ATV

Blog

  • Rexhepi shkon në Bosnjë-Hercegovinë, temë marrëveshja e lëvizjes me letërnjoftime

    Rexhepi shkon në Bosnjë-Hercegovinë, temë marrëveshja e lëvizjes me letërnjoftime

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Rexhepi, ka zhvilluar vizitë zyrtare dyditore në Bosnjë dhe Hercegovinë, me ftesë të Grupit Parlamentar të Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe me kërkesë të deputetit Shemsedin Mehmetoviq.

    Sipas kryeministrisë, gjatë kësaj vizite, Rexhepi përveç takimit me Shemsedin Mehmetoviq, deputet në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës, është pritur në takim edhe nga Dino Konaković, ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, ministër i Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Benjamina Karić, kryetare e komunës së Sarajevës.

    “Tema kryesore e takimeve gjatë kësaj vizite të Zëvendëskryeministres Rexhepi ishte ratifikimi i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe njohja e dokumenteve të identifikimit, si pjesë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ZKM-ja.

    “U bisedua edhe për mundësitë e forcimit të lidhjeve kulturore dhe arsimore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës”.

  • Lajçak: Sanksionet për Serbinë janë gati

    Lajçak: Sanksionet për Serbinë janë gati

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se sanksionet për Serbinë janë të gatshme.

    Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

    “BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt Marrëveshja e Ohrit”, tha Lajçak.

    Ai shtoi se me kryeministrin Kurti i kanë paraqitur pikëpamjet dhe idetë e tyre dhe se “kanë rënë dakord që procesi të vazhdojë”.

    Tutje, ai tha se Bashkimi Evropian nuk është i lumtur për të paraqitur masa, dhe se sipas tij, diskutimi aktual është që të arrihet në fazën ku masat do të ndaleshin.

    “Dëshira ime nuk është të kemi sanksione mbi Kosovën dhe Serbinë. Dëshira ime është që të mos kemi sanksione dhe të kemi takime me të dyja palët në Bruksel dhe të diskutojmë se si t’i implementohen marrëveshjet”, tha Lajçak.

    Lajçak më pas do të shkojë edhe në Serbi, në tentim për të bindur palët që përveç se të shtensionojnë situatën, t’i kthehen edhe tryezës së dialogut.

    “Është pjesë përbërëse e punës së të dërguarit të posaçëm që të udhëtojë për t’u takuar me partnerët në terren”, tha një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar vizitën e Lajçakut. Ai shtoi se kjo vizitë në Kosovë është pjesë e punës për “lëvizjen e dialogut përpara”.

  • Lajçak: Shtetet anëtare vendosin për sanksionet ndaj Kosovës, dëshiroj që kjo mos të ndodhë

    Lajçak: Shtetet anëtare vendosin për sanksionet ndaj Kosovës, dëshiroj që kjo mos të ndodhë

    Përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se shtetet anëtare të BE-së pritet të vendosin për sanksionet ndaj Kosovës, raporton EO.

    Mirëpo, siç u shpreh ai pas takimit dy orësh me kryeministrin Albin Kurti, sanksionet do të ishin kundër dëshirës së tij. Ndërsa, një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të mirëpritej nga ai.

    Lajçak e ka cilësuar këtë takim shumë të rëndësishëm, ku tha se pati dakordim me kryeministrin Kurti për tri pikat që duhet të ndjeken për depërshkallëzimin e situatës.

    “Ka një dakordim për tri pikat që duhet të ndjeken për depërshkallëzimin e situatës: shtensionim, zgjedhje të reja, dhe kthim në normalizim. Mirëpo, duhet që ende të diskutojmë për hapat konkretë”.

    “Takimi ishte i gjatë dhe shumë i rëndësishëm. Kurti ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të mia, për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë. Jemi pajtuar

    “Takimi ishte i gjatë dhe shumë i rëndësishëm. Kurti ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të mia, për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë. Jemi pajtuar që ky proces të vazhdojë”.

    I pyetur se nëse do të ketë sanksione edhe për Serbinë, Lajçk u shpreh se BE është e gatshme për një gjë të tillë.

    “BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, do të zbatohen nëse kuptohet se Serbia s’po vepron me kërkesat e BE-së. Është vendim i shteteve anëtare. Do të jem Beograd nesër. Dëshira ime është të mos kemi sanksione ndaj Kosovës e Serbisë. Dëshira ime është të mos kemi sanksione e të kemi dy palët në Bruksel e të negociojnë si të zbatojnë marrëveshjet”, u shpreh ai.

  • Klan Kosova dorëzon ankesën në ARBK

    Klan Kosova dorëzon ankesën në ARBK

    Televizioni Klan Kosova, ka dorëzuar ankesë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

    Me të synohet të anulohet vendimi i datës 21 qershor për suspendimin e certifikatës së Biznesit të televizionit më të madh në vend.

    Kjo për shkak se vendimi që bazohet në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, përbën shkelje esenciale të dispozitave të ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe të atij për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

    Andaj, si dëshmi në ankesë, Klan Kosova ka ofruar historinë faktike si edhe bazën juridike të biznesit.

    Në fakt, ky vendimi i 21 qershorit ishte vetëm rifuqizim i atij të datës 14 qershor, pasi i njëjti ishte anuluar nga ish-ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi.

    Kjo e fundit u shkarkua, dhe në vend të saj erdhi Lebibe Haliti, e cila e rifuqizoi vendimin.

    Klan Kosova, që në ndërkohë, ka kryer të gjitha korrigjimet në dokumentacionin e regjistrimit të biznesit, ka dorëzuar ankesën për heqjen e suspendimit të certifikatës.

    Afati për shqyrtimin e ankesës është 15 ditor.

    Suspendimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës kishte nxitur një reagim të madh vendor e ndërkombëtar, ndërsa ishte kërkuar kujdes nga institucionet në trajtimin e rastit. /Klan Kosova

  • “Pisi, nale kamerën, kush je ti?” Smajl Latifi “shpërthen” ndaj asamblistit të VV-së në Rahovec

    “Pisi, nale kamerën, kush je ti?” Smajl Latifi “shpërthen” ndaj asamblistit të VV-së në Rahovec

    Një video e publikuar nga asamblisti i Vetëvendosjes në Rahovec, Ilir Pallqa, ka nxjerrë në pah sjelljen e pahijshme të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë një seance të Kuvendit Komunal. Në videon e publikuar në Facebook, Latifi dëgjohet duke u munduar të bllokojë kamerën dhe duke përdorur fjalë ofenduese.

    Asamblisti Pallqa akuzoi kryetarin Latifi se insistoi t’ia ndalte fjalën tek sa fliste për gjendjen e mbeturinave.

    “Fjala ime për gjendjen e mbeturinave ne Komune. Insistimi me ëdo kusht i kryetarit që t’më kufizohet e drejta për replike, presioni drejtuar Kryesuesit te Kuvendit për mbylljen e seancës dhe presioni drejtuar kamermanit per ndalimin e xhirimit” – shkroi asambleisti në Facebook.


    (Pamje të KosovaPress)

    “Nale aty kamerën. Nale kamerën. Ai pisi, ai pisi, a pe sheh ai pisi çka bën”, dëgjohet duke thënë Latifi mes tjerash.

  • Abrashi pyet nëse ka rënë Macroni nën ndikimin e Kurtit: Po arreston protestuesit pa u konsultuar me aleatët

    Abrashi pyet nëse ka rënë Macroni nën ndikimin e Kurtit: Po arreston protestuesit pa u konsultuar me aleatët

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, përmes një postimi në facebook, ka bërë një krahasim me protestuesit e arrestuar në Kosovë dhe ata që po arrestohen në Francë.

    Ai tha se Franca në krye me presidentin Macron po arreston demonstruesit e rebeluar duke zbatuar ligjin për rend dhe qetësi, pa u konsultuar me Kosovën, ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në.

    “Madje, protestuesit atje nuk kanë as granata dore e as zola! Mos ka rënë Presidenti Macroni nën ndikimin e Kryeministrit Kurti apo ndoshta kështu është puna me Shtetin e së Drejtës dhe Sundimin e Ligjit?”, ka shkruar Abrashi.

    Postimi i tij:

  • Shtatë të lënduar në një sulm në Tel Aviv

    Shtatë të lënduar në një sulm në Tel Aviv

    Shtatë persona janë lënduar, tre prej tyre rëndë, pasi një i ri palestinez u fut me veturë drejt një turme njerëzish, në Tel Aviv të Izraelit. Policia izraelite tha se një palestinez 20 vjeç u fut me veturë në mes të njerëzve, të cilët po prisnin jashtë një qendre tregtare.

    Ai u qëllua për vdekje kur doli jashtë veturës dhe tentoi që të therte me thikë njerëzit përreth tij, tha një zyrtar i policisë. Ky sulm palestinez u bë në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në Bregun Perëndimor të okupuar, pas operacioneve të forcave izraelite.

    Ministri i Sigurisë i Izraelit tha se një qytetar i guximshëm e qëlloi sulmuesin e dyshuar, ndërkaq, grupi militant palestinez, “Hamas”, tha se ky sulm heroik në Tel Aviv ishte një reagim i natyrshëm ndaj operacioneve të Izraelit në Bregun Perëndimor.

    Mijëra palestinezë kanë braktisur kampin e refugjatëve në Jenin, që nga nisja e bastisjeve nga forcat e Izraelit. Forcat Izraelite të Mbrojtjes thanë se kanë arrestuar 120 të dyshuar gjatë bastisjeve dhe se kanë 10 caqe të tjera, në qendër të kampit të refugjatëve në Jenin.

    Zyrtarët palestinezë thanë se si pasojë e këtyre operacioneve që u kryen të hënën, 10 palestinezë janë vrarë dhe 100 të tjerë janë plagosur, dhe se të vrarët ishin të moshave 16 deri në 23 vjeçare. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bojkoti i opozitës mund ta paralizojë punën e Kuvendit

    Bojkoti i opozitës mund ta paralizojë punën e Kuvendit

    Partitë opozitare janë duke kërkuar mënyra për t’iu kundërvënë Qeverisë, nën kritikat se po e izolon Kosovën.

    Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vendosën ta bojkotojnë punën në Kuvend. Ndërkaq, partia e tretë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tash e një kohë bën thirrje për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë, por nuk ka marrë mbështetje deri tash.

    Veprimet e opozitës ndodhin në kohën kur Qeveria tashmë po ballafaqohet me presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri.
    Edhe pse të vonshme, veprimet e opozitës megjithatë janë të arsyeshme, sipas njohësve.

    “Janë të duhur për arsye se Kosova po sanksionohet nga ndërkombëtarët. Është vendim i vonuar, por sigurisht që do të ketë ndikim e saj sidomos në Kuvend, pasi që roli kryesor është në parlament”, tha gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi.

    Meqë pushteti aktualisht ka 56 deputetë, çfarëdo hapi që do të bëjë opozita, duhet ta bëjë bashkë, thotë Arton Demhasaj nga Organizata Çohu.

    “Nëse PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja nuk marrin pjesë as në mbledhje të kryesisë dhe as në seancë e as në votime, kjo i bën njëfarë bllokimi Kuvendit të Kosovës e ky bllokim nënkupton që legjislacioni që është duke u shqyrtuar bllokohet dhe në njëfarë mënyre mund të konsiderohet që pushteti legjislativ mund të paralizohet”, tha Demhasaj.

    Si përgjigje ndaj veprimeve të opozitës, partia në pushtet, Vetëvendosje, e ka sfiduar opozitën me zgjedhje të reja parlamentare nëpërmes një videoje.

    Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2021, Vetëvendosja doli e para duke marrë mbi 50% të votave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Holanda dhe Luksemburgu shpresojnë te udhërrëfyesi i BE së për deeskalim

    Holanda dhe Luksemburgu shpresojnë te udhërrëfyesi i BE së për deeskalim

    Veprime nga Kosova dhe Serbia në përputhje me udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri, kërkuan kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel.

    Në vizitën në Prishtinë, pas asaj në Beograd, liderët e NELUX-it thanë se vizitat, që ishin planifikuar para përshkallëzimit të situatës në veri, ishin për t’i dëgjuar palët dhe për t’i ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje.

    Pasi tha se Qeveria është e interesuar për zgjidhje evropiane për tensionet në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti i ndërlidhi ato me moszbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Të mos heqim dorë nga marrëveshja… Sidoqoftë, vështirësia që kemi është nga mungesa e zbatimit dhe besoj se ajo filloi duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky është një gabim i madh, sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkeljen dhe moszbatimin e saj. Çfarë duhet është zbatim i shpejtë i të gjitha pikave, pa parakushte apo vonesa”, tha Kurti.

