ATV

Blog

  • Hoti për Qeverinë Kurti: Fundin e keni afër

    Hoti për Qeverinë Kurti: Fundin e keni afër

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

    Hoti ka shkuar në Facebook se kjo qeveri fundin e ka afër, duke shtuar se “me demagogji nuk mund të qeveriset një shoqëri demokratike”.

    “Me demagogji mund të mashtrohen masat për të fituar një palë zgjedhje. Me demagogji mund të mbahet entuziazmi i masave për një kohë të shkurtër. Por, me demagogji nuk mund të qeveriset një shoqëri demokratike. Fundin e keni afër”, ka shkruar Hoti në Facebook.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Kuvajtit

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Kuvajtit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranua letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Kuvajtit në Kosovë, Faisal Musaileem, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

    Në këtë takim, presidentja shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes edhe në të ardhmen nga ky shtet.

    Ndërkaq ambasadori Musaileem, shprehu interesimin për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën në fusha të ndryshme dhe u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

  • ​Dëshmitari i prokurorisë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

    ​Dëshmitari i prokurorisë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

    Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmitari me kodin 04566 po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.

    Prokurori Matt Halling e ka lexuar një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij në seancë publike, dhe sipas tij, kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.

    Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, prokurori ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.

    “Anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 shkoi në Drenoc në vitin 1998 ku e mbajtën të ndaluar, pjesëtarët e tjerë të familjes shkuan të merrnin vesh për fatin e tij por nuk u lejuan ta shihnin. Anëtari i familjes 04566 u zhduk, 04566 dhe pjesëtarët e tjerë të familjes bënë shumë kërkime për të marrë vesh për fatin e të ndaluarit, pa sukses. Trupi i të ndalurit u gjet shumë vite më pas”, ka thënë prokurori Halling.

    Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

    Ndërsa paradite ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit W03832, e cila është dëgjuar tërësisht në seancë private.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 18 dëshmitarë, prej tyre vetëm tre në gjykatore kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Tejkaloi dyfishin e shpejtësisë së lejuar në Ferizaj, gjobitet kundërvajtësi me 300 euro

    Tejkaloi dyfishin e shpejtësisë së lejuar në Ferizaj, gjobitet kundërvajtësi me 300 euro

    Policia Rajonale e Ferizajt të hënën rreth orës 12:50 në rrugën transit fshati Talinovc i Muhaxherëve – fshati Bibaj në Ferizaj ka ndaluar shoferin J.M i moshës 31 vjeçar i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 125 km/h.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ndaj tij, policia i shqiptoi një gjobë 300 euro, 3 pikë negative dhe tre muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë shoferit.

    “Me këtë rast, Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit. Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 ; 0290/322-406.

  • Raci e quan fitore të përbashkët betejën kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos: Na përkrahen edhe komunat përreth

    Raci e quan fitore të përbashkët betejën kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos: Na përkrahen edhe komunat përreth

    Pas më shumë se tri vjetësh, qytetarët e Klinës kane fituar në betejën e tyre për drejtësi, kundër ndërtimit te fabrikës së çimentos në Dollc, raporton EO.

    Udhëheqësi i banorëve kundërshtues në ndërtimin e fabrikës se çimentos, Veton Raci, e ka quajtur fitore të përbashkët me qytetarët e Klinës, teksa përmendi edhe protestat që kanë mbajtur.

    Ai tha se përkrahje kanë marrë edhe nga komunat përreth Klinës.

    “Ne kemi takuar edhe kryetarët e komunave përreth. Kemi marrë përkrahje nga kryetarët e Komunës së Pejës, Malishevës dhe Istogut, si komuna afër Klinës që shqetësoheshin se mund të ndoteshin komunat e tyre me rastin e ndërtimit të kësaj fabrike. Pas këtij aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë ne nuk do të ndalemi me kaq, ne do të drejtohemi me dy kërkesa fillimisht; njëra për nivelin qendror kurse tjetra për nivelin lokal”, tha ndër të tjerash Raci.

    Raci tregoi se pas afro tre vitesh që prej inicimit të padisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim gjyqësor me të cilin ka hedhur poshhtë padinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal kundër Komunës së Klinës.

    “Pas me afro 3 vitesh prej kur është iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tani kemi një aktvendim Gjyqësor i cili ka marr plotfuqishmërinë. Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerr aktvendim më të cilin hedh poshtë padinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal, kundër Komunës së Klinës”, u shpreh Rraci.

    Raci përmendi edhe dy protestat e tjera të organizuara nga shoqata të cilën e përfaqëson e ku pjesë morën shumë qytetarë banorë të Klinës.

    “Nga fillimi qytetaret e organizuar për kundërshtimin e fabrikës se çimentos në Kline kishin diktuar shumë parregullsi në procesin e pajisjes me dokumentacion për operatorin ekonomik. Bazuar në këto shkelje të proceduarve ishte kundërshtuar ashpër fillimi i punimeve për ndërtim te kësaj fabrike. Nisur nga shkeljet e mësipërme si dhe një seri shkeljesh të tjera gjatë procedurës së pajisjes me dokumentacion, si dhe bazuar në mos marrjen parasysh të kundërshtimeve të banoreve, ne banoret kundërshtues kemi organizuar disa aktivitete dhe dy protesta gjithë popullore, njëra në 14.05.2022 dhe tjetra më 25.07.2023, në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos”, u shpreh Rraci

    Rraci tha se pas vendimit do kërkojnë nga MIPHI-ja pezullimin e Kompanisë Wallingford International Kosovo L.L.C si dhe nga pushteti lokal i Klinës shkarkimin e Lorenc Marlekajt si dhe atë të Enver Berishës, të cilët sipas Rracit në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit kanë dhënë lejet ndërtimore për ndërtimin e kësaj fabrike.

    “Nga Ministria Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të kërkojmë qe vendimin me nr. 2804/22 për pezullim të Pëlqimit Mjedisor për Kompaninë Wallingford International Kosovo L.L.C. ta shndërrohet nga pezullimi në vendim për anulim të Pëlqimit Mjedisor, sepse në arsyetimin e vendimit për pezullim nga MMPHI thuhet: Deri në marrjen e vendimit të Gjykatës, përmbajtja e të cilit mund të kontestojë çdo pëlqim tjetër të dhëne, këtu përfshirë ato të MMPHI. Kurse nga pushteti lokal, respektivisht nga Kryetari do të kërkojmë shkarkimin e z. Lorenc Marlekaj dhe Enver Berisha, të cilët në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit kane nxjerr vendim për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore, shkarkimi i tyre duhet të ndodh për ti lenë pa pushtet ne duar dhe qe ti hapet rruge që organet ndjekëse të zhvillojnë procedurën e hetimit te nxjerrës se këtyre vendimeve”, tha Rraci, përcjell EO.

    Rraci për fund tha se mos të ishte reagimi qytetarë, fabrika do të ndërtohej.

    “Çka nëse qytetaret nuk do te reagonin dhe fabrika sot të ishte e ndërtuar, kush do të merrte përsipër dëmtimin ambientit në kodrën e Dollcit dhe Greminkut, a do të duhej që Komuna ta kompensonte koston e ndërtimit të kësaj fabrike? Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që çdonjëri prej nesh kërkon përgjigje nga Kryetari Elezaj. Kjo është një fitore e jona e përbashkët, shembull se si duhet reaguar ndaj fenomeneve negative”, u shpreh Rraci.

  • Reshjet krijuan panik tek pushuesit në plazh, Vlora kalon rrezikun e përmbytjeve

    Reshjet krijuan panik tek pushuesit në plazh, Vlora kalon rrezikun e përmbytjeve

    Rreziku i përmbytjeve në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, ka kaluar.

    Kështu ka deklaruar për abcnews, meteorologja, Lajda Porja, e cila theksoi se tashmë era është problemi i mbetur në qarkun e Vlorës, ndërsa aty dhe në Shkodër do të ketë vetëm reshje të pakta të izoluara.

    Ndërsa në Tiranë gjatë mesditës do të ketë reshje, por jo me intesitet për rrezik përmbytje.

    ”Ka qenë Vlora që ka marrë reshje gjatë natës dhe rrezikun e ka kaluar, problematike për qarkun e Vlorës do të mbesin stuhitë e erës të cilat do të sjellin problem në trafikun detar”.

    ”Në Shkodër përveç reshjeve të deri tanishme pritet që nga një celulë të krijohen reshje gjatë pasdites me ndonjë problem por reshjet janë të përkohshme. Është çështje minutash përsa i përket nisjes së reshjeve në Tiranë”.

    ”Nuk do ketë probleme me përmbytje, do të ketë rrebeshe që vijojnë nga ora 13:30 deri në orën 14:00 dhe më pas nga ora 16:00 deri në 17:00. Gjatë të mërkurës kemi një celulë të vendosur në veri dhe në qendër që do të krijojnë reshje kalimtare ndërsa nga dita e enjte dhe e premte do të kemi një rritje të temperaturave”, ka thënë ajo.

  • ​Haradinaj: Qeveria Kurti duhet të shkojë në shtëpi, mocioni ende opsion

    ​Haradinaj: Qeveria Kurti duhet të shkojë në shtëpi, mocioni ende opsion

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës është ende opsion. Sipas tij, kjo është rruga e duhur për rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti, por tha se duhet ndihma edhe e deputetëve të tjerë përtej opozitës.

    Haradinaj akuzoi Kurtin se ka rritë pasojat për Kosovën në arenën ndërkombëtare për shkak të veprimeve të gabuara të tij.

    “Shumë njerëz po i bëjnë thirrje qeverisë sonë që me u kthy me aleatët me u kthy me Amerikën, BE-në dhe NATO-n. Fatkeqësisht Kurti dhe kjo qeveri ka zgjedh rrugë tjetër. Pasojat për Kosovën do të rriten dhe parashikimet nuk janë të mira për asnjë temë. Mocioni është mënyra më e duhur dhe është legjitime dhe demokratike. Aktualisht opozita ka votën sa me inicu mocionin pastaj do të duhej ndihma e deputetëve të tjerë. Shpresoj se në një rrethanë të caktuar do të arrijmë unitetin brenda opozitës. Po është opsion”, tha ai.

    Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit që pati me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharin./KP

  • Publikonin video në rrjete sociale se bëjnë shitjen e parave të falsifikuara, pesë persona bien në pranga të Policisë së Kosovës

    Publikonin video në rrjete sociale se bëjnë shitjen e parave të falsifikuara, pesë persona bien në pranga të Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka ndërmarrë veprime hetimore intensive disa mujore në zbulimin e personave të dyshuar të cilët përmes rrjetit social ‘’Tik Tok’’ kanë shpërndarë video se të njëjtit bëjnë shitjen e parave të falsifikuara si kartëmonedha dhe monedha metalike.

    Gjatë hetimit profesional janë siguruar prova se personat e dyshuar me iniciale (F. V.) mashkull/kosovar, (S. A.) mashkull/kosovar, (A. V.) mashkull/kosovar, (B. R.) mashkull kosovar dhe (E. V.) mashkull/kosovar, janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona kinse do të ju shesin para të falsifikuara, derisa në anën tjetër personat që kanë tentuar të blejnë para të falsifikuara, kanë kryer vepër penale nga neni 296 paragrafi 4 i KPRK-së. Vlera e përfitimit që këta persona kanë përfituar me anë të mashtrimit është rreth njëzet mijë (20,000) euro.

    Lidhur me rastin me datën 29.08.2023 është zbatuar plani operativ përkatës ku hetuesit kompetent në orët e mëngjesit kanë realizuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, për kontrollimin e shtëpive të pesë (5) personave të dyshuar të lartcekur.

    Gjatë kontrollimit të shtëpive të personave të dyshuar janë sekuestruar:
    • 1 (një) granatë dore,
    • 1 (një) armë automatike,
    • 1 (një) karikator i armës,
    • 52 (pesëdhjetë e dy) fishekë,
    • 1 (një) telefon mobil.

    Të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve të tyre mbrojtës dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit të lëndës dërgohen në mbajtje për 48 orë.

    Policia e Kosovës apelon që qytetarët të kenë kujdes nga mashtrime të tilla dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e këtyre rasteve, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë.

  • ​Protestë në Graçanicë, kërkohet drejtësi për romin e sulmuar nga policët serbë

    ​Protestë në Graçanicë, kërkohet drejtësi për romin e sulmuar nga policët serbë

    Me pankartat “Drejtësi tani”, “Boll Ma”, “Policia mbron, nuk dhunon”, Opre Roma Kosova ka organizuar protestë kundër dhunës së ushtruar ndaj një pjesëtari të komunitetit rom për të kërkuar llogari për veprimet e zyrtarëve policorë në këtë rast.

    Protestuesit para stacionit policor në Graçanicë, derisa kërkuan drejtësi për personin që i është ushtruar dhunë nga zyrtarët policorë, theksuan se në rast se nuk merren masa nga institucionet përkatese, nuk do të ndalen së vepruari drejt drejtësisë.

    Burhan Ibrahimoviq, personi që pretendohet të jetë sulmuar nga zyrtarët policor serbë, ka rrëfyer në detaje si ndodhi rasti.

    I njëjti shpreson në drejtësi dhe që e njëjta mos t’i përsëritet askujt më.

    “Jam lind në Graqanicë, por kam jetuar disa vite në Evropë, pastaj që tre vite jam kthyer sërish në Kosovë. Atë nate që ka ndodhur ky problem me polici ka qenë e shtune. Kam qenë me familje dhe ka pas një ditëlindje, dhe kam pas nevojë të shkoj në tualet, dhe të gjitha banjot brenda në shtëpi kanë qenë të mbyllura dhe kam shkuar në oborr mbrapa, pastaj ka qenë një person më i moshuar, një zonjë ku la filluar të bërtas e të ofendojë, dhe nuk kam ditë më kë po flas, por fjala ka qenë pertace. Pas 10 minutave të atij konflikti ku zonja ka thirr Policinë dhe ka ardhë, më kanë marrë dhe më kanë pru në stacion policisë ku më kanë mbajt një orë e gjysmë. Pastaj më kanë dhënë një gjobë, dhe nuk kanë treguar për çfarë arsye është. Pasi kam arrit, lartë qëndronin rreth pesë policë dhe kam pyet pse është gjoba, do e marrë do shkojë tek një avokat në Prishtinë, ku do e fillojë procesin në mënyrë ligjore. Menjëherë pas atij konflikti, policët më dërguan me një dhomë, ku filluan të godisnin me grushta, syri ka qenë i enjtur dhe dhembjen në qafë e ndjej ende. Pastaj, sërish më kanë marrë në paraburgim ku më kanë mbajtur një orë, kam kërkuar ujë, por as nuk dëgjonin. Ka ardhë një mjeke këtu, ku më ka pyetur nëse kam dhimbje, por prej frikës së policit kam thënë nuk kam asgjë. Në mëngjes kur më ka pa e njëjta mjeke është tranuar kur më ka pa për gjendjen. Atë natë (kur ndodhi rasti) kam pi dy gota, por nuk ka qenë diçka shumë… Jam shumë falënderues prej policisë nga Hajvalia, sepse ata janë shumë koperativ, falënderues se ata kanë me marrë procesin dhe do ta sjellin drejtësinë”, tha ai.

    Ndërsa, Driton Berisha nga Lëvizja Opre Roma Kosova, ka kërkuar nga institucionet përkatëse të ndërmarrin veprime ndaj këtij rasti.

    Berisha tha se këtë rast do e përcjellin deri në fund, duke shtuar që raste të tilla mos të përsëriten më.

    “Këtu kemi ardhë që të jemi pjesë e protestës, afër Stacionit të Policisë në Graqanicë, për shkak të një rasti që ka ndodhur me 19 gusht me Burhan Ibrahimoviq, pjesëtar i komunitetit rom në Graqnicë, i cili është përcjellë nga ana e policisë brenda stacionit për shkak të një rasti konflikt verbal që ka pasur, dhe i është dorëzuar një gjobë pa dhënë deklaratë. Burhani e ka shprehur këtë shqetësim, ka pas rrahje brenda Stacionit Policisë, një gjë që ka konfirmuar edhe raporti mjekësor. Jemi më të që të kërkojmë drejtësi duke mbështetur në institucione ligjore që do e përcellim këtë rast deri në fund, dhe të japin një shembull që mos t’i ndodhë askujt kjo që i ndodhi Burhanit”, tha Berisha.

    Protesta përfundon e qetë.

  • Jasharaj: Mësimi nis më 1 shtator, por pa tekste shkollore

    Jasharaj: Mësimi nis më 1 shtator, por pa tekste shkollore

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaroi se procesi mësimor do të nisë më 1 shtator, por shtoi se shumë nxënës e mësimdhënës nuk do t’i kenë tekstet shkollore.

    Pas takimit me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Jasharaj u shpreh se mësimdhënësit janë të indinjuar me situatën e krijuar për tekstet shkollore, e prindërit “janë të nervozuar dhe të prekur”.

    “I shpreha respekt meritor për Ligjin dhe ushtrinë edhe për Ligjin që e punuam bashkë me Besnikun atë kohë të Pagave, por që fatkeqësisht u rrëzua nga Kushtetuesja e që ishte shumë më i mirë se ky Ligj. I premtova kryetarit Haradinaj që punëtorët e Arsimit edhe në këto rrethana të padrejta të këtij sulmi të ri ndaj prindërve, nxënësve dhe neve arsimtarëve të Qeverisë Kurti, MASHT-it dhe Qeverisë, ne do ta vazhdojmë betejën për dije me kushtet që i kemi dhe po e them edhe njëherë që Qeveria me gjithë ato fjalë të mëdha të Kurtit, në vend që të na sjell laptopë e projektorë, nuk po na sjell në shkolla as libra, ne do ta vazhdojmë betejën me gjysmë libra, shkumës e shpuzë. Edhe ne jemi prindër, urojmë që prindërit ta kalojnë këtë siklet dhe urojmë që mos të ketë orë të humbura”, tha ai.

    “Pikëpyetja më e madhe është se grevë s’ka, mësimi fillon të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm fatkeqësisht, pa tekste shkollore. Nuk dihet kur do të arrihet të kompletohemi me tekste shkollore”, tha tutje Jasharaj.