ATV

Blog

  • Murati: Me skemën e re pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona

    Murati: Me skemën e re pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona

    Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nga kjo skemë pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona.

    “Ka qenë një zotim i yni si qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e pensionerëve, e cila më në fund po merr përgjigjen e duhur sa i përket rregullimit të kuadrit ligjor. Në lidhje me këtë kemi pranuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtuese. Në bazë të përllogaritjes që kemi bërë parashihet që në skemën parciale të kalojnë rreth 70 mijë persona. Periudha nga largimi nga puna konsiderohet si periudhë e punës për hir të njohjes së kontributit 15-vjeçar. Si impakt buxhetor vlerësohet të jetë diku 60 milionë euro në vit. Është e nevojshme të bëhet edhe llogaritja e kostove për 50 vite. Dhe kostoja ka dalë të jetë rreth 1.3 miliard euro për këto 50 vite”, ka theksuar ministri Murati.

    Mirëpo për ligjin ngritën kritika deputetë të opozitës. “Kam pritur shumë më tepër nga ju. Nuk janë dy rekomandimet e Gjykatës Kushtuese të përfshira brenda. Të gjitha vendet që kanë dalë nga konfliktet e kanë rregulluar që me reformë çdo tre vjet të bëhet rirregullimi i pjesëmarrësve në këtë kategori. Ndoshta ministër do të ishte mirë që një skemë që e ka hartuar Kroacia të merrej në konsideratë. Ftoj që të gjithë të jemi unik pasi këta njerëz kanë nevojë për ne”, tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

    “Nuk e di se si do ta informoni Gjykatën Kushtetuese sa i përket plotësimit të vendimit në plotni dhe se si ata do të përgjigjen. Mendoj që zgjidhja parciale do të mbetet temë e hapur. Ne duhet të ulemi bashkërisht. Nuk po dyshoj në vullnet por duhet të jemi koherent në lidhje me atë që po kërkojmë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    Mirëpo deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se të gjithë qytetarët e mirëpresin këtë ligj. “Besoj që të gjithë qytetarët e mirëpresin ligjin. Ne jemi para një reforme të të gjitha skemave dhe mendoj që edhe skemat tjera do të rregullohen”, ka shtuar ajo.

    Ndryshe, Projektligji për Skemat Pensionale të financuara nga shteti do të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit në orën 14:00./rtk

  • Vendoset shiriti – gazetarëve u “kufizohet” hapësira në Kuvend

    Vendoset shiriti – gazetarëve u “kufizohet” hapësira në Kuvend

    Kuvendi ka vendosur një shirit në pjesën e mediave duke i zhvendosur gazetarët dhe kameramanët të cilët përcjellin punën e këtij institucioni më prapa.

    Kuvendi është arsyetuar se ka vendosur shiritin për shkaqe sigurie derisa pritej të niste seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga ora 14:00, e kësaj të enjte.

    Shiriti u vendos në pjesën ku janë mediet dhe xhamit ndarës të ballkonit për medie.

    Na ballkonin e Kuvendit, nga ku mundësohet pamja e plotë e sallës së seancave, janë vendosur rregullisht ekipet e gazetarëve që kanë përcjellë seancat. Ajo është hapësira e vetme nga e cila gazetarët mund t’i përcjellin punimet e Kuvendit.

  • Çeku: Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës

    Çeku: Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës

    Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës ishte akti më i fundit që Serbia, përkatësisht tifozët serb e bënë gjatë ndeshjes mes Crvena zvezdas dhe Fiorentinës.

    Ndeshja mes “Yllit të Kuq” dhe Fiorentinas u zhvillua në Beograd, ku në stadium u shfaq një koreografi me paraqitjen e një tanku, dhe me shkrimi nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, raporton KosovaPress.

    Tani, për këtë gjë ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës.

    “Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte! Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet ‘Yllit të kuq dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’”, shkroi Çeku në “Facebook”

    Më tej, Çeku tha se Serbia nuk po e kursen as sportin për promovimin e politikës luftënxitëse, ndërsa kërkoi që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të hesht.

    “Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, shkroi Çeku.

    Edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA që të marrin masa më të ashpra kundër Serbisë për shkeljen e parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.

  • Anulohet gjykimi në rastin “Toka”

    Anulohet gjykimi në rastin “Toka”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar gjykimi në rastin e njohur si “Toka”, për shkak se i akuzuari Ndue Palushi përsëri mungoi për arsye shëndetësore.

    Një gjë e tillë u bë e ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti i cili tha se për shkak se i akuzuari Palushi nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore, seancat e parapara për 27 dhe 28 korrik 2023 anulohen.

    Ndryshe, në këtë rast ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerë po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krimin e organizuar.

    Kurse edhe seanca e 27 korrikut 2023 kishte dështuar për shkak se i akuzuari Ndue Palushi kishte munguar për arsye shëndetësore, e po ashtu edhe seanca e 22 majit 2023 ishte shtyrë për shkak se Azem Syla kishte munguar për arsye shëndetësore.

    Ndërsa, në seancën e mbajtur me 11 maj 2023, avokati Berisha i kishte propozuar gjykatës që për arsye shëndetësore të të mbrojturit të tij Azem Syla, gjykimi në vazhdim të mbahet në mungesë të të njëjtit.

    Kurse, një propozim i tillë është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, paragrafi 5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3 të Kodit të Ri të Procdures Penale (i cili parasheh gjykimin në mungesë).

    Ndërsa, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

    Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

    Në këtë rast, F.G, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

    Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

    Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

    Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

    Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

    Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

    Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

    Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

    Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

    Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

    Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

    Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

    Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

    Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

    Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

  • ATK do të trajtojë personat e pasur përmes projektit specifik

    ATK do të trajtojë personat e pasur përmes projektit specifik

    Administrata Tatimore e Kosovës ka informuar sot se ka lancuar projektin më të ri për përmbushje tatimore “Personat e pasur”.

    Projekti ka për qëllim identifikimin e personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme, e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, joqeveritare, financiare me qëllim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimin e hendekut tatimor si rezultat i mosdeklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.

    Ky projekt ka qëllim të qartë dhe të rëndësishëm: të sigurojë që personat e pasur kontribuojnë në mënyrë adekuate dhe të drejtë për financat e shtetit. Fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim:

    Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milion euro deri në 5 milionë euro;

    Kategoria II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milionë euro deri në 10 milionë euro;

    Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milionë euro deri në 20 milionë euro; dhe

    Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milionë euro.

    “Përmes këtij projekti synohet që të reduktohet evazioni tatimor dhe të përmirësohet efikasiteti i sistemit të tatimeve për personat e pasur. Ky projekt do të sjellë transparencë, drejtësi dhe njëkohësisht do të krijojë një bazë më të qëndrueshme të burimeve për të investuar në sektorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    ProjektI do të siguroj që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen barabartë para ligjit dhe të ndiejnë një angazhim të përbashkët për të kontribuar në mirëqenien e vendit.

  • ​FFK kërkon reagimin e FIFA-së dhe UEFA-së për koreografinë skandaloze të klubit serb, Crvena Zvezda,

    ​FFK kërkon reagimin e FIFA-së dhe UEFA-së për koreografinë skandaloze të klubit serb, Crvena Zvezda,

    Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënon ashpër dhe njëherësh ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd.

    Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve.

    Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Crvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen.

    Futbolli është sport që përveç argëtimit duhet t’i afrojë njerëzit dhe të shërbejë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit. Koreografitë dhe sloganet e tilla që synojnë të shkaktojnë konflikte dhe urrejtje ndërmjet vendeve dhe popujve nuk duhet të tolerohen.

    Ky rast na bën të kuptojmë se duhet urgjentisht organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit. Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen.

    FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive.

  • “Nuk e pranoj fajësinë”, del para gjyqit ish-drejtori që ia ndaloi hyrjen në shkollë mësueses me shami në Suharekë

    “Nuk e pranoj fajësinë”, del para gjyqit ish-drejtori që ia ndaloi hyrjen në shkollë mësueses me shami në Suharekë

    Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë që rëndon ndaj tij.

    Bytyçi po ngarkohet për veprën penale, shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë i pandehuri në gusht të vitit 2022, kishte vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e detyrës dhe t’ia mohojë nënshkrimin në listën e arsimtarëve prezent.

    Megjithëse, për shumë vite përcolli breza të nxënësve, mësueses iu pamundësua hyrja në shkollë kur vendosi të barte shaminë.

    Përball kësaj akuze, drejtori Bytyçi u deklarua i pafajshëm.

    “Nuk e pranoj fajësinë, pasi aktakuza është e pabazuar”- tha ai.

    Muhamet Mujaj, avokat i cili përfaqëson mësuesen Lezi, ka deklaruar se qëndron prapa ndjekjes penale dhe pranë kërkesës pasurore juridike.

    Pas kësaj gjykata ka udhëzuar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

    Sipas aktakuzës më datë 30 gusht 2022, në fshatin Reshtan, Komuna e Suharekës, në shkollën fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i shkollës duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij ia mohon ose ia kufizon të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të saj ose për të gëzuar autonominë e saj fetare të dëmtuarës, Remzije Lezi.

    Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara kishte vendosur mbulesë fetare dhe për herë të parë ishte paraqitur me mbulesë në shkollën ku punonte si mësimdhënëse e matematikës, i pandehuri si drejtor i shkollës ia ndalon hyrjen në objekt.

    Prokuroria thotë se e dëmtuara edhe përkundër ndalesës ka shkuar në shkollë dhe ka qëndruar aty aq sa ka qenë e paraparë të rri por që nuk është lejuar të nënshkruaj listën e prezencës në detyrë e as listën e sindikatës meqë ishin në grevë.

    Ditën kritike i pandehuri ia ofron të dëmtuarës vendimin e Këshillit Drejtues të shkollës nr.31 datë 29 gusht 2022, në bazë të së cilit nuk i lejohet ushtrimi i profesionit të mësueses në atë shkollë dhe pas këtij vendimi e njëjta dy ditë nuk shkon në shkoll por pasi dëgjon në lajme kryetarin e komunës së Suharekës, se ai vendim është i pavlefshëm të nesërmen shkon në shkollë por përsëri i pandehuri i kërkon që të largohet dhe po ashtu ia mohon të drejtën e nënshkrimit në listën e arsimtarëve prezent në shkollë.

    Me këtë sipas Prokurorisë i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetsve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

  • Murtaja afrikane e derrit përhapet në Dragash, Komuna ka një njoftim për qytetarët

    Murtaja afrikane e derrit përhapet në Dragash, Komuna ka një njoftim për qytetarët

    Komuna e Dragashit ka bërë të ditur se në territorin e komunës është konfirmuar murtaja afrikane e derrit.

    Në një njoftim zyrtar, komuna bën të ditur se sëmundja në fjalë nuk transmetohet as te njeriu e as te kafshët tjera.

    Megjithatë, kujdesi duhet të jetë maksimal.

    Komuna bën të ditur gjithashtu se janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për eliminimin e kësaj sëmundjeje.

    Ky është njoftimi i plotë:

    NJOFTIM

    Të dashur qytetarë të Komunës së Dragashit,

    Ju informojmë se në territorin e Komunës sonë tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar MURTAJA AFRIKANE e derrit. Shoqata e Gjahtarëve “Dhia e Egër”, së bashku me Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Dragash, si dhe institucionet relevante qeveritare, janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për eliminimin e kësaj sëmundje.

    Kjo sëmundje nuk transmetohet te kafshët tjera, as te njeriu, mirëpo kujdesi duhet të jetë maksimal, pasi më herët nuk kemi pasur raste të tilla.

  • Zelensky: Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi mbi 30 raketa ruse

    Zelensky: Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi mbi 30 raketa ruse

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi të mërkurën se më shumë se 30 raketa ruse u rrëzuan gjatë ditës nga sistemi i mbrojtjes ajrore të vendit të tij.

    “Të dhënat janë ende duke u finalizuar, por sipas raporteve paraprake, më shumë se 30 raketa u rrëzuan vetëm gjatë sulmit raketor të sotëm, shumica dërrmuese e atyre të përdorura kundër nesh”, tha Zelensky gjatë një fjalimi në mbrëmje.

    “Kishte disa goditje dhe disa fragmente raketash. Por, është shumë e rëndësishme që guximi i këtij sulmi u shkatërrua. Sistemi i mbrojtjes ajrore bëri një punë të shkëlqyer! I jam mirënjohës çdo personi që mbron qiellin e Ukrainës. Dhe ne punojmë çdo ditë për të siguruar që ushtarët tanë të kenë gjithnjë e më shumë mundësi për të mbrojtur Ukrainën, qytetet dhe njerëzit tanë. Përfshirë ditën e sotme”, shtoi ai.

    Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më parë përmes një deklarate në Facebook se mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 36 raketa të lëshuara nga Rusia në dy sulme të veçanta gjatë ditës.

    Zyrtarët rusë nuk komentuan ende për këtë çështje dhe verifikimi i pavarur i pretendimeve të Ukrainës është i vështirë për shkak të luftës.

  • ​Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Bordit të RTK-së

    ​Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Bordit të RTK-së

    Seanca plenare ku ishte paraparë shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara ka përfunduar.

    Dardan Beqiri dhe Radoica Merdinjac janë emrat e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës të cilët sot morën mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për këto pozita.

    Dardan Beqiri mori 59 vota, ndërsa Radoica Mërdinjac u votua nga 52 deputetët, derisa në votim morën pjesë gjithsej 75 deputetë.

    Nga radhët e komunitetit shqiptar në garë ishin Dardan Beqiri dhe Besnik Aliu, ndërsa nga komuniteti serb, Dragan Stankoviq dhe Radoica Merdinjac.

    Duke qenë se opozita nuk ndodhej në sallën e Kuvendit të Kosovës, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi që të zhvendoset në njërën nga seancat e sesionit vjeshtor propozim-rezoluta për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Kuvendi i Kosovës në orën 14:00 do të mblidhet përsëri në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin = për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin.