ATV

Blog

  • Shpallja e zgjedhjeve në veri – problem i bazës ligjore apo i vullnetit politik

    Shpallja e zgjedhjeve në veri – problem i bazës ligjore apo i vullnetit politik

    Ligji për vetëqeverisje lokale ofron bazë të kufizuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, por zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet politik të autoriteteve vendore.

    Kështu vlerësojnë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, dhe Miodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë.

    Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

    Tensionet në këtë zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

    Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Për ta shtensionuar situatën, Kosova ka rënë dakord edhe për zvogëlimin e pranisë policore në ndërtesat komunale në veri.

    Por, Bislimi tha më 24 korrik se nuk është i sigurt se ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve në veri.

    Ai, po ashtu, tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    BE-ja pezulloi disa fonde dhe takime me Kosovën, pasi e bëri fajtore për përshkallëzimin e situatës në veri.

    BE-ja nuk e komentoi deklaratën e Bislimit, por përsëriti thirrjen për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa nga qytetarët serbë që jetojnë në katër komunat në veri, kërkoi që të marrin pjesë në proces.

    “Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha BE-ja më 25 korrik.

    Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet në Kosovë “nuk i duan ato zgjedhje, nuk duan asgjë”.

    Miftaraj: Dorëheqja e kryetarëve, zgjidhja për zgjedhje

    Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se kur për çështje ligjore kërkohen zgjidhje politike, atëherë zgjidhja e situatës komplikohet.

    Por, sipas tij, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore duhet qasur zgjidhjes më praktike.

    “Me rëndësi është fakti se ka një konsensus që kryetarët [e katër komunave në veri] nuk kanë legjitimitet [pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët]. Ata, fatkeqësisht, nuk i përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve në veri të Kosovës. Andaj, nëse ka vullnet politik, duhet të ofrohet zgjidhja që është më praktike dhe që ka më pak implikime për buxhetin e Republikës së Kosovës. Kjo, padyshim, nënkupton ofrimin e dorëheqjeve [nga katër kryetarët e komunave në veri]”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Duke folur për gazetarët të mërkurën, Kurti la të kuptohet se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve.

    “Nuk e di se sa është i këndshëm takimi [i kryetarëve] me mua, sepse kur takohen njerëzit me mua, unë u them ‘shkoni në punë dhe jo mos shkoni në punë’”, u shpreh Kurti.

    Miliqeviq: Askush nuk dëshiron të merret me peticionin

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti, tha se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë, nënshkruajnë peticionin për largimin e kryetarit të asaj komune.

    Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor, që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

    “Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

    Miodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se nuk ka asnjë sinjal pozitiv se deri te zgjedhjet e parakohshme në veri mund të arrihet përmes nënshkrimit të peticionit nga qytetarët.

    Sipas tij, një peticion të tillë duhet ta iniciojë ndonjë subjekt politik serb, por ata nuk janë të gatshëm për diçka të tillë.

    “Pas gjithë këtyre fërkimeve të forta, është e qartë se askush në veri nuk dëshiron të merret me atë proces, me peticionin, grumbullimin e nënshkrimeve dhe kështu me radhë. Si mundësi ligjore, kjo ekziston, por përballë kësaj nuk ekziston vullneti politik për inicimin e një procesi të tillë”, thotë Miliqeviq.

    Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se arritja deri te zgjedhjet e parakohshme përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët, fillimisht është mjaft e kushtueshme për buxhetin e vendit, por, sipas tij, edhe një shembull jo i mirë.

    “Kjo do të ndërtonte një precedent të dëmshëm, që nënkupton se kjo mund të përsëritet pastaj edhe në komunat tjera [në të ardhmen]”, thotë Miftaraj.

    Mundësinë e organizimit të zgjedhjeve përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, e ka përmendur më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Nënshkrimi i peticionit “me kushte”

    Disa banorë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se do ta nënshkruanin një peticion për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në komunat e veriut. Por, ata kanë qëndrime të ndryshme se çfarë duhet t’i paraprijë një procesi të tillë.

    Marija thotë se, fillimisht, autoritetet e Kosovës duhet t’i plotësojnë disa kushte.

    “Të largohen forcat speciale nga veriu i Kosovës, të lirohen personat që u arrestuan, se ata ishin në të drejtën e Zotit, dhe pastaj të shohim, të shkojmë në një rund të ri [zgjedhor] për të parë se çfarë do të ndodhë”, thotë Marija.

    Por, Savo Drobnjakoviq thotë se ai do ta nënshkruante peticionin vetëm nëse atë e inicion Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

    “Nëse e inicion shteti i Serbisë dhe Lista Serbe thotë po, atëherë unë do të votoja për të. Beogradi nuk ka autoritet këtu, por nëse Lista Serbe thotë, atëherë populli pajtohet, pra edhe unë do ta nënshkruaja”, thotë Drobnjakoviq.

    Jovan Milliqeviq beson se të gjithë banorët e veriut të Kosovës do të duhej ta nënshkruanin peticionin.

    “Po shohim që askund në veri nuk ka institucione funksionale. Çdo ditë lexojmë në media se funksionon vetëm ajo vetëqeverisje lokale në Mitrovicë të Veriut, e cila miraton disa vendime që absolutisht nuk kanë të bëjnë me popullatën serbe… Nëse është e mundur dhe e realizueshme, të ndryshohet paksa për të mirë politika e kuadrove”, thotë Jovan Miliqeviq.

    Hapat drejt zgjedhjeve?

    Miodrag Miliqeviq nga organizata Aktiv vlerëson se autoriteteve të Kosovës u mungon vullneti politik për të shkuar drejt zgjedhjeve në veri përmes dorëheqjeve të kryetarëve të komunave.

    Në këtë kontekst, thotë ai, çështja se si duhet mbajtur zgjedhjet, duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të re Kosovë-Serbi.

    “Pa diçka të tillë nuk do të arrihet kurrfarë përparimi më tutje. Së dyti, në Bruksel duhet të diskutohet se cilët janë hapat, në radhë dhe sipas rrjedhës logjike”, thotë Miliqeviq.

    Sipas tij, hapi i parë në këtë radhë duhet të jetë kthimi i funksionalitetit të komisioneve komunale zgjedhore, përkatësisht kthimi i tyre në gjendjen e para muajit nëntor të vitit të kaluar, pra para braktisjes së institucioneve të Kosovës nga serbët e veriut.

    “Më pas, bashkë me këtë, të arrihet një konsensus politik se si do të organizohen zgjedhjet, si dhe pajtimi i Beogradit apo serbëve lokalë për pjesëmarrje në ato zgjedhje. Kjo mund të arrihet vetëm në kuadër të dialogut”, thotë Miliqeviq.

    Sipas tij, hapa pasues do të duhej të ishin shpërndarja e kuvendeve komunale të katër komunave në veri dhe vendosja e masave të përkohshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe vetë mbajtja e zgjedhjeve.

    Në një situatë të tillë, sipas Miliqeviqit, Beogradi zyrtar do të duhej të obligohej që të mos ushtrojë kurrfarë presioni apo veprimesh të dhunshme ndaj politikanëve dhe qytetarëve në veri të Kosovës, të cilitdo opsion politik apo përkatësie kombëtare qofshin ata.

  • Zyrtarisht miratohet zbritja e 100 eurove në tatimin në pronë

    Zyrtarisht miratohet zbritja e 100 eurove në tatimin në pronë

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në mbrëmje në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, që nënkupton se nga ky ligj do të mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.

    Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij ligji po ashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.

    MF-ja ka thënë se me këtë ligj do të ketë kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024, dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

  • Chollet pritet të vizitojë Kosovën në fund të korrikut

    Chollet pritet të vizitojë Kosovën në fund të korrikut

    Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritet të vijë në Kosovë. Është raportuar se ai do të vizitojë Prishtinën më 30 e 31 korrik.

    Vizita e tij në Kosovë nuk është konfirmuar nga Qeveria e as nga Zyra e Presidentes. Për qëndrimin e Cholletit në Kosovë nuk janë deklaruar as në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, megjithëse nuk e kanë mohuar.

    Megjithëkëtë, njohës të zhvillimeve të dialogut përmendin çështjet që pritet të jenë në fokus të vizitës së tij. Analisti Visar Xani thotë se dialogu e marrëdhëniet mes dy shteteve do të jenë temat kryesore.

    “Përkushtimi ndaj dialogut, besimi i vazhduar dhe partneriteti me SHBA-në janë temat kyç që do t`i presim, dhe patjetër përkushtimi amerikan dhe mesazhi amerikan do të vijnë direkt nga ai për të treguar se rrugëtimi do të jetë i përbashkët dhe s`duhet pasur dilema dhe bashkëpunime në koordinimin e proceseve, dhe projektet e përcaktuara amerikane patjetër që duhet të pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe të mos ketë dyshime”, ka thënë ai.

    Sipas Xanit, vizita e përfaqësuesit të lartë të Departamentit të shtetit, duhet të shfrytëzohet mirë nga autoritetet kosovare.

    “Është me rëndësi që çdoherë mesazhet diplomatike, aq më shumë nëse kemi mesazhe nga një përfaqësues i lartë i departamentit të shtetit, t`i kuptojmë saktë dhe të veprojmë saktë konform atyre mesazheve dhe të mos kemi keqkuptime të caktuara se pastaj mund të ketë edhe pasoja”, ka theksuar ai.

    Chollet për vizitë në Kosovë qëndroi edhe në fillim të këtij viti. Vizita e tij në fund të korrikut bëhet në kohën kur ai është propozuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që të jetë nënsekretar i Mbrojtjes.

  • Lista Serbe kërkon nga Escobari që Kosova ta themelojë Asociacionin

    Lista Serbe kërkon nga Escobari që Kosova ta themelojë Asociacionin

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq bashkë me Slavko Simiq kanë zhvilluar të enjten një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Takimi në mes tyre ka ndodhur në Departamentin amerikan të Shtetit.

    Siç ka njoftuar Lista Serbe, në takim është përcjellë “qëndrimi i komunitetit serb për situatën e sigurisë politike në Kosovë, si dhe nevojën e respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë marrëveshjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe udhërrëfyesin. për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës”.

    Qeveria e Kosovës ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropina, ku thotë se i kanë ndërmarrë veprimet për deeskalim.

    Por, Lista Serbe nuk është mjaftuar, duke kërkuar formimin e Asociacionit si dhe lirimin e serbëve që sipas Beogradit dhe Listës Serbe ”po persekutohen“.

    Zyrëtët e Listës Serbe do të zhvillojnë edhe të tjera takime në SHBA.

  • Raporti i DASH: Kontesti me Serbinë, korrupsioni, interferimi politik në ekonomi dhe gjyqësor pengojnë tërheqjen e investimeve

    Raporti i DASH: Kontesti me Serbinë, korrupsioni, interferimi politik në ekonomi dhe gjyqësor pengojnë tërheqjen e investimeve

    Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023.

    Në këtë raport theksohen një mori problemesh e pengesash që frenojnë investitorët e huaj për të investuar në Kosovë.

    Një nga këto arsyeje përmendet edhe korrupsioni si dhe sundimi i dobët i ligjit.

    Por theksohet se ka edhe ndërhyrje politike në ekonomi që automatikisht e bën më të vështirë çështjen e investitorëve të huaj.

    Po ashtu, përmendet problemi me energjinë elektrike, pra nuk ka besueshmëri për furnizim të vazhdueshëm – si dhe të drejtat pronësore e integrimi i kufizuar rajonal e global ekonomik.

    Në këtë raport, si problem theksohet edhe çështja e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes Kosovës dhe Serbisë.

    ”Potenciali i Kosovës për të tërhequr IHD në rritje është i kufizuar nga çështje të shumta strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; korrupsioni; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave. Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen mbështetet ndjeshëm në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat. Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu pengon investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, thuhet në raport.

    Në këtë raport, ka edhe të tjera detaje për mosmarrëveshjet e Kosovës dhe Serbisë, si një problem në klimën e investimeve.

    “Mungesa e marrëdhënieve të normalizuara me Serbinë, nga e cila Kosova u shkëput në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, mbetet një burim tensionesh politike dhe kërcënimesh për konfrontime të dhunshme, veçanërisht në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Një shembull i fundit dhe ilustrues përfshin një njoftim të qeverisë së Kosovës në tetor 2022 për zbatimin e një vendimi të mëparshëm që kërkonte shkëmbimin e targave të Serbisë me targat ‘RKS’ të lëshuara nga Republika e Kosovës. Si përgjigje ndaj këtij njoftimi dhe rritjes së tensioneve, u ngritën barrikada në katër komunat veriore të Kosovës duke bllokuar rrugët e transportit brenda dhe jashtë rajonit”, thuhet në raport.

  • Gjendet i vdekur një person te Mati 1, dyshohet për vetëvrasje

    Gjendet i vdekur një person te Mati 1, dyshohet për vetëvrasje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e mbrëmjes në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka bërë vetëvrasje brenda një veture.

    Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Ai tha se vdekja e 28-vjeçarit është konfirmuar nga ekipi i mjekëve emergjent.

    Borovci shtoi se dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje ndërsa rasti është duke u hetuar si “Hetim mbi vdekjen”.

    “Rreth orës 21:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në një veturë në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi i mjekëve emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 28 vjeç.

    Përkundër që mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje, policia me kujdes të shtuar po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen”, tha Borovci.

  • Statovci: Përfundimisht u ndalen padrejtësitë që janë bërë 70.000 pensionistëve

    Statovci: Përfundimisht u ndalen padrejtësitë që janë bërë 70.000 pensionistëve

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka thënë se me ligjin për skemat pensionale janë larguar padrejtësitë shumvjeçare.

    Ajo përmes një reagimi në rrjetet sociale ka shkruar se populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna.

    Ky është reagimi i Jeta Statovcit:

    Kosova nuk është dashur të lejojë diskriminim në pensione për qytetarët e saj, për kohë kaq të gjatë!

    Me votimin tonë sot në Kuvend, u vendosë të rregullohet kjo padrejtësi.

    Populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna, pra në shkelje të të drejtave dhe lirive elementare njerëzore.

    Nëse ne dhe bota demokratike këtë e kemi quajtur diskriminim e shkelje  të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, atëherë,  çfarë kuptimi kishte që njerëzve tanë nuk ua kthenim të drejtat e mohuara?

    Nga sot, stazhi dhe të drejtat tjera nga marrëdhënia e punes për rreth 70,000 pensionistë, janë rikthyer dhe kështu përveç ndikimit pozitiv në kuptimin e drejtësisë sociale, Kosova me akte konkrete po e materializon refuzimin e pushtimit e të veprimeve gjenocidale të Serbisë.

  • Uta Ibrahimi, gruaja e parë në Ballkan që ngjet majat e 11 maleve

    Uta Ibrahimi, gruaja e parë në Ballkan që ngjet majat e 11 maleve

    Uta Ibrahimi e njohur ndryshe si heroina jonë e maleve e ka ngjitur edhe K2 me lartës 8,661 metra.

    K2 është maja e 11 në listën e Utës që ajo e ka ngjitur, dhe ajo vazhdon të jetë gruaja e parë në Ballkan që ka ngritur flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë në to.

    Lajmin e konfirmoi “Utalaya”, faqja e cila shpërndanë lajmet për ngjitjet e Ibrahimit nëpër botë.

    “Jemi krenarë dhe të lumtur të japim lajmin se Uta, heroina jonë e maleve, tashmë ka ngjitur edhe K2 me lartësi 8,611 m, dhe e ka renditur “Malin e egër” në vendin e 11 në listën e saj të projektit 14/8000. Kjo arritje e madhe është një moment historik ndër të tjera, që i ka dhënë një frymëzim të fuqishëm komunitetit alpinist shqiptar”, shkruante në postimin e “Utalayas”.

    “Përkushtimi dhe vendosmëria e Uta Ibrahimit tregojnë se ajo është një udhëheqëse e vërtetë dhe një shembull frymëzues për të gjithë ne që kërkojmë të kalojmë kufijtë dhe të bëjmë ëndrrat tona realitet”, shkruante më tej.

  • ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e konsiderojnë të jashtëzakonshme mbajtjen e seancës së sotme në orën 14:00 dhe atë për të cilën thanë se kanë marr njoftim për në orën 16:00.

    Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se propozuesi duhet të jap arsyeshmërinë e kësaj jashtëzakonshmërie ku në një seancë të trajtohen dy çështje totalisht të ndryshme.

    Sipas tij, kjo po ndikon në negativisht në kualitetin e ligjeve.

    “Kishte qenë mirë që propozuesi me të na shpjegojë arsyeshmërinë e jashtëzakonshmërisë së këtyre dy çështjeve totalisht të ndryshme si bashkohen në jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe ne po ashtu para disa orësh morëm një ftesët për një seancë tjetër të jashtëzakonshme por sot në ora 16:00. Çka ka të jashtëzakonshme pse duhet Kuvendi t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme brenda një dite të shqyrtojë tri pika të cilat janë totalisht të ndryshme dhe të paktën dy prej tyre mund të presin zakonishmërinë e seancave. Pse duhet me u bë kjo punë sepse kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve dhe po krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshmërinë ku një grup parlamentar”, tha ai.

    Tutje ai theksoi se me këtë sjellje po i humb esenca e parlamentarizmit.

