ATV

Blog

  • Njihuni me mërgimtarin e suksesshëm i cili drejton një spital në Gjermani

    Njihuni me mërgimtarin e suksesshëm i cili drejton një spital në Gjermani

    Jeton Himaj, mërgimtari që drejton repartin e Infermierisë në një spital në Gjermani, ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin “n’malAn’det” në ATV. Gjatë emisionit, ai rrëfeu sfidat me të cilat u përball kur emigroi në Gjermani dhe rrugëtimin drejt suksesit të cilin e gëzon tani.

    Ai tregon se sfida më e madhe në fillimet e tij si emigrant në Gjermani ishte se nuk e dinte gjuhën. Ai kishte pasur fat sepse ishte punësuar në një hotel, ku njëkohësisht kishte mësuar edhe gjuhën.

    “Kur kam shkuar në fillim ka qenë një sfidë pasi që nuk e kam folur gjuhën gjermane aspak. Kam filluar të punoj me një hotel, restorant, kuzhinë, kam pastru pjata me qindra e mijëra në ditë, me kohë e kam mësuar gjuhën, kam fillu të bëj praktika të ndryshme, kështu që në një spital kam filluar ta bëj praktikën si ndihmës infermier. Me kohë e vërejta unë dhe stafi që mundem me qenë diçka më shumë, kështu që ia fillova shkollës dhe e përfundova me sukses në vitin 1997. Pastaj ia fillova punës si infermier, por me kohë, kjo punë nuk ishte edhe aq e mjaftueshme për mua, andaj ia fillova të kryej edhe specializime në lëmi të ndryshme. Ia fillova studimeve në vitin 2003 në Freiburg në sistemin e menaxhimit dhe kam përfunduar kah viti 2007. Gjatë studimeve kam kryer edhe praktikën”, rrëfen Himaj.

    Ai tregon se pasi ka përfunduar studimet, ka punuar në pozita të ndryshme, deri në momentin kur i kishte ardhur një ofertë interesante në klinikën të cilën tani e drejton.

    “Pasi që kam përfunduar studimet, kam filluar karrierën në pozita të ndryshme përgjegjës në disa reparte, klinika të ndryshme, kam kalu shkallë të ndryshme. Pas disa viteve me erdhi një ofertë interesante në klinikën ku tani punoj. Aty jam njëkohësisht anëtar i bordit të klinikës, kemi aty 1000 pacientë dhe 1600 punëtorë. Në funksionin tim si anëtar i bordit, jam përgjegjës për klinikën me kolegët e mi të bordit, si për anën financiare, ashtu edhe për pjesët strategjike dhe ekonomike, por edhe vendime të ndryshme që merren më përgjithësi. Në funksionin tim si drejtor i Infermierisë dhe i shkollës së Infermierisë, e kam përgjegjësinë për ato dy lëmi dhe i kam përafërsisht 800-900 punëtorë që janë direkt në përgjegjësinë time”, tregon Himaj.

    Ai thotë se në klinikën e tij ka të interesuar të punojnë edhe shqiptarë, për të cilët thotë se nuk kursen asgjë për t’iu ndihmuar që të sistemohen në punë.

    Himaj tregon se ka bashkëpunim mjaft të mirë edhe me Kolegjin AAB, departamentin e Infermierisë, për t’iu ndihmuar dhe orientuar studentët që mbarojnë Fakultetin e Infermierisë që të punësohen në klinikën të cilën ai e drejton në Gjermani. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të Jeton Himajt e gjeni në videon më poshtë:

  • Trupi i Prigozhin identifikohet nga gishti i prerë, mediat ruse: Ishin vendosur dy bomba në avion

    Trupi i Prigozhin identifikohet nga gishti i prerë, mediat ruse: Ishin vendosur dy bomba në avion

    Teksa ishin ngritur dyshime nëse Yevgeny Prigozhin ndodhej në avionin privat që u rrëzua mes Moskës dhe Shën Petërsburgut duke e lënë të vdekur së bashku me nëntë persona të tjerë, në një kanal rus është deklaruar se trupi i liderit Wagner tashmë është identifikuar nga gishti dallues gjysmë i prerë në dorën e majtë.

    Prigozhin kishte humbur një pjesë të gishtit të tij gjatë vuajtjes së dënimit në një burg, raportoi kanali rus VChK-OGPU në Telegram.

    Në të njëjtën kohë, ai shtoi se një komandant i lartë i organizatës paraushtarake e njohu trupin nga ky dëmtim, si dhe nënkryetarin e tij, Dmitry Utkin, nga tatuazhet e tij.

    Megjithatë, ndërkombëtarisht, nuk është ende e qartë nëse Prigozhin dhe disa nga togerët e tij janë vrarë dhe nëse kjo është bërë në shenjë “hakmarrjeje” për kryengritjen që filloi në qershor duke sfiduar autoritetin e Presidentit Putin.

    Një zyrtar amerikan i paidentifikuar tha se ishte “shumë e mundshme” që Prigozhin të ishte shënjestruar, ndërsa Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se nuk kishte “asnjë provë të qartë”, por ishte “jashtëzakonisht e mundshme” që ai të ishte vrarë.

    Raportime për dy bomba pranë tualetit të avionit

    Ndërkohë, dy media ruse me burime sigurie brenda Kremlinit pohuan se një ose dy bomba mund të jenë vendosur në aeroplan. Në raporte të pakonfirmuara, pretendohej se bombat ishin vendosur në pjesën e pasme të avionit, pranë tualetit.

    Kjo u nxit nga postimi i stjuardesës Kristina Raspopova, 39 vjeç, e cila postoi në rrjetet sociale përpara se avioni të ngrihej se fluturimi i saj ishte vonuar për shkak të “riparimeve” të minutës së fundit.

    Kështu, mendohej se mjetet shpërthyese ishin vendosur gjatë kësaj periudhe, por kjo nuk është konfirmuar.

    Prodhuesi i avionit, megjithatë, pohoi se nuk janë bërë riparime në këtë avion të veçantë që nga viti 2019.

  • Puthi në buzë futbollisten, jep dorëheqje kreu i Federatës së Futbollit të Spanjës

    Puthi në buzë futbollisten, jep dorëheqje kreu i Federatës së Futbollit të Spanjës

    Luis Rubiales ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit pasi puthi në buzë futbollisten Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës.

    Incidenti shkaktoi reagime të shumta, me shumë aktivistë të të drejtave të njeriut që e akuzuan Rubiales për keqpërdorim të pozitës së tij si president dhe ngacmim seksual ndaj futbollistes.

    Rubiales më vonë kërkoi falje, por kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se kërkim-falja nuk mjaftonte.

    “Ajo që pamë ishte një gjest i papranueshëm, por faljet e zotit Rubiales gjithashtu nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë as adekuate, dhe për këtë arsye ai duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa për ta sqaruar atë që ne të gjithë pamë në media”, tha Sanchez të martën.

    Victor Francos, ministri i Sportit i Spanjës dhe presidenti i Këshillit Sportiv të vendit (CSD), tha se këshilli do të ndërmerrte veprime nëse një gjë të tillë nuk e bën RFEF-ja, duke e ngritur çështjen në Gjykatën Administrative të Sporteve të Spanjës.

    “Unë mendoj se ajo që njerëzit përgjegjës do të bëjnë është të bisedojnë me dy palët e përfshira dhe ta lëshojnë një raport. Unë personalisht i kam thënë federatës se ky raport duhet të jetë transparent dhe urgjent, sepse, nëse nuk është, padyshim që ne jemi të detyruar t’i marrim masat përkatëse shtesë”, tha Francos për mediumin Cadena Ser.

    Disa tifozë të futbollit dhe zyrtarë i kanë bërë thirrje Rubialesit që të jepte dorëheqje shkaku i incidentit. Por, mediat spanjolle raportuan më 23 gusht se një gjë e tillë nuk ka të ngjarë të ndodhë.

    Hermoso tha në një postim në rrjetet sociale se “nuk i pëlqeu” puthja, por në një deklaratë të lëshuar më vonë e mbrojti presidentin e Federatës duke thënë se ata kishin një marrëdhënie të mirë dhe se incidenti ishte një “gjest reciprok krejtësisht spontan” gjatë festimit të titullit.

    Spanja e mposhti Anglinë me rezultat 1:0 në finalen e Kupës së Botës, duke u bërë kampione botërore për herë të parë në botë.

  • Gërxhaliu: Nga funksionalizimi i Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë do të goditet më së shumti diaspora

    Gërxhaliu: Nga funksionalizimi i Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë do të goditet më së shumti diaspora

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë se me funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora.

    Në një postim në Facebook, Gërxhaliu e ka quajtur eksperiment një gjë të tillë, e se sipas tij mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

    “Kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit pasojat mund të jenë të dëmshme”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Nga funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora

    Çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

    Kjo vjen në shprehje sidomos kur mungon dialogu i mirëfilltë në mes të akterëve relevant brenda një shteti.

    Kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit pasojat mund të jenë të dëmshme.

    Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe funksionalizimi i saj me ketë form siç po prezentohet dhe në këtë kohë do të jetë një goditje direkte për diasporën dhe mërgimtarët.

    Kontributi i diasporës është i pakontestuar dhe në këtë drejtim duhet kuptohet e vërteta se përmes bankave dhe institucioneve financiare dërgohet një pjesë e madhe për Kosovën, por pjesa më e madhe e parave nga diaspora vijnë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë që është tre fishi i asaj që dërgohet në forma bankare.

    Kemi një diasporë punëtore e cila punon shumë jashtë orarit të punës dhe ndoshta nga dy punë vetëm për qëllimin e ndihmesë dhe investimeve në Kosovë.

    Investimet më të mëdha të diaspos janë në patundshmëri dhe është një pjesë e parave ndoshta mund edhe të jetë fituar jashtë orarit të punës.

    Të gjitha këto që i thashë më lart mund të kenë efekte negative në qoftëse kërkohet deklarimi i origjinës së parave ku diasporës mund t’i verifikohen edhe paratë nga organet e shtetit ku veprojnë dhe jetojnë.

  • ​Mike Dean ka bërë një gabim me qëllim kundër Chelseat për të mbrojtur shokun e tij

    ​Mike Dean ka bërë një gabim me qëllim kundër Chelseat për të mbrojtur shokun e tij

    Gjyqtari i pensionuar i Premier Ligës, Mike Dean, ka ngjallur polemika pasi ai rishikoi një gabim të VAR-it që ai e bëri sezonin e kaluar.

    Asokohe, Dean ishte në krye të dhomës së VAR-it në ndeshjen ku Tottenhami ishte mysafirë i Chelseat në “Stamford Bridge”, në ndeshjen e dytë të sezonit, raporton KosovaPress.

    Kalidou Koulibaly i dha Chelseat epërsinë në minutën e 19’ në atë ndeshje, duke e shënuar debutimin e tij me gol, para se Pierre-Emile Hojbjerg të barazonte rezultatin në minutën e 68’.

    Nëntë minuta më vonë, Reece James kaloi Chelsean në epërsi, ku kishte festime emocionale nga trajneri i Chelseat asokohe, Thomas Tuchel.

    Tuchel, dhe asokohe trajneri i Tottenhamit Antonio Conte, më herët gjatë ndeshjes ishin ndëshkuar me karton të verdhë, pas një përplasje për një ndërhyrje të Rodrigo Bentancur ndaj Kai Havertz.

    Pika më e lartë e dramës erdhi kur Harry Kane shënoi golin e barazimit në minutën e 90+6’. Tuchel dhe Chelsea ishin të nervozuar që goli u lejua pasi që Cristian Romero qartazi i ngreh flokët Marc Cucurellas në zonën e penalltisë.

    Gjyqtari Anthony Taylor e akordoi golin, me Mike Dean duke vulosur vendimin. Që atëherë ai ka pranuar se ka bërë një gabim.

    “Është njëri nga ta që nëse do ta ktheja kohën, çfarë do të bëja? Do ta dërgoja Anthony Taylor te ekrani (i VAR-it). I thashë Anthonyt më pas: Thjesht nuk doja të dërgoja në ekran pas asaj që ka ndodhur në lojë. Nuk doja ta dërgoja sepse ai është shok si dhe gjyqtar dhe mendoj se nuk doja ta dërgoja sepse nuk doja më shumë pikëllim sesa ai kishte tashmë”, tha Dean.

    Tuchel dhe Conte u përfshinë në një tjetër grindje pas ndeshjes, me gjermanin që më vonë vuante një pezullim për rolin e tij, siç raportohet nga “Athletic”. Dy trajnerët u shkarkuan më pas nga klubet e tyre përkatëse.

  • Prindërit ankohen për mosfunksionim të platformës e-Kosova

    Prindërit ankohen për mosfunksionim të platformës e-Kosova

    Në platformën e-Kosova sot është publikuar linku në të cilin prindërit mund të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore për fëmijët nga klasa 1-5 dhe 6 -9.

    Por përkundër kësaj prindër të shumtë janë ankuar se nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak se sipas tyre, faqja nuk po funksionon.

    Ndryshe, Ministria e Arsimit të enjten mbrëma ka njoftuar se do të ndajë 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, dhe nga 30 euro për nxënësit e klasave 6-9.

  • Familja e argjentinases që u vra në Fushë-Kosovë kërkon mbi 30 mijë euro: Duam ta sjellim trupin e saj

    Familja e argjentinases që u vra në Fushë-Kosovë kërkon mbi 30 mijë euro: Duam ta sjellim trupin e saj

    Prindërit e Maria Clara Urdangarays, vajzës argjentinase që vdiq në Kosovë, kanë kërkuar ndihmë për mbledhjen e mjeteve financiare për ta bërë të mundur transportimin e trupit të vajzës së tyre nga Kosova në Argjentinë.

    Maria Clara Urdangaray, 27-vjeçare, vdiq në fillim të muajit gusht në Fushë-Kosovë, pasi ra nga kati i gjashtë i një ndërtese. I dyshuari kryesor për vdekjen e argjentinases është i dashuri i saj, Endrit Nika, që tashmë ndodhet në paraburgim.

    Përmes Facebook-ut, prindërit e Marias kanë filluar një organizim për ta bërë të mundur transportimin e trupit të vajzës së vdekur nga Kosova në Argjentinë.

    Facundo Urdangaray dhe Magdalena Delmonte, prindërit e viktimës, publikuan thirrjen në Facebook dhe kërkuan ndihmë për të sjellë eshtrat e vajzës së tyre në vendlindje. Në total familja Urdangaray duhet të mbledhë mbi 30 mijë euro.

    “Na ndihmo ta përhapim fjalën dhe kështu të sjellim mbetjet mortore të vajzës sonë të dashur. Llogaria është e aktivizuar, si për donacione në valutë kombëtare ashtu edhe për valutë”, sqaruan ata dhe falënderuan për “dashamirësinë dhe solidaritetin”.

    Gjithashtu, ata theksuan angazhimin e drejtuesve të degës Banco Nación Buenos Aires dhe La Plata, për hapjen e “llogarisë së dhurimit”. Ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë mund ta bëjnë këtë në llogarinë 7170363328, CBU: 0110717530071703633283.

    María Clara Urdangaray kishte udhëtuar në qytetin e Barcelonës, në Spanjë, në nëntor të vitit të kaluar. Disa muaj më vonë ajo u takua me Endrit Nikën pas një feste dhe më pas shkuan për të jetuar në Zvicër.

    Në fundjavën e fundit të korrikut, e reja dhe i dashuri i saj kanë udhëtuar drejt qytetit të Prishtinës, në Kosovë, për të marrë pjesë në dasmën e vëllait të të pandehurit.

    Më 1 gusht, e reja nga La Plata vdiq pasi u rrëzua nga një ballkoni në katin e gjashtë të pallatit ku po qëndronin. Për faktin, u arrestua partneri i saj, një shtetas zviceran 31-vjeçar, i cili akuzohej për femicid.

    “Ishte një femicid”, tha babai në një deklaratë për TN. “Partneri i supozuar i saj, me sa duket në një lloj debati, e ka hedhur nga ballkoni”.

    Ata u informuan se procedurat e tjera ligjore mund të zgjasin më shumë se 15 ditë. Për momentin nuk kanë asnjë lajm për hetimin, por ajo që i shqetëson tani është që ta sjellin trupin në vend.

  • ​Prezantohen punime në Panairin e Rinisë, Çeku premton përkrahje

    ​Prezantohen punime në Panairin e Rinisë, Çeku premton përkrahje

    Shumë të rinj paraqitën talentin e tyre në Panairin e Rinisë të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF në Kosovë.

    Teknologji, inocavion, punime të ndryshme nga druri, edhe piktura, u promovuan nga të rinjtë në kuadër të këtij aktiviteti.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se do të vazhdojnë t’i përkrahin të rinjtë për të shfaqur talentin e tyre.

    Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha se është kënaqësi të marrë pjesë në një panair të tillë në të cilin po promovohet kultura, inovacioni dhe teknologjia./kp

  • Klopp flet për situatën Salah-Al Ittihad

    Klopp flet për situatën Salah-Al Ittihad

    Dita e djeshme ishte stresuese për tifozët e Liverpoolit, pasi që filluan spekulime që Mohamed Salah është cak i interesimit nga klubet saudite.

    Thuhej se skuadra e Al Ittihad ka shprehur interesim serioz në Salah, dhe se është e gatshme të paguajë plot 122 milionë euro për yllin egjiptian, raporton KP.

    Tani, Klopp ka reaguar pas këtyre spekulimeve, duke thënë se Salah është 100% i përkushtuar te Liverpooli.

    “Ne nuk kemi një ofertë, Mo Salah është një lojtar i Liverpoolit dhe për të gjitha gjërat që i bëjmë ai është tejet i rëndësishën”, tha Klopp.

    “Nëse do të kishte diçka, përgjigja do të ishte JO. Mo është 100% i përkushtuar te Liverpooli. Nuk ka asgjë për të folur”, shtoi më tej Klopp.

  • Ministri i Mbrojtjes: Fokusi ynë është anëtarësimi në NATO

    Ministri i Mbrojtjes: Fokusi ynë është anëtarësimi në NATO

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se fokusi i Kosovës mbetët anëtarësimi në NATO.

    Në një konferencë për media, ai ka folur për objektivat kyçe të ministrisë duke theksuar se do të punojnë në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në përputhje me standardet e aleancës veriatlantike.

    “Objektivat kryqe që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes do jenë fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike, duke implementuar politikat e mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës, zgjerimi bilateral që në vazhdimësi, pra bashkëpunimin në aspektin strategjik me aleatët tanë në veçanti me ShBA-të por edhe aleatet tjerë mbështetës. Objektivat tjera në kuadër të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake, kapacitetet e reja do të ndërtohen më përputhje me standardet e NATO-s me aleatët dhe partnerët tanë me qëllim të ruajtjes së paqes sigurisë globale. Dy shtyllat që do të fokusohem ndërtimi i kapaciteteve të reja luftarake që nuk i kemi pasur me herët dhe ruajtja e kapaciteteve aktuale”, deklaroi Maqedonci, transmeton KP.

    Maqedonci tha se integrimi në NATO mbetet fokus i FSK-së, duke shtuar se kanë plotësuar të gjitha standardet për të bashkëvepruar me NATO-n.

    “Fokusi i yni është integrimi në NATO, porse varet edhe prej shumë faktorëve, ndër tjera është prej faktorëve të njohjeve, pra vendet që se njohin Kosovën. Mirëpo, FSK ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha standardet për të bashkëvepruar me NATO-n”, tha Maqedonci.

    Kjo është paraqitja e parë e Maqedoncit para gazetarëve prej kur e ka marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes me 8 gusht 2023.