ATV

Blog

  • Analisti gjerman: Kurti ka të drejtë kur thotë se dialogu është i pabalancuar

    Analisti gjerman: Kurti ka të drejtë kur thotë se dialogu është i pabalancuar

    Nuk po e sheh një proces të dialogut parimor e të balancuar mirë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Analisti gjerman, Bodo Weber, thotë se Kosova nuk po trajtohet e barabartë me Serbinë në tavolinën e negociatave që po ndërmjetësohet nga unioni evropian.

    Sipas tij, shtetet Perëndimore kanë krijuar një perceptim se problemi qëndron tek Prishtina për krizën në veri.

    “Albin Kurti ka plotësisht të drejtë kur po thotë se procesi i dialogut momentalisht është i pa balancuar. Është mese e qartë se Perëndimi është duke përdorur një politikë të butë ndaj Beogradit. Me atë se çfarë ka ndodhur gjatë periudhës së fundit shtetet Perëndimore kanë krijuar një perceptim se Prishtina është problemi kryesor. Një qasje e tillë ndëshkuese e Perëndimit ka munguar ndaj Beogradit kur për shembull serbët vendosën të largohen nga institucionet e më pas i bojkotuan zgjedhjet”, vlerësoi Weber.

    Por Weber nuk po sheh vullnet nga asnjëra palë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

    “Është e qartë se ka nuk ka vullnet nga Prishtina dhe Beogradi që ta respektojnë marrëveshjen e arritur në Ohër. Ky është rezultat i gjithë procesit të negociatave që është projektuar keq nga Perëndimi duke u qasur shumë butë ndaj Beogradit, dhe si rrjedhojë marrëveshjet nuk merren seriozisht. E për shkak të një qasje të tillë të pa balancuar e pafavorshme ndaj Prishtinës, ka ndikuar që kjo e fundit të humbas besimin tek ndërmjetësuesit e këtij procesi. Kjo në një farë forme i justifikon edhe veprimet e Prishtinës që të mos i zbatojë fare marrëveshjet”, deklaroi Weber.

    Për shtensionimin e situatës në veri BE dhe SHBA kanë kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat veriore.

  • Gjykata e shpalli antikushtetues shkarkimin e bordit të RTK’së, ish-anëtari i tij paralajmëron padi

    Gjykata e shpalli antikushtetues shkarkimin e bordit të RTK’së, ish-anëtari i tij paralajmëron padi

    Bajram Mjeku, ish-anëtar i bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka qenë një nga të shkarkuarit në korrik të vitit 2021 nga Kuvendi i Kosovës.

    Por ky shkarkim ka qenë antikushtetues, ka qenë konstatimi i Gjykatës Kushtetuese, të martën e 1 gushtit.

    Për këtë Mjeku thotë se është i çliruar emocionalisht, pasi tregon se ai dhe familja e tij nuk i kanë shpëtuar bullizimit gjatë gjithë kësaj kohe.

    E me këtë çlirim emocional, nuk do të ndalet thotë se do të padisë deputetët përgjegjës.

    Më poshtë është statusi i plotë i tij:

    Reagim: Kushtetuesja foli, e drejta triumfoi

    Pas inicimit të dhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kur në korrik të vitit 2021 dërguan në Gjykatën Kushtetuese ankimimin mbas shkarkimit arbitrar të Bordit të RTK-së nga deputetët e mazhorancës, më në fund pas dy vjetësh, sot foli Gjykata Kushtetuese. Vendimi rezultoi në favor të anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së, që do të thotë se deputetët e mazhorancës kanë bërë veprim antikushtetues!

    Në kërkesën time me shkrim, të cilën më 21 qershor të vitit 2021 ia pata dërguar znj. Doarsa Kica Xhelili, kryetare e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Republikës, pata kërkuar që për shkak të ndjeshmërisë, të themelojnë komisionin hetimor parlamentar dhe të gjithë anëtarët e Bordit të intervistohen një për një, para se emrat tonë të dërgohen për shkarkim në Kuvendin e Republikës. Nga deputetët e Kuvendit jemi zgjedhur veç e veç dhe përgjegjësitë i kemi marrë veç e veç, pa paragjykuar asnjëherë gabimet apo shkeljet e dikujt tjetër.

    Në planin emocional, sot ndjehem i çliruar, pasi ndjesinë e shkarkimit e kam bartur tash dy vjet. Edhe pas Vendimit të sotëm nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka përfunduar asgjë. Në fakt, ky është vetëm fillimi i fundit i një odiseade, derisa kjo barrë ka rënduar edhe mbi familjen time, e cila nuk ka mundur t’i shpëtojë bullizmit, i shprehur aq shumë në ambientin tonë brutal.

    Kurdo që vendimi të bëhet i plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, do të kontaktoj avokatin tim për të nisur procedurën e padisë civile ndaj deputetëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal dhe deputețëve të Komisionit Parlamentar për Punë e Transfere në Kuvendin e Kosovës, të cilët si mjet rrënues përdorën numrat e arrogancën, në vend të argumenteve dhe qasjes profesionale. Janë pikërisht këta deputetë, të cilët me zell të paimagjinueshëm dhe pa zgjedhur asnjë mjet, provuan të rrënojnë integritetin personal e profesional në sy të opinionit publik, prandaj do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet ligjore, që të zbatohet drejtësia e munguar.

  • Lista Srpska i reagon Hovenierit pasi ua tregoi kufijtë: Foli për t’ia bërë qejfin opinionit në Prishtinë

    Lista Srpska i reagon Hovenierit pasi ua tregoi kufijtë: Foli për t’ia bërë qejfin opinionit në Prishtinë

    Lista Serbe i ka reaguar ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ishte i qartë që Kosova është shtet i pavarur demokratik dhe se Lista Serbe është si të gjitha partitë opozitare në Kosovë, pra nuk është parti serbe por që përfaqëson serbët etnikë në Kosovë.

    Ky subjekt politik thotë se kjo deklaratë vjen pasi zyrtarë të Listës Serbe ishin në një vizitë në Uashington – dhe sipas këtij subjekti politik deklarata ishte për “t’ia bërë qefin” opinionit në Kosovë.

    Në lidhje me këtë thonë se ata përfaqësojnë kudo “interesat e popullit serb”.

    ”Përfaqësuesit e Listës Serbe kudo që janë, dhe këdo që takojnë do të përfaqësojnë gjithmonë interesat e popullit serb, sepse është detyrë e jona ndaj qytetarëve që mbështesin partinë tonë. Gjithashtu duam të theksojmë se politikën tonë gjithmonë e kanë vendosur autoritetet e Listës Serbe duke respektuar interesat e qytetarëve tanë, dhe jo nga diktimi i askujt, dhe se kështu do të vazhdojë të jetë.

    Si në Uashington, ashtu edhe ne Prishtinë, në cilindo qytet të botës apo para ndërtesave komunale me qytetarët e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike, gjithmonë do te luftojmë për te drejtat e popullit serb, mbijetesën dhe qëndrimin e tyre ne vatrat e tyre shekullore”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

    Për deklaratën e ambasadorit amerikan ka deklaruar ashpër edhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, duke thënë se “Lista Serbe përfaqëson interesat e popullit serb e jo të ambasadave”.

  • Hajdari thotë se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve të ARBK-së

    Hajdari thotë se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve të ARBK-së

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe përfaqësuesve të kompanive lidhur me shkeljet e bëra gjatë regjistrimit në këtë agjenci.

    Kështu bëri të ditur MINT përmes një njoftimi për media ku publikoi fjalimin e plotë të ministres Hajdari. Ajo këtë adresim e bëri gjatë një konference për media më herët gjatë 1 gushtit, konferencë që u bojkotua nga shumica e mediave, në shenjë pakënaqësie me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

    Hajdari tha se përveç kallëzimeve penale kanë nisur edhe procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të ARBK-së.

    Ministrja Hajdari tha se shkeljet janë gjetur nga Komisioni për riverifikimin e dosjeve në ARBK. Sipas saj, nga 10 deri më 19 korrik, ky komision ka verifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK, dhe ka gjetur se 48 dosje kanë pasur emërtime kundërkushtetuese “ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”.

    Për shkak të këtyre shkeljeve, Hajdari tha se më 31 korrik, janë shfuqizuar certifikatat e pesë bizneseve që kishin emërtime antikushtetuese.

    “ARBK do të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

    Ndërkaq, duke folur për rastin e televizionit Klan Kosova, ministrja Hajdari tha se pezullimi i certifikatës së biznesit të këtij televizioni “nuk kishte fare për qëllim që ta kufizojë fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe punën e mediave në vendin tonë, por vetëm që t’i zbatojë kërkesat legjitime të Kushtetutës dhe ligjeve”.

    “Pra, qëllimi i vetëm i procesit administrativ të ARBK-së, në rastin e Klan Kosovës Sh.P.K. dhe bizneseve tjera që janë identifikuar, ka qenë zbatimi i ligjit, as më shumë, as më pak”, tha ajo.

    Më 31 korrik, punonjësit medialë kanë protestuar në Prishtinë lidhur me rastin e shfuqizimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, që mund të çojë në mbylljen e këtij televizioni kombëtar privat.

    Çfarë ka ndodhur me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës?
    Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

    MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

    Pas kësaj, ARBK-ja ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

    Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

    Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

    MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

    “Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

    Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.

    “Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhej në njoftimin e Klan Kosovës.

    MINT më 31 korrik tha se komisioni i tij e ka mbyllur këtë çështje, pra do ta mbajë në fuqi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit, por konfirmoi se Klan Kosova gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente./REL

  • Hovenier-Listës Serbe: E dimë saktësisht ku është kufiri, ju jeni parti opozitare e Kosovës së pavarur

    Hovenier-Listës Serbe: E dimë saktësisht ku është kufiri, ju jeni parti opozitare e Kosovës së pavarur

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka kërkuar de-përshkallëzimin e plotë të situatës në veri.

    Ai para mediave ka thënë se SHBA-ja kërkon zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura.

    “Po vazhdojmë të kemi diskutime me Qeverinë, është mirë të shohim depërshkallëzim të mëtejmë të situatës në veri. Së dyti, duam të shohim përpjekje nga të dyja palët, Kosovës dhe Serbisë, për të arritur zbatim të plotë të marrëveshjes së arritur për të ecur përpara integrimit”, ka thënë ai.

    Hovenier ka folur edhe për takimin e Listës Serbe me të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai ka theksuar se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.

    Ambasadori ka shtuar se s’duhet të vihet në pyetje se Kosova është shtet sovran dhe se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë.

    “Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, tha Hovenier.

    Katër ditë më parë, Lista Serbe në takim me Escobarin ka përmendur respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara, duke kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, dy ditë më pas në një intervistë për Zërin e Amerikës ka pretenduar se qysh para zgjedhjeve në veri ka pasur njësi speciale që, siç supozoi ai, “po ndërtojnë baza ilegale duke marrë tokën serbe, duke mos respektuar as ligjet e shpronësimit”. Ndër tjerash, ai pati pretenduar se po bëhej terror mbi serbët e se zgjedhjet nuk do të zgjidhin asgjë pa depërshkallëzim total të situatës.

  • Shtohet numri i monedhave 2 euro false, ndërmarrjet komunale në hall

    Shtohet numri i monedhave 2 euro false, ndërmarrjet komunale në hall

    Monedhat false vijojnë të qarkullojnë në Kosovë ndërsa trendi rritës konfirmohet edhe nga autoritetet shtetërore. Monedha metalike prej 2 euro mbetet më e falsifikuara ndërsa nga kartëmonedhat është prerja prej 50 euro. Ndërmarrja publike që ka të bëjë me para të imëta si “Prishtina Parking” ka marr masa drastike për të shmangur humbjet financiare, ndërsa në hall janë edhe te “Trafiku Urban”.

    Eksperti i dokumenteve dhe dorëshkrimeve pranë Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Feriz Selimaj, deklaron për KosovaPress se për monedhat metalike prej 2 euro, duke krahasuar periudhën janar-qershor 2022 me 2023, këtë vit ka dyfishim të numrit të kësaj monedhe të falsifikuar.

