ATV

Blog

  • Dezinformatat, mediat serbe stimulojnë narrativën se serbët në Kosovë janë të kërcënuar

    Dezinformatat, mediat serbe stimulojnë narrativën se serbët në Kosovë janë të kërcënuar

    Tensionet e herëpashershme në veri dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë qenë temat kryesore që u përdorën për prodhim të keqinformimit në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 dhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

    Kështu del nga raporti “Prapa Ekranit” të realizuar nga organizata joqeveritare “Hibrid Info”.

    “Ngjashëm si në periudhën e kaluar gjashtëmujore, edhe në këtë periudhë, ngjarjet që lidhen me veriun e Kosovës kanë qenë temat kryesore nga të cilat janë krijuar dhe shpërndarë informata nga media të ndryshme. Nëse veriut i shtohet edhe tema mes Kosovës dhe Serbisë me katër për qind, atëherë këto janë temat më të publikuara gjatë këtyre gjashtë muajve”, tha Shkelzen Osmani nga OJQ “Hibrid Info”.

    Shtrembërimi i realitetit politik, që ka të bëjë me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ka qenë i shtrirë në disa tema.

    “Publikimet shtrembëruese me tematikë politike, të shpërndara nga mediat në gjuhën shqipe dhe serbe, i kanë trajtuar më së shumti marrëdhëniet Kosovë- Serbi, veriun e Kosovës, komunat me shumicë serbe në Kosovë, pretendimet e pabaza të mediave serbe”, tha Osmani.

    Temat nga të cilat janë prodhuar më së shumti lajme keqinformuese në kategorinë e dezinformatës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë ato sociale, të kronikës së zezë e sigurisë.

    Sipas raportit, edhe rrjetet sociale, në krye me Facebookun, po luajnë një rol të madh në keqinformimin e audiencës. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte personaliteti më i përfolur nga mediat në gjuhën shqipe e ato serbe. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Disa nga serbët e arrestuar për sulme në pjesën veriore, pasi kanë paguar dorëzaninë, janë liruar

    Disa nga serbët e arrestuar për sulme në pjesën veriore, pasi kanë paguar dorëzaninë, janë liruar

    Ky është Nemanja Vllaskovic i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri. Vllaskovic, për arrestimin e të cilit njoftoi vetë ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla, u lirua ditë më parë nga paraburgimi.

    Ai dhe i dyshuari tjetër për sulm ndaj gazetarëve Dalibor Spasiq, do të mbrohen në liri pasi paguan dorëzaninë.

    Megjithatë, kjo masë sipas juristëve, nuk aplikohet shpesh. Ndërkaq, për shkak të terrenit specifik, siç është veriu, Arbër Jashari nuk pajtohet me caktimin e kësaj mase.

    “Në rastin konkret, normal Gjykata është ajo që e vlerëson, por ekziston gjithmonë rreziku që ata të shmangen… dhe për shkak të specifikave që ka terreni ku ata veprojnë dhe mund ta llogarisin një kosto financiare sesa të ndiqen penalisht dhe të rrezikojnë dënimin”, tha avokati Arbër Jashari.

    Sipas Jasharit, nëse do të ishin paraqitur prova që do të vërtetonin dyshimet për vepër penale, do të duhej të vendosej për masë më të rëndë.

    Duke aluduar në deklarimet e ministrit të Brendshëm, i cili pas çdo arrestimi të serbëve në veri, reagonte nëpërmes rrjeteve sociale, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, bëjnë thirrje që politika të qëndrojë larg këtyre zhvillimeve.

    Nën dyshime për sulme ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, policia kishte arrestuar edhe Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Urosh Vukasinoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bislimi e Petkoviç në Bruksel, për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazë

    Bislimi e Petkoviç në Bruksel, për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazë

    Dhjetë ditë pas dakordimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të jetë në Bruksel për një rund të ri bisedimesh me Serbinë.

    Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse Përfaqësuesi i Posaçëm, Lajcak, do të takojë ndaras kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, apo nëse do të ketë takim trepalësh.

    Në cilindo format, përveç hapave të mëtejmë për deeskalim të situatës në veri, diskutimet do të përqendrohen në finalizimin e draft-dokumentit për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratislavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Vazhdimisht po dëshmojmë gatishmërinë tonë për deeskalim, siç e dëshmoi dhe dakordimi i Bratislavës dhe, po ashtu, dhe fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

    Pa dhënë detaje, zëdhënësi për Politikë të Jashtme të BE-së, Peter Stano, konfirmoi rundin e ri të bisedimeve Kosovë – Serbi.

    “Nesër, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, do të presë në Bruksel kryenegociatorët e të dyja palëve, në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Fokusi do të jetë implementimi i marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe hapat drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Bashkimi Evropian nuk ka treguar ende se kur dhe si pritet të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat, sipas kryeministrit Albin Kurti, “cenojnë barabarësinë e palëve në dialog”.

    Pas veprimeve fillestare për shtensionim, sipas planit të 10 Korrikut, Qeveria përsëriti se masat janë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë.

    Ndërkaq, SHBA-ja përsëriti thirrjen që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa për shtensionim dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani: Ligji për pagën minimale do të trajtohet nga ekspertët ligjorë të Presidencës

    Osmani: Ligji për pagën minimale do të trajtohet nga ekspertët ligjorë të Presidencës

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka pritur në takimit organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në takim u diskutua Ligji për pagën minimale.

    Osmani tha se ky ligj ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

    “Ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”, tha Osmani.

    Në këtë takim, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prezantuan edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre.

  • Szunyog pritet nga Radoniqi, zgjedhjet e parakohshme në veri në mesin e temave

    Szunyog pritet nga Radoniqi, zgjedhjet e parakohshme në veri në mesin e temave

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar takimin me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    Në bisedën e tyre theksi ka qenë te Ligji i Zgjedhjeve dhe situata me komunat veriore.

    “I gëzuar ta takoja kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi dhe të diskutonim për punën mbi zbatimin e Ligjit të Zgjedhjeve sikurse edhe çështjet aktuale rreth zgjedhjeve të parakohshme në veri”, është shprehur Szunyog, transmeton KlanKosova.tv.

    “BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për KQZ-në për harmonizimin e akteve nënligjore me ligjin e ri”.

  • Klinaku: Osmani i shënoi kërkesat tona, Kurti s’është kompetent të flasë për numrin e veteranëve

    Klinaku: Osmani i shënoi kërkesat tona, Kurti s’është kompetent të flasë për numrin e veteranëve

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha sa me kryeministrin Albin Kurti nuk është kompetentë që të flas për numrin e veteranëve të luftës, raporton EO.

    Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke iu referuar një deklarate të Kurtit se është trefishuar numri i veteranëve pohoi se nuk i takon atij që të merret me këtë çështje kur verifikimi është bërë nga komandantët dhe se dosja është në Prokurori.

    Kërkesat e tyre sa i përket ligjit për pagën minimale, ai tha Osmani i ka shënuar, por që nuk ka dhënë ndonjë koment shtesë.

    Përderisa tha se me Kurtin nuk kanë kontaktuar qe një vit dhe se Qeveria e Kuvendi nuk po merren me kërkesat a tyre. Madje thotë se Qeveria po trumbeton e po thërret në përçarje.

    Ky takim është kërkuar nga veteranët e UÇK-së, pasi sipas tyre, janë lënë jashtë kategorisë në Ligjin për pagën minimale.

    Kurse, shoqëria civile së bashku me Organizatën e Veteranëve të Luftës protestuan gjatë së shtunës së kaluar para ndërtesës së Qeverisë, rreth këtyre pakënaqësive.

  • Akuzohej për tentim-vrasje, Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Arbër Sejdiut

    Akuzohej për tentim-vrasje, Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Arbër Sejdiut

    Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Muhamet e Arbër Sejdiu dhe Gazmend Peci, të cilët akuzoheshin për tentim vrasje e armëmbajtje pa leje.

    Ndryshe, Arbër Sejdiu është i akuzuar edhe në rastin vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj, Marigona Osmanit. Sipas aktgjykimit të shpallur të martën nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, të akuzuarit janë liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës me arsyetimin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, janë konfiskuar në mënyrë të përhershme katër gëzhoja, tri predha, një shufër e gomës si dhe një fishek 7×62 mm.

    Ndërsa, shpenzimet e procedurës bien në barrë të kësaj gjykate.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit Muhamet Sejdiu dhe Arbër Sejdiu më 11 korrik 2013 në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj afër pompës së derivateve “Kema Petrol”, me dashje kishin tentuar që t’i privojnë nga jeta Gazmend Pecin dhe Fevzi Smajlin, në atë mënyrë që kishin shtënë me armë zjarri të kalibrit 9×19 mm, katër herë në drejtim të tyre, me ç’rast kishin goditur veturën në pjesën e prapme, të cilën ishte duke e vozitur Gazmend Peci, e tipit “Pasat”, duke rrezikuar jetën edhe të pasagjerit Fevzi Smajli.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, krejt kjo kishte ardhur pasi në muajin shkurt të vitit 2012, Gazmendi kishte bërë një marrëveshje me vajzën e të pandehurit të parë, I.S, që të lidhin martesë për t’ia rregulluar shtetësinë suedeze, për të cilën Gazmendi kishte për të paguar 20 mijë euro, ndërsa kishte dhënë parapagesën në shumën prej 7 mijë e 500 euro sipas marrëveshjes, gjë që nuk kishte ndodhur deri më tani martesa në fjalë.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 178, par. 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit II të aktakuzës, me datë, kohë dhe vendin si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, të pandehurit kishin mbajtur në mënyrë të paautorizuar armën e llojit revole të kalibrit 9x19mm, të cilën e kanë përdorur në rrethana dhe mënyrën, si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armēve” nga nenin 374, par. 1 të Kodit Penal.

    Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Gazmend Peci më 11 korrik 2013, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj afër pompës së derivateve “Kema Petrol”, me dashje kishte tentuar të privojë nga jeta Muhamet e Arbër Sejdiun dhe Admir Aliun, në atë mënyrë pasi që kishte filluar konfliktin me Muhametin tek shtëpia e këtij të fundit, i pandehuri kishte vazhduar rrugën nga Ferizaj për në drejtim të Prishtinës, pasi që i ishte vënë pas ndjekjes Muhameti, Arbëri dhe Admir Aliu, kishte nxjerrë revolen dhe kishte shtënë një herë në drejtim të tyre, duke goditur në pjesën e përparme të motorit të automjetit “Volvo”, e cila ishte pronë e familjes Sejdiu.

    Sipas aktit akuzues, krejt kjo kishte ardhur për shkak të marrëveshjes që Gazmendi e kishte bërë me vajzën e të pandehurit të parë rreth martesës për t’ia rregulluar shtetësinë suedeze.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 178, par.1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

    Sipa dispozitivit IV të aktakuzës, me datë, kohë dhe vendin si në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, i pandehurit kishte mbajtur në mënyrë të paautorizuar armën e llojit revole të kalibrit 7×26, të cilën e kishte përdorur ne rrethana dhe mënyrën si në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronēsi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armēve”, nga neni 374, par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryerësi dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

    Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

  • Oficeri britanik nis dëshminë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Oficeri britanik nis dëshminë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, filloi të dëshmojë Francis Ledwidge, oficer i ushtrisë britanike i cili kishte shërbyer në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

    Ai është dëshmitari i katërmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

    Prokurori Nico Baarlink tha se Ledwidge ka shërbyer në misionin e OSBE-së nga nëntori 1998 deri në mars 1999, si dhe nga korriku 1999, që sipas tij kishte hetuar rastet e personave të cilët pretendohet se janë ndaluar në zonën e Rahovecit.

    Sipas prokurorit, dëshmitari kishte zhvilluar intervista me të ndaluarit dhe familjarët e të zhdukurve.

    Baarlink: Dëshmitari ka hetuar rastet e personave të ndaluar

    “Dëshmitari ka hetuar rastet e personave të cilët janë ndaluar nga UÇK dhe të cilët janë zhdukur më ose rreth datës 17 korrik 1999 në Rahovec dhe në zonat përreth. Ai ka kryer intervista që kanë të bëjnë me këto ngjarje përfshirë këtu edhe të ndaluar të mëparshëm dhe anëtar të familjeve të viktimave. Dy persona i kanë thënë dëshmitarit se me ta ka folur Jakup Krasniqi, dëshmitari është ndaluar shkurtimisht nga forcat serbe pas zhdukjes së vëllezërve më datë 27 shkurt 1999 dhe dëshmitari gjithashtu ka hetuar të paktën në rrëmbimin e 5 serbëve nga ushtarë të uniformuar dhe armatosur të UÇK-së në Rahovec rreth datës 16 qershor 1999. Më ose rreth nëntorit 1999 dëshmitari ka dëgjuar nga shumë persona se Hashim Thaçi ka dhënë një fjalim në një miting të organizuar në Rahovec“, tha ai.

    Ndërsa sipas dëshmitarit, shumë nga intervistat janë zhvilluar në Hoçë të Madhe.

    Ai tha se dokumentet nuk janë të nënshkruara nga dëshmitarët sepse sipas tij qëllimi nuk ka qenë që të përdoreshin në salla gjyqi.

    Ledwidge: Nuk kemi kërkuar nënshkrime kur intervistuam personat e ndaluar apo familjarët e tyre

    “Kanë kaluar 25 vite që prej asaj kohe kështu që procesi përmes të cilit i kemi përkthyer shënimet në dokumente të shkruara sa i takon personave të zhdukur nuk më kujtohet ekzaktësisht, megjithatë nuk do isha i surprizuar i habitur që të diskutonim ndërmjet nesh apo t’ia lexonim mbrapsht dëshmitarit dhe po ashtu ne nuk i kemi kërkuar që të nënshkruajnë fatkeqësisht këtyre dëshmitarëve sepse synimi i këtyre dokumenteve nuk ishte që të përdoreshin në sallë gjyqi, kështu që për pasojë është informacion që është përdorur vetëm thjesht në shtabet apo zona tona. Besoj që menjëherë pasi është bërë intervista e kemi shtypur atë pasi ka kaluar një kohë e shkurtër mbase i kemi shtypur në të njëjtën ditë, megjithatë kam pas një kopje elektrike”, theksoi ai.

    Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit deklaroi se dëshmitari i ZPS-së është autorizuar nga kolonel Milan Petroviq që të mbledh informacione dhe t’i kalojë në Hagë.

    Avokati: Ai është autorizuar që t’i mbledh informacionet dhe t’i kalojë në Hagë

    “Ka disa sugjerime nga deklarata e këtij dëshmitari në faqen 12, ai është autorizuar që t’i mbledh informacionet dhe t’i kaloj në Hagë dhe ka marr një autorizim për të bërë një gjë të tillë. ‘Gjatë dy bisedave me këtë person koloneli Milan Petroviq më pyeti nëse kam autoritet që të transferoj informacione në Hagë unë përpara këtij takimi kam marr autorizim për të bërë këtë gjë i thash kolonelit të paktën prej disa informacioneve të mbledhura janë bërë për këtë qëllim për të quar më tej një hetim”, theksoi avokati i Veselit.

    Pas pyetjeve për disa raporte, më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbaruar pyetjet e saj për dëshmitarin, Francis Ledwidge.

    Me kundërpyetjet vazhdoi mbrojtja e Hashim Thaçit ku avokati Gregory Kehoe pyeti dëshmitarin e ZPS-së për dislokimin e tij në Rahovec.

    Më pas, Ledwidge tregoi se ai vetë i katërti ishte zhvendosur në një shtëpi në Rahovec në një zonë të banuar me serbë.

    “Ledwidge: Ne u dislokuam një ekip prej 4 vetash dhe më pas na u bashkuan edhe të tjerë këtij grupi të vogël i gjithë grupi përbëhej prej 22 personave kurse të tjerët në atë kohë nuk kishim punonjëse gra sepse ishin të shpërndara nëpër qytet dhe më pas u dislokuam nëpër këto baza në terren”,

    Kehoe: Ky vendi ku u vendosët ishte i banuar me serbë në Rahovec

    Ledwidge: Po kjo është e saktë siç kam thënë në deklaratën time kam qenë para shumë kohësh atje dhe e di që ishin dy pjesë të qytetit pjesa në kodër ishte e banuar prej serbëve, kurse pjesa më e madhe shumica e banorëve jetonin në pjesën e qytetit

    Kehoe: Personit sipas hierarkisë së OSBE që i raportonit ishte Syzan Peterson a e është kjo e saktë

    Ledwidge: Linja e raportimit ishte mjaftë jo zyrtare në atë kohë ishim një grup i shpërndarë në gjithë Kosovën, unë i raportoja shefit tim i cili ishte Ijen Mechlaud më pas George…dhe teknikisht gjatë kohës së konfliktit Syzan Peterson.

    Ndërsa mbrojtja e avokatit të viktimave nuk kishte pyetje për këtë dëshmitar.

    Para fillimit të kësaj dëshmie, mbrojtja kundërshtoi shënimin zyrtar të ZPS-së për këtë dëshmitarin, duke pretenduar se ka deklarime të reja të cilat i janë ofruar mbrojtjes gjatë fundjavës dhe se të njëjtit nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur.

    Ekipet mbrojtëse thanë gjithashtu se dëshmitari gjatë dëshmisë së tij para ZPS-së ka dhënë shumë opinione.

    Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se dëshmia e këtij dëshmitari është plot me opinione dhe se dëshmitari nuk është ekspert.

    Kehoe: Jam i shqetësuar me këtë praktikë

    “Personalisht jam i shqetësuar lidhur me atë çfarë është bërë praktikë e pranueshme deri tani në kuptimin që kolegët lejohen që të shtojnë deklaratat e dëshmitarëve dhe kemi këtu një dokument të ri që siç e thash e kemi marr vetëm të shtunën në darkë dokument I cili ka informacion të ri”, theksoi ai.

    Ndërsa, avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson u shpreh se një dëshmitar faktik nuk mund të jap opinione, prandaj kërkoi që këto opinione të dëshmitarit të 14-të të mos nxirren nga prokuroria.

    Emmerson: Nuk duhet të nxjerrën opinione nga dëshmitarët

    “Deklarata fillestare përmbajnë opinione të dëshmitarit dhe me kalimin e kohës këto janë rritur në kuptimin që kemi edhe shënime të cilat përmbajnë një sasi të konsiderueshme opinione, edhe një dëshmitarë ekspert nuk lejohet që të jap opinionet për çështjet që duhet të merret vendim shembull prania ose ekzistenca e një policie për të ndjekur bashkëpunëtorët tjerë. Një gjë më e rëndësishme se kaq është se opinionet nuk duhet të nxirren nga dëshmitarë fakti…1133 opinionet nuk duhet të nxirren ose nuk duhet të jepen nga dëshmitarët e faktit kur nuk është e qartë se cila është baza faktike e dëshmitarëve, palëve u kërkohet që të eksplorohet më tej në bazën e njohurive të dëshmitarit në varësi që thotë ai…nuk bëhet një dëshmitar ekspert por kemi të bëjmë me një dëshmitarë fakti kështu që si rezultat është shumë I rëndësishëm që opinionet e tij të jenë sa më të kufizuara të jenë të mundur”, theksoi ai.

    Pas këtyre shqetësimeve, trupi gjykues dha urdhër gojor që opinioni nuk duhet të nxjerrët nga prokuroria por të mbështetet në fakte që verifikohen si dhe urdhërojë ZPS-në që të redaktojë informacionin që përmban shënimi zyrtar.

    Më pas kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith njoftoi se nëse nxirren si prova nga ZPS-së atëherë kjo dëshmi nuk do të merret parasysh.

    Smith: Opinioni nuk duhet të nxirret nga prokuroria

    “Trupi gjykues pajtohet se shqetësimi i mbrojtjes se opinioni i dëshmitarit nuk duhet të bjerë nën fushën e përgjegjësisë së veprimit të trupit gjykues. Kështu që trupi gjykues vëren më tej se opinioni nuk duhet të nxirret nga prokuroria dhe është e rëndësishme që kjo dëshmi të mbështetet në fakte dhe rrethanat që do të verifikohen. Nëse ndodh e kundërta dëshmia thjesht nuk do të merret parasysh ose do të jepet shumë pak peshë. Trupi gjykues si rezultat urdhëron ZPS që të redaktoj informacionin që përmbahet në shënimet e veta për përgatitjen e dëshmitarit dhe i kujtojnë ZPS se nëse kërkon që të nxjerr apo mbështetet në prova të tilla nga dëshmitari ato duhet të nxjerrën nga dëshmitari mbi bazën që dëshmitari ka formuar opinionin e vetë“, tha ai.

    Paraprakisht, dëshminë e ka përfunduar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Meloni: Pezullimi i marrëveshjes për drithërat nga Rusia, shkelje kundër njerëzimit

    Meloni: Pezullimi i marrëveshjes për drithërat nga Rusia, shkelje kundër njerëzimit

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka kritikuar vendimin e Rusisë për të mos zgjatur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila i lejonte Ukrainës të eksportonte drithërat e saj gjatë luftës së shkaktuar nga pushtimi i Moskës.

    “Vendimi i Rusisë për të ndërprerë marrëveshjen e drithërave është një provë e mëtejshme se kush është miku dhe kush është armiku i vendeve më të varfra”, tha Meloni vonë të hënën, “udhëheqësit e atyre vendeve që nuk duan të bëjnë dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit duhet të reflektojnë”.

    “Përdorimi si armë i lëndës së parë që ushqen botën është një tjetër shkelje kundër njerëzimit”, tha ajo, shkruan ANSA.

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha të hënën se Italia dhe partnerët e saj ndërkombëtarë po punonin për “zgjidhje alternative” pasi Rusia vendosi të prishë marrëveshjen, përcjell KosovaPress.

    “Mungesa e ushqimit në Afrikë na shqetëson të gjithëve”, tha Tajani përmes Tëitter.

    “Ne jemi shumë të shqetësuar që Rusia i dha fund marrëveshjes për drithërat.

    “Tashmë jemi duke punuar për zgjidhje alternative.

    “Çështja do të trajtohet në samitin e sigurisë ushqimore që kemi organizuar me Kombet e Bashkuara në Romë, më 24 korrik”.

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të hënën se “miliona njerëz do të paguajnë çmimin” e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja.

  • ​Paralajmërim për zjarre

    ​Paralajmërim për zjarre

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon qytetarët të jenë të kujdesshëm për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, në këto ditë me temperatura të larta.

    Në një njoftim publik theksohet se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepra penale të cilat sanksionohen me ligj.

    Agjencia për Menaxhimin Emergjent thotë se temperaturat e larta të ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore.

    “APELOJMË, të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit” kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore. Vlenë të theksohet dhe t’iu bëhet e ditur se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale të cilat sanksionohen me ligj”, thuhet në njoftim.

    Numrat emergjent për rastë të tilla janë pa pagesë dhe funksionojnë 24 orë, shtatë ditë të javës:

    112 Qendra Operative Emergjente nga VALA dhe IPKO(pa pagesë), 193 zjarrfikësit, 192 Policia dhe 194 Shërbimi Mjekësor Emergjent. /KP