ATV

Blog

  • Kuvendi shkon në pushim veror

    Kuvendi shkon në pushim veror

    Seanca e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të fillojë sot nga ora 10:00, nuk është mbajtur për faktin e mungesës së kuorumit.

    Kështu tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila kishte rolin e kryesueses.

    “Ka kaluar një orë prej kur e kemi pasur të paraparë fillimin e seancës, ende nuk kemi kuorum”, tha Bogujevci.

    Ndërkaq, ajo e shpalli të mbyllur sesionin pranveror të punimeve të Kuvendit.

    “Propozoj që ta mbyllim për këtë sesion dhe ju uroj pushim të këndshëm dhe shihemi në shtator”, deklaroi nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

  • Dyshohet për dhunim, arrestohet një burrë në Prizren

    Dyshohet për dhunim, arrestohet një burrë në Prizren

    Të enjten rreth orës 17:00 është arrestuar në Prizren një i dyshuar për përdhunim.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i njëjti është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

    “Prizren 27.07.2023, 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • ​Deputetet e PDK-së largojnë pengesat ndaj gazetarëve në Kuvend

    ​Deputetet e PDK-së largojnë pengesat ndaj gazetarëve në Kuvend

    Dy deputetet e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shoshi larguan sot pengesat që iu janë vendosur gazetarëve në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

    Sikurse dje, edhe në seancën e sotme, në pjesën e mediave në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, ishte vendosur një shirit, duke i zhvendosur më prapa gazetarët dhe kameramanët, të cilët përcjellin punën e legjislativit.

    Kjo edhe pamundësonte pamjen e plotë të sallës plenare të Kuvendit.

    Nga ky institucion thanë se shiriti është vendosur për shkaqe sigurie./KP

  • ​Shoqëria civile i kërkon Qeverisë të anulojë vendimin e jashtëligjshëm për kryeinspektorin

    ​Shoqëria civile i kërkon Qeverisë të anulojë vendimin e jashtëligjshëm për kryeinspektorin

    Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka shprehur shqetësimin e thellë për moszbatimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), aktgjykimit të Gjykatës Themelore Prishtinë, aktvendimit të Gjykatës së Apelit për emërimin e jashtëligjshëm të kryeinspektorit.

    Sipas një reagimi të këtyre organizatave, ka kaluar me shumë se një vit kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas monitorimit të jashtëzakonshëm, kishte marr vendim që të anulohet vendimi për emërimin e kryeinspektorit. Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publik.

    “Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar si të pabazuar kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPMShcK-së, e cila ishte parashtruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Po ashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykim ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Financave, të cilët kishin kërkuar anulimin e vendimit MJ.nr.50/2022 të KPMShCK-së. Edhe përkundër vendimit të KPMShCK-së, vendimit të Gjykatës, Qeveria nuk e ka anuluar vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës, e i njëjti së fundmi është emëruar anëtar i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Andaj, ne kërkojmë që të respektohen vendimet e nxjerra nga organet kompetente dhe që të anulohet vendimi i marrë në mënyrë të jashtëligjshme”, thuhet në reagim.

  • ​Dreshaj: Vazhdoi diskriminimi me 15 vjetëshin për pensionet kontributdhënëse

    ​Dreshaj: Vazhdoi diskriminimi me 15 vjetëshin për pensionet kontributdhënëse

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet kontributdhënëse me votimin e djeshëm për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Sociale të financuara nga shteti vazhdoi diskriminimi me 15 vjetëshin.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për medie tha sot se ligjet e ish-Jugosllavisë po interpretohen sipas dëshirës.

    “Përkundër vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pensionet kontribut-dhënëse vazhdoi diskriminimi me 15 vjetëshin prapë, ligjet e ish-Jugosllavisë interpretohen sipas dëshirës pra 15 vjetëshi është ligj i ish-jugosllavisë dhe atë interpretohet 15 vjetëshi dhe i njëjti ligj parasheh që në rast se ju nuk i plotësoni 15 vite deri në ditën kur dilni në pension keni të drejtën e blerjes deri në 3 vjet të stazhit, ky nuk implementohet me anë të këtij ligji. Me këtë ligj, Kosova është vendi i vetëm në botë, i cili nuk i njeh avancimet profesionale dhe shkencore që i ka lëshuar vetë shteti jonë gjatë viteve 89’-99’ këto nuk njihen për pensionim, ndërsa njihen për punësim…O zot vetëdijësoj kosovarët kundër kësaj mendësie totalitare, anti-perëndimore dhe anti-qytetare kosovare”, tha ai.

    Dreshaj shpalosi edhe amendamentet që i propozuar për Ligjin për Skemat Pensionale, por theksoi se ato nuk u aprovuan.

    “Neve dje kemi propozuar që paragrafi 2.2 i nenit 8/A për pensionin parcial kontributdhënës të largohet arsyeja shumica e dëbuarve nga puna nuk kanë dëshmi lidhur me largimin nga puna, pa janë larguar pa vendime këta nuk mund të sjellin dëshmi se janë larguar dhunshëm. Kemi propozuar amendamentin e dytë për t’u ndërruar paragrafi 2.4 i nënti 8A, pra të aplikohet parimi i proporcionalitetit sipas viteve kontribut paguese deri në vitin 2002, vitin 2002….dhe amendamenti i tretë që është propozuar ka qenë që në paragrafin 4 ku lartësia pensionale për pensionimin parcial për secilin nivel të përcaktohet sipas formulës duke startuar nga 20% dhe të shtohet përqindja për 1%, fatkeqësisht edhe kjo nuk është aprovuar”, tha ai.

    Tutje, gjatë kësaj konference Dreshaj shprehu brengën e kësaj partie për situatën siç e konsideroi ajo jo të mirë politike në vend.

    “Realisht si Aleancë jemi shumë të brengosur për shkak se jemi në një situatë jo të mirë politike në vend dhe me të drejtë mendoj se bëjmë një pyetje se çka duhet t’i ndodhë këtij vendi që të vetëdijesohet (2) derisa në skemën ndërkombëtare nuk kemi asnjë njohje, u prishëm me SHBA dhe BE, na i vendosën sanksionet për herë të parë nga viti 99 dhe u përjashtuam nga Defender. Në skemën vendore dështuam reformën në reformën ekonomike, arsimore dhe shëndetësorë“, u shpreh Dreshaj.

    Në seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje në lexim të parë dhe të dytë po ashtu plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti./KP

  • Koreografia skandaloze e tifozëve serbë, eurodeputeti austriak i shkruan Borrellit, Lajçakut e Varhelyit

    Koreografia skandaloze e tifozëve serbë, eurodeputeti austriak i shkruan Borrellit, Lajçakut e Varhelyit

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka reaguar ndaj koreografisë nacionaliste të tifozëve serbë të futbollit, ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’.

    Ndaj kësaj, Mandl ka etiketuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrelin, të dërguarin për dialog, Miroslav Lajçakun, dhe komisionerin për zgjerim, Oliver Varhelyi, se a janë në dijeni për atë se çka ka ndodhur.

    “Ju ende dëshironi të sanksiononi cilin vend? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Miroslav Lajçak. A mund ta shihni se çka po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në shtensionimin e situatës, pajtimin dhe paqen. Të gjithë. Të gjithë ne”, shkroi Mandl në rrjetin social Twitter.

    Reagime të shumta pati edhe nga Kosova, ku Federata e Futbollit e Kosovës, bëri të ditur se ka paraqitur ankesë në UEFA për këtë çështje.

  • “Beteja e qytetarëve të Klinës është për drejtësi!”

    “Beteja e qytetarëve të Klinës është për drejtësi!”

    Banorët e Klinës u mblodhën në vendtakimin simbolik mes sheshit Muje Krasniqi dhe Ndue Perlleshi më 25 korrik 2023 për të qëndruar të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj ndërtimit të fabrikës së çimentos pranë shtëpive të tyre.

    “Këto dy sheshe shërbejnë si një kujtim i fuqishëm i sakrificave të bëra nga burra të mëdhenj si Muje Krasniqi dhe Ndue Perlleshi, të cilët luftuan trimërisht për lirinë dhe prosperitetin e Klinës. Tani, banorët e nderojnë trashëgiminë e tyre duke mbrojtur tokat e tyre stërgjyshore nga ndotja e mjedisit dhe duke ruajtur shëndetin e familjeve të tyre”, thuhet në komunikatën e Këshillit Organizativ të Protestës Kundër Ndërtimit të Fabrikës së Çimentos në Klinë.

    Protesta e organizuar nga Këshilli Organizativ i Protestës kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në Klinë, ka marrë një vrull të konsiderueshëm, duke tërhequr mbështetjen e organizatave të shumta të shoqërisë civile, komunave dhe mediave, vendore dhe ndërkombëtare.

    Më poshtë po ju sjellim komunikatën e plotë pa ndërhyrjen e redaksisë:

    BETEJA E QYTETARËVE TË KLINËS ËSHTË PËR DREJTËSI!

    Vendtakimi i Klinasve ditën e protestës me 25.07.2023, ishte në mesin e dy shesheve, atë të Mujë Krasniqit dhe Ndue Perlleshit. Kjo është një simbolikë që sikur këta dy burra i bëjnë roje Klinës tonë nga të dy anët. Të dy këta burra të mëdhenj luftuan deri në flijim, që ne sot të jetojmë të lirë e të gëzojmë jetën në trojet stërgjyshore. Veprën dhe kontributin e tyre do ta nderojmë sa ti thuhet bukës-buke e ujit-uji, e nderimi më i madh ndaj tyre është TË JETOJME NË VENDIN TONË. Nëse dje ishte patriotizëm të luftohet për çlirimin e vendit tonë, sot me të drejtë themi se patriotizëm është ta ruajmë vendin tonë nga ndotja dhe ta ruajmë shëndetin e prindërve dhe fëmijëve tonë.

    Po bëhen 4 vite që banorët janë në një betejë të pabarabartë, një beteje e cila është kundër të gjithëve por është e banorëve, e banorët janë më të rëndësishëm se sa të gjithë të tjerët. Banoret nuk shkuan të ndërtojnë shtëpitë e tyre tek fabrika e çimentos por fabrika e çimentos po don të ndërtohet tek shtëpitë tona, e meqenëse është kështu ne do të jetojmë në shtëpitë tona kurse fabrika e çimentos nuk do të ndërtohet. Kjo është mënyra më e butë për ta shprehur kundërshtimin tonë kundër kësaj të keqe që po e kërcënon Klinën me rrethinë. Në këto 4 vite, kemi trokitur në çdo derë dhe kemi lëvizur çdo gurë që ideja për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë të mos jetësohet.

    Si rezultat i zërit të protestave, vitin e kaluar u nxjerr vendimi për pezullim të të gjitha lejeve deri në përfundimin e procesit gjyqësor në mes të MPL dhe Komunës se Klinës. Sot edhe pse është në fuqi ky vendim për pezullim të lejeve banorët ende nuk janë të qetë sepse pezullimi nuk na mjafton, ne duam që kjo re e zezë që dita ditës kërcënon Klinën tonë të bukur, të hiqet një here e përgjithmonë. Zëri ynë ka jehuar fuqishëm në çdo cep të Kosovës dhe përtej Kosovës, ne kemi ndërtuar aleat në betejën tonë, andaj me mburrje them se tani në mbështetje të kauzës tonë janë mbi 10 organizata të shoqërisë civile nga të gjitha anët e Kosovës të cilat se bashku me anëtarësinë e tyre janë prezent në këtë protestë. Kemi takuar dhe kemi marr mbështetje nga Kryetaret e Komunave përreth Klinës, siç janë Kryetari i Komunës së Pejës, Istogut dhe Malishevës, kemi mbështetjen e mediave të pavarura vendore dhe ndërkombëtare dhe mbështetjen e fuqishme të dashamirëve të ambientit edhe jashtë kufijve të Kosovës.

    KRYETARI QË NUK PËRFAQËSON INTERESAT E QYTETARËVE

    Është e rëndë të mendohet dhe shumë më e rëndë të thuhet se sot, në vitin 2023, 24 vite pas çlirimit të Kosovës të tentohet të bllokohet fjala e lirë dhe e drejta për protestë. Drejtuesit e komunës se Klinës përveç dëmeve të larta e mundimeve të mëdha që ia shkaktuan banorëve të saj, tentuan ta pengojnë edhe protestën paqësore për të kundërshtuar armikun më të madh të pasluftës, atë të shkatërrimit të ambientit pra fabrikën e çimentos. Protesta u drejtua nga një skenë të improvizuar në një kamionete, skenë kjo e cila u realizua në momentet e fundit ngase skena e cila ishte planifikuar të vendosej nuk u lejua nga organet komunale të kësaj qeverisje jodemokratike. Kryetari z. Elezaj, kishte premtuar se deri sa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos nuk do të lejoj që kjo fabrikë të ndërtohet, lëre që nuk dëgjoj kundërshtimet e banorëve por për me keq ai u bë mesiti që kjo fabrikë të ndërtohej në komunën tonë. Dhe sot qytetari i Klinës e ka kuptuar këtë hile që iu është bërë andaj sot jemi këtu që ta ngrisim zërin tonë kundër hiles së pushtetit lokal dhe hileve të mëdha të shtetit karshi banorëve Klinas.

    JEHONA E PROTESTËS NË KLINË TEK MEDIAT VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE

    Protesta e zhvilluar në qendër të Klinës me moton “Të jetojmë në vendin tonë” kundër fabrikës së çimentos në Klinë, pati jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Agjencione dhe media të ndryshme ishin të pranishme në Klinë me datë 25.07.2023, për të ndjekur nga afër protestën e organizuar nga banorët e komunës së Klinës. Një vapë me temperatura ekstreme nuk pengoj shumë njerëz që të dalin në sheshin kryesor në Klinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj idesë për ndërtimin e fabrikës së çimentos.

    Klina ishte mbushur me gazetarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ndjekën dhe dokumentuan ngjarjen, imazhet e kësaj proteste të cilat u shpërndan në gjithë botën. Gazetarët e seksionit të Zërit të Amerikës ishin gjithashtu në Klinë dhe raportuan drejtpërdrejt nga kjo zonë. Ata përgatitën një material për edicionin e lajmeve, duke sjellë ngjarjet dhe ndjenjat që përcollën protestën e banorëve të Klinës.

    Këshilli Organizativ i Protestës Kundër Ndërtimit të Fabrikës së Çimentos në Klinë

  • Biden takohet me kryeministren italiane, vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

    Biden takohet me kryeministren italiane, vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën kanë vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri.

    Sipas një deklarate për media, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Bideni dhe Meloni kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.

    “Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në deklaratën e tyre.

  • “Kangën muj me ta knu, por Rrushen s’muj me ta pru”, historia e rapsodit të njohur që u përball me njëriun e ‘pangopur’

    “Kangën muj me ta knu, por Rrushen s’muj me ta pru”, historia e rapsodit të njohur që u përball me njëriun e ‘pangopur’

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, është edhe rubrika me tregime popullore, të cilat i interpreton aktori Bislim Muçaj.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një ngjarje që i kishte ndodhur rapsodit të njohur Riza Bllaca, deri sa ishte duke kënduar në një odë. Një nga të pranishmit në atë odë, i kishte kërkuar këngëtarit t’ia këndojë këngën e Rrushe Rexhës. Pas e këndon këtë këngë, i pranishmi i kënaqur i kërkon edhe njëherë t’ia këndojë, dhe këngëtari pa hezitim e këndon edhe njëherë. Më të përfunduar, i pranishmi i pangopur i kërkon edhe njëherë ta këndojë këtë këngë. Këngëtari Riza Bllaca i thotë: Unë mundem me ta këndua këtë këngë deri në mëngjes, por Rrushen nuk mundem me ta sjellë këtu.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Policia jep detaje për vetëvrasjen e të riut në Prishtinë

    Policia jep detaje për vetëvrasjen e të riut në Prishtinë

    Një 28-vjeçar është gjetur i vdekur mbrëmë në një veturë në Prishtinë, në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se nga informacionet e para dyshohet se i riu ka kryer vetëvrasje.

    Lidhur me këtë rast, sot Policia e Kosovës ka dhënë detaje, për çka njoftoi se viktima mashkull kosovar, dyshohet të ketë kryer vetëvrasje duke përdorur armën e zjarrit.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.