ATV

Blog

  • Publikohet skenari i “Marshit për Liri”

    Publikohet skenari i “Marshit për Liri”

    Platforma Liria ka Emër ka publikuar skenarin e Marshit për Liri që mbahet sot në Prishtinë, në ora 14:00.

    Në mesin e folësve kryesorë të këtij organizimi do të jenë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

    Pjesë e programit do të jenë edhe performancat muzikore të dy prej emrave të njohur të muzikës shqiptare, Shkurte Fejzës dhe Arif Vladit.

    Marshi do të nisë nga ora 14:00.

    SKENARI – MARSHI PËR LIRI

    Moderator: Berat Miftari

    12 shtator | Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë

    1. HAPJA ARTISTIKE

    Arbnora Zogiani interpreton:

    “Pa duvak s’ka me u ba nuse”

    2. HAPJA ZYRTARE E MARSHIT

    BERAT MIFTARI

    Ftoj në skenë dy përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”:

    Ismail Tashollin dhe Eliza Hoxhën!

    3. HYSNI GUCATI

    [Flet Hysni Gucati.]

    4. LIRJONA SYLEJMANI – vajza e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani

    [Flet Lirjona Sylejmani.]

    5. ARIF VLADI – “MARSHI I UÇK-së”

    [Interpreton Arif Vladi.]

    6. ARDIAN GJINI – kryetari i Aleancës për Kosovën

    [Flet Ardian Gjini.]

    7. BEDRI HAMZA – kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës

    [Flet Bedri Hamza.]

    8. BUNA MUSTAFA – vajza e Sali Mustafës – Calit

    [Flet Buna Mustafa.]

    9. SHKURTE FEJZA

    SHKURTE FEJZA me himin e shqiptarëve “Mora Fjalë”

  • Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora drejt Prishtinës, nisen për marshin në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

    Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora drejt Prishtinës, nisen për marshin në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

    Në mbështetje të marshit kombëtar që zhvillohet sot në Prishtinë, në solidaritet me drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë nisur drejt Kosovës.

    Dhjetëra qytetarë, të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga diaspora, kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit për t’iu bashkuar marshit në Prishtinë.

    Mes tyre ka edhe emigrantë të ardhur nga Zvicra, të cilët kanë udhëtuar drejt Kosovës për të qenë pjesë e këtij tubimi. /Tch/

  • CAS rrëzon vendimin ndaj Agron Zeqirit: Në përzgjedhjen për “Paris 2024” u gjetën parregullsi

    CAS rrëzon vendimin ndaj Agron Zeqirit: Në përzgjedhjen për “Paris 2024” u gjetën parregullsi

    Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë ka aprovuar ankesën e Agron Zeqirit dhe ka anuluar vendimin e World Aquatics ndaj tij, duke rrëzuar akuzat për diskriminim, racizëm, keqpërdorim të pozitës, nepotizëm dhe favorizim.

    Sipas Vendimit të CAS-it 2025/A/11534, paneli nuk ka konstatuar parregullsi në veprimet e Agron Zeqirit dhe të Federatës së Notit të Kosovës (FNK). Përkundrazi, është vlerësuar se procesi i selektimit të zhvilluar nga FNK-ja ishte në përputhje me rregullat në fuqi.

    Megjithatë, vendimi i CAS-it nxjerr në pah disa parregullsi dhe mospërputhje në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të Kosovës për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

    Sipas vendimit, në fazën fillestare të kualifikimeve, Mal Gashi dhe Eda Zeqiri ishin sportistët që plotësonin kriteret sipas rregullave të atëhershme. Në garat e zhvilluara në Fukuoka dhe Doha, Eda Zeqiri kishte grumbulluar 682 pikë FINA, duke qenë përpara Hana Beiqit.

    Pas heqjes së kushtit kualifikues nga World Aquatics, në fazën shtesë të kualifikimit Hana Beiqi arriti 695 pikë FINA. Mbi këtë bazë, ajo u përfshi në vendimin e FNK-së për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike.

    FNK-ja më pas propozoi Mal Gashin dhe Hana Beiqin si sportistë, ndërsa Besart Shalën si trajner. Ky propozim iu përcoll KOK-ut dhe World Aquatics përmes sistemit GMS.

    Megjithatë, emrat që përfundimisht u dërguan në Paris ishin Adell Sabovic si sportist dhe Astrit Haliti si trajner.

    Sipas konstatimeve të CAS-it, Adell Sabovic nuk ishte propozuar nga FNK-ja. Për më tepër, ai nuk kishte përmbushur disa prej kritereve relevante, përfshirë kushtin e rezidencës trevjeçare në Kosovë, ndërsa nuk kishte qenë pjesë e ndonjë klubi sportiv në Kosovë.

    Vendimi thekson se, për rrjedhojë, Sabovic nuk kishte qenë pjesë e sistemit sportiv të Kosovës të menaxhuar dhe njohur nga institucionet kompetente sportive. Gjithashtu, lidhja e tij me Kosovën ishte krijuar në një periudhë të afërt me procesin e pjesëmarrjes në “Paris 2024”, ndërsa shtetësinë e Kosovës e kishte marrë në funksion të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike.

    Në anën tjetër, Mal Gashi, i cili ishte një nga sportistët e kualifikuar dhe kishte grumbulluar më së shumti pikë FINA në kategorinë e meshkujve në Kosovë, nuk u dërgua në Lojërat Olimpike.

    Parregullsi janë evidentuar edhe në përzgjedhjen e trajnerit. FNK-ja kishte propozuar Besart Shalën, i cili kishte më shumë pikë se Astrit Haliti, por KOK-u vendosi që në Paris të dërgonte Halitin.

    CAS ka sqaruar se përgjegjësia për vendimin përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen e sportistëve në Lojërat Olimpike i takon KOK-ut, në bashkëpunim me propozimet e federatës përkatëse sportive.

    Në këtë rast, sipas konstatimeve të paraqitura në vendim, FNK-ja nuk ishte njoftuar për ndryshimin e emrave dhe nuk i ishte dorëzuar vendimi i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, pavarësisht kërkesave të saj.

    Sipas Statutit të KOK-ut, Bordi Ekzekutiv është organi kompetent për të vendosur për sportistët që përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike.

  • Barcelona mendon për pasardhësin e Flickut, Arteta mbetet në listë

    Barcelona mendon për pasardhësin e Flickut, Arteta mbetet në listë

    Barcelona duket se e ka të qartë një prej emrave që mund të marrë drejtimin e skuadrës në të ardhmen. Mikel Arteta vazhdon të jetë një nga opsionet e preferuara të klubit katalanas për pasuesin e Hansi Flickut.

    Sipas gazetarit Graeme Bailey, në Barcelonë ende besojnë se një ditë mund të ulen në tavolinë me Artetën dhe ta bindin trajnerin e Arsenalit për të marrë drejtimin e skuadrës.

    Arteta prej kohësh është përmendur si një kandidat potencial për pankinën e Barcelonës, ndërsa drejtuesit e klubit vlerësojnë veçanërisht filozofinë e tij të futbollit, mënyrën e punës dhe profilin që përputhet me idetë e klubit katalanas.

    Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë sinjal për një ndryshim në pankinë. Hansi Flick vazhdon të jetë trajneri i Barcelonës dhe drejtuesit e klubit nuk kanë marrë ndonjë vendim për të ardhmen e tij.

    Arteta mbetet kështu një emër për të ardhmen, me Barcelona-n që vazhdon ta monitorojë situatën e trajnerit spanjoll te Arsenali.

  • Miratohet projekti për Tulltoren, Rama: Toka jepet në shfrytëzim për 50 vjet

    Miratohet projekti për Tulltoren, Rama: Toka jepet në shfrytëzim për 50 vjet

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar projektin për transformimin e hapësirës së Tulltores në Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë.

    Rendi i ditës është miratuar me 31 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se projekti synon që një hapësirë e mbuluar me bërllog, e pazhvilluar dhe pa funksion për qytetin, të shndërrohet në një hapësirë të re për artin, kulturën dhe teknologjinë.

    Rama në Kuvendin e Prishtinës: Tulltorja nuk po falet, Kryeqyteti përfiton mbi 50 milionë euro

    “Ky projekt votohet sot. Tulltoren, nga hapësirë e mbuluar me bërllog, e pazhvilluar, e pasigurt dhe pa funksion për qytetin, po e kthejmë në Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë”, ka deklaruar Rama.

    Rama ka theksuar se toka nuk do të kalojë në pronësi private, por do të mbetet pronë e Kryeqytetit dhe do të jepet në shfrytëzim për një periudhë prej 50 vjetësh.

    “Kjo tokë nuk falet. Toka mbetet pronë e Kryeqytetit. Jepet në shfrytëzim për 50 vjet për me u zhvillu dhe, për këtë shfrytëzim, Kryeqyteti përfiton 1 milion euro çdo vit. Për 50 vjet, mbi 50 milionë euro për Kryeqytetin”, ka thënë ai.

    Sipas Ramës, përmes këtij projekti një hapësirë aktualisht e pashfrytëzuar synohet të shndërrohet në një qendër me funksion për qytetarët dhe zhvillimin e kryeqytetit. /Telegrafi/

  • FIFA i përgjigjet Marokut: Ende nuk është vendosur ku do të luhet finalja e Botërorit 2030

    FIFA i përgjigjet Marokut: Ende nuk është vendosur ku do të luhet finalja e Botërorit 2030

    FIFA ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, i cili kishte bërë të ditur se Maroku do të presë finalen e Kupës së Botës 2030.

    Lekjaa kishte deklaruar se ndeshja për trofeun e madh do të zhvillohej në Marok, në një edicion historik të Botërorit që do të organizohet nga Maroku, Spanja dhe Portugalia.

    Megjithatë, FIFA ka hedhur poshtë çdo konfirmim të tillë, duke sqaruar se deri në këtë moment nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për stadiumin apo qytetin që do të presë finalen e Kupës së Botës.

    Edicioni i vitit 2030 do të jetë i veçantë, pasi turneu do të zhvillohet kryesisht në Marok, Spanjë dhe Portugali, ndërsa tri ndeshjet e para do të luhen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Kupës së Botës.

    Pavarësisht deklaratave të Lekjaa-s, FIFA ka bërë të qartë se gara për të pritur finalen mbetet ende e hapur dhe se vendimi përfundimtar nuk është marrë.

    Nuk është hera e parë që FIFA detyrohet të sqarojë situatën rreth finales së Botërorit 2030. Më herët, institucioni më i lartë i futbollit botëror kishte mohuar edhe raportimet se presidenti Gianni Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales në këmbim të mbështetjes politike për rizgjedhjen e tij në krye të FIFA-s.

    Për momentin, pra, finalja e Botërorit 2030 mbetet pa një adresë zyrtare.

  • Hamza deklarohet sërish: PDK nuk merr pjesë në Kuvend deri në përgjigjen e plotë nga Kushtetuesja

    Hamza deklarohet sërish: PDK nuk merr pjesë në Kuvend deri në përgjigjen e plotë nga Kushtetuesja

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza është deklaruar sërish para mediave, pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, meqenëse Vlora Çitaku nuk u votua për nënkryetare, raporton Ekonomia Online.

    Para gazetarëve, Hamza tha se për çdo shkelje kushtetuese që është përcjellë ky proces, PDK do të dërgojë lëndë në Kushtetuese.

    “Brenda afateve ligjore dhe kushtetuese.

    Këtu ka përfunduar pjesëmarrja jonë në seancat e Kuvendit, deri në përgjigjen e plotë nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Hamza.

  • Dështon gjykimi për vrasjen e Triumf Rizës – Rrahim Abdullahu mungoi për shkak të gjendjes shëndetësore

    Dështon gjykimi për vrasjen e Triumf Rizës – Rrahim Abdullahu mungoi për shkak të gjendjes shëndetësore

    Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Ilir Abdullahut, i njohur me nofkën “Liza”, dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si “Rrumqi”, të akuzuar në rastin e vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza.

    Seanca ishte paraparë të mbahej në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mirëpo gjykimi nuk mundi të vazhdonte për shkak të mungesës së Rrahim Abdullahut.

    Në gjykatore u bë e ditur se Rrahim Abdullahu nuk ka mundur të paraqitet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    Ndërkohë, i akuzuari Ilir Abdullahu u soll në gjykatore nën masa sigurie. Megjithatë, në mungesë të të bashkakuzuarit, nuk u plotësuan kushtet ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

    Për rrjedhojë, seanca u shty, ndërsa procesi ndaj dy të akuzuarve pritet të vazhdojë në një datë tjetër që do të caktohet nga Gjykata.

    Ilir dhe Rrahim Abdullahu po përballen me akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, lidhur me vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza.

    Sipas pretendimeve të Prokurorisë, ata akuzohen se veprën e kanë kryer në bashkëkryerje me Arben Berishën dhe Fitim Avdiun, të cilët janë dënuar më herët për këtë rast, si dhe me Enver Sekiraqën.

    Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 në Prishtinë. Vrasja e tij mbetet një prej rasteve më të njohura dhe më të rënda të drejtësisë në Kosovë, ndërsa proceset gjyqësore të lidhura me të kanë vazhduar për vite.

    Ilir Abdullahu ishte arrestuar më 16 korrik 2023, pasi kishte qenë për një periudhë të gjatë në kërkim lidhur me rastin. Pas arrestimit të tij, procesi gjyqësor ndaj tij dhe Rrahim Abdullahut ka vazhduar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre penale të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.

  • Irani kërkon kontrollin e Detit të Kuq, BBC zbulon detaje: Po përdoren rebelët Houthi në Jemen

    Irani kërkon kontrollin e Detit të Kuq, BBC zbulon detaje: Po përdoren rebelët Houthi në Jemen

    Rebelët Houthi raportohet se kanë marrë kontrollin e Mokha-s, pranë ngushticës strategjike Bab el-Mandeb, duke zgjeruar ndikimin e tyre mbi një prej rrugëve më të rëndësishme detare në rajon.

    Sipas raportimeve, Houthi kanë pushtuar gjithashtu ishullin Zuqar. Forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite, pavarësisht përpjekjeve për t’i ndalur, nuk kanë arritur të frenojnë avancimin e tyre. Në shënjestër të sulmeve kanë qenë edhe objektet saudite të naftës.

    Ekspertët e cituar nga BBC vlerësojnë se zhvillimet e fundit po nxjerrin në pah dobësitë e forcave saudite, ndërsa Houthi, aleatë të Iranit, kanë rritur kapacitetet dhe ndikimin e tyre në rajon.

    Për Iranin, forcimi i Houthi-ve mund të nënkuptojë ndikim më të madh si në Detin e Kuq, ashtu edhe në Ngushticën e Hormuzit, dy prej korridoreve më të rëndësishme strategjike për transportin detar dhe energjinë.

    Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se Irani po vazhdon përpjekjet për forcimin e kapaciteteve të tij ushtarake, përfshirë prodhimin e raketave në objekte nëntokësore. Sipas disa burimeve, Teherani mund të ketë marrë edhe ndihmë teknike nga Rusia dhe Kina.

    Në administratën amerikane, sipas këtyre raportimeve, ekziston shqetësimi se përplasja me Iranin mund të jetë një konflikt afatgjatë dhe të zgjasë deri në dy vjet.

  • Sabalenka-Rybakina, finalja e madhe e US Open që vendos edhe numrin një

    Sabalenka-Rybakina, finalja e madhe e US Open që vendos edhe numrin një

    US Open për femra ka hyrë në aktin e fundit. Në finalen e madhe të turneut të fundit Grand Slam të vitit do të përballen Aryna Sabalenka dhe Elena Rybakina, në një duel që pritet të jetë spektakolar në Nju Jork.

    Sabalenka ishte e para që siguroi një vend në finale. Numri një aktual i botës nuk pati shumë probleme ndaj amerikanes Jessica Pegula, të cilën e mposhti në dy sete, 7-5 dhe 6-2.

    Bjellorusja do të kërkojë tashmë trofeun, por finalja do të ketë një tjetër rëndësi për të. Pavarësisht se e nis turneun si numri një në renditjen WTA, Sabalenka do ta humbasë kreun e klasifikimit nga e hëna, pasi Rybakina do të ngjitet në majën e renditjes.

    Kazakja siguroi finalen pas një përballjeje të fortë me Coco Gauff. Rybakina nuk e nisi mirë takimin, duke humbur setin e parë 3-6, por ndryshoi ritmin në vazhdim dhe fitoi dy setet e radhës 6-4, 6-4, duke përmbysur gjithçka dhe duke prerë biletën për në finalen e madhe.

    Tashmë gjithçka është gati për duelin Sabalenka-Rybakina. Dy tenistet do të luftojnë për trofeun e US Open, por përballja e së shtunës do të jetë edhe një duel direkt për supremacinë në tenisin botëror.