ATV

Blog

  • Elena Rybakina ka bërë historinë në US Open, bëhet numri një në botë

    Elena Rybakina ka bërë historinë në US Open, bëhet numri një në botë

    Tenistja Elena Rybakina ka bërë historinë në US Open, duke u kualifikuar në gjysmëfinale të turneut, ndërsa nga e hëna do të jetë zyrtarisht numri një në botë.

    Rybakina, aktualisht e dyta në renditjen botërore, mposhti në çerekfinale kinezen Qinwen Zheng, në një ndeshje që nuk nisi aspak mirë për të.

    Zheng fitoi setin e parë me rezultatin 6-3, por Rybakina reagoi fuqishëm në vazhdim. Ajo dominoi setin e dytë, të cilin e fitoi 6-1, ndërsa në setin vendimtar tregoi qetësi dhe përvojë, duke triumfuar 6-4.

    Me këtë sukses, Rybakina siguroi jo vetëm një vend në katërshen më të mirë të turneut, por edhe kreun e renditjes botërore.

    Të hënën, kur të publikohet renditja e re e tenisteve, 27-vjeçarja do të bëhet numri një në botë, duke zbritur nga froni bjellorusen Aryna Sabalenka.

    Ky është një tjetër kapitull historik në karrierën e Rybakinës, e cila tashmë ka dy tituj të turneve Grand Slam, Wimbledonin në vitin 2022 dhe Australian Open në vitin 2026.

    Por objektivi i saj në New York është edhe më i madh.

    Për një vend në finalen e US Open, Rybakina do të përballet me amerikanen Coco Gauff.

    Gauff siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi mposhti Mirra Andreevën me rezultatin 2-6, 7-6 dhe 6-2.

    Kështu, skena është gati për një përballje të madhe mes dy prej tenisteve më të forta të momentit.

    Rybakina tashmë e ka siguruar majën e botës, por në New York kërkon edhe trofeun.

  • Liga e Kampionëve mbyll sonte xhiron e pare me gjashtë sfida

    Liga e Kampionëve mbyll sonte xhiron e pare me gjashtë sfida

    Faza e ligës në Ligën e Kampionëve 2026/27 hyn sonte në ditën e fundit të xhiros hapëse, me gjashtë ndeshje që premtojnë emocione dhe spektakël në arenën evropiane.

    Programi i së enjtes nis në orën 18:45, me dy përballje që hapin mbrëmjen. Në Stamboll, Fenerbahce përballet me Romën, në një duel me rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat. Klubi turk rikthehet në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve pas një mungese të gjatë, ndërsa Roma rikthehet në kompeticionin më prestigjioz evropian për herë të parë që nga sezoni 2018/19.

    Në të njëjtën kohë, PSV Eindhoven do të kërkojë një nisje pozitive në shtëpi ndaj Shakhtarit të Donetskut.

    Spektakli i madh vazhdon në orën 21:00, kur në fushë zbresin disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian.

    Bayern Munich do ta nisë rrugëtimin e tij në këtë edicion ndaj Bodo/Glimt, ndërsa Manchester United do të presë Sabahun e Azerbajxhanit. Për “Djajtë e Kuq”, kjo ndeshje shënon rikthimin në Ligën e Kampionëve pas paraqitjes së fundit në sezonin 2023/24.

    Për më tepër, sfida ndaj Sabahut do të jetë një moment historik për klubin anglez, pasi do të zhvillojë ndeshjen e 300-të në historinë e Kupës Evropiane.

    Një tjetër moment i veçantë pritet në Itali, ku Como do të bëjë debutimin e tij në garat evropiane. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas do të përballet me RB Leipzig, në një mbrëmje historike për klubin italian.

    Në ndeshjen tjetër të orës 21:00, Slavia Praha do të kërkojë një start të suksesshëm ndaj Lensit.

    Me këto gjashtë përballje, kompletohet xhiroja e parë e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Pas dy ditësh me përballje të forta dhe shumë emra të mëdhenj në aksion, sonte mbyllet një javë e mbushur me emocionet e kompeticionit më prestigjioz për klube në Evropë.

  • Inflacioni në Kosovë arrin në 7,3% në gusht 2026

    Inflacioni në Kosovë arrin në 7,3% në gusht 2026

    Kostoja e jetesës në Kosovë ka vazhduar të rritet gjatë muajit të kaluar.

    Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e inflacionit vjetor për muajin gusht të vitit 2026 ka arritur në 7,3%. Ndërkaq, në raport me muajin paraprak (korrik 2026), çmimet e konsumit pësuan një rritje mujore prej 1,3%.

    Në raportin e ri mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), ASK-ja bën të ditur se shtrenjtimi më i theksuar përgjatë një viti (gusht 2026 / gusht 2025) vërehet në sektorin e transportit, i cili ka shënuar një ngritje masive prej 21,1%. Një tjetër rritje e lartë dyshifrore është regjistruar te shpenzimet për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse me 11,8%.

    Sektorët e tjerë që po ashtu kontribuuan në ngritjen vjetore të çmimeve përfshijnë:

    Restorantet dhe shërbimet e akomodimit me një rritje prej 5,4%.

    Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,1%.

    Shëndetësia me 4,2%.

    Kujdesi personal dhe mbrojtja sociale me 3,8%.

    Ushqimet dhe pijet joalkoolike njohën një rritje disi më të moderuar prej 2,6%.

    Në anën tjetër, e vetmja rënie e çmimeve e regjistruar gjatë kësaj periudhe ishte te shërbimet arsimore, të cilat panë një tkurrje të lehtë prej -0,5%.

    Edhe në nivel mujor (gusht 2026 / korrik 2026), rritja e përgjithshme prej 1,3% është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve të transportit me 4,6%, si dhe nga kostot e strehimit dhe lëndëve djegëse me 0,8%.

  • Abdixhiku pret në takim Prattipatin, diskutojnë për zhvillimet aktuale politike në vend

    Abdixhiku pret në takim Prattipatin, diskutojnë për zhvillimet aktuale politike në vend

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati.

    Gjatë takimit, kryetari Abdixhiku dhe e Ngarkuara me Punë, Prattipati diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Kryetari Abdixhiku e njoftoi Prattipati për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën aktuale politike, duke ritheksuar përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.

    Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit, në shërbim të qytetarëve.

    Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pazëvendësueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të këtij partneriteti.

  • Zelensky në Kanada, kërkon mbrojtje më të fortë për qiellin e Ukrainës

    Zelensky në Kanada, kërkon mbrojtje më të fortë për qiellin e Ukrainës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Kanada do të takohet me kryeministrin kanadez Mark Carney.

    Bisedimet pritet të fokusohen kryesisht në forcimin e mbrojtjes së hapësirës ajrore të Ukrainës, përgatitjet për dimër dhe rritjen e qëndrueshmërisë së vendit.

    Lajmin e bëri të ditur vetë Zelensky.

    “Mbërrita në Kanada. Kanadaja ka qenë dhe mbetet një nga partnerët tanë më të afërt. E vlerësojmë mbështetjen e kanadezëve dhe vendimet që ndihmojnë Ukrainën të qëndrojë e fortë dhe të mbrojë njerëzit tanë”, deklaroi Zelensky.

    Ai tha se gjatë vizitës janë planifikuar disa takime dhe marrëveshje të rëndësishme, të cilat synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe marrëdhëniet e tyre strategjike.

    Takimi me kryeministrin Mark Carney do të ketë në qendër mbështetjen për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe përgatitjet për dimrin.

    “Do të diskutojmë se si të forcojmë qëndrueshmërinë tonë, të mbështesim njerëzit dhe të sigurojmë që Ukraina të ketë kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur veten”, deklaroi Zelensky.

    Gjatë vizitës, edhe Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, pritet të zhvillojë takime me filantropë që mbështesin Ukrainën, si dhe të vizitojë institucione kanadeze.

    Zelensky ka mbërritur në Kanada për një vizitë tre-ditore, gjatë së cilës pritet të diskutohen hapa të rinj për forcimin e mbështetjes kanadeze për Ukrainën.

  • Bullgaria do të asgjësojë 9.5 tonë speca nga Maqedonia e Veriut, për shkak të pesticideve

    Bullgaria do të asgjësojë 9.5 tonë speca nga Maqedonia e Veriut, për shkak të pesticideve

    Një ngarkesë e re prej 9.502 kilogramësh speca me origjinë nga Maqedonia do të asgjësohet pasi analizat laboratorike në Bullgari kanë zbuluar mbetje pesticidesh mbi nivelin maksimal të lejuar. Specat nuk janë lejuar të hyjnë në tregun bullgar dhe as në rrjetin e shitjes në Bashkimin Evropian.

    Mospërputhja është konstatuar në kuadër të kontrolleve të shtuara ndaj frutave dhe perimeve të freskëta të destinuara për tregun bullgar.

    Agjencia Bullgare për Sigurinë Ushqimore ka bërë të ditur se e gjithë ngarkesa do të dërgohet për asgjësim.

    Ky është rasti i dytë brenda më pak se një muaji që inspektorët bullgarë ndalojnë një ngarkesë me speca nga Maqedonia. Në gusht ishte zbuluar një ngarkesë prej 11.6 tonësh, ku analizat laboratorike kishin treguar praninë e pesticidit formetanat mbi kufirin e lejuar.

    Me 9.5 tonët e rinj, sasia totale e specave nga Maqedonia që janë ndaluar të dalin në treg ka kaluar 21 tonë. Agjencia bullgare konfirmon se bëhet fjalë për dy ngarkesa të veçanta, të zbuluara gjatë kontrolleve të shtuara.

    Për ngarkesën e re, për momentin nuk është bërë e ditur se cila substancë aktive është zbuluar, çfarë përqendrimi është matur nga laboratori dhe sa është tejkaluar kufiri i lejuar. Gjithashtu nuk janë publikuar vendi i prodhimit në Maqedoni, pika kufitare përmes së cilës ka hyrë malli, seria e prodhimit apo data e marrjes së mostrave.

    Pa këto të dhëna nuk mund të përcaktohet nëse dy ngarkesat kanë lidhje me të njëjtin prodhues, qendër grumbullimi apo rajon bujqësor. Gjithashtu nuk mund të vlerësohet serioziteti i rrezikut shëndetësor nga ngarkesa e re, pasi nuk dihen lloji dhe niveli i matur i pesticidit.

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë në RMV, ende nuk kanë bërë të ditur se nga e ka origjinën ngarkesa e re, cili pesticid është zbuluar.

  • Dronët rikrijojnë Kullat Binjake në qiellin e New Yorkut, në nderim të viktimave të 11 shtatorit

    Dronët rikrijojnë Kullat Binjake në qiellin e New Yorkut, në nderim të viktimave të 11 shtatorit

    Qielli mbi portin e New Yorkut u ndriçua nga një spektakël me dronë, në kuadër të një homazhi për 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.

    Shfaqja, e titulluar “2,977 Lights Over New York Harbor”, përfshinte 2,977 drita – nga një për secilin person që humbi jetën në sulmet e 11 Shtatorit.

    Dritat u ngritën mbi port dhe më pas u bashkuan për të formuar siluetën e Kullave Binjake, në përmasa të plota arkitekturore.

    Sipas organizatorëve, instalacioni përkujtimor u zhvillua në bashkëpunim me pjesëtarë të komunitetit të 11 Shtatorit, përfshirë familjarë të viktimave, të mbijetuar dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës.

    Ngjarja u prezantua para ceremonisë së përvjetorit të së premtes, me mesazhin e kujtesës, reflektimit dhe unitetit.

    Projekti u krijua me kontributin e familjarëve, të mbijetuarve dhe punonjësve të urgjencës që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me tragjedinë e 11 Shtatorit.

  • Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

    Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

    Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka paraqitur deklaratat e saj gjatë seancës së deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke ngritur pretendime për përpjekje për pengimin e procesit gjyqësor.

    Ajo ka thënë se Thaçi, përballë akuzave të rënda dhe mundësisë për një dënim të gjatë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka tentuar të pengojë procesin.

    “Akuza të rënda dhe mundësinë për t’u dënuar me një kohë të gjatë, bashkë me bashkëpunëtorët e tij tentoi ta pengonte këtë proces”, ka deklaruar Kryeprokurorja e Specializuar.

    Sipas saj, gjatë hetimeve janë sekuestruar materiale të shumta, përfshirë dokumente dhe prova të tjera, të cilat, sipas Prokurorisë, dëshmojnë për përpjekjet për ndërhyrje në proces, transmeton Telegrafi.

    “U kap me shumë orë inicizime e dokumente. Kjo na kujton sesa vigjilent duhet të jemi vazhdimisht, sepse është e nevojshme të mbrojmë integritetin e procesit ndaj atyre që tentojnë ta dëmtojnë atë”, ka thënë West.

    Kryeprokurorja ka bërë pretendime edhe për përfshirjen e Thaçit në orientimin e të bashkëakuzuarve lidhur me dëshmitarët.

    “Thaçi urdhëroi të bashkëakuzuarit që të shënjestronin dëshmitarë”, tha kryeprokurorja.

    West ka pretenduar se Thaçi kishte formuar grupe të vogla me të bashkëakuzuarit, të cilët, sipas saj, kishin njohuri për dëshmitarët dhe informacionet që lidhen me ta.

    Sipas Prokurorisë, kjo veprimtari kishte vazhduar për muaj të tërë dhe ishte zhvilluar edhe gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

    “Me muaj të tërë Thaçi vazhdimisht udhëzoi të bashkëakuzuarit gjatë vizitave në objektin e paraburgimit. U tha atyre se çfarë duhet të thonin dëshmitarët ose çfarë nuk duhej të thonin, në mënyrë që të zbehte ose hiqte tërësisht fajësinë e tij”, ka deklaruar Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West.

    Ajo ka thënë gjithashtu se Thaçi u kishte dhënë të bashkëakuzuarve udhëzime të hollësishme lidhur me strukturën dhe hierarkinë e UÇK-së, përfshirë çështjen se kujt duhej t’i atribuohej autoriteti në vend të tij.

    “Ai u dha udhëzime të hollësishme sa i takon hierarkisë së UÇK-së, në veçanti se kujt duhej atribuar autoriteti në vend të Thaçit, strukturën e UÇK-së etj., dhe udhëzime për shumë aspekte të tjera”, tha West.

    Deklaratat e Prokurorisë janë pjesë e fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve për veprat penale që lidhen me administrimin e drejtësisë./Telegrafi/

  • Sulmet ruse vrasin 7 persona në Ukrainë, Kievi synon uzinat e gazit thellë në Arktik

    Sulmet ruse vrasin 7 persona në Ukrainë, Kievi synon uzinat e gazit thellë në Arktik

    Forcat ruse kanë nisur sulme në të gjithë Ukrainën, duke vrarë të paktën shtatë persona, sipas zyrtarëve ukrainas, ndërsa Kievi mori përgjegjësinë për një sulm me dron që shkaktoi një zjarr në një uzinë gazi natyror thellë në rajonin Arktik të Rusisë.

    Katër persona u vranë në një sulm rus në Mykolaiv në Ukrainën jugore gjatë natës së të enjtes, ndërsa tre u vranë në një sulm me dron në një qendër tregtare në qytetin verilindor të Sumy, sipas autoriteteve ukrainase, shkruan Al Jazeera.

    Heorhii Reshetilov, guvernatori në detyrë i rajonit Mykolaiv, tha se sulmet ruse atje goditën infrastrukturën civile dhe industriale, duke vrarë dy burra dhe dy gra. Të paktën 19 të tjerë u plagosën, tha ai në Telegram, transmeton Sinjali.

    Sulmi në Sumy la të paktën 14 persona të plagosur, sipas Oleh Hryhorov, kreut të Administratës Ushtarake Rajonale të Sumy. Tre nga viktimat ishin fëmijë, tha ai në Telegram.

    Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sulmin në Mykolaiv, por tha se ai kishte në shënjestër një depo dronësh. Ministria tha se sulmi goditi gjithashtu portin ukrainas të Chornomorsk dhe dy anije pranë Odesës në Detin e Zi.

    Ministria pretendoi se objektivat e sulmeve po përdoreshin për qëllime ushtarake.

    Sulmet erdhën pasi autoritetet ruse thanë se forcat ukrainase kishin nisur një sulm me dronë në rajonin Yamal-Nenets të vendit, i cili ndodhet rreth 2,800 kilometra nga kufiri ukrainas.

    Dmitry Artyukhov, guvernatori i rajonit, tha se sulmi kishte në shënjestër një strukturë industriale në Novy Urengoy. Sulmi u zmbraps, por mbeturinat që binin nga droni shkaktuan zjarr, tha ai në Telegram.

    “Gjëja kryesore është se nuk pati vdekje apo lëndime. Shkalla dhe natyra e dëmit po përcaktohen”, shtoi ai.

    Artem Zhoga, i dërguari i Kremlinit në Urale, tha se sulmi i së mërkurës ishte i pari që goditi ndonjëherë pjesën arktike të rajonit.

    Forcat e Operacioneve Speciale (SOF) të Ukrainës konfirmuan sulmin në një seri postimesh në X.

    “Për herë të parë! Goditja më e thellë e luftës: Forcat Speciale të Ukrainës goditën uzina kritike ruse më shumë se 3,000 km larg”, tha ajo. “Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës kryen sulmin më të thellë brenda Rusisë që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë.”

    Në postime, forca ukrainase pretendoi se “goditi me sukses” dy centrale gazi, Novy Urengoy dhe Purovsky.

    “Deri më sot, zona konsiderohej një zonë e sigurt në prapavijë për agresorin”, shtoi ajo.

    Forcat ukrainase thanë se objektet luajnë një rol kyç në industrinë e gazit të Rusisë, duke përpunuar vëllime të mëdha kondensate nga fushat e gazit në të gjithë rajonin Yamal, duke përpunuar miliona ton kondensate në vit.

    Gazprom eksportonte gaz nga Yamal deri në Evropën Perëndimore derisa marrëdhëniet u prishën pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në vitin 2022.

    Ai vlerësoi se burimet e gazit të rajonit ishin 26.5 trilionë metra kub që nga viti 2020, të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën globale për më shumë se gjashtë vjet.

    Ukraina ka përshkallëzuar sulmet e saj me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë në muajt e fundit, në hakmarrje për bombardimet e përditshme ruse të qyteteve dhe qytezave të Ukrainës.

    Më herët këtë muaj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se dronët e vendit të tij do ta bënin hapësirën ajrore ruse “plotësisht të pasigurt” për kohëzgjatjen e luftës.

  • Bastisen dy lokacione në Prishtinë, sekuestrohen armë dhe municion

    Bastisen dy lokacione në Prishtinë, sekuestrohen armë dhe municion

    Policia e Kosovës (PK) njofton se ka realizuar bastisje në dy lokacione nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Import, eksport, furnizim, transport, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga tre të dyshuar.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, janë sekuestruar një revole, 40 fishekë, dokumente e kartela bankare.

    Rr. Skender Luarasi, Prishtinë / 12.06.2025-14:30. Lidhur me rastin, me datë 09.09.2026 njësitë policore në koordinim dhe bashkëpunim me PSRK-në, kanë bastisur dy lokacione të ndryshme në Prishtinë, nën dyshimin se tre të dyshuar kosovarë janë të përfshirë në kryerjen e veprës së cekur. Gjatë bastisjes si dëshmi materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 1-revole me karikator, 40-fishekë, dy telefona celularë dhe disa dokumente identifikuese dhe kartela bankare”, thuhet në njoftim.

    Bëhet e ditur se të dyshuarit pas intervistimit, në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.