ATV

Blog

  • Supremja shfuqizon tarifën prej 3-eurove për shoqëruesit e pacientëve në QKUK

    Supremja shfuqizon tarifën prej 3-eurove për shoqëruesit e pacientëve në QKUK

    Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3-eurosh për personat shoqërues mbi 15-vjeç të pacientëve gjatë qëndrimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e Supremes thuhet se pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, është vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.

    Në aktgjykim, Gjykata thekson se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor. Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore.

    “Gjykata Supreme po ashtu ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit’, thuhet në njoftim.

    Aty theksohet se tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, “veçanërisht duke pasur parasysh praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit”.

    “Gjykata Supreme ka konstatuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj”, theksohet tutje në njoftim.

  • ASK: Çmimet në Kosovë u rritën për 7.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar

    ASK: Çmimet në Kosovë u rritën për 7.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar

    Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] ka njoftuar se shkalla e rritjes së çmimeve të konsumit në muajin prill 2026 ishte mesatarisht 7,5 % më e lartë krahasuar me muajin prill 2025. Ndërkohë, inflacioni mujor ishte 1,1 % në muajin prill 2026.

    Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,5 % në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill 2025.

    Kontribuuesit kryesor në ketë rritje janë transporti, strehimi, rryma, gazi dhe lëndët djegëse

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të ndikuara te grupet kryesore të COICOP-it: transport (16,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %); ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %); shëndetësi (4,7 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %); mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %); rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %); dhe veshje dhe këpucë (2,3 %)”-tregon ASK.

    Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e informacionit dhe komunikimit (-0,2 %) dhe të arsimit -0,6 %.

    Në anën tjetër, në krahasim me muajin paraprak [mars 2026] rritja ishte mbi 1%,

    “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur për 1,1% në muajin prill 2026, krahasuar me muajin mars 2026. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transport (4,9 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (1,2 %); rekreacion, sport dhe kulturë (0,4 %); mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (0,3 %); ushqim dhe pije joalkoolike (0,1 %);  dhe veshje dhe këpucë (0,1 %)”-tregon ASK.

    Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar te grupi i kujdesit personal, mbrojtjes sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme -0,2 %.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]
    Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]

    Këto të dhëna u bën të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me rastin e publikimit të “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin prill 2026”.

  • Carlo Ancelotti mbështet rikthimin e Mourinhos te Real Madridi

    Carlo Ancelotti mbështet rikthimin e Mourinhos te Real Madridi

    Carlo Ancelotti i ka dhënë mbështetje të fortë Jose Mourinho për një rikthim të mundshëm te Real Madrid CF, duke e konsideruar trajnerin portugez si njeriun e duhur për ta rikthyer stabilitetin në “Santiago Bernabeu”.

    Teksa klubi madrilen po kalon një periudhë tranzicioni dhe spekulimet për trajnerin e ardhshëm vazhdojnë, Ancelotti është shfaqur si një nga zërat më të fortë në favor të rikthimit të Mourinhos.

    Trajneri italian, i cili në vitin 2013 mori drejtimin e Real Madridit pikërisht pas Mourinhos dhe më pas fitoi “La Decima”-n në UEFA Champions League, beson se portugezi ende ka cilësitë e nevojshme për të udhëhequr klubin më kërkues në botë.

    “Nëse do të kthehet te Real Madridi, do të jem vërtet i lumtur për të. Ai mund të bëjë një punë fantastike, ashtu siç e ka bërë gjithmonë në të gjitha klubet ku ka qenë”, deklaroi Ancelotti.

    Italiani reagoi gjithashtu ndaj raportimeve që sugjeronin se Xabi Alonso e kishte konsideruar grupin e lojtarëve të Realit si “të pamundur për t’u stërvitur”.

    Ancelotti i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke mbrojtur profesionalizmin e lojtarëve madrilenë.

    “Jo, sepse kjo e bën të duket sikur lojtarët te Real Madridi bëjnë çfarë të duan. Nuk është e vërtetë. Absolutisht marrëzi”, u shpreh ai.

    “Nuk është e vërtetë. Kur isha aty, unë kisha një ide dhe përpiqesha ta diskutoja me lojtarët, pastaj shihja nëse pajtoheshin apo jo. Edhe në finalen e Ligës së Kampionëve vepruam kështu”.

    Sipas Ancelottit, çelësi i suksesit për Mourinhon në një mandat të mundshëm të dytë te Real Madridi do të ishte menaxhimi i grupit dhe marrëdhënia me lojtarët, po aq sa aspekti taktik.

  • Chelsea e sheh Xabi Alonson si trajnerin ideal-Arda Guler objektiv i madh i verës

    Chelsea e sheh Xabi Alonson si trajnerin ideal-Arda Guler objektiv i madh i verës

    Chelsea F.C. po vazhdon punën për zgjedhjen e trajnerit të ardhshëm, një vendim që pritet të përcaktojë drejtimin sportiv të klubit për vitet e ardhshme. Edhe pse ende nuk ka një vendim përfundimtar, emri që ka fituar më së shumti terren javët e fundit është ai i Xabi Alonso.

    Trajneri bask konsiderohet si një nga emrat më premtues në futbollin evropian dhe profili i tij përputhet me vizionin që drejtuesit e klubit londinez dëshirojnë të ndërtojnë në “Stamford Bridge”.

    Sipas raportimeve, drejtuesit e Chelseat vlerësojnë lart aftësitë taktike të Alonsos, personalitetin e tij dhe filozofinë moderne të futbollit. Klubi synon të krijojë një skuadër konkurruese me identitet të qartë, ndërsa ish-mesfushori spanjoll shihet si figura ideale për ta udhëhequr këtë projekt.

    Një tjetër aspekt që e bën Alonson tërheqës për Chelsean është marrëdhënia e tij e mirë me talentët e rinj të futbollit evropian, gjë që mund të ndikojë edhe në planet e merkatos së verës.

    Një nga emrat që lidhet drejtpërdrejt me ardhjen e mundshme të Alonsos është ai i talentit turk Arda Guler. Reprezentuesi i Turqisë raportohet se ka qenë një nga lojtarët më të vlerësuar nga Alonso gjatë periudhës së tij te Real Madrid CF.

    Megjithatë, Real Madridi nuk pritet ta lejojë lehtë largimin e Gulerit. Sipas raportimeve, klubi spanjoll nuk e konsideron lojtarin të paprekshëm, por do të dëgjonte oferta vetëm nëse ato afrohen te shifra e 100 milionë eurove.

    Edhe pse bëhet fjalë për një shumë shumë të lartë, ajo konsiderohet e përballueshme për Chelsean, i cili në vitet e fundit ka investuar shuma të mëdha në tregun e transferimeve. Në Londër besohet se potenciali dhe talenti i Gulerit e justifikojnë një investim të tillë financiar.

  • Bayern Munich arrin marrëveshje personale me Anthony Gordon

    Bayern Munich arrin marrëveshje personale me Anthony Gordon

    Bayern Munich raportohet se ka arritur marrëveshje personale me yllin e Newcastle United F.C., Anthony Gordon, duke iu afruar një transferimi të mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës.

    Në javët e fundit, sulmuesi anësor anglez është lidhur vazhdimisht me një kalim në Allianz Arena, ndërsa tani kanë dalë raportime të reja që tregojnë përparim të rëndësishëm në negociata.

    Sipas gazetarit britanik Ben Jacobs, Gordon ka pranuar kushtet personale të ofruara nga Bayern Munich, duke hapur rrugën për finalizimin e marrëveshjes.

    Megjithatë, ende nuk ka marrëveshje mes dy klubeve sa i përket shumës së transferimit. Raportohet se negociatat ndërmjet Bayernit dhe Newcastle kanë nisur, por ekziston një diferencë e konsiderueshme në vlerësimin e lojtarit.

    Sipas Jacobs, Newcastle kërkon të paktën 75 milionë funte, ose rreth 87 milionë euro, për kartonin e reprezentuesit anglez.

    Pavarësisht kësaj, interesimi i madh i kampionëve të Bundesliga bën që të ketë optimizëm se marrëveshja mund të arrihet gjatë javëve të ardhshme.

  • Carlo Ancelotti “mendon shumë” për ftesën e Neymarit në Kupën e Botës 2026

    Carlo Ancelotti “mendon shumë” për ftesën e Neymarit në Kupën e Botës 2026

    Përzgjedhësi i Brazilit Carlo Ancelotti, ka pranuar se vendimi për të përfshirë sulmuesin legjendar Neymar në skuadrën për Kupën e Botës 2026 po e “mendon shumë” dhe e vlerëson si një vendim të ndërlikuar.

    Neymar, pavarësisht statusit të tij legjendar, ka pasur disa probleme fizike kohët e fundit, të cilat Ancelotti po i balancoi me talentin e padiskutueshëm të lojtarit. Sulmuesi i Paris Saint-Germain FC është përfshirë në listën paraprake prej 55 lojtarësh për Botërorin, por numri do të reduktohet në 26 kur të shpallet lista përfundimtare më 18 maj.

    “Kur duhet të zgjedhësh, duhet t’i marrësh parasysh shumë gjëra,” tha Ancelotti në një intervistë ekskluzive për Reuters.

    “Neymar është një lojtar i rëndësishëm për këtë vend për shkak të talentit që ka treguar gjithmonë. Ai ka pasur disa probleme dhe po punon fort për t’u rikuperuar. Ai është përmirësuar shumë kohët e fundit dhe po luan rregullisht. Natyrisht, për mua nuk është një vendim i lehtë. Duhet t’i peshojmë me kujdes anët pozitive dhe negative, por kjo nuk më vendos presion.”

    Ancelotti shtoi se po vlerësohen jo vetëm aftësitë e Neymarit, por edhe ndikimi i tij në skuadër dhe atmosfera që krijon tek lojtarët e tjerë.

    “E di shumë mirë që Neymari pëlqehet shumë, jo vetëm nga publiku, por edhe nga lojtarët. Nuk është sikur do të hedh një ‘bombë’ në dhomën e zhveshjes. Ai pëlqehet shumë, është shumë i dashur. Mendoj se është normale që lojtarët ta shprehin mendimin e tyre,” përfundoi trajneri italian.

  • Trump mbërrin në Pekin për takimin me Xi Jinping

    Trump mbërrin në Pekin për takimin me Xi Jinping

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin të Kinës, ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij kinez, Xi Jinping, gjatë dy ditëve të ardhshme.

    Ai mbërriti i shoqëruar nga një bandë frymore që luante dhe flamuj që valëviteshin duke performuar një rutinë, ndërsa brohoriste “mirë se vini, mirë se vini, një mirëseardhje të ngrohtë” ndërsa hipte në automjetin e tij presidencial, shkruan BBC.

    Grupi i Trump përfshin drejtorë ekzekutivë të teknologjisë, përfshirë shefin e Tesla-s, Elon Musk, i cili u pa në pistë.

  • Aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie në Dragash, ngarkohen se dërguan aparate të vjetra të fotokopjimit në shkolla në vend të pajisjeve të reja

    Aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie në Dragash, ngarkohen se dërguan aparate të vjetra të fotokopjimit në shkolla në vend të pajisjeve të reja

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.P., dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.

    B.P., ngarkohet se si person i autorizuar i operatorit ekonomik, ka shkelur rregullat e prokurimit në kontratën publike me titull “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Sipas aktakuzës, me datë 22.12.2023 në Dragash, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, dyshohet se me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata publike me titull “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit sikurse ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara.

    “Gjatë realizimit të kontratës, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të vjetra të servisuara në të cilat janë vendosur pajisje të reja shpenzuese. Me këto veprime, Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët përdorimi, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.”, si operator ekonomik fitues i kontratës së lartcekur.

    Me veprimet e tyre, B.P., dhe operatori ekonomik ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Miftaraj për hoxhën Osman Musliu që u fut në listë zgjedhore: E ka parë pasurinë e njerëzve të VV-së dhe iu fut politikës për të ngjyer pak

    Miftaraj për hoxhën Osman Musliu që u fut në listë zgjedhore: E ka parë pasurinë e njerëzve të VV-së dhe iu fut politikës për të ngjyer pak

    Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka ironizuar me përfshirjen e hoxhës Osman Musliu në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë.

    Ai shkroi në një postim në Facebook se disa hoxhallarë “po tundohen nga pasuria në këtë jetë të rrejshme”.

    “Kur po e shohin pasurine e njerezve te VV te fituar nga pozitat ne pushtet, do hoxhallare (fatmiresisht shume pak ne numer) po tundohen nga pasuria ne kete jete te rrejshme dhe po i futen politikes dhe pushtetit si duket per ta ngjyer edhe ata pak”, shkroi Miftaraj.

  • Specialja nxori pamje të burgut ku mbahen Thaçi dhe të tjerët, Selimi: Ndaleni këtë marrëzi, po mbahen në paraburgim qe 6 vjet

    Specialja nxori pamje të burgut ku mbahen Thaçi dhe të tjerët, Selimi: Ndaleni këtë marrëzi, po mbahen në paraburgim qe 6 vjet

    Ish-kryediplomati kosovar Petrit Selimi e ka quajtur marrëzi prezantimin që ia bëri Gjykata Speciale burgut në Hagë ku po mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai shkroi në X se ka qenë disa herë për vizitë atje dhe se ata po qëndrojnë në paraburgim tash e 6 vjet.

    “Është burg. Ndaleni këtë marrëzi. Kam qenë disa herë duke vizituar udhëheqësit e akuzuar të çlirimit të Kosovës. Ata kanë kaluar 6 vjet në paraburgim / arrest gjatë gjykimit, ndërkohë që ju keni refuzuar çdo lirim me kusht apo arrest shtëpiak edhe kur shtete të treta kanë garantuar qëndrimin në territoret përkatëse të tyre”, shkroi Selimi.

    Specialja, në një video të publikuar dje paraqiti kushtet e burgut që përshkruheshin si shumë të mira.

    “Paraburgimi para ose gjatë një gjyqi bëhet vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar një rrezik të konsiderueshëm, p.sh. rreziku që i pandehuri të përpiqet të frikësojë ose të ndikojë në dëshmitarë. Çdo dy muaj, Gjyqtarët e Gjyqit të Specializuar të Kosovës do të rishikojnë paraburgimin për të shqyrtuar nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhej ndër tjerash në postimin e gjykatës.