    “Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që duhet me u mbledh sot në ora 16:00 ose ora 14:00 me I trajtua me një zakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme dhe po ashtu me ardhur në ora 16:00 me ftesën që e kemi marr po sot me trajtua një ligj në dy leximet po sot po i humb esenca parlamentarizmit, ky normaliteti i shkeljes së procedurave kuvendore dhe i praktikave demokratike në këtë mënyrë po fillon po bëhet I rrezikshëm”, tha ai.

    Mendim të njëjtë me Gashin paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se është e paprecedent që të sillen ligje për shqyrtim të cilat janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Ai theksoi se kjo qasje është totalisht e paarsyeshme.

    “Ky Kuvend sot i ka thirrur tri seanca të jashtëzakonshme për tri ligje të zakonshme, për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e paprecedent dhe as në historinë e këtij parlamenti edhe të parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese, është totalisht e pakuptimitë dhe po të drejtohem edhe ty kryetar si thirrës i seancës që po ashtu ta trajtosh këtë çështje me shumë kujdes… 100 mijë herë kishte më qenë më urgjente të diskutohet rrezikshmëërinë e Policisë në veri të Kosovës dhe e kishte pas mbështetjen e deputetëve, por me na sjell ligje të cilat i nënshtrohen një procedure parlamentare, me na sjell një ligj që është duke u diskutuar në Gjykatë Kushtetuese kjo tregon me të vërtetë për një logjikë ose totalisht të paaftë ose seriozisht të mbrapsht. Kërkoj prej teje si kryetar dhe prej kolegëve të LVV të reflektojnë pse, pse duhet ky me u bë peng i një qeverisje totalisht in-efektive i një qeverisje me ligje anti-kushtetuese për të trajtuar ligje”, theksoi ai.

    Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

    Po, ashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./kp

  • Përkujtohet Haqif Mulliqi – E bija e tij: Po e përcjellim me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit

    Përkujtohet Haqif Mulliqi – E bija e tij: Po e përcjellim me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit

    Bashkëpunëtorë, miq, familjarë e personalitete të ndryshme të enjten kanë përkujtuar jetën dhe veprën e profesorit, gazetarit e dramaturgut Haqif Mulliqi, raporton Ekonomia Online.

    Hazir Haziri, dekan në Fakultetin e Arteve, tha se profesori Mulliqi punoi me përkushtim të pashoq dhe se mbetet ndër pedagogët e rrallë të dramaturgjisë skenike.

    “E nderuar familje Mulliqi, të nderuar kolegë gazetarë, studentë, dhe ju të pranishëm. Jemi mbledhur në këtë akademi përkujtimore për ta nderuar profesor Mulliqin. Profesori Mulliqi punoi me përkushtim të pashoq. Ai ishte ndër pedagogët e rrallë të dramaturgjisë skenike”.

    “Profesor Mulliqi ishte emër që do të mbahet mend në artet dramatike. Duke kontribuar vazhdimisht në këtë fushë. Profesorin kisha fat ta njoh dhe e njoha siç e njohin njerëzit kalibrin e tij, përmes veprave të tij”, Haziri.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, u shprehi ngushëllime familjes e dashamirëve, për si cak thënë ai këtë humbej të madhe.

    Sipas tij, Mulliqi do të mbetet një figurë e shquar në punën e universitetit.

    “Më lejoni që në emër të UP-së dhe në emrin të shpreh ngushëllimet më te sinqerta me rastin e humbjes së tij. Profesori Mulliqi nisi rrugëtimin e tij duke u bërë pjesë e Fakultetit të Arteve duke lënë shembullin e një figure të shquar”.

    “Profesori Mulliqi ka bërë vite të shumta puna në universitet dhe pothuajse një jetë të tërë në art. Përderisa ne e mbajmë mend figurën e flasim për suksese në fushën e artit, duhet ta themi me mburrje e krenari se kontribuuesi i këtij suksesi është profesori Mulliqi”.

    E bija e tij, Getoarbë Mulliqi, tha se babai e la Kosovën për të cilën punoi shumë, duke pohuar se po e përcjellim me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit.

    “Ai ishte burrë, baba, gjysh i pashoq. Shqiptar i madh. Babai e la Kosovën, për të cilën punoi shumë dhe e deshi shumë”.

    “Unë sot babit do i them faleminderit dhe mirupafshim babë. Dua ta përcjell babin me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit. Ashtu siç veç ai e ka merituar”, tha ajo, raporton EO.

    Mulliqi vdiq dy ditë më parë në moshën 63 vjeçare duke lënë pas një veprimtari të larmishme si dramatur, gazetar e profesor.