ATV

Blog

  • Insitituti për hetimin e krimeve të luftës me përparësi dhe mangësi

    Insitituti për hetimin e krimeve të luftës me përparësi dhe mangësi

    Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës, nuk po shihet si mekanizmi më i mirë i mundshëm për arritjen e rezultateve të kënaqshme sa i përket trajtimit të këtyre krimeve.

    Gzim Shala, jurist në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se adresë kryesore për ndjekjen penale të këtyre rasteve, është Prokuroria Speciale e Kosovës.

    ‘’Po synohet që ky Institut të dokumentojë krimet e kryera në Kosovë, mirëpo nëse flasim për atë se çfarë nevojitet në raport me krimet e luftës në Kosovë e që është ndjekja penale dhe gjykimi i rasteve të krimeve të luftës, ky Institut nuk do të mund ta bëjë, për këtë arsye nëse flasim në përgjithësi për nevojën që ka Kosova për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresa kryesore është Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në secilin rast nëse duam të kemi ndjekje dhe gjykim efektiv të këtyre rasteve, definitivisht adresa është Prokuroria Speciale e cila duhet të fuqizohet në këtë drejtim”, tha Shala.

    Megjithatë sipas Shalës, Instituti ka mandat vetëm për dokumentimin e krimeve.

    ‘’Përkundër aspekteve pozitive ndoshta që mund të bëjë Instituti, kompetencat e këtij Instituti nuk janë të asaj natyre që mund të sjellin drejtësi për viktimat e krimeve të luftës, për shkak se nuk kanë mandat në kuptim të ndjekjes apo gjykimit të rasteve të krimeve të luftë…’’, tha Shala.

    Ndërkaq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, vlerësojnë se dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, si proces, do i shërbejë më pas edhe ndjekjes penale të kryerësve të krimeve.

    ‘’Sa i përket dokumentimit të viktimave të krimeve të luftës, Fondi për të Drejtat Humanitare në Kosovë dhe në Serbi, që nga përfundimi i luftës janë duke punuar në dokumentimin e viktimave të luftës dhe kanë arritur t’i dokumentojnë të gjitha viktimat të cilët e kanë humbur jetën gjatë kohës së luftës dhe përmes këtij dokumentimi, sigurisht që palët do ta kenë më problem që t’i mohojnë këto krime, për arsye se çdo viktimë është dokumentuar me emër dhe mbiemër…’’, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Në rast themelimi, Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës do ketë mandat për dokumentimin e krimeve të kryera nga 1 janari i vitit 1998 deri në 20 qershor të vitit 2000. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Rritja e pagës minimale, dëmtim i bizneseve të vogla”

    “Rritja e pagës minimale, dëmtim i bizneseve të vogla”

    Qeveria e Kosovës ditë më parë rriti pagën minimale në 264 euro.

    Por kjo rritje, përveç se u kritikua se është pak për punëtorët, po konsiderohet e dëmshme edhe për bizneset e vogla.

    “Në rast se do të bëhet obligative që do të kenë një pagë fikse 250, apo çfarëdo vlere për këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre”, tha eksperti i ekonomisë, Besnik Avdija.

    Të njëjtin mendim ndan edhe kryetari i odes ekonomike Lulzim Rafuna, teksa thotë se qeveria është dashur ta bëj një vlerësim para se ta qoj ligjin në kuvend.
    “Para se të sjellët ligji ish dashtë me qenë një studim, një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale, sidomos tek bizneset e vogla që fillojnë punën. Por, ne edhe më herët e kemi ngrit zërin që bizneset e vogla të ndihmohen në një periudhë të caktuar kohore, derisa të stabilizohen pak. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm, në momentin që fillon të implementohet ligji që mos të dëmtohen asnjë biznes, duke përfshirë edhe ato biznese që sapo kanë filluar punën”, tha Rafuna.

    Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.

    “Duhet të përgatitet një paketë e masave fiskale, sidomos tek subvencionimi i qirasë për një periudhë të caktuar kohore ose subvencionimi i fuqisë punëtore, aty ku hasen në vështirësi, me pas ndihma në forma të ndryshme, në zbutjen e interesave”, tha Rafuna.