    Teksa si platformë për zgjidhjen e problemit e përmendi dialogun e Brukselit, kryeministri holandez refuzoi ta komentojë qasjen e BE-së ndaj Serbisë dhe masat ndaj Kosovës, duke thënë se drejtimi i gishtave nuk e ndihmon situatën.

    “Çfarë më pëlqen te udhërrëfyesi është se i ka të qartë hapat që duhet të ndërmerren nga të dyja palët dhe që deeskalimi duhet të bëhet nga të dyja palët, dhe pastaj, sigurisht, t’u prijë zgjedhjeve. Shpresoj në këtë. Jam optimist që mendjet e ftohta do të triumfojnë”, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

    Duke shprehur shqetësimin për mundësinë e zgjerimit të tensioneve, kryeministri i Luksemburgut tha se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të veprojnë menjëherë.

    “Të gjithë e shikojnë tjetrin, cili do të bëjë lëvizjen e parë, që më pas tjetri të bëjë lëvizjen. Kemi një udhërrëfyes. Duhet t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe në vend se të flasim, duhet të veprojmë nga të dyja anët. Kështu do të bëjmë gjykimin tonë dhe do të shohim dëshirën për të përparuar dhe deeskalimin e situatës, duke ndjekur këtë udhërrëfyes dhe jo duke pritur”, tha kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

    Tre kryeministrat thanë se në takim kanë biseduar për proceset integruese të Kosovës, me theks Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe.

    Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe veçmas atij në sektorin e IT-së, ishin po ashtu në mesin e temave të diskutimit.

    Kryeministrat Rutte dhe Bettel u takuan edhe me presidenten Vjosa Osmani. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në Komisionin parlamentar për Ekonomi, u votua pro Projektligjit për Fondin Sovran

    Në Komisionin parlamentar për Ekonomi, u votua pro Projektligjit për Fondin Sovran

    Me gjashtë vota për, Projektligji për Fondin Sovran, kaloi në komisionin parlamentar për ekonomi, industri dhe ndërmarrësi.

    Gjatë prezantimit të saj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmendi Ndërmarrjet Publike që parashihet të kalojnë në menaxhim të Fondit Sovran.

    “Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale, si Trepça, KEK-u, Posta, Telekomi, Trainkos dhe Infrakosin, gjithashtu”, tha Rizvanolli.

    Ministrja Rizvanolli para anëtarëve të komisionit, shpalosi kushtet të cilat i konsideroi të qarta, për bartjen e ndërmarrjeve publike dhe aseteve të Agjencisë së Privatizimit në Fondin Sovran.

    “Ndërmarrja ose aseti duhet të jetë i komercializuar, dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme, ndërmarrja që bartet duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë, asetet e AKP-së duhet t’i barten fondit pa detyrime”, tha ajo.

    Mirëpo, ky projektligj për Pal Lekajn nga AAK-ja ka paqartësi.

    “Nëse mendoni që mund të bartni prej AKP-së diçka që veç ia ndërroni emrin është e pakuptimtë. Jeni duke hyrë në një ligj që nuk do të jetë i implementueshëm asnjëherë. Ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, tha Lekaj.

    Kritika të shumta në raport me konceptin e Fondin Sovran, pati edhe kryetari i komisionit, njëherësh edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Çështja sociale është problem, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve kanë mijëra punëtorë. Kush i zgjidh problemet sociale që afektohen nga ky ligj, nga këto asete. Termin ‘bartje’ juridikisht nuk e kam të qartë a është privatizim, shitje, shpronësim? Çka do të thotë bartja?”, tha Shala.

    Mirëpo, ekipi i ministres Rizvanolli beson fuqishëm se vendi do t’ia shohë hairin këtij fondi.

    “Rritjen e vlerës së pasurisë, ky është synimi i Fondit Sovran”, tha zëvendësministri, Getoar Mjeku.

    Më shtatë qershor të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës e miratoi Projektligjin për Fondin Sovran, i cili do të ketë kapital fillestar prej 20 milionë eurove. Derisa me themelimin e tij Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet, Fondi Sovran do të jetë shoqëri aksionare dhe Republika e Kosovës do të jetë pronare e vetme me 100 për qind të aksioneve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: