ATV

Blog

  • ​KRU “Prishtina”: S’ka ujë pa paguar faturat, nesër nis aksioni i shkyçjes

    ​KRU “Prishtina”: S’ka ujë pa paguar faturat, nesër nis aksioni i shkyçjes

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina”, ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.

    KRU Prishtina thekson se nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit, ngase kompania ka një kosto të lartë të trajtimit të ujit dhe shpërndarjes përmes tubacioneve primare, sekondare e terciare deri te konsumatorët.

    “Nga dita e nesërme, 19 korrik 2023, duke filluar nga ora 10:00 do të rifillojmë me aksion intensiv me disa ekipe të shkyçjes, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha. Nesër, me asistencë të Policisë së Kosovës, shkyçjet do realizohen në një ndër lagjet më të mëdha të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

  • ​Dështon mbledhja e komisionit për ekonomi

    ​Dështon mbledhja e komisionit për ekonomi

    Në mungesë të kourumit ka dështuar mbledhja e komisionit për ekonomi, kur pritej të shqyrtohej raporti vjetor i ndërmarrjes publike Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT për vitin 2022.

    Të pranishëm ishin vetë tre deputetë, dy nga LVV-ja dhe një nga PDK-ja, të tjerë deputetë munguan.

  • ​Mbappe i kërkon takim sy më sy presidentit të PSG-së

    ​Mbappe i kërkon takim sy më sy presidentit të PSG-së

    Kylian Mbappe thuhet se do të zhvillojë bisedime ballë për ballë me presidentin e Paris Saint-Germain Nasser Al-Khelaifi sot për të diskutuar të ardhmen e tij në klub.

    24-vjeçari dukej se ishte në prag të kalimit në Real Madrid verën e kaluar përpara se të bënte një kthesë të madhe dhe të nënshkruante një kontratë të re dyvjeçare me PSG-në.

    Megjithatë, klubi francez mbeti i shokuar kur Mbappe vendosi që të mos e shfrytëzojë mundësinë për vazhdimin e kontraës, gjë e cila irritoi presidentin Khelaifi i cili dha urdhër që lojtari të largohet nëse nuk e vazhdon kontratën.

    Sidoqoftë, “Sky Sports Neës” raporton se Mbappe do të takohet me Al-Khelaifi sot për të diskutuar rreth kësaj situate, përcjellë KosovaPress.

    Raporti shton se Mbappes do t’i thuhet përsëri se ai ka kohë deri më 31 korrik për të përcaktuar të ardhmen e tij në PSG deri në vitin 2025 ose përndryshe klubi do të shikojë ta shesë atë te ofertuesi më i lartë këtë verë.

    Mendohet se Mbappe synon të shohë pjesën tjetër të kontratës së tij dhe thuhet se është i përgatitur të ulet në stol për të gjithë sezonin 2023-2024 në mënyrë që të qëndrojë.

  • ​Veriu dhe raportet Kosovë-Serbi, temat me të cilat keqinformuan më së shumti mediat serbe

    ​Veriu dhe raportet Kosovë-Serbi, temat me të cilat keqinformuan më së shumti mediat serbe

    Tema e veriut të Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbi, kanë qenë dy nga temat me të cilat është keqinformuar më së shumti publiku nga mediat në gjuhën serbe. Kështu thotë raporti “Prapa Ekraneve: Raport vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ”. Kjo situatë është monitoruar gjatë gjashtë muajve të këtij viti dhe gjashtë muajve të fundit të vitit paraprak.

    Festim Rizanaj nga Hibrid.info tha se ky raport pasqyron gjendjen e çrregillimit informativ gjatë periudhës janar-qershor 2023, duke bërë analizë krahasimore me gjashtë mujorin e fundit të vitit paraprak (korrik-dhjetor 2022).

    “Qëllimi i këtij raporti është analizimi i çrregullimit informativ në Kosovë dhe mjedisit medial ne vend. Në funksion të analizës dhe shqyrtimit të sfidave të çrregullimit informativ në Kosovë dhe raporti përbëhet prej tre pjesëve kryesore”, tha ai.

    Në prezantimin e këtij raporti, autori Shkëlzen Osmani tha se policia është nga institucionet më të përfolura, ku mediat serbe kanë shkruar për masat e tyre. Po ashtu, theksoi se kryeministri Albin Kurti ka qenë personaliteti më i përfolur.

  • ​Nis rregullimi i rrugëve që zhbllokojnë komplet qytetin e Mitrovicës

    ​Nis rregullimi i rrugëve që zhbllokojnë komplet qytetin e Mitrovicës

    Ka nis punimet për rregullimin e rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit të Mitrovicës, rrugë kjo e cila ka një gjatësi deri 1.7 kilometra dhe do të parandalojnë pluhurin, gropat dhe vërshimet, që për shumë vite kanë ndodhur në këtë vend.

    KosovaPress ka raportuar më herët për gjendjen e rëndë të rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit. Ndërsa, rregullimi i saj kap vlerën prej 1.3 milion euro.

    Banorët e kësaj lagjeje u shprehën jashtëzakonisht të lumtur, derisa vlerësuan angazhimin e komunës në rregullimin e rrugëve në këtë zonë, në të cilën jetojnë mbi 800 familje me rreth 5 mijë banorë.

    Xhelal Lushta, banor i rrugës “Ali Zeneli”, në Mitrovicë, duke folur për KosovaPress, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për fillimin e punimeve.

    Sipas tij, kjo lagje është më e dendura me popullatë në qytetin e Mitrovicës, ndërsa më e lënë pas dore.

    ‘I lumtur e i shashtrisur pasi filloi puna. Tash unë akoma nuk po besoj se ka filluar qysh duhet… Që 12 vjet jemi duke u ankuar për këtë rrugë… Janë 770 familje me mesatare nga pesë anëtarë. Është lagjja më e dendur në Mitrovicë, ndërsa më e lënë pas dore’, ka thënë Lushta.

    Mehmet Haziri, një banor tjetër i kësaj rruge, ka treguar për peripetitë që kanë përjetuar në të kaluarën, por edhe dëmtimin e automjeteve për shkak të gropave të shumta.

    ‘Për rrugën jemi të lumtur se ka nis me u punu…Rruga ka qenë katastrofë, baltë, një shi me ra s’mujshim me dalë…Kemi pasur probleme me automjete, ka pasur gropa, automjetet prekshin, u dëmtojshin’, tha ai.

    Destan Hoti, shpreson që punimet të mos zgjasin shumë dhe të përfundojnë sa më shpejtë.

    “Për që kanë nisur punimet jam shumë i lumtur, ndoshta kryhet sa më shpejtë, por zakonisht te ne zgjatë shumë”, tha ai.

    Ndërkaq, edhe Selman Peci, banor i rrugës “Lah Nimani”, nuk e fsheh gëzimin për fillimin e punimeve, duke thënë se përkundër vonesës, ‘më mirë vonë se kurrë’.

    ‘Gjendja ka qenë katastrofë deri në këtë moment. Jemi gëzuar që kanë filluar punimet, më mirë vonë se kurrë hiç. Jemi të kënaqur edhe pse po kemi probleme për parking, por më mirë që kanë filluar tash, sesa me prit edhe 5-6 vjet ose deri në zgjedhjet tjera’, theksoi Peci.

    Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se ky projekt që ka gjatësinë prej 1.7 kilometra, kap vlerën prej 1.3 milion euro dhe do të përfundojë deri vitin e ardhshëm.

    Sipas tij, këto punime do të ndikojnë jashtëzakonisht në zhbllokimin e qytetit, duke mundësuar që qytetarët, sidomos të Zhabarit, pastaj Iliridës dhe lagjeve tjera, të kenë qasje më të lehtë në qendër, përmes këtyre rrugëve.

    ‘Jemi në procedurë të përgatitjes së terrenit për punimin e kanalizimeve dhe kanaleve për rrjetin nëntokësor… Kemi me arritë me përfundu deri në vitin tjetër që kjo rrugë me qenë e kalueshme… Si projekt kap shifrën rreth 1.3 milion, dhe parashihet të vazhdojë deri te Universiteti “Isa Boletini”… Shkon deri në 1.7 kilometra, rrugë me katër korsi do të thotë që lidhë dhe zhbllokon komplet qytetin… Ka me qenë një lehtësim shumë i madh për qytetin e Mitrovicës, sidomos për zonën e Iliridës, Zhabarit, të cilët… kanë me pas më lehtë me u kyç në qendër të qytetit përmes rrugës ‘Ali Zeneli’, theksoi drejtori Tërnava.

  • ​Osmani takon sot veteranët

    ​Osmani takon sot veteranët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i takojë sot përfaqësuesit e OVL UÇK-së.

    Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, këshilltari për media, Bekim Kupina.

    KosovaPress mëson nga burime të veta se ky takim pritet të ndodhë sot pasdite.

    Kujtojmë se dje, kryetari i OVL-së Faton Klinaku ka bërë të ditur se i kanë kërkuar takim presidentes Osmani takim lidhur me Ligjin për pagën minimale.

    Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për shkak të lënies jashtë të kësaj kategorie në këtë ligj.

    “Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar kërkesë për takim zyrtar Presidentes së Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu, lidhur me çështjen e miratimit nga Kuvendi i Kosovës, të ligjit për pagën minimale, me anë të të cilit janë përjashtuar veteranët e luftës së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e tij.

    Ndërkaq, të shtunën që lamë pas, në Prishtinë u mbajt një protestë në mbështetje të kësaj kërkese për veteranët.

    Nga pjesëmarrësit u deklarua se do të ketë edhe protesta të tjera në rast e ky ligj dekretohet pa marrë parasysh kërkesat e tyre.

  • Jezerci, fshati që është bërë atraksion edhe për turistë!

    Jezerci, fshati që është bërë atraksion edhe për turistë!

    Emisioni veror “n’mal A n’det” ka filluar transmetimin në ATV. Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta, jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Ku me shku n’mal”, në të cilën do të shfaqen reportazhe nga vende të ndryshme malore në Kosovë.
    Dje në emisioni veror “n’mal A n’det” u shfaq një reportazh nga fshati Jezerc të komunës së Ferizajt, një vend malor, i cili tashmë është kthyer në një ndër fshatrat turistik në Kosovë.

    Më pak se 20 kilometra larg qytetit të Ferizajt, me lartësi mbidetare 1200, ndodhet fshati Jezerc, i cili ka një pamje përrallore. Për shkak të pozitës dhe pamjeve të tij të bukura, është një ndër fshatrat më turistike në të gjitha stinët e vitit.

    Fshati Jezerc, ku sytë u pushojnë nga qetësia dhe bukuria, një pejsazh që ka bërë për vete edhe turistë të shumtë, sidomos gjatë fundjavave dhe festave të ndryshme. Kjo e ka bërë që edhe vendasit t’i kushtojnë rëndësi zhvillimit të turizmit. Këtë e thotë edhe kryetari i fshatit, Nezim Baliu.

    “Jezerci ka qenë ndryshe, sot është ndryshe. Në Jezerc është jetu, kanë banu njerëzit. Vetëm në 98-shin në fillim të luftës kanë qenë 122 shtëpi. Ka pasur nxënës shumë, blegtoria është zhvilluar më shumë, jeta është bërë ndoshta në kushte shumë më të vështira, por ka qenë një kënaqësi. Kurse sot ka ndryshuar 360 shkallë, do të thotë ka kalu në turizëm. Por, bukuritë e këtyre pjesëve, këto e kanë bërë për me e zhvillu turizmin. Mirëpo, për me qenë edhe më mirë edhe me u zhvillu turizmi, është në pyetje infrastruktura. Në Jezerc është bërë pak, por duhet edhe shumë më shumë për me u ba taman qysh duhet. Kjo neve na ndihmon vetëm për me i shit pronat, iu ka hipë vlera e tokës këtu, se për gjëra tjera jo. Pak shtëpi që kemi mbetë, këtu jeta është në krahasim me të kaluarën shumë më e mirë, mirëpo numri i banorëve ka rënë, shkolla është në mbyllje e sipër, do me thanë nuk ka mbetë me jetu as për neve”, tha Baliu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë “n’mal A n’det” e gjeni në videon më poshtë:

  • Ukraina sulmohet me dronë rusë, dëmtohet infrastruktura e Odesës

    Ukraina sulmohet me dronë rusë, dëmtohet infrastruktura e Odesës

    Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në mëngjesin e 18 korrikut në Ukrainën jugore, duke dëmtuar infrastrukturën në portin e Detit të Zi të Odesës, raportuan zyrtarët rajonalë dhe ushtria, pasi Moska tha se zmbrapsi një sulm ukrainas me dronë në rajonin e aneksuar ilegalisht të Krimesë.

    Serhiy Bratchuk, një zëdhënës i administratës ushtarake të rajonit të Odesës, tha më 18 korrik se mbrojtja ajrore e Ukrainës zmbrapsi një sulm ajror rus në këtë qytet.

    Ukraina tha më vonë në një deklaratë se “mbetjet nga raketat e shkatërruara dhe vala e shpërthimit nga rrëzimi dëmtuan objektet e infrastrukturës së portit”.

    Sulmet në Odesa, qytet vendimtar për eksportet e grurit të Ukrainës, erdhi një ditë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lejuar eksportin e sigrut të drithërave, duke refuzuar ta zgjasë marrëveshjen pasi ajo skadoi më 17 korrik.

    Rusia gjatë natës gjithashtu nisi një sulm në rajonin e Mikolaiv, duke përdorur dronë të prodhuar nga Irani që shkaktuan një zjarr, tha në Telegram guvernatori rajonal Vitaliy Kim.

    “Po shuajmë zjarrin. Nuk ka viktima”, ka shkruar Kim.

    Kryetari i qytetit të Mikolaiv, Oleksandr Sienkovych, tha se zjarri shpërtheu në një nga objektet e qytetit dhe se ishte “mjaft serioz”.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe kryetari i Krimesë i vendosur nga Moska, Sergei Aksyonov, thanë më 18 korrik se forcat ruse kishin zmbrapsur një sulm nga 28 dronë ukrainas në pjesën lindore të rajonit.

    Ministria tha në një deklaratë se 17 dronë u shkatërruan dhe se 11 u çaktivizuan me mjete elektronike. Si ministria ashtu edhe Aksyonov thanë se sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme.

    Raporti, i cili nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, erdhi një ditë pas një sulmi në urën që lidh Krimenë me Rusinë që vrau dy persona dhe shkaktoi dëme të mëdha dhe një ndërprerje në trafik. Rusia ka fajësuar Ukrainën për sulmin.

    Kievi nuk mori përgjegjësinë, por mediat ukrainase raportuan se shërbimet e sigurisë kishin lëshuar dronë detarë.

    Më 18 korrik, zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin tha në Telegram se trafiku rrugor ishte rihapur pjesërisht në urën e Krimesë.

    Ai tha se dëmet e shkaktuara në urë do të riparohen plotësisht deri më 1 nëntor, teksa presidenti rus Vladimir Putin u zotua për një “përgjigje” ndaj sulmit.

    Khusnullin tha se një pjesë e rrugës në urë u shkatërrua dhe do të duhet të rindërtohet, por se nuk ka dëmtime në shtyllat kryesore të urës.

    Putin, i cili urdhëroi ndërtimin e urës pasi Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, e quajti sulmin një akt “terrorist”.

  • Qytetarët ‘zihen ngushtë’ kur pyeten se çfarë kuptimi ka fjala ‘kili-mili’, shikoni reagimin e tyre

    Qytetarët ‘zihen ngushtë’ kur pyeten se çfarë kuptimi ka fjala ‘kili-mili’, shikoni reagimin e tyre

    Emisioni veror “n’mal A n’det” ka filluar transmetimin në ATV. Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës do të keni mundësinë të mësoni fjalë dhe shprehje të ndryshme që përdoren në regjione të ndryshme në Kosovë.

    Pyetja për qytetarët gjatë ditës së djeshme ishte se si e kuptojnë qytetarët shprehjen “kili-mili”, e cila ka një përdorim të gjerë në pothuajse tërë territorin e Kosovës.

    Të gjithë qytetarët e intervistuar thanë se e kanë dëgjuar këtë shprehje, mirëpo kuptimi i saj nuk ishte i njëjtë për të gjithë. /atvlive.tv

    Në videon më poshtë mund t’i shikoni përgjigjet e qytetarëve se si e kuptojnë shprehjen “kili-mili”.

  • Mërgimtarët në mes të aeroportit i përgjigjen pyetjes së famshme “A ma mirë këtu a atje”

    Mërgimtarët në mes të aeroportit i përgjigjen pyetjes së famshme “A ma mirë këtu a atje”

    Tashmë është koha kur mërgimtarët vijnë për pushime në Kosovë. Zakonisht në këtë periudhë, pyetja më e shpeshtë që iu bëhet atyre është se sa do të qëndrojnë këtu dhe se ku iu pëlqen më shumë atyre që të qëndrojnë.

    Me ardhjen e disa mërgimtarëve në aeroportin “Adem Jashari”, gazetarja e ATV-së, iu parashtrojë atyre pyetjen e famshme ” A ma mirë këtu a atje”.

    “Në vend tonë normal që ma mirë, por çka me bo. Po na merr mall boll por s’po kemi çka me bo, përafërsisht qe 25 vite atje jemi, nuk vi shpesh se tash që më ka vdek burri, po vi veç një herë në vit”, u përgjigj një mërgimtare.

    “Erdha prej Stuttgarti, në bazë të disa kushteve më mirë atje edhe kur t’i krahasoj çmimet e këtuhit me të atjehit, tash e pash një RedBull 2.50 euro, ndërsa atje kushton 1.19 euro. Çmimet këtu janë katastrofë”, tha një burrë.

    “Vijmë në Kosovë dy deri në tre herë në vit por po them se edhe këtu edhe atje mirë, në dyat”, u përgjigj një mërgimtare.

    Për ndjekur përgjigjet e disa prej mërgimtarëve, kliko në videon e mëposhtme: