ATV

Blog

  • Dodik: Nuk mërzitemi për sanksionet e ShBA

    Dodik: Nuk mërzitemi për sanksionet e ShBA

    Kryetari i entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, të quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik, ka thënë se “nuk është i brengosur për sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj anëtares serbe të Presidencës së BeH, Zheljka Cvijanoviq dhe tre zyrtarëve të RS-së, sepse ato tregojnë pafuqinë e SHBA.

    Dodik ka shkruar në Twitter se SHBA nuk i kanë zgjedhur zyrtarët e RS, ndaj as nuk mund t’i zëvendësojnë ata.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë zgjedhur zyrtarët e RS, prandaj as nuk mund t’i shkarkojnë ata. SHBA mendojnë se në këtë mënyrë mund të disiplinojnë këdo që nuk mendon si ata. Sanksionet tregojnë edhe pafuqinë e një fuqie të madhe globale siç janë SHBA. Pavarësisht çdo gjëje ata duan ta sanksionojnë këtë popull sepse ne jemi përfaqësuesit e popullit. Ata duan të na zëvendësojnë që të vijë dikush që do të heshtë dhe do të aprovojë gjithçka. Nuk kemi gajle për këto sanksione”, ka shkruar Dodik.

  • Bislimi priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

    Bislimi priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Duke e uruar Barbanon për pozitën dhe rolin e ri në krye të misionit të EULEX-it, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu përkushtimin e angazhimin e tij maksimal në vazhdimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe EULEX-it.

    Derisa u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin e EULEX-it, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.

    Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe ruajtjen e paqes, rendit dhe sigurisë në vend.

     

  • Mediet bojkotojnë konferencën e ministres Hajdari

    Mediet bojkotojnë konferencën e ministres Hajdari

    Gazetarët kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas revokimit të certifikatës biznesore të Klan Kosovës, raporton EO.

    Më 14 qershor MINT ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova. Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

    Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

    Pas ankesës së Klan Kosovës, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi më 28 korrik se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

    Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e Ministris së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

  • Trump: Jemi duke shkuar drejt Luftës së Tretë Botërore

    Trump: Jemi duke shkuar drejt Luftës së Tretë Botërore

    Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trmp u shpreh se konflikti në Ukrainë mund të përshkallëzohet në një Luftë të Tretë Botërore.

    “Në një kohë kritike kur duhet të reduktonim tensionet me Moskën, mashtrimi rus ndezi histerinë masive që e çoi Rusinë drejt në krahët e Kinës. Në vend që të kishim një marrëdhënie më të mirë me Rusinë si ajo që po përpiqesha të ndërtoja, tani jemi në një luftë me të, e nxitur pjesërisht nga efektet e vazhdueshme e ndikimit rus.

    Ukraina është shkatërruar plotësisht, njerëz të panumërt kanë vdekur, madje mund të shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore”, u shpreh Trump në një intervistë për Newsweek.

    Sakaq, ish-presidenti amerikan akuzoi armiqtë e tij politikë për një komplot që synonte shfarosjen e tij politike. Siç theksoi ai, ky komplot shkaktoi shkatërrime të pallogaritshme, me viktima jo vetëm të tij, por kryesisht të qytetarëve amerikanë, duke cenuar shtetin demokratik dhe sigurinë e vendit.

    Kujtojmë se Trump do të garojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin që vjen në Shtetet e Bashkuara.

  • Kthehet në rigjykim rasti Suzana Zogëjanit -Sekiraqa e dënuar me 25 vjet burgim

    Kthehet në rigjykim rasti Suzana Zogëjanit -Sekiraqa e dënuar me 25 vjet burgim

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që rasti I Suzana Zogëjani Sekiraqës e cila është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e burrit të saj të kthehet në rigjykim.

    Ajo e kishte vrarë bashkëshortin e saj në vitin 2018 në shtetin e Francës. Pas këtij veprimi ishte kthyer në Kosovë, ku ishte arrestuar dhe ishte shpallur fajtore më 2019 për “vrasje të rëndë” nga Gjykata e Prishtinës.

    Para se të ndodhte vrasja, Zogëjani – Sekiraqa, kishte raportuar disa herë te autoritetet franceze se ishte viktimë e dhunës në familje e shkaktuar nga bashkëshorti i saj. Nga viti 2010 deri në vitin 2018, në periudha të ndryshme kohore, asaj dhe fëmijëve të saj, u ishte ofruar strehim nga autoritetet franceze. Në vitin 2018, Gjykata e Lionit në Republikën e Francës e kishte shpallur fajtor dhe dënuar për dhunë në familje tashmë të ndjerin A.S. për ta liruar pastaj me kusht.

    Kurse me 21 shtator të vitit 2018 Zogëjani – Sekiraqa e kishte vrarë atë, e cila më pas bashkë me fëmijët e saj ishte kthyer në Republikën e Kosovës, ku ishte lajmëruar në Ambasadën e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës dhe më 4 tetor 2018, e njëjta ishte arrestuar nga organet kompetente.

  • “Thirrje” ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

    “Thirrje” ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

    Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.

    Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.

    Grafiti në qendër të qytetit

    Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.

    Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.

    “Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.

    Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste.

    Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.

    “Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë”, tha ajo.

    Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të realizuar në gusht të vitit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind), besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

    Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

    Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniq, i cili tha për REL-in se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.

    Ai deklaroi se iu desh të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas operacionit “Stuhia”, i cili i lejoi Kroacisë të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, ku serbët formuan të ashtuquajturën Republikë Serbe e Krajinës.

    “Ajo thirrje dhe ajo politikë nuk mund t’i bëjë askujt mirë”, tha Rade Grozdaniq, duke komentuar lidhur me grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

    “Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura që u interesojnë njerëzve”, tha ai.

    “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është varg i një kënge popullore.

    Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, i tha Radios Evropa e Lirë se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t’i shkruante vetë.

    “Ka nga ata që e përdorin për t’i ngatërruar njerëzit, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë nga ata që lexojnë dhe shumë të arsimuar”, tha ai.


    YIHR: Një mesazh kërcënues

    Maja Zhiliq, koordinatore e programit të Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR (Youth Initiative for Human Rights), i tha Radios Evropa e Lirë se mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shumë i qartë dhe shumë kërcënues.

    “Sepse të gjithë e dimë se çfarë bëri ushtria serbe në vitet ’90 në Kosovë dhe çfarë do të thotë ky mesazh në kontekstin e sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.

    Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.

    Në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.

    Serbia dhe Kosova në fund të shkurtit kanë pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe në prill palët kanë rënë dakord për Aneksin për zbatimin e saj.

    Partitë dhe lëvizjet e djathta në Serbi e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

    Maja Zhiliq nga Nisma Rinore ka vlerësuar se mesazhi i grafitit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është se nuk ka rrugë paqësore për zgjidhjen e kontestit. Ajo theksoi se për këto grafite nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion në Serbi.

    Grafite të reja si reagim ndaj ngjyrosjes në shkurt
    Nuk dihet se kush qëndron mbrapa grafitit “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, por postimet me fotot e tyre shpërndahen në kanalet e djathtistëve në Telegram. Gjithashtu, ato shpërndahen në postimet në rrjetet sociale të disa anëtarëve të partive të djathta.

    Sipas atyre njoftimeve, grafite me këtë varg ka edhe në qytete të tjera të Serbisë.

    “Duket se disa forca nga e djathta, pas aksionit të ngjyrosjes filluan ta lyejnë qytetin”, ka theksuar Maja Zhiliq.

    Në shkurt, aktivistët e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe shoqatës Krokodil, në parkun në sheshin Slavija të Beogradit, ngjyrosen grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

    Tani, ky grafit është rishfaqur në të njëjtin vend.

    Në një portal, i cili thuhet se është një portal informativ jozyrtar për të gjithë tifozët e Crvena Zvezdës, shkruhet se tifozët kanë krijuar grafite me atë mbishkrim në disa vende të Beogradit ditëve dhe javëve të fundit.

    Në portal thuhet se ky është një reagim ndaj “shkatërrimit” të grafiteve pranë sheshit Slavija. Klubi i futbollit Crvena Zvezda nuk është prononcuar ndaj këtyre pretendimeve.

    Zhiliq pranon se për të, si aktiviste, është shkatërrues që grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është rishfaqur në vendin ku ishte lyer.

    “Sa mendojnë të rinjtë se përgjigjja për zgjidhjen e problemeve mes Serbisë dhe Kosovës është që ushtria të kthehet në Kosovë dhe të përsërisë të njëjtat që kanë ndodhur në vitet ’90”, pyeti ajo.

    Maja Zhiliq thotë se përveç heqjes së këtyre grafiteve, duhet edhe më shumë edukim dhe punë me të rinjtë për këto tema për të ndryshuar perceptimin.

    Në dhjetor të vitit 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri 1000 ushtarëve dhe policëve të saj.

    Kjo kërkesë ishte bërë, siç thanë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi i ishte referuar Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

    KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit.

    Ashtu si grafiti “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” që po shfaqen tani në Beograd, nga fundi i vitit 2021 qyteti është përmbytur me vizatime të Ratko Mlladiqit, i dënuar i Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 250 prej tyre, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që t’i largojnë ato./rel

  • Gjykata Kushtetuese e shpall të pranueshme kërkesën e Konjufcës

    Gjykata Kushtetuese e shpall të pranueshme kërkesën e Konjufcës

    Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kërkesën e Kuvendit të Kosovës që listës së marrëveshjeve ndërkombëtare drejtpërdrejt të aplikueshme në Kosovë t’i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

    Kushtetuesja, në një aktvendim të publikuar të martën, ka konstatuar se kjo konventë nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.

    Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO 207/22, parashtruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të amendamentit të propozuar kushtetues. Kërkesa është parashtruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe është dorëzuar në Gjykatë, më 21 dhjetor 2022, bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

    Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

    Përkitazi me vlerësimin e amendamentit kushtetues të propozuar nga Kuvendi, Gjykata fillimisht analizoi parimet kryesore të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe vuri theks në të drejtat që ajo përcakton lidhur me (i) respektin për dinjitetin e natyrshëm, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit me aftësi të kufizuara; (ii) respektimin e parimit të mosdiskriminimit; (iii) pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri; (iv) respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (v) respektin për kapacitetet në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara; si dhe (vi) respektin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre.

    Gjykata gjithashtu vuri theks në detyrimet pozitive që merr përsipër Republika e Kosovës përmes këtij amendamenti kushtetues, duke pasur parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve, ndër tjerash, për ndërmarrjen e (i) masave të nevojshme legjislative; si dhe (ii) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë.

  • Presidentja Osmani dekreton dhënien e nënshtetësisë së Kosovës për shkrimtarin Ismail Kadare

    Presidentja Osmani dekreton dhënien e nënshtetësisë së Kosovës për shkrimtarin Ismail Kadare

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

    “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t`i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

    Ndryshe, Presidentja Osmani, në qershor të këtij viti, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.

  • ATK-ja me projekt të ri, ka një kërkesë për tatim-paguesit

    ATK-ja me projekt të ri, ka një kërkesë për tatim-paguesit

    Projekti më i ri i Administratës Tatimore të Kosovës për mos-deklarimin e të Ardhurave Personale synon të adresoj shqetësimin e mungesës së deklarimit të të ardhurave të individëve. Kjo iniciativë ka për qëllim të zvogëlojë evazionin fiskal dhe të siguroj që të gjithë qytetarët dhe rezidentët e Kosovës të kontribuojnë në sistemin tatimor sipas ligjit.

    Përmes këtij plani, ATK do të kryej aktivitete me qëllim të identifikimit të personave të cilët nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë saktë detyrimet tatimore. Projekti do të përfshijë kampanjë informuese që do t’iu kujtoj qytetarëve për detyrimin e tyre ligjor për të deklaruar të ardhurat në mënyrë të rregullt. Përveç kësaj do të përmirësohen dhe zgjerohen mekanizmat e monitorimit dhe kontrollit për të identifikuar raste të mundshme të mos-deklarimit.

    Administrata Tatimore do të fokusohet në ngritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në këtë drejtim do të organizoj seminare edukative dhe materialet e informacionit të njëmendshme për tatimpaguesit potencial. Po ashtu, do të kujdeset për të lehtësuar procedurat e deklarimit dhe të inkurajoj përdorimin e platformave digjitale për të kryer deklaratat tatimore më lehtësisht.

    Projekti i ri synon të ndikoj pozitivisht në efikasitetin e sistemit tatimor, duke rritur të ardhurat tatimore dhe ndihmuar në zhvillimin e vendit në mënyrë të qëndrueshme dhe të drejtë. Ky projekt ka një rol të rëndësishëm në krijimin e një ambienti të barabartë fiskal dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e kontributit të tyre në financat publike.

  • 400 mijë udhëtarë vetëm gjatë muajit korrik në aeroportin “Adem Jashari”

    400 mijë udhëtarë vetëm gjatë muajit korrik në aeroportin “Adem Jashari”

    Muaji korrik i këtij viti, shënoi një numër të ri rekord në numër të udhëtarëve dhe fluturimeve, duke tejkaluar shifren krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar rreth 9% në nr. të udhëtarëve dhe mbi 2% në numër të fluturimeve.

    Nga Janari i këtij viti e deri më sot përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA, kanë kaluar pothuajse 2 milion udhëtarë, ndërsa vetëm në muajin korrik përmes këtij aeroporti kanë kaluar 400.000 udhëtarë duke shënuar një rritje të përgjithme në nr të udhëtarëve në këtë vit prej rreth 14% dhe në numër të fluturimeve rreth 6% .

    Zvicra dhe Gjermania akoma mbeten destinacionet me më së shumti udhëtarë dhe fluturime ku më pas pasohen nga Turqia, Austria etj.