ATV

Blog

  • Trumpit i grumbullohen të dhënat personale në burgun e Atlantës, pas akuzave për zgjedhjet

    Trumpit i grumbullohen të dhënat personale në burgun e Atlantës, pas akuzave për zgjedhjet

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u largua nga burgu i Fultonit në Atlanta, pasi u akuzua për 13 vepra penale më 24 gusht, si pjesë e një padie që rrjedh nga përpjekjet e tij për ta përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

    Trump u largua nga burgu rreth 20 minuta pasi hyri dhe u nis drejt aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës, ku avioni i tij privat po e priste për ta kthyer atë në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.

    77 vjeçari tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar duke u bërë ish-presidenti i parë i SHBA-së që përballet me akuza penale, megjithëse katër rastet e ngritura kundër tij nuk e kanë dëmtuar statusin e tij si favorit në garën për nominimin republikan për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm për presidencë.

    Pasi u dorëzua në burgun në Atlanta, Trump u rikthye në platformën X, më herët të njohur si Twitter, duke publikuar mesazhin e parë pas më shumë se dy vjet e gjysmë.

    Ai e postoi fotografinë e tij të bërë në burg, të cilës ia bashkëngjiti fjalët “Ndërhyrje në zgjedhje. “Nuk dorëzohem kurrë!””

    Ky ishte postimi i parë i Trumpit që nga 8 janari 2021, kur Twitter e pezulloi llogarinë e tij për një kohë të pacaktuar, shkaku i frikës se ai do të nxiste dhunë shtesë pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit të SHBA.

    Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden.

    Rasti i Xhorxhias përbën aktakuzën e katërt të ngritur ndaj Trump. Ai përballet me një gjyq në Nju Jork lidhur me një pagesë të bërë ndaj një ylli të pornografisë dhe një gjyq në Florida për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara federale.

    Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë.

    Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij./REL/

  • Arrestohet një 40-vjeçar në Istog, dyshohet se dhunoi seksualisht një 11-vjeçare

    Arrestohet një 40-vjeçar në Istog, dyshohet se dhunoi seksualisht një 11-vjeçare

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Istog, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

    Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një burri, i cili ka raportuar në Polici se dyshon se vajza e tij 11-vjeçare është keqpërdorur seksualisht nga një person.

    Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në një bodrum të një ndërtese, ku i dyshuari M.Shala (40-vjeçar) ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

    Përballë kësaj situate, babai i vajzës vendosi të kërkojë ndihmë, duke e raportuar rastin në Polici, me ç’rast ka rrëfyer detajet për të cilat është vënë në dijeni.

    Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion, ku edhe është intervistuar.

    Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.

    Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

  • 1 orë pritje për dalje nga pika kufitare në Merdarë

    1 orë pritje për dalje nga pika kufitare në Merdarë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njoftoi se pritjet për dalje nga pika kufitare në Merdarë janë shkojnë deri në një orë.

    Ndërkaq, në dalje të pikës kufitare te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 40 minuta, derisa kolona në këtë pikë kufitare është 150 metra.

    Në pikat e tjera kufitare, pritjet janë deri në pesë minuta.

     

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët dhe mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 32 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 34 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Sot afati i fundit për lirimin e një objekti në Mitrovicë veriore, ShBA-ja dhe BE-ja kundër

    Sot afati i fundit për lirimin e një objekti në Mitrovicë veriore, ShBA-ja dhe BE-ja kundër

    Komuna e Mitrovicës Veriore, me anë të një vendimi ka kërkuar që të bëhet lirimi i një objekti komunal, që aktualisht është në shfrytëzim nga institucionet e Serbisë. Kjo, kërkesë sipas komunës vije për shkak të disa punime të parashikuara që do të kryhen në objekte të caktuara komunale.

    E ky vendim i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut, ka ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

    Në një reagim të Ambasadës Amerikane në Kosovës, thuhet se vendimet e tilla mund të qojnë në tensionim të situatës në veri.

    “Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës amerikane.

    Reagim të ngjashëm për këtë rast ka pasur edhe Bashkimi Evropian. Në një përgjigje për tëvë1, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se ky vendim bjen në kundërshtim me përpjekjet për deeskalim mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nuk ofrojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër. Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në emisionin “Ditari” në tëvë1 ka thënë se ndërkombëtarët po e drejtojnë presionin vetëm nga Kosova, përderisa ka folur edhe për kërkesën e ndërkombëtareve për koordinim të veprimeve.

    Në pikën e parë të marrëveshjes së Bratisllavës ndër të tjera thuhet se Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarr veprime që mund të përshkallëzoi situatën në komunat veriore.

  • ​Sot nis aplikimi për subvencionimin e librave

    ​Sot nis aplikimi për subvencionimin e librave

    Nga sot, prindërit e nxënësve mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore, ka bërë të ditur dje (e enjte) ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    E para e MAShTI-t ka thënë përmes rrjetit social Facebook” se mjetet do të dalin në xhirollogaritë e prindërve që nga fillimi i javës së ardhshme.

    Siç ka thënë ajo, do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, derisa ka shtuar se për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.

    “Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme. Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Sipas saj, platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet sot (e premte).

    “Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”, vijoi ajo.

  • Lushaku e LDK’së: Qeverisë do t’i kushtojë 9 milionë euro më shumë blerja e librave me rimbursim

    Lushaku e LDK’së: Qeverisë do t’i kushtojë 9 milionë euro më shumë blerja e librave me rimbursim

    Zyrtarja e LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu, ka dhënë një koment për paralajmërimin e ministres së Arsimit Nagavci, për rimbursimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore për fëmijet e tyre. Sipas llogaritjes që ajo ka bërë, shtetit do t’i kushtojë 9 milionë euro më shumë kjo formë e rimbursimit.

    Në një postim në profilin e saj në Facebook, Lushaku-Sadriu, ka shkruar se blerja e librave sipas vendimit të ministrisë së Arsimit, i kushton 9 milionë me shtrenjtë shtetit.

    Reagimi i plotë i saj:

    A MA LIRË, A MA SHTRENJTË?

    Në bazë të njoftimit që lansoi Ministrja Nagavci para pak minutash dhe bazuar në statistikat që MASHT ka të publikuara, mund të llogaritet kostoja e shpenzimeve për tekste shkollore:

    1. Gjithsej nxënës në shkollën fillore: 132 483.

    Kostoja e teksteve shkollore për nxënës 80 euro dhe gjithsej do të kushtojë: 10 598 640 Euro.

    2. Gjithsej nxënës në shkollën e mesme të ultë janë: 95 501.

    Kostoja e kompenzimi për materiale shkollore do të bëhet 30 Euro për nxënës dhe do të kushtojë: 2 865 030 Euro

    Gjithsej nxënës: 227 984

    Gjithsej kostoja e rimbursimit të teksteve shkollore: 13 463 670 Euro.

    A po i kushtojkan tekstet shkollore buxhetit të Kosovës tani ma lirë, a ma shtrenjtë?

    13 Milion është shumë më shtrenjtë se 4 Milion, sa kishte paraparë për tekste MASHT. Dmth 9 Milion më shumë.

    Uroj të kem gabuar.

  • Bilall Kasami merr ftesë nga Gjykata për vizitën e Kurtit

    Bilall Kasami merr ftesë nga Gjykata për vizitën e Kurtit

    Kreu i komunës së Tetovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes BESA Bilall Kasami sot ka marrë ftesë që të paraqitet personalisht në Gjykatën Themelore të Tetovës më datën 15 shtator, në cilësinë e të akuzuarit për shkelje.

    Ftesa për t’u paraqitur në Gjykatë ka të bëjë me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë në datën 11 gusht, përkatësisht për mos intonimin e himnit shtetëror, por vetëm atij kombëtar dhe për valëvitjen e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës por jo edhe atij të Maqedonisë.

    Kreu i Besës, Bilall Kasami vlerëson se ftesa për në gjykatë është frikë nga opozita.

    “Edhe një tentim për frikësim dhe heshtje, që më bën të kuptoj se sa frikë e kanë opozitën shqiptare. Me këto akte, po na e shtoni kurajën. Koha e frikësimit dhe shantazhimit të shqiptarëve ka vdekur, ashtu siç është duke vdekur regjimi juaj. I detyrohemi vetëm qytetarëve dhe këtij populli, sa për regjimet e këtilla, nuk jemi frikësuar as në kohën e komunizmit, as tani. Koha juaj ka përfunduar. Numëroni ditët!”, theksohet në reagimin e Kasamit. /Alsat.mk

  • Shëngjin, dy të plagosur me armë zjarri

    Shëngjin, dy të plagosur me armë zjarri

    Dy persona janë plagosur me armë në orët e mbrëmjes në një lokal në Shëngjin, përkatësisht te “Rana e Hedhun”, ka njoftuar Policia e Shtetit.

    Të plagosurit janë shtetas të Shqipërisë dhe kanë pranuar tretman mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

    Organet e rendit në Shqipëri kanë bërë të ditur se kanë identifikuar autorët e plagosjes por ata janë ende në arrati.“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve, konkretisht shtetasit B. C., F. C. dhe K. C., dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tyre. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”- thuhet në njoftim.

  • Nagavci u bënë thirrje prindërve: Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore

    Nagavci u bënë thirrje prindërve: Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ka njoftuar se të prindërit nga e premtja mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.

    Ajo ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-ën si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e 6-të deri në të 9-tën.

    Postimi i plotë i saj:

    Të dashur prindër,
    📚Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.

    🟢Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.

    🟢Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.

    📍Platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër. Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë.

    🍀Suksese dhe qoftë vit i mbarë për fëmijët tanë!