ATV

Blog

  • Laura Fazliu e pesta në Grand Slamin e Budapestit

    Laura Fazliu e pesta në Grand Slamin e Budapestit

    Laura Fazliu e ka mbyllur në vendin e pestë pjesëmarrjen në Grand Slamin e xhudos në Budapest të Hungarisë, pasi nuk arriti t’i fitojë dy sfidat e fundit që do t’i siguronin medaljen.

    Fazliu e nisi në mënyrën më të mirë garën në kategorinë e saj, duke triumfuar ndaj hungarezes Anna Kriza me Ippon.

    Në çerekfinale, xhudistja kosovare vazhdoi me paraqitje të mirë dhe arriti ta mposhtë austriaken Lubjana Piovesana, falë dy Yukove.

    Megjithatë, në gjysmëfinale Fazliu u përball me japonezen Megu Danna, ndaj së cilës pësoi humbje me Ippon.

    Kjo humbje e dërgoi në repesazh, ku Fazliu kërkonte fitoren për të siguruar një tjetër mundësi për medalje.

    Por as në këtë përballje nuk pati sukses.

    Fazliu u mposht nga izraelitja Kerem Primo, duke mbetur kështu pa medalje dhe duke e përfunduar Grand Slamin e Budapestit në vendin e pestë.

    Pavarësisht rezultatit përfundimtar, Fazliu pati një rrugëtim të mirë në turne, duke regjistruar dy fitore para se të ndalej në dy sfidat vendimtare për medalje.

  • Franco Mastantuono thyen rekordin e Messit, shkruan histori në Serie A

    Franco Mastantuono thyen rekordin e Messit, shkruan histori në Serie A

    Franco Mastantuono ka regjistruar një arritje të jashtëzakonshme në futbollin evropian, duke u bërë argjentinasi më i ri që realizon het-trik në një prej pesë ligave kryesore të Evropës.

    Talenti 18-vjeçar ishte protagonisti kryesor i fitores së Fiorentinës ndaj Venezias me rezultat 4-2, duke shënuar të tre golat e skuadrës së tij dhe duke i siguruar pikët e para të sezonit.

    Mastantuono shpërtheu në pjesën e parë, duke realizuar dy gola brenda vetëm 90 sekondash, rreth minutës së 30-të. Argjentinasi e kompletoi paraqitjen e tij fantastike pak para fundit të ndeshjes, kur shënoi edhe golin e tretë personal.

    Me moshën 18 vjeç e 28 ditë, Mastantuono ka thyer rekordin që mbahej nga Lionel Messi.

    Ylli argjentinas i Barcelonës kishte realizuar het-trikun e tij të parë në La Liga në mars të vitit 2007, kur ishte 19 vjeç e 259 ditë.

    Kështu, Mastantuono jo vetëm që hyri në historinë e futbollit argjentinas, por u bë edhe lojtari më i ri në histori që realizon het-trik me Fiorentinën.

    Me këtë rekord, ai tashmë ka lënë pas disa emra të mëdhenj të futbollit argjentinas.

  • Jose Mourinho ka një plan për mesfushën e Real Madridit, Bernardo Silva pritet të ketë rol më të madh

    Jose Mourinho ka një plan për mesfushën e Real Madridit, Bernardo Silva pritet të ketë rol më të madh

    Jose Mourinho duket se ka identifikuar problemin kryesor të Real Madridit pas fitores së vështirë ndaj Interit në Ligën e Kampionëve. Trajneri portugez kërkon më shumë kontroll në mesfushë dhe zgjidhjen e sheh te Bernardo Silva.

    Sipas “Marca”, Mourinho dëshiron të nxjerrë versionin më të mirë të mesfushorit portugez, i cili deri tani nuk ka arritur të ketë ndikimin e pritur te “Los Blancos”.

    Real Madridi e vuajti ndjeshëm mungesën e Bernardo Silvas ndaj Interit, pasi portugezi ishte i suspenduar. Në një ndeshje që u zhvillua me ritëm të lartë dhe shumë hapësira, madrilenët patën vështirësi për ta kontrolluar lojën.

    Pikërisht për këtë arsye, Mourinho beson se Bernardo mund të jetë një nga çelësat për ta zgjidhur problemin.

    32-vjeçari iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City, por deri tani nuk është shndërruar në një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.

    Megjithatë, Mourinho nuk dëshiron të kërkojë domosdoshmërisht një zgjidhje të re në merkato. Trajneri portugez beson se e ka atë brenda skuadrës.

    Real Madridi dështoi të transferonte Rodrin gjatë verës dhe tashmë përgjegjësia mund t’i besohet më shumë Bernardo Silvas.

    Përvoja, qetësia me topin dhe aftësia për ta mbajtur posedimin janë cilësi që Mourinho i konsideron të rëndësishme për një skuadër që synon të dominojë ndeshjet e mëdha.

    Kështu, sfida e radhës për Bernardo Silvan është të bindë Mourinhon se mund të jetë lideri që i mungon mesfushës së Real Madridit.

  • 9 vite burg për organizatorin e grabitjes në shtëpinë e Donnarummas

    9 vite burg për organizatorin e grabitjes në shtëpinë e Donnarummas

    Gjykata Penale e Parisit ka dënuar me nëntë vite burg Ilyas Kherbouch, i njohur me nofkën “Ganito”, për rolin e tij në grabitjen e dhunshme të Gianluigi Donnarummas dhe partneres së tij, Alessia Elefante, në korrik të vitit 2023.

    Kherbouch, 21-vjeçar, është shpallur fajtor për organizimin e operacionit kriminal dhe krahas dënimit me burg, është urdhëruar të paguajë edhe një gjobë prej 80 mijë eurosh.

    Ngjarja kishte ndodhur në banesën e Donnarummas në Paris, në kohën kur portieri italian ishte pjesë e Paris Saint-Germainit.

    Donnarumma dhe Elefante u përballën me një natë tmerri, pasi u sulmuan dhe u neutralizuan nga grabitësit. Autorët arritën të largoheshin me sende me vlerë rreth 1 milion euro, përfshirë ora luksoze, bizhuteri, para të gatshme dhe çelësa të automjeteve.

    Në atë kohë, Alessia Elefante ishte shtatzënë dhe pak kohë pas ngjarjes pësoi një abort, duke e bërë edhe më të rëndë pasojën e grabitjes.

    Dënimi nuk ishte i njëjtë për të gjithë të akuzuarit. Moktar Diop është dënuar me pesë vite burg, ndërsa dy prej tyre janë pezulluar. Në anën tjetër, Khyan Mamouni, të cilin prokuroria e kishte cilësuar si një prej organizatorëve kryesorë, është shpallur i pafajshëm dhe është liruar.

    Gjatë procesit gjyqësor, i zhvilluar më 10 dhe 11 shtator, pati edhe momente tensioni. Seanca u ndërpre përkohësisht pas fyerjeve dhe kërcënimeve të bëra nga Kherbouch.

    21-vjeçari kishte arritur të arratisej nga burgu i Villepinte në mars, por më pas u kap sërish nga autoritetet.

    Donnarumma dhe partnerja e tij nuk morën pjesë në procesin gjyqësor.

  • Barcelona ka zgjedhur pasuesin e Flickut? Fabregas në krye të listës për vitin 2028

    Barcelona ka zgjedhur pasuesin e Flickut? Fabregas në krye të listës për vitin 2028

    Barcelona ka nisur të planifikojë të ardhmen dhe në klub duket se kanë një emër të preferuar për stolin pas përfundimit të epokës së Hansi Flickut. Bëhet fjalë për Cesc Fabregasin, aktualisht trajner i Comos.

    Sipas raportimeve të “AS”, trajneri spanjoll është kandidati kryesor i drejtuesve katalanas për vitin 2028, kur Flickut i përfundon kontrata me Barcelonën.

    Madje, raportohet se kontaktet e para mes palëve tashmë kanë nisur. Një përfaqësues i afërt me presidentin Joan Laporta, Alejandro Echevarria, ka udhëtuar drejt Comos, në një lëvizje që shihet si pjesë e planifikimeve për të ardhmen.

    Barcelona thuhet se e ka informuar Fabregasin se dyert e klubit do të jenë të hapura për të në vitin 2028.

    Plani është afatgjatë, pasi Flick ka kontratë deri në vitin 2028, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Në të njëjtën kohë, edhe kontrata e Fabregasit me Comon përfundon më 30 qershor 2028, çka e bën skenarin edhe më interesant.

    Fabregasi mori drejtimin e Comos në korrik të vitit 2024 dhe që prej atëherë ka bërë hapa të mëdhenj në karrierën e tij si trajner.

    Sezoni i kaluar ishte historik për klubin italian. Como përfundoi në vendin e katërt në Serie A, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Skuadra regjistroi 20 fitore, 11 barazime dhe vetëm shtatë humbje.

    Edhe fillimi i këtij sezoni ka qenë pozitiv. Como grumbulloi shtatë pikë në tri ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa në debutimin në Ligën e Kampionëve dhuroi një paraqitje spektakolare, duke mposhtur RB Leipzigun me rezultatin 4-1.

    Performancat e Fabregasit kanë bërë që vlerësimi për të të rritet ndjeshëm. Presidenti i Comos, Mirwan Suwarso, madje ka bërë një krahasim të bujshëm, duke e cilësuar ndikimin e spanjollit në klub të ngjashëm me atë që pati Johan Cruyff te Barcelona.

    Tashmë mbetet të shihet nëse Fabregasi do të vazhdojë të shkëlqejë në Itali dhe, mbi të gjitha, nëse në vitin 2028 do të rikthehet te Barcelona. Por këtë herë, jo si lojtar, por si trajner i skuadrës së tij të dikurshme.

  • Hamza: Kosova pret drejtësi

    Hamza: Kosova pret drejtësi

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza para mijëra qytetarëve në Marshin për Liri tha se në këtë shesh të Prishtinës po e sheh Kosovën që kanë mbajtur këtë vend gjallë në ditët më të vështira, po sheh familje që kanë paguar çmim të lartë për liri.

    “Kemi ardhur për të dëshmuar se Kosova kujton, nderon dhe mbron UÇK-në”, tha ai.

    Hamza tha tutje se Kosova pret drejtësi. /Telegrafi/

  • Kërcënoi institucionet e Kosovës përmes Facebook-ut, arrestohet 47-vjeçari në Prishtinë

    Kërcënoi institucionet e Kosovës përmes Facebook-ut, arrestohet 47-vjeçari në Prishtinë

    Një koment i publikuar në Facebook i ka kushtuar me arrestim dhe ndalim 48-orësh një 47-vjeçari në Prishtinë, i cili dyshohet se përmes profilit të tij personal ka bërë kanosje në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Sinjali mëson se i dyshuari, Jeton Selmani, është arrestuar sot, më 12 shtator, rreth orës 00:20, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.

    Sipas informacioneve të para, rasti lidhet me një koment të publikuar nga profili personal i të dyshuarit në rrjetin social Facebook, përmbajtja e të cilit është vlerësuar si kërcënuese ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Pas identifikimit dhe arrestimit të tij, për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    Me vendim të prokurorit, ndaj Selmanit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti po procedohet nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.

    Hetimet lidhur me përmbajtjen e postimit dhe rrethanat e rastit po vazhdojnë.

  • Shpërthen depoja e armëve në Bullgari, zjarri përhapet nga një magazinë në tjetrën

    Shpërthen depoja e armëve në Bullgari, zjarri përhapet nga një magazinë në tjetrën

    Një shpërthim ka shkaktuar zjarr në një depo armësh në Bullgarinë qendrore gjatë natës, ndërsa ky është rasti i dytë i zjarrit në një objekt municionesh në vend brenda pak javësh. Nuk raportohet për persona të lënduar.

    Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Tsareva Livada, ndërsa zjarri është përhapur në disa depo të një baze magazinimi.

    “Për momentin, zjarri ndodhet në territorin e bazës së magazinimit të fabrikës. Ai po përhapet nga njëra depo në tjetrën,” u ka thënë gazetarëve në orët e para të së shtunës Kristina Sidorova, guvernatorja rajonale e Gabrovos.

    Sipas mediave vendase, duke cituar një zyrtar të kompanisë EMCO, zjarri ka përfshirë një objekt të menaxhuar nga kjo kompani, e cila muajin e kaluar ishte përballur me një shpërthim në një objekt tjetër.

    EMCO drejtohet nga tregtari bullgar i armëve Emilian Gebrev. Prokurorët bullgarë kanë pretenduar më herët se Gebrev ka qenë shënjestër e sulmeve ndaj objekteve të tij nga agjentë rusë.

    Në vitin 2024, Bullgaria lëshoi urdhërarreste për gjashtë shtetas rusë, të dyshuar për përfshirje në shpërthimet në depot e EMCO-s, ku ruheshin municione për eksport në Ukrainë dhe Gjeorgji gjatë periudhës 2011–2020.

    Prokurorët bullgarë kanë deklaruar atëherë se ekzistojnë dyshime për lidhje mes shpërthimeve në Bullgari, një tentative për helmimin e Gebrevit në vitin 2015 dhe shpërthimeve në depot e municioneve në Republikën Çeke në vitin 2014.

  • Gruaja raporton se ia grabitën çantën dy persona nën kërcënimin e armës në Rahovec, rasti po hetohet

    Gruaja raporton se ia grabitën çantën dy persona nën kërcënimin e armës në Rahovec, rasti po hetohet

    Një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe grabitur nga dy persona të panjohur në Rahovec.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 11 shtator, rreth orës 23:25. Të dyshuarit, të cilët dyshohet se ishin të maskuar dhe të armatosur me pistoletë, i kanë marrë viktimës çantën e dorës, në të cilën kishte para të gatshme.

    Pas grabitjes, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është nën hetime.

    “Rahovec 11.09.2026 -23:25. Viktima femër kosovare raporton se dy persona të dyshuar të panjohur me maska dhe te armatosur me pistoletë kanë sulmuar fizikisht dhe nën kërcënimin e armës i kane grabitur çantën e dorës në të cilën kishte para të gatshme dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima ne vend ngjarje ka pranuar trajtim mjekësor. Rasti nën hetime”. /Telegrafi/

  • Një grua gjendet e vdekur e shtrirë në tokë në Fushë Kosovë, policia nis hetimet

    Një grua gjendet e vdekur e shtrirë në tokë në Fushë Kosovë, policia nis hetimet

    Një grua është gjetur e vdekur në Fushë Kosovë dje pasdite.

    Policia tha se u njoftua për një grua të shtrirë në tokë, ndërsa në vendngjarje tha se dolën njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor, i cili ka konfirmuar vdekjen.

    Për rastin kanë nisur hetimet.

    “Fushë Kosovë, 11.09.2026-19:57. Polica është njoftuar se një person femër kosovare është e shtrirë në tokë, njësitë relevante duke përfshirë edhe ato mjekësore kanë dalë në vendngjarje të cilët kanë konstatuar se vdekjen e viktimës. Trupi i pajete është dërguar ne IML”.