ATV

Blog

  • Avokati i një të akuzuari për krime lufte kërkon nga kryeministri Kurti të dëshmojë

    Avokati i një të akuzuari për krime lufte kërkon nga kryeministri Kurti të dëshmojë

    Përgatiti: Arbnora Luta

    Mbrojtja e Dragisha Millenkoviqit, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit ka dorëzuar një kërkesë në Qeverinë e Kosovës.

    Avokati i Millenkoviqit, Dejan Vasiq, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes të intervistohet për këtë rast.

    Duke përmendur faktin se Kurti, në kohën kur i dyshuari Millenkoviq ka punuar në burgun e Prishtinës, ka qenë i arrestuar, Vasiq thotë që dëshmia e kryeministrit është shumë e rëndësishme për klientin e tij.

    “Kam dorëzuar kërkesën me të cilën lus që kryeministri në cilësinë e qytetarit të dëgjohet në Prokurorinë Speciale në lëndën e Dragisha Millenkoviqit nga Graçanica, lidhur me ngjarjet në burgun e qarkut të Prishtinës, sa ishte i mbyllur aty”, tha Vasiq.

    Sipas Vasiqit, klienti i tij, madje, i ka dërguar libra kryeministrit Kurti sa ishte i burgosur në burgun, ku sipas Prokurorisë, Millenkoviq dyshohet se rrahu e keqtrajtoi civilë shqiptarë.

    “Jam i sigurt që do ta shqyrtojnë kërkesën e të mos refuzojnë. Ai do të dëgjohej si qytetar bazuar në funksionin e tij. Jam i sigurt që ai do të përgjigjet sinqerisht. Nga biseda me klientin tim jam i sigurt që do t’i kujtojë ngjarjet, pres që kjo të ndodhë sepse nuk mendoj se ekziston ndonjë nevojë për pompozitet. Thjesht ky dëgjim do t’i ndihmojë prokurorisë të zbuloje të vërtetën. Kishim bashkëpunim të mirë me prokurorin e kësaj lënde”, tha Vasiq.

    ATV-ja ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit për media, për një qëndrim rreth kërkesës së Vasiq, por nuk ka marrë një përgjigje.

    Ndërkohë, sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Millenkoviq, i cili u arrestua në qershor të këtij viti, dyshohet se gjatë periudhës së luftës në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

    Ai dyshohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga burgu i Dubravës në këto dy burgje, i ka detyruar ata të kalojnë përmes një kordoni, duke i goditur me shkop, grushte dhe shqelma. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Raporti i IPK-së për shqyrtimin e lëndëve ndaj policëve

    Raporti i IPK-së për shqyrtimin e lëndëve ndaj policëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Departamenti i inspektimeve në Inspektoratin Policor ka publikuar Raportin e inspektimit për Shqyrtimin e lëndëve për shkelje disiplinore dhe shqiptimi i masave ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor.

    Rezultatet e raportit për vitin 2022, i kanë vënë në pah disa probleme, posaçërisht me mungesë të stafit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor.

    “Janë identifikuar dobësi që kërkojnë trajtim, duke përfshirë burimet e pamjaftueshme nga radhët e personelit të përhershëm, për të përballuar numrin e madh të lëndëve, aspektet teknike dhe kohore në përzgjedhjen dhe vazhdimin e mandateve të anëtarëve të përkohshëm zëvendësues, respektimin e parimit të përfshirjes në panele të anëtarëve nga komunitetet jo shumicë, apo të gjinisë femërore varësisht prej specifikave të rasteve”, thuhet në raportin e IPK-së.

    Kështu, në mënyrë që të rritet efikasiteti, raporti që u përpilua nga dy inspektorë, jep gjashtë rekomandime.

    “IPK-ja i rekomandon kryesuesit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor, që të analizojë gjendjen sasiore me burime njerëzore dhe në koordinim me Zyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Resurse, të shqyrtojë mundësitë e shtimit të numrit të anëtarëve të përhershëm, duke konsideruar numrin aktual si të pamjaftueshëm për të përballuar ngarkesën e punës”, thuhet në raport.

    30,5 për qind e lëndëve ndaj zyrtarëve policorë, janë mbyllur me masë të shqiptuar, sipas rekomandimit. Në 25,8 për qind të tyre, është ulur masa e kategorisë së shkeljes. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrjedhje e ujit, njësia B2 ndal prodhimin përkohësisht

    Rrjedhje e ujit, njësia B2 ndal prodhimin përkohësisht

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Aktualisht, Korporata Energjetike e Kosovës është duke prodhuar energji elektrike me më pak se 30% të kapacitetit të përgjithshëm, pasi asnjëra nga dy njësitë e Termocentralit Kosova B nuk është në prodhim.

    Derisa njësia B1 është në remont të rregullt, njësia B2, e cila ka kryer më herët remontin, ndali përkohësisht prodhimin për shkak të një problemi.

    Duke njoftuar se ndalja u bë për të parandaluar ndonjë avari eventuale, në KEK njoftuan se kjo njësi, e cila ka kapacitet prej 260 megavatë/orë energji elektrike, pritet të rinisë prodhimin para fundjavës.

    “Tri njësi kanë qenë në operim: njësia B2 e Kosovës B, si dhe dy njësi të Kosova A, A3 dhe A5. Njësia B2 është ndalë për shkak të rrjedhjeve të ujit, sot në orët e para të mëngjesit, dhe pritet të riparohet dhe të kthehet në prodhim nesër”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

    Deri në kthimin në prodhimin, KEK-u do të importojë energjinë e nevojshme për t’i mbuluar nevojat e brendshme – sipas kontratës me KEDS-in.

    “Nuk ka mungesë të energjisë elektrike, sepse KEK-u është duke kontraktuar energji aq sa kapaciteti i njësisë B2, deri në rikthimin e saj në prodhim. Dy njësitë e Kosovës A, së bashku, janë duke prodhuar 260 megavatë. Ndërsa, 260 megavatë të tjera KEK-u i siguron përmes kontraktimit. Në total janë kapaciteti në dispozicion është 520 megavatë orë”, tha Bucolli.

    Kapaciteti i përgjithshëm prodhues i dy termocentraleve është pak më shumë se 900 megavatë/orë energji elektrike – dy njësi të Kosovës B nga 260 megavatë secila dhe tri të Kosovës A nga 130 megavatë secila.

    Programi për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë parasheh investime në vlerë 415 milionë euro, nga ky vit e deri më 2025, për rehabilitimin e njësive prodhuese në dy termocentralet. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Të paktën 36 persona të vdekur nga zjarret në Havai

    Të paktën 36 persona të vdekur nga zjarret në Havai

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Mijëra banorë të Havait janë detyruar të largohen nga shtëpitë në Maui, pasi zjarret u përhapën në gjithë ishullin, duke shkatërruar pjesë të qyteteve të vjetra me shekuj.

    Rreth 40 persona deri më tani kanë vdekur, si pasojë e zjarrit ndryshe më vdekjeprurësi në disa dekada në territorin amerikan. Zjarret janë përhapur për shkak të erës së fuqishme e nxitur nga një uragan në afërsi.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar për shumë persona të zhdukur.

    Zjarri u përhap befas, sipas autoriteteve, duke lënë shkatërrim pas vetes. Ekipet e zjarrfikësve u shpërndanë në disa zona të ishullit, derisa shumë njerëz shpëtim gjetën në ujin e oqeanit.

    Sipas zyrtarëve, rreth 300 struktura u dëmtuan ose u shkatërruan tërësisht dhe dhjetëra persona u lënduan. Ndërkaq, pesë qendra evakuimi janë hapur në Maui, por zyrtarët kanë thënë se të gjitha janë të mbingarkuara me njerëz.

    Prefekti i qytetit Maui, Richard Bisses, tha se ishulli po sfidohet si kurrë më parë.

    Teksa zjarret ende nuk janë shuar turistët janë këshilluar të qëndrojnë larg. Rreth 11.000 vizitorë fluturuan nga Maui të mërkurën, me të paktën 1.500 të tjerë që pritet të largohen të enjten, sipas Ed Sniffen, drejtor i transportit shtetëror.

    Zyrtarët përgatitën Qendrën e Konventës në Havai në Honolulu, për të pranuar mijëra të zhvendosur. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeministri beson se peticioni është forma më e mirë për zgjedhjet në veri

    Kryeministri beson se peticioni është forma më e mirë për zgjedhjet në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Peticioni në katër komunat veriore, po shihet si forma më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryeministrit Albin Kurti. Kryeministri shpreson që të mos përsëritet situata kur serbët i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit.

    “Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji”, tha Kurti.

    Megjithatë, këtë ide nuk e përkrah kryetari i Zubin Potokut. Izmir Zeqiri mendon se kryetarët duhet të japin dorëheqje.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti mes tjerash, kërkoi nga Bashkimi Evropian, largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që, sipas tij, deeskalimi në veri ka ndodhur.

    “Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova, meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, tha Kurti.

    Teksa Bashkimi Evropian ka kërkuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri. Ky udhëzim, duhet të jetë gati deri më 1 shtator. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti viziton Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë – Prizren temë diskutimi

    Kurti viziton Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë – Prizren temë diskutimi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ishte njëri nga premtimet e kryeministrit Albin Kurti në kohë fushate. Madje, rrugën Tetovë – Prizren e kishte paralajmëruar edhe zëvendësministri Hysen Durmishi. Por, puna në terren nuk ka filluar ende, teksa nga Qeveria shpalosen detaje për fazën e projektit.

    “Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive, ne kemi vazhduar me fazën tjetër të këtij projekti që është formimi i komisionit ndërshtetëror që udhëhiqet nga dy zëvendësministrat respektivë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Bekim Rexhepi. Komisioni i përbashkët ka përzgjedhur variantin e që është varianti me tunelin 6.4 km”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Aktualisht, dy Qeveritë janë para nënshkrimit të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor për këtë tunel që parashihet të ndërtohet bashkërisht.

    “Rrugën në pjesën e Kosovës e projektojmë dhe e ndërtojmë ne, kurse rrugën në territorin e Maqedonisë së Veriut e projekton dhe e ndërton Maqedonia e Veriut. Kosova ka bërë hapat parë në këtë drejtim, duke finalizuar hartimin e projektit kryesor nga dalja e tunelit e deri në kyçjen në autostradën “Ibrahim Rugova”, tha Kryeziu.

    Ndërkaq, pikërisht ky aks rrugor do të jetë temë diskutimi në vizitën që Kryeministri Albin Kurti të premten do ta zhvillojë në Maqedoni të Veriut.

    Kurti do të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së re që lidh fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë që parashihet të rrisë kapacitetet e turizmit malor dhe do të përafrojë Tetovën me Prizrenin.

    Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Fluks i lartë i pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor

    Fluks i lartë i pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor

    Përgatiti: Sara Shehu

    Si pasojë e ndryshimit të temperaturave, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është rritur numri i pacientëve.

    Sipas Kryeshefit të qendrës, Valdet Hashani, pacientët më së shpeshti kanë nevojë për infuzione.

    “Për shkak të ndryshimit të këtyre temperaturave, ngritjes dhe uljes së temperaturave të përnjëhershme, kemi shumëzimin ose ndryshimin e infeksioneve, qoftë bakteriale ose virale, me çka u rrit edhe numri i pacientëve, të cilët kërkonin ndihmë shëndetësore. Me këtë u rrit edhe dhënia e infuzioneve, në qendrën tonë, ku QKMF-ja në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, kanë shpenzuar një sasi të mjaftueshme të mjeteve pikërisht për shkak të infuzioneve ose terapisë parainterale për rehidrimin e pacientëve… Në këto ditë ku është freskët vërehet që është rritë numri i gastroenteriteve, meqë edhe dhënia e infuzioneve në qendrat tona është rritur për 10 ose 20 për qind”, tha Hashani.

    Hashani tha se në fluksin e lartë të pacientëve, ka ndikuar edhe ardhja e mërgimtarëve.

    “Fillimisht ju e dini që vera erdhi me pak vonesë dhe temperaturat ishin shumë të ulëta, për një moment të caktuar, brenda dy-tri javëve të fundit, patëm një fluks, një temperaturë të madhe, pra ngritje të temperaturave, të cilat i arrijnë 40-gradëshin, të cilat ishin shumë të vështira për pacientët, sidomos tek ata të cilët ishin me sëmundje kronike, dhe fëmijët. Por, jo vetëm ata, ishte faktikisht rraskapitëse edhe për gjithë popullatën… Rritja e këtij fluksi u ngrit edhe me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë, edhe me rritjen e gastroenteriteve”, tha Hashani.

    Sfidë për pacientët të cilët kërkojnë mjekim është se një pjesë e stafit janë nëpër pushime, ndërkohë që kujdesi parësor shëndetësor ofron shërbime për mbi 700 mijë qytetarë.

    Ndryshe, kryeshefi i QKMF-së paralajmëroi se prej javës së ardhshme, do të ketë rritje të kërkesave për shërbime shëndetësore, meqenëse, sipas tij, do të ketë rritje të temperaturave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një i vrarë e tre të plagosur në Runik të Skenderajt

    Një i vrarë e tre të plagosur në Runik të Skenderajt

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Një person është vrarë dhe tre janë plagosur kur dy persona të maskuar, hynë në këtë lokal në fshatin Runik të Skenderajt, në orët e para të mëngjesit. Të dyshuarit për kryerjen e kësaj vepre penale, sipas Policisë, janë në arrati.

    “Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, Policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafene, në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimit e kryesit/ve, të veprës dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.”

    Ndërkaq, viktima N.L. është 39 vjeç. Sipas dëshmitarëve, ai mbeti i vdekur nga plumbat e një kallashnikovi, që u shkrep brenda lokalit, ku ndodheshin rreth 12 persona.

    Tre të plagosurit nga të shtënat po marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare. Avdush Bajgora, shef në Qendrën Emergjente tha se të tre janë jashtë rrezikut për jetë por njërit i është amputuar këmba.

    “Rastet i kemi trashëguar nga ndërrimi i natës, gjithsej momentalisht në reanimacion janë dy pacientë të lënduar me armë zjarri në ekstremitetet e poshtme dhe një pacient është në mjekim intensiv. Pacientët kanë pësuar lëndime si rezultat i goditjes me armë zjarri, janë bërë të gjitha ekzaminimet imazherike, analizat laboratorike dhe gjendja e pacientëve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, përkundër lëndimeve të rënda që i kanë pësuar”, tha shefi i Qendrës Emergjente, Avdush Bajgora.

    Derisa autoritetet njoftuan se janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e fajtorëve për këtë vrasje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngjarjen në fshatin Runik e cilësoi si vrasje të rëndë.

    Ngjarja në Runik e çon në tre numrin e vrasjeve të raportuara në javën e fundit në Kosovë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mërgimtarët që tashmë janë nisur drejt vendeve ku jetojnë për të dalë nga Kosova detyrohen të presin me orë të tëra. Deri në 1 kilometër ishte kolona gjatë ditës në drejtim të daljes së kufirit në Merdar. Pritjet për ta kaluar atë ishin deri në 3 orë.

    Me një gjë të tillë po presin të përballen edhe në kufijtë e shteteve tjera.

    Gjendje përafërsisht e njëjtë ishte edhe në dalje të kufirit në Jarinjë. Sipas qendrës për menaxhim kufitar, në mesditë pritjet ishin deri në 2 orë, e në Mutivodë deri në 1 orë.

    Ndërkohë, me pritje shumë të gjata nuk u përballën ata që zgjodhën pikën kufitare Dheu i Bardhë e Muçibabë. Pritjet në mesditë ishin mesatarisht 25 minuta në dalje të kufirit në Muçibabë e 20 minuta tek Dheu i Bardhë.

    Derisa ata që po hyjnë në Kosovë përmes kufirit, Dheu i Bardhë, kanë pritur deri në 1 orë e gjysmë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Neymar dhe PSG do të ndajnë rrugët këtë verë

    Neymar dhe PSG do të ndajnë rrugët këtë verë

    Siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Neymar dhe Paris Saint-Germain janë duke punuar së bashku, për të arritur një marrëveshje për shkëputje të kontratës.

    Neymar dhe PSG si duket nuk do të vazhdojnë të ardhmen së bashku, dhe të dy palët dëshirojnë që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja për tu larguar këtë verë.

    Neymar ka oferta nga Arabia Saudite, respektivisht Al Hilal, si dhe nga Liga Amerikane (MLS).

    Në anën tjetër, Barcelona duhet të vendosë nëse dëshiron që të provojë rikthimin e Neymar në klub apo jo.