ATV

Blog

  • Zhegrova shkëlqen me dy gola, vlerësohet me notën më të lartë te Juventusi

    Zhegrova shkëlqen me dy gola, vlerësohet me notën më të lartë te Juventusi

    Edon Zhegrova ka lënë gjurmë në ndeshjen e djeshme të Juventusit ndaj Sassuolos, duke realizuar dy gola pas inkuadrimit në fushë.

    Futbollisti kosovar e nisi takimin nga banka rezervë, ndërsa në minutën e 60-të iu dha mundësia të hyjë në lojë.

    Zhegrova nuk e shpërdoroi rastin dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej protagonistëve kryesorë të Juventusit, duke tundur rrjetën në dy raste.

    Edhe pse Juventusi në fund u mposht me rezultat 3-2, paraqitja individuale e Zhegrovës ishte mbresëlënëse dhe mori vlerësime të larta.

    “SofaScore” e vlerësoi yllin kosovar me 9.3, duke e renditur ndër lojtarët më të dalluar të takimit.

    Ndërkohë, kjo paraqitje vjen në një moment të rëndësishëm edhe për Kombëtaren e Kosovës. Zhegrova raportohet se ende nuk ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Pas një dygolëshi ndaj Sassuolos, mbetet të shihet nëse forma e tij me Juventusin do të mjaftojë për ta bindur Fodën që ta rikthejë në listën e Kosovës.

    60 minuta pritje, dy gola dhe një notë 9.3, Zhegrova dha përgjigjen e tij në fushë.

  • Zverev kurorëzohet kampion i US Openit, mposht Sheltonin në finale

    Zverev kurorëzohet kampion i US Openit, mposht Sheltonin në finale

    Alexander Zverev është shpallur kampion i US Openit, pasi në finale mposhti amerikanin Ben Shelton dhe siguroi një tjetër trofe të madh në një vit fantastik për të.

    Gjermani, bartësi i parë i turneut, triumfoi me rezultat 6-3, 7-6, 5-7, 6-2, në një finale që solli emocione të mëdha në “Arthur Ashe Stadium”.

    Zverev e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke fituar dy setet e para. Shelton reagoi në të tretin dhe arriti ta ngushtojë diferencën, duke fituar setin 7-5 dhe duke rikthyer shpresat e publikut amerikan.

    Por në setin e katërt, Zverev tregoi edhe një herë qetësinë dhe klasën e tij. Ai e theu menjëherë shërbimin e Sheltonit dhe më pas kontrolloi plotësisht ndeshjen, duke e mbyllur setin 6-2 dhe finalen në favor të tij.

    Ky triumf ka një rëndësi të veçantë për Zverevin, pasi gjermani më në fund i dha fund pritjes pas disa zhgënjimeve në finalet e Grand Slameve. Ai gjithashtu la pas kujtimin e hidhur të finales së US Openit të vitit 2020, kur ishte shumë pranë titullit, por humbi ndaj Dominic Thiem.

    Për Ben Sheltonin, humbja ishte veçanërisht e dhimbshme. Amerikani 23-vjeçar kishte eliminuar Carlos Alcarazin në çerekfinale dhe Frances Tiafoen në gjysmëfinale, duke shpresuar të bëhej amerikani i parë pas 23 vitesh që fiton një Grand Slam.

    Megjithatë, në fund Zverev ishte më i fortë.

    Pas Roland Garrosit dhe finales së Wimbledonit, triumfi në New York e bën vitin 2026 një prej sezoneve më të rëndësishme të karrierës së tij.

    Tashmë, Zverev ka edhe një tjetër objektiv, kreun e renditjes ATP, ku aktualisht ndodhet pas Jannik Sinnerit.

  • Vendet e fundit në Bachelor po plotësohen me shpejtësi – Kolegji AAB hap konkursin për studimet Master!

    Vendet e fundit në Bachelor po plotësohen me shpejtësi – Kolegji AAB hap konkursin për studimet Master!

    Interesimi i lartë për studime në Kolegjin AAB po vazhdon edhe gjatë afatit të dytë të regjistrimit. Vendet e fundit në programet Bachelor po plotësohen me shpejtësi, ndërsa tashmë është hapur edhe konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në nivelin Master.

    Si institucioni më i madh jopublik i arsimit të lartë në vend, Kolegji AAB vazhdon të jetë ndër zgjedhjet kryesore të të rinjve që synojnë arsimim cilësor dhe përgatitje profesionale në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

    Programet bashkëkohore të studimit, stafi i kualifikuar akademik, infrastruktura moderne dhe mundësitë për zhvillim praktik e profesional janë vetëm disa nga arsyet që çdo vit sjellin mijëra studentë në kampuset e Kolegjit AAB.

    Kandidatët që ende nuk e kanë përfunduar regjistrimin në nivelin Bachelor duhet të aplikojnë sa më shpejt, pasi në programet më të kërkuara kanë mbetur vetëm vendet e fundit.

    Në të njëjtën kohë, të diplomuarit që synojnë ta avancojnë karrierën dhe të fitojnë njohuri të specializuara mund të aplikojnë tashmë në programet Master, të hartuara për t’iu përgjigjur zhvillimeve dhe kërkesave të reja profesionale.

    Aplikimet janë të hapura, ndërsa kandidatët mund të aplikojnë online ose të vizitojnë kampuset e Kolegjit AAB për informacione dhe asistencë gjatë procesit të regjistrimit.

    Mos e lini për momentin e fundit – siguroni vendin tuaj dhe bëhuni pjesë e Kolegjit AAB!

    Apliko online: https://applyonline.aab-edu.net/
    Tel: 048-999-006

  • Dy sfida interesante në Superligë, Ballkani dhe Llapi kërkojnë pikët e plota

    Dy sfida interesante në Superligë, Ballkani dhe Llapi kërkojnë pikët e plota

    Superliga e Kosovës rikthehet këtë të hënë me dy përballje interesante, të vlefshme për xhiron e gjashtë të kampionatit.

    Në Suharekë, Ballkani do të ketë përballë Dukagjinin, në një duel që pritet të sjellë rivalitet dhe emocione deri në fund.

    Skuadra nga Thëranda do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive, ndërsa Dukagjini vjen me një seri të mirë pas vetes. Klinasit nuk njohin humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe synojnë ta vazhdojnë këtë ecuri edhe në transfertën ndaj Ballkanit.

    Një tjetër përballje interesante do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku Llapi do ta presë Malishevën.

    Llapi më në fund e shijoi fitoren e parë në kampionat në xhiron e kaluar ndaj Vushtrrisë dhe tani synon të ndërtojë një seri pozitive. Në anën tjetër, Malisheva do të kërkojë reagim pas humbjes së fundit, me synimin për të shmangur një tjetër rezultat negativ radhazi.

    Të dyja ndeshjet janë në program të zhvillohen nga ora 16:00.

  • Shtyhet finalja e Superkupës së Kosovës mes Trepçës dhe Bashkimit

    Shtyhet finalja e Superkupës së Kosovës mes Trepçës dhe Bashkimit

    Finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës 2026 nuk do të zhvillohet sipas planit fillestar.

    Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë të ditur se përballja mes Trepçës dhe Bashkimit, e paraparë për 15 shtator, është shtyrë për një datë tjetër.

    Pas kërkesës së bërë nga Komuna e Rahovecit, Bordi i FBK-së ka vendosur që finalja të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Sipas FBK-së, kërkesa për shtyrjen e ndeshjes lidhet me çështje teknike dhe organizative, me synimin që të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për një organizim sa më të mirë të finales.

    Megjithatë, ende nuk është përcaktuar saktësisht se në cilën prej dy datave do të zhvillohet sfida dhe as ora e fillimit.

    FBK ka bërë të ditur se data dhe koha përfundimtare do të caktohen pas koordinimit me Komunën e Rahovecit dhe KB Rahovecin 029, ndërsa vendimi do t’i komunikohet me kohë opinionit publik.

    Kështu, tifozët e Trepçës dhe Bashkimit do të duhet të presin edhe disa ditë për ta mësuar datën definitive të finales së Superkupës.

  • Samiti i 18 i BRICS-it në Nju Dehli

    Samiti i 18 i BRICS-it në Nju Dehli

    AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

    Samiti i 18-të në Nju Delhit përfaqësojë më shumë sesa një takim të përvitshëm diplomatik. Ai reflekton kërkesën në rritje të fuqive të reja ekonomike për të pasur një rol më të madh në përcaktimin e rregullave të sistemit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ky samit, nxori në pah kontradiktat e një grupimi që përfshin rivalë strategjikë, eksportues dhe importues energjie, demokraci dhe regjime autoritare dhe në të njëjtën kohë kompleksitetin e marrëdhënieve ndërmjet vendesh që gjenden në anë të ndryshme të konflikteve ndërkombëtare të periudhës së sotme.

    ÇFARË PËRFAQËSON BRISC?

    Në burimet zyrtare indiane, BRICS numëron 11 shtete anëtare: pesë themeluesit, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, katër vendet që iu bashkuan në vitin 2024, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezinë, e pranuar në vitin 2025, si dhe Arabinë Saudite, ndonëse statusi formal i kësaj të fundit mbetet i paqartë në raportimet ndërkombëtare. Krahas anëtarëve të plotë, është krijuar edhe një rreth prej dhjetë vendesh partnere, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Kazakistani, Malajzia, Nigeria, Tajlanda, Uganda, Uzbekistani dhe Vietnami, duke i dhënë grupimit një shtrirje edhe më të gjerë në Euroazi, Afrikë, Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore. Ky zgjerim e ka shndërruar BRICS-in në një grupim që përfaqëson rreth 48,5% të popullsisë botërore, kundrejt më pak se 10% të G7. Në terma të fuqisë blerëse, vendet e BRICS prodhojnë rreth 40,7% të GDP botërore, krahasuar me 28,4% të G7; megjithatë, në vlerë nominale, G7 vazhdon të kryesojë, me rreth 54,5 trilionë dollarë, kundrejt afro 32 trilionëve të BRICS. Edhe në tregtinë e mallrave diferenca është ngushtuar, BRICS siguron afërsisht një të katërtën e eksporteve botërore, ndërsa G7 ruan një epërsi të vogël. Në teknologji, pamja është më e ndërlikuar, G7, sidomos Shtetet e Bashkuara, vazhdon të mbizotërojë në investimet private dhe modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, por Kina, motori teknologjik i BRICS, kryeson botën në aplikimet për patenta dhe botimet shkencore mbi inteligjencën artificiale, duke synuar te ngushtoje hendekun cilësor.

    ÇFARE ISHTE KY SAMIT?

    Detyra e Indisë në samitin e BRICS-it, më 12–13 shtator nuk ishte thjesht të mirëpriste udhëheqësit e një grupimi tashmë të zgjeruar. Nju Delhi synojë të tregojë se BRICS është ende në gjendje të arrijë qëndrime të përbashkëta dhe të prodhojë forma konkrete bashkëpunimi, pikërisht në një kohë kur zgjerimi rrezikon t’ia zbehë qëllimin fillestar. Tema zyrtare e samitit ishte “Ndërtimi i qëndrueshmërisë përmes inovacionit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm” dhe ishte orientuar qëllimisht drejt zhvillimit dhe jo drejt përplasjeve ideologjike. Miratimi unanim i Deklaratës së Nju Delhit që në ditën e parë përbëri një sukses të rëndësishëm diplomatik për Indinë. Konsensusi nuk ishte aspak i garantuar. Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kishte krijuar përplasje të forta mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe interesat e ndryshme kombëtare vazhdonjnë të krijojnë blloqe të ndryshme brenda BRICS.

    Megjithatë, vetë deklarata zbulon edhe natyrën thelbësore të BRICS. Një hapësirë ku nga njëra anë artikulohet pakënaqësia me rendin ndërkombëtar ekzistues dhe nga ana tjetër mbetet shumë më i kujdesshëm kur duhet të përcaktojë një alternativë të përbashkët. Forca e tij buron nga pesha politike, ekonomike dhe demografike e vendeve anëtare, kurse dobësia, nga vështirësia për ta shndërruar këtë peshë në veprim të bashkërenduar.

    REFORMIM, JO BRAKTISJE

    Pika më e qartë e Samitit në Nju Delhi ishte reforma e qeverisjes globale. Udhëheqësit e BRICS kërkuan një sistem ndërkombëtar më përfaqësues dhe një reformim të gjerë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit. Kina dhe Rusia përsëritën mbështetjen për aspiratat e Indisë dhe Brazilit për një rol më të madh në OKB, ndërsa deklarata njohu edhe kërkesat e kahershme të Afrikës për përfaqësim më të fuqishëm.

    Kryeministri Narendra Modi e përshkroi rendin ekzistues si një piramidë, në majën e së cilës vazhdojnë të përqendrohet vendimmarrja, ndërkohë që shtetet që preken më shumë prej tyre kanë mundësi të kufizuara për të ndikuar. Sipas tij, reforma e Këshillit të Sigurimit duhet të shoqërohet me ndryshime më të gjeradhe nje reformim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

    Kjo agjendë nuk duhet interpretuar thjesht si refuzim i multilateralizmit. BRICS kërkon më shumë multilateralizëm, por një multilateralizëm më pak të përcaktuar nga institucionet dhe raportet e forcës të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Deklarata e Nju Delhit kërkon më shumë fuqi vote dhe përfaqësim për ekonomitë në zhvillim në FMN dhe Bankën Botërore. Në të njëjtën kohë, ajo mbron Organizatën Botërore të Tregtisë dhe kërkon rikthimin e plotë të mekanizmit të saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

    Mund të thuhet se BRICS (të paktën në mënyrë të hapur) nuk propozon të braktisë sistemin ekzistues ndërkombëtar, por ta riekuilibrojë atë. India, në veçanti, ka kundërshtuar përpjekjet për ta përkufizuar grupimin si një aleancë të mirëfilltë kundër Perëndimit. Nju Delhi mban marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe Evropën, ruan partneritetin e vjetër me Rusinë dhe përpiqet të stabilizojë marrëdhënien e vështirë me Kinën. BRICS i ofron Indisë një hapësirë për autonomi strategjike dhe bashkëpunim me shumë qendra fuqie, pa u rreshtuar përfundimisht me asnjërën.

    SAMITI: EKONOMIA PËRPARA IDEOLOGJISË

    India u përpoq gjithashtu ta orientonte samitin drejt çështjeve konkrete ekonomike. Deklarata parashikon bashkëpunim më të fortë në tregti, financimin e zhvillimit ekonomik, sigurinë ushqimore dhe energjetike, inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën publike digjitale. Bëhet thirrje për zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm dhe kritikë për tarifat e njëanshme, sanksionet dhe masat e tjera ekonomike shtrënguese që vendet anëtare i konsiderojnë të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. Pavarësisht deshirave dhe spekulimeve të vazhdueshme, BRICS nuk shpalli krijimin e një monedhe të përbashkët. Zyrtarët indianë sqaruan se një propozim i tillë nuk është aktualisht në shqyrtim. Objektivi më realist është nxitja e tregtisë dhe investimeve në monedhat kombëtare, si dhe përmirësimi gradual i ndërveprimit mes sistemeve të pagesave ndërkufitare.

    India ka propozuar edhe lidhjen e mundshme të monedhave digjitale të bankave qendrore për pagesat ndërkufitare. Në teori, një mekanizëm i tillë mund të ulë kostot e transaksioneve dhe varësinë nga kanalet ekzistuese financiare. Në praktikë, pengesat politike, rregullatore dhe teknike mbeten të mëdha, ndërsa përdorimi i monedhave digjitale zyrtare është ende i kufizuar. Ky dallim nuk është thjesht teknik. BRICS nuk është në prag të zëvendësimit të dollarit me një monedhë të re. Përpjekja e tij është më graduale dhe më pak spektakolare, synon ndërtimin e kanaleve shtesë të pagesave, përmes të cilave vendet anëtare mund të tregtojnë në monedhat e tyre. Për Rusinë dhe Iranin, kjo do të ofronte mbrojtje nga sanksionet perëndimore. Për Indinë dhe anëtarët e tjerë, do të sillte diversifikim, pa kërkuar një shkëputje të plotë nga sistemi financiar i mbështetur te dollari.

    Banka e Re për Zhvillim mbetet arritja institucionale më konkrete e grupimit. Sipas të dhënave të saj, ajo ka miratuar rreth 42,9 miliardë dollarë financime për 139 projekte. Deklarata e Nju Delhit kërkon që banka të zgjerojë financimin në monedhat vendase dhe të forcojë rolin e saj në infrastrukturën e qëndrueshme dhe zhvillimin afatgjatë.

    Megjithatë, hendeku mes ambicieve të BRICS dhe kapacitetit të tij institucional mbetet i konsiderueshëm. Banka e Re për Zhvillim ka rëndësi, por përmasat e saj janë ende modeste krahasuar me Bankën Botërore dhe me nevojat financiare të vendeve në zhvillim. Prova e vërtetë nuk do të jetë numri i angazhimeve të renditura në deklaratë, por gatishmëria e shteteve anëtare për të siguruar burimet që i kthejnë ato në projekte reale.

    KONSENSUS NËN HIJEN E LUFTËS

    Deklarata e përbashkët shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin e konfliktit në lindjen e mesme dhe Iran, dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale” dhe theksoi dialogun, konsultimet dhe diplomacinë. Mund të themi se deklarata nuk i ngarkoi përgjegjësi të drejtpërdrejtë asnjë shteti. Ky formulim i matur e bëri të mundur në një arë mase unanimitetin, por njëkohësisht tregoi kufijtë e diplomacisë së BRICS. Konsensusi nuk u mbështet te një interpretim i përbashkët i konfliktit, por te një gjuhë mjaftueshëm e gjerë për t’u lejuar vendeve anëtare të ruanin qëndrimet e tyre.

    Kjo gjë nuk do të thotë se marrëveshja ishte pa peshë. Në një kohë kur forumet diplomatike shpesh vetëm riprodhojnë ndarjet gjeopolitike, vendosja e Iranit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Rusisë, Kinës, Indisë dhe shteteve të tjera pas së njëjtës deklaratë ka një domethënie politike. Megjithatë, pajtimi mbi disa parime të përgjithshme nuk duhet ngatërruar me një politikë të jashtme të përbashkët apo me krijimin e një mekanizmi paqeje të BRICS. I njëjti kujdes vlen edhe për Ukrainën. India vazhdon të këmbëngulë te dialogu dhe diplomacia, ndërsa Modi ngriti përsëri nevojën për t’i dhënë fund konfliktit gjatë bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin. Por BRICS mbetet i paaftë të zhvillojë një qëndrim të hollësishëm kolektiv, sepse anëtarët e tij ndryshojnë thellësisht në marrëdhëniet me Moskën dhe Perëndimin.

    INDIA MES KINËS DHE RUSISË

    Një pjesë e diplomacisë më të rëndësishme të samitit u zhvillua jashtë seancave zyrtare. Vizita e presidentit kinez Xi Jinping ishte e para në Indi pas shtatë vjetësh. Kjo vizitë krijoi mundësinë për të stabilizuar marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha të Azisë. Në takimin dypalësh, Modi dhe Xi ranë dakord se dallimet nuk duhet të shndërrohen në mosmarrëveshje të pakontrollueshme dhe shprehën mbështetje për një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme nga të dyja palët për çështjen e kufirit. Diskutuan gjithashtu pabarazitë strukturore në tregti, pasiguritë në zinxhirët e furnizimit dhe nevojën për qasje më të parashikueshme në tregje. Këto deklarata nuk përbëjnë ende një rivendosje strategjike të marrëdhënieve. Ekzistojnë ende mosmarrëveshje kufitare të cilat mbeten të pazgjidhura, mosbesimi i ndërsjellë vazhdon dhe India e sheh me shqetësim epërsinë ekonomike e politike të Kinës brenda BRICS. Megjithatë, takimi tregon përse grupimi ka rëndësi edhe kur deklaratat e tij nuk prodhojnë ndryshime të menjëhershme. Samite të tilla shërbejnë si hapësirë diplomatike ku shtetet rivale mund të menaxhojnë marrëdhëniet pa pretenduar se dallimet janë zhdukur.

    Marrëdhëniet e Indisë me Rusinë pasqyrojnë të njëjtin ekuilibër të kujdesshëm. Modi dhe Putin diskutuan energjinë, tregtinë dhe Ukrainën, ndërsa India ritheksoi rëndësinë e dialogut dhe të sigurisë së tregtisë detare. Nju Delhi kërkon të ruajë lidhjet historike me Moskën, por pa lejuar që këto marrëdhënie t’ia kufizojnë alternativat diku tjetër. BRICS i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe i mundëson Indisë të bashkëpunojë me Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që vazhdon partneritetet me vendet perëndimore.