    Sa i përket kartëmonedhave, në periudhën janar-qershor 2022 më e falsifikuar ka qenë prerja prej 100 euro të cilat kanë qenë 235 copë, ndërsa për gjashtë muajt e parë të këtij viti është prerja prej 50 euro me 1230 copë.

    Ndërsa, në lidhje me monedhat metalike, për periudhën janar-qershor 2022, Selimaj thotë se monedha 2 euro e falsifikuar ka qenë 4451 copë ndërsa këtë vit numri i monedhave metalike të falsifikuara është dyfishuar.

    “Për periudhën 1 janar deri 30 qershor 2023, është kjo, kemi pasur 322 raste me gjithsej 2412 dëshmi dhe nga kjo rezulton se kartëmonedhat apo numri më i madh i kartëmonedhës është në vlerë 50 euro që është numri 1230 copë, d.m.th siç po e vëreni është numri në rritje, kemi pasur numër të dëshmive në rritje, kurse monedhat metalike gjendja është kjo kemi 61 raste me gjithsej 14,204 dëshmi vitin e kaluar kemi pasur 6538 janar-qershor kurse tash kemi 14,200 që i bie dyfishi më shumë”, tha Selimaj.

    Ndërmarrja komunale e Prishtinës “Prishtina Parking”, që ofron shërbimet e parkingut në kryeqytet, ka kohë që nuk është duke pranuar monedhat metalike prej 2 euro.

    Ky vendim ishte kritikuar nga qytetarët por që për kryeshefin, Sokol Havolli, i shpëton kësaj ndërmarrjeje deri në 50 mijë euro në vit. Ai kërkon nga institucionet që kjo çështje të trajtohet me seriozitet.

    “Natyrisht ky ka qenë një problem substancial i ndërmarrjes edhe për punonjësit tonë sepse është vlerësuar që kostoja për mbi 50,000 mijë euro humbje për ndërmarrjen nëse vazhdojmë pranimin e asaj valute, kështu që ndalimi ka qenë një lloj situate e imponuar, përkundër kritikave të publikut vazhdoj konsideroj se ka qenë vendimi i duhur… 12:23 Rregullat ekzistojnë se si trajtohet kjo dhe si shkatërrohet kjo por përderisa një çështje e tillë nuk është incident por është fenomen, kjo takon një qasje më gjithëpërfshirëse por jo vetëm një reagim prej një ndërmarrje ‘Prishtina parking’”, deklaroi Havolli.

    Edhe ndërmarrja “Trafiku Urban”, që ofron shërbimet e transportit publik në Prishtinë, është në hall të madh me paratë false.

    Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Burim Maraj, kërkon nga institucionet që të gjendet një zgjidhje pasi është duke ndikuar në financa. Ai thotë se punonjësit e kanë të vështirë të detektojnë monedhën 2 euro të falsifikuar.

    “Është një situatë e pavolitshme por edhe e pafavorshme për ndërmarrjen, por sipas ligjeve në fuqi ne nuk mundemi të ndalojmë monedhën 2 euro gjë e cila na afekton edhe neve në ndërmarrje në financa, është problematik që nuk e kemi vetëm ne por edhe ndërmarrjet e tjera edhe njerëzit e tjerë, po besoj që është një problematik që të merren në nivele më të larta dhe sa më shpejt të gjendet një zgjidhje. Unë kam kërkuar zgjidhje edhe prej institucioneve të tjera, kam biseduar edhe me kolegët e mi në ndërmarrje të tjera, por nuk ka asnjë zgjidhje, shpresoj që të gjendet një zgjedhje përndryshe financat ndikohen. Kemi çdo ditë probleme, hasim në problem kondukerët ata e kanë problem të detektojnë 2 euro mirëpo kur vijnë dhe shkojnë në bankë të dorëzojnë pazarin del që ka problem”, thotë Maraj.

    Havolli, që dikur ka shërbyer si ish-guvernator i Bankës Qendrore (BQK), propozon masa radikale në lidhje me monedhën 2 euro, duke kërkuar që të hiqet tërësisht nga tregu për një periudhë të caktuar kohore.

    “Personalisht mendoj që për një periudhë të caktuar kohore 6 muajsh apo kështu me radhë do duhej të bëhej tërheqja komplet e monedhës 2 euro nga tregu. Ky operacion është i kushtueshëm edhe shumë i madh por është e nevojshme që të kthehet besimi i qytetarëve në valutën zyrtare e cila përdoret sepse nëse sot e kemi valutën 2 euro çka nëse në ditët në vijim kthehet një monedhë tjetër kjo cenon integritetin në masë të konsiderueshme prandaj kjo nuk është zgjidhja adekuate mirëpo masa duhet të jete radikale sepse tregu është i stërmbushur dhe duhet dikush të bëjë pastrimin e tregut nga paraja e falsifikuar”, shtoi Havolli.

    Ndërsa, Maraj thotë se janë duke kërkuar mënyra alternative të pagesave, përfshirë edhe ato me operatorët telefonikë, në mënyrë që të ketë sa më pak qarkullim me para të vogla.

    “Jemi në bashkëpunim me Valën, Ipkon, besoj që shumë shpejt do të bëjmë që përmes telefonave të bëhen pagesat, kjo mundet me e zbutë pak se secili udhëtar me e ble biletën ditore apo mujore përmes telefonatave, me e zbutë problematikën”, është shprehur Maraj.

    Ndërsa, eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Selimaj, këshillon qytetarët që të paguajnë me shumë me kartela bankare dhe sa më pak me “cash”.

    “Tjetra më së miri kish me që pagesat të bëhen me kartelë, me i ik këtij keqpërdorimi apo mashtrimi puna më e lehtë kish me qenë”, tha Selimaj.

    Policia e Kosovës muaj më parë, në dy raste të ndryshme, kishte arritur të kapte rreth 15 mijë euro monedha të falsifikuara të gjitha 2 euroshe. Një aksion ishte zhvilluar në Ferizaj, ndërsa një tjetër në Prishtinë./KP

  • Kosova rekruton punëtorë aziatikë

    Kosova rekruton punëtorë aziatikë

    Bangladeshi, Nepali, India dhe Turqia janë shtetet nga të cilat disa kompani kosovare kanë kthyer sytë për fuqi punëtore.

    Arsyeja? Ka mungesë të punëtorëve vendës.

    H.Th., nga një kompani në fushën e ndërtimit në Malishevë – komunë në jugun e Kosovës – thotë për Radion Evropa e Lirë se qe dy muaj kanë marrë disa punëtorë nga Bangladeshi, shtet në Azinë Jugore.

    “Aktualisht i kemi 13-14 punëtorë nga Bangladeshi. I kemi marrë para dy muajsh. Ata kryejnë punë në ndërtim, janë punëtorë fizikë. Po mësohen gradualisht, nuk janë profesionistë në këtë lëmi, por po mësohen”, thotë ai, duke mos dashur të specifikojë më shumë.

    Numri i punëtorëve në këtë kompani është mbi 60 dhe nevoja për më shumë punëtorë është në rritje, thonë udhëheqës të kësaj kompanie.

    REL-i ka kontaktuar edhe disa kompani të tjera që kanë marrë punëtorë nga këto shtete aziatike, por shumë prej tyre kanë hezituar të flasin publikisht.

    Se numri i punëtorëve të huaj në Kosovë është rritur muajve të fundit dëshmohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në periudhën janar-qershor të këtij viti janë bërë 1.858 kërkesa për leje qëndrimi në Kosovë për qëllim pune nga shtetas të huaj. Ndërkaq, 1.391 kanë fituar leje qëndrimi të përkohshëm.

    Në këto kërkesa, me numrin më të madh prijnë shtetasit nga Turqia dhe Bangladeshi.

    Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i personave që kanë fituar leje qëndrimi të përkohshëm me qëllime pune ishte 1.317.

    Por, punëtorët që vijnë në Kosovë nga shtetet aziatike nuk janë të kualifikuar dhe vështirë përshtaten me rrethanat në Kosovë.

    Kështu thotë Ramiz Ismajli, i cili punon në një kompani që rekruton punëtorë nga shtetet e treta.

    “Në fushën e ndërtimtarisë, [punëtorët e huaj] nuk janë stabilë. Ka raste kur gënjejnë për përvojën e tyre të punës. Kur vijnë në Kosovë për të punuar, del se as 30 për qind të asaj që e kanë paraqitur në CV [rezyme] nuk e posedojnë. Nuk janë punëtorë si ne kosovarët, që shkojmë dhe punojmë në Gjermani. Ne mësojmë shpejt, këta që vijnë nga këto vende nuk janë të tillë. Pastaj, nuk flasin gjuhë të huaja, si anglishtja, dhe është i vështirë komunikimi”, thotë Ismajli për Radion Evropa e Lirë.

    Ai tregon se ka shumë kërkesa nga kompani të profileve të ndryshme në Kosovë për rekrutimin e punëtorëve nga shtetet aziatike, por janë disa procedura administrative që paraqesin vështirësi.

    “Janë disa kompani që ua kam dhënë kontaktin dhe CV-të e disa punëtorëve nga vendet aziatike, por sa arrijnë t’i marrin? Ka shumë procedura administrative”, thotë Ismajli.

    Mungesë e punëtorëve vendës
    Përkundër shkallës së papunësisë që arrin në mbi 16 për qind, Kosova ka vite që përballet me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme.

    Gastronomia, ndërtimtaria, bujqësia dhe tekstili janë sektorët me mungesën më të madhe të punëtorëve në Kosovë.

    Interesimi i qytetarëve të Kosovës për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye.

    Sipas Inspektoratit të Punës, këto arsye lidhen me orarin e stërzgjatur të punës, pagat e ulëta, mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë e të tjera.

    Një tjetër arsye që ka çuar në krizë për punëtorë në Kosovë është edhe emigrimi i qytetarëve.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për mbi 42.000 qytetarë të larguar nga Kosova në vitin 2021, për arsye të ndryshme, ndër to edhe për qëllime pune.

    Rafuna: Punëtorët, për periudhë afatshkurtër
    Në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) thonë se janë dhjetëra kompani që tashmë kanë punësuar punëtorë nga vendet tjera, kryesisht aziatike, dhe po aq kompani janë në kërkim të fuqisë punëtore nga jashtë.

    Sektorët me më së shumti punëtorë nga vendet aziatike janë ai i ndërtimtarisë dhe ai gastronomisë.

    “Kërkesa për fuqi punëtore nga jashtë është në rritje. Fuqia punëtore po na vjen nga Bangladeshi, Turqia, Nepali dhe vendet tjera”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

    Megjithatë, Rafuna thotë se Kosova nuk po arrin të luftojë mungesën e fuqisë punëtore me marrjen e punëtorëve nga vendet tjera.

    Sipas tij, kompanitë vendore po raportojnë se fuqia punëtore që po vjen nga vendet aziatike është e pakualifikuar dhe vështirë po ambientohet me rrethanat e punës në Kosovë.

    Sipas Rafunës, nga informacionet që merr nga kompanitë, shumica e këtyre punëtorëve nuk e kanë qëllim final tregun e punës në Kosovë.

    Një pjesë e tyre, thotë ai, qëndrojnë në Kosovë vetëm derisa të gjejnë një mundësi për të shkuar në shtetet e Bashkimit Evropian. Sipas kreut të OEK-ut, kjo po bën që kompanitë të mos e mbështesin aktivitetin e tyre në këtë fuqi punëtore në një periudhë afatmesme apo afatgjatë.

    “Punëtorë të cilët vijnë nga vendet e treta lidhin kontrata pune me paga dhe kushtet që ofron kompania bazuar edhe në legjislacionin në fuq,i siç është Ligji i punës”, thotë ai.

    Punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat, me më shumë se 300 mijë të punësuar.

    Paga mesatare bruto në sektorin privat është 473 euro.

    Rafuna thotë se institucionet duhet të bëjnë përpjekje që të ndërtojnë politika për të parandaluar ikjen e madhe të fuqisë punëtore, pasi që humbjet në aspektin ekonomik do të jenë të mëdha.

    “Ne duhet ta kem synim ta ndalim emigrimin. Nëse nuk mund të ndalim, ta sjellim në minimumin e mundshëm duke ofruar një sistem adekuat arsimor, një sistem të sundimit të ligjit efikas, një sistem të mirë të shëndetësisë dhe duke krijuar siguri juridike dhe ekonomike për të rinjtë”, thotë Rafuna.

    Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në Shtetet e Bashkuara, e publikuar në nëntor të vitit 2021, ka treguar se 78 për qind e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç “ndoshta” ose “përfundimisht” do të largoheshin nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.

    Çfarë thotë ligji për punëtorët e huaj?
    Punësimi i shtetaseve të huaj në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për të huajt.

    Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës duhet të pajisen me leje pune.

    Për lejeqëndrim me qëllim të punës, shtetasi i huaj duhet të grumbullojë një varg dokumentesh – në mesin e tyre: kontrata e punës, dëshmia që nuk është i dënuar, dëshmia për arsimimin dhe kualifikimin që ka, sigurimi shëndetësor e të tjera.

    Mbledhja dhe procedimi i tyre shpesh marrin muaj të tërë kohë.

    Leja e qëndrimit të përkohshëm për qëllime pune lëshohet për 6 muaj deri në 1 vit.

    Pas kësaj periudhe, kjo leje ripërtërihet dhe mund të merret edhe leje e përhershme qëndrimi.

    Me trendin e mungesës së fuqisë punëtore po përballet edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut./REL

  • ​Hovenier ripërsëritë kërkesat për depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri

    ​Hovenier ripërsëritë kërkesat për depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur kërkesat për depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

    Ambasadori Hovenier pas pjesëmarrjes në dhënien e 250 kamerave të trupit donacion Policisë së Kosovës, foli edhe për rastin e televizionit Klan Kosova, ku tha se kjo çështje nuk është vetëm biznesore, por edhe për lirinë e mediave.

  • SHBA jep 250 kamera trupi për policët

    SHBA jep 250 kamera trupi për policët

    Policia e Kosovës ka pranuar 250 kamera të trupit për policët si donacion nga ShBA-ja.

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se do të rrisin llogaridhënien dhe transparencën tek policët.

    “Këto kamera do të jenë të dobishme për punën e Policisë se Kosovës me qëllim të rritjes se llogaridhënies dhe transparencës së policëve”, tha ai.

    Në anën tjetër, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha se ky projekt ka rëndësi jetike për besimin e ligjit në Kosovë dhe rritjen e besimit të qytetarëve në polici.

    Hovenier se ky donacion është dëshmi e bashkëpunimit dhe përkushtimit për sundim të ligjit në Kosovë.

  • ​17 të vdekur nga të nxehtit ekstrem në Korenë e Jugut

    ​17 të vdekur nga të nxehtit ekstrem në Korenë e Jugut

    Një valë e vazhdueshme e të nxehtit ka shkaktuar vdekjen e 17 personave gjatë fundjavës në të gjithë Korenë e Jugut, thanë Agjencia Koreane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, dhe autoritetet zjarrfikëse.

    Shumica e të vdekurve ishin fermerë dhe të moshuar që punonin jashtë në vapë ekstreme, raportoi të hënën Yonhap News me bazë në Seul.

    Koreja e Jugut ka qenë nën kontrollin e nxehtësisë përvëluese që kur alarmet e para të sezonit për valët e të nxehtit hynë në fuqi në mes të qershorit, me temperaturat maksimale të fundit në rreth 35 gradë Celsius në shumë pjesë të vendit.

    Provinca Veriore Gyeongsang ishte rajoni më i goditur, ku shtatë fermerë të moshuar vdiqën.

    Vetëm të shtunën, në këtë provincë ndodhën katër vdekje të lidhura me nxehtësinë që përfshinin fermerë të moshuar që punonin jashtë, përkatësisht në Mungyeong, Gimcheon, Sangju dhe Gyeongsan. /AA/