ATV

Blog

  • “Mjaft keni jetuar”: Përjetimi i grave ukrainase në burgun rus

    “Mjaft keni jetuar”: Përjetimi i grave ukrainase në burgun rus

    Tri ditë pasi forca të shumta ruse u futën brenda kufirit të Ukrainës, duke lëvizur drejt kryeqytetit, Viktoria Andrusha, një mësuese 26-vjeçare e matematikës dhe shkencave kompjuterike, po ndihmonte në përkujdesjen e prindërve të vet në një fshat rreth 90 minuta në jug të Kievit.

    Trupat ruse kryen bastisje shtëpi për shtëpi në fshatin e quajtur Stariy Bykiv. Në shtëpinë e prindërve të saj ata e gjetën Andrushën, si dhe telefonin e saj mobil, i cili përmbante fotografi dhe video të mjeteve ushtarake ruse.

    “Ata thjesht thanë se ju keni një status të një ‘topçiu’ – një detektues topçiu”, tha ajo për Current Time, një term i njohur si një vëzhgues artilerie, dikush që ndihmon ta drejtosh artilerinë apo mortajën kah armiku.

    “Ata i urrenin më së shumti në veçanti njerëzit me status të tillë”, theksoi ajo.

    Ata e arrestuan atë. Gjatë gjashtë muajve në vazhdim, ajo përjetoi rrahje, goditje me shok elektrik, mbyllje të syve, dërrmim, uri, mërzim të pafundme, dhe një pasiguri të frikshme: ajo nuk e dinte nëse do të dilte e gjallë nga aty ndonjëherë.

    Autoritetet ukrainase vlerësojnë se më shumë se 25.000 ukrainas po mbahen peng nga Rusia tani për tani – disa prej të cilëve, në Donbas dhe Krimea, janë duke u mbajtur qysh para pushtimit të plotë të shkurtit 2022. Nga ajo shifër, 126 janë gra, 80 prej të cilave civile, nga 30 qershori.

    Andrusha është njëra nga to.

    Lyudmyla Huseynova është një tjetër.

    “Kjo ishte gjëja më e frikshme për mua”

    Huseynova, 61 vjeçe, ish-inxhiniere e sigurisë në vendin e punës, tha se ishte arrestuar nga burra të panjohur më 9 tetor 2019, më shumë dy vjet para pushtimit të plotë, në Novoazocsk, një qytet bregdetar në Donetsk, në perëndim të kufirit rus.

    “Më ndaluan në rrugë, pranë një veture. Ata kërcyen dhe më futën në atë makinë duke më shtyrë. Më çuan në shtëpinë time, e kontrolluan atë, gjetën libra ukrainas, një flamur ukrainas, pastaj ma futën një thes në kokë dhe më çuan më larg me veturë”, tha ajo në një intervistë më 4 korrik në Kiev.

    Ajo tha se e kishin dërguar me veturë në qytetin e Donetskut, rreth dy orë e gjysmë me veturë drejt veriut, me thesin që ia mbanin ende në kokë dhe pa i dhënë asnjë shpjegim për atë se çfarë do të ndodhte. Përfundimisht, ajo u soll në një burg të njohur si Izolyatsia – ngujimi – në një ish-fabrikë e cila më vonë ishte shndërruar në qendër për art bashkëkohor.

    “Kur më sollën aty, më detyruan të zhvishem. Kur bullizimi filloi dhe më hodhën në një qeli, ata më lejuan ta hiqja thesin, dhe një vajzë tjetër më tregoi se për çfarë vendi bëhej fjalë”, tha Huseynova.

    “Nuk më lejohej të ulesha apo të shkoja në shtrat nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën 10 të natës”, tha ajo. “Llamba shumë të nxehta ishin të instaluara afër, jo shumë larg shtratit tim. T’i digjnin sytë”.

    “Dhe në katër ditët e para, ajo çfarë dëgjova ishin britma të tmerrshme. Thjesht iu luta zotit se ato nuk ishin britmat e të afërmeve të mi. Kjo ishte gjëja më e frikshme për mua”, tha Huseynova.