    NJË KOALICION MË I MADH

    Zgjerimi i BRICS ka shtuar shtrirjen gjeografike dhe dukshmërinë ndërkombëtare të tij dhe njëkohësisht e ka bërë grupimin edhe më të vështirë për t’u drejtuar. Vendet anëtare pajtohen se Jugu Global meriton një zë më të fuqishëm, por jo domosdoshmërisht mbi formën që duhet të marrë rendi i ri. Disa e shohin BRICS kryesisht si një instrument për kufizimin e ndikimit perëndimor, të tjerë si një platformë negociuese për reformimin e institucioneve ekzistuese. India i përket kryesisht qasjes së dytë. Theksi i saj te teknologjia, financimi i zhvillimit, siguria ushqimore, qëndrueshmëria energjetike dhe reforma institucionale synon t’i japë BRICS një identitet praktik që nuk mbështetet vetëm te kundërvënia ndaj Perëndimit. Kjo qasje e bën grupimin më tërheqës edhe për shtetet që kërkojnë më shumë autonomi, por nuk duan të detyrohen të zgjedhin mes kampeve gjeopolitike rivale.

    Këtu mund të qëndrojë edhe roli më i rëndësishëm i BRICS. Ai nuk ka nevojë të shndërrohet në një aleancë të unifikuar për të ndikuar në politikën ndërkombëtare. Përmes bashkërendimit të kërkesave për reformën e OKB-së, përfaqësim më të madh në institucionet financiare dhe më shumë hapësirë politikëbërëse për vendet në zhvillim, grupimi mund të ndryshojë vetë termat e debatit global. Ekzistenca e tij pasqyron një botë ku fuqia po shpërndahet në më shumë qendra dhe ku shtetet perëndimore nuk mund të presin më që përparësitë e tyre ta përcaktojnë vetvetiu agjendën ndërkombëtare. Megjithatë ndikimi nuk duhet ngatërruar detyrimisht me kohezionin. Deklarata e Nju Delhit dëshmoi se BRICS mund të flasë ende njëzëri, por me kusht që zëri të jetë mjaftueshëm i gjerë për të përfshirë interesa shpesh të kundërta. Suksesi diplomatik i Indisë ishte ruajtja e konsensusit pa i detyruar shtetet anëtare të pranonin qëndrime të papërballueshme për to. Çmimi i këtij suksesi ishte një dokument më i fortë në aspirata të përbashkëta sesa në angazhime detyruese. Prandaj, rëndësia e samitit të Nju Delhit nuk do të matet me gjatësinë e deklaratës dhe as me parashikimet për ardhjen e menjëhershme të një rendi pasperëndimor, por me pyetje dhe cështje shumë më konkrete. A do të financojë BRICS më shumë projekte zhvillimi? A do t’i lehtësojë pagesat ndërkufitare? A do t’i zvogëlojë pengesat tregtare mes anëtarëve? A do të ketë bashkëpunin në fushën e teknologjisë? A do të ndërtojë koalicione efektive për reformimin e institucioneve ndërkombëtare? BRICS është sot një realitet tepër i madh për t’u shpërfillur. Por nga ana tjetër mbetet tepër i përçarë për të vepruar si një pol i vetëm gjeopolitik. Nju Delhi i shfaqi të dyja këto realitete njëherësh. Grupimi ka fituar një zë më të fuqishëm në çështjet botërore, por çështja vazhdon të mbetet nqs përtej deklaratave të samiteve, a do të arrihet ta shndërrojë zërin në veprim të përbashkët?!.

  • Xherdan Shaqiri në 11-shen e javës, shkëlqen me dy gola dhe asistim

    Xherdan Shaqiri në 11-shen e javës, shkëlqen me dy gola dhe asistim

    Xherdan Shaqiri vazhdon të tregojë se klasi i tij mbetet i paprekur. Ylli shqiptar zhvilloi një tjetër ndeshje fantastike me Baselin, duke qenë protagonist absolut në fitoren 2-4 ndaj Luzernit.

    Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në këtë përballje, duke realizuar dy gola dhe një asistim, me kontributin e tij që ishte vendimtar në triumfin e Baselit.

    Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re as nga “SofaScore”, që e shpërbleu Shaqirin me një vlerësim të jashtëzakonshëm prej 9.9, nota më e lartë e javës.

    Falë këtij spektakli, reprezentuesi shqiptar siguroi vendin e tij në formacionin më të mirë të javës, duke u renditur mes lojtarëve më të spikatur të kësaj jave.

