ATV

Blog

  • Arrestohet një person i kërkuar në Kaçanik

    Arrestohet një person i kërkuar në Kaçanik

    Një person i kërkuar u arrestua sot në Kaçanik.

    Policia informoi se i dyshuari A.P ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprat penale “Kanosje” dhe “Dhunë në familje” me dënim burgimi prej tetë muaj e gjysmë burgim.

    “Sot, në ora 12:50 në fshatin Gërlic e Epërme të Kaçanikut, policët e stacionit në Kaçanik kanë ndaluar e më pas kanë arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë të gjykatës , A.P (M/K), i moshës 30 vjeçar. Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.”, është bërë e ditur në njoftim.

    Policia ka fton qytetarët për bashkëpunim, sa herë që kanë informacione për personat e kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë stacionin e policisë më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

  • ​Reali në panik, Courtois e pëson keq

    ​Reali në panik, Courtois e pëson keq

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois ka këputur ligamentin ACL gjatë stërvitjes së sotme me klubin.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë gjiganti spanjoll, i cili tha se Courtois do t’i nënshtrohet operimit gjatë ditëve në vazhdim, raporton KosovaPress.

    “Pas testeve të bëra sot në lojtarin tonë Thibaut Courtois, ai është diagnostikuar me këputje të ligamentit ACL në gjurin e tij të majtë. Lojtari do t’i nënshtrohet operimit gjatë ditëve në vazhdim”, shkruante në komunikatën e Realit.

    Tani, siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Reali është i përgatitur që t’i hyjë merkatos për një portier të ri, i cili do ta zëvendësojë Courtois gjatë mungesës së tij.

  • ​Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

    ​Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

    Policia Kufitare, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat i kësaj është identifikuar një rast i kontrabandës me mallra në veri të vendit.

    Njësia policore gjatë patrullimit në zonën kufitar, përkatësisht në liqenin e Ujmanit, ka vërejtur një mjet lundrues (barkë), të cilën e kanë përcjellë dhe kanë identifikuar vendin e ndaljes.

    “Njësitë policore, me të arritur në lokacion, në mes të rrugës kanë hasur në një veturë të braktisur, me targa të Serbisë. Vetura e braktisur, dyshohet se ishte ngarkuar me mallin që ndodhej në barkë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme, si: telefona mobil (19 copë), cigare (830 pako) të llojeve të ndryshme, çanta, veshmbathje, mjete shkollore (lapsa, fletore, ngjyra, gërshërë etj), lodra për fëmijë, kozmetikë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Rasti do të trajtohet nga njësitet përkatëse policore të Drejtorisë Rajonale Policore Kufitare-Veri në koordinim me organet e drejtësisë dhe Doganën e Kosovës.

  • ​Rriten pagat e mësimdhënësve për 15% në Bullgari

    ​Rriten pagat e mësimdhënësve për 15% në Bullgari

    Në Bullgari rriten për 15 për qind pagat e mësimdhënësve sipas aneksit të Marrëveshjes Kolektive të Punës për sistemin arsimor parashkollor dhe shkollor, të nënshkruar të enjten nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Galin Tzokov dhe partnerët socialë. Rritja e pagës hyn në fuqi në mënyrë retroaktive nga 1 janari i vitit 2023, tha Ministria e Arsimit në një njoftim për shtyp.

    “Në këtë mënyrë, qeveria garanton prioritetin kombëtar për ruajtjen e nivelit të pagave të mësimdhënësve në 125% të pagës mesatare në vend”, tha Prof. Tzokov. Sipas tij, zgjidhjet më të mira për sistemin arsimor mund të gjenden vetëm përmes dialogut të mirë dhe konstruktiv me partnerët socialë. Ministri u shpreh i kënaqur që me buxhetin e shtetit garantohen si pagat e punonjësve të arsimit ashtu edhe vazhdimi i rinovimit dhe modernizimit të shkollave dhe konvikteve në të gjithë vendin.

    Me aneksin e nënshkruar, paga bazë mujore minimale për mësimdhënësit bëhet 1709 BGN. E njëjta gjë do të jetë për të gjithë specialistët e tjerë pedagogjikë – mësimdhënësit, edukatorët, logopedët, psikologët, këshilltarët pedagogjikë etj.

    Paga bazë minimale për mësimdhënësit e vjetër dhe edukatorët e vjetër do të bëhet 1763 BGN dhe për mësimdhënësit kryesorë dhe drejtuesit e arsimit – 1831 BGN. Drejtorët do të marrin të paktën 2,082 BGN në muaj dhe zëvendësdrejtorët – 1,926 BGN.

