ATV

Blog

  • Reagon MINT: Mirëpresim hetimet, nuk ka ndodhur asnjë dëm në rezerva shtetërore

    Reagon MINT: Mirëpresim hetimet, nuk ka ndodhur asnjë dëm në rezerva shtetërore

    Ministria e Rozeta Hajdarit, ka reaguar pas arrestimeve të sotme në MINT. MINT ka theksuar se mirëpret këtë hetim, ndonëse kanë shtuar se furnizimet me rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin.

    Sot janë arrestuar tre persona në lidhje me aferën e grurit dhe vajit, të cilat i publikoi kohë më parë gazeta Nacionale. Në mesin e të arrestuarve është edhe Ridvan Muharremi, pronari i furrës/restoranit “Bukë e Zemër”.

    Reagimi i plotë:

    Sot, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, erdhën njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyret e dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Drejtorit të Departmentit për rezervat shtetërore, z. Hafiz Gara dhe Drejtorit të Deparmentit të integrimeve evropiane, z.Irfan Lipovica.

    Për më tej Prokuroria Speciale ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.

    Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi.

    Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës.

  • OBSh-ja po e vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit

    OBSh-ja po e vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit

    Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, kanë thënë të premten se janë duke e vëzhguar nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse ndikimi i tij potencial nuk dihet.

    OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh (më shumë se 30) të mutacioneve që bart”, është thënë në buletinin e kësaj organizate për pandeminë.

    Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke e vëzhguar variantin.

    Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë – veprim që është dënuar nga OBSH-ja, duke bërë thirrje për më shumë monitorim.

    Në periudhën e fundit raportuese, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus, bashkë me mbi 2.300 vdekje, sipas një deklarate të OBSH-së.

    Kjo shifër e infektimeve përbën rritje prej 63 për qind, në krahasim me periudhën paraprake 28-ditore, përderisa shifra e viktimave është 56 për qind më e vogël.

    Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

    Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

    Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL/

  • Rukiqi: Vjedhja e rezervave shtetërore u bë me vendim qeveritar, dorëheqja e Hajdarit e padiskutueshme

    Rukiqi: Vjedhja e rezervave shtetërore u bë me vendim qeveritar, dorëheqja e Hajdarit e padiskutueshme

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se vjedhja e rezervave shtetërore është bërë me vendim qeveritar, raporton Ekonomia Online. Rukiqi pohoi se dorëheqja e Rozeta Hajdarit është e padiskutueshme.

    Rukiqi mbajti konferencë për medie, në lidhje me arrestimin e tre personave për shkak të skandalit të grurit dhe vajti.

    Sipas tij, pushteti i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka treguar zell për kapjen e shtetit.

    “Dua të theksoj që ky rast është pjesë e mozaikut të gjerë të sistemit korruptiv dhe kriminal i vendosur nga VV-ja. Ky pushtet ka treguar në një anë pa aftësi të kashtë zakonshme për me qeverisë nga ana tjetër ka treguar zell për kapjen e shtetit. Ky nuk është vetëm rast korruptiv gjitha element na qojnë deri të një niveli i mirë”.

    “Qeveri Kurti me vendim ju ka bërë më të lehte dhe të shpejt për vjedhjen e grurit këtyre akterëve… Dorëheqje për ministre nuk mjafton ajo duhet që të jep përgjegjësi tekë organet e rendit. Dorëheqja. I bëjmë thirrej pushteti që të mos ndikoj në hetimet. Do të angazhohemi që të krijojmë komisionin hetimore në kuadër të parlamentit në lidhje me këtë rast”, tha ai.

    Ai i pyetur se a do ta përkrahin mocionin e AAK për rrëzimin e Qeverisë, Rukiqi tha se LDK-ja është e angazhuar çdo ditë që të ketë zgjedhje të reja, por jo me format që tani janë në tavolinë.

    “Ne e kemi thënë, nuk është çështje a duhet të ketë zgjedhe apo jo. Duhet që të shkohet me opsioni që është i sigurti, qytetar duhet që të ja japin përgjigjen kësaj qeverie. Rruga që në po angazhohemi është ta kalojmë krizën që jemi, ne vendi do t’i sjellim qeverisje përmes rrugës se re. Ne angazhohemi çdo ditë që të kemi zgjedhje më shpejt por jo në format që tani janë në tavolinë”, tha ai.

  • ​Osmani nuk komenton arrestimet e sotme: Të pritet epilogu i këtij rasti

    ​Osmani nuk komenton arrestimet e sotme: Të pritet epilogu i këtij rasti

    Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është deklaruar sot lidhur me arrestimin e tre personave nën dyshimin për keqpërdorim detyrës zyrtare për rezervat shtetërore. Sipas saj, duhet pritur epilogu i këtij rasti.

    Kështu deklaroi ajo gjatë një konference për media me rastin e vizitës në Komunën e Klinës.

    “Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Dhe, në këtë moment, nga informatat që kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”, tha Osmani, përcjell kp.

    Policia e Kosovës i ka arrestuar në mëngjesin e së premtes tre persona nën dyshimet për kryerje të veprave “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Po ashtu, PK ka kryer bastisje në MINT, në banesën e biznesmenit Ridvan Muharremi, për të cilin është raportuar në media se është “njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti”, si dhe lokalin e tij “Bukë e zemër”.

  • “S’ta ke marr kurrë në jetë”, betejë e ashpër mes Shota Baraliut dhe tiktores së famshme

    “S’ta ke marr kurrë në jetë”, betejë e ashpër mes Shota Baraliut dhe tiktores së famshme

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, vend të veçantë zënë mërgimtarët, të cilët bëjnë rrëfimet e tyre të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar.

    Një ndër rubrikat më të veçanta të emisionit “n’mal A n’det” është se do të ketë lojëra të ndryshme, të cilat kanë karakter argëtues.

    Një ndër to është edhe loja me “shisha” të ujit Rugova.

    Në këtë lojë, mbrëmë u zhvillua një betejë e ashpër mes aktores Shota Baraliu dhe tiktokeres Floreta Hajdaraj.

    Në videon e më poshtme ju ftojmë ta shikoni këtë betejë tejet të ashpër mes tyre, ku nuk munguan as momentet komike.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Flaka ​Loxha mposhtet nga xhudistja italiane në Grand Prix të Zagrebit

    Flaka ​Loxha mposhtet nga xhudistja italiane në Grand Prix të Zagrebit

    Pasi që e nisi në mënyrën më të mirë garën në Grand Prix-in e Zagrebit, Flaka Loxha tani ka pësuar humbje në raundin e tretë të këtij turneu.

    Në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogramë, Loxha u mposht në raundin e tretë nga xhudistja italiane, Veronica Toniolo, raporton KP.

    Toniolo e mposhti Loxhën me Wazaari.

    Loxha e kaloi raundin e parë pa luftë, kurse në të dytin e mposhti xhudisten letoneze, Anastasija Sokirjanska, ndërsa në të tretin mposhtet nga italiania, Toniolo.

  • Rashiq: Policët serbë që u dorëhoqën u kërcënuan, shënjestruan e u fyen

    Rashiq: Policët serbë që u dorëhoqën u kërcënuan, shënjestruan e u fyen

    Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi që tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marr detyrën.

    Sipas Rashiqit ata e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve”.

    Sipas tij nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën njëherë.

    “Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.

    Ai u ka thënë pjesëtarëve të rinj serb të Policisë së Kosovës se se di se çfarë po kalojnë ata dhe familjet e tyre.

    “Një brigadë mercenarësh të pashpirt na ndjek me detyrën për të vjedhur planet dhe ëndrrat tona … Mund të mos ju njoh personalisht, por më besoni e njoh mirë metodologjinë mizore të punës së tyre dhe e di se sa e vështirë është të qëndrosh i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm në kushtet jo normale dhe jo morale që na imponohen me dhunë”, thuhet në reagimin e tij.

    “Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.

  • Vendimi i Qeverisë që çoi në burg Ridvan Muharremin

    Vendimi i Qeverisë që çoi në burg Ridvan Muharremin

    Me datë 26 shkurt të vitit 2022, Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim që të anashkalohet ligji i prokurimit dhe të bëhen negociata direkte.

    Ky vendim është marrë pas kërkesës së Departamentit të Rezervave Shtetërore, që të mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit.

    “Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore – Ministria e Industrisë, Ndërmmarrësisë dhe Tregtisë, që t’u mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Paparaci.

    Tutje, në vendim thuhet se MINT është e obliguar ta zbatojë këtë vendim, që ka nënshkrimin e kryeministrit Kurti.

    Ligji për prokurimin ka për qëllim të siguroj mënyrën më efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, si dhe të gjitha burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen, procedurat që do të ndiqen, të drejtat që do të respektohen dhe detyrimet që do të përmbushen nga personat, operatorët ekonomik dhe organet publike që zhvillojnë, përfshihen, marrin pjesë ose interesohen, në aktivitetet e prokurimit ose që përfshihen ose kanë të bëjnë me fondet dhe/ose burimet e tilla.

    Përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke shfrytëzuar jotransparencën, i ka mundësuar Muharremit që të bënte dallavere me blerjen e vajit dhe grurit që ishte të destinuar për Kosovë, që dyshohet se nuk ka ardhur asnjëherë.

    Kohë më parë Nacionale kishte publikuar një përgjim në të cilin dy zyrtarë të kësaj ministrie flisnin për këtë aferë. Ata e përmendnin edhe Ridvan Muharremin, një të afërm të kryeministrit Albin Kurti të cilit në një moment i referohen edhe si “dallaverxhi”.

    Kompania polake prej të cilës ishte blerë vaji për Rezervën Shtetërore i cili dyshohet që nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë quhej Xanto dhe ajo nuk ishte lajmëruar më.

  • Tiktokerja që brenda natës u bë virale tregon se çfarë kishte postuar: Po me vjen marre!

    Tiktokerja që brenda natës u bë virale tregon se çfarë kishte postuar: Po me vjen marre!

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, vend të veçantë zënë mërgimtarët, të cilët bëjnë rrëfimet e tyre të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar.

    Tiktokerja Floreta Hajdaraj, mërgimtarja e cila është lindur dhe rritur në Itali, në këtë emision, ka rrëfyer emocionet e saj kur një postim në tiktok ishte bërë virale brenda natës.

    Floreta, në këtë emision ka treguar se si ka filluar aktivitetin e saj në rrjetet sociale, në veçanti në TikTok, rrjet ky që u bë mjaft i famshëm gjatë kohës sa njerëzit ishin në karantinë.

    “Kur u kanë karantina, TikTok-u u kanë shumë “in”. Kur ia kam nisë me postu, kam postu vetëm shqip dhe jo italisht. E kam parë që njerëzve iu pelqejke, ende më kujtohet kur kam marrë 100 “like” dhe jam gëzuar aq shumë. Mua nuk më ka interesu sa njerëz me kanë shiku, unë gjithmonë kam dashtë me postu, qoftë edhe sikur t’i kisha 100 ndjekës. Kur u kanë karantina, kam vazhdu me postu dhe kam arritë 100 mijë ndjeksa dhe ajo ajo u kanë arritje shumë e madhe”, tregon ajo.

    E pyetur se cila ka qenë video e parë e saj që është bërë virale, ajo ia kthen se po i vjen marre me tregu.

    “Mu pat thy thoni dhe e pata bërë një video ku kam thënë “mu ka thy thoni”, dhe ajo u pat ba virale. Njerëzit kanë bërë hajgare me këtë send, e ajo më kujtohet që ka qenë e para. Ndërsa njëra prej të fundmeve u kanë një video që kam thënë se çfarë kushte duhet me i pasë një djalë për me pasë një lidhje me mua, dhe nuk është vetëm për mua, por besoj se për çdo femër që duhet me i pasë do standarde. U komentu shumë, kam marrë shumë urrejtje. Me ka shtyrë me i ndi pak keq”, u rrwfye Floreta.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Këto janë pajisjet shtëpiake efiçiente që do të subvencionohen nga ME

    Këto janë pajisjet shtëpiake efiçiente që do të subvencionohen nga ME

    Sistemet diellore për ngrohjen e ujit, rrobalarëset, enëlarëset dhe frigoriferët, janë pajisjet shtëpiake efiçiente të radhës të cilat do të subvencionohen për të gjithë qytetarët nga Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, lehtësira, do të ketë për familjet nën asistencë sociale dhe për prindërit vetushqyes.

    Kështu u tha në lansimin e “Thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se fokusi i Qeverisë është edhe rritja e efiçencës së energjisë.

    “Fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese, ne paralelisht jemi duke bërë punë edhe në rritjen e efiçencës së energjisë. E Kjo nuk është veç ulje e konsumit, efiçrenca e energjisë përveç që ndikon në uljen e kostos financiare për familjet dhe ekonominë tonë, ajo gjithashtu ndikon në reduktimit e emetimit të gazrave dhe uljen e importit të energjisë elektrike, pra mjedisë më të shëndetshëm për të gjithë dhe kursim të buxhetit të shtetit që është i të gjithëve. Këtë qëllim e ndajmë me miqtë dhe partnerët tanë të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës, në përballje me pasojat me pasojat e krizës energjetike evropiane. Kjo pako ka vlerën më të lartë për kokë banori në rajon”, tha ai.

    Kurti tha se një javë më parë është lansuar thirrja e dytë e Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë për subvencionimin e qytetarëve për investimin në efiçencë të energjisë, e që është ende e hapur dhe synon t’i mbështes rreth 2 mijë qytetarë.

    “Sot po lansojmë masën e tretë me radhë, subvencionimin e pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetushqyes. Këto masa vinë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si qeveri për të rritur investimet në efiçencë të energjisë, krahas punës që kemi bërë për vendosje të objektivave ambicioze në strategjinë tonë të energjisë…kjo skemë që po lanësojmë sot e me ato që do të prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje e do të rrisim edhe më tej efiçencën e energjisë në vendin tonë”, tha ai, duke shtuar se vitin e kaluar kanë mbështetur mbi 9 mijë familje për paisje të efiçencës së energjisë.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se këtë vit ministria që drejton do të zbatojë programin e efiçencës i cili kap shifrën prej 15 milionë euro, përmes së cilës synohet të përfitojnë së paku 20 mijë qytetarë, derisa sa dha detaje edhe për dy thirrjet e para që lansuan sot.

    “Për pajisje shtëpiake, rrobalarëse, enëlarëse, frigorifer dhe sisteme diellore për ngrohjen e ujit. Ndërsa me të tjera do të vazhdojmë gjatë javëve në vijim…. sivjet për herë të parë në Kosovë, do të investohen rreth 30 milionë euro në investime në sektorin rezidencial, që është shuma më e madhe që është investuar ndonjëherë në këtë sektor“,tha ajo.

    Kurse, Alessandro Bianciardi nga zyra e BE-së në Kosovë, inkurajoi familjet e Kosovës që t’i adaptojnë masat kursyese, pasi benifitet janë të shumfishta.

    “BE mbetet e përkushtuar që ta mbështes Kosovën në rrugën për një energji të pastër, dekarbonizimin dhe një sigurime më të mirë me energji të ripërtrishme që janë esenciale për një zhvillim të qëndrueshëm“, tha ai.

    Përndryshe, në këtë konferencë u tha se ME do t’i mbështes familjet me pajisje ngrohëse efiçente, pajisjeve elektor shtëpiake me efiçente të lartë dhe instalimin e sistemeve të energjisë së ripërtrishem.

    Masa e pesetë do ta vazhdojmë me mbështetjen e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme dhe përfshinë vlerën prej 5 milionë euro.

    Për rrobalarëse, ME do të subvencionojë gjithë qytetarët në vlerë prej 200 euro. Kurse, për prindërit vet ushqyes subvencionimi bëhet në vlerën 300 euro. Ndërsa, për familjet nën asistencë sociale subvencionimi bëhet deri në 400 euro. Kriter për aplikim që duhet të përmbushet për të gjitha pajisjet, është që konsumi mujor i energjisë elektrike të jetë 250 kilovat orë për 10 muajt e fundit.

    Për enëlarëse, ME për të gjithë qytetarët do të subvencionojë 150 euro. Për prindërit vetushqyes 250 euro dhe për familjet nën asistencë sociale 300 euro.

    Për frigorifer, ME do të subvencionojë është 100 euro për qytetarët, 150 për prindërit vetushqyes dhe 200 euro për familjet nën asistencë sociale.

    Për sistemin diellor, ME do të subvencionojë 40 % të vlerës së investimit, por jo më shumë se sa 1000 euro.