    Ajo që bie në sy është se Shaqiri ishte i vetmi lojtar shqiptar i përfshirë në 11-shen ideale këtë herë, diçka që ndodh rrallë kur merret parasysh prania e futbollistëve shqiptarë në ligat evropiane.

    Një tjetër paraqitje për t’u mbajtur mend nga Shaqiri, i cili po dëshmon javë pas jave se ende ka shumë për të dhënë në fushën e futbollit.

  • Qeveria Kurti IV mban sot mbledhjen e parë

    Qeveria Kurti IV mban sot mbledhjen e parë

    Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, do të mbajë sot mbledhjen e saj të parë, raporton KosovaPress.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, mbledhja e parë e Qeverisë Kurti IV do të nisë në orën dhjetë.

    Mbledhja do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Kjo është mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar pas zgjedhjes së Qeverisë Kurti IV

  • PDK sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    PDK sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Partia Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.

    PDK-ja pritet të kërkojë vlerësimin e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Kurti 4.

    Kjo parti ka njoftuar se në orën 09:00 do të mbajë konferencë për media para objektit të Gjykatës Kushtetuese.

    Në konferencë do të flasin shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

    Sipas njoftimit, gjatë konferencës do të bëhen të ditura detajet e lëndës që PDK-ja do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese.

    PDK-ja kishte paralajmëruar të dielën se do t’i drejtohej Kushtetueses jo vetëm për konstituimin e Kuvendit, por edhe për formimin e Qeverisë Kurti 4.

    Qeveria e re, e drejtuar nga Albin Kurti, u votua të dielën në Kuvend me gjashtëdhjetë e dy vota për.

    Para votimit të Qeverisë, Kuvendi zgjodhi tre nënkryetarë. Kujtim Shala u zgjodh nga radhët e LDK-së, Emilija Rexhepi nga komunitetet joshumicë dhe Tanja Vujoviq nga komuniteti serb. Vujoviq vjen nga Lista Serbe.

    Pas zgjedhjes së tyre, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e konsideroi Kuvendin të konstituuar, ndonëse PDK-ja nuk kishte propozuar përfaqësuesin e saj për nënkryetar.

     

  • “Mos bëni politikë me vendimin e 16 shtatorit në Hagë”, OVL-UÇK me apel për ndërkombëtarët

    “Mos bëni politikë me vendimin e 16 shtatorit në Hagë”, OVL-UÇK me apel për ndërkombëtarët

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar duke shprehur frikë se ndërkombëtarët sikur po paralajmërojnë dënimin e katërshës së UÇK-së në shkallë të parë më 16 shtator, e më pas lirimin e tyre në Apel.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një postim në Facebook ka një apel të veteranëve të UÇK-së për Bashkimin Evropian dhe “ambasadorët e huaj”.

    “Veç çka nuk po thonë direkt: Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”, shkruan Gucati në Facebook.

    Ai në postimin e tij shkruan po ashtu: “Prandaj, apeli që veteranët e UÇK-së ia drejtojnë BE-së dhe ambasadorëve të huaj është që të mos bëjnë politikë me vendimin e 16 shtatorit në Gjykatën Speciale”.

    APELI i veteranëve të UÇK-së për BE-në dhe ambasadorët e huaj

    Shumë ambasadorë të huaj, sikurse dje edhe BE-ja, në përpjekje për t’i menaxhuar pakënaqësitë qytetare lidhur me Gjykatën Speciale, po thonë: më 16 shtator nuk përfundon gjithçka, sepse palët e kanë Apelin.

    Veç çka nuk po thonë direkt: “Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”.

    Kjo është një lojë e pistë politike me shkallët e drejtësisë.

    Gjykata Speciale, që nga fillimi, u ka raportuar diplomatëve, sepse është krijuar dhe mbështetur prej tyre. Ajo nuk ka vepruar asnjëherë si një institucion i pavarur i drejtësisë.

    Madje, më shumë është dukur e shqetësuar për qëndrimet e përfaqësive diplomatike sesa për gjetjet e organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur aty.

    Për gati gjashtë vjet, kjo gjykatë ka prodhuar vetëm narrativë që i ka shërbyer Serbisë.

    Çdo pretendim të Serbisë e ka adresuar dhe rehabilituar. Pavarësisht mungesës së kredibilitetit të dëshmitarëve serbë, i ka pranuar si dëshmitarë. Pavarësisht paqëndrueshmërisë së dëshmive të tyre, pretendimet serbe janë trajtuar si material për gjykim.

    Prandaj, dëshirë e disa ambasadorëve mund të jetë edhe tani që Gjykata Speciale të vazhdojë t’i shërbejë Serbisë me një vendim në shkallën e parë, për ta korrigjuar më pas në Apel, siç po tentohet të na thuhet. Por, një vendim i padrejtë në shkallën e parë nuk zhbëhet me një pafajësi në shkallën e dytë.

    Dëmi për Kosovën bëhet atë ditë. Historia rishkruhet atë ditë. Serbia e shfrytëzon atë ditë.

    Dhe Serbia nuk e pret Apelin.

    Ajo e përdorë menjëherë një vendim të tillë në OKB, në diplomaci, në fushatën për çnjohjet e Kosovës dhe në përpjekjet e saj për ta delegjitimuar Kosovën si shtet.

    Pasojat do të ishin shumë të mëdha edhe brenda Kosovës.

    <iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fhysni.gucati%2Fposts%2Fpfbid02seiLQqvKaJh5pXo3k6h2iubkuh6JbC1CmLWQzZjGHmZ5e7vEM7tQTJGxZYib7fujl&show_text=true&width=500″ width=”500″ height=”531″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share”></iframe>

    Nëse një gjykatë e lidh luftën çlirimtare të Kosovës me kriminalitet të organizuar, dëmi nuk mbetet vetëm në sallën e gjyqit në Hagë. Nga ajo sallë do të kriminalizohej botërisht lufta e UÇK-së.

    Dhe bashkë me të do të prekej edhe legjitimiteti i çlirimit të Kosovës, intervenimi i NATO-s dhe vetë shtetësia e Republikës së Kosovës.

    Nënshkrimi i përfaqësuesit politik të UÇK-së në Rambuje ishte vendimtar për intervenimin e NATO-s. Në koordinim me katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, aleanca veriatlantike koordinoi edhe bombardime të ndryshme të caqeve serbe.

    Prandaj, një narrativë që e kriminalizon luftën e UÇK-së nuk prek vetëm të kaluarën. Ajo prek edhe bazën politike dhe morale mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.

    Po ashtu, ajo godet edhe karakterin shumetnik të Kosovës, në të cilin bashkësia ndërkombëtare ka investuar që nga viti 1999.

    Gjykata Speciale, në rast të një vendimi të padrejtë, Serbisë do t’i jepte municion të ri diplomatik.

    Një vendim i padrejtë që kriminalizon luftën tonë, në kohën kur Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e veta dhe ta glorifikojë aparatin shtetëror që i kreu ato, nuk prodhon paqe.

    Prodhon plagë të reja. Prodhon tension. Prodhon konflikt të ri.

    Bashkësia ndërkombëtare ka investuar 27 vjet duke na folur për paqe, pajtim dhe bashkëjetesë. Prandaj, duhet ta dijë se paqja nuk ndërtohet duke e poshtëruar drejtësinë.

    Pajtimi nuk ndërtohet duke kriminalizuar viktimën si palë.

    Dhe stabiliteti nuk ruhet duke luajtur me plagët e popullit tonë.

    Drejtësia nuk është lojë me shkallë, ku dëmi i shkaktuar në të parën harrohet pas vendimit të dytë.

    Bashkësia ndërkombëtare e ka tradhtuar besimin e Kosovës, sepse ia ka tjetërsuar misionin dhe qëllimin Gjykatës Speciale.

    Ajo nuk duhet ta humbasë edhe atë që ka mbetur mes nesh.

    Vendimi i padrejtë nuk sjell paqe, por konflikt.

    Dhe kushdo që sot po luan me këtë zjarr, nesër nuk mund të thotë se nuk e dinte çfarë po bënte.

    Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm në fund. Ajo duhet të jetë e drejtë qysh në fillim.

    Prandaj, APELI që veteranët e UÇK-së ia drejtojnë BE-së dhe ambasadorëve të huaj është që të mos bëjnë politikë me vendimin e 16 shtatorit në Gjykatën Speciale.

    Mos luani më shumë me plagët tona! Mos e bëni këtë gabim!

    Hysni Gucati, Kryetar i OVL-së së UÇK-së