    524 milionë BGN nga buxheti i shtetit janë ndarë për rritjen e pagave të mësimdhënësit.

    Aneksi i Marrëveshjes Kolektive të Punës u nënshkrua nga Ministri i Arsimit Tzokov, presidentja e Sindikatës Bullgare të Mësimdhënësve me Konfederatën e Sindikatave të Pavarura në Bullgari (CITUB), Yanka Takeva, kreu i Sindikatës së Arsimit me Konfederatën e Punës të Podkrepës, Julian Petrov, kreu i Sindikatës së Pavarur të Mësimdhënësve me CITUB, Asparuh Tomov./BTA-KosovaPress/

  • IPK kërkon suspendimin e një rreshteri në veri

    IPK kërkon suspendimin e një rreshteri në veri

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se dje (e mërkurë) si rezultat i veprimeve hetimore ka parashtruar kërkesë drejtorit rajonal të Policisë Kufitare Veriu për suspendim në kohëzgjatje deri në tri ditë (3) ndaj një zyrtarit policor me gradën rreshter, i cili shërben në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare Leposaviq – Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu.

    Kjo kërkesë, sipas IPK është nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.

    “Ky rast në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • ​Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

    ​Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

    Rreth dy muaj pas fillimit të pilot projektit të javës katërditore të punës, Sekretari i Shtetit për Punën, po bën një vlerësim pozitiv të projektit, duke thënë ai ka indikacione se punëtorët dhe organizatat janë të kënaqur.

    Bilanci përfundimtar i përvojës që mbulon 39 kompani dhe rreth 1000 punëtorë, e cila filloi më 5 qershor, do të bëhet vetëm në fund të gjashtë muajve të projektit, por sekretari i Shtetit për Punën, Miguel Fontes, i cili po vizitonte një nga kompanitë pjesëmarrëse, Crioestaminal, në Cantanhede, tha për Lusën se ai kishte, për momentin, “indikacione pozitive” nga pjesëmarrësit.

    “Informacioni që na vjen është shumë pozitiv, në të cilin personat që po punojnë katër ditë në javë janë veçanërisht të kënaqur me këtë mundësi, ata mendojnë se cilësia e punës dhe e jetës së tyre është përmirësuar”, tha ministri, raporton Lusa.

    Sipas Miguel Fontes, përvoja në këto kompani mund të tregojë se, me javën katërditore të punës, “ulen mungesat në punë, rritet niveli i atraktivitetit të këtyre kompanive”, duke u bërë kështu më konkurruese.

    “Nga këndvështrimi i organizatave, ajo që na dëshmojnë është se kjo i ka detyruar të ridizajnojnë proceset e punës, të riorganizojnë metodologjitë e punës, por që tani për tani nuk mendojnë se ka ndonjë rezultat më pak pozitiv për shkak se i janë bashkuar projektit të javës katërditore”, ka shtuar ai, duke theksuar megjithatë se “është ende herët” për një vlerësim përfundimtar.

    Pilot projekti filloi më 5 qershor, me 39 kompani dhe rreth 1,000 punëtorë që iu bashkuan nismës.

    Projekti synon të vlerësojë zbatimin e javës katërditore, me uljen përkatëse të numrit të orëve të punës, pa ulur pagën dhe ka për qëllim punëdhënësit dhe punonjësit që dëshirojnë të bashkohen vullnetarisht, sipas urdhëresës së publikuar në Diario da Republica, gazeta zyrtare e qeverisë.

    Parashikohet që subjektet që regjistrohen në programin pilot do të vlerësohen para, gjatë dhe pas programit, nëpërmjet treguesve që lidhen me kompaninë, si produktiviteti dhe kostot e ndërmjetme, si dhe me punëtorët, përfshirë shëndetin dhe mirëqenien.

    IEFP – Instituti i punësimit dhe trajnimit profesional merr përsipër kostot dhe shpenzimet që lidhen me zhvillimin e programit pilot deri në një shumë të përgjithshme maksimale prej 350,000 euro.

  • Babai i argjentinases që u vra në Kosovë: Janë gjetur informata të rëndësishme për shkakun

    Babai i argjentinases që u vra në Kosovë: Janë gjetur informata të rëndësishme për shkakun

    Drejtësia në Kosovë vijon hetimet për rrethanat në të cilat humbi jetën 27-vjeçarja argjentinase në Fushë Kosovë.

    I dashuri i saj, Endrit Nika, është ende në paraburgim, pasi dyshohet për vrasje

    Facundo Urdangaray, babai i María Clara Urdangaray, 27-vjeçares argjentinase që vdiq në Kosovë pasi u rrëzua nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë derisa ishte me të dashurin e saj, dha detaje të reja për ecurinë e hetimeve dhe gjithashtu raportoi se familja e saj ende po lufton për të riatdhesuar trupin e të resë.

    Burri shpjegoi se mjekësia ligjore gjeti lëndime që nuk përputhen me rënien nga lartësia, pra ato ishin të mëparshme.

    Edhe pse ende nevojitet më shumë ekspertizë, kjo do ta komplikonte Endrit Nikën, të dashurin e saj zviceran nga Kosova, i cili ndodhet në paraburgim në Kosovë, pasi rasti po hetohet si një femicid i mundshëm.

    “Ata kanë gjetur shenja në trupin e vajzës sime se ka pasur lëndime të mëparshme. Mavijosje në krahët e saj. Kur një person bie nga një lartësi e tillë, ai ka lëndime të caktuara, por nëse ju shtrëngojnë fort krahët, ato lëndime nuk janë prej rënies,” shpjegoi Urdangaray për Radio 221 në Argjentinë.

    Nga ana tjetër, babai i së resë ka insistuar në kërkesën e tij që -pas ekspertizës përkatëse- të riatdhesojnë trupin e Klarës.

    Prindërit e María Clara Urdangaray ngritën një fushatë për të mbledhur fondet e nevojshme, por ata duhej të bllokonin llogarinë bankare.

    “Filluan të më hynin para që nuk mund t’i justifikoja, që nuk mund t’i faturoja dhe hynin para. Kështu që më duhej të bllokoja llogarinë”, tha ai për mediat argjentinase.

    Urdangaray tregoi gjithashtu se sa do të kushtonte riatdhesimi, sipas asaj që u informua.

    “Ndoshta dikush nga shteti argjentinas merr përgjegjësinë për këtë. Flitet nga 4000 deri në 8000 euro. As unë nuk e di cila është e vërteta, një gjë të thonë dhe një tjetër del, nuk e di saktësisht sa”, tha ai.

  • Lajmi i fundit nga QKUK, kjo është gjendja e të plagosurve në Runik të Skenderajt

    Lajmi i fundit nga QKUK, kjo është gjendja e të plagosurve në Runik të Skenderajt

    Tre personat e plagosur në Runik të Skenderajt janë dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa njëri prej tyre është në kujdes intensiv.

    Avdush Bajgora nga Emergjenca e QKUK-së, tha se njëri nga të plagosurit do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit.

    Ai bëri të ditur se lëndimet kanë qenë serioze, ndërsa sipas tij parametrat e pacientëve të pranuar në reanimacion janë stabile.

    “Në qendrën emergjente kanë kërkuar ndihmë tre pacientë si rezultat i lëndimit me armë zjarri nga të cilët njëri i është nënshtruar intervenimit kirurgjikal dhe ndodhet në mjekim intensiv, njëri nga pacientët është dërguar në Klinikën e Ortopedisë ndërsa njëri pritet se do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit. Lëndimet kanë qenë serioze ndërsa sa i përket paramertrave vitale flas gjithmonë për pacientët të cilët kanë qenë në reanimacion, parametrat janë stabile, ndërsa lëndimet janë serioze”, tha Bajgora.

    Specialisti anesteziolog në repartin intensiv, Betim Merdiu, tha se gjendja e njërit nga të plagosurit është e rëndë, duke treguar se këmba e tij është e amputuar poshtë gjurit.

    “Në orën e mëngjesit është sjellë një pacient nga salla e kirurgjisë urgjente, gjerësisht si pasojë e lëndimeve të marra nga armët e zjarrit, është punuar nga ekipa kujdestare nga mjeku ortoped dhe kirurg vaskular, kirurg plastik dhe nga ekipa e anestezionit. Në mjekimin intensiv pacienti trajtohet me produkte te gjakut si pasojë e shokut hemorragjik, gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rënduar, është bërë amputimi nën gjurin e këmbës si pasojë e plagëve të ndërmarra, është bërë intervenimi kirurgjik. Për momentin gjendja është e rënduar, pacienti i gjinisë mashkull mosha 31 vjeçare. Në mjekimin intensiv është pranuar vetëm një pacient prej plagëve të marra dhe si pasojë e përkeqësimit të gjendjes”, tha ai.

    Vrasja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:21.

    Siç tha ai, njëri nga të lënduarit, viktima N. L 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK./kp

  • Prishtina nuk e nis sezonin e ri në “Fadil Vokrri”

    Prishtina nuk e nis sezonin e ri në “Fadil Vokrri”

    Përmes një komunikate zyrtare, skuadra e Prishtinës e ka bërë të ditur se dy ndeshjet e para të sezonit të ri të Superligës së Kosovës si vendase nuk do t’i zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Dy ndeshjet e para si vendase Prishtina do t’i zhvillojë në kampin nacional në Hajvali.

    Në xhiron e parë Prishtina luan kundër Feronikelit, kurse në xhiron e tretë me Malishevën, të dyja këto ndeshje që ishin paraparë të zhvillohen në “Fadil Vokrri”.

    “FC Prishtina ka pranuar këtë akt për të mirëkuptuar ndeshjet kualifikuese të Kosovës për muajin shtator”, bëri të ditur Prishtina në komunikatën zyrtare.

    Prishtina e nis sezonin e ri të Superligës së Kosovës këtë të shtune (12 gusht), ku me fillim nga ora 17:00 do të përballet me Feronikelin.

  • Katër vrasje për 10 ditë – Rexhepi: Po ballafaqohemi me pasojat e posttraumës, plagët e luftës janë të freskëta

    Katër vrasje për 10 ditë – Rexhepi: Po ballafaqohemi me pasojat e posttraumës, plagët e luftës janë të freskëta

    Neuropsikiatri, Sami Rexhepi i tha Ekonomia Online, se si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur ankthi dhe për rrjedhojë edhe mundësia për konflikte është më e madhe shkak i uljes së pragut të durimit.

    Ai thotë se plagët e luftës ende janë të freskëta dhe se pandemia pa shkaktuar izolim total dhe se tash po ballafaqohemi me pasojat të posttraumës. Rexhepi theksoi se ndonëse të rinjtë janë gjeneratë e pasluftës, janë rritur me traumat që ka lënë si pasojë kjo e fundit.

    Por sipas tij, si shoqëri, e poashtu mediumet është mirë të krijojnë një platformë debati ku fokus të jetë ofrimi i asaj se çka popullata ka nevojë e jo se çka profesionistët duan të ofrojnë.

    “Po flasim për një shoqëri e cila i ka ende plagët e freskëta të një lufte shumë të dhunshme, me pasoja shumë të mëdha. Po flasim për një shoqëri e cila sa ka dal prej një pandemie e cila ka shkaktuar një izolim të plotë dhe jemi duke u ballafaquar me pasojat të posttraumës”.

    “Një pjesë e madhe e të rinjve janë gjeneratë e pasluftës, mirëpo pasojat e luftës dhe të traumës janë ende në familje, dhe janë rritur këta fëmijë me këto pasoja. E dyta; jemi duke folur për një periudhë kohore kur shumë prej bashkatdhetarëve tanë kthehen në shtëpi, por ata të rinj të cilët janë të rritur me një vend tjetër, me një kulturë tjetër, të cilëve u kanë thënë se tradita dhe kultura jonë është e prapambetur dhe të cilët duan të ikin nga ky sistem i prapambetur, por ata ende nuk e kanë marrë një kulturë apo traditë të një vendi tjetër, dhe çka ndodhë është se është larguar një sistem i vlerave i cili nuk është i mirë dhe i përshtatshëm, nuk është marrë tjetri dhe defacto ne kemi mbetur pa sistem të vlerave”.

    Rexhepi përmendi edhe ardhjen e mërgimtarëve duke theksuar vrasjen e argjentinases, të cilën dyshohet se e hodhi nga kati i gjashtë, i dashuri i saj nga Drenasi, e i cili jeton në Zvicër.

    Ai tha se tek bashkatdhetarët tanë ka dyzim të kulturave ku nganjëherë mospërshtatshmëria apo konflikti midis kulturave i lë pa ndonjë sistem vlerash fare.

    “Apo t’i marrim të rinjtë të cilët janë këtu; me një shkallë shumë të lartë të papunësisë, me një shkallë shumë të lartë të varfërisë, me një shkallë ku promovohet vlera se dikush vjen vetëm nëse ka një ekzistencë shumë të mirë ekonomike, apo nëse është i pasur, dhe vlera e tij llogaritet në euro apo në dollarë dhe e kemi humbur një sistem të vlerave të cilin ne e kemi e që është më e madhja; familja. Nuk e kemi humbur ende, është në zbehje e sipër e që do të ketë pasoja. Nuk është dhuna tek ne më shumë se në vendet e tjera, nëse e marrim me e krahasuar me sport, ne kemi sportistë individualë që kanë arritur rezultate kulmore, dhe kemi një qëndrueshmëri në ato sporte”.

    “Cilin sport kolektiv ne e kemi të mirë? Ne si individë funksionojmë por jo si kolektivitet. Nuk mund të flasim për shëndetin mendor duke akuzuar vetëm profesionistët e shëndetit mendor, tash kemi shumë më shumë psikologë, numri i psikiatërve nuk është rritur dhe do të jetë në rënie për një kohë. Por për një mirëqenie të mirë, për një shëndet mendor të mirë, posaçërisht po flas për të rinjtë, nuk është vetëm çështje e policisë se a po funksionon siç duhet, ose vetëm e gjyqësisë, apo e arsimit. Problemi është se nuk ka një interaksion të këtyre profileve që do të ofronin një siguri më të madhe”.

    Ai pohon se shoqëria jonë funksionon shumë më mirë individualisht se kolektivisht dhe se fajin nuk e hedh tek një sferë e vetme. Sipas tij, ka mungesë të bashkëpunimit me qëllim ofrimin e sigurisë më të madhe për të gjithë.

    Gjithashtu neuropsikiatri Rexhepi tha se e sheh të arsyeshme që për individët që kanë interaksion të punohet me ta, si dhe se të organizohen aktivitete e turne ku të rinjtë të munden të lirojnë energjinë e tyre, raporton EO.

    “Ne i kemi të rinjtë me plot energji, qysh kur unë kam qenë student, që është më shumë se 40 ose 45 vite, ne atëherë kemi pasur gara, turnine të ndryshme, qysh prej gjimnazit. Këto aktivitete sot mungojnë. Ata të rinj duhet diku ta zbrazin atë energji. Nuk mund ta fajësojmë gastronominë, merreni me mend nëse ju shkoni në një lokal të pini kafe, dhe duke hy brenda dikush ju bastisë, si do të ndiheni. Kështuqë nuk mund ta fajësojmë gastronominë, ata i kanë truprojat, rojat aty, por edhe ata e kanë të kufizuar qasjen me mysafirë. Ka rënë pragu i durimit shumë, ne nuk kemi problem vetëm në lokalet apo klubet e natës, ne i kemi të njëjtat probleme në semaforë, ku ndalemi të presim, ne i kemi të njëjtat probleme në parkingje, poashtu në markete e në qendrat për blerje. Kudo që ka më tepër njerëz. Më pas i kemi personat të cilët shërbejnë. Thjesht nuk janë të interesuar se ata do të kenë punë dhe do ballafaqohen me njerëz me prag të ndryshëm të durimit. Nuk është sikurse dikush ta ofron një kafe me një buzëqeshje e sikur kur vetëm ta lëshon në tavolinë”.

    “Ne si shoqëri duhet të punojmë për ta parandaluar ose minimizuar dhunën në familje. Si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur niveli i ankthit, është ulur pragu i durimit dhe mundësia për konflike është shumë më e madhe për shkak se shumë shpesh vjen në shprehje imulsiviteti i individit dhe nuk duhet shumë për të arritur tek një konflikt. Kjo është ajo ku ne si shoqëri, ju si medie, do ta krijoni mundësinë e debateve të ndryshme ku do të shkëmbehen mendime edhe të profesionistëve por edhe të popullatës. Sepse nuk duhet popullatës t’i ofrojmë atë çka ne kemi ose atë çka ne mundemi, ne thjesht duhet të ndërgjegjësohemi që popullatës t’i ofrohet ajo për çka ka nevojë jo ajo që ofrojmë ne”.

    Përgjatë këtyre ditëve, kanë ndodhur katër vrasje një grua dhe tre burra. Për vrasjen e argjentinases është arrestuar i dyshuari, mirëpo për tri rastet tjera, ka ende të dyshuar në arrati. Për rastin në Klinë është Tush Frroku, ndërsa për atë në “Bon Vivant” është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar.

    Të paidentifikuar janë edhe dy persona tjerë që dyshohet se e kanë vrarë sot një person dhe kanë plagosur tre të tjerë në Skenderaj.

    Tashmë është bërë i ditur edhe identiteti i të vrarit dhe i të plagosurve. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë Negjmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç. Akoma nuk dihen motivet e vrasjes.