    Përveç kësaj, rritja e pagës minimale vlerësohet se mund të ndikoj edhe në rritjen e informalitetit te punëtorët.

    “Kjo pagë minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit, për shkak se kemi pas një numër të bizneseve që kanë deklaruar ndoshta pagën e punëtorëve deri në nivel të pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër ua kanë kompensuar përmes kanaleve joformale. Pra, në këtë kontekst konsideroj se qeveria tani duhet të jetë më e kujdesshme dhe të fokusohet në masat që kanë për qëllim uljen e informalitetit. Pra, në rritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës, në mënyrë që kësisoj të parandalojë rritjen e mëtutjeshme të informalietit si rezultat i rritjes së pagës minimale”, tha Visar Vokrri, hulumtues në Riinvest.

    Rritja e pagës minimale u kundërshtua veçanërisht nga organizatat e dala nga lufta për mos përfshirje të veteranëve në këtë ligj.

    Për këtë arsye të premten Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

    Kësisoj ligji nuk u dekretua as nga presidentja deri në një vendim final të gjykatës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mosmiratimi i ligjit për skemën pensionale

    Mosmiratimi i ligjit për skemën pensionale

    Prej 15 korrikut Projektligji për Skemën Pensionale do të duhej të ishte në fuqi.

    Por, përveç se nuk ka hyrë në fuqi, edhe pse këtë e kërkonte një vendim i Gjykatës Kushtetuese, projektligji nuk ka arritur as të jetë në rend dite në Kuvend për miratim. Me këtë rast, ekzekutivi e legjislativi për shkak të mospërfilljes së afateve të vendosura nga Gjykata, vlerësohet se kanë bërë shkelje.

    “Kështu të gjithë ata që preken nga ky ligj, iu lind e drejta edhe për padi. Pasi edhe Qeveria është vonuar për procedurat e miratimit e tash më pas edhe në Kuvend, që i bie se kanë bërë edhe shkelje të Kushtetutës”, tha Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Ndërkohë edhe nëse hyn në fuqi ligji i miratuar tashmë në Qeveri, sipas njohësve të ekonomisë, paralelisht do të duhej të rriten edhe pensionet.

    “Nuk ndikon asgjë për disa kategori. Pensionet janë nga 100 euro. Duhet Qeveria t’i rrisë edhe pensionet”, tha Lavdim Hamidi, analist.

    Pensionet në Kosovë variojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht nga kategoria.

    Derisa skema e re pensionale për personat që u larguan nga puna gjatë viteve të ’90-a llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e kuvendit, opozita e akuzon për dështim

    Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e kuvendit, opozita e akuzon për dështim

    Kur kanë mbetur vetëm edhe një javë deri në përmbylljen e seancave të Kuvendit për sesionin pranveror, një javë ka kaluar edhe pa mbajtjen e seancave të këtij institucioni.

    Megjithatë, pavarësisht sfidave të javëve të fundit nga partia në pushtet thonë se puna e Kuvendit nuk do të ndalet, madje sipas tyre, në mënyrë të suksesshme.
    “Kuvendi do të vazhdojë punën, sepse kështu është në kornizën e jetës sonë demokratike. Kuvendi duhet të funksionojë edhe nëse nuk funksionojnë institucionet të tjera. Duhet me pasë parasysh edhe opozita dhe ata të tjerët që bëjnë këso kërcënime. E para është jo që po e frikësojnë ndokënd, pasi nuk është duke u mbërri efekti. E dyta, Kuvendi e ka një rol të veçantë në jetën tonë demokratike, pasi e ruan një lloj balance në shoqëri, prandaj është e rëndësishme të kuptojnë këtë”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Veç kësaj, deputeti Muja, akuzoi edhe partinë më të madhe opozitare, PDK-në për shkaktim të tensioneve, pas siç tha ai humbjeve të privilegjeve të dikurshme.

    Por, të kundërtën e thonë opozitarët, që kanë fajësuar ekzekutivin se po tenton t’i mbulojë dështimet e veta.

    “Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën. Parimisht ka dy vjet që opozita ka qenë më shumë sesa e heshtur konstruktive, pasi vetëm në pjesën e legjislacionit kemi dhënë kontributin tonë maksimal që të tejkalohen sfidat që ballafaqohet shteti”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Mospajtimet pozitë – opozitë të përkthyera edhe në dhunë së fundmi, sipas atyre që monitorojnë institucionin e Kuvendit, po e cenojnë punën e rregullt nëpër seanca.

    “Ajo çka ka ndodhur në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës është si pasojë e polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, sidomos qeverisë dhe opozitës. Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare…Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizu këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas perfomancës shumë të dobët”, tha Naim Jakaj, monitorues i kuvendit.

    Kësisoj deri më tani, puna e kësaj legjislature, nga monitoruesit e Kuvendit po vlerësohet si tejet e dobët. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ardhja e mërgimtarëve, QKMF siguron barna e staf mjekësor

    Ardhja e mërgimtarëve, QKMF siguron barna e staf mjekësor

    Për shkak të kërkesave të mëdha për shërbime mjekësore, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është furnizuar edhe më shumë me barna të listës esenciale.

    Krye shefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani, tha se situata është e menaxhueshme, pasi që janë mobilizuar edhe me staf mjekësor.

    “Ju e dini se edhe personeli shëndetësor këto ditë fillon pushimet vjetore, mirëpo jemi munduar që kapacitetet tona ose burimet tona njerëzore t’i shpërndajmë në njësi të cilat i kemi të shpërndara në qytet. Kjo, marrë parasysh se Prishtina e ka një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare që është njësi administrativo-shëndetësore, por i kemi edhe 15 qendra të mjekësisë familjare dhe po aq ambulanta nëpër regjione e fshatra. Dhe në këtë mënyrë e kemi distribuimin jashtëzakonisht të mirë edhe të rrjetit të infrastrukturës fizike apo edhe personelin. Sa i përket pajisjeve apo barnave kemi mjaftueshëm, meqë menaxhmenti i QKMF-së me Drejtorinë e Shëndetësisë ka bërë një plan ose një projekt pak më të gjerë meqë kemi parasysh se gjatë verës kemi edhe kërkesa më të mëdhaja”, tha Hashani.

    Ndonëse në këto temperatura të larta, trajtimet ditore janë më se të kërkuara, Hashani potencoi se kanë mjaftueshëm shtretër për pacientët.

    “Sa i përket shtretërve zakonisht Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë shtretër për infuzione zakonisht pasi këto janë trajtime ditore, mirëpo shërbimi shëndetësor ofrohet 24 orë, pacientët mund të vijnë gjatë 24 orëve dhe të marrin shërbime dhe trajtohen më pas në shtëpi. Pra marrin ndihmën e parë dhe vazhdon trajtimin në shtëpi”, tha Hashani.

    Hashani ka theksuar se ditëve të fundit, për shkak të motit të nxehtë, pacientët që kanë kërkuar më së shumti ndihmë mjekësore kanë qenë ata me dhimbje koke e simptoma të ndryshme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Stërzgjatet premtimi i kryetarit, Kamenica ende pa mjek ‘online’

    Stërzgjatet premtimi i kryetarit, Kamenica ende pa mjek ‘online’

    “Me ardhjen tonë në pushtet kemi dediktuar probleme me të cilat ballafaqohet sistemi i shëndetësisë në Kamenicë dhe ne nuk duam që të veprojmë me politika. Plani ynë është alternativa e klinikave digjitale në QMF në Roganë, domethënë komunikimi drejtpërdrejt me mjekun në formë online, ku do të bëhet vlerësimi virtual i parametrave për pacientë. Nuk ka asnjë pengesë në zhvillimin e këtij plani, së shpejti do të fillojë zbatimi i planit të mjekut online”.

    Kështu kishte deklaruar qysh para katër muajve në një intervistë për ATV-në, kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj. Por premtimi i tij se në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Shaban Geci” në Roganë, do të fillojë ofrimi i shërbimeve mjekësore në formën online, ende nuk ka filluar të zbatohet.

    Latif Sylaj, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, thotë se për këtë projekt, komuna nuk i ka siguruar as kushtet elementare.

    “Ky është një plan i kryetarit. Por nuk kanë filluar ende shërbimet me mjekun online se ende nuk janë siguruar as aparaturat digjitale”, tha Sylaj.

    Sylaj ka dyshime edhe në efektivitetin e kësaj metode të shërbimit mjekësor.

    “Se sa do të na hyjë në punë, a sa do të jetë funksional, apo nuk do të jetë, mbetet të shihet nëse fillon të praktikohet”, tha Sylaj.

    Edhe banorët e kësaj komune vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë metodë të trajtimit mjekësor.

    “Aspak nuk është e besueshme kur mjeku nuk është fizikisht dhe të ofrohet diagnoza. Është e papranueshme. Nuk më vyn prezenca e infermierëve se ato nuk kanë njohuri se sa mjekët”, tha Islam Qehaja, banor.

    Zyrtarët komunalë nuk kanë dhënë detaje lidhur me atë se kur do të funksionalizohet ky premtim i kryetarit. ATV-ja muaj më parë ka raportuar se kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në kuadër të strategjisë së sistemit shëndetësor ka në plan funksionimin e klinikave digjitale në Qendrën e Mjekësisë në Roganë, në të cilën numri i përgjithshëm i stafit mjekësor arrin në 38. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mërgimtarët te ‘’Dheu i bardhë’’, pritje deri në katër orë

    Mërgimtarët te ‘’Dheu i bardhë’’, pritje deri në katër orë

    Me pritje deri në katër orë u përballën të dielën mërgimtarët që shfrytëzuan pikëkalimin kufitar ‘’Dheu i Bardhë’’ për të hyrë në Kosovë.

    Kolonat e gjata dhe pritja shumë orëshe nuk ishin aspak të lehta për ta, që thanë se temperaturat e larta vetëm sa po e vështirësojnë edhe më shumë pritjen.

    ‘’Në pikat kufitare tjera kemi kaluar shumë mirë, e këtu kemi prit prej orës 11 deri në 14:30..’’, tha Bedri Gashi, qyetar.

    ‘’Këtu në Kosovë kemi prit dy orë e gjysmë nuk është shumë, as pak jo po shumë vështire me prit në këto temperatura të larta’’, tha Arton Berisha, qytetar.

    Sipas tyre, vonesat në këtë pikë kufitare po shkaktohen nga pala serbe.

    ‘’Këtu kam pritur 2 orë e 30 minuta. Mendova që është problemi te shqiptarët por jo, problemi ishte te ana e serbëve. Mi morën dokumentet, mi kontrolluan për pesë minuta pastaj më thanë ec”, tha Nazim Bislimi, qytetar.

    Për dallim nga pika kufitare ‘’Dheu i Bardhë’’, situatë tjetër ishte në pikat kufitare Muçibabë dhe Mutivodë, ku pritjet për të hyrë në Kosovë, ishin tre deri në pesë minuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • SHBA-ja ia dorëzon Serbisë 66 automjete të blinduara Humvee

    SHBA-ja ia dorëzon Serbisë 66 automjete të blinduara Humvee

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar ushtrisë serbe 66 automjete të blinduara Humvee (HMMWV – High Mobility Multiopurpose Wheeled Vehicle), të blera përmes një kontrate tregtare me kompaninë amerikane “AM General”, raportoi “BBM”.

    Sipas këtij mediumi, kjo është dërgesa e parë nga gjithsej 118 automjete të porositura.

    Siç bëhet e ditur nga Ambasada amerikane në Serbi përmes një postimi në Instagram, automjetet ndodhen në kazermën në Pançevë dhe do të përdoren ndër të tjera edhe për qëllime të pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

    “Këto nuk janë vetëm automjete amerikane, ky është standard i NATO-s. Kur shihni se me kë është vendosur ushtria serbe në misionet paqeruajtëse, ku partnerë në Liban janë Spanja dhe Italia dhe në Sinai është SHBA-ja, ajo që kemi të përbashkët është standardi i NATO-s. Posedimi i automjeteve të tilla i lejon Serbisë të jetë pjesë e çdo misioni paqeruajtës, të riorganizohet shpejt me partnerët e saj në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Më tej bëhet e ditur se kjo blerje do t’i mundësojë Serbisë jo vetëm që të jetë efektive në ruajtjen e paqes në botë, por edhe se është hapi i parë në arritjen e ndërveprimit me ushtrinë amerikane.

    Siç raportohet, dërgesat e para të Humvee-ve të reja kanë filluar në fund të qershorit përmes aeroportit të Beogradit.

    Në vitin 2012 dhe 2017, SHBA-ja i ka dhuruar ushtrisë serbe gjithsej 40 automjete të këtij lloji, dhe që atëherë ushtria i ka përdorur kryesisht në Brigadën Speciale të atëhershme (batalioni në Pançevë) dhe në Batalionin e 31-të të Këmbësorisë nga Zajeçari, pjesë e Brigadës së Tretë të Armatës Tokësore.

    Sipas informacioneve, Serbia planifikon të blejë gjithsej 118 Humvee nga SHBA-ja, të cilët do të jenë të armatosur me materiale nga fabrikat e brendshme ushtarake. Është planifikuar që modelet e reja të pajisen me një mitraloz 12.7 mm ose një granatëhedhës automatik.

    Humvee është një mjet luftarak shumëfunksional i blinduar, i cili përdoret nga shumë ushtri në botë dhe pothuajse të gjitha formacionet në Serbi. Për shkak të mbrojtjes relativisht të dobët të blinduar, Humvee përdoret kryesisht në njësi speciale ose ushtarako-policore, si dhe për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse.

    Automjete të tilla u përdorën për herë të parë në Serbi në kuadër të Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) tashmë të shpërbërë, të Departamentit të Sigurisë së Shtetit, e cila i bleu ato në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

  • Blinken thotë se Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit të zaptuar nga Rusia

    Blinken thotë se Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit të zaptuar nga Rusia

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Ukraina ka rimarrë rreth 50 për qind të territorit që ka zaptuar Rusia, ndonëse kundërofensiva e Kievit do të zgjasë disa muaj.

    “Ajo tashmë ka rimarrë rreth 50 për qind të asaj që ishte zaptuar”, ka thënë Blinken në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, të dielën.

    “Këto janë ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë”, ka thënë ai, raporton Reuters.

    “Nuk do të përfundojë për një javë apo dy. Ne presim [që kundërofensiva të zgjasë] disa muaj”, është shprehur Blinken.

    Komentet e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhën pak orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”.

    Putin e ka bërë këtë vlerësim teksa ka pritur aleatin e tij të ngushtë, udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për bisedime në Shën Petersburg, të dielën.

    “Nuk ka kundërofensivë”, ka thënë Lukashenka, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve. Putin i është përgjigjur atij, duke thënë se “ajo ekziston, por ka dështuar”.

    Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj të shumëpritur muajin e kaluar, por deri më tani ka bërë vetëm përparime të vogla kundër forcave ruse të shtrënguara në pozicione, të cilat kontrollojnë më shumë se një të gjashtën e territorit të saj, pas gati 17 muajsh luftë.

    Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë të martën se nisma ukrainase “është larg të qenët e dështuar”, por se do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme.

  • Merr flakë një autobus në rrugën Prishtinë – Podujevë

    Merr flakë një autobus në rrugën Prishtinë – Podujevë

    Një autobus është kapluar i tëri nga flakët në magjistralen Prishtinë-Podujevë.

    Lexues të ATV-së i kanë dërguar pamjet nga momenti kur autobusi ka marrë flakë.

    Në vend të ngjarjes janë parë njerëz të shumtë duke u larguar me nxitim për t’iu shpëtuar flakëve.

    Policia e Kosovës tashmë ndodhet në vendngjarje.

    Ende nuk dihet nëse ka ndonjë të lënduar apo vetëm dëme materiale. /atvlive.tv