    Në anën tjetër, Andrusha tha se ishte dërguar në një qendër ndalimi përgjatë kufirit, në rajonin rus Kursk, ku i ishin lidhur sytë dhe duart.

    “Ata na detyruan të gjunjëzoheshim dhe thanë: ‘Do t’ju qëllojmë me armë tani’”, tha ajo në një intervistë të xhiruar më 29 qershor.

    Kur të burgosurit erdhën në qendrën e ndalimit, të gjithë kaluan nëpër procesin e “pranimit”, sipas saj.

    Ajo tha se të burgosurit dërgoheshin në një korridor të brendshëm, ku nuk kishte kamera të vëzhgimit dhe rriheshin.

    “Kaq e kishte puna juaj”

    Ajo tha se ishte rrahur aq keq, dhe ishte goditur me një armë trullosëse, saqë e kishte humbur vetëdijen në një çast.

    Rrëmbyesit e saj do të thoshin, kujton ajo: “Ju keni jetuar paksa tashmë. Epo, mjafton për ju, e keni provuar tashmë. Kaq e kishte puna juaj”.

    “Erdhi një çast kur thashë se po alivanosja, po e humbisja vetëdijen. Ata nuk më besonin mua, më kërcënonin, ‘do t’ju djegim të gjalla tani’”, tha ajo.

    Nga dita e parë e rrëmbimit të saj, Andrusha tha se nga ajo dhe të burgosurat e tjera pritej ta mësonin himnin kombëtar rus, dhe qortoheshin dhe ndëshkoheshin për çfarëdo gabimi apo shkeljeje.

    “Zoti të ndihmoftë po the ndonjë fjalë gabim diku, apo po këndove butësisht apo kështu diçka”, tha ajo.

    “Unë bezdisesha në veçanti nga kënga e tyre ‘Xhaxha Vova’. Kjo këngë thjesht e lartësonte Putinin”, tha ajo. “Kishte momente kur ata më detyronin të mësoja poezi. Dhe njëra nga ato poezi quhej ‘na falni, të dashur rusë”.

    Andrusha tha se qante shpesh.

    “Edhe nëse qaja, e bëja në një mënyrë që [rojat] mos ta vërenin”, tha ajo. “Pastaj erdhi një çast kur ata thjesht na çuan neve në korridor dhe e lëshuan një video për Mariupolin, ku shfaqnin qytetin e bombarduar dhe fëmijët duke jetuar në një bodrum. Të gjitha emocionet shpërthyen në atë moment”.

    “Ende nuk ndiej se dua të ha”

    Uria dhe etja ishin gjë e zakontë në qendrat e ndalimit.

    “Kishte ditë kur ata na jepnin vetëm copa të vogla të bukës, shumë të vogla, për tërë ditën. Dhe ti duhesh që disi ta bësh këtë copë buke të zgjasë për ty. Dhe unë e asgjë tjetër”, tha Huseynova.

    Në raste të tjera, tha ajo, të burgosurave u jepej qull që ishte i fortë si guri.

    “Në të ata përzinin jashtëqitje miu dhe ishte e pamundur të hahej. Ende nuk mund ta shijoj ushqimin. Nuk dua të ha asgjë”, tha ajo.

    Andrusha, e cila u lirua nga Rusia më 22 shtator 2022, vazhdon të punojë si mësimdhënëse.

    Huseynova, e cila jeton në Kiev dhe është vullnetar për një organizatë joqeveritare që lufton për gratë e burgosura, u lirua më 17 tetor 2022. /REL

  • Dwayne Johnson pritet të bëhet aktori më i paguar në histori

    Dwayne Johnson pritet të bëhet aktori më i paguar në histori

    Dwayne Johnson do të bëhet aktori më i paguar për rolin e tij në komedinë e Krishtlindjeve të Amazon Prime Video ‘Red One’, ku do të luajë së bashku me Chris Evans, Lucy Liu dhe Nick Kroll.

    Sipas një raporti në Puck, “The Rock” do të marrë 50 milionë dollarë për rolin e tij në film.

    Deri më tani pagën më të lartë, 40 milionë dollarë, e ka marrë Robert Downey J. për rolin e tij në filmin ” Captain America: Civil War” dhe Will Smith për filmin “King Richard”.

    Ndërsa, skenari i “Red One” me regji të Jake Kasdan po mbahet i fshehtë.

    Duke diskutuar për xhirimin e filmit me Johnson vitin e kaluar, Evans tha për comicbook.com se Dwayne Johnson është thjesht i jashtëzakonshëm.

  • ​114 vjet nga Kongresi i Dibrës

    ​114 vjet nga Kongresi i Dibrës

    Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman është mbajtur në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.

    Kongresi është sponsorizuar nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.

    Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres kanë refuzuar kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti dhe kanë krijuar një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse kanë qenë në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, kanë përfshirë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.

    Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që ka pasur qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër ishte pranuar rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.

    Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit, më 28 korrik ka miratuar një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve janë quajtur “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, ka përfaqësuar programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që i janë bërë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.

    Në këtë pjesë ishte shprehur uniteti i të gjithë osmanlinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; ishte kërkuar gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

    Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ka ruajtur në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit janë quajtur “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, janë përfshirë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.

    Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin aty kanë pasur të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Është parashikuar ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat ishte mësuar filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.

    Krahas këtyre, janë përfshirë edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Është kërkuar që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshpëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i janë lënë për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë.

  • BQK: Bankat të ofrojnë falas llogari të shërbimeve bazike për klientët

    BQK: Bankat të ofrojnë falas llogari të shërbimeve bazike për klientët

    Banka Qendrore e Kosovës tanimë u ka shpërndarë një rregullore të re bankave në vend, me të cilën obligohen që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankar.

    Në bazë të kësaj rregullore e cila hyn në fuqi më 1 gusht të këtij viti, klientëve të bankave u ofrohet ky shërbim pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

    “Shërbime mund të kryhen nëse hapni një llogari të pagesës me shërbime bazike: – shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e në llogarie pagese; – shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; – shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; Si dhe ekzekutimi i transaksioneve të mëposhtme të pagesave: -debitimi direkt; – transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet; – transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës, ose përmes platformave online. Qasja në llogaritë e pagesave me shërbime bazike duhet të sigurohet nga bankat për konsumatorët, pavarësisht nga rrethanat financiare të konsumatorëve, të tilla si statusi i punësimit të tyre, niveli i të ardhurave, historia e kredisë ose falimentimi”, thuhet në rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike. /KP/

  • Mbi dy orë pritjet në pikat kufitare të Kosovës

    Mbi dy orë pritjet në pikat kufitare të Kosovës

    Mërgimtarët janë duke pritur mbi dy orë për të hyrë në territorin e Kosovës, nga pikat kufitare tokësore.

    Më së shumti pritje ka në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku kolona është 2,000 metra, teksa pritjet janë mbi dy orë e gjysmë.

    Ndërkohë, mërgimtarët po presin edhe në Merdarë, ku pritjet janë deri në dy orë.

    Në pikët tjera kufitare situata është e qetë, ku pritjet janë nga 5 deri në 10 minuta.

    Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, mërgimtarët që janë duke ardhur nga vende të ndryshme të Evropës janë duke pritur në radhë të gjata për të hyrë në Kosovë.

  • Diell e vranësira, pasdite rrebeshe shiu, parashikimi i motit për sot

    Diell e vranësira, pasdite rrebeshe shiu, parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    Sipas Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sot do të mbajë mot kryesisht me diell. Pasdite parashihet të fryjë erë mesatare dhe lokalisht e fortë nga drejtimi i verilindjes.

    Do të ketë vranësira konvektive të cilat parashihen të sjellin reshje afatshkurta të përcjellura me bubullimë.

    Në zona të kufizuara mund të bie breshër.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius.

  • Largimi i të rinjve nga Ballkani Perëndimor problem edhe për BE

    Largimi i të rinjve nga Ballkani Perëndimor problem edhe për BE

    Largimi i shpejtë dhe i madh i të rinjve, që shkakton sfida serioze në shumë vende, sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është problem serioz edhe për Bashkimin Evropian.

    Edhe vendet e këtij blloku janë të goditura nga ndikimi që këto lëvizje demografike kanë në ekonomitë e tyre, si dhe në parashikimin e së ardhmes, sidomos në tregun e punës.

    Prandaj, në BE thonë se janë duke punuar në disa projekte, që kanë synim ta zbusin efektin negativ që shkakton i ashtuquajturi fenomen i “ikjes së trurit“, e që nënkupton largimin e të rinjve dhe të fuqisë punëtore nga një vend drejt një vendi tjetër.

    Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia, janë duke u përballur me largime të mëdha të fuqisë punëtore. Kjo ka bërë që në këto vende të zvogëlohet dukshëm fuqia punëtore dhe të vihet re edhe mungesa e disa kategorive të punëtorëve në tregun e punës.

    Por, në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sidomos ato nga Evropa lindore, janë duke u përballur me këtë fenomen. Kroacia, ndoshta, më së shumti.

    Për herë të parë, ky vend, sipas regjistrimit të popullsisë, ka rënë nën 4 milionë banorë. Për dhjetë vjet, që është anëtare e BE-së, Kroacia ka humbur gjysmë milioni banorë.

    Krahas problemit kronik që kanë të gjitha vendet evropiane – zvogëlimit të vazhdueshëm të numrit të lindjeve – Kroacia ka regjistruar edhe largim masiv të të rinjve në vendet e tjera të BE-së.

    Duke përfituar nga liria e lëvizjes së punëtorëve brenda tregut të përbashkët, shumë të rinj nga Kroacia kanë shkuar të punojnë në vende si: Irlanda, Gjermania dhe Austria.

    Ky fenomen është regjistruar më herët edhe në vendet që kanë hyrë në BE para Kroacisë, si: Bullgaria, Rumania dhe Polonia.

    Largimi i të rinjve, në kërkim të një vendi më të mirë të punës, ka pasur disa efekte pozitive.

    Kroacia, për shembull, kur ka hyrë në BE në vitin 2013, ka pasur nivelin e papunësisë 17 për qind. Tash e ka diku rreth 6 për qind.

    Por, Kroacia ka deficit të fuqisë punëtore, sidomos në fushën e turizmit dhe ndërtimtarisë. Këtë, ky vend, sikurse edhe vendet tjera të Evropës lindore, po e plotëson me fuqi punëtore nga vendet e treta, jashtë BE-së.

    Vitin e kaluar, Kroacia ka shënuar rekord të dhënies së lejeve të punës për shtetasit e huaj, sidomos nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

    Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Dubravka Shuica, që është e caktuar të kujdeset për demografi dhe demokraci, thotë se për Bashkimin Evropian, zgjidhja më e shpejtë është migrimi i kontrolluar, sepse, siç thotë, pa ardhjen e fuqisë punëtore nga jashtë, ekonomia e BE-së do të humbë përparësitë ndaj konkurrencës.

    Shuica, kur ka prezantuar disa herë planet e Komisionit Evropian për t’u përballur me këto sfida demografike, ka konstatuar se problemi i lëvizjes së të rinjve dhe fuqisë punëtore, nuk është vetëm nga lindja drejt perëndimit, nga një vend i BE-së në tjetrin, por edhe brenda shumë vendeve – nga zonat rurale në qytete.

    Kjo, sipas Komisionit Evropian, ka thelluar edhe më shumë dallimet mes rajoneve në aspektin demografik. Prandaj, ka tërhequr vërejtjen Shuica, zvogëlimi i papunësisë në vendet e BE-së nuk duhet parë vetëm si gjë pozitive.

    “Niveli i ulët i papunësisë është arritur, mes tjerash, edhe për shkak të ndryshimeve demografike. Tepër pak të rinj hyjnë në tregun e punës, lidin gjithnjë e më pak fëmijë, ndërkohë që ka lëvizje drejt vendeve tjera dhe dalje në pension, si rezultat i plakjes së popullsisë“, ka thënë Shuica disa herë gjatë debateve me qytetarë dhe me agjenci evropiane që merren me sfidat demografike.

    Komisioni Evropian dëshiron të investojë në atë që e quan “migrim i kontrolluar“ dhe të bashkëpunojë me vendet e treta, të cilat do t’i edukonin punëtorët përpara se të hynin në BE. Por, duhet të përballet edhe me sfidë tjetër, sepse duke i tërhequr të rinjtë dhe fuqinë e kualifikuar të punës drejt BE-së, do të shkaktojë “ikje të trurit” në ato vende.

    Prandaj, KE-ja dëshiron që të punohet në “qarkullimin e trurit“, e jo vetëm në “ikjen e trurit”. Kjo do të thoshte se ata që hyjnë për të punuar në një vend të BE-së, kur të krijojnë shkathtësi dhe përvojë, do të ktheheshin për të kontribuar në vendet e tyre të origjinës.

    Sa u përket vendeve anëtare të BE-së, ato kanë qasje në fonde të mëdha nga politika e kohezionit, zhvillimit rural, digjitalizimit dhe edukimit.

    Në të gjitha këto fusha, ku BE-ja ndan dhjetëra miliarda euro në vit, fokusi kryesor është në rritjen e shkathtësive për tregun e punës në zonat që kanë probleme demografike.

    Në BE janë identifikuar 83 rajone që kanë probleme si plakja e popullsisë dhe largimi i të rinjve.

    Vitin 2022, Komisioni Evropian e ka shpallur “Vit të të rinjve“, ndërsa vitin 2023 e ka shpallur “Vit të shkathtësive“.

    Problem për tregun e punës është edhe dallimi i madh gjinor. Komisioni Evropian thotë se, aktualisht, janë mbi 7 milionë gra që nuk janë fare në tregun e punës – pra as të punësuara e as duke kërkuar punë.

    Arsyet kryesore lidhen me kujdesin për fëmijët apo për të moshuarit, pasi në shumë rajone nuk ka çerdhe të fëmijëve dhe shtëpi të pleqve. Kujdesi institucional, ndërkaq, është aq i shtrenjtë, saqë nuk mund të punojnë dhe t’i paguajnë ato shpenzime.

    Në BE, në fushën e përkujdesit punojnë 17 milionë gra dhe vetëm 450 mijë burra.

    Në BE pranojnë se migracioni nuk mund të ndalet, se ai është i nevojshëm dhe se i ka dobitë e veta. Por, gjithashtu, theksojnë se janë të vetëdijshëm se vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me këtë fenomen më shumë se vendet tjera.

    Prandaj, pasi që janë në procesin e integrimit në BE, sugjerojnë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të investojnë më shumë në krijimin e kushteve për qytetarët e tyre që të rrinë në ato vende.

    Për këtë thonë se duhet më shumë investim, sidomos në shkollim dhe në kujdes social – dy shkaktarët kryesorë të largimit të njerëzve nga ato vende.

  • Ardhja e bashkatdhetarëve – Mobilizohet QKMF në Prishtinë, Hashani: Kemi barna mjaftueshëm

    Ardhja e bashkatdhetarëve – Mobilizohet QKMF në Prishtinë, Hashani: Kemi barna mjaftueshëm

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare(QKMF), në Prishtinë është mobilizuar me staf e barna në mënyrë që të përballojë fluksin e bashkatdhetarëve gjatë muajve të verës, ka konfirmuar kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në këtë Qendër, njëherit specialisti i shërbimeve të mjekësisë familjare, Valdet Hashani.

    Ndonëse ka thënë se në këtë periudhë edhe stafi mjekësor është në pushim, ata kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në mënyrë që t’u dalin në ndihmë qytetarëve sidomos kur po mbretërojnë temperaturat e larta.

    Sa i përket pajisjeve apo barnave ai ka thënë se kanë mjaftueshëm, meqë menaxhmenti i QKMF-së me Drejtorinë e Shëndetësisë kanë bërë një plan duke pasur parasysh se gjatë verës ka edhe kërkesa më të mëdha.

    “Ju e dini se edhe personeli shëndetësor këto ditë fillon pushimet vjetore, mirëpo jemi munduar që kapacitetet tona ose burimet tona njerëzore t’i shpërndajmë në njësi të cilat i kemi të shpërndara në qytet. Kjo, marrë parasysh se Prishtina e ka një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare që është njësi administrativo-shëndetësore, por i kemi edhe 15 qendra të mjekësisë familjare dhe po aq ambulanta nëpër regjione e fshatra. Dhe në këtë mënyrë e kemi distribuimin jashtëzakonisht të mirë edhe të rrjetit të infrastrukturës fizike apo edhe personelin”.

    “Sa i përket pajisjeve apo barnave kemi mjaftueshëm, meqë menaxhmenti i QKMF-së me Drejtorinë e Shëndetësisë ka bërë një plan ose një projekt pak më të gjerë meqë kemi parasysh se gjatë verës kemi edhe kërkesa më të mëdhaja, këtyre ditëve mund të themi se është rritur numri diku për dhjetë ose njëzet përqind, por ky është vetëm fillimi i temperaturave të larta. Ndërsa gjatë muajit korrik, pra gjatë këtyre dy javëve të muajit korrik dhe gusht sigurisht që numri do të rritet dhe me këtë do rritet edhe fluksi”.

    “Sa i përket shtretërve zakonisht Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë shtretër për infuzione zakonisht pasi këto janë trajtime ditore, mirëpo shërbimi shëndetësor ofrohet 24 orë, pacientët mund të vijnë gjatë 24 orëve dhe të marrin shërbime dhe trajtohen më pas në shtëpi. Pra marrin ndihmën e parë dhe vazhdon trajtimin në shtëpi”, u shpreh Hashani.

    Mjeku Hashani tha se këto ditë qytetarët ankohen për dhimbje koke, barku të vjella, por që nuk vien si shkak i infeksioneve, por i temperaturave.

    “Zakonisht trajtimi më primar që bëhet është rehidrimi, nëse nuk ka infeksione, nëse ka infeksione varësisht nga infeksioni kemi trajtime antivirale, antibakteriale e kështu me radhë, por këtyre ditëve kemi më tepër vjellje, por jo për shkak të infeksioneve. Nuk përjashtohen mundësistë që të paraqiten edhe gastroenteritet”, tha Hashani.

  • Mbi dy orë pritjet në pikat kufitare të Kosovës

    Mbi dy orë pritjet në pikat kufitare të Kosovës

    Mërgimtarët janë duke pritur mbi dy orë për të hyrë në territorin e Kosovës, nga pikat kufitare tokësore.

    Më së shumti pritje ka në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku kolona është 2,000 metra, teksa pritjet janë mbi dy orë e gjysmë.

    Ndërkohë, mërgimtarët po presin edhe në Merdarë, ku pritjet janë deri në dy orë.

    Në pikët tjera kufitare situata është e qetë, ku pritjet janë nga 5 deri në 10 minuta.

    Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, mërgimtarët që janë duke ardhur nga vende të ndryshme të Evropës janë duke pritur në radhë të gjata për të hyrë në Kosovë.

  • Zyrtare: Okafor i bashkohet Milanit

    Zyrtare: Okafor i bashkohet Milanit

    AC Milan ka njoftuar se Noah Arinzechukwu Okafor i është bashkuar klubit nga FC Red Bull Salzburg.

    Sulmuesi zviceran ka nënshkruar një marrëveshje me kuqezinjtë që zgjat deri më 30 qershor 2028.

    I lindur në Binningen (Zvicër) më 24 maj 2000, Noah u zhvillua në seksionin e të rinjve të FC Basel dhe bëri debutimin e tij profesional me klubin në 2018.

    Ai do të vazhdonte të shënonte shtatë gola në 54 ndeshje me FCB, duke fituar një titull të Kupës së Zvicrës.

    Ai më pas u transferua në Salzburg në janar 2020, ku bëri 110 paraqitje dhe shënoi 34 gola.

    Ai fitoi katër tituj të Bundesligës austriake dhe tre Kupa të Austrisë me Die Roten Bullen.

    Në futbollin ndërkombëtar, Noah ka fituar 14 ndeshje dhe ka shënuar dy gola për Zvicrën.

    Noah Okafor do të veshë fanellën me numrin 17.