin”, tha ajo.

    “Në javën e kaluar besoj se keni parë që kemi marrë pjesë në programin Monitorimi në Siguri. Pos bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Arsimit kemi bashkëpunuar edhe me Forcat e Sigurisë”, u shpreh ministrja.

    “Si dhe do vendosim si lëndë zgjedhore ‘Edukimin për Siguri’ për t’i njoftuar të rinjtë mbi atë se çka nevojitet për siguri. Si dhe është miratuar ligji për Agjencinë e Akreditimit. Do veçoja edhe Udhëzimin për këshilltarët për karrierë në shkolla të mesme të larta dhe nëpër gjimnaze. Këshilltari për karrierë ka rëndësi tejet të madhe për të ndërtuar vetëbesimin e nxënësve dhe për të krijuar mundësi suksesi për ta”.

    “Çmimin e Shkencëtarit të vitit e ka fituar Valbona Mehmeti, çmim që është shpallur në muajin qershor. 170 mijë euro i kanë përfituar 7 organizata të cilat merren me identifikimin dhe avancimin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme. Nxënësve që do garojnë në Olimpiadën e Matematikës në Tokio u janë ndarë tetë mijë euro të cilëve i’u uroj shumë sukses siç i uroj çdo nxënësi që përfaqëson Kosovën në gara të tilla”, u shpreh Nagavci.

  • Konjufca uron 4 Korrikun: Vetëm njëherë kur triumfon demokracia, hapet një epokë

    Konjufca uron 4 Korrikun: Vetëm njëherë kur triumfon demokracia, hapet një epokë

    Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka uruar 4 Korrikun me rastin e Ditës së shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së.

    Ai thotë se historia e SHBA-së deri në ditën e shpalljes së mëvetësisë, është një lavd i demokracisë dhe triumfit të saj.

    Tutje Konjufca shprehet se ‘tiranitë apo autokracitë mund të fitojnë qindra herë dhe asgjë nuk do të ndryshojë në thelb, por vetëm njëherë kur triumfon demokracia, hapet një epokë’.

    ”Gëzuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së!

    Më 4 Korrik të 1776, SHBA shpall mëvetësinë dhe fillon rrugëtimin e saj të drejtësisë, mundësive të barabarta dhe demokracisë.

    Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ardhja deri te dita e shpalljes së pavarësisë së saj është një lavd i demokracisë dhe triumfit të saj. Në histori njihen më pak fitore nga ata që u përpoqën për liri dhe barazi, në krahasim me sa të tilla numërojnë ata që për synim kishin krijimin dhe ruajtjen e gjendjes shtypëse. Tiranitë apo autokracitë mund të fitojnë qindra herë dhe asgjë nuk do të ndryshojë në thelb, por vetëm njëherë kur triumfon demokracia, hapet një epokë.

    Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënonte fitoren në ardhje jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për të gjithë botën, e cila do të futej në procesin e gjatë dhe të pakthyeshëm drejt vlerave universale që promovoi ajo deklaratë pavarësie dhe që kultivuan institucionet amerikane të ngritura mbi ato themele.

    Shembulli i atij akti politiko-juridik, që u shoqërua pandashëm nga një gamë e gjerë e formave të pjesëmarrjes së popullit amerikan në betejën për pavarësim, është edhe sot shembulli më frymëzues i suksesit të demokracisë dhe i faktit të qartë se ajo është zgjidhja e vetme, e drejtë po aq sa efiksase, për paqe dhe përparim afatgjatë.

    Gëzuar 4 Korrikun, kombit amerikan, gjithë botës demokratike dhe atyre që përkasin në vlerat e saj!”.

  • Gjykimi ndaj Pjetër Shalës vazhdon më 21 gusht

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës vazhdon më 21 gusht

    Në seancën e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i dhjetë me radhë, eksperti William Goodwin ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës dhe me këtë seancat e tjera për këtë javë janë anuluar dhe gjykimi do të vazhdojë më 21 gusht 2023.

    Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe ekipit të mbrojtjes së Shalës dhe disa në pyetje të mbrojtësit të viktimave Simon Laws, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, prokurori Filippo De Minicis e pyeti ekspertin për formimin e tij profesional, ku ai e ka përshkruar veten si gjenetis mjeko-ligjor, që merret me aplikimin e biologjisë molekulare për identifikim të provave që mbeten në vendimin e krimit apo përcaktimin e lidhjes mes personave që jetojnë dhe personave të vdekur.

    Ai më tutje pohoi se i është kërkuar të vërtetohen dy ADN të identifikuara dhe tha se është i njohur me metodologjinë e përdorur në dy raportet.

    Atij iu paraqitet dy raportet e përgatitura nga ai, i korrikut 2021 dhe ai i vitit 2023, me ç’rast konfirmoi se janë hartuar nga vetë ai si dhe konfirmoi nënshkrimin e tij.

    Nga raporti i parë, prokurori i lexoi një pjesë të analizës dhe atë se ‘‘analiza e kromozomit Y i shton peshë hipotezës se subjekti A është babai biologjik i personit nga i cili është marrë kampioni i kockës ose të paktën lidhet nga lidhja e babait’’.

    Më tej prokurori pyeti ekspertin se pasi që më 27 qershor 2023 i janë dhënë të dhënat e përdorura të kromozomit Y, a i kishte parë këto të dhëna, ai u përgjigj me ‘‘po’’.

    Po ashtu, përgjigja ‘‘po’’ e dëshmitarit ishte edhe kur iu bë pyetja se pas analizimit a është ende i mendimi se analiza e kromozomit Y i shton peshë hipotezës se subjekti A është babai biologjik i personit nga i cili është marrë kampioni nga kocka.

    Eksperti Goodwin sqaroi se kromozomi Y sillet ndryshe nga kromozomet tjera, prandaj edhe jep rezultate të kombinuara dhe mënyra si bëhet kjo varet shumë nga komuniteti mjeko-ligjor dhe fakti se ky kromozom nuk shikon thjesht marrëdhënien mes fëmijës dhe babait, por edhe fëmijëve dhe të afërmeve tjerë.

    Mënyra për të vlerësuar dhe metoda e pranuar sipas tij është baza e të dhënave YHRD, ku lidhur me raportin e gjasave nëse do bëhej kombinimi i tij, të jepet në raportin e laboratorit çek dhe përllogaritjes së kromozomit Y me qasje konservatore, rezultati sipas tij del 1 me 180.

    Po ashtu, ai tha se ka shprehës gjuhësor të proporcionit të ngjashmërisë që lehtësojnë mënyrën e interpretimit.

    Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Leto Cariolou, eksperti pohoi se mund të jetë i mundur supozimi se sasia e ADN-së ka qenë e vogël dhe e dëmtuar në raportin e analizuar të 2009-ës.

    Tutje, Goodwin tha se mund të jetë e mundur të ketë humbje të të gjithë treguesve apo humbje të pjesshme kur u pyet se a mund të konfirmonte që sasia e vogël dhe e dëmtuar e ADN-së mund të çonte në dështimin e gjetjes së disa aleleve të pranishme në ADN.

    Eksperti Goodwin sqaroi se rënia e aleleve është në rastet kur ata duhet t’i shohin, por që nuk i shohin ose për shkak se kanë qenë të dëmtuara apo s’ka pasur sasi të mjaftueshme të ADN-së.

    “Ka raste kur alelet nuk janë të pranishme në këtë profil’’, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a konfirmon se kur ka rënie të aleleve mund të ketë profil të gabuar të ADN-së.

    Ai tha edhe se varet nga treguesit e ADN-së a janë të pranishëm në ADN e që mund të ndikojnë në çështjen e pragjeve për dallim të aleleve.

    I njëjti u pyet edhe lidhur me rastet e paraqitura në tabelë të raportit nëse mund të përjashtohet apo konfirmohet lidhja prindërore me të dhënat e paraqitura aty.

    Për rastin e parë ai tha se ‘‘nuk përjashton paternitetin, lidhjen nga ana e babait, këto tregues kanë një shkallë të lartë të mutacionit…’’.

    Për rastin e dytë tha se do të ketë mospërputhje e cila duhet marrë parasysh kur bëhet përllogaritja dhe se nëse janë të mëdha, sipas tij probabiliteti për ngjashmëri është i ulët e po ashtu edhe për rastin e tretë dhe do të bëhet fjalë për mospërputhje që duhet marrë në përllogaritje.

    Në vazhdim, kur u pyet se në alelet që nuk janë të pranishme në profilet e babait dhe nënës, a do vinte në përjashtim të farefisnisë, Goodwin tha se mund të ndodhë ajo.

    I pyetur nëse në këto raste është e mundur të ketë loguse heterozigotes që janë interpretuar në mënyrë të gabuar si homozigotes, eksperti tha se kjo gjë është e mundur, por do shtonte rezervën që laboratori ta ketë marrë parasysh një gjë të tillë.

    Më tej, avokatja Cariolou lexoi një rekomandim nga raporti i vitit 2007 që ka të bëjë me interpretimin e bërë nga Komisioni Ndërkombëtar i Gjenetistëve mjeko-ligjorë për identifikimin e viktimave të katastrofave natyrore.

    Ajo lexoi se “nuk është e nevojshme të bëhen gjitha përpjekjet për zmadhim në bankën e të dhënave qendrore nëse një profil konsensus, i analizuar mirë është i pranishëm dhe ekzistojnë të dhënat tjera që mund të analizohen”, duke kërkuar nga eksperti të shpjegojë profilin e konsensusit.

    Kurse, eksperti Goodwin sqaroi se profili i konsensusit është ai profil kur është përsëritur analiza e ADN-së, duke shfrytëzuar të njëjtën metodë ose të ndryshme dhe për të nxjerrë profilin e ADN-së, kur në dy raste ka rezultat të pjesshëm, përputhen që të bëjnë profilin e konsensusit.

    Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur mundësi të shqyrtojë elekrofenoframet e raportit të vitit 2009, ai tha se nuk i është kërkuar një gjë e tillë dhe se nuk mund të japë mendim nëse alelet e elektrofenogrameve janë interpretuar dhe transkriptuar si duhet në raportin e vitit 2023.

    Ai po ashtu u pajtua se elektrofenograma është e rëndësishme për interpretim të ADN-së.

    Kurse tha se “pa i pasur elektrofenogramet nuk mund të komentoj për këtë”, kur u pyet se a do zotohej për besueshmërinë për rezultate në raporte pavarësisht se nuk i ka pasur elekrofenogramet.

    Më tej, prokurori De Minicis bëri pyetjen plotësuese se në bazë të informacioneve, a ka arsye eksperti të besojë se profilet e ADN-së janë nxjerrë në mënyrë të pasaktë nga laboratori çek, e që ai tha se ‘‘nuk kam asnjë arsye se janë bërë gabime nga laboratori çek në bazë të asaj që kam pa’’.

    Ndërsa, duke u përgjigjur në disa pyetje të mbrojtësit të viktimave Simon Laws, eksperti Goodwin tha se për laboratorët kriminalistikë është e zakonshme të punohet me materiale të vogla të ADN-së dhe kampionë të degraduar si dhe është e zakonshme po ashtu të punohet me profile të pjesshme.

    Duke qenë se trupi gjykues nuk ka pasur pyetje për dëshmitarin, dëshmia e tij ka përfunduar gjatë kësaj seance.

    Seancat e planifikuara për 5, 6 dhe 7 korrik janë anuluar dhe se gjykimi ndaj Shalës pritet të vazhdojë më 21 gusht 2023.