ATV

Blog

  • Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

    Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

    Prokurorët suedezë kanë ngritur aktakuzë ndaj aktivistes së njohur për klimën Greta Thunberg për mosbindje ndaj zbatimit të ligjit në lidhje me një protestë në qytetin e Malmos muajin e kaluar.

    Gazeta lokale Sydsvenskan raportoi të mërkurën se Thunberg u arrestua me aktivistë të tjerë pasi ata ndaluan trafikun në terminalin e naftës të portit në Malmo më 19 qershor.

    Një deklaratë e shkurtër nga prokurorët suedezë të mërkurën tha se një “grua e re” u akuzua për mosbindje sepse “refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes” gjatë protestës. Deklarata nuk e identifikoi personin, por zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze Annika Collin konfirmoi se ishte Thunberg.

    Gazeta Sydsvenskan tha se aktivistja 20-vjeçare suedeze do të thirret në gjyq në fund të korrikut.

    Një prokurore suedeze i tha gazetës se akuza e mosbindjes zakonisht dënohet me gjoba.

    Ekipi mediatik i Thunberg nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

    Thunberg frymëzoi një lëvizje globale rinore që kërkon përpjekje më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike pas organizimit të protestave javore jashtë Parlamentit suedez duke filluar nga viti 2018.

    Në fillim të këtij viti, aktivistja Thunberg u arrestua nga policia e Gjermanisë teksa po merrte pjesë në një protestë kundër prishjes së planifikuar të një fshati, për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere të qymyrit.

    Ajo u lirua të nesërmen. /REL

  • Kushtetuesja thotë se udhëzimi i MASHT-it për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave është në pajtim me ligjin

    Kushtetuesja thotë se udhëzimi i MASHT-it për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave është në pajtim me ligjin

    Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimi ka konstatuar se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.

    Sipas njoftimit për publikun të Gjykatës Kushtetuese thuhet se udhëzimi administrativ i 22 dhjetorit të 2020 i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk është në kundërshtim me nenet kushtetuese pë pushtetin lokal si dhe nenet që flasin për organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale.

    Tutje, në këtë njoftim sqarohet se rasti ka të bëjë me shpallje e konkursit nga Drejtori Komunale e Arsimit në Prishtinë për plotësimin e pozitave për drejtorë dhe zëvendës drejtor të institucioneve publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Inspektoratit Komunal të Arsimit komisioni i themeluar për përzgjedhjen e këtyre drejtoreve dhe zëvendës-drejtorëve ishte në kundërshtim me ligjin për arsimin në komuna në të cilin ligj sipas inspektoratit përcaktohet se nga 3 anëtarë të komisionit përzgjedhës 2 caktohen nga komunat dhe një nga MASHT-i.

    Gjithashtu sipas inspektoriatit anëtarët e komisionit të propozuar nga komuna duhet të votohen në kuvendet komunale të komunave përkatëse e që në rastin konkret ky komision i themeluar nga Komuna e Prishtinës nuk ishte votuar nga Kuvendi Komunal i kësaj komune.

    Andaj, Komuna e Prishtinë si parashtruese e kërkesë konteston udhëzimin administrativ i cili rregullon këtë formë të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorë dhe zëvendës drejtor, duke thënë se ndërhyn në kompetencat dhe përgjegjësit komunale.

    Nën këto pretendime Kushtetuesja sqaron se udhëzimi administrativ lidhur me përbërjen e Komisionit përzgjedhës për drejtor dhe zëvendës drejtor nuk cenon përgjegjësit komunale të përcaktuar sipas neve kushtetuese.

    Prandaj, Kushtetuesja ka vlerësuar se dispozitat përkatëse të udhëzimit administrativ nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjit për Arsimin në Komuna, Ligjin për Arsimin Para universitar dhe Ligjit për Inspektoriatin e Arsimit./BetimipërDrejtësi

  • Çka qëndron pas kërkesës së Listës Serbe që Serbia ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste?

    Çka qëndron pas kërkesës së Listës Serbe që Serbia ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste?

    Për Kosovën është “absurd”, për Serbinë është “mesazh politik që kërkon përgjigje nga shteti”.

    Këto janë reagimet e deritashme të zyrtarëve të dy shteteve ndaj kërkesës së Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, që Qeveria e Serbisë ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste.

    Kërkesa e Listës Serbe u publikua pak ditë pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy organizata për të cilat besohet se veprojnë në veri të Kosovës.

    Akuzat për terrorizëm u bënë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret zbatimin e marrëveshjes dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Çfarë kanë thënë zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Listës Serbe, më 5 korrik.

    Për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, kjo kërkesë është mesazh politik që kërkon reagimin e shtetit të Serbisë.

    Më 3 korrik, Daçiq tha për televizionin B92 se qëllimi i Prishtinës është që organizatat e caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe zhvendosje të serbëve nga ajo hapësirë.

    Daçiq pyeti nëse Beogradi duhet t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që, sipas tij, “përgjatë viteve demonstruan kundër Serbisë”, si dhe se “serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”.

    Naim Leo Beshiri, nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas deklaratave të ministrit Daçiq nuk qëndron strategjia e qartë e politikës së jashtme të Serbisë dhe se ato u shërbejnë “qëllimeve të politikës ditore”.

    “Daçiq po i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar se mënyra se si Kurti (kryeministri i Kosovës) po e udhëheqë politikën gjatë muajve të fundit, po e rrezikon dialogun”, thotë ai.

    Kërkesa e Listës Serbe, “oportunizëm politik”

    Lista Serbe, më 3 korrik, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që “njësitë speciale” të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e atyre strukturave” t’i shpallë “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”.

    Lista Serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se a ka marrë nga Qeveria e Serbisë përgjigje lidhur me kërkesën e saj.

    Ndryshe, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës është një nga kërkesat e serbëve të Kosovës, me qëllim që, siç theksojnë ata, të ulen tensionet.

    Por, Bojan Elek nga Qendra joqeveritare për Politikë të Sigurisë në Beograd, beson se Lista Serbe, me veprime të tilla, po përpiqet të përfitojë nga situata dhe të përshkallëzojë edhe më tej situatën, kur Kosova është “nën presion të madh ndërkombëtar”.

    “Është oportunizëm politik që nuk ka asnjë efekt. Madje, edhe nëse Qeveria e Serbisë pajtohet, Serbia nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv në Kosovë”, tha Elek për Radion Evropa e Lirë.

    Kosova, aktualisht, po përballet me masa ndëshkuese të vendosura nga BE-ja për shkak të, siç është thënë, mospërmbushjes së kërkesave për shtendosjen e situatës në veri të vendit.

    BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që është hapi i parë drejt anëtarësimit të Kosovës në bllok, si dhe thirrjet për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë.

    Gjithashtu, BE-ja pezulloi fonde të caktuara, të planifikuara për Kosovën.
    Naim Leo Beshiri, nga Instituti për Çështje Evropiane në Beograd, thotë se nuk ka bazë për një kërkesë të tillë të Listës Serbe, parti politike që funksionon në kuadër të “kornizës kushtetuese të Kosovës”.

    “Kjo është përgjigja e tyre populiste ndaj shpalljes së organizatave në veri të Kosovës si terroriste. Nuk është asgjë e papritur, por sigurisht që nuk kontribuon në qetësimin e tensioneve”, thotë ai.

    Beshiri, po ashtu, thekson se Serbia, në mënyrë “teknike” mund t’i shpallë njësitë speciale të Kosovës organizatë terroriste, por kjo do të shkaktonte tallje nga organizatat ndërkombëtare.

    “Çfarë efekti do të kishte kjo në forcat e Kosovës? Pothuajse kurrfarë efekti”, thotë ai.

    Edhe vendimi i Kosovës “pa efekt”

    Beshiri shton se edhe vendimi i Kosovës për t’i shpallur organizatat në veri të Kosovës si terroriste, nuk prodhon efekt të veçantë në Serbi.

    “Ato grupe njerëzish marrin mbështetjen nga Beogradi, jo vetëm politikisht, por me siguri edhe nga shërbimet e sigurisë”, thotë ai.

    Paraprakisht, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në Kosovë janë shpallur terroriste.

    “Mbrojtja civile” është shpërbërë zyrtarisht në veri të Kosovës në vitin 2015/16, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Punëtorët e asaj organizate më pas u integruan në institucionet e Kosovës. Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë, të cilët kishin kaluar trajnime ushtarake, si dhe konsiderohej shumë e rrezikshme për sigurinë e Kosovës.

    Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë nëse pas shpërbërjes zyrtare, “Mbrojtja Civile” ka funksionuar fshehurazi apo është ripërtërirë.

    “Brigada e Veriut”, që nga fundi i vitit të kaluar, ka nënshkruar grafite në veri të Kosovës. Disa prej tyre janë: “Mos u shqetëso! Jemi këtu! Po presim!”. Në disa raste vendosi firmën edhe si “Brigada Veri”.

    Nuk dihet se kush qëndron pas saj dhe as nëse bëhet fjalë për ndonjë organizatë formale.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto organizata kanë kryer aksione “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe ushtarëve të Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR).

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vlerësuan se Qeveria në Prishtinë, vendimin për organizatat terroriste nuk e ka koordinuar me ta dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Çfarë është terrorizmi në rregulloret serbe?

    Vepra penale e terrorizmit, në Kodin Penal të Serbisë, i referohet “frikësimit të popullatës” dhe kërcënimit të “strukturave themelore kushtetuese, politike, ekonomike apo sociale të Serbisë, vendeve të huaja apo organizatës ndërkombëtare”.

    Përfshin disa akte kriminale si rrëmbimi, shkatërrimi i një objekti shtetëror ose publik, përdorimi i armëve bërthamore, biologjike ose kimike.

    Në Kodin Penal të Serbisë është përmendur edhe bashkimi terrorist si vepër penale.
    Masa e dënimit është e ndryshme, në varësi të llojit të veprës penale të kryer.

    Bojan Elek nga Qendra për Politikë të Sigurisë në Beograd thotë se duhet të ekzistojë një aktakuzë për vepër penale, para se Serbia të cilësojë ndonjë organizatë si terroriste.

    Eleku thotë se Serbia i përmbahet listës së organizatave terroriste të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Këto janë organizata si ISIS (grupi ekstremist Shteti Islamik), të cilat, siç thotë ai, janë nën goditjen e sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare.

    Akuzat në rrugën e dialogut Kosovë-Serbi

    Naim Leo Beshiri beson se zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë po sillen në kundërshtim me atë që Bashkimi Evropian pret aktualisht.

    “Ekziston presioni i madh mbi Beogradin dhe Prishtinën për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme deri në fund të vitit dhe duket se Beogradi dhe Prishtina po përpiqen të bëjnë gjithçka për ta paraqitur si antagoniste palën tjetër, në mënyrë që të ruajnë tensionet që do ta pamundësonin nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë”, thotë Beshiri.

    Ai thekson se duket se dy palët duan të hyjnë në vitin e ardhshëm, që është “viti i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”.

    “Kjo do të thoshte se edhe për dy vjet të tjera nuk do të ketë përparim të dukshëm në dialog, sepse do të pritet formimi i shumicës politike në BE, por edhe të shihet se kush do t’i fitojë zgjedhjet për president të SHBA-së”, thekson Beshiri.

    Kosova dhe Serbia kanë më shumë se dhjetë vjet që bëjnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së, në kuadër të të cilit janë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje. Megjithatë, shumica e tyre nuk u zbatuan në terren.

    Në Bruksel, më 27 shkurt, arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

    Megjithatë, në fund të majit pati tension në veri të Kosovës kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, me gjithë kundërshtimin e serbëve lokalë që bojkotuan zgjedhjet.

    Brukseli u ka kërkuar vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve. /REL

  • Vjosa Osmani sot pret në takim Edi Ramën

    Vjosa Osmani sot pret në takim Edi Ramën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot do ta takojë në Prishtinë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

    Takimi do të zhvillohet të enjten, duke filluar nga ora 16:00, konfirmoi Presidenca e Kosovës.

    “Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, thuhet në njoftim.

    Përndryshe, nuk dihet nëse Rama do ta takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Kjo pasi, shefi i qeverisë tha sot se nuk do ta takojë Ramën, nëse nuk do të mbahet mbledhja e dy qeverive.

    Ai ftoi Ramën që gjatë vizitës dy ditore në Prishtinë më 6-7 korrik, të vijohet me mbledhjen e dy qeverive që u anulua në Gjakovë.

  • Zyrtari i NATO-s: Prishtina edhe Beogradi të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit

    Zyrtari i NATO-s: Prishtina edhe Beogradi të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit

    Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën ka thënë se “është urgjente që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit” dhe se “zgjidhja për stabilitet të qëndrueshëm është një zgjidhje politike”.

    “Është gjithashtu thelbësore që të dyja palët të koordinojnë siç duhet veprimet në terren dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

    Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të dyja palëve që të angazhihen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe që sa më shpejt të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit.

    Gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën, Goffus, është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit Albin Kurti.

    Në takimin e Kurtit me Goffus, Qeveria e Kosovës tha se kryeministri ka ngritur shqetësimin “për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i” sa i përket arrestimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, “përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”.

    Autoritetet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se policët janë rrëmbyer brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi kanë thënë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor kishte thënë se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

    “Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.

    Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, gjë një debati në Parlamentin britanik.

    Ligjvënësja britanike, Kearns, tha se, ushtarët britanikë, që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”.

    Misioni i KFOR-it tha se ngjarjet që janë përmendur nga deputetja britanike i referohen vitit 2022 kur “një batalion i ushtrisë britanike ishte angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të NATO-s”.

    Ky mision tha se për praninë e pretenduar të armëve të paligjshme është raportuar në shtabin e KFOR-it, por gjatë hetimeve të kryera nuk janë gjetur prova për kontrabandë.

    Gjatë takimit me zyrtarin e lartë të NATO-s, kryeministri Kurti gjithashtu thuhet se ka përmendur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, duke thënë se ato kanë krijuar asimetri në dialog.

    “Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar”, thuhet në njoftimin për media nga Kryeministria.

    Goffus takohet me Osmanin

    Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm në NATO-s për operacione u prit në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në njoftimin për media nga Presidenca e Kosovës, u tha se me Goffus, Osmani diskutoi për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për shtensionimin e gjendjes në këtë pjesë të vendit.

    Presidentja Osmani ka theksuar në këtë takim se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit.

    “Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, Osmani citohet të ketë thënë se institucionet e Kosovës mbeten “të përkushtuar ndaj përgjegjësive [që i kanë] si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale”.

    Vizita e Goffus në Kosovbë vjen në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë të larta dhe bashkësia ndërkombëtare po bën thirrje të vazhdueshme për shtensionim të kësaj situate.

    Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

    Serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Nga përleshjet janë plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

  • Kryeministri kroat “nuk shqetësohet” për tensionet mes Prishtinës e Beogradit

    Kryeministri kroat “nuk shqetësohet” për tensionet mes Prishtinës e Beogradit

    Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, tha sot se nuk është i shqetësuar për situatën në rajon, pavarësisht tensioneve në rritje mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar fuqishëm në dialog”, ka thënë Plenkoviq në një intervistë për Politiko, duke thënë se Beogradi dhe Prishtina janë të interesuar për përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, raporton Euronews Serbia.

    Duke folur për pretendimet se mund të emërohet në një nga postet e rëndësishme në Bashkimin Evropian, ai tha se është “plotësisht i fokusuar” në detyrën e kryeministrit dhe fitoren e tretë në zgjedhjet në Kroaci.

    Ai shtoi se Partia Popullore Evropiane (EPP) është e përqendruar në kthimin në pushtet në Itali dhe Francë, ish-bastionet e partisë.

    “Ne duam të bëjmë më shumë për të forcuar partitë EPP në shtetet e mëdha”, tha Plenkoviq.

    EPP përfaqësohet në Itali nga Forza Italia, partia e të ndjerit Silvio Berlusconi, e cila ka vetëm shtatë për qind të mbështetjes, por është pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Giorgio Meloni.

    Megjithatë, republikanët e PPE në Francë, dikur partia kryesore e vendit, tani kanë vetëm nëntë për qind të mbështetjes.

  • Kjo është arsyeja pse amerikanët janë hidhëruar me Kurtin, sipas Ramush Haradinaj

    Kjo është arsyeja pse amerikanët janë hidhëruar me Kurtin, sipas Ramush Haradinaj

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, ka thënë se amerikanët dhe evropian nuk i janë hidhëruar Kurtit pse ky është i keq me ta, por sipas tij, ata janë mërzitur me qasjen e kryeministrit se nuk i ka dhënë përparësi pjesës politike fare.
    |
    Haradinaj tha se për të zgjidhur një problem kur një vend ka trazira, nuk mund të përdoret vetëm instrumenti i quajtur polici.

    “Veriu nuk ka pse të jetë i pushtuar sepse është pjesë e Kosovës, ata janë qytetarë të Kosovës. Ne çdo sistem politik e shoqëror, kur ka pasur rajone të trazuara, është investuar në përfaqësues të atij rajoni e atij populli dhe janë kthyer në palë. Është investu në përfaqësues, në njerëz me autoritet, në njerëz me peshe, në njerëz me fjalë. Është investu në popull tek të varfrit, te ata tjerët që kanë probleme jetësore, që s’kanë vende punë, që s’kanë mundësi me i shkollu fëmijët dhe njëkohësisht është investuar te krejt forcat e jashtme me qenë bashkë kur e bënë ligjin në atë zonë. Që nga kohërat e hershme prej perandorive, Romake, Otomane, e tjera, deri në ditët e sotme moderne, nuk mundesh me e arritë suksesin vetëm me instrumentin e quajtur polici edhe me e largu një popullsi të tërë, pra nga bashkëveprimi, ndërveprimi me shtetin përkatës. Kjo është arsyeja pse amerikanët, evropianët janë të hidhëruar në Kurtin. Jo pse ky është i keq me amerikanë, jo pse ky është keq me evropian, janë mërzitë me qasjen e tij që ai nuk i ka dhënë përparësi, sepse ai është politikan, është udhëheqës shtetëror, nuk i ka dhënë përparësi pjesës politike fare dhe nuk ka zhvillu një dialog të brendshëm me serbët lokal ashtu edhe si ka premtu gjatë fushatës zgjedhore”, tha Haradinaj.

    Ai tha se Kurti i është kthyer dialogut me presidentin Vuçiq, por nuk ka realizuar dialogun me serbët lokalë, të cilin edhe e ka premtuar në fushatë zgjedhore.

    “U kthy te dialogu me Vuçiqin, por nuk ka bërë dialog me serbët lokalë të mirëfilltë, me i ulë me i pyet, cilat janë problemet, çka kërkoni ju me u nda prej Beogradit e me ardhë në Prishtinë. Nuk ka bërë ofertë tjetër qoftë ekonomike qoftë të natyrave të tjera për me i përvetëso. Nuk i ka bërë oferta amerikanëve, evropianëve qysh me e zbatu ligjin bashkë atje dhe e ka bartë krejt peshën, siç e thash në parlament, nuk është në nderin tonë me e mbajt krejt peshën tonë të një problemi kaq madhor siç është veriu, vetëm mbi policinë. Nuk funksionon ashtu, zor është, nuk del në breg ashtu”, u shpreh Haradinaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj: Kurti ka hyrë në një rrugë humbëse, i është kërkuar të mos marrë masa që e fuqizojnë Serbinë

    Haradinaj: Kurti ka hyrë në një rrugë humbëse, i është kërkuar të mos marrë masa që e fuqizojnë Serbinë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kërkesa e ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Kurti ka qenë që të mos ndërmarrë masa që e fuqizojnë Serbinë, që kjo e fundit më pas të ankohet se pala kosovare nuk po sillet mirë.

    Ai ka thënë se këto kërkesa kanë qenë të aleatëve perëndimore dhe se nuk janë nga Rusia e Kina, sepse, po të ishin nga këto dy vende, ai vetë do të ishte përkrah kryeministrit Kurti.

    “I kanë thënë hajde ta gjejmë zgjidhjen edhe i kanë thënë menjëherë nuk është zgjidhje përfundimtare, nuk është zgjidhje të qëndrueshme, i kanë thënë po ashtu, mos ndërmerr masa të tjera që e fuqizon Serbinë për me u anku qysh ne po sillemi keq. Të gjitha këto nuk janë ka t’i thotë Rusia edhe Kina, me kanë Rusia e Kina, unë isha bo bashkë me Albinin. Rusia kur ka qernë e fortë, Serbia ende pa e pas Amerikën, na i kena dalë përballë Serbisë, po edhe kur i kemi dalë përballë Serbisë, mijëra njerëz janë kanë mobilizu dhe e marrë përkrahjen e këtyre faorcave, mijëra njerëz, shqiptarët, kanë punuar në tana drejtimet, miqtë, veç me e marrë përkrahjen e këtyre forcave. Kur e ke pas këtë përkrahje të marrne për me e zbatu një detyrë tëndën si shtet me e zbatu një detyrë që ta kanë pranuar këta, pse po e humbim, duhet t’ia shtrojmë këtë pyetje vetes”, tha Haradinaj.

    Sipas tij,Kurti me veprimet që po bën në veri të vendit, ka hyrë në një rrugë humbëse.

    “Kurti nuk është në nivel të përgjegjësisë së vet. Ai njeri është dashtë me i thirrë nja 20 vetë të mençur të këtij vendi, me ba analizë me e pa se ku po dalim. Edhe pse është vonë, unë prapë iu kisha përgjigje takimit. O zotëri, ku je kah shkon, me këto veprime që ku je kah mbrrinë. Unë nuk po e kuptoj justifikimin. E sheh qe ke hyrë në rrugë humbëse edhe e sheh që je kah i rritë pasojat edhe nuk do të jetë rezultati më i mirë në veri se nuk ka si me ndodh”, tha Haradinaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Zelensky: Rusia po bën gati “provokime të rrezikshme” në Zaporizhia

    Zelensky: Rusia po bën gati “provokime të rrezikshme” në Zaporizhia

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia po planifikon të inskenojë “provokime të rrezikshme” në termocentralin e Zaporizhias, derisa Moska ka hedhur akuza në drejtim të Kievit.

    Zelensky në një bisedë telefonike, i tha homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se forcat okupuese ruse janë duke përgatitur provokime të rrezikshme në termocentralin bërthamor.

    Në anën tjetër, Rusia akuzoi Ukrainën se po planifikon ta sulmojë termocentralin, duke paralajmëruar se një sulm në termocentralin e Zaporizhias mund të ketë pasoja të rënda.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se “situata është mjaft e tensionuar pasi kërcënimi për sabotim nga regjimi i Kievit është mjaft i lartë dhe se një sabotim mund të ketë pasoja katastrofike”.

    Peskov tha se Ukraina është e gatshme të bëjë gjithçka, por nuk dha asnjë dëshmi për t’i mbështetur këto pretendime. Që nga javët e para të pushtimit rus të Ukrainës, që filloi në shkurt të vitit të kaluar, termocentrali bërthamor është i okupuar nga forcat ruse.

    Ndërkohë, si Kievi, ashtu edhe Moska, kanë raportuar për luftime të ashpra përgjatë rajonit lindor të Donetskut, teksa forcat ukrainase po synojnë të rikthejnë territoret, si pjesë e kundërofensivës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Këshilli i Prindërve kërkon pezullimin e testeve të maturës dhe të arritshmërisë

    Këshilli i Prindërve kërkon pezullimin e testeve të maturës dhe të arritshmërisë

    Derisa në fillim të kësaj jave u publikuan rezultatet e testit të maturës dhe u mbajt pjesa e parë e testit të Arritshmërisë, është kërkuar pezullimi i tyre.

    Nga Këshilli i Prindërve i Kosovës nëpërmes një deklaratë thonë se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për t’i bojkotuar.

    “Nuk ka ngjarje më përshkruese të këtij viti shkollor, sesa një testim i këtij soji: i keqprojektuar, i keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të.
    Ndërsa, i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t’iu shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve, testi i maturës dhe arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë.
    Ato teste janë shembuj konkretë se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë “paushalli” i politikëbërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

    Megjithatë, disa prindër nuk po pajtohen me qëndrimin e Këshillit të Prindërve.

    “Duhet të bëhet një komision I veçantë dhe të vlerësojnë e të shohin procesin se si ka shkuar e të shohin për një të ardhme se si duhet të veprohet, por nuk mendoj që duhet të pezullohet”, tha Arjeta Miftari, prind.

    Edhe njohësi i arsimit Argjend Osmani, vlerëson se nuk është koha e duhur për këtë.

    “e kuptoj që ka kopjime, shpërndarje, mes kolege e shokëve. E militantët I kanë testet edhe ua japin fëmijëve te tyre e më pas edhe dalin si super student. Të gjitha këto I di por është jo etike të përmirësohet gjendja në sistemin e arsimit vetëm përmes mos mbajtjes së testit të arritshmëisë. Ne si shoqëri duhet të reflektojmë dhe të themi se kjo mënyrë e qeverisjes nuk është e pranueshme”, tha njohësi i arsimit, Argjend Osmani.

    Sipas rezultateve të publikuara, kalueshmëria e testit të maturës ishte mbi 66% ndërkaq pjesa e dytë e testit të arritshmërisë pritet të mbahet javën e ardhshme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: