ATV

Blog

  • Protestat vazhdojnë, veriu s’gjen qetësi

    Protestat vazhdojnë, veriu s’gjen qetësi

    Ka kaluar më shumë se një muaj, qëkur veriu përsëri e humbi qetësinë.

    Në Leposaviq, nën hijen e tendave, protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë para objektit të komunës, krahas KFOR-it amerikan që po e ruan.

    Zyrtarë policorë të njësiteve të rregullta e ata të njësiteve speciale, qëndrojnë në stacion, e disa të tjerë janë në terren.

    Edhe vetura civile e Policisë qëndron para objektit komunal të Leposaviqit.
    As në Zveçan protestuesit, ende nuk kanë hequr dorë.

    Komuna po ruhet nga KFOR-i turk, kurse zyrtarët e Policisë janë brenda objektit komunal, e të tjerë janë të pozicionuar në pika kontrolli në këtë qytezë.

    Sergjan Simonoviq, aktivist në Mitrovicën e Veriut, thekson se qytetarët serbë kanë njëfarë besimi ndaj KFOR-it, por jo edhe në Policinë e Kosovës.

    “Sipas hulumtimit tonë, serbët në veri kanë një lloj besimi të lartë në KFOR, kur serbët ishin pjesë e Policisë së Kosovës, besimi në ta ishte nga dhjetë deri në 12 për qind, kurse para konfliktit besimi në policinë e Kosovës ishte katër për qind”, tha Simonoviq.
    Por, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se prania e njësisë speciale në veri e në objekte komunale, është rezultat i vlerësimeve në aspektin e sigurisë.

    Kurse, sa i përket besueshmërisë së serbëve në raport me Policinë, Shala beson se PK-ja ka kredibilitet në komunitetin serb.

    “Sa i përket kredibilitetit të Policisë së Kosovës, unë besoj se Policia e Kosovës gëzon kredibiltet në të gjitha komunitetet ku operon”, tha Shala.

    Sipas tij, situatës së krijuar duhet t’i bëhet një zgjidhje politike.

    Policët shqiptarë ndodhen në veri qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur rreth 600 policë nga komunitetit serb dhanë dorëheqje.

    Ndërkaq, pas zgjedhjeve lokale të prillit që rezultuan me emërimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, individë nga komuniteti serb kryen akte dhune mbi policinë, KFOR-in, gazetarët, si dhe qytetarët. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dëmet nga degradimi i dialogut, si pasojë e krizës në veri

    Dëmet nga degradimi i dialogut, si pasojë e krizës në veri

    Pa dhënë detaje a pa njoftuar ndonjë rezultat, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, pas takimit të së martës me kryeministrin Albin Kurti, tha se ka “mirëkuptim për lëvizje përpara në nevojën për deeskalim”.

    Në 40 ditë të tensioneve në veri të Kosovës, me qëllim të asaj që i referohet si “menaxhim i krizës”, Lajcak vizitoi dy herë kryeqytetet e dy shteteve.

    Kalimi nga diskutimet e para një viti për marrëveshje ligjërisht obliguese, sipas BE-së për normalizim e sipas SHBA-së për njohje të ndërsjellë, në një dakordim pa nënshkrime dhe tani në menaxhim krize, sipas opinionistëve, dëmton Kosovën.

    Teksa një pjesë të fajit ia vë Qeverisë për, siç thotë, fokusim në çështje dytësore e tretësore, profesori Dritëro Arifi thekson se asaj i duhet qasje e re.

    “Mund të themi se Qeveria e Kosovës nuk ka objektiva dhe nëse ka objektiva, ato nuk i zbaton apo nuk kërkon t’i realizojë deri në fund. Kjo i bie që Qeveria tash duhet të ndalet të rimendojë, të reflektojë dhe të ripozicionojë veten. Pra, në këtë formë se si po shkon situata, e dëmton vetëm Kosovën si shtet. Duhet të mendohet të kërkohet nga BE-ja një njohje e plotë, duke i zbatuar të gjitha marrëveshjet që i kanë nënshkruar të gjitha Qeveritë dhe që janë zotuar”, tha Arifi.

    Teksa përmend masat e BE-së, Arifi thekson se vazhdimi i situatës aktuale mund të izolojë dhe defaktorizojë Kosovën.

    “Çka bën pala tjetër, nuk duhet të na interesojë, sepse ne e kemi raportin tonë me BE-në dhe SHBA-në, në këtë formë mund të dalim fitues”, tha Arifi.

    Teksa situatën e lidh edhe me qasjen e Bashkimit Evropian, profesori Seb Bytyçi vlerëson se kthimi te dialogu për normalizim mund të bëhet nëse arrihet pajtim për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes bazë.

    “Kemi një situatë ku Kosova insiston që të dyja palët ta zbatojnë marrëveshjen në të njëjtën kohë. Kurse kemi parë presion vetëm mbi Kosovën për ta zbatuar marrëveshjen dhe kjo është qasja e gabuar e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo duhet të ndryshojë, që të arrihet një pajtim për zbatimin e marrëveshjes dhe në bazë të saj mund të parandalohen krizat të tjera”, tha Bytyçi.

    Që nga nisja e tensioneve, më 26 Maj, BE-ja nuk ka arritur të organizojë takim direkt ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

    Takimet e ndara të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vucicin, më 22 Qershor, nuk prodhuan rezultatin e kërkuar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Armët në veri, Kurti thotë se e vërteta do të zbulohet shpejt

    Armët në veri, Kurti thotë se e vërteta do të zbulohet shpejt

    “Ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje ndodhi e papritura, një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët.”

    Për këtë deklaratë të deputetes britanike, gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës” në Londër, janë në dijeni institucionet e Kosovës.

    Teksa paralajmëroi takim me përfaqësuesit e KFOR-it, Kryeministri Albin Kurti tha se e vërteta për këtë rast duhet të zbardhet brenda javës.

    “Tash jemi duke grumbulluar të dhëna. Dhe unë nuk është mirë të jap informacion për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje”, tha Kurti.

    Megjithatë, nga KFOR-i, gjatë ditës thanë se prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar edhe në këtë institucion, por pas hetimeve, nuk kanë gjetur asnjë provë që dëshmon atë që deputetja ka deklaruar.
    Sipas njoftimit për media të KFOR-it në Kosovë, deputetja që kryeson Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, e kishte fjalën për një ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2022, duke theksuar se rasti është nën përgjegjësinë e autoriteteve kosovare të sigurisë.

    “Kjo ngjarje që është përmendur nga deputetja britanike, i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier [regjiment ushtarak britanik] u punësua në veri të Kosovës, në mbështetje të misionit të KFOR-it. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar, të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kishat ortodokse me autoambulanca. Ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e institucioneve të sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Sipas juristëve dhe njohësve të fushës së sigurisë, publikimi i kësaj videoje e deklaratat e deputetes britanike, duhet t’i vënë në alarm dikasteret përgjegjëse, të cilat, sipas tyre, duhet ta trajtojnë rastin me kujdes të shtuar.

    Para dy javësh, Policia e Kosovës kishte gjetur në Zveçan, në një veturë me targa të Beogradit një sasi armësh, përfshirë, 1 predhë e minahedhësit dhe 21 granata dore, prodhim serb.

    Sipas institucioneve kosovare, policia arriti të parandalojë një sulm terrorist, teksa kjo sasi e armëve thanë se është deponuar nga strukturat ilegale, që pastaj të përdoret për sulme terroriste.

    Disa ditë më pas, Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste dy grupet nga veriu, “Mbrojtjen civile” dhe “Brigadën e Veriut”. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qeveria miraton projektligjin për skemat pensionale

    Qeveria miraton projektligjin për skemat pensionale

    Imer Ramabaja për 35 vjet me radhë ka punuar në revistën “Rilindja”. Por, përkundër përvojës së gjatë të punës, ai merr një pension prej 100 eurosh si pensionist.

    “Kam punuar 35 vjet në Rilindje, jam mbetë me 100 euro pension, stazhi prej 81-shës deri në 89-tën më është pranuar, ndërsa tjetër stazh nuk kam”, tha Ramabaja.

    Por, me miratimin në Qeveri e më pas në Kuvend të projektligjit për reformat pensionale, ai dhe shumë pensionistë të tjerë do të jenë përfitues të pensionit kontribut pagues.

    “Vendimin e Qeverisë për ndryshim të ligjit e mirëpresim me duar të hapura, kemi mbetur me 100 euro pension dhe është shumë vështirë me jetu e me mbajtë familje me 100 euro pension”, tha Ramabaja.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, thotë se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë persona, derisa dha detaje për ndryshimet që parashihen në këtë projektligj.

    “Si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë persona, shumë punëtorë të cilët kanë kontribuar me 14 vjet e 11 muaj, por për shkak të largimit të dhunshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë kushtin prej 15 vjetësh. E me këtë rast, me këtë ndryshim-plotësim të këtij ligji ne po e zhbëjmë atë diskriminim, sepse do të mundësohet që nga periudha qëkur janë larguar nga puna e deri në 1 janar të vitit 1999, këtu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërsa lartësia e pensionit pastaj do të caktohet, bazuar në vitet që kanë kontribuar në fondin pensional”, tha Murati.

    Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti tha se nëpërmjet këtij projektligji ofrohet trajtim i barabartë për të gjithë dhe rritje të mirëqenies sociale.

    “Në përputhje me zotimin tonë e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti, po e bëjmë reformën pensionale. Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem pensional solidar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe kujdeset për pensionistët. Kjo skemë e zhduk dallimin dhe margjinalizimin, e u garanton qasje të mira sociale të gjithëve. Këtë duhet ta bëjë Republika dhe këtë po e bëjmë së bashku”, tha Kurti.

    Përveç projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, Qeveria e Kosovës ka miratuar Kodin Doganor dhe të Akcizave, që paraqet kornizën gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës së Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Projektligji për viktimat e dhunës shkon në Kuvend

    Projektligji për viktimat e dhunës shkon në Kuvend

    Komisioni për të drejtat e njeriut sot ka miratuar projektligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, projektligj ky i cili do të shkojë për votim në Kuvend.

    Eksperti ligjor, Hilmi Jashari, ka thënë se ky ligj ka për qëllim të sjellë pajtueshmëri me obligimet që rrjedhin nga konventa.

    “Ligji për familjen, neni 140, është njëra prej dispozitave, e cila thotë se nëse prindi i cili ushtron kujdesin prindëror pengon kontaktin personal të fëmijës me prindin tjetër, gjykata me atë gjykim do të rregullojë edhe mënyrës e mbajtjes së kontakteve, me prind i cili nuk është në kujdesin prindëror nëse vlerësimi i të gjitha rrethanave tregon se kjo është e domosdoshme për mbrojtjen e fëmijës. Pra, gjykata megjithatë bën vlerësimin përfundimtar edhe nëse nuk e ka njërin prind në kujdesin prindëror, i cili supozohet që ka mundur të përdorë dhunë, qoftë ekonomike apo tjetër, që përfshin edhe ligjin aktual dhe që gjykata mund ta bëjë vlerësimin”, tha Jashari.

    Propozim lidhur me këtë projektligj pati deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza.

    “Paratë e imëta, të cilat ne konsiderojmë se është e nevojshme t’i kenë institucionet e sigurisë, Policia e Kosovës për nevojat e grave dhe viktimave në përgjithësi kur i drejtohen institucionit të policisë e kur u bie të qëndrojnë gjatë, ose kur kanë nën përkujdesje edhe foshnja për nevojat e tyre. Propozoj që kjo çështje të rregullohet me udhëzim administrativ, i cili do të nxirret në dy, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave, në mënyrë që ta lëmë një hapësirë për linjat buxhetore, që do të krijohen në ndërkohë”, tha Fejza.

    Me idenë për t’iu ndihmuar viktimave, është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mbi 50 për qind e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit dështuan

    Mbi 50 për qind e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit dështuan

    Më shumë se gjysma e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit gjatë këtij vitin kanë dështuar të mbahen.

    Monitorues të punës së Kuvendit thonë se në të kaluarën dështimet nuk kanë qenë kaq të larta, e sipas tyre kjo po ndodh për disa arsyeje.

    “Për shkak të mos pjesëmarrjes së njërës nënkryetare të Kuvendit e cila është në pushim të lehonisë, për shkak të mungesës së një nënkryetari të listës serbe I cili ka dhënë dorëheqje dhe së fundi bojkoti i opozitës”, tha Naim Jakaj nga IKD.

    Xhavit Haliti, që për disa vite ishte nënkryetar i Kuvendit, thotë se dështimet e shpeshta të mbledhjeve në atë kohë ndodhin vetëm kur vendi ishte afër zgjedhjeve.

    “Kjo partiakë ka qenë në gjitha regjistraturat, në kohën kur është përafruar është menduar të shkohet në zgjedhje të reja kur ka pasur mos durim njëra pal më tjetrën kanë numëruar sa veta janë në seancë kanë dalur nga seanca për ta pamundësuar”, tha Haliti.

    Haliti thotë se zgjedhje do të ishte një kompromis mes opozitës e pushtetit.

    Përpos mbledhjeve të kryesisë edhe pse shumica parlamentare ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për mbajtjen e seancave megjithatë një numër i madh i tyre kanë dështuar në mungesë kuorumi. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Edi Rama nesër në Prishtinë, Kurti vendos kushte për takim

    Edi Rama nesër në Prishtinë, Kurti vendos kushte për takim

    Turneu ballkanik, në kuadër të përgatitjeve të Procesit të Berlinit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta sjellë edhe në Kosovë.

    Pa dhënë detaje rreth agjendës, qeveria shqiptare, për ATV-në, tha se Rama të enjten dhe të premten do të qëndrojë në Prishtinë.

    Por, gjasat që të takohet me kryeministrin Albin Kurti, janë të vogla. Kryeministri kosovar nuk e sheh të arsyeshme një takim bilateral pa u mbajtur mbledhja e dy qeverive, e cila ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, por u anulua nga kryeministri Edi Rama.

    “Nuk lëngon raporti Kosovës-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive, por jo takime të tjera”, tha Kurti.

    Këtë qëndrim të kryeministrit kosovar, homologu shqiptar nuk e komentoi gjatë ditës, veçse tha se do të flasë më gjerësisht në Prishtinë.

    “Jam këtu vetëm për këtë vendim. Sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe turit, do të flas kur është koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, tha Rama.

    Derisa nuk është e qartë se me kë do të takohet gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryeministri Edi Rama është i mirëseardhur gjithmonë.

    Kurse, pas Kosovës, Rama viziton Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Malin e Zi dhe Serbinë.

    Teksa deklaroi se “Ballkani i Hapur” përfundoi misionin, kreu i qeverisë shqiptare tha se gjatë këtij turi do të informojë krerët e shteteve ballkanike për përgatitjet që po bën Shqipëria, për të pritur samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrëfehet para deputetëve pasi iu mohua statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

    Rrëfehet para deputetëve pasi iu mohua statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, të mërkurën ka mbajtur një takim me një grua të dhunuar gjatë luftës, e të cilës iu është refuzuar statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës.

    E pas këtij takimi, kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, tha se biseda me të ishte tejet emocional për shkak të përjetimeve të saj. Balje shpërfaqi edhe ankesat që i ka ndaj Komisionit Qeveritar, për të cilën tha se kanë shumë probleme.

    Ajo tha se refuzimet që po u ndodhin këtyre rasteve, janë të papranueshme.

    “Takimi ka qenë shumë emocional, kemi pas një grua e cila ka përjetuar dhunë seksuale në kohë lufte dhe e cila ka marrë dy herë refuzim prej Komisionit për Vlerësim të Statusit të Viktimave, ka qenë vërtetë shumë emocionale dhe kemi dëgjuar dhimbje të gruas dhe nuk është e vetme veç ajo. Edhe ne kemi shumë probleme me këtë Komision, të gjithë kanë ankesa ndaj tyre, për mënyrën sesi ata i trajtojnë ato kur janë para anëtarëve. Ne jemi gati të vazhdojë punën edhe për dy vite sepse tash jemi në pritje të votimit të dytë brenda seancës por duhet me bisedu me ta dhe për mënyrën sesi ata janë duke i trajtuar këtë rast”, tha Balje, teksa tregoi edhe për faktet që i ka prezantuar gruaja e dhunuar.

    Balje tha se javët në vazhdim do t’i ftojnë në takim këtë komision për të biseduar rreth refuzimeve që po u bëhen atyre.

    “Kur je para komisionit ata po duan t’i prezantojnë faktet. Këtë rast gruaja ka edhe shenja trupore, me të cilat ne mundemi me i pa edhe pas 24 viteve dhe pa marrë parasysh ata prapë e kanë refuzuar. Unë mendoj se është maltretim, ato njëherë kanë përjetuar dhunë në luftë dhe tash po përjetojnë dhunë nga komisioni. Ne si Komision Parlamentar e kemi marrë obligim me thirr Komisionin për Vlerësim të Statusit të Viktimave javët e ardhshme dhe do të bisedojmë me ta se për çfarë provash kërkohen”.

  • Haxhiu shqiptar vdes në Medine

    Haxhiu shqiptar vdes në Medine

    Një haxhi shqiptar ka vdekur në Medine.

    Kjo u bë e ditur nga kreu i Komunitetit Mysliman në Shqipëri Bujar Spahiu.

    Spahiu tha se vdekja është gjithmonë e hidhur, por është ligj.

    “I lutem Zotit që t’i ketë pranuar haxhin Sulejmanit dhe ta bëjë atë prej banorëve të Xhennetit Firdeus. Vdekja është e hidhur gjithmonë, por është ligj!”, tha ai.

    Ai theksoi se kur njeriu ndërron jetë fill pas kryerjes së haxhit dhe varroset në një qytet me Profetin (a.s.) është një shenjë shpresëdhënëse dhe lehtëson disi hidhërimin e familjarëve.

    “Qoftë i Xhennetit haxhiu i nderuar Sulejman Koloriu!”, tha kreu i Komunitetit Mysliman në Shqipëri.

  • Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s i shkon në zyrë Kurtit

    Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s i shkon në zyrë Kurtit

    Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Thomas Goffus, bashkë me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, janë parë duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Goffus dhe Ristuccia do ta takojnë edhe presidenten Vjosa Osmani.

    Takimi zhvillohet në Kabinetin e Presidentes duke filluar në orën 16:00.