ATV

Blog

  • Gucati: Ballkani mund të destabilizohet nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së

    Gucati: Ballkani mund të destabilizohet nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se nuk beson që ish-krerët e UÇK-së do të dënohen nga Gjykata Speciale, duke thënë se një vendim i tillë mund të sjellë destabilizim në Kosovë dhe në Ballkan, raporton Ekonomia Online.

    Pas një takimi që zhvilloj me prefektin e Tiranës, Gucati tha se ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka bazë materiale për dënim dhe se, sipas tij, përgjegjësia për krimet gjatë luftës bie mbi forcat serbe.

    “Nuk ka bazë materiale dënimi i tyre. 10 milionë shqiptarë, unë jam i bindur që Evropa nuk dëshiron të ketë trazira në Ballkan, sidomos në këtë vend, nëse dënohen. Edhe nuk e besoj atë fare që do dënohen ata, por nuk e besoj se vetë evropianët, apo ndërkombëtaret, kanë dëshirë të ketë destabilizim të vendit. Se nëse drejtësia evropiane gabon dhe dënon pafajësisht këta njerëz duke e ditur se ne s’jemi kriminelë. Ne s’kemi bë krime, këtu krime ka bë ushtria, policia edhe para-militarët serbë në 1998-99-tën. 13 mijë e 500 qytetarë të vrarë, 1 mijë e 324 fëmijë të vrarë prej moshës 7 ditë deri në moshën 15 vjeçare”, tha ai.

    Gucati tha se UÇK-ja nuk ka kryer spastrim ndaj qytetarëve në Kosovë dhe kërkoi që përgjegjësit për krimet të dalin para drejtësisë.

    “Kjo do të thotë kush asht agresori, kush asht xhelati. Ne s’kemi qenë xhelatë, ne s’kemi bë, s’kemi spastru Kosovën nga asnjë qytetar. Çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të jetojë, të punojë, të veprojë këtu. Ata të cilët i kanë duart me gjak, ata të cilët i kanë duart me gjak të ecin mbi Kosovën si prej gjyqi. I presin gjykatat tona. Nëse ka drejtësi në Kosovë duhet të merren të gjithë ata kriminelë e të dënohen para drejtësisë”, tha ai.

    Ai shtoi se një vendim dënues mund të pasohet me reagime qytetare, por tha se deklaratat e tij nuk duhet të interpretohen si kërcënim.

    “Mund të jetë protesta, mund të jetë demonstrata, po simbas meje vendi mund të destabilizohet, mbarë Ballkani mund të destabilizohet. Kjo është frika, jo që ne po bëjmë kërcënim, mos të më marrë këtë që po e thonë, mund ta kapë dikush për fjale e mund ta mbajë si kërcënim. Ne s’po kërcënojmë, po ne po thonë që mund të jetë protesta, mund të jetë demonstrata dhe kjo nuk është e mirë as për ndërkombëtarët as për asnjë person”, tha ai.

  • Gërvalla-Schwarz: Dokumentimi i helmimeve në Kosovë është zotim për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave

    Gërvalla-Schwarz: Dokumentimi i helmimeve në Kosovë është zotim për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave

    Ministrja në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Helmimet në Kosovë (1990–1992)” në Dyseldorf, ku ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të një prej kapitujve më të rëndë dhe ende të pazbardhur të historisë së Kosovës.

    Sipas saj, ekspozita të tilla nuk janë vetëm akte kujtese, por edhe përpjekje të domosdoshme për dokumentim dhe përballje me të vërtetën historike.

    Gërvalla ka rikujtuar se gjatë viteve 1990–1992 mijëra nxënës, studentë dhe qytetarë të Kosovës u prekën nga helmimet masive të kryera nga regjimi i atëhershëm serb i udhëhequr nga Slobodan Milošević, ngjarje që, sipas saj, tronditën thellë shoqërinë dhe lanë pasoja afatgjata në kujtesën kolektive.

    Ajo ka theksuar se përvoja e Kosovës me dhunën dhe shtypjen sistematike ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si vendi e kupton shtetin, lirinë dhe orientimin euroatlantik.

    “Mbështetja jonë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian nuk është vetëm zgjedhje politike, por reflektim i një historie të jetuar”, është shprehur ajo, duke shtuar se paqja dhe stabiliteti në Evropë kërkojnë vigjilencë dhe angazhim të vazhdueshëm për të mos lejuar relativizimin apo harresën e së kaluarës.

    Në fund, ministrja në detyrë ka falënderuar drejtorin Atdhe Hetemi, Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Konsullin e Kosovës në Dyseldorf Behar Isma, partnerët akademikë dhe organizatat studentore për realizimin e kësaj ekspozite.

  • Ambasada e ShBA-së falënderon Kosovën për pjesëmarrjen në “Kosovo Sings Freedom 250”

    Ambasada e ShBA-së falënderon Kosovën për pjesëmarrjen në “Kosovo Sings Freedom 250”

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në iniciativën “Kosovo Sings Freedom 250”, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.

    Në një mesazh në Facebook, ambasada vlerësoi kontributin e pjesëmarrësve, duke theksuar se muzika e tyre ndihmoi që ky përvjetor të shndërrohej në një festë mbarëkombëtare.

    “Faleminderit, Kosovë! Faleminderit të gjithëve në mbarë Kosovën që morën pjesë në #KosovoSingsFreedom250. Muzika juaj ndihmoi në shndërrimin e 250-vjetorit të Amerikës në një festë mbarëkombëtare”, thuhet në mesazh.

    Tutje, ambasada theksoi se përmes performancave dhe materialeve të dërguara është parë fuqia e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, e shprehur përmes muzikës.

    “Përmes aplikimeve tuaja, ne pamë forcën e partneritetit ShBA-Kosovë të shprehur në një mënyrë unikisht të fuqishme – përmes muzikës. Së bashku, ne festojmë 250 vjet të lirisë amerikane – dhe miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy kombeve tona”, thuhet më tej.

    Ambasada gjithashtu bëri të ditur se mund të ketë aktivitete të tjera në vazhdim të kësaj nisme.

    “Ju lutemi, vazhdoni të ndiqni njoftimet tona, pasi mund t’ju kontaktojmë për mundësi të tjera për ta vazhduar këtë festë”, përfundon mesazhi.

  • Rama publikon fotografinë e drejtorëve të rinj të komunës së Prishtinës

    Rama publikon fotografinë e drejtorëve të rinj të komunës së Prishtinës

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar fotografinë e përbashkët të drejtorëve që do të udhëheqin drejtoritë komunale.

    Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se me përgjegjësi të përbashkët dhe përkushtim të plotë, do të funksionojnë si një ekip i vetëm.

    “Profesionistë të përkushtuar, të bashkuar në shërbim të së mirës publike dhe mirëqenies së çdo qytetari të Kryeqytetit. Me përgjegjësi të përbashkët dhe përkushtim të plotë, do të funksionojmë si një ekip i vetëm për t’i vazhduar projektet madhore të Prishtinës dhe për t’i dhënë Kryeqytetit drejtimin që meriton.Vizioni për Prishtinën e së ardhmes është i qartë, një kryeqytet modern, funksional dhe dinjitoz për të gjithë. Së bashku me këtë ekip, do të vazhdojmë ta shndërrojmë këtë vizion në punë konkrete dhe rezultate të prekshme”, ka shkruar Rama.

    Siç ka shkruar ai, përtej dallimeve politike, qëllimi dhe angazhimi i tyre i përbashkët është që të punojnë me përgjegjësi, unitet dhe vizion për zhvillimin e kryeqytetit dhe për të ardhmen që meritojnë qytetarët e këtij vendi. /Telegrafi/

  • Manchester United vendos për të ardhmen e Michael Carrick

    Manchester United vendos për të ardhmen e Michael Carrick

    Drejtuesit e Manchester United F.C., përfshirë shefin ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtorin e futbollit Jason Wilcox, raportohet se kanë marrë një vendim të rëndësishëm sa i përket të ardhmes së Michael Carrick në klub.

    Që prej marrjes së drejtimit të ekipit në janar, pas largimit të Ruben Amorim, Carrick ka regjistruar rezultate mbresëlënëse me “Djajtë e Kuq”, duke arritur 10 fitore, tri barazime dhe vetëm dy humbje në 15 ndeshje. Ai gjithashtu ka siguruar rikthimin e klubit në UEFA Champions League për herë të parë që nga sezoni 2022/23.

    Megjithatë, kontrata e Carrickut në “Old Trafford” skadon në fund të sezonit, ndërsa emra të njohur si Luis Enrique, Oliver Glasner dhe Andoni Iraola janë përmendur si kandidatë të mundshëm për postin e trajnerit të përhershëm.

    Sipas raportimit të The Athletic, Wilcox dhe Berrada kanë rekomanduar që Carrickut t’i ofrohet zyrtarisht posti i trajnerit edhe për sezonin e ardhshëm.

    Megjithatë, vendimi final pritet të merret nga bashkëpronari i klubit, Jim Ratcliffe. Raportohet se trajneri 44-vjeçar është përfshirë tashmë në takimet për planifikimin e skuadrës dhe diskutimet për transferimet e verës.

    Edhe familja Glazer family thuhet se mbështet idenë që Ratcliffe të marrë vendimin përfundimtar lidhur me të ardhmen e trajnerit.

    Sipas raportimeve, bisedimet me Carrickun pritet të zhvillohen para ndeshjes së fundit të sezonit në Premier League ndaj Brighton & Hove Albion F.C. më 24 maj, ndërsa marrëveshja mund të arrihet pa shumë vështirësi.

    Ndërkohë, sipas ESPN, edhe anëtarët e stafit teknik si Steve Holland, Jonathan Woodgate, Travis Binnion dhe Jonny Evans gëzojnë mbështetjen e lojtarëve dhe mund të vazhdojnë punën në klub.

    Manchester United rikthehet në aksion më 17 maj, kur do të përballet me Nottingham Forest F.C..

  • Alvaro Arbeloa mbështet akuzat e Perez: “Titujt e Real Madridit u vodhën”

    Alvaro Arbeloa mbështet akuzat e Perez: “Titujt e Real Madridit u vodhën”

    Trajneri i Real Madrid CF, Alvaro Arbeloa, ka bërë jehonë deklaratave të presidentit Florentino Perez, i cili akuzoi se klubit po i grabiteshin titujt e La Ligës dhe se gjyqtarët dyshohet se favorizonin FC Barcelona për shkak të skandalit Negreira.

    Dje (e martë), Perez mbajti një konferencë për shtyp ku kritikoi gazetarinë për lajme të rreme ndaj klubit dhe akuzoi drejtuesit e La Liga për dëmtimin e interesave të Real Madridit. Presidenti përmendi skandalin Negreira dhe theksoi se vetëm gjatë epokës së tij, Real Madridit iu kanë “vjedhur” shtatë tituj të kampionatit, një qëndrim që ndan edhe trajneri Arbeloa.

    “Florentino tha që na u vodhën titujt e La Ligës? Sigurisht, të gjithë e dimë çfarë ndodhi”, deklaroi Arbeloa.

    Ai shtoi: “Do të ishte mirë nëse çështja Negreira do të zgjidhej. Është e qartë se nuk është as ligjore dhe nuk ka kuptim për ata prej nesh të përfshirë në futboll”.

    “Është e pabesueshme që vetëm futbolli mbron ligjshmërinë. Është një ndjenjë që e ndajnë të gjithë tifozët e Madridit”, përfundoi trajneri i Real Madridit.

  • Musliu: Numri në listë s’ka rëndësi, po përballemi me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin që s’njohin as moral as ligje

    Musliu: Numri në listë s’ka rëndësi, po përballemi me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin që s’njohin as moral as ligje

    Kandidatja e PDK’së për deputete, Ganimete Musliu, tha se numrat në listën zgjedhore nuk janë të rëndësishëm derisa përballë kanë kundërshtarë politikë si Albin Kurti e Vjosa Osmani.

    Për këta dy, Musliu tha se janë “të gatshëm të shkelin gjithçka për të përmbushur apetitet e tyre për pushtet”.

    “Prandaj në këtë përballje, numri në listën zgjedhore nuk është ai që ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi janë kauzat për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës. Dhe sot, jam më e gatshme se kurrë të përballem me betejën që na pret. Zgjedhjet zgjasin një ditë, por pasojat e rezultateve të tyre mbeten për vite me radhë”, ka shkruar Musliu.

    Ajo tha se kanë pasë edhe një bisedë me kreun e partisë, Bedri Hamza, për renditjen e kandidatëve në listë.

    “Edhe pse, në pesë zgjedhje radhazi, vota e qytetarëve më ka renditur ndër 10 kandidatët më të votuar, unë kurrë nuk kam këmbëngulur në një numër, sepse pa punë të sinqertë dhe angazhim maksimal, një numër mbetet vetëm një numër. Për mua, beteja nuk ka qenë kurrë për numra, privilegje apo rehati politike. Beteja dhe angazhimi im gjithmonë kanë qenë, dhe mbeten, për besimin e popullit, dinjitetin e përfaqësimit dhe rrugën që i duhet Kosovës”.

    Postimi i plotë:

    Në ditët e tij më të vështira, Hashim Thaçi ngriti grushtin lart si simbol se vetëm të bashkuar mund të mposhtim çdo kundërshtar, çdo padrejtësi dhe çdo përpjekje për të njollosur të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi.

    Edhe në këto zgjedhje, ashtu si në ato të mëparshmet, ka pasur shumë interesim nga profesionistë dhe kuadro të fushave të ndryshme për t’u bërë pjesë e listës së PDK-së.

    Kjo mbart një rëndësi të veçantë sepse, pavarësisht degradimit ekstrem të politikës në Kosovë, PDK vazhdon të mbetet adresa më serioze për njerëzit që besojnë në një Kosovë demokratike dhe duan të kontribuojnë në zhvillimin e saj.

    Në një bisedë të sinqertë me Kryetarin Hamza, u diskutua edhe renditja e kandidatëve brenda 10-shes së parë të partisë.

    Edhe pse, në pesë zgjedhje radhazi, vota e qytetarëve më ka renditur ndër 10 kandidatët më të votuar, unë kurrë nuk kam këmbëngulur në një numër, sepse pa punë të sinqertë dhe angazhim maksimal, një numër mbetet vetëm një numër.

    Për mua, beteja nuk ka qenë kurrë për numra, privilegje apo rehati politike. Beteja dhe angazhimi im gjithmonë kanë qenë, dhe mbeten, për besimin e popullit, dinjitetin e përfaqësimit dhe rrugën që i duhet Kosovës.

    Bazuar në këto bindje, edhe nëse nuk do të isha fare pjesë e listës, do të isha përsëri e gatshme të jepja maksimumin tim për Partinë Demokratike të Kosovës, sepse është partia e kauzave dhe vlerave më të mëdha të kombit dhe shtetit.

    Për mua, politika nuk është thjesht një garë personale; është një mision, një përgjegjësi dhe një detyrim ndaj njerëzve që më kanë besuar gjatë viteve. Besimi dhe respekti nuk mund të blihen ose të imponohen. Ato fitohen përmes përkushtimit, mirënjohjes dhe përulësisë ndaj të gjithë atyre që vazhduan të më mbështesnin edhe kur emri im u shfaq nën numrin 81 në listë.

    Prandaj, pavarësisht se vlerësohem shumë nga votuesit e PDK-së dhe vlerësohem nga institucionet monitoruese të Kuvendit si një nga deputetët më aktivë të partisë, edhe këtë herë kam pranuar me krenari dhe përgjegjësi numrin 12.

    Jam plotësisht e vetëdijshme se po përballemi me kundërshtarë politikë si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të cilët nuk njohin as moral politik, as rregulla, as ligje, as kufizime, dhe që janë të gatshëm të shkelin gjithçka për të përmbushur apetitet e tyre për pushtet.

    Prandaj në këtë përballje, numri në listën zgjedhore nuk është ai që ka rëndësi.

    Ajo që ka rëndësi janë kauzat për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës. Dhe sot, jam më e gatshme se kurrë të përballem me betejën që na pret.

    Zgjedhjet zgjasin një ditë, por pasojat e rezultateve të tyre mbeten për vite me radhë.

    Prandaj, me përulësi, i ftoj të gjithë mbështetësit, anëtarët dhe strukturat udhëheqëse të PDK-së dhe përtej tyre edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkohen në mënyrë që më 7 qershor të dalim fitimtarë për Kosovën dhe për demokracinë.

    Partia Demokratike është e dëshmuar. Të gjitha sukseset e Republikës së Kosovës, qoftë në politikën e brendshme qoftë në atë të jashtme mbajnë vulën e PDK-së.

    Kjo është fakt dhe unë jam krenare që jam pjesë e këtyre sukseseve.

  • Manchester City kërkon rinovimin e Rodrit mes interesimit të Real Madridit

    Manchester City kërkon rinovimin e Rodrit mes interesimit të Real Madridit

    Real Madrid CF vazhdon të monitorojë situatën e Rodri, por deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare për mesfushorin e Manchester City F.C..

    Prej muajsh është përfolur për një interesim të mundshëm të klubit madrilen për fituesin e Euro 2024, megjithatë raportimet e fundit tregojnë se nuk ka pasur kontakte konkrete mes dy klubeve.

    Kjo situatë i ka dhënë mundësi Manchester Cityt të veprojë shpejt për të siguruar të ardhmen e një prej lojtarëve më të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola.

    Sipas specialistit të merkatos Matteo Moretto, drejtuesit e klubit anglez po punojnë prej javësh për rinovimin e kontratës së Rodrit dhe dëshirojnë ta mbyllin marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur.

    Mesfushori spanjoll ka tashmë një ofertë në tavolinë dhe vendimi i tij pritet në ditët e ardhshme. City synon të shmangë çdo spekulim gjatë merkatos së verës dhe ta mbajë liderin e mesfushës për të paktën edhe një sezon tjetër në “Etihad”.

    Rodri ka zhvilluar 31 ndeshje dhe ka shënuar dy gola këtë sezon me kampionët e Premier League, duke mbetur një nga lojtarët kyç në skemat e Guardiolës.

    Ndërkohë, Real Madrid CF vazhdon ta ndjekë situatën nga afër, por pa ndërmarrë hapa konkretë. Nëse rinovimi me Manchester Cityn finalizohet, klubi spanjoll pritet të orientohet drejt alternativave të tjera për repartin e mesfushës.

  • Kardiologët këshillojnë njerëzit të gatuajnë më shpesh ushqim në shtëpi

    Kardiologët këshillojnë njerëzit të gatuajnë më shpesh ushqim në shtëpi

    Kardiologët po u bëjnë thirrje njerëzve të gatuajnë më shpesh në shtëpi për të ulur konsumimin e ushqimeve të shumëpërpunuara, të njohura si UPF, të cilat lidhen me rreziqe serioze për shëndetin.

    Sipas një deklarate të re klinike të publikuar nga European Society of Cardiology dhe European Association of Preventive Cardiology, mjekët duhet t’i këshillojnë pacientët të shmangin ushqimin vonë gjatë natës, të përtypin ushqimin më ngadalë dhe të konsumojnë më shumë ushqime të freskëta dhe sa më pak të përpunuara, ka shkruar The Guardian, transmeton Koha.net.

    Ekspertët rekomandojnë gjithashtu konsumimin e jogurtit natyral në vend të atij me shije frutash apo me sheqer, zëvendësimin e pijeve me sheqer me ujë, si dhe leximin e etiketave ushqyese dhe listës së përbërësve para blerjes së produkteve ushqimore.

    Këto këshilla synojnë veçanërisht personat që kanë sëmundje të zemrës ose janë të rrezikuar t’i zhvillojnë ato.

    Sipas të dhënave, rreth 8 milionë persona në Britani jetojnë me sëmundje kardiovaskulare, të cilat shkaktojnë afërsisht 170 mijë vdekje çdo vit.

    Deklarata u bën thirrje kardiologëve që të flasin më shpesh me pacientët për ushqimet e shumëpërpunuara dhe t’i pyesin rregullisht se sa shpesh i konsumojnë ato.

    Ekspertët thonë se mjekët duhet t’i inkurajojnë pacientët të gatuajnë më shpesh në shtëpi, të shmangin konsumimin e ushqimit vonë në mbrëmje, të hanë më ngadalë dhe me kujdes dhe të zgjedhin ushqime me shumë fibra dhe pak të përpunuara.

    Sipas dokumentit, përdorimi i fotografive të ushqimeve të shumëpërpunuara gjatë konsultave mund t’i ndihmojë pacientët t’i identifikojnë më mirë ato, pasi vetëm shpjegimet verbale shpesh nuk mjaftojnë.

    “Mjekët duhet të bëjnë biseda shumë më praktike me pacientët që kanë probleme me zemrën për ushqimin që konsumojnë çdo ditë”, ka thënë Kawther Hashem nga Queen Mary University of London.

    Ajo ka shtuar se njerëzit duhet të reduktojnë ushqime si pijet me sheqer, biskotat, patatinat e shkopinjtë e paketuar, mishrat e përpunuar, ushqimet e gatshme dhe ushqimin e shpejtë, sepse ato përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyrash të pashëndetshme.

    Sipas saj, ulja e konsumit të kripës është e rëndësishme sidomos për personat me probleme të zemrës, pasi kripa rrit tensionin e gjakut, një nga faktorët kryesorë të sëmundjeve të zemrës, sulmit në tru dhe sëmundjeve të veshkave.

    “Reduktimi i ushqimeve dhe pijeve me sheqer ndihmon gjithashtu në uljen e kalorive të tepërta, shtimit në peshë dhe rrezikut për diabet të tipit 2”, ka thënë ajo.

    Një nga autoret e studimit, Luigina Guasti, ka thënë se njerëzit që gatuajnë më shpesh në shtëpi zakonisht kanë dietë më të shëndetshme dhe konsumojnë më pak ushqime të shumëpërpunuara.

    “Edhe ndryshimet e vogla dhe graduale në gatimin në shtëpi mund të përmirësojnë shëndetin me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.

    Studimi konfirmon se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të shumëpërpunuara rrit rrezikun për obezitet, diabet, tension të lartë të gjakut, sëmundje kronike të veshkave dhe vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.

    Ndërkohë, Tracy Parker nga British Heart Foundation ka thënë se individët nuk mund ta zgjidhin të vetëm këtë problem dhe se qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të krijuar një ambient ushqimor më të shëndetshëm për qytetarët.

  • Çmimi i naftës arrin rekorde në disa shtete të SHBA-së

    Çmimi i naftës arrin rekorde në disa shtete të SHBA-së

    Çmimi i naftës ka arritur nivele rekord në disa shtete të SHBA-së, duke shënuar një rritje të paprecedentë në tregun e energjisë.

    Sipas AAA, të mërkurën është raportuar se çmimi mesatar i naftës ka arritur nivelet më të larta historike në katër shtete të Midwest-it: Wisconsin, Michigan, Illinois dhe Indiana.

    Rritja e fundit lidhet me një kombinim faktorësh, përfshirë çmimet e larta të naftës së papërpunuar, ndërprerjet në disa rafineri dhe faktin se rafineritë po i japin përparësi prodhimit të karburantit për avionë në vend të naftës dhe benzinës.

    Nafta është një komponent kyç i ekonomisë amerikane, pasi përdoret për traktorë, kamionë, autobusë, trena dhe anije. Për këtë arsye, rritja e çmimeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit dhe ushqimeve, duke rritur çmimet për konsumatorët.

    Në nivel kombëtar, çmimi mesatar i një gallon nafte ka arritur në 5.66 dollarë, një rritje prej rreth 60% krahasuar me vitin e kaluar. Ky nivel po i afrohet rekordit historik prej 5.82 dollarësh të regjistruar në qershor 2022.

    Rritja është edhe më e theksuar në disa shtete: Indiana: +72% në 6.13 dollarë për gallon, Illinois: +74% në 6.13 dollarë për gallon, Michigan: +77% në 6.13 dollarë për gallon, Wisconsin: +82% në 5.87 dollarë për gallon, shkruan CNN.